“Të përktheje letërsinë e realizmit socialist, ishte aty-aty me vuajtjet në burgun e Burrelit, por më pëlqen Kadareja, poezitë e Arapit dhe…”/ Dëshmitë e poetit e përkthyesit, që bëri 19 vite burg

Nga Visar Zhiti

Pjesa e dhjetë

                                                 Pllaka të kujtesës dhe thasë…!

                                                     Vijon nga numri i kaluar

NGA TË BURGOSURIT E HERSHËM, Kudret Kokoshi (1908-1991)                     

Poet. E arrestojnë me të parët në vitin e parë të çlirimit. Dhe çlirimi nuk është liri, thoshin burgjeve. Në burg do ta dëgjoja dhe emrin e tij, kur të më çonin vonë dhe mua në burg…! Ishte ai që kishte shkruar poezinë për Nënën, e dinin përmendësh shumë të burgosur, po çudia ishte se ai dinte përmendësh të gjithë “Komedinë Hyjnore”, ishte si një Dante në burg, kështu thoshin, e recitonte në origjinal. Dhe më e rëndësishmja, qëndrimi i tij në burg kishte qenë burrëror. Ku është tani? Ka dal:e nga burgu. Gjallë është? Edhe po të ketë vdekur, është më gjallë se sa ne brenda…

….kishte lindur në vitin 1908, katër vjet para pavarësisë së vendit, në qytetin ku u shpall dhe u ngrit Flamuri, në Vlorë. Arsimin e lartë për Drejtësi e kreu në Itali, mori gradën Doktor i Shkencave Juridike. Kishte pasion letërsinë dhe u laureua dhe për letërsi. 26-vjeç, në vitin 1934, u kthye të shërbente në atdhe. Ja, një kronologji e shkurtër e jetës së tij:     –

– 1934, ushtroi detyrën e avokatit në Vlorë.

– 1936, emërohet ndihmës gjyqtar në Bilisht dhe në Pogradec dhe tre vjet më pas gjykatës në Korçë, në Shkodër dhe Tiranë.

– 1941, Kryeprokuror në Prizren. Shqipëria ishte bashkuar me Kosovën e vet.

– 28 nëntor 1942 është në udhëheqje të demonstratës antifashiste në Prizren, ku gjatë përleshjeve, plagoset në ballë.

– Merr pjesë në luftën për çlirim dhe në vitin 1943 është një nga eksponentët e Ballit Kombëtar në Vlorë.

– Maj 1944, arrestohet nga Gestapo gjermane dhe e internojnë në kampin e shfarosës në Mat’hauzen.

– Sapo kthehet në Shqipëri, në qershor 1945, fitimtarët komunistë e arrestojnë dhe e dënojnë me vdekje, si udhëheqës të Ballit Kombëtar. Dënimi iu kthye në 25 vjet burg.

– Pas 19 vjetësh kthehet në Vlorë. Bën punëra të rënda si ata që dilnin nga burgu. Refuzon bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit dhe vet-burgoset në shtëpinë e tij. Priste vdekjen. S’e di, të veten apo të diktaturës…!

Intervistën e fundit dhe të vetme me Kudret Kokoshin e bëra unë. Kishte rënë Muri i Berlinit. Sapo kisha nisur punën si gazetar në gazetën e parë opozitare “Rilindja Demokratike”. I vajta në shtëpi në Vlorë, si një ish i burgosur bashkëvuajtësit, por dhe një fantazme mitike. Dergjej në shtrat dhe sytë i shkëlqenin të ngrirë me një si ngazëllim të drobitur, se po ndiente liri. Zëri kumbues i ndërpritej nga frymëmarrja e çrregullt. Pasi më tregoi nga jeta e tij, kaluam te përkthimet, se Kudreti përkthente letërsi shqipe në italisht, gjuhë në të cilën dhe shkruante dhe kishte marrë çmime letrare dikur për poemat në Itali. Librat dilnin pa emër përkthyesi.

– Cilët autorë kanë arritur t’ju japin kënaqësi? – e ngacmova miqësisht…!

