“Vëllai im, oficer i Kufirit, u akuzua se do i bënte atentat Hrushovit në Korçë dhe u pushkatua…”/ Historia tragjike e togerit rebel

Nga Sabit Zeneli   

Memorie.al / Mjekun Vasil Zoga, e kam takuar në Korçë në një festival mbarëkombëtar. Gjatë bisedave të gjata ai, më ka treguar shumë gjëra interesante për kohën e monizmit në Shqipëri, për dhunimet, syrgjynosjet e dënimet drakonike me burg pa bërë asgjë. Ishte e dhimbshme të dëgjoje për raste makabre që kishte bë pushteti komunist. Ishin burgosur vetëm se ju kishte tek dikujt të bënte keq, me pretekst se ishin armiq të klasës, se donin të arratiseshin, e deri te motivet e dobëta. Sipas xha Vasilit, shumë të rinj që i kishin nuset e bukura, i ndanin në punë, burrin e dërgonin në ara, kurse nusen në pastrimin e stallave dhe pastaj i çnderonin dhe i kërcënonin se do ti burgosnin, po guxuan të flisnin. Në internim, kishin punuar punë të rënda dhe jo rrallë e kishte prerë me drapër ndonjërin gisht goxha shumë, që të mund të kërkonte ta dërgonin në ambulance, e të paktën të pushonte ndonjë orë.

Një intervistë e ish – shefit të Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani, e kishte prek tej mase të moshuarin sepse ai, kohën e diktaturës e kishte quajtur parajsë, madje kishte shkuar aq larg, sa kishte deklaruar se; kurrë, askush, nuk ishte dënuar pa faj. Xha Vasili e demantoi me fakte, duke na treguar ngjarje të trishta për “drejtësinë” e asaj kohe. Edhe sot plaku i urtë është i pakënaqur me pushtetin aktual sepse, një numër i ish agjentëve të Sigurimit të Shtetit të kohës së monizmit, janë kthyer në poste me rëndësi. Xha Vasili, pas ardhjes në pushtet të socialistëve, ka ikur në Greqi dhe për momentin jeton në Athinë.

Jani Kristo Zoga, partizan i plagosur tetë herë

Disi më bëri përshtypje historia e familjes së tij e në veçanti fati i vëllait të tij, Janit. Jani Zoga rridhte nga një familje e varfër shumë anëtarshe e fshatit Shtitkë të Kolonjës, e cila kishte të vështirë ta siguronte bukën për disa muaj dhe më shumë ishin të uritur se të ngopur. Ai ishte pajtuar si bari delesh në Selenicë të Kolonjës, te Cute Selenica, i cili ishte beu i fshatit.

Ai të paktën ushqimin e kishte të siguruar por, arrinte që herë pas here ta ndihmonte edhe familjen, me ndonjë kacidhe.

Puna si bari kishte qenë e rëndë pasi beu, ishte shumë kërkues dhe i pamëshirshëm me barinjtë dhe punëtorët tjerë e, jo rrallë edhe i rrihte pa ndonjë arsye! Jani ende nuk i kishte mbushë tetëmbëdhjetë vjeç dhe pothuajse jeta në shërbim të beut, i ishte bërë e pamundur. Një ditë, derisa po ruante bagëtinë, ishte zënë keq me beun.

Ai e kishte sharë duke e quajtur “harbutë e leckaman” e kur ky ia kishte kthyer, ai kishte zbrit nga kali dhe kishte dashur ta rrihte me kamxhik, siç bënte edhe herëve tjera, por djaloshi i kishte kap kamxhikun dhe pastaj kishte ikë. Cute beu i xhindosur, kishte nxjerrë koburen dhe kishte qëlluar në drejtim të djalit të ri i cili, duke devijuar rrugën, kishte hyrë në një pyll dhe kishte shpëtuar.

Jani, kishte dëgjuar nga barinjtë më të vjetër se asaj ane, ishin formuar disa çeta partizane dhe ai shkoi në Dardhë të Korçës e, akoma pa i mbushur 18 vjeç, pranohet në një njësit partizan, meqë kishte lëshuar shtat dhe për vitet që kishte, ishte mjaftë i fuqishëm. Pastaj gjatë betejave, ishte treguar trim dhe shok i përkushtuar, pa bishtnuar asnjëherë urdhrave te eprorëve. Ishte plagosur tetë here, goxha rëndë por, kishte shpëtuar gjallë. Ai ishte treguar edhe shumë human me të plagosurit dhe të vjetëri në çetë, kështu që shumë herë, ishte paraqit vullnetar në aksione të ndryshme, në vend të atyre qe ishin të lodhur apo, akoma të pashëruar sa duhet.

