“Urimi përfundoi në Spaç, pasi s’pranoi t’i dilte dëshmitar djalit të xhaxhait, e pastaj ta nisnin me mision sekret në SHBA-ës, te xhaxhai i tij i arratisur…”/ Historia tragjike e familjes së njohur

Nga Marçel Hila

Memorie.al / Xhaxhai i Sokol Mulës, Kadri Mula, kishte vite që qe arratisur. Jetonte në Amerikë. Familja e Deli Mulës u dërgua në internim. Pastaj pas tre viteve u lirua. Fëmijët e vëllezërve të Kadriut nuk morën shkollë të lartë, edhe pse shkëlqyen në mësime. Ishin nga fshati N. Për shkak të kësaj biografie, bashkë me djalin e xhaxhait të tij, Dritanin, Urimi u dërgua ushtar në repartin e Xhenios. Bënin bunkerë. Xhaxhai larg, Kadriu, i punës e i leximeve, atje, bëri, po themi, ‘karrierë’: figurë e rëndësishme e organizatës “Shqipja Dykrenare”. Publikonte, fliste në Radion ‘Zëri i Amerikës’ e mbante kontakte me krerët e rëndësishëm të diasporës politike, kudo.

Një ditë, oficeri i repartit, komandanti, i thirri e u tha të dyve, Urimit e Dritanit, se mund të shkonin me leje treditore në shtëpi. Ata u çuditën, sepse nuk e kishin kërkuar. Ua mbushi letrat e i nisi. Të rinjtë u habitën. U duhej tani të shkonin deri te agjencia e kamionëve të gjenin makinë e të iknin. U ra ky gëzim si prej qielli. U nisën. Nuk ishte larg, pak kilometra.

Të rinj ishin, e ‘hanin’ rrugën. Sapo morën një kthesë, kur dy burra, të veshur e të mbathur, i dolën para dy ushtarëve.

“Ju, hyni në makinë”! – i urdhëruan. Një si ambulancë gjendej e parkuar pranë kanalit, buzë rrugës. Të dy kushërinjtë i kapi frika. Edhe pamja e atyre dy njerëzve, që flisnin me ton kërcënues, i terrorizoi.

Hipën. Brenda kishte perde të trasha, të lëshuara e që nuk lejonin të hynte drita. Mjeti u nis. Të rinjtë nuk e dinin se për ku i nisën. I kapi paniku. Udhëtuan kështu rreth një orë. Pastaj, ambulanca ndaloi.

“Zbrisni”! – i urdhëruan. Djemtë zbritën. E panë veten në një oborr. Nuk kishin qenë kurrë më parë këtu. Ku gjendeshin? I futën në dy dhoma të ndryshme qe kishin nga një krevat, një tryezë, por pa dritare. Ndriçimin e bënte një llambë në tavan. Dera u mbyll. Pas rreth dy orësh, që nuk kalonin kurrë, dikush e mori Urimin.

U çuan diku, në një ambient të mobiluar, me kolltukë, me një tryezë të madhe. Zyra kishte dritë, që hynte nga dritaret. Ai, si i tromaksur, nuk po e merrte veten.

-“Hë, djalë, si je”? – ia bëri njëri, që dukej se ishte i rëndësishëm, por që nuk u prezantua.

-“Mirë”! – u përgjigj fakiri i tulatur e me ndrojtje.

-“Çfarë do të hash”?

-“Ë? Asgjë! Veç më tregoni ku jam e pse më keni sjellë këtu”?!

Dy burrat nuk treguan. Filluan gjoja të bënin shaka, por edhe papritur zymtoheshin e mrrulleshin. Herë bënin si hokatarë e herë rrinin seriozë e kërcënues. Nuk iu përgjigjen pyetjes së tij. Djali u frikësua pa masë. Donte të dinte ku gjendej. Edhe rrëmbyesit, duke deshifruar ankthin që i lexohej nga sytë, sepse orbitat e kokërdhokët nuk po i gjenin qetësi, si dhe nga lëvizjet e pakontrolluara, e kuptuan se ai po përjetonte ankth.

-“Qetësohu”! – i tha ai që dukej se ishte më i rëndësishmi, sepse bënte poza e përpiqej të përdorte një mënyrë autoritare komunikimi.

-“Dëgjo! Je këtu se do Partia. Ju njohim mirë. Vërtetë që jeni të deklasuar, si familje keni qenë në internim, por Partia mendon edhe për ju, ju edukon, ju mbron, dhe … edhe ju duhet t’i përgjigjeni asaj, kur ju kërkon apo ju beson një detyrë”.

