“Të katër të pandehurit, janë vënë në shërbim të Zbulimit Jugosllav, duke ndihmuar dhe strehuar deputetin tradhëtar Haxhi Hajdari e diversantin Arif Shabani, pasi…”/ Akt-akuza e Gjykatës së Lartë, në vitin 1964

Nga Dashnor  Kaloçi

Memorie.al / Ka qenë pasditja e 9 prillit e vitit 1963, kur forcat e Ndjekjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ato të Ushtrisë, e Forcat Vullnetare të zonës së Malësisë së Shkodrës, të cilat që nga mesi i muajt mars të atij viti, ishin në një operacion kërkimi në shkallë të gjerë, për të bërë të mundur vendin ku fshihej deputeti e asaj zone, kolonel Haxhi Hajdari, i cili kishte dalë në arrati, morën urdhër për t’u grupuar në qendër të qytetit të Koplikut. Ky urdhër, erdhi pasi në orët e drekës së asaj dite, sipas udhëzimeve të kryeministrit Mehmet Shehu, (që drejtonte operacionin nga Tirana), një grup ushtarakësh të Ministrisë së Mbrojtjes, me në krye Drejtorin e Drejtorisë së Artilerisë, gjeneral-major Vaskë Gjino, goditën me artileri (me murtajë) shpellën ku fshihej deputeti Haxhi Hajdari, pasi për vetë pozicionin ku ndodhej ajo guvë e madhe, në pjerrësinë e një shkëmbi, ishte e pamundur kapja dhe arrestimi i tij.

Pas kësaj, trupi i copëtuar i deputetit rebel që kishte filluar të fliste kundër kolektivizimit dhe ngritjes së kooperativave në zonat malore dhe djalit të mikut të tij (Nosh Paja) që e shoqëronte, u ngarkuan në karrocerinë e një makine “ZIS” të Ushtrisë dhe u shëtitën nëpër të gjitha fshatrat e asaj zone, ku kolonel Haxhi Hajdari, kishte qenë deputet që nga legjislatura e parë e vitit 1945, e deri në 15 marsin e atij viti, ku ai vendosi që të dilte në arrati, pasi rrezikohej të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. E gjitha kjo ngjarje tragjike, tashmë është e njohur, pasi e kemi trajtuar dhe më parë, (në një intervistë të gjatë të djalit të ish-deputetit Hajdari, kolonel Ferit Hajdarit, si dhe në një dokumentar televiziv në vitin 2018 në RTSH, me titull “Shpella e lirisë”), por ajo që nuk dihet dhe nuk është bërë kurrë publike, është se çfarë ndodhi më pas, me ata njerëz dhe ato familje që e strehuan dhe e mbajtën me bukë kolonel Haxhi Hajdarin, gjatë atyre javëve që ai qëndroi i fshehur në atë shpellë! Sepse, vrasja makabre e deputetit rebel dhe djalit të mikut të tij që e shoqëronte, ishte vetëm prologu i nji krimi shtetëror, i cili do të pasohej edhe me viktima të tjera, (kryesisht nga familja Paja), e vite të gjata burgu e internimi. Të gjitha këto etj., bëhen të ditura nëpërmjet këtyre dokumenteve arkivore, të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme, të cilat publikohen për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën FJALA.

DOKUMENTI ME VENDIMIN E GJYKATËS SË QARKUT SHKODËR, PËR DËNIMIN E KATËR TË PANDEHURVE, QË AKUZOHESHIN SI BASHKËPUNËTORË TË NGUSHTË TË DEPUTETIT HAXHI HAJDARI QË U ARRATIS DHE U VRA NË NJË SHPELLË NË FSHATIN RRJOLL, PASI U RRETHUA NGA FORCAT E SIGURIMIT DHE TË USHTRISË

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

GJYKATA E QARKUT S H K O D Ë R

NR. I VENDIMIT 38-D.P. NR. I AKTIT, 44.

