“Studiuesit e rinj, duhet ta çlirojnë historiografinë nga termat ‘tradhtarë të atdheut’, e paçavure të tjera të këtij lloji, që arbitrariteti komunist, projektoi…”/ Refleksione nga ish-i burgosuri politik

Nga Eugjen Merlika        

               – Publicistika e Don Lazër Shantojës dhe nyjet e pazgjidhura të historiografisë shqiptare –

Memorie.al /Më 5 mars 1945, u pushkatua martiri i parë i Kishës Katolike shqiptare në erën komuniste, Don Lazër Shantoja. Ishte arrestuar prej “çlirimtarëve” të Shqipërisë, pak më shumë se dy muaj më parë. Në ata dy muaj kishte pësuar torturat më çnjerëzore që mund të merreshin me mënd. Trupi i gjymtuar, me gjymtyrët të sharruara, atë ditë marsi u hodh në një gropë pa emër, së bashku me atë të Sulçe Beg Bushatit.

Kështu mbyllej qarku i jetës së njërit prej eruditëve më të spikatur të shoqërisë shqiptare, personaliteti i të cilit shquhej në shumë fusha të artit të letrave, duke dhënë një ndihmesë me të vërtetë të fuqishme në jetën kulturore të bashkatdhetarëve. Ai ishte bir i traditës katolike të Shkodrës, qytetit më përfaqësues në lëmin e kulturës shqiptare. U rrit e u formua, si njeri e si meshtar, në Institutin Papnuer të qytetit të tij e në universitetin e Insbrukut të Austrisë. Zu rrënjë e hodhi shtat në traditën e Klerit Katolik që kishte patur rolin parësor në ruajtjen, kultivimin dhe përforcimin e identitetit kombëtar e të kulturës së shqiptarëve, në qindvjetorët e gjatë të pushtimit osman.

Shantoja hyri me tërsëllëmi në hullinë e gjerë të klerikëve intelektualë katolikë, të cilët që nga Buzuku, Bogdani, Bardhi e deri tek Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Marlaskaj etj., zotëruan me personalitetin dhe veprimtarinë e tyre fetare e kulturore, në harkun kohor të shekujve, në sferën e qëndresës shqiptare ndaj rrezikut thërrmues të pushtimit, duke përfaqësuar shtyllën kurrizore të kulturës dhe idesë kombëtare. Nëse institucionet fetare të krishtera në Evropën mesjetare pas romake patën meritën e njohur të ruajtjes së vlerave të kulturës klasike të lashtësisë greko – romake nga rreziku i zhdukjes së tyre prej fiseve barbare, Kisha Katolike shqiptare në mesjetën tonë, që u zgjat deri në shekullin e njëzetë, mbajti mbi shpatulla elementet themelorë të ringjalljes së kombit shqiptar.

Don Lazër Shantoja, djalosh 24 vjeçar, i sapo shuguruar meshtar, emërohet sekretar i arqipeshkvit Imzot Lazër Mjeda. Këtu filloi veprimtaria e tij gati tridhjet vjeçare në shërbim të Kishës, të kulturës e të shoqërisë shqiptare në periudhën e ngjeshur me ngjarje, të cilat përcaktuan ecurinë e krijimit e të forcimit të Shtetit të parë shqiptar të bashkuar. Veprimtaria e Shantojës, falë formimit të tij të pasur e të mirëfilltë intelektual, ishte e larmishme. Poet i lindur e prozator i arrirë, orator i paarritshëm e tribun i vërtetë politik, përkthyes nga më të talentuarit e letrave shqipe e njohës i thellë i gjuhëve klasike dhe atyre kryesore evropiane, studiues i vëmendshëm i mendimit letrar, sociologjik e filozofik të elitave evropiane, Don Lazër Shantoja, u shqua në mënyrë të veçantë për ndihmesën e dhënë në fushën e publicistikës e të mendimit shoqëror të dhjetëvjeçarëve të parë të qindvjetit njëzetë.

