“Ti nëna ime, i fillove vuajtjet në një kasolle të Shijakut, e vazhdove në Grabian, Tepelenën famëkeqe, burgun e Vlorës etj., sepse ishe e reja e Mustafa Krujës…”/ Dëshmitë tragjike të Eugjen Merlikës

Nga Eugjen Merlika

                                                                   DHIMBJET E JETIMES

                                               (Nënës time, në vend të të qarit me ligje)

Memorie.al/ Një pirg me dhe në formë piramide, i mbuluar me lule. Nën të një arkivol me një kryq sipër e brenda trupi yt i shtrirë me rruzarin në duar e një flamur të vogël të kuq, me një shkabë dykrenore në mes, përmbi gjoks. Akti i fundit, skena e fundit e jetës tënde tokësore do të mbetet kështu e ngulitur në kujtesën e atyre njerëzve që, në një ditë tetori me diell, me sy të përlotur e fytyra të trishtuara, të shoqëruan në udhëtimin e fundit. Një fund, një fillim, apo një ecje e gjatë, e vazhdueshme nëpër tunelet e errëta e udhët me dritë?

Ti bën pjesë tashmë në botën tjetër, kapërceve cakun e jetës së pafund…! Shpirti yt u ngjit lart, në kërkim të dritës. Këtu poshtë mbetëm ne me kujtimin tënd, me një zbrazëtirë e dhimbje në zemër. Dhimbja, kjo shoqëruese e përhershme e banorëve të Tokës, ishte shprehur atë ditë përsosmërish nga Don Mario, që ti e respektoje aq shumë, sepse ai na kuptonte më mirë neve. Ai çoi meshën tënde të fundit, atë të lamtumirës një bote në të cilën për ty ajo, dhimbja në shpirt e në trup, ishte pothuajse gjithmonë e pranishme.

U ndeshe që fëmijë me vdekjen, që të rrëmbeu para kohe babanë, të mbushi sytë me lot e zemrën me dhimbje. Bëri fole në shpirtin tënd dhimbja e mallit për nënën e vëllanë, që një rend gjërash sa absurd aq dhe i ulët, të bëri të ndahesh përjetë me ta që në moshën 23 vjeçe. Me dhimbje në shpirt do të dorëzonje shtëpinë ku erdhe nuse e ëndërrove lumturinë, megjithëse ishte kohë lufte. Ëndrra qe e shkurtër, tepër e shkurtër. Atë e vranë krismat e armëve dhe njerëzit me yllin e kuq në ballë. Ti dole në rrugë pa asgjë, sepse shtëpinë do t’a merrte një nga “udhëheqësit” e luftës. Ishte një vendim i marrë lart, në emër të një “bote të re”, që do të ngrihej mbi gërmadhat e të ashtuquajturës borgjezi e që fillonte me formën më të spikatur të kusarisë, asaj të grabitjes me dhunë.

Ti, nëna ime, jetimja e rritur me sakrificat e një mësueseje të thjeshtë, ishe preja e kësaj dhune që kryhej në emër të “zhdukjes së shfrytëzimit të njeriut nga njeriu”. Ishe pre e saj  dhe kur një ditë ai, me të cilin kishe lidhur jetën, nuk u kthye në shtëpi e ti u detyrove të kërkosh gjithë komandat ushtarake të Tiranës, për të gjetur se ku mbahej me pranga në duar bashkëshorti yt. Sa dhimbje provove ato ditë, kur pe të shkërmoqej dhe iluzioni i fundit e mbi ty bota u përmbys. Ajo dhunë të kishte marrë dhe lirinë. Ajo do të bëhej për ty një mirazh i vagëlluar që do t’a ndiqje vazhdimisht pa e kapur kurrë, si fëmija që ndjek ballonët që era i ngre lart, për t’i shtyrë në drejtime të panjohura.

Mbas katër vitesh martese, e vetme me një fëmijë dy vjeç për dore, u vure para një zgjedhjeje themelore të jetës tënde: të ktheheshe mbrapsht, duke braktisur gjithçka, të mirë apo të keqe që të lidhte me vendin e babait, të bashkëshortit e të birit tënd, për t’u rikthyer në tokën e ëndrrave të rinisë së parë, për të rifilluar një tjetër jetë, ndoshta jo të lehtë, por sigurisht më të qetë e me më shumë kënaqësi, apo të vazhdoje “t’i bije ferrit pash më pash”. Zgjedhja nuk ishte e lehtë, ishte si mëdyshja e famshme hamletiane. Nga një anë qëndronte familja e parë, vendi i lindjes, mundësia e pakufizuar për të shkuar përpara në fushën e dijes e të jetës akademike, për të cilën kishe dhënë prova të mjaftueshme aftësie të vlerësuar, jeta komode e mbi të gjitha liria. Në anën tjetër ishin familja e dytë, e gjymtuar rëndë nga mungesa e gjatë dhe e dhunshme e të parit të saj, një jetë që parashikohej tej mase e vështirë në një Vend që të quante të huaj, madje armike, një jetë që kërkonte një dozë të mjaftë heroizmi për t’u përballuar.

