“Vitet e fundit , udhëheqësi kryesor, nuk vinte të pushtonte të vila e Ujit të Ftohtë, ajo frekuentohej nga fëmijët, të cilët…”/”Reportazhi i panjohur i gazetarit të “Mediterane”

Nga Gëzim Llojdia  

Memorie.al / Gazetari i “Mediterane” një revistë periodike me rreth 300 faqe, që botohej në frëngjisht, në atdheun e gjuhës frënge dhe që merrte udhë shtrirje për në shumë vende, që lageshin nga deti i Mesdhe, erdhi edhe në Shqipëri. Kishte mbërritur në Durrës me një katamaran të vjetër. Zbriti në jug për të ecur si shtegtar sipas këtij itinerari: Durrës – Vlorë – Korfuz – Pire – Kajro. Në hartë, kishte shënjuar piketa të tjera në vendet e gjirit që lageshin nga ky det, ose mund të binin rreth e qark detit të “Mesdheut” tonë. Ai ishte flokëgjatë dhe më ngjasoi me ata italianë jugorë, kryesisht siçilianë. Më dha një numër të revistës “Mediterane”. Kur të shkruante reportazhin për jugun e vendit tonë, ai të lexohej ndër faqet plot shkëlqim të revistës, mua do të më dërgonte disa numra të “Mediterane”. Në fakt ai e mbajti fjalën, mirëpo djegia dhe zhuritja që kishte hyrë një ditë të martë dhe një vit të mbrapsht në vendin tonë në ‘97-ën, bëri që revistat të humbisnin diku nëpër duart e kontrollorëve doganor, me fletët e të cilës kishin mbështjell bukën, apo ca fishekë. Gazetari italian, kërkoi të shihte vilat e udhëheqësve të regjimit komunist të para viteve ’90-të, në kodrën e Ujit të Ftohtë. Kërkesa e tij më gjeti pak gafil. Zeshkani frëng, bëri pyetjen: -Përse, a nuk është e mundur?!

Shkrimi i gazetarit italian, në “Mediterane”

…Vila e ish-udhëheqësit kryesor të regjimit komunist, gjendet edhe sot aty, ka ndryshuar vetëm destinacioni. Sapo del nga tuneli i Ujit të Ftohtë, nuk ka tabela as mbishkrime. Majtas sërish prapë majtas. Vila hijerëndë. Me 3 kate ndërtim, një baxha madhështore. Rruga vjen nga pas, për te porta e hyrjes. Kjo ndërtesë, nga vitet ‘2000, ju vë në shërbim të Antitrafikut. Ajo ruhej siç kishte funksionuar në kohë të saj. Pritëm deri sa erdhi urdhri dhe ushtari hapi portën e madhe.

-Këtu nën këtë portë, ka kaluar ai, – tha shoferi.

Frëngu pyeti: çfarë? Përpara, vila tre kate, kishte një pyll me lule kacavjerrëse.

-E pyetëm frëngun: Si ju duket?

-Për ne asgjë e re, kështu kemi plot në Francë. Për ju, tepër e shtrenjtë.

Erdhi ndërkaq edhe drejtori i vilave. Ai na udhëhoqi nëpër strehën ku kalonte pushimet, familja dhe vetë udhëheqësi komunist, Enver Hoxha. Vila më shumë frekuentohej prej fëmijëve dhe më pak prej udhëheqësit, – tha ai.

Vitet e fundit, udhëheqësi kryesor, nuk veronte në vilën buzë detit këtu në Vlorë, por në Pogradec. Vila kishte ashensor. Zbritëm në katin e poshtëm. Ishte një sallë madhe, sa hapësira e vilës. Tejpërtej saj, – filloi të shpjegonte drejtori -, i cili na tha se kjo ishte sallë lojërash, pra një ambient kaq i madh, ishte ndërtuar vetëm për t’u argëtuar…!

Aty kishte kosha basketbolli, një rrjetë volejbolli dhe një banak me pije, që thante etjet e të zotërve të shtëpisë, pas çdo loje.

Pastaj kaluam në kuzhinën e vilës.

Në katin e sipërm, kishte shumë dhoma për personelin. Kati sipër përmbante dy dhoma kryesore.

