“Të shikohet mundësia me qendrën e tij të punës, që gjatë ditëve të Kongresit të 9-të, Myrteza Bajraktarin ta dërgojnë me…”/ Relacioni i zv/Drejtorit të Sigurimit të Tiranës, Dashamir Bimi, në ’86-ën

Dashnor Kaloçi

Pjesa e dyzetë e shtatë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.  Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i ‘Lidhjes Shqiptare në Botë’, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al

                                                                     Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret me raportin e hartuar nga Punëtori Operativ, Ardian Gega, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Reduktori”, nga rrethi i Lushnjes, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit dhe Qerim Jakupit

Marrë nga P.Op.                                                                                                            

          Asistoi P.Op. Ardian Gega  

          Dhënë B.p. “Reduktori”

          Lushnje, më 21.6.1985

                                                                         R A P O R T

Burimi njofton se më datën 2.5.1985, rreth orës 10.00, ai u takua para postës së qytetit me Qerim Jakupin. Pasi u përshëndetën me njëri tjetrin, Qerimi i tha atij se: Isha në Tiranë dhe u takove me një vizitor të ardhur nga Gostivari, tek një person me emrin Jashar, pensionist, me banim në Tiranë.

Sipas Qerimit, vizitori i kishte kërkuar Jasharit që ta ndihmonte për të takuar Myrteza Bajraktarin dhe me mua, Qerimin, që e kishte shok fëmijërie, por Jashari nuk kishte dashur. Vizitori kishte bërë përpjekje vetë dhe e kishte takuar Myrtezain, të cilit i kishte thënë të më lajmëronte dhe mua.

Atëherë Myrtezai më mori në telefon dhe unë shkova e u takove te “Vjosa”. Në këtë takim ishte prezent edhe Myrteza Bajraktari. Vizitori më tha, vazhdoj Qerimi, se kam një muaj që kam ardhur, e menjëherë të kam kërkuar ty, por Jashari nuk më tregonte se ku banon, as për ty dhe as për Myrtezain, sepse keni qenë në burg.

Pasi mësoi për shëndetin e njerëzve të tij, Qerimi, e pyeti se si është gjendja e vendit pas demonstratave. Vizitori i tha se gjendja është e mirë, është stabilizuar dhe nëpunësat e Këshillave të Komunës, janë krejt shqiptar. Vëllain, që e ke patur revizor të rrethit, e kanë hequr tani, por nuk dihet se për çfarë.

Në vazhdim të bisedës, vizitori i tha Qerimit: Nuk i kishte prurë asgjë, sepse i kishte thënë e shoqja e Jashriot kur ishte vizitore në Gostivar, se po erdhe në Shqipëri, mos sill asgjë, sepse t’i mban shteti në Doganë. Në fakt ata më kontrolluan për plaçkat që kisha sjellë, por nuk më mbajtën asgjë, kështu unë nga inati, nuk i çova asgjë tek Jashari, por i çova të gjitha tek daja im në Kukës.

Kur të vij herën tjetër, e di vetë se si do të vijë, po tani shpejt mund të vijë vizitore, Anife Reçani, tek Jashari dhe mund të të dërgoj ndonjë gjë me të. Asaj i kishte dalë viza më përpara se mua, po nuk erdhi se e kishte burrin të sëmurë.

Në vazhdim të bisedës, vizitori i kishte thënë Qerimit, se kishte një restorant të vetin në të dalë të Gostivarit, për në Tetovë, në të cilin venë dhe hanë shoferët shqiptarë e të cilëve shpesh u jap edhe pa pare, e disa prej tyre këtu, më shohin dhe nuk më flasin.

Kam takuar vetëm një shofer nga Saranda. Në restorantin tim vjen dhe një shofer nga Lushnja, me emrin Gëzim Kulla. Kështu që, po pate muhabet me të, i thuaj që të m’i sjellë të falat e tua dhe unë e di vetë pastaj. Do të interesohem ta njoh, të bisedoj dhe pastaj do t’i them për ty.

                                 “Reduktori”

Sqarim:

Qerim Jakupi, është emigrant nga Jugosllavia, ilegalisht. Ka dyshime si agjent i Zbulimit Jugosllav, por këto kohët e fundit, ishte marrë në përpunim aktiv 2/A, sepse ka qenë në burg, për agjitacion e propagandë.