Çfarë të shtyu, nëna ime, të zgjidhje detin me tallaz në vend të limanit të qetë? Apo ata krahë kërthinje që shtriheshin drejt teje ishin më të fuqishëm se gjithë dhuna e Shtetit? Apo deshe të vërtetoje profecinë e Miarkës së famshme, që nënës tënde i kishte parathënë një jetë tepër tepër të trazuar për ty që kur ishe fëmijë?

Ti zgjodhe ferrin sepse parimet me të cilat u rrite e u formove si njeri atë e quanin udhën e nderit, të besnikërisë ndaj bashkëshortit dhe fjalës së dhënë. Brishtësia e zemrës nuk t’a lejonte braktisjen e krijesës tënde. E rritur jetime pa përkëdhelitë e babait, mbetur nuse e re pa përkëdhelitë e bashkëshortit, nuk mund t’a përfytyroje tët bir jetim rrugëve, pa dashurinë e nënës, pa përkëdhelitë e saj. Nuk ishin në natyrën tënde braktisja, shmangia nga përgjegjësitë, rrugët e lehta. Të ra barra e një shtëpie mbi shpinë. Nuk ishte një shtëpi e thjeshtë, ishte një familje në zë mbi të cilën mllefi i fitimtarëve nuk do të njihte caqe. Por ti e more parasysh, i besove rinisë tënde, forcës së dashurisë, hirit të Zotit dhe mbrojtjes së Jezu Krishtit e nuk ngurove të zgjedhësh kalvarin e Tij. Ai qe i gjatë e i pamëshirshëm.

Filloi në një kasolle të Shijakut e përfundoi në një tjetër të Grabianit, duke kaluar nëpër Tepelenën famëkeqe, burgun e Vlorës, Fabrikën e Tullave të Tiranës e pothuaj në të gjithë sektorët e qendrës më të madhe të internimit në Shqipëri, fermës së Lushnjës. Shteti i “demokracisë popullore”, nuk kurseu asnjë nga mjetet e tij mizore për të të kthyer në kavje të qëndresës femërore, sepse ti ishe e reja e Mustafa Krujës, ishe italiane, ishe me shkollë, ishe katolike. Shteti kampion i racizmit dhe i errësirës, ngarkoi mbi supet e tua turrat e druve të pyllit, për t’ua çuar zonjave të oficerëve të Tepelenës dhe rrasat e gurit për t’i shtruar në kalldrëmet e qytetit.

Ti qëndrove, nuk u epe, nuk mohove as vjehrrin tënd, shpirtmadhësinë e fisnikërinë e qëllimeve të të cilit i kishe njohur vetë, as prejardhjen tënde, as bindjet e tua, as besimin tënd. Ndofta vështrimi i përvuajtur i fëmijës që të priste në hyrje të kampit të jepte forcë e kurajo, ndofta lutjet e përditshme Shën Mërisë të lehtësonin barrën, ndofta respekti dhe admirimi i shoqeve e shokëve të fatkeqësive fusnin çdo ditë linfë të re në dejet e tua…!

Kështu kaluan vitet për ty me peshën e tyre të rëndë, mes maleve të Tepelenës e fushave të Myzeqesë, nëpër dimrat e acartë e verërat përvëluese, me një shami të bardhë mbi kokë e një buzëqeshje të hidhur mbi buzë, me zemrën e plasur nga malli për nënën, për burrin, herë herë dhe për fëmijën. Vitet rridhnin duke marrë me vete shëndetin, fuqinë e trupit dhe shpresat e zhgënjyera. Erdhi një ditë që solli në shtëpi babanë tim e për ty, ndryshoi diçka sepse barra u pakësua, u nda. Me gjithë vështirësitë e ndryshme pasuan disa vite që dukej se ishin më të qeta e më pa dhimbje. Mbas një ndarjeje të detyruar prej katërmbëdhjetë vitesh, ajo kohë ishte një rikthim në botën intime të një dashurie, që kishte kaluar katërcipërisht provën e zjarrit, pra duhej të sillte qetësinë, aq shumë të ëndërruar mbas stuhisë. Por dhimbjet vazhdonin për ty, nëna ime. Shkaku isha unë, me aspiratat për jetën dhe muret që më viheshin nga të katër anët. Lufta e përjetshme e klasave shtrihej tashmë në brezin tjetër e, për nënat plagët bëheshin ende më të thella…!