Për trimërinë e treguar në Luftë, ishte dekoruar gjashtë herë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe shi për këtë, menjëherë pas lufte, e dërgojnë në shkollën për oficer, të cilën e mbaron me sukses dhe gradohet toger. Më vonë sistemohet me shërbim në sektorin e mbrojtës së Kufirit në vende të ndryshme.

Oficer Kufiri në Braçanj të Kolonjës

Në natën e 20 marsit të vitit 1957, toger Jani Zoga, ishte komandant në pikën e kufirit në Braçanj te Devollit. Kishte qenë një natë e zakonshme, derisa dikur në orët e vona, nuk kishte rënë zilja e telefonit. Jani ishte shqetësuar sepse, në vitet e pasluftës, ushtria greke provokonte shpesh në kufi dhe nuk ishin të rralla as luftimet me ta. Jani Zoga, nxitoi të ngrinte receptorin. Në anën tjetër të telefonit, njohu zërin e Xhelo Abazit, komandant i postës së kufirit, në Kozel të Kolonjës.

Ndryshe nga sa priste, biseda nisi me fjalët e zakonshme, por në zërin e Abazit, dukej se kishte një shqetësim të fshehur. Xhelo Abazi, po e pyeste se si ia kishte kaluar ato ditë të ftohta të marsit… e pyeti për familjen…?! Biseda pati një hyrje të gjatë, gati të mërzitshme. Pyetjet dukeshin sikur nuk kishin lidhje njëra me tjetrën…! Ishte e dukshme që Abazi, po përpiqej të gjente fjalën e duhur për të hyrë në temë. Edhe Jani Zoga po ndjente se po afronte çasti për marrjen e lajmit. Nuk e dinte nëse do të ishte i mirë apo i keq.

Propozimi për një vrasje…!

– “Më thuaj përse më telefonove kaq vonë”, – i tha Jani Zoga.
– “Kemi vendosur të vrasim një njeri”- tha Xhelo Abazi.
– “Të vrasim një njeri? – pyeti i habitur Jani Zoga. – Si ta vrasim”!? Parandjenja se diçka e tmerrshme kishte për të ndodhur, doli të jetë e vërtetë!

– “Po kush është ky njeri”? Xhelo Abazi e vonoi disi përgjigjen, pastaj ftohtë kishte thënë:

– “Njeriu që do të vritet, është Sabri Rakipi, bashkëfshatari tënd”. Hutimi i Jani Zogës, u bë edhe më i madh. Nuk po kuptonte asgjë.

– “Pse duhet të vritet Sabri Rakipi”?- e pyeti.
– “Do ta vrasim sepse ka mundësi që të arratiset”, ja kishte kthyer Xhelo Abazi. Jani Zoga, kishte filluar të qeshte me të madhe.

– “Ore Xhelo, po tani në mes të natës e gjete të bësh shaka të tilla…”?!

Xhelo Abazi, ishte nga Qesarati i Tepelenës, njeri i afërt i kryeministrit, Mehmet Shehu. Në atë kohë ishte 44 vjeç. Jani Zoga, ishte nga Shtitka e Kolonjës, vetëm 33 vjeç. Që të dy mbanin gradën e togerit dhe njiheshin prej kohësh.

“Nuk është shaka, – ishte përgjigja e Xhelo Abazit – Sabri Rakipi do të vritet. Për vrasjen e tij është në dijeni Komiteti i Partisë dhe Komiteti Ekzekutiv i rrethit Kolonjë, sekretari i organizatës së Partisë në Shtitkë, Petraq Xheka edhe disa anëtarë të Këshillit Popullor të fshatit…! Gjithçka duhej të mbahej e fshehtë…! Për vrasjen e tij ka dijeni edhe komandanti i Kufirit në Korçë, gjeneral-major, Zija Kambo dhe Kryetari i Degës së Brendshme në Korçë, Jani Naska, por edhe Nevzat Hasnedari”.

Për Jani Zogën, tashmë nuk kishte më asnjë dyshim: Sabri Rakipi do të vritej.