Myrteza Bajraktari, është me banim në Tiranë, është emigrant kosovar, mesa dihet, ka dyshime si agjent i Zbulimit Jugosllav, ka qenë në burg.

Vlersimi:

Raporti ka vlera operative për faktin se tregon se vizitori i ardhur nga Jugosllavia, ka bërë përpjekje për t’u takuar me çdo kusht, me Qerim Jakupin dhe Myrteza Bajraktarin, ndoshta kjo, me porosi të Zbulimit Jugosllav, gjë që duhet të na tërheqë vëmendjen, për ta ndjekur me precedencë e në koordinim me Drejtorinë e Punëve të Brendshme, Tiranë, kjo vë në dyshim dhe figurën e vizitorit.

Raporti bën fjalë për figurën e qëndrimet e shoferëve tanë jashtë shtetit. Largimi i Qerim Jakupit për në Tiranë, pa e ditur, P.Op. G. Sadiku, tregon për mangësitë në drejtim të kontrollit tëv lëvizjeve të objekteve.

Detyrat:

B.p., ju dha detyrë të takohet përsëri me Qerimin dhe të hapë edhe njëherë bisedën për takimin e tij me vizitorin, për të thelluar njohjen mbi arsyen e interesimit të tij, për t’u takuar me Qerimin dhe Myrtezain, përse u interesua tjetër vizitori, me kë ka kontaktuar tjetër, çfarë thotë e komenton për vendin tonë dhe për qëndrimin e titistëve ndaj shqiptarëve me banim në Kosovë e vise të tjera, të bëjë përpjekje që nëpërmjet Qerimit të takohet edhe vetë me vizitorin, apo vizitoren, që pritet të vijë, me pretekstin e interesimit për lidhjet e tij. Të kontaktoj me Myrtezain që të shikoj reagimet e tij, karakterin e kontakteve me vizitorin etj.

Masat Operative:

Të gjejmë dhe të drejtojmë agjenturë tjetër tek objekti Qerim Jakupi, sidomos të shihet nëse ka mundësi “Dajti”. Të forcohet kontrolli i lëvizjeve dhe përpunimi i tij. Takimi me vizitorin është shumë i dyshimtë.

Një kopje të raportit t’ja dërgojmë Drejtorisë së Punëve të Brendshme, Tiranë, duke i kërkuar njëkohësisht të dhëna për figurën e Myrtezait, vizitorit dhe të koordinojmë me ta për përpunimin e Qerim Jakupit dhe Myrteza Bajraktarit.

Një kopje e raportit të dërgohet për të parë kontaktet e dyshimta të vizitorit me dy objektet, për të pasur parasysh, ardhjen e vizitores, Anife Reçani dhe çështjen e shoferëve tanë që dalin jashtë shtetit.

Të marrim kontakt me shoferin Gëzim Kulla dhe me kujdes të shohim se ku ndalojnë ata për të ngrënë në territorin e Gostivarit dhe çfarë din ai për pronarin e restorantit.

Në varësi me këtë, t’i shpjegohet se çfarë qëndrimi duhet të mbajë në rast se i kërkohet ndërmjetësi nga objekti Qerim Jakupi, për t’u lidhur me vizitorin.

Punëtori Operativ                                       Punëtori Operativ

Luan Gaçe                                                     Adrian Gega

Shënim:

E dhëna të shikohet e vlerësohet në varësi me materialet që ka sjellë Dega e II-të për Qerim Jakupin.

Gjon Përmalaj

d.v.  30.6.1988

Dokumenti sekret me planin e masave agjenturore-operative i hartuar nga Punëtori Operativ, Oltion Frashri dhe shefi i Seksionit, Nuro Sako, i miratuar nga zv/Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Dashamir Bimi, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit

MIRATOHET                                                                                                    SEKRET

ZV/DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME                                               Ekzemplar i vetëm

Dashamir Bimi                                                                                       Tiranë, më …10.1986

SHTESË E PLANIT TË MASAVE AGJENTURORE-OPERATIVE PËR NDJEKJEN E PËRPUNIMIN 2/A TË OBJEKTIT, MYRTEZA BAJRAKTARI

Nga ana jonë ndiqet në përpunim aktiv 2/A, si agjent i Zbulimit Jugosllav, Myrteza Bajraktari.