Urimi ishte i tromaksur. Dëgjonte, por nuk po dinte të kapte thelbin e fjalëve të atij që i fliste shtruar e me pak kërcënim brenda.

-“Ti e do partinë? – i erdhi pyetja, si për ta sjellë në vete.

-“Po”! – u përgjigj ai instinktivisht e krejt konfuz.

-“Ashtu, shumë mirë. Je këtu se të pret një detyrë e rëndësishme. Partia beson se ti mund ta kryesh, e mirë madje…”.

Urimi shihej lehtë se vazhdonte të ishte i tronditur.

-“Mos kij frikë. Do të kesh ndihmën tonë për çdo gjë”.

– Dhe pyetja bombë: – “Ti ke një xhaxha në Amerikë?

“Po”! – përgjigj automatikisht, pa menduar dy herë Urimi.

-“Kadri Mulaj, xhaxhai i jot, është anëtar i një organizate të rëndësishme atje … ti, domethënë ne, të dërgojmë atje, dhe ti, duke qenë pranë tij e … përkrah dhe…”!

– Urimi vazhdonte të mos kuptonte gjë. Burri hijerëndë vazhdoi: –“Duke qenë i nipi i tij e duke i qëndruar pranë, edhe ti bëhesh i rëndësishëm”.

-“Çfarë duhet të bëj”? – i doli pyetja e ua lëshoi para.

-“Ti? Asgjë! Veç do të marrësh pjesë në mbledhjet e organizatës, në diskutime, se … mbledhjet ata i bëjnë në salla të mbyllura, ku marrin pjesë shumë pak veta. Dokumentet që do të hartosh, do t’i bësh në dy kopje. Për shembull proces-verbalin e mbledhjeve, atë që tregon se çfarë është biseduar e kush ka diskutuar … – (dhe demoni autoritar po e shikonte ngulazi) – njërën kopje ia dorëzon Partisë … kemi njerëzit tanë atje. Ua jep atyre. Vijnë ata e të kërkojnë … do t’i njohësh, nuk është aspak e vështirë…”!

Ushtari i shkretë po rrinte i ngrirë, pa fjalë, në heshtje, plot frikë. U tmerrua kur mendoi se sigurimi i shtetit kishte njerëz që vepronin lirisht në Amerikë dhe survejonin xhaxhanë e tij. Urimi s’kishte pasur rast ta njihte axhën e vet, por nga diskutimet në shtëpi, kishte formuar një ide shumë të mirë për të.

-“Këta janë maskarenj’! – i edhi në mendje. – ‘Unë të jem spiuni i axhës tim? Deri këtu ta uli veten? Jo, jo, punë që nuk bëhet. As që bëhet fjalë”.

-“Hë’? – i erdhi si çekan pyetja e njërit prej tyre – ‘pranon”?

-“Ti’ – ia mori fjalën tjetri – ‘do të firmosësh këto letrat dhe për të fituar besueshmërinë tonë, do t’i dalësh dëshmitar kushëririt tënd, atij që erdhe këtu me të”.

-“Pse”?

-“Sikur ka bërë agjitacion e propagandë. Ai do të hyjë në burg e do të bëjë ca vite, ndërsa ti mbërrin drejt e në Amerikë”!

-“T’i dal dëshmitar kushëririt”?!

-“Po, dhe të hapen rrugët e jetës e shkon në Amerikë…”!

-“Jo, punë që nuk bëhet”! – ‘u përgjigj me vendosmëri Urimi.
Dy burrat u egërsuan, u tërbuan, u nxinë. Njëri e kapi seriozisht situatën e ia nisi me metoda bindëse:

-“Pse nuk pranon”?!

-“Si të pranoj’? – foli i trimëruar Urimi – ‘Të tradhtoj xhaxhanë? Nuk bëhet! T’i dal kushëririt tim dëshmitar për gjëra që nuk i ka bërë? As që më shkon në mendje”.
Ai seriozi, që bënte kompetentin e që ndoshta ishte i rëndësishëm, por që nuk u prezantua, tha: “Mendo mirë, se nuk i lutemi kujt. Mendo. Ke rast, shkon në Amerikë, … por – dhe bëri një pauzë, – po nuk pranove, të pret burgu”.
Një ndjenjë ankthi dhe terrori e pushtoi të riun. Reagoi pafajësish: “Nuk kam bërë asgjë, pse të hyj në burg”?