…Dhoma e udhëheqësit, ishte në anën e perëndimit dhe dhoma e gruas së tij, Nexhmijes, binte nga ana e malit të Shushicës. Përmasat e dhomave ishin pothuajse njësoj. Ajo, që të binte në sy ishte se, dhoma mund të ishte rreth 30-m. dhe krevati në fund të saj, dukej se ishte fare i vogël. Në kokë të krevatit’ ishte një radio. Pranë dhomës së gjumit, ishte një paradhomë tjetër e cila, siç më shpjegoi drejtori i vilave, shërbente për mjekun personal të udhëheqësit.

Me rëndimin e shëndetit, (ai vuante nga sëmundja e diabetit), mjeku personal, rrinte në dhomën ngjitur, për çdo të papritur. Dhomat i ndante një korridor i madh. Edhe dhoma e Nexhmijes, kishte ato përmasa si dhe atë mobilim. Po ta krahasoje më kohën kur, shumica e shqiptarëve nuk kishin strehim ose jetonin nëpër banesa 1+1, parafabrikate, disa çifte brenda mureve të ngushta, kjo përbënte luks.

Drejtori i vilave, tha se pajisjet për këtë vilë, ishin porositur në shtetin italian, ndërsa aty kishin mbërritur me vapor.

Rreth 60 milion e lekë, me kursin asaj kohe, ishin shpenzuar për të blerë komfortin e vilës. Në katin e dytë, ishte një lloj pishe, që nuk rritej as nuk thahej, por qëndronte përherë e gjelbër.

Kisha lexuar një libër, që shoqëruesi personal i udhëheqësit, një fare Sulo G., kishte botuar një libër në kohën e regjimit të tij. Në atë libër, bëhej fjalë për ndërtimin e një tubacioni dhe të një pishine, për të sjell ujët e detit, sipër në atë kodër, për në pishinën e vilës. Kishte vite, që ai nuk shkonte më tek deti, ndërsa freskohej në ujët e pishinës.

Pishina ishte në një gjendje vajtuese, e boshatisur krejtësisht. Kishte vite, që nuk përdorej më. Kurrë si lanë të qetë njerëzit në hamendjet e tyre, përse nuk përdorej? Kishte zënë ndryshk. Lule në oborrin e pasmë, përbënin një oaz të parfumosur me aromën e tyre.

Ishin dekoracion i rrallë. Ato ishin në ngjyrime të theksuar, me të kuqen. Vila ishte ndërtuar në atë kodër të bregdetit, për kohën e pushimeve. Këtu udhëheqësi komunist, ka kaluar një pjesë të kohës, por siç përmendi drejtori i vilave, nga bisedat, ai kishte mësuar nga punonjësit e shërbimit, se udhëheqësi komunist, nuk vinte më vitet e fundit të jetës, në vilën verore e Ujit të Ftohtë.

Do ta  përdornin fëmijët, nipër, stërnipër, ç’imagjinatë që zor se mund ta deshifroni!

Janë dallgë të atij deti mendimet e mia, që godisnin brigjet dëshmitare të saj. Pasqyrimi i saj na lejon të qartësojmë, thellësinë nën suprinën e ujit. Po sikur, por u gremis regjimi dhe s’ka sikur…!

…Në të vërtet, pa e mohuar, do ta themi atë që pashë, fare mirë. Një rrugë që zbret drejt e në det, aty tek tuneli, pa u parë nga njerëzit, jashtë mureve të vilave. Po t’ua thuash vlonjateve të rinj, ngrenë supet. Përndryshe, më të vjetrit, e ruajnë në kujtesë kohën kur, vendi ishte i parrethuar. Ajo është reale sepse, është në natyrë atje gjendet tek bregu i detit, përmbi tunel ose anash tij më ngjanë.

Këtë e kanë parë ose e dinë vetëm ata, që kanë hyrë brenda këtij territori. Vilat që qeveritarët ndërtuan në Ujët e Ftohtë, treguan etjen e tyre, për privilegje dhe kushte komforti, kur popullsia e vendit jetonte në kushte të vështira strehimi, sidomos në vitet ’80-të, strehimi mbetej problemi kryesor, aq sa, të paktën në vitin ’92, vetëm Vlora trashëgoi mbi 2.000 apo 3.000 të pastrehë.

Vilat e qeveritarëve të kohës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, u bënë shpesh shkak edhe për anekdota. Kur vinte “xhaxhi”, kështu e quanin ata udhëheqësin kryesor komunist, nën zë, u siguronte stacionet e RAI-it në kohë reale, duke ndezur përforcuesin e sinjalit televiziv, të vilave.