Publicistika e Shantojës ka bukurinë kristaline të një liqeni alpin, në të cilin derdhen rrëketë e rrëmbyeshme kur stuhitë rrahin malet përreth. Ato stuhi janë ngjarjet politike të jetuara në vetë të parë e të pasqyruara në artikujt e tij. Rrethi i vështrimit të autorit është mjaft i hapur e interesat e tij të shumanshme vërtiten të gjitha rreth një ideje qendrore që është kredo-ja e tij: Atdheu, Shqipëria, zhvillimi i saj në rrugën e qytetërimit, në kahun Perëndimor. Ёshtë një ide e paluajtshme e autorit, e miqve dhe bashkëluftëtarëve të tij, që ndriçon e i jep kuptim jetëve të tyre që përshkojnë një mori shtigjesh, sakrificash e privacionesh të çdo lloji. Artikujt e tij i gjejmë të botuara në fletore të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë, e në to del në pah një personalitet poliedrik.

Në ciklin e shkrimeve të botuara tek “Shkolla e re” të vitit 1921, spikat dëshira e autorit për të mbjellë tek bashkatdhetarët e tij parimet e qytetërimit, të atij të vërtetit që rrjedh nga mësimet e filozofëve dhe përvoja e njerëzimit në shekuj. Rreshtohen në këta shkrime parimet e edukatës, të moralit, të shoqërisë në shfaqjet e saj më të ndryshme si shkolla, puna, karrierat, artet etj. Në to sillen shembuj të njerëzve të shquar, të rrugës së tyre të vështirë, të sukseseve, famës e arritjeve me të vetmin qëllim për të nxitur ambiciet fisnike të shqiptarëve që u duhej të ndërtonin gjithçka me duart e tyre. Me një stil të thjeshtë e bindës, Shantoja do t’u thotë bashkatdhetarëve të tij, sidomos të rinjve, se nuk ka kalà që nuk merret nëse njeriu ka vullnetin e dëshirën për të shkuar përpara. Janë mësime të vlefshme që i jepen një populli që sapo ka hyrë në rrugën e zhvillimit, mbas shekujsh pushtimi të huaj që nuk e kishte ndihmuar aspak atë zhvillim.

Autori bën pjesë në atë elitë të këtij populli që mundohet, me të gjitha mjetet, të nxisë në të kur reshtën, interesin, dëshirën për të shkuar përpara, për të vënë në provë zgjuarsinë, forcën e vullnetit, durimin, cilësi aq të domosdoshme për të kaluar vështirësitë e pengesat që koha dhe rrethanat historike vinin me shumicë para shqiptarëve. Nëpërmjet shembujve të shumë njerëzve të shquar, jeta e të cilëve kishte filluar në vështirësi të mëdha, por kishte përfunduar me suksese marramendëse në fusha të ndryshme të shkencës, artit apo politikës të kombeve të tyre, Shantoja përcjell mesazhin e optimizmit, të besimit në forcën dhe qëndrueshmërinë e popullit të vet. Njëkohësisht ai u thotë shqiptarëve se asgjë nuk arrihet lehtë, se asgjë nuk dhurohet, por fitohet me mund, me djersë e me sakrifica. Në këtë rrugë të ringjalljes së kombit e të përpjekjeve për të ecur në gjurmët e popujve të qytetëruar secili duhet të bëjë pjesën e tij. Kjo vlen për brezat si për individët, për prijsit ashtu si dhe për qytetarët e thjeshtë.

I krishterë e demokrat Don Lazri mundohet të zhdukë paragjykimet e kastës, të racës së zgjedhur, të “familjeve të mira”, sidomos në sistemin e shkollave, në mendësitë e mësuesve që kanë një rol parësor në rrugën e zhvillimit të kombit. Prej dorës së tyre do të dalin ata që do të çojnë përpara Shqipërinë në të gjitha fushat, do të dalin administruesit dhe shtetarët, artistët dhe profesionistët, ajo elitë intelektuale që do të bëhet shtylla vertebrale e një shoqërie që duhet të synojë të djegë etapat, të fitojë kohën e humbur për të hyrë me të drejta të plota në radhën e popujve të qytetëruar. Shqipërisë i duhen mësues që të jenë të vetëdijshëm për misionin madhor që i pret e që punën e tyre t’a shohin në prizmin jo të fitimit të çastit, por të dobisë  së t’ardhmes.