                                                          – V E N D I M –

                                                     “N’EMËR TË POPULLIT”

                                     Gjykata e Qarkut të Shkodrës, e përbërë prej:

                                                    Nuri Resnja    Kryetar

                                                  Avdo Dervishi  Nd.Gjyqtar

                                                     Sali Kraja     Nd.Gjyqtar

T’asistuem prej sekretarit, Ibrahim Stankaj, me pjesëmarrjen e Prokurorit, Jorgo Piro dhe në prani t’ avokatëve mbrojtës, Muharrem Haxhija, Ali Paçrami dhe Sotir Shomo, më datën 25 Prill 1964, si shqyrtoj në seancë gjyqësore me dyer të hapura, çështjen e të pandehurve:

  1. PJETËR PREK MARTINIT (PAJA), i biri i Prekës dhe Prendës, lindur më 1897 në katundin Rrjollë të Shkodrës dhe banues po atje, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje bujk, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i martuar, ka dy fëmijë, analfabet, i paorganizuar, i padënuar, nuk ka kryer shërbimin ushtarak, i rreshtuam më datën 2 Prill 1963.
  2. AGE TOM PAJA, e bija e Tomës dhe e Lukes, lindur më 1918 në katundin Bzhetë dhe banuese në Shkodër, tash me qëndrim në Shtyllas të Fierit, me profesion shtëpiake, me origjinë shoqërore fshatare e varfër, e ve, ka pesë fëmijë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, analfabete, e paparti, e padënuar, e rreshtuar më datën 25 Gusht 1963.
  3. LAN BAJRAM SHPELLZA, i biri i Bajramit dhe i Lubes, lindur më 1943 në katundin Rrjollë e banues po aty, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me profesion bujk, me origjinë shoqërore, fshatar i varfër, me gjendje familjare, beqar, nuk ka kryer shërbimin ushtarak, me arsim, katër klasë fillore, i rreshtuam më datën 9 Korrik 1963, dhe;
  4. GJIN LEK KAÇEKU, lindun më 1918 në katundin Gimaj Dukagjin dhe banues në Shkodër, me origjinë fshatar i varfër, me profesion bujk, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i martuar, ka katër fëmijë të mitur, i padënuar më parë, ka kryer shërbimin ushtarak, analfabet, i paparti, i padënuar, i rreshtuar më datën 19 Mars 1963.

T’AKUZUAR SE:

a). Se të pandehunit Pjetër Martini, Age Tom Paja e Lan Shpellza, janë vënë në shërbim të Zbulimit Jugosllav, nëpërmjet tradhtarit Haxhi Hajdari dhe diversantit Arif Shabani, të cilin e kanë strehuar, furnizuar dhe shoqëruar, në veprimtarinë e tij armiqësore, kanë bërë takime me të dhe kanë kryer detyrat e ngarkuara prej tij, duke u shpërblyer në monedha arit, duke kryer kështu krimin e parashikuar nga neni 64, lidhur me nenin 14 të Kodit Penal.

b) I pandehuri Pjetër Martini, ka marrë pjesë edhe në djegien e shtyllave, duke kryer edhe krimin e parashikuar nga neni 30 i Kodit Penal, lidhur me nenin 16 të këtij Kodi.

c) I pandehuri Gjin Lek Kaçeku, akuzohet në moskallëzim krimi kundër shtetit, i parashikuar nga neni 218 pika e I-rë i Kodit Penal.

Gjykata, mbasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat e marrura gjatë zhvillimit të gjyqit, mbasi dëgjoj Prokurorin, i cili kërkoj që; të katër të pandehurit, të deklarohen fajtorë për krimet që akuzohen dhe konkretisht, i pandehuri Pjetër Prek Martini, (Paja), për krimin e parashikuar nga neni 64 dhe 70, lidhur me nenin 14 të Kodit të Procedurës Penale, të dënohet përfundimisht, me vdekje, dhe me konfiskim të pasurisë.

E pandehura Age Tom Paja, me krimin e tradhtisë ndaj atdheut, si mbas nenit 4 dhe 14 të Kodit Penal, me 25 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë.

Të pandehuni, Lan Bajram Shpelllza, për krimin e parashikuar nga neni 64, lidhur me nenin 14 të Kodit Penal, me 20 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe të pandehurin Gjin Lek Kaçeku, për krimin e moskallëzimit të krimit, si mbas nenit 219, pika e I-rë, e Kodit Penal, me 5 vjet heqje të lirisë.

