1975 / Presidiumi: T’i presim me sëpatë “puçistët” e ushtrisë

Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 10 korrik 18

Presidiumi i Kuvendit Popullor u mblodh në mbledhje të jashtëzakonshme, të mërkurën e 5 nëntorit 1975, për të shqyrtuar vendimin nr.10, datë 5.11.1975 të Gjykatës së Posaçme Ushtarake që dënoi me vdekje ish funksionarët: Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume. Po atë ditë, tre të dënuarit kishin paraqitur kërkesa për faljen e jetës, Presidiumi miratoi vendimin dhe ora 16.00, Nevzat Haznedari ekzekutoi dënimet me vdekje. Shumë e përpiktë partia për të bërë gjithë këto punë brenda një dite. Të pandehurit akuzoheshin për “sabotim të rolit udhëheqës të partisë; sabotim të mbrojtjes, stërvitjes e fortifikimit; sabotim të legjislacionit e ekonomisë; sabotim në frontin ideologjik; përvetësime, vjedhje, shpërdorime, maskarallëqe”, etj. Kryetari i gjykatës së ka dhënë dënimet, Aranit Çela mbron vendimin para Presidiumit të Kuvendit Popullor. Zhvillohet një debat i gjatë në lidhje me domosdoshmërinë e dënimeve me vdekje. Pasi konsumohet pjesa politike, e gjitha e pabesueshme, pasi të dënuarit nuk kishin rrezikuar pushtetin e kohës, kalohet në diskutimin se Presidiumi duhej t’i priste me sëpatë ata.

Pjesë nga diskutimi, për të parë në ç’nivel debatohej në organin kolegjial më të lartë të shtetit

Pilo Peristeri: Ata hetuesit duhet t’i përgëzojmë.

Kryetari (Haxhi Lleshi): Ashtu është. Rëndësi kishte dokumentimi që ua provuan me dokumente tradhtinë.

Pilo Peristeri: Ne si Presidiumit, shoku Haxhi, me sëpatë t’i presim.

Rita Marko: Po për atë jemi mbledhur, t’u japim sëpatën.

Kryetari: Me vdekje, ashtu siç ka vendosur gjyqi.

Rita Marko: Jemi plotësisht dakord me Gjykatën e Lartë.

Telo Mezini: Atëherë t’u refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Vendoset që Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, të dënuar me vdekje (pushkatim) nga Gjykata e Posaçme Ushtarake t’u refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

The post 1975 / Presidiumi: T’i presim me sëpatë “puçistët” e ushtrisë appeared first on Observatori i Kujtesës.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/1975-presidiumi-ti-presim-me-sepate-pucistet-e-ushtrise/