Për autorin: “Âsht e dijtun se në këqyrëshin mësuesët vetëm me fitue kashatën e gojës, atbotë s’kanë për të pasë fitim tjetër veçse kashatën me zânë frymën e me mbajtë në veprim barkun; fitimet e vërteta, fitimet shpirtnore, ideale, kënaqa m’u njehë e me kênë ndër përparimprûesë t’atdheut, tue mbiellë nji farë qi nji ditë do të qesë fryte të madhnueshme, këto fitime duhet me pasë mësuesi ideal.”(f. 63)

Mendimi i Shantojës i paraprin projektit të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, mbasi është në vetvete mjaft i përparuar në krahasim me mendësinë zotëruese të kohës. Ai fshikullon patriarkalizmin tradicional dhe mashkullinë karakteristike të botëkuptimit shqiptar, këshillon tolerancën e respektin e mendimit, megjithëse koncepti për gruan nuk i shpëton mendësisë së kohës e bëhet i papranueshëm për stadin e zhvillimit të Shqipërisë së sotme.

Problemet e ekonomisë shihen nën prizmin e mendësisë stataliste. Qeveria, Shteti duhet të jenë rregullatorë të ekonomisë, madje të përcaktojnë edhe drejtimin e mënyrën e funksionimit. Hasim në mendime proteksioniste që, në shikim të parë, shkojnë në favor të prodhuesve dhe blerësve shqiptarë, por që krijojnë një ekonomi të ngrirë e të mbyllur e cila, me kalimin e kohës, nuk ka aftësi zhvillimi.

Shtypi, forca e tij, rëndësia, funksioni, ndikimi mbi shtetin e shoqërinë janë një tjetër temë e shkrimeve të Shantojës. Ai  është mjaft kritik, sidomos përsa i përket gjuhës së shkruar që, po të huazojmë një shprehje të Budit, “po bdaret e po bastardohet”. “Mâ fort se asgjâ do të kritikojmë paaftësìn fenomenale të shumë shkrimtarve të cilët pà pregatitje studimesh marrin e shkruejn kryq e terthuer mbi çashtje për të cilat s’kan farë kompetence…! Perkundrazi kuer lypet me shqyrtue çashtjet mâ delikate të filozofìs, të moralit, të sociologìs, të gjithë duen me kên kompetenta, deri akshìt e kamerjerat…! Ç’farë edukatet mûndet me i dhânë popullit t’onë nji shtyllë mbâjtun në kambë me mistrecat e pêndës, të nji pêndës shumë herë të shitme e partizane”? (f.128) pyet me një zemërim të ligjshëm në faqet e “Orës së maleve” eruditi që kishte privilegjin të studionte në gjuhët origjinale arritjet më të mira të kulturave të Perëndimit.

Shantoja ishte ithtar i shtypit të lirë e të pavarur, atij që ve në qendër të synimit paraqitjen e së vërtetës së paanshme, një shtypi që nuk i nënshtrohet forcës së parasë apo të pushtetit, sepse n’atë rast ai kthehet në të kundërtën e misionit të tij që është formimi i opinionit dhe njohja e lexuesit me rrjedhën e ngjarjeve të çdo dite. Interesi i tij rrok shumë sfera të jetës shqiptare e, tematika e shkrimeve shtrihet pothuaj në gjithë gamën e dukurive të saj.

Në shkrimet jepet një tablo aspak optimiste e ecurisë së Shtetit shqiptar, të problemeve të tij ekonomike, financiare, administrative. Në to bëhet një analizë anatomike e këtyre dukurive e vihet theksi mbi një aparat burokratik administrativ të stërfryrë që rëndon si një shkëmb mbi një ekonomi të dobët e të pazhvilluar, për të mos thënë të paqënë. “A thue âsht nevoja për gjithëket personal? A perdoret gjithky personal pse Shqypënija e të mëkambunit e saj kan nevojë për tê, a po pse këta duen të jetojnë në shpinë të Shqypnìs…”? (f.131) pyet me dhimbje autori. Ndihet shqetësimi qytetar i Shantojës që futet deri në skutat më të errëta të vendit të tij, që i bën jehonë skamjes së pjesës më të madhe të popullit që kjo mënyrë organizimi e funksionimi e Shtetit nuk ndihmon aspak t’a lehtësojë.