Mbrojtjen, adv. Muhamet Haxhinë, i cili kërkoj zbatimin e rrethanave lehtësuese, për të pandehurit që përfaqëson, Pjetër dhe Age. Mbrotjen, adv. Ali Paçramin, i cili kërkoj një dënim minimal për të pandehurin, Lan Shpellza, si dhe mbrojtjen, adv. Sotir Shomo, i cili kërkoj të shkarkohet nga përgjegjësia Gjin Lek Kaçeku, si dhe fjalën e fundit të të pandehurve, që kërkuan: Pjetër Paja, Age Paja e Gjin Leka, mëshirë, kurse Lan Shpellza, nuk kërkoi mëshirë fare;

V R E N:

Të pandehunit; Pjetër Prek Martini (Paja), Age Tom Paja dhe Lan Bajram Shpellza, me anë të tradhtarit Haxhi Hajdari dhe diversantit Arif Shabani, janë vënë në shërbim të Zbulimit Jugosllav dhe kanë kryer detyra të vëna prej këtij Zbulimi, duke cënuar pavarësinë e Republikës Popullore të Shqipërisë, sigurimin e jashtëm dhe fuqinë ekonomike të saj. U vërtetua në mënyrë të pa-kontestueshme, se që të tre të pandehurit, për një kohë relativisht të gjatë, me vazhdimësi dhe konsekuencë, kanë vënë në dispozicion shtëpinë e tyre, për takime dhe mbledhje me njerëzit e diversantit Arif Shabani, e tradhtarëve Nosh Kola dhe Haxhi Hajdari, i pari djali i të pandehurës Age, dhe i dyti, mik i ngushtë i të gjithë të pandehurve.

Këta, veprimtarinë e tyre, të tradhtisë ndaj atdheut, e kanë zhvilluar në formën e kryerjes së detyrave t’agjenturës së huaj, që konsiston në ndihmën pa rezerva, të dhënë prej tyre, për të vendosur lidhje midis diversantit Arif Shabani dhe tradhtarit Haxhi Hajdari, në strehimin e furnizimin me ushqime të këtyre, në dërgimin e letrave nga një vend, në një tjetër, në dhënien e informatave, në shoqërimin e tyre, veçanërisht i pandehuri Pjetër Prek Martini (Paja), që për shumë vjet me radhë është vënë në shërbim të Zbulimit Jugosllav, kundër atdheut të vet dhe ka marrë pjesë në dy krime, njëri më i shëmtuar se tjetri, nuk meriton asnjë rrethanë lehtësuese dhe duhet të goditet më dënim kapital.

E pandehura Age, gjithashtu, është vënë pa asnjë hezitim, në shërbim të zbulimit të huaj, duke e bërë shtëpinë e sajë në Rrjoll dhe në Shkodër, për më se dhjetë vjet, si çerdhe armiqsh të betuar, paraqet rrezikshmëri të madhe, dhe duhet të goditet me të gjitha rreptësinë e ligjit. Influenca e tradhtarit Haxhi Hajdari mbi të gjithë të pandehurit e sipërm, që pretendojnë mbrojtje dhe rrethana lehtësuese, nuk është gjithçka. Të dy të pandehurit, Pjetër dhe Age, analfabetë, por të pjekur në moshë dhe në eksperiencë, kanë ushtruar një aktivitet të gjerë armiqësor, sa e kanë treguar menjëherë rrugën e tyre prej tradhtari, prandaj për ta nuk mund të bëhet asnjë fjalë për mëshirë.

Edhe i pandehuri, Lan Bajram Shepllza, ka kryer krimin e rëndë që parashikon ligja jonë dhe procedimi i mbrojtjes për këtë të pandehur, për zbutjen në minimumin të krimit, nuk është e mundur. Me gjithë influencën e tradhtarit Haxhi Hajdari, te ky i pandehur, mosha e tij e re, pendimi dhe sinqeriteti i tij, janë rrethana se kjo gjykatë në masën e dënimit, i merr parasysh. Sa për të pandehurin, Gjin Lek Kaçekun, në pjesën e dënimit, gjykata ka parasysh, familjen numeroze të tij, e gjendjen e vështirë ekonomike.

PËR KËTO ARSYE 

Gjykata e Qarkut Shkodër, duke parë dhe nenet 277 e 279, të Kodit të Procedurës Penale

V E N D O S I

Deklaron të katër të pandehurit, si vijon:

Pjetër Prek Martini (Paja), për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të nenit 64 dhe 14 të Kodit Penal, e dënon me vdekje, me pushkatim, dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. E deklaron fajtor për krimin e diversionit, në bazë të nenit 70 të Kodit të Procedurës Penale, dhe e dënon me 25 vjet heqje të lirisë. Duke bërë bashkimin e dënimeve për të dy krimet, në bazë të nenit 48 të Kodit të Procedurës Penale, e dënon përfundimisht të pandehurin Pjetër, me vdekje me pushkatim dhe konfiskimin e pasurisë së tij.

