“Të parët tanë, tregtarë të njohur edhe në Itali, u vendosën në Udine, Padova e Milano, ku ndodhet dhe sot ‘Rruga Summaj’…”/ Historia e rrallë e familjes së famshme shkodrane

Nga Ben Andoni

Pjesa e dytë

Memorie.al / Në ditët e fundit të dhjetorit 2003, Terezina Summa, e njohur si një mjeke e shquar kardiologe, në qytetin e saj në Shkodër, botoi librin e jetës, “Familja Summa”. Një histori e shtrirë në 2 mijëvjeçare, e njërës prej familjeve më të vjetra të historisë kombëtare. Nga kjo familje, kanë dalë shumë konsuj, tregtarë, klerikë, mjekë dhe luftëtarë. Ata kanë qenë nga tregtarët e parë në Milano dhe në Shkodër dhe luftëtarë të së resë ngaherë. Flitet për Familjen e njohur Summa, paraardhësit e të cilëve, përmenden që në shekullin e XIV-të. Demetriues Summa, stër-stërgjyshi i tyre baron, mundi Stefan Dushanin e madh në vitin 1331. Më pas, ata “fshihen” në histori dhe në shekullin e XVII-të, përmenden si tregtarë. Kjo familje do të vazhdojë të prodhojë pastaj, pa u reshtur: Diplomatë, priftërinj, tregtarë dhe mjekë. Kanë lidhje të ngushtë me Papët e Romës dhe me heronjtë shqiptarë si Skënderbeu. Bëmat e tyre, do të përshkonin kontinentin, teksa ata u atashuan pranë personazheve të mëdhenj të kohës, si Caresha e Rusisë; apo ndërsa udhëhiqnin kryengritjet. Një pinjolle 80 vjeçare e tyre, Terezina Summa, e ka sjelle kujtimin e tyre në ditët e fundit të vitit 2003, me një monografi të shkëlqyer, një model shkrimi për pak familjet e Mëdha shqiptare të mbetura.

                                                   Vijon nga numri i kaluar

 Zonja Terezina, në familjen tuaj, çfarë dokumentesh ka pasur për historinë e familjes?

“Çfarë të them?! Unë nuk mund t’i tregoj të t’ana. Vetëm se ka libra, korrespondenca që në 1700, që ka pasur doktori i parë i fisit, që ka qenë Kolë Heqimi (Summa). Ai ka qenë stërgjyshi im. Ne kemi fotokopjet e të gjithave letrave, që shkruante që në luftën e Vidinos, ku ai ka shkuar me Vezirin e Shkodrës më 1824-1828 (afërsisht?).

Ato janë dokumentet tona, mandej ato që kanë folur të tjerët për ne. Janë të shkruajtura në shqipen e vjetër dhe numërohen si shkrimet më të vjetra shkodrançe. Janë letra të shkruajtura qartë dhe më alfabetin latin, por një fije më të vjetër, kuptohet. Ne i kemi dokumentet e gjyshit, që më 1789”.

Summajt, çfarë profesionesh kanë aplikuar e ushtruar më shumë?

“Për sa i përket familjes sonë, unë se di se kanë qenë shkrimtare. Por, ata kanë bërë shkollën dhe e kanë pasur tregtinë shumë të përparuar. Ata kanë qenë ndër të parët tregtarë, që kanë qenë në Milano. Atje kanë pasur dhe shtëpinë e vet dhe sot është ende “Rruga Summaj” në Milano.

Henriku (i vëllai) ka shkuar vetë dhe e ka parë në Milano. Janë dy degë kryesore të familjes. Ndërsa i ati ka dalë doktor, të tjerët u ka pasur anda tregtinë. Kanë pasur gjendje të mirë, kuptohet, që kanë vazhduar tregtinë”.

Summajt përmendet në Rusi, dhe në Itali, po ku tjetër?

“Në Itali ka shumë. Kjo ka mundësi, sepse në kohën e Turqisë kanë shkuar shumë dhe prej tyre ka në Udine, Milano, Padova. Kena qenë më të lidhur me ata, që kanë dhënë e marrë shpejt. Kemi dhe këta të fundit, këta të kanalit të Angjelin Summës. Ky ishte demokrat dhe këta kanë ikur në kohën e Fan Nolit. Ata kur ra ky, ikën në Paris.

Fillimisht Angjelini shkoi në Vjenë me gjithë familje dhe me tre fëmijët e tij. Më pas, kanë pasur frikë se i vrisnin dhe ikën në Paris. Ai vetë ka vdekur në metronë e Parisit. Thuhet aksidentalisht…! Ai ka lënë dy djem një vajzë. Njëri ka vdekur në Barcelonë në 1993 dhe ka qenë doktor; tjetri Frano, në Amerikë dhe në Kanada; vajza është në Bruksel”.

Kush ka qenë njeriu, që ju ka ndihmuar më shumë për iniciativën tuaj?