Shqetësimi është i sinqertë, i ndjerë, në përputhje edhe me misionin e famullitarit që  përditë prek me dorë hallet e mangësitë e shqiptarëve të thjeshtë që mbushin famullinë çdo të djelë, që revoltohet e shpërthen kur sheh se: “si shkrryhet parja, si shpërdoret mûndi i fukaràs, i popullit, i bulkut, i puntorit. Për me mbajtë njerz parasita……qi nuk dijnë se si me jetue, veçse në shpinë të Shtetit, me nji nênpunësì të vjedhun me protekcjon…”. (f.131) Nuk kemi të bëjmë me një instrumentalizim të tipit marksist të dukurisë, por me dhimbjen e thellë të atij që e do me gjithë zemër popullin e tij. Kjo dhimbje arrin deri në revoltë e dëshpërim kur sheh se kriteret e marrjes në punë të morisë së nëpunësve, nuk janë meritat dhe zotësitë, por klientelizmat dhe hatëret politike. Janë plagë të hapura e të pambyllura kurrë deri në ditët tona, kur ende përballemi me këto dukuri, duke paragjykuar zhvillimin.

Në artikujt e botuar tek “Ora e maleve”, ndihet fuqishëm pulsi i atdhetarit, por ka një dozë të madhe realizmi. Problemet e vendit përballohen me zemër por edhe me mendje, kryesisht në kah kritik. Shkrimtari ka një objektiv të qartë rreth të cilit vërtitet e gjithë masa e shqetësimeve të tij: Shqipëria që duhet të ecë në rrugën e zhvillimit, të përparimit, të qytetërimit. Dukuritë që pengojnë këtë ecje janë në tehun e kritikës së publicistit, janë lënda e pamfleteve të tij politike, objekt i fshikullimit, herë herë me tone mjaft të ashpra. Por Shantoja nuk është nihilist, nuk shikon vetëm errësirë në të tashmen e në t’ardhmen e kombit të tij. Ai ka aftësinë të shohë edhe dritën tek njerëzit idealistë që mundohen të shtrojnë rrugën, mbi të cilën breznitë e ardhme do të ndërtojnë shtetin bashkëkohor.

Shqypënìn e ka bâ inteligenca e do t’a mbâjë inteligenca, ose Shqypënìë nuk kem me pasë! Reservoir-i i forcës mâ të shndoshtë në Shqypnìë âsht qandra e saj intelektuale. Kur ndiejm bisedimet plot dieje e hollësië të nji Fan Nolit, dialektikën e shterngûet e të mbâtun të nji Luigj Gurakuqit, fjalën elektrixante te nji Ali Kelcyrës, gjuhën kirurgjike të nji Stavro Vinjaut, arsyetimet ligjore të nji Koço Tasit, na i harrojmë të tana eksplozjonet e soçme e nji fjalë e vetme e e ambël na tingllon në vesh: Po! ka Shqypnìë!” (f.143)

Shantoja është idealist, por në idealizmin e tij ka një farë pragmatizmi. Historia e botës i ka mësuar se popujt, në rrugën e tyre të zhvillimit, kanë arritur synimet kur kanë patur prijsa t’aftë e të kushtuar çështjes së tyre. Në prani të tyre fashitet pezmi dhe lind shpresa për t’ardhmen e besimi në të. Kjo shpresë gjen burime ushqimi te të rinjtë, te studentët  që, në Vende të ndryshme të Evropës, përgatiten me dije, kulturë e profesione e janë të gatshëm t’i venë në jetë këto në Atdheun e tyre. Kështu u krijua ajo elitë kulturore e pasur në Shqipërinë e viteve tridhjetë, që do të kositej pa mëshirë mbas vitit 1944, si “inteligjencë borgjeze”, kundërshtare e regjimit komunist. Duket se është një fatalitet historik për Shqipërinë fakti që i duhet të ëndërrojë gjithmonë një brez të ri që duhet t’a nxjerrë nga këneta e mbrapa-mbetjes e t’a verë në rrugën e përparimit.

