“U dhashë shokëve të Byrosë veprën time ‘Hrushovianët’ në dorëshkrim, për ndonjë vërejtje, por Mehmeti, pa ja kërkuar njeri, kishte bërë një ‘Hyrje’, por unë…”/ Ditari sekret i Enverit, korrik 1980

Dashnor Kaloçi

Pjesa e tretë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet edhe ditari politik i sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Enver Hoxha, për periudhën 1973 -1980, ku ai ka mbajtur shënime dhe ka bërë analiza e konkluzione për takime dhe biseda të ndryshme, që ka pasur në atë kohë, kryesisht me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, me sekretarin e Komitetit Qendror të PPSh-së, Hysni Kapon, me zv/kryeministrin dhe anëtarin e Byrosë Politike, Spiro Koleka, etj., me të cilët ai ka diskutuar çështje të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe kryesisht marrëdhëniet e raportet me Republikën Popullore të Kinës, si dhe ndikimin që kishte ajo në arenën ndërkombëtare, etj.. Por krahas këtyre edhe me raportet e marrëdhëniet e Tiranës zyrtare, me një sërë shtetesh të tjera të Lindjes Komuniste dhe Perëndimit, kryesisht në marrëdhëniet tregtare, si: Jugosllavia, Polonia, Çekosllovakia, Bashkimi Sovjetik, Greqia, Austria, Suedia, Italia, Franca, Zvicra, Gjermania Perëndimore, Kanadaja, etj.

Në dokumentet arkivore në fjalë ku ndodhet ditari politik i tij, Enver Hoxha ka mbajtur shënim edhe për disa biseda që ai ka bërë me Mehmet Shehun, si ajo e 15 korrikut të vitit 1973, i cili i ka sugjeruar që të ndërmerrnin disa hapa në politikën e jashtme, duke zhvilluar bisedime fillimisht me Francën, Zvicrën e ndonjë vend skandinav, gjë të cilën Enveri nuk i’a ka aprovuar, duke i thënë se po priste me padurim, SHBA, Bashkimi Sovjetik, etj. Lidhur me këtë, në ditarin politik të tij, ndërmjet të tjerash ai shkruan: “Isha në klubin tonë me Mehmet Shehun dhe me Spiro Kolekën. Duke biseduar për zhvillimin e ngjarjeve në botë, Mehmeti shprehu mendimin: ‘Sikur të merrnim kontakte zyrtare për bisedime politike, për të shfaqur pikëpamjet tona, në fillim me Francën, pastaj me Zvicrën e me ndonjë vend skandinav, etj. Kjo të bëhet duke dërguar ministrin tonë të Punëve të Jashtme dhe ata reciprokisht të dërgojnë të tyret’.

Këtë moment ai e gjen të arsyeshëm për faktin se Franca aktualisht paraqitet e pakënaqur nga marrëveshjet Brezhnjev-Pompidu. Unë nuk e mbështeta këtë propozim, pse ne nuk fitojmë gjë, vetëm humbasim në arenën ndërkombëtare dhe ua shpjegova përse. Është e vërtetë se në këto koniunktura, Franca është e pakënaqur dhe bën përpjekje të çajë dhe ne duhet të ndihmojmë në thellimin e këtyre kontradiktave”. Lidhur me këtë, si dhe shënimet e tjera që Enver Hoxha ka mbajtur në ditarin politik që i përket periudhës korrik 1973 – korrik 1980, kryesisht bisedat që ai ka bërë me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, si ato për inxhinierin italian që banonte në Milano dhe ishte kontaktuar nga një grup specialistësh të Ministrisë së Industrisë, pasi ai pretendonte se kishte një aparat për zbulimin e naftës, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore, për pagesat e reparacioneve të Luftës, për të cilat ai (Enveri), kishte shfaqur shumë pakënaqësi për zvarritjen e tyre dhe mefshtësinë e ministrit të Punëve të Jashtme, Nesti Nase, (që sipas tij flinte gjumë), e deri te përplasje e Enverit me Mehmetin, për librin ‘Hrushovianët’ që Hoxha kishte përgatitur për botim në vitin 1980 dhe ua dha për ta lexuar e bërë vërejtje, disa prej shokëve të Byrosë Politike, etj.