-“Kjo është çmenduri ju nuk mund ta vrisnin Sabri Rakipin – u përgjigj Jani Zoga, jo se ai është bashkëfshatari im, por sepse ai është plak, po u afrohet të 80-ve dhe nuk mund të arratiset dot edhe po të dojë se, është keq edhe nga shëndeti…! Duhet të ketë ndonjë keqkuptim…! Familja e tij e mbështeti luftën… ka qenë edhe në aksionin për prerjen e shtyllave të telefonit në fushën e Qinamit. Është gabim kjo që po më thoni…”!

– “Nuk ka asnjë gabim, – tha Xhelo Abazi,- Sabri Rakipi ka filluar ta dredhë bishtin, ne kërkojmë bashkëpunimin tënd”.

Në zërin e Xhelo Abazit ndihej nervoziteti. Edhe Jani Zoga nuk ishte më i qetë:

– “Ju këshilloj që të mos e bëni një gjë të tillë se do të mbani përgjegjësi ju jeni çmendur….”?!, dhe Jani e kishte lëshuar receptorin e telefonit i shqetësuar.

– “Atë natë nuk pata gjumë”, kishte treguar në familjen e tij Jani Zoga. Ai ishte i martuar, kishte tre fëmijë: Petraqin dhe Llazin, fëmija i tretë i vdiq i vogël.

– “Nuk mund ta besoja dot se si mund të vritej një njeri i pafajshëm. Nuk po e kuptoja se çfarë po ndodhte me njerëzit që kishin ardhur në pushtet”, ju kishte thënë i shqetësuar familjarëve te tij, toger Jani. Për vrasje prapa shpine, kishte dëgjuar edhe në kohën e Luftës, por askush nuk e dinte si kishte ndodhur dhe përse! Të qenit i ri, nuk i jepte mundësi të kuptonte më shumë. Gjithçka kryhej në fshehtësi të plotë.

Tashmë nuk mund të ndodhnin më vrasje të tilla me një plumb pas koke, por metodat e Luftës për eliminimin e kundërshtarëve, ja që po mbaheshin gjallë akoma! Zyrtarët kishin filluar të silleshin me agresivitet. Ndoshta atje në kupolën e shtetit, nuk dinin asgjë se çfarë ndodhte poshtë…! Të paktën kështu mendonte në atë kohë Jani Zoga. Një rast i tillë i kishte ndodhur edhe në lokalitetin e fshatit Qafëzez. Kryetari i lokalitetit, një farë Myrto nga Luarasi, po sillej gjithë arrogancë me një grua që kishte shkuar atje, për t’i qarë hallet. Myrtoja dëgjonte dhe i përgjigjej me ironi. Nuk kishte mundur ta duronte.

– “Mos u sill kështu me hallexhinjtë – i kishte thënë Jani Zoga, sepse nuk kemi ardhur në pushtet për të nëpërkëmbur njerëzit”! E kishte mbërthyer për gryke dhe e kishte nxjerrë nga zyra. U bë shumë zhurmë, por fatmirësisht asaj radhë nuk pësoi ndonjë gjë. Kundër kishte dalë edhe kur, Mehmet Nazarkon, familje patriotësh nga Helmësi, kërkonin t’a shpallnin kulak. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe për Miço Priftin nga Shtika, për Sulo Tefikun nga Qinami dhe për disa banorë të Devollit.

Shpresonte shumë se ky vend, do të kishte drejtësi. Tashmë kur po përgatitej vrasja e Sabri Rakipit, nuk ishte i sigurt nëse do ta ndalte dot atë vrasje, por besonte shumë se Xhelo Abazi, nuk do të kishte guxim t’i shkonte deri në fund aventurës së tij. Nëse do të ndodhte, Jani Zoga, do ta denonconte. Ai e kishte këshilluar Xhelon, mos t’a bënte një gjë të tillë sepse, do të pësonte si kohë më parë, për informacione të rreme për punonjësin e Sigurimit të Shtetit, njëfarë Ibrahimi nga Luarasi, që punonte në Pogradec.

Rrëmbimi i Sabri Rakipit

Vendosmëria e toger Janit për ta denoncuar, me gjasë nuk i kishte bërë aq përshtypje Xhelos i cili, kishte vendosur ta kryej krimin ndaj të moshuarit, jo për far patriotizmi, po më shumë për motive të dobëta. Kështu, me 25 dhjetor te viti 1957, kishte dërguar dy njerëz të armatosur në fshatin Shtikë, për të arrestuar Sabri Rakipin.