 “Idét linden, rriten e frytësojnë vetëm në nji tokë virgjin; në mênden e në zêmbren e të rivet: prej tyne mandej dalin e pastrojnë kalbësinat e gjithshkaf ndalon perparimin o kristalizohet në trajtat e nji kohe qi ka prendue”, (f.244) shkruante Don Lazri më 1924. Tetëmbëdhjetë vite më pas, Mustafa Kruja, atëhere Kryeministër i Shqipërisë së bashkuar me Italinë, në intervistën dhënë gazetarit të njohur italian, Indro Montaneli shprehet:

 “Ne kemi një aristokraci të lodhur, të mbetur prapa, me parime që nuk i përshtaten më kohës sonë, një borgjezi të mangët në numur, në mjete e pregatitje, një masë në të cilën 70 % është analfabete. Shpresa jonë është tek të rinjtë. Të rinjtë kanë vrulle që herë herë i shtyjnë shumë përpara, por janë të mbrujtur me një dashuri të pastër për atdheun e tyre e sinqerisht synojnë në formimin e një vetëdije kombëtare dhe vetiake. Shumë prej tyre shkojnë për të studiuar në Itali. Kthehen që andej me padurimin për të ngritur vendin e tyre në nivelin italian. Shpesh padurimi i shtyn në gabime, por qoftë i bekuar ai që gabon për bujarí. Un nuk dua të rinj të bindur verbërisht, por të ndërgjegjshëm e të disiplinuar. Natyrisht të parët do t’a bënin më të lehtë detyrën time si qeveritar, por nuk do të më jepnin asnjë garancí për të ardhmen. Për ne ajo që ka vlerë është vetëm e ardhmja”.

Sot, mbas gjashtëdhjetë vitesh të tjera, shpresa për të nxjerrë politikën shqiptare nga bataku dhe vendin nga renditja e fundit në Evropë, është varur përsëri tek të rijtë. Edhe se shpesh hasim në zhgënjime në atë drejtim, mbasi jo çdo gjë që shndrit është ar, mendoj se përtëritja e vazhdueshme e politikës shqiptare është një domosdoshmëri. Për fat të keq, nuk shihet në këtë prizëm nga një pjesë e mirë e klasës drejtuese që ruan pozitat e fituara, pa marrë parasysh faktin se, koha kalon e nuk mund të ketë njerëz për të gjitha stinët. Megjithatë  aktivizimi i mjaft të rinjve të diplomuar jashtë Shtetit në administratën shtetërore, është diçka inkurajuese.

Ndër shkrimet publicistike të Shantojës mendoj se një vend të dorës së parë zëne ata që i kushtohen ngjarjeve dhe personazheve të politikës shqiptare në një hark kohor prej pothuaj një të katërt shekulli. Shkrimtari ishte një vëzhgues i mprehtë i tyre e, më shumë se pjesëmarrës me funksione të rëndësishme, ishte një viktimë e ndërgjegjshme e atyre ngjarjeve. Pësoi burgime, internime e mërgime edhe se nuk ka patur asnjëherë ndonjë pozitë të lartë, madje nuk ka qenë as deputet. Por prifti poet është në simbiozë me ato ngjarje dhe protagonistët e tyre e penda e tij, së bashku me oratorinë, ndikojnë herë herë në mënyrë vendimtare në to. Shantoja është gjithmonë koherent me veten dhe parimet. Opinionet mund edhe të ndryshojnë, por vlerësimet kanë një kriter përcaktues e të paluajtshëm: interesi i Atdheut. Ky është metri i vërtetë e i vetëm që shërben si njësi matjeje për këdo e për gjithçka.