– “Kështjella” e Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxes dhe poezi të Fatos Arapit.

– Cila ishte më vështirë, – e ngacmova prapë, – të përktheje letërsi të realizmit socialist, apo burgu i Burrelit?

– Aty – aty ishin, – tha serioz. Buzëqesha hidhshëm.

Librin e vetëm me poezi të tij “Drithmë jete”, që doli në 1995, e përgatitëm unë dhe ime shoqe, Eda, që kishte qenë nxënëse e tij, kur mësonte fshehurazi italisht.

Në një fletore ruheshin një pjesë e poezive të tij, të shkruara nga ai vetë, shumë kishte zhdukur, se nuk donte t’ia gjenin.

Ndonjëherë buzë detit në Vlorë u recitonte miqve ndonjë poezi, e cila ka ikur bashkë me të.

Kujtoj njërën që ua kushtonte grave të Vjenës, të cilat gjatë luftës, linin copa buke në rrugë, që t’i merrnin të burgosurit  e uritur, kur i nxirrnin në punë, mes të cilëve ishte dhe Kudreti.

Kur ishim në Vjenë kishim me vete dhe librin e tij shqip dhe s’dija kujt t’ia dhuroja. Djali ynë, Atjoni, me hartë në dorë na tha se do të na çonte në një vend të bukur dhe na priu për te metroja. Kur dolëm prisja të shikoja ndonjë statujë a shatërvan të veçantë, muzeum a pallat të njohur.

– Çfarë ka? – pyetëm djalin duke parë përreth.

– Është rruga e atyre grave në atë poezinë… – na tha.

Të mrekulluar lamë librin në rrugë, ta merrte kush të donte.

SONET NËNËS

      Nënë, të pashë pas kaq vjet largimi,

     Të krrusur, të përlotur dhe të tretur.

     Të pashë, o Nënë, më një shkop mbështetur

     Mermer i gjallë vuajtjesh dhe mjerimi

 

     Je plakur shumë, o Nënë, por t’ka mbetur

     Hiri i mëparshëm dhe ndër sy trishtimi

     I ëmbël, përkëdhelës, oh, trishtimi

     Që në tjatër krijesë nuk e kam gjetur!

 

     Je mplakur shumë, o Nënë, po për mua,

     për shpirtin tim që t’adhuron, Ti je

     më e bukura krijesë mbi dhe!

 

     Nënë, sa Ty krijesë tjetër s’dua!

     Sa dëshiroj t;e marr rrudhat e tua.

     Të jem plak vetë e Ti gjithmonë e re.  

 

Për kë rënkonte ashtu poeti për nënën e tij apo për mëmëdheun? Apo ishin e njëjta gjë…

Kasëm Trebeshina (1926 – 2017)

S’kam parë aq shumë mërzi te një njeri i vetëm, aq shumë pakënaqësi sa te shkrimtari Kasëm Trebeshina. Folëm gjatë në shtëpinë e tij një pasdite që u err shpejt, më kritikoi dhe mua, se, nëse flisja me armiq të tij, fjala ishte për shkrimtarë të realizmit socialist, ai nuk do të donte që të flisja dhe për të.

I thashë duke buzëqeshur se askush, as ai nuk më pengonte dot të doja, kë të doja unë dhe po kështu askush, as ai tjetri, nuk më pengonin dot të doja Kasëm Trebeshinën.

E dinë si më të praptin, disident deri në nihilist, ndërkohë më prodhimtari, por jo i botuar i gjithë, më i çuditshmi dhe më i përfoluri, i përzemërt në takime, i zemëruar me të gjithë, edhe me atdheun, mohues i shumë çkaje, edhe i disidencës së vet, sepse, sipas tij, ekzistojnë vetëm temat universale e të përjetshme, metaforat pa metaforë. I lodhur së qeni shqiptar, ngulmonte së voni, se ishte turk. Dhe atje vdiq, në Turqi…!

Dhe kishte luftuar për Shqipërinë me armë në dorë, kishte dalë partizan dhe pas luftës Kasëm Trebeshina punoi në forcimet e institucioneve të diktaturës, oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit.