E kishin rrëmbyer të moshuarin i cili nuk e kishte pas idenë se çfarë po ndodhte dhe e kishin çuar deri në afërsi të kufirit me Greqinë, që të dukej si tentativë arratisje dhe e kishin vrarë pa mëshirë. Mëngjesin e asaj dite, lajmi u përhap me shpejtësi. Agjentet e ndryshëm kishin përhapur fjalë, gjoja se plaku i gjorë, kishte dashur të arratisej pasi, kishte qenë ne shërbimin sekret të armikut por, “falë vigjilencës së organeve të Partisë, ishte hetuar dhe likuiduar”.

Tmerri kishte përfshi gjithë Kolonjën. Pak kush i kishte besuar asaj propagande sepse, e njihnin mirë plakun Sabri por, askush nuk kishte guxuar të thoshte asnjë fjalë. Viktimën e kishin ngarkuar në një mushkë, për ta çuar në qytetin e Ersekës. Kufoma mbeti për tre ditë në qendër të qytetit, mes Komitetit të Partisë dhe komitetit Ekzekutiv. Duhej ta shikonin të gjithë e të gjithë ta pështynin sepse, Partia e kishte shpallur tradhtar. Në një transparent kishin shkruar: “Ja kështu do ta pëson çdonjëri që do të tenton të arratisej”.

Po atë mëngjes lajmi do t’i mbërrinte edhe Jani Zogës. Ai kishte vendosur të kërkonte të zbulohej e vërteta, se si kishte ndodhur vrasja. Ai e denoncoi te organet e Sigurimit Xhelo Abazin dhe tregoi, për bisedën që e kishte pas me të, kur ishte kujdestar dhe për ofertën qe i kishte bërë, për te likuiduar fshatarin e pafajshëm. Policia kishte ndërmarrë një aksion dhe kishte arrestuar katër veta: toger Xhelo Abazi nga katundi i Qesaratit të Tepelenës, i datëlindjes 1913. Ushtar Ibrahim Budini, i datëlindjes 1936, nga fshati Selishtë i Peshkopisë, (efektiv i repartit 425 në Bilisht), arrestuar më 10 maj 1957. Rreshter Paskal Naska, i datëlindjes 1936, nga Qilarishta e Përmetit, (efektiv i repartit 8800), arrestuar më 31.8.1957. Si dhe Halil Xibri.

Këta persona, dhanë dëshmitë e tyre për vrasjen makabër të Sabri Rakipit, të pafajshëm, para Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, e përbërë nga Nënkoloneli Mustafa Qilimi, kryetar, Nënkoloneli Sotir Spiro, anëtar dhe nga major Hilmi Telegrafi, anëtar. Jani Zoga, kishte deklaruar se; toger Xhelo Abazi, e kishte marrë në telefon më 20 shkurt në postën kufitare të Braçanjit në Bilisht, ku i kishte kërkuar që të bashkëpunonte për vrasjen e Sabri Rakipit, pasi për ekzekutimin e tij, kishte biseduar edhe me sekretarin e organizatës së partisë, Petraq Xheka dhe me të tjerët.

Plani ishte bërë që; Sabri Rakipi të vritej, ose kur të shkonte në mal në arat e tij për të punuar, ose kur të shkonte me bagëti, “skenarin e kemi përgatitur”, i kishte thënë Xhelo Abazi. Ushtar Ibrahim Budina, kishte deklaruar se e kishte nxitur Xheloja që, natën e 25 marsit të vitit 1957, që së bashku me shokun e tij Halil Xibrin, të shkonim dhe ta merrnim Sabri Rakipin në shtëpinë e tij, duke e mashtruar sikur e kërkonin në postën kufitare të Kozelit.

I moshuari kishte hetuar se diçka nuk shkonte dhe kishte refuzuar të vinte, “por ne e rrëmbyem me forcë dhe e çuam në zonën e ndalur mbi vendndodhjen e arave të tij dhe aty e vramë” – kishte përfunduar ai. Ibrahim Bodina, kishte qëlluar me automatik nga mbrapa, kurse Halil Xibri, kishte qëlluar me pushkë. Sipas të akuzuarve, “krimi u bë për lavdi, për interes shpërblimi me leje, dhe për qëllime propaganda, për të tmerruar gjithë banorët e rrethit Kolonjë dhe gjithë Shqipërisë”.