Ai ishte i pozicionuar në krahun e opozitës antizogiste. Idhulli i tij ishte Luigj Gurakuqi, që: “Me nji duresë e nji palodhësië shembullore, shkrîni jetën për idealin e nji Shqipënie të lirë, të madhe, të lume.”, kryetari i Opozitës në vitet 1921-‘24. Martirët e lirisë e të demokracisë ishin Avni Rustemi, vetë Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Elez Isufi, Zija Dibra, Ramiz Daci, Zef Ndoci, Mark Raka. Bashkëluftëtarët me të cilët ndau bindjet e idealet ishin: Mustafa Kruja, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Xhevat Korça etj. Në altarin e kombit ishin kolegët  e tij më të njohur si: Fishta, Gjeçovi, Mjeda, Harapi, Marlaskaj etj. Në fushën kundërshtare, ishte Ahmet Zogu, Kryeministër, President e më pas Mbret i Shqipërisë, sinonim për një pjesë të shqiptarëve i së keqes në pushtet, i rrethuar nga bejlerë përkrahës si: Eshref Frashëri, Mehdi Frashëri, Faik Konica etj., apo vrasës dhe ideatorë vrasjesh si: Baltjon Stambolla, Çatin Saraçi etj.

Në këtë mikrounivers figurash politike, Shantoja depërton me fuqinë e pendës, duke na lënë të skalitura bindjet e mendimet e tij. Ato janë fryt pikëpamjesh objektive e subjektive të autorit, ndonjëherë edhe të pasioneve politike të tij. Por gjithsesi ata janë dëshmi të rëndësishme, mbasi dalin prej pendës së një personi pa paragjykime, që vlerëson duke u nisur nga faktet. Periudhat të cilave i referohen shkrimet janë ato 1920-‘24, koha e mërgimit 1924-‘39 dhe vitet 1939-‘43, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga italianët por, kishte një status të posaçëm, sepse quhej e bashkuar me Mbretërinë e Italisë.

Për ngjarjet e këtyre hapësirave kohore historike, autori mban qëndrime të ndryshme. Me botëkuptim të përparuar demokrat, mbështet pa rezerva Revolucionin e Qershorit 1924 dhe ata intelektualë e të rinj të “Bashkimi”-t që ishin flamurmbajtës të tij. Çuditërisht i kushton pak shkrime Qeverisë së Nolit dhe më shumë mërgimit politik, që pasoi rënien e saj. Ndoshta ky fakt dëshmon për një farë zhgënjimi që pëson publicisti Shantoja nga ajo qeverisje dhe në vetë të parë nga Kryeministri, të cilin në një shkrim të mëvonshëm e sulmon rreptë. Nga mërgimi në Jugosllavì, Austrì e Zvicër, mundohet të analizojë gjendjen e Shqipërisë reale, që përfaqësohet nga evolucioni i pushtetit të Ahmet Zogut deri në Mbretëri, por edhe atë alternative që ka, fytyrën e mërgatës politike shqiptare antizogiste. Në këtë gjëndje konflikti të fortë e të përhershëm, duket se nuk ka vend për biseda e marrëveshje. Për Shantojën, ashtu si për të gjithë të mërguarit politikë jashtë Atdheut, “Bota e ka marrë vesht se në Shqipnìë sundon nji President gjaksor, nji President qi mbytë me pare diten për diellë, nji President qi flet vetë me sikarët, q’i u premton ndihmen e nji fuqiës s’huej, qi u premton lirim të shpejtë, rrogë të përmuejshme…” (f.370)

Por këtë kundërshtar politik, këtë “President gjakësor”, kur e sheh të diskredituar pa të drejtë nga një gazetë austriake, ka burrërinë t’i kërkojë Kancelarit austriak, Dr. Seipel, ndërhyrjen e tij për të vënë në vend prestigjin e atëhere Kryeministrit shqiptar. Ёshtë një nga perlat e këtij libri, një shembull ideal i moralit politik në një shkallë të lartë, një shprehje e harmonizimit të luftës politike me etikën e saj e me respektimin e institucioneve, një leksion stili për politikën e sotme në Shqipërì e më gjerë.

Nga ana e tij Zogu ishte i vetëdijshëm për forcën intelektuale të kundërshtarëve të tij, por dinte gjithashtu se mendësia evropiane e tyre nuk gjente një tokë të lëruar tek shqiptarët që donin kohë të tresnin shtresat dhjamore të botëkuptimit lindor, të trashëguar nga pesë shekuj. Ai u mundua me të gjitha mjetet  t’a bëjë të parrezikshme këtë Opozitë të shpërndarë e të përçarë në grupe, shtete e bindje politike të ndryshme. Kjo luftë në largësi vazhdoi, mes sharjesh, mallkimesh, denigrimesh e përbetimesh të ndërsjellta, deri në shtatë prillin 1939, kur Musolini dhe Çiano vendosën, t’i shtojnë Kurorës së Viktor Emanuelit edhe Mbretërinë Shqiptare, duke dërguar ushtritë pushtuese në brigjet e saj.