E çojnë me studime për teatër në Leningrad dhe Moskë, ku rebelohet kundër realizmit socialist, e sjellin në Shqipëri si të çmendur, i bën një promemorie të guximshme dhe largpamëse diktatorit Hoxha, çka i bën nder inteligjencies shqiptare, megjithëse thonë që s’gjendet në asnjë arkiv dhe diktatorit nuk kanë guxuar t’ia japin, e arrestojnë shokët e tij, në gjyq i dalin dëshmitarë prapë shokë, shkrimtarë të tjerë.

E burgosnin herë pas here, duke i’a ndaluar veprën. Titujt e botuar tashmë janë shumë, në poezi e prozë e dramë, që nga novela e hapërdarë aq bukur, “Odin Mondvalsen”, e deri te romani epope me 5 vëllime “Kënga shqiptare”. Volumi I-rë u përfundua në vitin 1951, por nuk u lejua që të ishte ai romani i parë i letërsisë së re. Të tjerë tituj ‘Stina e stinëve’, ‘Legjenda e asaj që iku’, ‘Rruga e Golgotës’, ‘Qesari niset për luftë’, ‘Mekami’ – melodi turke, ‘Një ditë në natën pa fund’, (Dafinat e thara), etj., i janë botuar dhe në Kosovë, ‘Tregtari i skeleteve’, me të cilin fitoi çmimin “Buzuku”, etj.

Është botuar një dramë në Gjermani, ku përkthyesi e ka quajtur “më i madhi i të panjohurve”.

Ka lenë nja 170 dorëshkrime, si dhe romanin me 8 volume Planetiada. Dhe heshtje. Të qëllimtë. Jo vetëm që nuk e kishte ndjerë mirëpritjen si shkrimtar, por përkundrazi dhe sulmohej. Siç kishte dhe mirëdashës, më shumë në Kosovë dhe jashtë.

Ndërkaq, teksa donte të thoshte lamtumirë,

paralajmëroi:

 …si çdo njeri tjetër në Shqipëri, edhe unë jam i dënuar me burgim të përjetshëm….Dhe askush nuk mund ta parashikojë dot fundin e kësaj mbretërie të terrorit absolut, sepse Shqipëria është një vend i humbur, sepse shqiptarët janë një popull i humbur, pa një shtresë të vërtetë udhëheqëse, të dënuar të enden përjetësisht në një rreth të mbyllur…!

Dhe mos harroni: Diktaturat nuk i kemi lënë pas! Diktaturat më të tmerrshme, të ngarkuara edhe me shkencë, do t’i keni përpara. Mendohuni mirë… Për të mirën tuaj dhe të atyre që do të vijnë!…

Lamtumirë…!

Pjetër Arbnori (1935-2006)

Do të punoja dhe me ish të burgosurin tjetër, të mbiquajtur “Mandela i Ballkanit”, i cili pas 29 vjetësh burg, do të bëhej kryetar i Parlamentit Shqiptar dhe do të merrte pikërisht zyrën e diktatorit Enver Hoxha, do të përdorte po ato telefona…

Pak më tej do të ishte zyra ime…!

Pjetër Arbnori, shkodran, nga Shiroka, por i lindur në Durrës, biri i një oficeri të Xhandarmërisë, që mori pjesë në qëndresën me armë kundër pushtimit fashist në 7 prill 1939 dhe që e vrasin në vitin 1942, çetat partizane.

Shkollohet në Kolegjin Saverian dhe më pas në gjimnazin e Shkodrës, por me emrin Pjetër Filipi…! Me shokë nisën të shpërndanin trakte, i grumbullonin pasi hidheshin nga avioni nga Komiteti jashtë, “Shqipëria e lirë”.

Bëhet mësues muzike, pushohet nga puna, e marrin ushtar, punon në Fermën e Xhafzotajt, në Shijak, etj. Arrin të marrë leje që të vazhdojë universitetin me korrespondencë në Tiranë, emërohet mësues letërsie në Golem, por tani nën emrin Pjetër Toma. Në vitin 1962, e arrestojnë, sepse bënte pjesë në një grup që donin të formonin një parti social-demokrate dhe e dënojnë me vdekje.  Dënimi i kthehet në 25 vjet burg…!