Erdhën kohë të mbarsura me shkreptima rrufeje, që godisnin paprerë mbi koka njerëzish të rrethit tonë familjar e shoqëror. Ankthi se çdo ditë që lindte mund të të largonte nga familja djalin, tashmë burrë e baba, qe për ty një torturë e vërtetë, para së cilës zbeheshin dhe barrët e druve të Tepelenës. Ajo atmosferë mbytëse e gjysmës së dytë të viteve ’70-të nuk të la të shijoje të vetmen kënaqësi që jeta të falte e që ti e meritoje aq shumë, atë të rolit të gjyshes me ato krijesa të vogla që erdhën për të përtëritur familjen tënde. Shpejt ato engjëllushe të pafajshme do të pësonin fatin e babait të tyre, do të mbeteshin pa baba, sepse yt bir duhej t’i paguante haraçin komunizmit, do të shkonte të nxirrte bakër në Spaç të Mirditës. Për ty historia u përsërit, por tashmë kishte kaluar një e katërt shekulli e ti, nuk kishe më as shëndetin e as forcën e rinisë. Sa shumë të goditi jeta në ato vite! Fati dhe Shteti mëshuan fort mbi supet e tua, tashmë të përkulura, me sëmundjet, vdekjet, masat shtrënguese, përndjekjen pa fund…!

Një ditë nëntori të njëzet viteve më parë ti u ule e puthe tokën para këmbëve të mija, duke falënderuar nën zë Perëndinë që bëri një mrekulli duke më sjellë në shtëpi. Jeta së bashku do t’i pakësonte dhimbjet e do të shtonte gazin që sillnin, si zogjtë në pranverë, fëmijët në familje, me gjithë dhunën e Shtetit që vazhdonte paprerë.

Shpresat për ditë më të mira filluan të lëshonin sythe, por ti nuk i besoje sepse të dukej e pamundur “vrasja e kuçedrës”. Komunizmi tek ne vazhdonte të ishte i egër e gjakësor si në fillimet e tij. Sa shumë të preku vetëvrasja e Adelinës, sepse Shteti policor kërkonte prej saj të dëshmonte për dënimin pa faj të bashkëshortit, që vdiq pa u gjykuar në birucat e mallkuara të Sigurimit të Shtetit. Por me gjithë ashpërsinë e krimet e tij, si çdo gjëje në këtë botë, atij i erdhi fundi.

Ai fund hapi rrugët tona drejt një jete në liri, në vendin tënd të lindjes e të viteve të bukura të rinisë. Por… ai nuk ishte më vendi që kishe lënë. Shumë gjëra kishin ndryshuar e koha kishte zhdukur gjurmët e kujtimeve që ende jetonin në përfytyrimin tënd. Jeta jote prej martiri nuk vlente asgjë, dëshmia jote tragjike epte bezdi. Ti u tkurre, u bëre e heshtur e ndjeve mall për atë vend që të shkaktoi kalvarin, por dhe të nderoi e të respektoi si pak kënd e, me gjithë shpirt mendove të riktheheshe atje, mes atyre njerëzve. Por kthimi mbrapa qe i pamundur. Përshëndete njerëzit e t’u të dashur në varrezat, i vure një gur zemrës dhe një detyrë të madhe vetvetes: të ndihmoje mbesat dhe nipin të kalonin vështirësitë e mësimit në Italinë kaq shumë të ëndërruar.

U bë ky qëllim boshti rreth të cilit u vërtitën ditët e tua dhe tonat. E plotësove detyrën tënde më së miri, duke u kthyer gjysëm qindvjete mbrapa, kur jepje mësim në Lice. Kënaqësinë e frytet e asaj pune i more me vete, si shpërblimin e vetëm që pate në këtë botë, kur pe se si fëmijët që rrite e edukove filluan të ecin me këmbët e tyre. Në frymën e fundit fjalët e tua qenë për nipin e pranishëm: sa shumë të ka dashur gjyshja..! Dhe ata të deshën me gjithë fuqinë e shpirtit të tyre.

Zoti të deshi pranë Tij e nuk të la të përpëliteshe gjatë. Tani je në botën e së vërtetës e, siç thotë Edira në poezinë e saj, “Je kthyer fëmijë”, për të qëndruar në prehrin e babait, për të patur përkëdhelitë e nënës, për të luajtur me vëllanë. Por atje, në atë botën për ne ende të panjohur, sigurisht ke takuar shumë të njohur, je çmallur me familjarët e ikur njëri mbas tjetrit në rrjedhën e viteve, je bashkuar përsëri me ta si në ditët e bukura para shtrëngatës. Do të kesh takuar dhe një foshnje, që nuk pa dot dritën e diellit në botën tonë. Atë nuk e rrite dot si të tjerët, mbaje pranë e përkëdhele si Dushin, Lelën e Besin…!

