1990 / Hetimi i atyre që kishin shkruar kundër Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës

Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 20 prill 2009

Më 14 shkurt 1990, Dega e Punëve të Brendshme Shkodër dërgon një raport për Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit (Degës së 8-të), në lidhje me letrat me “përmbajtje armiqësore”. Shqetësimi më i madh i Sigurimit ishte më së shumti për uljen e reputacionit të Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës. Për këtë arsye ka nisur puna me çdo kusht për gjetjen e tyre.

Një urrejtje e madhe drejtohej mbi veprën e Enver Hoxhës, mbi pasuesin e tij Ramiz Alia dhe mbi Nexhmije Hoxhën. Kjo e fundit që mbante postin e kryetares së Frontit Demokratik të Shqipërisë, cilësohej si “Pantera e zezë”. Për brezin e ri që nuk di ç’ka qenë Fronti Demokratik, po themi disa fjalë. Ishte një “organizatë” që udhëhiqej nga Partia e Punës (duke pasur brenda organizate masave, satelite të PPSH-së), si vijuese e Frontit Nacionalçlirimtar. Që prej vitit 1945 udhëhiqej nga sekretari i parë i PPSH-së. Fronti paraqitej i vetëm në të gjitha zgjedhjet dhe gjithmonë “fitonte”. Ramiz Alia ia dhuroi postin Nexhmije Hoxhës, më shumë për të rritur e përligjur pjesëmarrjen e saj në jetën publike të vendit. Pikërisht për shkak të aleancës së fortë që Alia kishte me Nexhmije Hoxhën dhe për shkak të besnikërisë së tij për të vazhduar në “rrugën e Enverit”, edhe urrejtja popullore ishte e fortë. Edhe në rastet e tjera të trakteve të hedhura në qytete të tjera të vendit, “pantera e zezë” është e pranishme si e akuzuar, çka tregon më së miri se ajo urrehej në mbarë vendin.

Lënda: Për autorët e nxitësit e shkrimeve dhe letrave anonime të zbuluara në muajt janar–shkurt 1990 në rrethin e Shkodrës

Ministrisë së Punëve të Brendshme

Drejtorisë I

Degës VIII

Tiranë

Gjatë muajit janar–shkurt të vitit në rrethin e Shkodrës janë zbuluar këta autorë dhe nxitës të shkrimeve dhe letrave anonime me përmbajtje armiqësore.

Aldo Hajro Perizi, i vitlindjes 1962, lindur dhe banues në lagjen “Perlat Rexhepi”, Shkodër, me arsim të mesëm, me punë punëtor në ndërmarrjen Zukth-Kashtës, i padënuar, i pamartuar.

I nxitur nga Klaudio Daka ka shkruajtur më datë 14.01.19990, 12 copë fletushka me këtë përmbajtje armiqësore: “Vdekje Ramiz Alisë”, “Vdekje Nexhmije Hoxhës”, “Poshtë Pushteti Popullor”, “Poshtë Partia”, “Poshtë KQ i PPSH”, “Poshtë Stalini” “Jemi me Gorbaçovin”, “Jemi me Perestrojkën” etj, të cilat po këtë datë i ka hedhur në lagjen “Qemal Stafa” (prapa pastiçeri “Rinia”). Këto fletushka me përmbajtje armiqësore, të shkruara nga Aldo Perizi vërtetohen me aktin e ekspertimit grafik Nr. 23/1, datë 2.2.1990, deklaratë e Klaudio Dakës dhe të vetë Aldo Perizit. Aktualisht Aldo Perizi ndiqet në përpunim aktiv si autor i fletushkave armiqësore.

Klaudio Sandër Daka i vitlindjes 1968, lindur dhe banues në lagjen “Perlat Rexhepi” Shkodër, me arsim të mesëm, punëtor në fabrikën e duhan-cigareve, i martuar, i padënuar.

Nga materialet që disponohen del se me datën 14.01.1990 ka nxitur Aldo Perizin për të shkruar në copa letrash parulla me këtë përmbajtje armiqësore: “Vdekje Ramiz Alisë”, “Vdekje Nexhmije Hoxhës”, “Poshtë Pushteti Popullor”, “Poshtë Partia”, “Poshtë KQ i PPSH”, “Poshtë Stalini” “Jemi me Gorbaçovin”, “Jemi me Perestrojkën” etj, të cilat i ka marrë vetë Klaudio dhe së bashku me Aldo Perizin po më datë 14.01.1990 ora 20.00 i ka hedhur në lagjen “Qemal Stafa” (prapa pastiçeri “Rinia”) Klaudio është i arrestuar për këtë aktivitet armiqësore.