Kur një grup turistësh të huaj mbërritën në atë pjesë të qytetit, në vitet e regjimit komunist, sekretarja e Komitetit, u tregoi me dorë, të filmonin andej, duke treguar vilat. I xhiruan në celuloid. Pamjet e xhiruara nuk u shfaqën askund. Kishte ndodhur një ngjarje e cila u mbajt në fshehtësi të madhe. Filmat u dogjën nga agjentët e Sigurimit të Shtetit, në makinat e tyre.

Në një pamje që të zë syri, shfaqen 3 kate të cilat, në pjesën e përparme kanë verandë me pamje nga deti. Ka pemë të mëdha, shkurre zbukurimi, kryesisht lule kacavjerrëse të cilat, formonin tunele me lule, ka një hapësirë dhe fushëpamje të pa imagjinueshme. Është e ndërtuar në kodër dhe zapton disa qindra metra tokë.

Vila e udhëheqësit komunist, shërbeu për një periudhë 50 vjeçare, si vilë e shërbimeve qeveritare, ndërsa u transformua pas viteve 2000, në Qendrën Antitrafik. Në këtë zonë, gjenden edhe vilat e ish-anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së.

…Vila e ish-kryeministrit të vrarë, Mehmet Shehut, është një ndërtim përrallor. Gjendet fare pranë detit. Kati i parë, thuajse ka cekur detin. Të dy katet e tjera, dëgjojnë shpesh dallgët, që zhurmojnë në ditët me rrebeshe shiu e erë të fortë.

…Ka një ndërtim tjetër pak më të spostuar. Tre kate, për nga forma dhe arkitektura, ndërtimi është më i plotë. Vilat e tjera, që gjenden në grumbullin “Vilat e Ujit të Ftohtë”, janë me një arkitekturë të veçantë.

Mënyra e shqyrtimit për ndërtimin e bllokut të vilave në Ujët e Ftohtë, në kohën e regjimit komunist, ishte konceptuar për t’i krijuar kushte komode udhëheqjes së Partisë, në një ndër vendet më të lakmuara në bregdetin jugor.

Pra aty, të pushonin të qetë, larg zhurmave. Kishte kontrolle, tabela, policë për të evituar zhurmat e natës në bisedat e tyre, kur mbulonte errësira, ata pyesnin: Çfarë kanë, që rrokanisen ashtu?!

Shumë prej anëtarëve të Byrosë Politike të atij regjimi, pas shpalljes së tyre si “tradhtarë dhe armiq të popullit”, pothuaj në çdo plenum, ose periudhe rreziku për Partinë, janë larguar që andej duke u ngurosur nëpër kampe e burgje, ose në nëntokën e ftohtë.

Njeri prej tyre, ishte edhe ish-kryeministri i atij regjimi, Mehmet Shehu, ish-luftëtar në Brigadat Internacionaliste në Spanjë në vitin 1936, dora e fortë  e regjimit, i njohur për vrasjet të kryera gjatë Luftës pa gjyq, kundër nacionalistëve.

Vila, që u ndërtua për ish-kryeministrin Shehu, ka një pozicion dhe ndërtim, që e këqyrur në çdo pozicion, përbënte një atraksion në bregdetin jugor.

Qazim Koculit, kur përfundoi Lufta e Vlorës, ju dhurua një vilë në majë të kodrës së Ujit të Ftohtë. Vila e tij, e ka fytyrën nga deti. Për afro 50 vjet, ajo ka qenë e përfshirë në bllokun e shërbimeve qeveritare, që u shërbente funksionarëve shtetërorë të regjimit.

Vilën e Qazim Koculit, e përmend në kujtimet e tij edhe Eqrem bej Vlora. “Vila e Qazim Koculit, një nga personazhet kryesore të kohës së Luftës së Vlorës, i ishte dhuruar atij nga qeveria e kohës, për kontributin në Luftën e Vlorës, si një nga drejtuesit e saj”.

Qazim Koculi (1887 – 2 janar 1943), ishte një politikan shqiptar në fillim të shekullit XX-të, i cili vetëm një ditë, qëndroi në postin e kryeministrit të Shqipërisë. Ai, ishte gjithashtu një udhëheqës i shquar ushtarak, gjë të cilën e tregoi me vepra në Luftën e Vlorës, në vitin 1920, si komandant kryesor ushtarak i forcave shqiptare. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/vitet-e-fundit-udheheqesi-kryesor-nuk-vinte-te-pushtonte-te-vila-e-ujit-te-ftohte-ajo-frekuentohej-nga-femijet-te-cilet-reportazhi-i-panjohur-i-gazetarit-te-medite/