Në Burrel nisi të shkruajë novela e romane, metafora kundër diktaturës. “Kur dynden vikingët”, “Mugujt e mesjetës”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit”. Romani “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, është vepra që i’u kap në burg dhe pasi i bëjnë akt-ekspertizën, shkrimtarë te realizmit socialist në Tiranë, e dënojnë dhe me 10 vjet të tjera burg, kur i kishte bërë, pa ndërprerje 18 vjet. Pastaj do të kemi romanet “Vorbulla”, “Brajtoni, një vetëtimë e largët”, përkthen në burg “Historinë e Anglisë”, etj.

Lirohet në 1989 në moshën 54 vjeçare, ndërsa kur e arrestuan ishte 26 vjeç.

Kthehet në Shkodër dhe merr pjesë në demonstratat e para kundër diktaturës komuniste, në rrëzimin e bustit të Stalinit, ne themelimin e Partisë Demokratike. Zgjidhet deputet dhe pastaj në 1992 dhe Kryetar i Kuvendit.

Në këtë kohë më thërret të punoja dhe unë pranë tij. Gjej aty dhe njërin nga ata që kishte emrin në hartimin e akt-ekspertizës për poezitë mia, kur më dënuan. Poezia tani po sillte paqe. Falë nesh…!

Pjetri kishte butësi dhe vendosmëri të patundur. Vinte si i ngadaltë, por i sigurt. Ndërkaq librat e burgut po botoheshin me radhë. Dolën dhe letrat e burgut “E dashtun nanë”. Si psherëtima e fundme, por që është e para e çdo njeriu. Dhe një studim historik “Nga jeta në burgjet komuniste”, 1992.

Dhe vjen viti 1997, i rebelimit masiv, drejtuar nga socialistët që marrin pushtetin, jo vetëm me votë, por dhe me armë. Pjetër Arbnori futet në grevë urie, i vetëm, si protestë ndaj censurës kundër fjalës së lirë dhe humbjes së pavarësisë së shtypit. Çështja ndërkombëtarizohet dhe fiton “Amendamenti Arbnori”.

Del libri me intervista të tij: 1990-2000, “Lufta për të mbetur njeri”. Ndërkaq të shumta janë nderimet: “Mësues i Popullit”, “Pishtar i demokracisë”, “Urdhri Nënë Tereza”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, etj.

Ndërsa Partia Demokratike, kishte ri-ardhur në pushtet, Pjetrit të urtë, me zhgënjime të pa rrëfyera, i duhet të shkojë në Napoli për një ndërhyrje kirurgjikale dhe papritur vdes në spital, pas një hemorragjie cerebrale.

Varroset në Shkodër në Varrezën Katolike të Rrmajit.

Nderohet me titullin “Nderi i Kombit” pas vdekjes. Para  Parlamentit, ku ai la gjurmë, është statuja e tij, që priti deri vonë për ta venë kundërshtarët e tij, socialistët.

Pjetër Arbnori, ka lënë dhe një ditar, që e mbajti fshehurazi, shkruar me një alfabet të tijin, të shpikur posaçërisht për ditarin, që askush nuk e lexonte dot, ja ashtu si vetë burgjet tani, gërmadhat e Spaçit, të Qafë-Barit, Ballshit, Kënetës së Vloçishtit, etj., me atë tmerr të ftohur, absurd, që s’janë as burgje e as muzeume…!

I kisha thënë Pjetrit, …ditari, ky do të mbetet, jepi rëndësi. Më vonë, më thoshte, kur të lë punën e do të kem kohën time, se as unë s’di ta lexoj më…!

Siç duket koha që duam, nuk vjen kurrë, por a do të dinë të lexohen ndonjë ditë enigmat tona?

 Dy burgjet, këtej dhe andej kufirit…, Selman Riza (1909 – 1988)

…shkencëtar në gjuhësi, albanolog i shquar, patriot dhe veprimtar, që bashkon me veprën e tij Kosovën me dheun amë, me Shqipërinë.