                                                   Vijon nga numri i kaluar

                       Dokumenti arkivor me ditarin politik të Enver Hoxhë në periudhën 1973-1980

E MARTE 13 MARS 1979

KUJDES NGA AGJENTET E HUAJ EKONOMIKE NE FUSHËN E NAFTËS!

Bisedova me shokun Hysni për një çështje që ka lidhje me naftën. Në fillim të këtij muaji me Mehmet Shehun pata biseduar për një problem po të kësaj natyre. Në një telegram nga Roma ambasadori ynë na lajmëron që, sipas udhëzimeve që ka marrë nga qendra, ka thirrur për drekë një specialist të naftës nga Milanoja, i cili i ka thënë se mund të vijë në Shqipëri, për të dhënë sqarime mbi një aparat për zbulimin e ujërave në naftë, por, që të vijë, duhet të rrijë dy muaj dhe t’i paguajmë 30 mijë dollarë, ose, as më shumë e as më pak, 25 milionë lireta rrogë.

Nga ana tjetër, ky i kishte thënë që, “pasi të bëjmë sondazhet, unë s’mund ta kthej këtë aparat për të studiuar ekzistencën e naftës, por për këtë do të duhen nja 8 muaj dhe aparati mund të kushtojë deri në 80 mijë dollar”. Ai i kishte thënë, gjithashtu, ambasadorit tonë se, nuk duhet biseduar me AGIP-in. Tanët, siç duket, kanë marrë kontakt me kohë me këtë person. Kjo ka nja 7-8 vjet nga sa mbaj mend, domethënë ky person na ka hyrë që në kohën e Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Lipe Nashit e sabotatorëve të tjerë të fushave të naftës.

Ç’është ky njeri? Sigurisht ky është një element i AG1P-it, një- agjent ekonomik i kualifikuar, i vënë nga kjo ndërmarrje për të marrë kontakt me Shqipërinë, të na bëjë gjoja propozime për çështje të naftës dhe për të siguruar aparate, të cilat vetë nuk mund t’i bëjë, por që ia jep AGIP-i. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me një agjenturë të re italiane, për t’u futur në vendin tonë që të kontrollojë gjendjen e naftës dhe të gazit tonë.

I thashë Hysniut, që këtë çështje Sigurimi duhet ta studiojë me shumë kujdes dhe të pezullohet vajtja e delegacionit tonë të naftës te ky person, pse një delegacion nafte para nja 8 vjetëve, në kohën e Abdyl Këllezit, ka vajtur, gjithashtu, po te ky person, gjoja ka studiuar puset e thella në Milano dhe u ka dhënë dhe informacione.

Aktualisht – ky italian u thotë nëpunësve tanë të tregtisë, që janë në Milano dhe që mbajnë kontakte me të, se shpikjet e tij, sipas një instituti francez të naftës (dhe për këtë u tregoi një letër që gjoja i vinte atij nga ky institut), kinezët i kanë vënë në shfrytëzim në mënyrë të shkëlqyer.

Me këtë ai do të, thotë se këto shpikje jua kanë marrë juve, kinezët, domethënë ai na akuzon po ashtu ne që kinezët na kanë marrë këto informata kaq të rëndësishme që na paska dhënë ky. Tanët këtu, në Tiranë, hetuan në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Ministrinë e Industrisë e të Minierave dhe, në fakt, nga Ministria jonë e Punëve të Jashtme u gjend në Ministrinë e Industrisë e të Minierave, letra që i përcillte këto informacione të këtij njeriu, por kopja e informacionit në të vërtetë nuk u gjend.

Sidoqoftë ne duhet t’i pezullojmë kontaktet me këtë person, të sqarojmë një herë fillin se kush na e ka futur këtë person, kush i ka krijuar këto kontakte, ç’kanë bërë me këtë njeri dhe të veprojmë me kujdesin më të madh, pse AGIP-i është një shoqëri e madhe ndërkombëtare naftës, që ka shfrytëzuar e ka shtypur edhe popullin tonë, ka përgatitur okupacionin e Shqipërisë.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë ne në naftë, që të na futen italianët, Në qoftë se kemi nevojë për të blerë disa aparatura, duhet të dimë mirë se çfarë na nevojitet, të blejmë, t’i porositim dhe këto t’i vëmë në zbatim me njerëzit tanë, meqenëse ekzistojnë këto aparatura t’i blejmë me, kontrata.dhe, në qoftë se nuk na japin rezultate, t’i kthejmë.

