“U dashurova me rrugën time, në horizontin e së cilës dukeshin qartë shenjat e një të ardhmeje pak madhështore, por…”/ Proza e panjohur “dekadente” e Madu Markos, e shkruar në ‘84-ën

Nga Jamarbër Marko 

Memorie.al / Jamarbër Marko ka lindur më 15 mars të vitit 1951 në Tiranë. Më 1974-ën ai mbaroi studimet e larta në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës, në degën Gazetari por një vit më pas më 1975-ën ai arrestohet nga Sigurimi i Shtetit dhe dënohet me 7 vjet heqje lirie, për “agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor”. Ky dënim ishte një goditje jo vetëm për Jamarbërin, apo siç njihej ndryshe nga shokët dhe miqtë e tij, si Madu, i cili kishte filluar të shprehte hapur pakënaqësitë e tij ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës, por mbi të gjitha synonte të godiste babanë e tij, shkrimtarin e famshëm Petro Marko, që në atë kohë sapo i ishte ndaluar libri me titull “Një emër në mes katër rrugëve”. Pas vuajtjes së dënimit, kryesisht në kampin-burg të Spaçit, në vitin 1979 ku u lirua para kohe me kusht, Jamërbëri u dërgua të punonte si punëtor në një brigadë mirëmbajtjeje në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Pasioni i tij ishte dhe mbeti poezia, për të cilën ai nuk ka pushuar kurrë së shkruari. Me shembjen e regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të, krahas shkrimeve dhe poezive të botuara në organe të ndryshme të shtypit të kohës, Jamarbëri mundi të botonte edhe dy vëllime me poezi të titulluar: ‘Rastësisht me dashje’ (viti 1995) dhe ‘Pro nobis’ viti 2001) të cilat janë vlerësuar shumë, si prej kritikës ashtu dhe lexuesit. Shkrimi i shkurtër që kemi zgjedhur për botim këtu, është shkruar nga Madu në vitin 1984 dhe ai përbën një veçanti në eksperimentimin e prozës poetike të Jamarbër Markos, i cili ndërroi jetë më 4 shtator të vitit 2010 në moshën 59 vjeçare.

                                          PUSHTETI I SHPIRTIT

U dashurova me rrugën time, në horizontin e së cilës dukeshin qartë shenjat e një të ardhmeje pak madhështore. E megjithatë fasadës që shihja i dhashë një hije madhështie. Ahere unë e ruaja ende në vete lypësin e lavdishëm të lumturisë. M’u desh kështu të nxirja nga mjegulla e brendëshme, armurën e lashtë të një marshimi fitimtar.

Ishte si një dashuri e fortë, e mbërthyer me tërbim në lëvizjet e përgjithshme të asaj kohe. Kali im nisi fluturimin me ushtrinë e pafundme të dëshirave, studimeve dhe manovrimeve, atë të kafshëve dhe insekteve, mbi të cilët llamburisnin armura të tjera të panumërta…!

Nën ujin e mospërfilljes, shpatat tona sikur kujdeseshin të mos dilnin në sipërfaqe. Herë-herë rrathë të habitur lëkundnin njollat e turbullta të hutimeve tona, që lundronin drejt brigjesh të vdekura. Pati dhe perëndime dielli që i kalova nën patkonjtë e ftohtë të kalit tim.

Koha kaloi. U duk se dashuria për një konstruksion të ri i la prapa ndjekësit. Mbeta vetëm. Vetëm me fitoren? Në fasadën e lartë të mrekullisë u vendosa si një figurë kalorësi. Simbol për ata që presin të hyjnë në konstelacionin tim. Por pasioni s’ka se ku shkon më kur ëndrrat bëhen nyje të nevojshme krahasuese.

Them se pavarësia është e lidhur edhe me riparimin e karaktereve. Deri këtu arriti dashuria ime…! Pastaj shpata m’u tret nën dritën vezulluese që shoqëron hyrjen e atyre që mbajnë mbi shpinë detyrimin për t’u kuruar…dhe kjo ndodhi për të mirën e arsyes, që, më duket se fitoi mbi ndjenjën time.