Halil Xibri, kishte deklaruar: – “Mua më njoftuan katër orë përpara vrasjes, veprimi im ka qenë shoqërues nga shtëpia deri të vendi ku e vranë. Atë natë shërbimin e kishte Kol Frani, po atë e hoqën nga shërbimi, sepse nuk i besonin dhe si më të besuar, më morën mua për të kryer vrasjen. Ne e morëm shpërblimin e premtuar dhe lavdërimet për aktin gjoja heroik që kryem, por në të vërtetë doli të ishte akt kriminal. Sabri Rakipi ishte i pafajshëm, ne e gjetëm në shtëpinë e tij me fëmijët”.

Paskal Naska, deklaroi: “Pranoj fajin që nuk i denoncova, por këtë e bëri Jani Zoga”. Pasi kishte dëgjuat të pandehurit, Kolegji i Gjykatës së Lartë Ushtarake, kishte shqiptuar dënimet për të pandehurit. Xhelo Abazi ishte dënuar me 25 vjet burg, Ibrahim Bodina, gjithashtu me 25 vjet burg, rreshteri Paskal Naska, u dënua me 15 vjet burg dhe Hali Xibri, po ashtu me 15 vjet heqje lirie.

Jani Kristo Zoga – Komandant i postës Braçanj Devoll

Toger Jani Zoga, kishte menduar se drejtësia kishte shkuar në vend. Katër persona ishin dënuar për vrasje me dashje në bashkëpunim. Por zhgënjimi i tij do të ishte i madh. Asgjë nuk kishte ndryshuar nga metodat e përdorura në kohën e Luftës. Kishte kaluar vetëm pak kohë, kur Jani Zogës, i mbërriti lajmi se, Xhelo Abazi, ishte liruar gjoja në mungesë provash por, kurrë nuk ishte bërë e ditur, se kush kishte dhënë urdhër për lirimin e tij, po një gjë dihej, ai ishte mik i mirë me Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun.

Jani ishte i vetëdijshëm se Xhelua, do të bënte çmos që t’i hakmerrej për denoncimin që ky i kishte bërë te organet e policisë dhe tashmë ishte bindur, për lidhjet e tij me kreun e shtetit, Mehmet Shehun. Nuk vonoi e doli që, Jani kishte pas të drejtë sepse, filluan t’i vinin vërdallë gjithnjë e më shumë njerëzit e Sigurimit të Shtetit, gjoja për të kontrolluar postën kufitare të Braçanjit në Devoll. Nuk vonoi shumë dhe Jani Zoga, u transferua në një nga postat kufitare të Leskovikut. Edhe aty njerëzit e Sigurimit, do të vinin shumë shpesh…!

Diçka po përgatitej në fshehtësi. Njerëzit e Sigurimit, nuk silleshin më ashtu si më parë. Gjithnjë ishin provokues në bisedat e tyre. Më 16 maj të vitit 1959, ata erdhën përsëri. Kësaj radhe, prezantimi i tyre ishte tepër miqësor. Lavdërimet për punën e togerit Jani Zoga, ishin të mëdha. Ai e kishte hetuar se diçka po luhej kundër tij, por nuk po e kuptonte dot! Atë ditë ai grup ushtarakësh nga kryeqyteti, pasi kishte inspektuar postën ushtarake, e kishin ftuat toger Janin, që të hanin drekën së bashku. Gjatë drekës, ai kishte marrë lëvdata nga eprorët.

– “Dëgjo toger, për punën e shkëlqyer që po bëni, kemi vendosur që të shpërblejmë me një udhëtim turistik në Bashkimin Sovjetik” – i kishte thënë eprori. Ai kishte shtuar se atje, do të shkonin për vizitë edhe shumë ushtarak të tjerë. Jani ishte gëzuar sepse atëherë, ishte ëndërr e çdo ushtaraku, ta vizitonte “atdheun” e komunizmit, Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike. Pasi drekuan, i kishin thënë të bëhej gati, se do të niseshin për në Tiranë.