Të kanë pritur atje dhe shoqet e shokët e vuajtjeve në kampet e Shqipërisë, nënat si ti që patën bijtë nëpër burgje e që ndërruan jetë para kohe nga dëshpërimi. “Janë të gjitha të bukura nënat e botës”, këndoje ndonjë herë me zërin tënd melodioz, kur un isha fëmijë. Ju nënat dhe atje shqetësoheni ende për bijtë tuaj që ju shkoi jeta si shërbëtorë, por mbusheni me gaz kur shikoni nipat e mbesat që e kanë rrugën të hapur për një jetë normale. Në atë jetë keni dhe ju meritën tuaj…!

Tani prehesh në paqe e në dritën e amshuar, nëna ime. Mbaruan vuajtjet e dhimbjet që një shekull mizor t’i serviri pa kursim ashtu si shumë milionave që ideologjitë e mallkuara i kthyen në numra të thjeshtë. Ne na ke lënë një zbrazësirë të madhe, që do t’a mbushim gjithmonë me kujtimet e tua, sepse ti do të jesh e pranishme gjithmonë në ditët e netët tona. Ndofta do të jesh pranë në formën e një fluture, siç na ke premtuar kur ishe me ne. Ti do të jesh “një engjëll më shumë” e do të vigjilosh mbi ne…!

Ne të kërkojmë falje për ato që nuk mundëm të bëjmë për ty, për mërzitjen që ndofta të dhamë ndonjëherë, sepse lodhja dhe shqetësimet e çdo dite na nxjerrin jashtë vetes sonë. E dimë që na ke falur gjithçka. Zemra jote e madhe fali dhe krimet, dhe dhunën, dhe mospërfilljen dhe fyerjet që gjatë jetës “çdo vlerë zemërgjerë nga të pavlershmit merr”. “Ne falëm, si mbas mësimit të Krishtit, gjithçka të keqe na kishin bërë, jetën tonë të shkatërruar, ne të gjithë të ndarë, të mënjanuar…”, me këto fjalë ju drejtove Xhanës në ceremoninë e funeralit të saj. Ishin ato fjalë besojma jote, tepër larg barbarizmit të atyre që ushtruan dhunën në të gjitha format mbi ty, tepër afër së vërtetës Hyjnore.

Rrugët e mija, nuk janë rrugët e juaja”, thotë Krijuesi nëpërmjet gojës së Birit të Tij. Ti qe më pranë rrugëve të Tij, ndofta prandaj Ai të bëri të kalosh aq mirë provën e vuajtjeve. Jo më kot një mikja jonë u shpreh se për të ti, ishe një krijesë mes Qiellit e Tokës e një tjetër mik i yni, që kishte bërë gati tridhjet vjet burg, e quajti ditën e marrjes së lajmit tënd, si një nga më të zezat e jetës së tij.

Faleminderit nënë, për gjithçka na le si trashëgim, respektin e konsideratën e të gjithë atyre që të njohën, miq e dashamirë, por dhe kundërshtarë e xhelatë. Dëshmitë e këtyre ndjenjave janë ngushëllimet që na vijnë nga të katër anët e botës, ku janë shpërndarë bashkëvuajtësit tanë, janë pjesëmarrja në hidhërimin tonë e të gjithë të njohurve këtu ku jetojmë.

Faleminderit nënë për gjithçka bëre për ne, për sakrificat e mundin tënd të pafund, për këshillat e mendimin tënd gjithnjë të kthjellët, për dashurinë tënde të madhe karshi ne të gjithëve, për krenarinë që na la emri yt e, mbi të gjitha, për shembullin tënd e mësimin që rrjedh prej tij: të jemi të ndershëm e gjithmonë në paqe me ndërgjegjen tonë.

Faleminderit nënë e lutu për ne, lutu dhe për të gjithë ata që të deshën e të respektuan, lutu dhe për atë Vend ku kalove pjesën më të madhe të jetës e në të cilin, mbas disa vitesh, eshtrat e tua do të kenë banesën e përjetshme, siç ishte dhe dëshira jote. Memorie.al

Tetor 2002 

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ti-nena-ime-i-fillove-vuajtjet-ne-nje-kasolle-te-shijakut-e-vazhdove-ne-grabian-tepelenen-famekeqe-burgun-e-vlores-etj-sepse-ishe-e-reja-e-mustafa-krujes-deshmite-tragjike/