Përveç kësaj, u thashë shokëve se po, tregohen dorëlëshuar në lidhje me pranimin në vendin tonë, nën pretekstin e bërjes tregti me Perëndimin, të delegacioneve me një numër të madh specialistësh.

Për shembull, pritëm nga Franca një delegacion prej 20 vetash, Belgjika kërkon. të dërgojë gjithashtu 20 veta, me dy ambasadorë në krye, po kështu Suedia, përçapje të tilla ka bërë edhe Zvicra dhe përse këto? Për hiçgjëkafshë.

Këta nuk na blejnë gjë, këta vijnë në vendin tone vetëm sa të tatojnë mundësitë dhe forcën tonë ekonomike, për të na goditur, për të na sabotuar. Tregtia nuk duhet bërë në këtë mënyrë, ne duhet të dërgojmë kampionet e mallrave tona në këto vende, të dërgojmë njerëz dhe të bëjmë pazarllëqe me ta dhe, për ato mallra që ata kanë interes, mund të lejojmë të vijnë një ose dy persona, por jo nga 20 veta, nga 17 veta e nga 15 veta, sepse kjo është në dëm të ekonomisë edhe të Sigurimit të Shtetit tonë.

Duke i lejuar pa kriter, ne u japim atyre mundësi të informohen për çështjet tona kryesore, për forcën ekonomike të vendit tonë, që do të thotë për forcën e mbrojtjes dhe të rezistencës sonë. Deri tani ne e kemi mbrojtur atdheun dhe nuk kemi lejuar asnjë gazetar të huaj, që e kemi konsideruar të dyshimtë, të vijë në Shqipëri, nuk kemi lejuar gjithashtu asnjë kineast që e kemi quajtur të dyshimtë, të vijë në Shqipëri për të xhiruar ndonjë dokumentar për propagandimin e vendit tonë dhe, jo më, të lejojmë delegacione të tilla të mëdha, siç shohim që venë në Kinë dhe që kinezët, për këtë veprimtari që kryejnë, ne i kritikojmë.

Ne me këtë praktikë u themi vendeve Perëndimore, pikërisht atë që shkruajnë ato, se kemi mbetur gjoja në mes të rrugës dhe në mëshirën e tyre, prandaj i lejojmë të vijnë me ekspertë të spiunazhit ekonomik në grupe prej 20 vetash, prej 17 vetash e prej 15 vetash. Një punë e tillë është e keq menduar, prandaj duhet vënë “metri”, i thashë shokut Hysni, dhe ai ishte dakord me mendimin tim.

E MARTË 19 SHKURT 1980

PROBLEMI I DËMSHPËRBLIMEVE NGA REPUBLIKA FEDERALE E GJERMANISE, DUHET TRAJTUAR MBI BAZA TE STUDIUARA E SERIOZE

Dje kritikova ministrin e Punëve të Jashtme, Nesti Nasen, për trajtimin shumë të dobët të çështjes së dëmshpërblimeve që na detyrohet Republika Federale e Gjermanisë. Shokët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, jo vetëm nuk kanë iniciativë, por edhe kur të tjerët u hapin perspektiva, ata nuk e vrasin mendjen, nuk punojnë dhe, për t’u gjendur në punë, bëjnë propozime foshnjore e të dëmshme.

Konkretisht: ka kaq kohë që ambasadori ynë në Beograd, ka marrë kontakt me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe i ka paraqitur kërkesat tona lidhur me dëmshpërblimet e luftës. Ai është përgjigjur se shuma që kërkojmë ne është e madhe, se ata nuk paguajnë më dëmshpërblime, etj.

Ne, ka thënë ambasadori gjerman, dëshirojmë të vendosim marrëdhënie diplomatike me ju, pastaj të gjejmë ndonjë formulë për zgjidhjen e çështjes që ngrini ju. Ministri ynë i Jashtëm bisedimet i transferoi nga Beogradi në Vjenë gjoja se këtu ambasadori gjerman na “qenka më i arsyeshëm”. Dhe bisedojnë ambasadorët pa pushim, ndërsa ministri ynë e këshillon ambasadorin tonë që, t’i vazhdojë bisedimet pa bukë.