– “Do të takohesh edhe me ministrin bashkë me disa të tjerë dhe pastaj do të udhëtoni për në Bashkimin Sovjetik”. I kishin hipur makinës dhe ishin nisur. Rruga nga Lesoviku në Korçë, kalon afër fshatit të Jani Zogës. Kur mbërritën te kryqëzimi i rrugës, Zoga u tha:

– “Po zbres këtu, që të përcillem me familjen dhe nesër në mëngjes, do nisem drejt Tiranës. Pa mbaruar akoma fjalën, njerëzit e Sigurimit, i ishin hedhur sipër dhe duke e kërcënuar me armë, ia kishin lidhur duart”.

– “Mish të ngordhur ha kushdo, – u kishte thënë Jani Zoga, por nëse e mbani vetën për burra, dalim ballë përballë njëri-tjetrit dhe shohim kush jeni ju dhe kush jam unë”. Për këtë ndodhi brenda automjetit, është treguar nga Zija Kambo, e të pranishëm ishin edhe ushtarakët Bari Meka dhe Fiqiri Meka, miq të familjes Zoga. Pas arrestimit të Jani Zogës, lista u zgjerua edhe më shumë, pas pak ditësh, do të arrestoheshin edhe Mustafa Spaho, Remzi Tarelli, Zenel Tarelli, Musa Çeliku, Myfit Tarelli, Islam Tarelli, Tefik Tarelli dhe Nehat Tarelli, pothuajse te gjithë te njohur dhe familjar të togerit Zoga, me pretekst se, këta nën komandën e tij, kishin përgatitur atentat ndaj Hrushovit, i cili ato ditë do ta vizitonte Shqipërinë dhe një ditë do të vinte edhe në Korçë.

Sipas tyre, Jani Zoga bashkë me disa të tjerë, ishte vënë në shërbim të shtetit grek. U akuzuan sikur agjentura greke, i kishte pajisur me armatime, me municione, me radio-ndërlidhëse, me flori, dollarë, lekë shqiptare e ,gjithçka tjetër.

– “Jeni agjent i grekut”, i thanë. Jani Zoga, në mbrojtjen e tij, u kujtoj njerëzve të Sigurimit se, si kishte luftuar i vetëm me bandat greke të cilat, menjëherë pas lufte, kalonin kufirin për të plaçkitur. Kishte qenë viti 1946. Në atë kohë, ai shërbente si komandant në postën e Gjonçit në Kolonjë. Ushtarët gjendeshin në pushimin e drekës. Pikërisht në këtë çast, ai pa një skuadër greke që po i afrohej postës. Nuk e mendoi dy herë. Mori mitralozin dhe nisi të qëllonte. Dëshmitarët e ngjarjes tregojnë, se si grekët u zmbrapsën me panik. Pak më vonë të gjithë ushtarët e postës, hynë në luftim dhe i ndoqën Greket.

– “Ju po më dënonin sepse mbrojta vendin tim”, u tha Jani Zoga. Megjithatë, togeri Jani Zoga, së bashku me dy të tjerë, u dënua me pushkatim.

Falsiteti i hetimeve

Pas dhënies së dënimit nga Gjykata Ushtarake, të arrestuarit i’u drejtuan Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit pati kurajën të kërkonte sqarimin e disa rrethanave. Pretendohej se ishim marrë armatime bomba, radio-ndërlidhëse, flori etj. “Atëherë ku janë të gjitha këto”?! kishte kërkuar të dinte Gjykata e Lartë. Për muaj të tërë, u vunë në kërkim të armatimit. U gërmuan të gjitha shtëpitë e fisit Zoga, u gërmua edhe në shtëpinë e fqinjëve, u bënë edhe arrestime të tjera, nisën internimet, por asgjëkund nuk gjet gjë. Më në fund u tha se ishte gjetur një radio në një pyll. Vetëm kaq.

Pesë të tjerët që e kishin pranuar akuzën, u dënuan me nga 25 vjet burg. Gjatë një takimi që patën me Kadri Hazbiun, i kishin thënë se, e kanë pranuar akuzën sepse, nuk i duronim dot torturat. Atij i ishte lutur që, mos t’i pushkatonte tre ushtarakët të cilët ishin dënuar me vdekje, por t’i dënonim me burg, deri në një vendim tjetër pasi, nuk kishin bërë asnjë faj. Por historia ishte e mbyllur që nga dita e parë që, kishte filluar hakmarrja e Xhelo Abazit, mikut të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiu, do të shkonte deri në fund. Jani Zoga kurrë nuk e pranoi atë që nuk e kishte bërë dhe u dënua me vdekje. U pushkatua me 16 dhjetor te vitit 1960 dhe sot e kësaj dite, nuk i dihet varri…!