Si shumë të tjerë edhe meshtari Shantoja, la famullinë në Jurën Berneze dhe u kthye në Shqipërinë e “çliruar” nga “tirania” e Mbretit Zog. Ndryshimet e ndodhura i pa me shpresë e besim për t’ardhmen. Pushtimin e vendit nuk e quajti një tragjedi, përkundrazi si një mjet për t’u bashkuar me Italinë e, nëpërmjet saj, me Evropën e qytetëruar, ku ai ëndërronte të shihte edhe Vendin e tij me të gjitha atributet. Shkrimet e kësaj periudhe ndoshta kanë qenë aktakuza më e fortë që drejtësia komuniste i ka bërë martirit të parë të ligjeve të saj. Ai merr në mbrojtje haptas e me forcë bashkimin me Italinë, jo sepse është i ndjeshëm ndaj interesave të saj, mbasi në shkrime të mëparshme, sidomos në lidhje me vrasjen e Gurakuqit, flet mjaft ashpër për te.

Në këtë bashkim Kurorash, ai sheh mundësinë e ecjes së Shqipërisë në rrugën e përparimit. Nëse i duhet të zgjedhë ndërmjet pavarësisë në varfëri e prapambetje, apo varësisë në mirëqenie e përparim ai zgjedh të dytën. Ai bën pjesë në atë radhë intelektualësh e politikanësh shqiptarë që i konsideronin lidhjet me Italinë strategjike e prioritete, miqësinë me popullin e përtej detit si themelore për t’ardhmen e Vendit të tyre, e pushtimin si një dukuri e përkohshme që nuk cenonte thelbin qenësor të shqiptarëve, të atyre që herë me qesëndi e herë me përbuzje apo urrejtje u quajtën “italofilë”. Në atë radhë figura më e spikatur kishte qenë prijësi Luigj Gurakuqi që, për Shantojën si për shumë të tjerë, kishte qenë një etalon atdhetarizmi.

Duke dalë pak nga kuadri i bisedës së ngushtë për publicistikën e Don Lazër Shantojës, desha të hap një tjetër fushë diskutimi që më duket i nevojshëm e që merr shkas nga leximi i librit. Si i ka trajtuar e vazhdon t’i trajtojë historiografia jonë zyrtare e jo këto ndodhi e figura që mbushin faqet e librit, për të cilin po flasim, dhe a ka vend për ndryshime n’atë drejtim? Duke marrë në analizë tre periudhat kryesore që trajton Shantoja si, ‘Revolucioni i Qershorit’ dhe ‘Opozita antizogiste’, ‘mbretërimi i Zogut dhe roli i tij’, ‘pushtimi fashist e bashkimi me Italinë’, për më shumë se gjysmë shekulli, më duket se janë trajtuar vetëm në formë manikeiste, në vështrimin bardh e zì.

Për historiografinë komuniste që, fatkeqësisht ende nëpërmjet studiuesve dhe mendësisë, vazhdon të diktojë në forma të ndryshme logjikën e saj, Revolucioni i Qershorit 1924, ka qenë një ngjarje epokale në drejtim të demokratizimit të Shqipërisë, periudha e Zogut një kohë e errët tiranie dhe bashkimi me Italinë, tragjedia më e madhe për Shqipërinë.