“Ka qenë halla ime Luçie Summa. Kjo ka qenë murgeshë shtëpie. Më përpara familjet e pasura, si ne, linin nga një murgeshë shtëpie. Unë jam rritur nën kujdesin e saj. Unë kam pasur nënën që shërbente, por isha e lidhur me shumë më hallën. Madje flija me të. Edhe kjo kishte shumë kulturë, sepse të gjithë kanë qenë në Itali dhe në Venedik.

Për çdo kohë shkonin atje. Të gjithë të parët e kanë mbaruar shkollën në Venedik dhe në Milano. Disa kanë filluar shkollimin në vend ndër jezuitë dhe pastaj kanë vazhduar andej. Tregimet e saj ishin të bukura dhe ajo më ka ndihmuar shumë për ndërmarrjen time”.

Po vëllezërit e tjerë, ju kanë ndihmuar?

“Askurrkush. S’më ka ndihmuar kurrkush. Një vëlla imi më ka lënë disa dokumenta. Por, ai ka vdek herët. Nuk ka qenë i martuem. Unë e kam bërë librin në kujtim të tij, sepse ai kishte qejf ta bënte dhe kishte idenë”.

Si i shikoni paraardhësit tuaj, në raport me bashkë vendasit?

“Ata më tregtinë e tyre kanë shkuar deri në Bishtin e Pallës. I kanë aktivizuar të gjitha brigjet e detit të Shqipërisë. Kanë qenë në Ulqin. Por, kanë bërë dhe një fshat me emrin e tyre. Kanë kenë dhe në Maqedoni dhe janë hapur shumë dhe më tej. Dua të them se kanë qenë shumë të kulturuar dhe i ka dashur shumë populli.

Kanë qenë të gjithë të vëmendshëm ndaj halleve të tij. Nuk i kanë parë shumë dasitë fetare. Kur bënin gostat këta, atëherë ftoheshin të gjithë pa përjashtim. Madje bënin dy gosta: Për myslimanët ditën e premte dhe për katolikët ditën e hanë. Kur ishte dita e premte, ftonin njerëz, për t’u bërë gostat tamam. Dhe, nuk i përzinin as në gosta dhe as kurrkënd”.

Sa e ndjen vlerësimin e shkodranëve për familjen?

“Kur e kanë marrë vesh, se do të nxjerr këtë libër, më kanë thënë se kur do ta nxjerrësh, më kanë ‘nervozu’, për ta bërë sa më shpejt. Kuptohet se në kohën e Partisë nuk mund të bëja gjë. Mandej, në këtë kohë, ka pasur edhe njerëz, që donin ta përvetësonin librin tim”.

Çfarë do të bëje më mirë, sikur të fillojë nga fillimi?

“Më duket se i kam plotësu të gjitha. Kështu e kam idenë. Njeriu nuk është i kënaqur asnjëherë dhe don shumë e më shumë, që të flasë dhe të thotë. Unë jam marrë me shumë mjekësinë dhe nuk më takon, që të bëj më shumë për këtë punë”.

Keni pasur ndonjë model për hartimin e tij?

“Nuk kam pasur kurrfarë modeli. Janë gjëra spontane, që vinë vetë. Madje, thonin ata që më kanë këshilluar, se është i vetmi libër, që po bën ti…”!

Nuk je bazuar tek ndonjë nga botimet e familjeve të tjera?

“Jo nuk jam bazuar, tek asnjë prej tyre. Ky është thjesht libri im”.

Keni fshehur për shumë kohë dhe talentin për të shkruar. Do shkruani prapë?

“Nuk e di. Por më shkruajt prapë?! Më kërkojnë në Radio Maria me bë disa pyetje rreth Mjekësisë. Më kanë thënë edhe me bë disa leksione. Unë vetë, u kam thënë se nuk është bukur kështu. Më mirë do të ishte me pyetje. Për dy ditë kam grumbulluar edhe disa materiale, me ato që kërkojnë ata”.

Çfarë bën gjatë ditës Terezina Summa?

“Nuk jam e kënaqur fare me sa di. Dua të di gjithmonë diçka të re. Edhe librat, ‘nuk më dalin’ gjithmonë, prandaj shikoj libra të rinj, ndjek shumë televizorin, ndjek radion dhe të rejat e tjera”.

Çfarë mban ende për të botuar?

“Kam ditarin tim. Por, janë gjëra krejt personale. Do ta përgatis, por don kohë…(qesh) Por, a e di, është marrë me dit, punët e mia njerëzit”

Ku jetojnë sot, pinjollët Summa?

Ata jetojnë në shtëpinë e Angjelin Agostin Summës, paraardhësit të tyre.

Terezina e përshkruan kështu shtëpinë ku jeton:

“Ndodhet te Arra e Madhe karshi Shkollës “Dëshmorët e Prishtinës”. Trashëgimtarët e këtij djali më të vogël të Agostin Sumës, Angjelinit, janë: Agostini, Terezina, Gjysepina dhe Enriku. Kësaj shpi, për t’ju përshtatë kohës, ju ba rikonstruksion para 35 vjetësh.

Megjithatë, çdo gja e bukur dhe me vlerë artistike antike asht rujtë me kujdes dhe asht sistemue aty ku i përkiste. Dera e oborrit asht e madhe, e punueme mirë në dru, e fortë dhe me dy kapakë, rezja është e punueme bukur. Ka pullaz me tjegulla. Sa hapet dera të mbështjell përshtypja e një hapësire të pafund drite (sepse oborri asht shumë i madh).