-“Atë e dimë ne. Por, shko në dhomën tënde e mendohu. Jep përgjigje nesër. Zgjidh burgun apo Amerikën”.
E çuan te dhoma. U hap dera përballë, U dëgjua zëri i kushëririt, që plot frikë, bënte edhe ai pyetje, por që nuk merrte përgjigje. E çuan te dhoma ku kishte qenë pak më parë Urimi.

Urimi pësoi një dalldi mendimesh. T’i dilte kushëririt dëshmitar? Punë që s’bëhej. Turp i madh. Qenë rritur bashkë! Skandal. As që bëhet fjalë. Nata qe e gjatë, e pafund, s’mbaronte kurrë…!

Të nesërmen në mëngjes e morën lart. Ishin po këta të dy. Në fillim u zgërdhinë, pastaj u bënë seriozë.

-“Ke ndërruar mendim apo jo”?

-“Jo, punë që nuk bëhet’! – foli me vendosmëri ushtari i bunkerëve.

-“Shiko, kushëriri yt është dakord që të të dalë ty dëshmitar e të shkojë ai në Amerikë…”!
Sokolit i’u duk trillim i pabesueshëm. “Seriozi po gënjen trashë!” – mendoi.

-“A do të shkosh në burg apo në Amerikë? Ne e kemi zgjidhur! Je ti që nuk po vendos si duhet”.
Kur thanë këtë, Urimi mendoi se qe gënjeshtër. “Pra as kushëriri nuk paska pranuar”! – mendoi.

-“Jo, nuk mund t’ia bëj një gjë të tillë kushëririt tim dhe as xhaxhait. Bëni si të doni”!

-“Shiko, shko edhe njëherë e mendohu, pastaj, nesër flasim për herë të fundit! More vesh? Kur të mbërrish me auto-burg në Qafë të Bari, atëherë do ta kuptosh se ke humbur rastin! Po humbet Amerikën. Ik mendohu”!

E çuan përsëri në dhomë. Një trazim i madh e kapi. Të lozte rolin e nipit të mirë e të tradhtonte xhaxhanë? Apo të bënte tradhtarin e t’ia shkatërronte jetën kushëririt? Po familja? Po e mori vesh se kishte pranuar të hynte në këtë punë të ndyrë? Amerika e joshte keqas, me gjithë forcën e saj tunduese. Frika e Qafë Barit e masakronte. I silleshin të gjitha këto në mendje, i pështjelloheshin, e goditnin…!

U hap dera. Po e merrnin përsëri. Kjo duhet të ishte e fundit.

-“Hë’ – i thanë – ‘a ke ndonjë mendim”?

-“Nuk mundem as axhës t’ia bëj këtë e as kushëririt. Bëni ç’të doni!

Dy veta të tjerë e morën Urimin e shkretë. Një makinë e mbyllur e sorollati disa herë diku, gjatë e pastaj,… pastaj i vunë hekurat. E çuan në Kukës. Aty i dolën tre veta dëshmitarë se kishte kryer krimin e agjitacionit e të propagandës. Mes tyre edhe kushëriri i tij, Dritani. E dënuan shtatë vite burg. E dëgjoi vendimin nga goja e gjykatësit. Pastaj, një ditë, një makinë e çoi në burgun e Qafë Barit.

-“Urim Mulaj” – thirri tellalli i burgut.

-“Urdhëro”!

-“Të kanë ardhur njerëzit e shtëpisë”.
Urimi doli. Eci e shkoi deri tek vendi ku bëheshin takimet me familjarët.

Pa nënën, babanë dhe vëllanë e vogël. E pyetën. Pastaj edhe ky pyeti për njerëzit e tjerë të familjes, për motrat e xhaxhallarët. Edhe për kushërinjtë. Pyeti edhe për Dritanin, që ia bëri atë turp, i doli dëshmitar. Nuk ishte lojë. Por donte të dinte sesi përfundoi puna e tij. I kishte mbetur enigmë: A përfundoi edhe ai në burg si ai apo jo?

-“Po Dritani si është”?
Me një shenjë me dorë, i ati i tregoi se ai ishte arratisur. Kishte mbërritur në Amerikë.

-“Ashtu”?

-“Po, Hamdija ka marrë letër që thotë se është atje shëndosh e mire”! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/urimi-perfundoi-ne-spac-pasi-spranoi-ti-dilte-deshmitar-djalit-te-xhaxhait-e-pastaj-ta-nisnin-me-mision-sekret-ne-shba-es-te-xhaxhai-i-tij-i-arratisur/