Sot, kur kemi lënë mbas krahëve qindvjetorin e shkuar, me të gjitha mizoritë që ideologjitë totalitare shënuan me pasoja të brendshme për botën dhe për ne, më duket se ka ardhur koha të bëjmë një bilanc objektiv, të saktë e të vërtetë të atyre ngjarjeve, të shkaqeve e pasojave të tyre, por edhe të jetëve të protagonistëve të tyre. Duhet të jetë një bilanc pa pasion politik, t’i nënshtrohet analizës së ftohtë të një arsyetimi që duhet të ketë si bosht qendror vetëm një idè, interesin e vërtetë të Shqipërisë, larg skemave ideologjike, si lëndë për të bluajtur në mullirin e tij vetëm faktet historike të shkoqura, të pastra e të pa shtrembëruara. Studiuesit, që duhet të shkruajnë një histori të vërtetë të Vendit tonë, duhet të jenë si gjykatësit e paanshëm që duhet të shqyrtojnë ata fakte për të nxjerrë prej tyre të vërtetën e pakundërshtueshme. Do të ishte mision i tyre shkokolepsja e shumë nyejve të pazgjidhura të historiografisë tonë e vlerësimi, në përmasat e tyre të vërteta, të figurave politike të pleksura në to. Besoj se është kjo një nga detyrat kryesore të brezit të ri të studiuesve shqiptarë, mjerisht të pakët e të mangët, sidomos në këtë fushë.

Ёshtë detyrë e tyre të çlirojnë historiografinë nga termat “tradhtarë të atdheut”, “armiq të popullit”, “të shitur”, “kriminelë” e të tjera paçavure të këtij lloji, që një klimë e helmuar arbitrariteti komunist, ka projektuar pa mëshirë mbi të. Jam i bindur se kuadri, që do të dilte nga një punë e tillë e që do të ishte fotografia e vërtetë e së shkuarës sonë, duke i’u referuar periudhave historike për të cilat shkruan Don Lazër Shantoja, do të kishte një pamje krejt tjetër nga ai që gjejmë në tekstet e historisë dhe pjesërisht edhe nga ato që shohim në shkrimet e tij.

Ndoshta do të gjenim Revolucionin e Qershorit 1924 dhe qeverimin e Nolit, si një nga gabimet më të mëdha të një pjese të klasës politike t’asaj kohe dhe Ahmet Zogun, jo vetëm si një tiran që urdhëron vrasjet e kundërshtarëve politike, por edhe si një nga shtetarët më të shquar të këtij kombi, me një ndihmesë themelore në formimin e strukturave të Shtetit shqiptar dhe të ecurisë së tij në rrugën bashkëkohore. Po ashtu të ashtuquajturit “kolaboracionistë”, jo si “tradhtarë” e “të shitur” tek fashizmi, por si atdhetarë në shkallë sipërore që, për të mbrojtur interesat e Vendit të tyre, në një nga çastet më të vështira të tij, nuk nguruan të venë në altarin e tij gjënë më të shtrenjtë që kishin, dinjitetin njerëzor e politik.

Jam i bindur se sita e historisë, shpejt a vonë, do të kryejë funksionin e saj për t’i dhënë të rinjve të Shqipërisë së sotme e të nesërme mundësinë, të njohin me saktësi bëmat e të parëve të tyre, për të shmangur mashtrimin e madh që ne dhe brezat paraardhës pësuam, si pasojë e vënies në jetë të një projekti politik që i kushtoi kaq rëndë Atdheut tonë. Ne duhet t’a nxisim këtë proces jo se jemi të përmalluar të së shkuarës, por se jemi ithtarë të së vërtetës e se mendojmë se në themelet e së ardhmes së shoqërisë sonë, nuk duhet të ketë mashtrime e shtrembërime dashakeqe.

Këtij qëllimi i shërben edhe botimi i këtij libri, meritë e punës së gjatë, të ndërgjegjshme, cilësore e plot pasion të vëllezërve Marku, të cilëve i shkon falënderimi im i sinqertë dhe përgëzimi i ngrohtë së bashku me urimin që kjo punë të vazhdojë në dobi të së vërtetës historike, të kulturës sonë, të nxjerrjes në dritë të vlerave kombëtare të mbuluara nga pluhuri i harresës që komunizmi qëllimisht hodhi mbi to për një gjysëm shekulli. /Memorie.al

Maj 2006                                                                                            

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/studjuesit-e-rinj-duhet-ta-clirojne-historiografine-nga-termat-tradhtare-te-atdheut-e-pacavure-te-tjera-te-ketij-lloji-qe-arbitrariteti-komunist-projektoi-r/