Klaudio Daka implikon si nxitës në shkruajtjen e parullave armiqësore dajën e tij, Tonin Ndrek Demën, i vitlindjes 1960, me banim në qytetin e Shkodrës, me arsim të mesëm, i padënuar, i martuar. Tonini ndiqet në përpunim aktiv për veprimtari armiqësore dhe po punohet për dokumentimin e aktivitetit të tij për t’u arrestuar.

Hans Julian Benusi, i vitlindjes 1971, lindur dhe banues në lagjen “Daniel Matlia” me arsim të mesëm jo të plotë, vazhdon vitin e dytë industriale pa shkëputje nga puna, me punë elektroaut në ndërmarrjen e Bonifikimit, i padënuar, i pamartuar.

Më datën 2.2.1990 Hans Benusi ka hedhur në Ndërmarrjen e Bonifikimit një fletushkë me këtë përmbajtje armiqësore; “Poshtë Partia”, “Poshtë Familja Hoxha”, kjo vërtetohet me aktin e ekspertimit grafik nr. 29, datë 7.2.1990 si dhe nga deklaratat e Çesk Berishës dhe të vetë Hans Benusit.

Nga materialet që disponohen del se Çesk Vasel Berisha është i vitlindjes lindur dhe banues në fshatin Gruda e Re me arsim të mesëm, me punë mekanik në ndërmarrjen e Bonifikimit, i padënuar, i pamartuar. Ky është nxitës i Hans Benusit dhe që të dy ndiqen në përpunim si autor të letrave me përmbajtje armiqësore.

Ylvi Shefqet Dibra, i vitlindjes 1927, lindur dhe banues në qytetin e Shkodrës, me arsim të mesëm me profesion stomatolog, në pension, i martuar, është APPSH.

Më datën 13.02.1989 i ka shkruar një letër me përmbajtje armiqësore Sekretarit të Parë të KQ të Partisë ku ndër të tjera ka shkruar fjalë të ulëta denigruese për anëtarin e Byrosë Politike që ka qenë sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Shkodrës, duke shkruar: “Nuk e meriton që të jetë anëtar i Byrosë Politike. Djalin e tij e ka dërguar në Francë për kurim, se i dhimbte veshi, e shoqja nga Parisi solli një kone që e ushqen me bërxolla … ka dhënë urdhër që t’i ndërtohet shtëpia e re veteranit të luftës …”. Gjithashtu në letër ka shkruar edhe barcaleta me përmbajtje armiqësore. Në bazë të aktit të ekspertimit grafik, Nr. 8, datë 13.01.1990 është vërtetuar se këtë letër e ka shkruar Ylvi Dibra dhe me miratim të sekretarit të parë ët Komitetit të Partisë së rrethit, Ylvi Dibra do të thirret e pyetet.
Frederik Rrok Ejlli, i vitlindjes 1978 (vjeç 12) lindur e banues në fshatin Juban të Shkodrës, nxënës në klasën e 5-të të shkollës 8 vjeçare Juban.

Më datën 22.01.1990 në fshatin Juban nga Frederik Ejlli është hedhur një fletushkë me këtë përmbajtje armiqësore: “Poshtë Partia”, “Poshtë Ramiz Aliz”. “Nëse s’ban, do ta hekim komunizmin”. Kjo fletushkë është vërtetuar që është shkruar dhe hedhur nga Frederik Ejlli, si nga akti i ekspertizës grafike, ashtu edhe nga vetë shpjegimet e tij, ku si nxitës në këtë veprimtari është i vëllai i tij, Nesti Rrok Ejlli, i vitlindjes 1971, me banim në Juban me arsim 8 vjeçar me punë në kooperativë. Aktualisht po vazhdojnë veprimet operative për sqarimin e këtij problemi për të zbuluar nxitësin etj.

Disa nga traktet dhe parullat e hedhura në Shkodër në janar–shkurt 1990

  • “Poshtë partia”
  • “Poshtë socializmi”
  • “Poshtë Enver Hoxha”
  • “Liri demokraci”
  • “Poshtë pushtetit popullor, rroftë kapitalizmi”.
  • “Poshtë pantera e zezë”
  • “Poshtë Enver Hitleri”
  • “Poshtë komunizmi”
  • “Poshtë Ramiz Alia”.

* Titulli origjinal në gazetë: Si raportohej për disa prej shkruesve kundër “Panterës së zezë”

The post 1990 / Hetimi i atyre që kishin shkruar kundër Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës appeared first on Observatori i Kujtesës.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/1990-hetimi-i-atyre-qe-kishin-shkruar-kunder-ramiz-alise-dhe-nexhmije-hoxhes/