Të pandehurën, Age Tom Paja dhe të pandehurin Lan Bajram Shpellza, i deklaron fajtor për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenin 64 dhe 14 të Kodit Penal, i dënon: Age Tomën, me 25 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së saj dhe Lan Bajram Shpellzën, me 15 vjet heqje të lirisë dhe konfiskimin e pasurisë së tij. Të pandehurin, Gjin Lek Kaçekun, e deklaron fajtor për krimin e mos deklarimit të një krimi kundër Shtetit dhe në bazë të nenit 218 të Kodit Penal, e dënon me 5 (pesë) vjet heqje të lirisë.

Vuajtja e dënimit për të pandehurën Age Toma, fillon që nga data e rreshtimit të saj, që është 25 Gusht 1963. Për të pandehurin, Lan Bajram Shpellza, vuajtja e dënimit fillon që nga data e rreshtimit të tij, që është 9 korrik 1963, kurse për të pandehurin, Gjin Lek Kaçeku, vuajtja e dënimit, fillon që nga data e rreshtimit të tij, që është 19 Mars 1963.

Shpenzimet e gjyqit dhe avokatëve, u ngarkohen të pandehurve.

Ky vendim, përsa i përket të pandehurit Pjetër, i shtrohet kryesisht shqyrtimit nga ana e Gjykatës së Lartë, kurse për të gjithë të pandehurit, lejohet ankim dhe protestë nga Prokuroria, brenda pesë ditëve, që nga shpallja e tij në Gjykatën e Lartë.

U shpall në Shkodër, më 25 prill 1964.

Kryesekretari                                                         Kryetari

Ibrahim Stankaj                                                    Nuri Resnja

SHËNIM: Më datën 27.4.1964, u paraqit rekurs ankimuar, pre të pandehurit Pjetër Prek Martini dhe Age Tom Paja, aktet për shqyrtim, ju dërguan Gjykatës së Lartë, Tiranë, në shkresën Nr. 44, datë 29.4.1964.

           Shkodër, më 29.4.1964                                          Kryesekretari

                                                                                         Ibrahim Stankaj                       

DOKUMENTI ME VENDIMIN E KOLEGJIT PENAL TË GJYKATËS SË LARTË, PËR DËNIMIN E AGE TOM PAJA, PJETËR PREK MARTINI, LAN BAJRAM SHPELLZA DHE GJIN LEK KOÇEKU, TË AKUZUAR SI BASHKËPUNËTORË TË NGUSHTË TË DEPUTETIT KOLONEL, HAXHI HAJDARI DHE DIVERSANTIT, ARIF SHABANI

 REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

      GJYKATA USHTARAKE

           Kolegji Penal

 Nr. 62 i Regjistrit Themeltar

Nr. 51  i V e n d i m i t

                                                                  V E N D I M

                                                          N’EMËR TË POPULLIT

Këshilli Gjyqësor i Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, i formuar nën kryesinë e:

Irakli Bozo,  N/Kryetar i Gjykatës së Lartë, me anëtar:

Nedret Hoxha,    Anëtar

Nazmi Peza,         Anëtar

Në seancën e hapur të datës 14.5.1964, mori në shqyrtim çështjen, Nr. 67, që u përket:

PJETËR MARTINIT (PAJA), i biri i Prekës dhe Prendës, 66 vjeç, lindur dhe banues në katundin Rrjollë të Shkodrës, me origjinë dhe gjendje shoqërore, fshatar i varfër, pa parti, analfabet, i martuar, ka dy fëmijë, i padënuar më parë, i arrestuar më 2.4.1963.

AGE PAJA, e bija e Tomës dhe e Lukes, 45 vjeç, lindur në katundin Bzhetë të Shkodrës dhe banuese në Shkodër, me origjinë shoqërore, fshatare e varfër, me gjendje shoqërore, shtëpiake, pa parti, analfabete, e ve, e padënuar më parë, e arrestuar më 25.8.1963.

LAN SHPELLZA, i biri i Bajramit dhe i Lubes, 20 vjeç, lindur dhe banues në katundin Rrjollë të Shkodrës, me origjinë dhe gjendje shoqërore, fshatar i varfër, pa parti, me arsim fillor, i pa dënuar më parë, i arrestuar, më 9.7.1963.

GJIN KAÇEKU, i biri i Lekës dhe i Prenës, 45 vjeç, lindur në katundin Gjinaj të Shkodrës dhe banues në Shkodër, me origjinë dhe gjendje shoqërore, fshatar i varfër, pa parti, analfabet, i martuar, ka katër fëmijë, i padënuar më parë, i arrestuar më 19.3.1963.