Këta njerëz tani vijnë të heshtur. Paraqesin dokumentet dhe kalojnë në kombinacione aparaturash që kontrollojnë rregullsinë e një perfeksioni bosh. Në raste të veçantë ata kthehen përsëri. Por kësaj radhe njihen nga veshjet me viza të institucioneve ku kanë fituar të drejtën të punojnë. Koncepti i kohës tashmë është zhvendosur në një shkallë të shkëlqyer…!

Unë mbaj në duar diagramet e organizimit të mendimeve të tyre. Radiografitë lënë të duket si heshtja ashtu dhe bindja. Dashuritë e tyre të vogla eliminohen nën efektin e dashurisë së madhe. Ndjeshmëria goditet dhe diferencimi i bazuar në qetësinë e shtirur shpirtërore i bën ata të aftë t’i rezistojnë ndikimit nga gjithë e kaluara e njerëzimit.

Veprimtaria e tyre është një përsosmëri koordinimi e mjekësisë me politikën. Në radiografi të veçanta kam parë edhe njolla të padeshifrueshme, por një aparat special i sallës së fundit i eliminon ato. Në këtë pikë, më kënaq rënia e mosbesimeve që mbush togun e plehrave; asgjësimi i tyre është detyrë e një reparti të jashtëm pastruesish.

Kështu togje me copëza karakteresh digjen larg institucionit, por me gjithë sasinë e jashtëzakonshme të tymit, në ajër thithet lirisht çasti.

Para disa minutash, ndërsa sodisja mrekullinë e këtij vigani, më mahniti një peshë e padukshme diku brenda vetes. Dita e zakonshme e punës ka hyrë në ritmin e saj maksimal. Pas pak do të fillojë pakësimi, por do të ndjehet lehtë vetëm në memorien automatike. Sidoqoftë, diçka nuk më bindet. Një mekanizëm i heshtur, si krah i zi shpendi, prek muret bosh të kujtesës time të sakatuar.

Kush troket në xhamat e trashë të heshtjes sime? Të gjitha shigjetat tregojnë normalitetin e rrezatimit që pret perfeksion, që çon më tutje. Asnjë defekt? Zemra ime në ekranin e madh pulson çastin.

Pastaj një fytyrë që përthyhet në peshën e atmosferës. Nuk kujtoj më as momentin. Di se në mëngjes dikush m’u afrua, ndryshe nga të tjerët. Dua të më ndihmoni. Jemi

…Dokumentet në rregull…! Si gjithë të tjerët edhe ti do të ekzaminohesh…! Po…!

Zëri, për një çast vjen i qartë, pastaj humbet në vrullin konstant të makinerive. Një njeri i afërt ose më shumë… Më shumë? Si gjithë të tjerët.

Ndoshta nëna. Me unazën e vjetër sa bota. Me sytë. Në të çarën e shpirtit, avujt e dyshimit kondensohen në fytyra. Fytyra që po më qarkullojnë bashkë me frymëmarrjen.

Njeriu im. Vrapoj në sallën e pritjes. Të ulur, ata presin çastin. Fytyra të panjohura. Me hallet, dëshpërimin…! Ndoshta motra. Kujtesa bën përpjekje të kota. Dyshimi gurgullon në rrjedhën e fortë. Ndoshta ka kaluar pak kohë më parë.

Vrapoj në sheshe, rrugë dhe qoshe. Asnjë fytyrë nuk dalloj dot më. Të gjithë drejtohen me qetësinë vdekjeprurëse drejt fasadës ku ëndërronte kalorësi i lashtësisë. Memorie.al

Tiranë 3. 7. 1984

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/u-dashurova-me-rrugen-time-ne-horizontin-e-se-ciles-dukeshin-qarte-shenjat-e-nje-te-ardhmeje-pak-madheshtore-por-proza-e-panjohur-dekadente-e-madu-markos-e-s/