Gjermanët këtë duan, të lënë përshtypjen se: Republika Federale e Gjermanisë e ka grurë me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Kështu bisedimet midis ambasadorit tonë me atë të Gjermanisë Federale, me aprovimin e titullarit të Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, po kthehen si ato që zhvilloheshin dikur midis ambasadorit kinez, me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Varshavë.

Për këtë problem të rëndësishëm kam folur me orë të tëra me Nesti Nasen e me Mehmet Shehun dhe u kam thënë se, në qoftë se duam të shkulim gjë nga gjermanët, kërkesat tona për dëmshpërblimet, duhet të jenë sa më reale dhe t’u dalim atyre me propozime të reja, të faktuara dhe mundësisht më të pranueshme, pse gjermani nuk ka dalë në pjacë që të japë marka.

Vetëm nga halli ai mund të na japë diçka. Dhe kështu kemi rënë dakord. Kurse Nesti Nase, kërkon mendimin tim për pyetjen që ai mendon t’i bëjë ambasadori ynë ambasadorit të Bonit, kur të piqet me të: “Ç’kuptoni ju me marrëdhënie ekonomike”?

Por këtë pyetje mund t’ia përsëritë gjermani ambasadorit tonë, pse i ka thënë me kohë se ne gjermanët nuk paguajmë dëmshpërblime, por mund t’ju japim kredi, që ju nuk merrni, dhe t’ju bëjmë favore të tjera ekonomike.

I thashë se nuk jam dakord me propozimet e me veprimet e tij të pa thelluara. Duhet të ri përgatiten listat dhe propozime të reja dhe t’i paraqiten palës gjermane. Vetëm mbi këto baza të bëhen bisedime dhe jo mbi asnjë bazë ose, mbi baza të djegura.

E PREMTE 22 SHKURT 1980

T’UA PRESIM OREKSIN TITISTEVE JUGOSLLAVE

Dje lexova radiogramin e ambasadorit tonë në Beograd, me të cilin ai njoftonte se kryeministri jugosllav, Gjuranoviç, e kishte kërkuar në takim. Pyeta sot Mehmet Shehun nëse kërkesa e Gjuranoviçit është për një takim protokollar, siç bën ai me ambasadorët e huaj që vijnë për herë të parë te ne, apo është një takim për t’i bërë ndonjë komunikim të posaçëm.

Ai m’u përgjigj se nuk e dinte me siguri ç’karakter ka ky takim, por, siç më tha, mendon se mund të jetë fjala për një takim protokollar. I thashë që, po të jetë kështu, është çështje tjetër, por, në qoftë se është për ndonjë problem të posaçëm, natyrisht, duhet të mendojmë.

I kujtova atij më këtë rast, por jo pa qëllim, se më kanë informuar në të kaluarën që, kur ka pritur ambasadorin jugosllav, ky i kishte propozuar shkëmbime delegacionesh në rang ministrash të Jashtëm dhe “për këtë gjë, ti nuk ishe përgjigjur” prandaj, kam mendimin se mundet që ata, jugosllavët, këtë qëndrim ta kenë marrë për aprovim dhe, meqë dhe edhe “urimet për shërimin e Titos”, kodoshët jugosllavë mund të jenë inkurajuar dhe ta ripërsëritin propozimin që bënë.

Mehmet Shehu më tha se do ta shikonte këtë gjë, por shtoi: “besoj që ambasadori ynë në Beograd, i ka mendtë në kokë dhe do ta vërë në korrent më parë Qeverinë”. I thashë se ai, natyrisht, që i ka mendtë në kokë dhe nuk bën asnjë çap pa udhëzimin e Qeverisë, por, sidoqoftë, këtë punë duhet ta shohim.

Jugosllavëve oreksin ne do t’ua presim, ata nuk na futin dot në kllapë, duke u përpjekur të përfitojnë nga artikulli ynë botuar në gazetën “Zëri i popullit”, më 19 janar të këtij viti, ku deklarohet se: populli shqiptar do t’u qëndrojë pranë popujve të Jugosllavisë, në rast të ndonjë sulmi eventual kundër Jugosllavisë nga Bashkimi Sovjetik ose nga ndonjë fuqi tjetër.