A K U Z U A R  S E:

Pjetër Martini, ka tradhtuar atdheun dhe se ka bërë akte diversioni, d.m.th., ka kryer krimet të parashikuara nga nenet 64 dhe 70 të Kodit Penal, Age Paja dhe Lan Shpellza, kanë tradhtuar atdheun, d.m.th., kanë kryer krimin e parashikuar nga neni 64 i Kodit Penal dhe se; Gjin Kaçeku, nuk ka kallzuar krimin e tradhtisë ndaj atdheut, të kryer nga Nosh Paja, që do të arratiseshin. Në prani të tij, të dy të lartpërmendurit, kanë biseduar mbi sendet e veshmbathjes dhe sendet ushqimore, që do të merrnin me vete.

Ata kanë biseduar mbi vendin se ku do të qëndronin gjatë arratisjes dhe mbi shkakun se pse, do të arratiseshin. Jo vetëm kaq, por ata i thanë të gjykuarit Gjin, se do të arratiseshin menjëherë dhe se, e lejonin atë që të largohej, vetëm për aq kohë sa i nevojitej atij për të shkuar në shtëpi, për të parë fëmijët dhe për të marrë revolverin. I gjykuari Gjin, ka pranuar se Haxhiu i ka thënë se, s’kishte nevojë të merrte tesha, me që këto do t’ja jepte ai.

Në rrethana të tilla, gjykata me të drejtë ka pranuar se i gjykuari Gjin, e kuptoi që në fillim dhe me siguri, se Haxhi Hajdari dhe Nosh Paja, ishin përgatitur për t’u arratisur dhe se këtë veprim, do ta kryenin menjëherë. Si rrjedhim, i gjykuari, duhet të bënte kallëzimin në organet shtetërore menjëherë, në mënyrë që të parandalonte, kryerjen e veprës kriminale nga ana e Haxhiut dhe e Noshit. Pikërisht, këtë nuk e bëri i gjykuari Gjin.

Ai, kallëzimin në organet shtetërore, e bëri të nesërmen, d.m.th., në një kohë kur kryerja e krimit, nuk mund të parandalohej më. Gjykata e ka bërë cilësimin e drejtë të veprës së kryer, nga i gjykuari Gjin, por dënimi i caktuar kundër tij, është i rëndë. Gjykata, në caktimin e dënimit, nuk ka pasur parasysh faktin se, i gjykuari Gjin, e ka treguar me sinqeritet veprën e kryer, si dhe faktin se ai, si njeri analfabet, nuk është shkëputur akoma nga influenca e zakoneve prapanike, zakone këto, që kanë ndikuar në kryerjen e krimit, nga ana e tij. Si rrjedhim, veprimi i gjykatës në këtë pjesë, duhet të ndryshohet.

PËR KËTO ARSYE:

Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në bazë të pikës 1 dhe të pikës 4, të nenin 313 të Kodit Procedurës Penale

                    V E N D O S I

Lënien në fuqi të vendimit Nr. 38, dt. 25.4.1964, të Gjykatës së Qarkut të Shkodrës, në pjesën që u përket, Pjetër Martinit (Pajës), Age Pajës dhe Lan Shpellzës. Ndryshimin e vendimit të sipërm, në pjesën që i përket Gjin Kaçekut dhe dënimin e tij, në bazë të pikës së I-rë të nenit 218 të Kodit Penal, me 3 (tre) vjet heqje lirie.

Vuajtja e dënimit, fillon nga data 19.3.1963. Lënien në fuqi të pjesës tjetër të vendimit të sipërm. Ky vendim, është i formës së prerë, për sa i përket Pjetër Martinit (Paja), ai nuk mund të vihet në ekzekutim, pa marrë ky përgjigjen e lutjes për falje, nga që ka të drejtë t’i paraqes të Presidiumit të Kuvendit Popullor, brenda tre ditëve, nga data e marrjes së njoftimit mbi këtë vendim. Memorie.al

Tiranë, më 14.5.1964

Anëtar                                    Anëtar                                  Kryetar

N. Peza                                  N. Hoxha                              Irakli Bozo

 

K r y e s e k r e t a r i

                       Ramiz Çitozi

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/te-kater-te-pandehurit-jane-vene-ne-sherbim-te-zbulimit-jugosllav-duke-ndihmuar-dhe-strehuar-deputetin-tradhetar-haxhi-hajdari-e-diversantin-arif-shabani-pasi-akt-akuza-e-gjyk/