Në moshën 13 vjeç, ikën nga vendlindja e tij Gjakova dhe niset më këmbë për në Tiranë, dëshiron shumë të studiojë dhe del nxënësi më i mirë në shkollën plotore “Naim Frashëri”. Edhe Liceun e Korçës e mbaron shkëlqyeshëm. Dhe Ministria e Arsimit e nis të studiojë në Francë. Në Tuluz, për 3 vjet (1932 – 1935) mbaron dy fakultete, Gjuhë e Letërsi Franceze dhe Drejtësi. Pasi studion dhe në Austri gjermani-stikë, kthehet në atdhe, që të punojë.

Del hapur kundër pushtimit fashist dhe e internojnë atje, në Ishullin e Erës, në Ventotene, mik me Zai Fundon, por s’është komunist. Mik me Safet Butkën, por s’është me ‘Ballin Kombëtar’.

Kthehet në atdhe në Durrës, e më pas në Prizren, ku punon si avokat, dhe vihet në krye të lëvizjes për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si një rast i veçantë.

Me të mbaruar Lufta II-të Botërore, kthehet prapë në Tiranë. Fitimtarët e arrestojnë më 1945-ën, me akuzën: “kosovar anti-jugosllav”. Burgoset dhe bën tre vjet burg pa vendim gjykate, pastaj i dorëzohet Jugosllavisë, ku bën tre vjet të tjerë. Pas internimit në Sarajevë, kthehet në Prishtinë, ku i përkushtohet punës studimore. Më pas jugosllavët e përzënë dhe e mbyllin Institutin Albanologjik që drejton Riza.

Më 1956 në Tiranë. Shihet me dyshim, përndiqet. Intelektualët më të mëdhenj vështrohen si me mundësinë e të qenit në shërbim të vendeve ku kanë studiuar. Çabeji, si agjent i austriakëve, gjermanëve; kurse Riza, i jugosllavëve…!

Establishmenti teorik mendimor i kohës, kërkon që të imponojë vetveten. Intelektualët me autoritetin e tyre mund të sjellin version tjetër, ndaj edhe mbahen ashtu.

Enver Hoxha kishte bërë një letër në vitin 1944, ku kërkonte nga Partia Jugosllave për Kosovën që: “ta mbajnë anash atë, pseudo liberalin”.

Profesor Riza ngujohet në Institutin e Albanologjisë, jep mësime morfologjie dhe studion autorët e vjetër. Dhe kërkon që shkencëtarët shqiptarë, kolegët e tij, të përqendrohen në hartimin e madh të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, që do më shumë  përkushtim se fjalorët me të cilët po merren, rusisht-shqip. Pasi hedh idenë e pamundësisë së zbatimit të marksizëm-leninizmit në gjuhësi, rifillojnë sulmet e hapura, “flet-rrufetë” – pllakate kundër tij, të nguluar në mur, ku i kujtonin burgjet.

Pa pritur i jepet ‘Çmimi i Republikës’ për arritjet në shkencë, pra do të pësojë ndonjë gjë dhe e shpërngulin në Berat, i japin punë si folës në muze. E kthejnë në Tiranë më 1970, ku vazhdon punën me gjuhën amtare, afrimin shkencor ndërmjet dy dialekteve për një gjuhë letrare natyrale.

Por do të vazhdonin edhe heshtja rreth tij,  përndjekjet e fshehta. Në zanafillë po përndiqej gjuha e traditës kështu, përbashkimi i shqiptarëve.

Ishin copëtuar trojet, do të copëtohej dhe gjuha.

Vdes. Kishte kërkuar të prehej në vendlindje… atje ku gjuha i kishte shijuar si ajri, si trualli, si burimet…! Memorie.al

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/te-perktheje-letersine-e-realizmit-socialist-ishte-aty-aty-me-vuajtjet-ne-burgun-e-burrelit-por-me-pelqen-kadareja-poezite-e-arapit-dhe-deshmite-e-poetit-e-perkthyesit-qe-ber/