Majtas janë pemët dhe të ngjan me hyrjen në nji pyll. Djathtas, drejt shtëpisë, asht nji rruginë relativisht e gjanë me dritë dhe aromë të trëndafilave në dy krahët e saj. Nga drita e fortë kalojmë në errësirën e shemshirëve, që zëvendësojnë drandofillat në të dyja anët e rruginës. Ky korridor tërhjekës asht gati dhjetë metra i gjatë.

Pak para se me arritë te shtëpia, prapë dalim në dritë. Në të majtë, ke një pus të vjetër, qi nga koha asht sheshue. Pranë tij rrin plot madhështi një qyp madhështor, për vaj ullini me kapacitet prej afro njëqind litrash. Ky qyp asht nji kryevepër artistike, me vjezgat e kapakut të zbukuruara në formë kërmilli. Asht me të vërtetë shumë i madh dhe shumë i vështirë me u spostue.

Bri këtij qypi asht edhe gryka e pusit shumë antike, e skalitun nji copë në gur dhe me disa ornamente të thjeshta simetrike. Afër shtëpisë, rreth saj, e sidomos në hymje ka pemë e lule gjithfarësh. Aty ndodhet edhe lugu i madh i gurtë. Harqe guri të punuem bukur, gjyle hekuri e guri me dimensione të ndryshme etj. Sa hyn në shtëpi të bjen në sy statuj e një fëmije në mermer të bardhë, punuem shumë bukur.

Kjo hymje ka edhe një pasqyrë rrumbullake në mur, me mulazhe greke e romake të vendosuna aty-këtu. Kur ngjitesh trembëdhjetë kambë shkallë, hapet cardaku i madh. Në ballë majtas, ndodhet pasqyra e madhe shumë e lartë, qi arrin gati në tavan, e zbukurueme me ornamente të punueme në allci: lule, luaj etj., dhe në ballë lart paraqet figurën e një burri me kunorë lari.

Kjo pasqyrë trashigohet qysh nga shekulli XVII-të, asht funksionale dhe shumë pak e damtueme. Në cardak ndodhet edhe llampadari i madh porcelani me qirinj, rreth katër rafte në mur, me kapakë të punuem nga artizanat ma të zgjedhun. Ato flasin për disa brezni, ka kapakë dritaresh, kapakë arka nusesh: nga ma e vjetra me qeparisa dhe zogj e deri te ato të malcis dhe katundit.

Ka edhe djepa malcorësh të punuem shum bukur. Po të hyjmë në dhomën e pritjes në njifarë mënyre hyjmë në muzeun personal të familjes. Aty gjenden pikturat portrete të piktorit Delacroix, që paraqesin Agostin Sumën me kostum kombëtar, Gjon Muzhanin, Tereza Sumen (Biankun) etj”.

Gjenealogjia e tyre (shumë e shkurtuar)

Demetrius Summa-Në vitin 1331 njihet si fisnik i Shirgjit me titullin baron.

Kolë Summa. Në vitin 1600 përmendet si tregtar i zoti e pasanik i qytetit të Shkodrës, Ulqinit e rrethinat.

Nga ky erdhi Jakë Kolë Summa (shek XVI-diplomat). Nga Jaku erdhi Mark Jak Summa (tregtar).

Marku la tre djem: Jak Mark Summen (konsull i Venedikut-1796), Andrean me tre djem dhe një vajzë (Antonin, Palin e Pjetrin) dhe Kolë Mark Sumën (Doktori i Bushatlliut 1765-1832).

Dr. Kolë Summa la Gjonin, Agostinin dhe Franceskun dhe një vajzë Rozen. Djemtë shkuan në Institutin e Lartë Komercial në Milano.

Nga Gjon Kolë Summa (Tregtar në Itali) erdhi Nikola. Ky ishte konsull i Britanisë deri më 1917 në Shkodër. La pesë djem dhe tre vajza (Vitoren, Pinen, Enmilin, Luigjin, Ernestin, Loron dhe Gjonin.

Nga Agostin Kolë Summa erdhën tetë trashëgimtare: Ninia, Luçija, Zef, Cina, Filip, Jak, Pina dhe Angjelin.

Nga Francesk Kolë Summa erdhën gjashtë trashëgimtare Karlo, Gasprin, Danin, Lizen, Tonin dhe Marine.

Të vetmit Summaj (katolikë) me emër të tyre janë sterniperit e Kolës. Nga Angjelin Agostin Summa, është edhe autorja e librit. Ndërsa i vëllai i saj, Henriku, i ka vënë emrat e paraardhësve të tij Agustinit dhe Angjelinit, të bijve të tij dhe Summajve të rinj, të mijëvjeçarit të tretë. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/te-paret-tane-tregtare-te-njohur-edhe-ne-itali-u-vendosen-ne-udine-padova-e-milano-ku-ndodhet-dhe-sot-rruga-summaj-historia-e-rralle-e-familjes-se-famshme-s/