“Ne si familje nuk dinim asgjë për krejt këtë skenar makabër. Mendonim se Jani, ndodhej me detyrë në Leskovik dhe nisem te shqetësohemi që nuk po vinte në shtëpi për fundjavat” vazhdon rrëfimin, i vëllai Vasili. “Në fakt, kishte ca zëra që thoshin se ai është arrestuar, por ne nuk besonim edhe pse, sa herë takoheshim me fqinjët tanë, ata ishin disi të ndrojtur dhe shpesh devijonin rrugën, që mos të na përshëndesnin dhe kjo na bëri të besojmë se diçka i ndodhur Janit”, tregon Vasili.

“Është edhe një fakt interesant: Jani ka pasur një qen të cilin e kishte rritur vetë dhe e pat pagëzuar ‘Tigri’. Ai ato ditë, ishte shumë i shqetësuar dhe vazhdimisht ulërinte. Babai na dërgoi në Korçë te kryetari i Degës Brendshme, Jani Naska, i cili na priti mirë dhe tha se nuk kemi arsye të shqetësohemi sepse, Jani është shëndosh e mirë dhe po kënaqet në një vizitë zyrtare në Bashkimin Sovjetik. Ne nuk i besuam sepse, nuk mund t’a merrnim me mend që, ai ka mundur të ikte pa u përshëndetur me familjen.

Pas dy muajve, na arriti një letër nga Bashkimi Sovjetik që, e dëshmonte vula në pullën postare. Babai ynë Kristoja, na urdhëroi që ta hapnim. Ishte një letër me disa rreshta dhe mbante datën: 5.7.1959. Në të shkruante se, atje po kënaqej por, kishte probleme shëndetësore pasi, ishte bërë operacion nga majasëlli dhe se po kujdeseshin për të shumë mire, madje kishte dërguar dhe një fotografi me rroba spitali dhe një pako me disa paqeta duhan. Nuk mund të besonim se kjo ishte e vërtet dhe shkuam në Tiranë te Kadri Hazbiu, për t’ia qarë hallin. Ai na premtoi se, Jaqni shpejt do të kthehej në shtëpi.

Pritja jonë nuk zgjati shumë dhe filluan të na arrestonin njërin pas tjetrit. Vëllai, Qirjako, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie, unë u dënova me 12 vjet, xhaxhai Miti, u dënua me 8 vjet, dhëndri i tij, Naum Jorgji, u dënua me 15 vjet. Ndërsa nga fshati, u arrestuan edhe këta persona: Dalip Rakipi, Serafin Robo, Jaho Dervishi etj., kurse krejt familja e Sabri Rakipit, u internua me pretekst se, do të arratisej. Xhaxhai ynë, Kosta, vdiq në internim, në moshën 80 vjeçare, kurse u internuan edhe biri i tij dhe nusja Amalia.

As pas burgosjes tone, njerëzit e Sigurimit të Shtetit nuk e lanë të qetë familjen e, ne veçanti gruan e Janit, Aleksandrën. Madje ata një ditë, e kishin vrarë edhe qenin e togerit, teksa ai po shkonte pas deleve. Në këtë vend, nuk do të kishte asnjëherë drejtësi, ashtu siç kishte ëndërruar dhe luftuar toger Jani Zoga, sepse në krye të këtij vendi, drejtonin njerëz kriminelë, si ish-shefi i Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Mark Dodani me kompani, të cilët kanë kurajo e dalin të flasin për patriotizëm, kur vranë e shkatërruan jetën e mijra shqiptarëve. Madje jo vetëm kaq, ata u pushkatuan si agjentë dhe poli-agjent të shërbimeve të huaja. “Jam gati të ballafaqohem në çdo televizion me këdo dhe me dokumentacionin përkatës, për gjithë të vërtetat”, përfundon rrëfimin e tij, 82 vjeçari Vasil Zoga nga Korça. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/vellai-im-toger-i-sigurimit-u-akuzua-se-do-i-bente-atentat-hrushovit-ne-korce-dhe-u-pushkatua-historia-tragjike-e-oficerit-te-kufirit/