Me qëllim që të godasim në kohë këtë veprimtari armiqësore të tij, dhe në kuadrin e festave të mëdha të nëntorit dhe Kongresit të 9 të PPSH-së, për të ndalur ndonjë akt të mprehtë të tij, do të merren edhe këto masa agjenturore-operative:

  1. Do të përpilohet vijë-sjellja për B.p. “Pianisti”, për të mësuar reagimet aktuale të tij në lidhje me situatat që kalon vendi ynë aktualisht dhe evenimenteve të mëdha që janë përpara, lidhjet e tij me të cilët komenton dhe për ta patur në kontroll fizik gjatë festive dhe Kongresit të 9-të të PPSh-së.

Kryen: P.Op. Oltjon Frashëri, deri 30.10.1986

Kontrollon: Nuro Sako.

  1. Të përpilohet vijë-sjellje për B.p. “Libri” dhe për të parë mundësinë e tij në përpunimin e objektit.

Kryen: P.Op. Oltion Frashri, deri 30.10.1986

Kontrollon: Nuro Sako.

  1. Do të vazhdoj puna e B.p. “Gama”, “Luftëtari”, “Muratori”, për të mësuar reagimet e tij aktualisht dhe për ta siguruar fizikisht gjatë festave të nëntorit dhe zhvillimit të punimeve të Kongresit të 9-të të PPSH-së.

Kryen: P.Op. Oltion Frashri, deri 30.10.1986

Kontrollon: Nuro Sako.

  1. Do të merret në survejim për aq kohë sa do të zhvillojë punimet Kongresi i 9-të i PPSh-së, për ta patur në kontroll dhe për të zbuluar lidhjet e tij, me të cilët do të kontaktoj gjatë kësaj periudhe.

Kryen: P.Op. Oltion Frashri, deri 30.10.1986

Kontrollon: Nuro Sako.

  1. Në qoftë se objekti, gjatë kësaj periudhe do të shkoj në rrethe të tjera, do të merren masa me ato Degë përkatëse, për ta ndjekur bashkërisht këtë detyrë të përbashkët.

Kryen: P.Op. Oltion Frashri, deri 30.10.1986

Kontrollon: Nuro Sako.

  1. Me qendrën e punës së objektit, do të merren masa që gjatë periudhës që do të zhvilloj punime Kongresi i 9-të i PPSh-së, brenda mundësive ta komandojnë për disa ditë jashtë rrethit, për t’i prerë mundësinë për kryerjen e ndonjë akti armiqësor.

Kryen: P.Op. Oltion Frashri, deri 30.10.1986

Kontrollon: Nuro Sako.

  1. Në vend-banimin e objektit, do të aktivizohet “Patrioti”, D. Çeliku, për t’i evidentuar personat që do të frekuentojnë shtëpinë e tij gjatë kësaj kohe dhe për ta pasur në kontroll fizik.

Kryen: P.Op. Oltion Frashri, deri 30.10.1986

Kontrollon: Nuro Sako.

  1. Do të vazhdojë të mbahet në kontroll postar të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe do t’i bëhet kontrolli në Degën e II-të dhe të V-të, për të parë nëse ka kontakte apo korrespodencë, me karakter, shtetas të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe të huaj.

Kryen: P.Op. Oltion Frashri, deri 30.10.1986

Kontrollon: Nuro Sako.

  1. Analiza e këtij plani të bëhet në fund të muajit janar të vitit 1986. Memorie.al

Punëtori Operativ                                                                  Shefi i Seksionit

Oltion Frashri                                                                              Nuro Sako                   

 ZV/DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME        

                                               Dashamir Bimi        

                                                    Vijon numrin e ardhshëm 

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/te-shikohet-mundesia-me-qendren-e-tij-te-punes-qe-gjate-diteve-te-kongresit-te-9-te-myrteza-bajraktarin-ta-dergojne-me-relacioni-i-zv-drejtorit-te-sigurimit-te-tiranes-d/