Kjo deklaratë jona përjashton çdo pajtim e takim politik dhe ideologjik me udhëheqësit revizionistë jugosllavë. Në bisedat që shokët tanë bëjnë me jugosllavët, duhet të jenë shumë të matur. Ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në fjalët që thonë e në mendimet që japin.

T’u bëjnë interpretim të drejtë dhe të shpejtë, por edhe pa u ngutur, fjalëve, mendimeve e problemeve që ngrenë jugosllavët, duke u dhënë përgjigje të qartë, që kështu të mos lejojnë mendime ekuivoke. Aktualisht, siç po e shikoj unë, edhe sëmundjen për vdekje që ka kapur Titon, jugosllavët po përpiqen ta shfrytëzojnë në interesin e politikës së tyre revizioniste kapitaliste.

Ata kanë arritur deri aty sa të thonë, siç bëri ditët e fundit një nga udhëheqësit kryesorë të tyre, Grliçkovi, në një fjalim që mbajti në aktivin e një komune, se sëmundja e Titos është bërë një referendum ndërkombëtar për aprovimin e politikës së drejtë jugosllave nga e gjithë bota!

Rreth kësaj pike ky Grliçkov tjerr pastaj teorinë e udhëheqjes jugosllave, para dhe pas Titos, duke pretenduar se kriza dhe katastrofa botërore aktuale, mund të gjejë zgjidhje vetëm në kuadrin e teorisë së vet administrimit jugosllav, të cilën e përgjithëson dhe e bën rrymë botërore për shkuarjen në “socializëm”, ndërsa politikën e “mosangazhimit” e vë, në radhë të parë, përballë politikës së “polarizimit” të dy superfuqive e të “multipolarizmit” duke përmendur Evropën, Japoninë dhe Kinën.

Por, për fjalimin e këtij titisti, dje kam bërë një sërë shënimesh të veçanta, në të cilat vë në dukje qartë tezat kapitaliste, revizioniste, tradhtare të titizmit jugosllav.

E ENJTE 12 QERSHOR 1980

PERSERI MBI ÇËSHTJEN E DËMSHPËRBLIMEVE GJERMANE

Sot i tërhoqa vëmendjen përsëri Mehmet Shehut, për ngathtësinë me të cilën po ndiqet çështja e dëmshpërblimeve të luftës që i kërkojmë Bonit. Ministri» i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, po na e ngadalëson këtë çështje dhe nuk tregon as iniciativë, as gjallëri. Boni, nëpërmjet një gazete gjermane, po bën tërthorazi propozimet e veta, kurse ne 10 herë ia kemi kërkuar Nesti Nases variantet tona, dhe ai po fle. Porosita të përcaktojnë procedurën tonë menjëherë.

E ENJTE 10 KORRIK 1980

SHËNIM

U kisha dërguar shokëve të Byrosë Politike, përpara botimit, veprën time të re “Hrushovianët” që ta lexonin dhe të më bënin ndonjë vërejtje po të kishin. Ata e lexuan, ma kthyen dhe më thonë se e kanë gjetur të gjithë të mirë dhe shumë të dobishme. Nuk kishin vërejtje veçse disa fjalë, ndonjë korrigjim shprehjeje ose ndonjë përcaktim më të plotë nga kujtimet. I lexova me kujdes ato. Disa i pranova, disa të pakta i lashë jashtë, pse m’u dukën të panevojshme.

Kështu lashë mënjanë një “Hyrje”, që kishte bërë Mehmet Shehu pa e ngarkuar njeri. Si duket donte të vinte emrin e tij, të jepte “vizën” për këtë vepër, duke pasur me mendjemadhësi edhe vulën në këto kujtime, duke kurdisur ngjarje e fakte që s’kanë ndodhur ashtu. Tani vepra “Hrushovianët”, është gati për shtyp dhe për përkthim në gjuhë të huaj. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/u-dhashe-shokeve-te-byrose-vepren-time-hrushovianet-ne-doreshkrim-per-ndonje-verejtje-por-mehmeti-pa-ja-kerkuar-njeri-kishte-bere-nje-hyrje-por-une/