“Si u arrestua Harrilla B., i pari që kishte një televizor në qytetin e Vlorës, që nga viti 1964, ku shkonin për të parë edhe operativët e Sigurimit dhe…”/ Dëshmia e publicistit të njohur nga Franca

Nga Vasil Qesari

Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

      “NE EMER TE POPULLIT, JE I ARRESTUAR…”!

Proceset politike të zhvilluara në Shqipëri, fill mbas çlirimit e gjer në ditët e agonisë së regjimit komunist, janë një pasqyrë e gjallë e kalvarit, tmerrit e terrorit të ushtruar nga PPSH-së e Sigurimi Shtetit mbi njerëzit e pafajshëm.

Ato procese, qenë jo vetëm shprehje e dhunës së egër totalitare, por edhe e shkeljes më ekstreme e flagrante të dinjitetit më elementar njerëzor. Kështu, për shembull, vetëm Neni 55 i Kodit Penal, i cili bënte të dridhej çdo shqiptar, dënonte me 3 deri 10 vjet burg, këdo që zhvillonte të ashtuquajturën agjitacion e propagandë.

Në vendin tonë – shkruante revista “Drejtësia Popullore”- nuk ekziston asnjë liri mendimi për elementët armiq të cilët, duke spekuluar me demokracinë tonë, përpiqen të përhapin në opinion idetë dhe mendimet e tyre antisocialiste, reaksionare, liberale e borgjezo- revizioniste, me pikësynim që të degjenerojnë e të destabilizojnë gjithë fushat e jetës.

Rrjedhimisht, dënimet, qoftë edhe për një fjalë të vetme, arrestimet pa arsye, proceset e montuara politike, burgimet pa faj, vuajtjet e tmerret e përjetuara nënë shtypjen totalitare, ishin të pafund. Prej tyre, për lexuesin, po paraqesim disa raste. Ato që, autori i këtij libri ka vëzhguar së largu, ka mundur të mbledhë a të dëgjojë nëpërmjet rrëfimesh e dëshmish nga persona të ndryshëm…

1964.

Kryeqyteti shqiptar u trondit thellë nga zbulimi i një grupi tepër të rrezikshëm. Ai qe i ashtuquajturi “Grup i polakëve” i cili u cilësua i tillë sepse, personat që bënin pjesë në të, kishin mbaruar studimet e larta në Poloni e sipas akuzave, mbanin lidhje të fshehta me Përfaqësinë Tregtare Polake në Tiranë. Një nga ish-anëtarët e atij grupi agjenturor, ing. Spiro Nikolla, aktualisht me banim në Greqi, tregon:

 Përveç meje, në grupin e “agjentëve polakë”, bënin pjesë edhe ing. Vedat Buzi, në atë kohë ish-drejtor i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi”. (Vëllai i ‘Heroit të Popullit’, Hiqmet Buzi nga Kallarati i Vlorës). Mbas procesit të montuar, ai u dënua me 15 vjet burg e vdiq në kampin e Ballshit nga plasja e stomakut. Anëtari tjetër i “grupit” ing. Sofokli Lulo, ish – pedagog i Institutit të Lartë Bujqësor të Kamzës, u dënua me 15 vjet burg, ndërsa ing. Adem Nurja nga Shkodra, me 10 vjet…”!

Pothuajse në të njëjtën kohë, në Vlorë, viktimë e kurtheve tinëzare të Sigurimit, ra edhe B. Konomi. Ky “armik i popullit” ishte bir i Dh. Konomit, atdhetar i njohur nga Bregdeti i Himarës. (Ai qe përkrahës i hershëm i pushtetit popullor e mik personal i vetë Hysni Kapos). Ne vitet e para mbas çlirimit, atëherë kur, nëpër rrugë e sheshe njerëzit hidhnin plot entuziazëm parullat Enver-Tito, djali i Dhimitrit u dërgua për studime në Jugosllavi, ku edhe u diplomua oficer marine.

Por, më pas, ai u akuzua si “agjent” i tyre e bëri plot 18 vjet burg. Të njëjtin fat pati më vonë edhe vëllai i tij, S. Konomi, ish-inxhinier në ndërmarrjen e montimeve në Fier, i cili u arrestua për “agjitacion e propagande” e u dënua me 8 vjet burg. Familja fisnike Konomi, gjatë gjithë viteve të diktaturës, vuajti jashtëzakonisht nga poshtërimet, presionet dhe provokacionet e vazhdueshme të Sigurimit si edhe të vetë pushtetit popullor, për të cilin ati i tyre, kish investuar aq shumë…!

1980

Mbarë vlonjatët mësuan për arrestimin e papritur të inxhinierit të ndërmarrjes së përpunim-drurit Sefer D, i cili kish kryer studimet e larta në Çekosllovaki. Ai, s’kish veç pak kohë që ish kthyer nga një udhëtim në Suedi, ku edhe kish marrë pjesë në një panair ndërkombëtar për makineritë e industrisë së drurit. Mbas kthimit në vend, siç dukej, ai kish folur me ca miq mbi ato çka kish parë nga jeta e progresi i vendit të zhvilluar nordik. Siç thonë, ndër të tjera, Sefer D, diku qe shprehur:

 -“…Në Suedi, njerëzit, në vend të ujit pinë birrë”! Ata, që kishin dëgjuar ato fjalë, qenë shokuar! Si mund të ndodhte një gjë e tillë, në një vend kapitalist, ku populli vuante për bukën e gojës e pasigurinë për të nesërmen…?! Ajo fjalë, më pas kish renë në veshët e ngrehur të Sigurimit. Kaq kish mjaftuar që, Seferi, të bëhej objekt i punës përgjuese të informatorëve, të cilët raportonin për vrerin që villte kundër sistemit e vetë jetës së lumtur në atdheun socialist…!

 “Arrestimi i Seferit, tregon A. E., ish-llogaritare në atë ndërmarrje,- ish sa “spektakolar” aq edhe i frikshëm. Edhe sot e kësaj dite që e kujtoj, mishi më rrëqethet e trupi më bëhet miza-miza. Për ing. Seferin, unë kisha respekt, jo vetëm si koleg pune, por edhe sepse ishte mjaft i sjellshëm, i aftë e i përgatitur si specialist.

Një ditë, na lajmëruan të mblidheshim ne Këndin e Kuq të ndërmarrjes, për një mbledhje të rëndësishme. Me që i kishim zyrat pranë, dolëm dhe shkuam aty së bashku. Do jetë ndonjë mbledhje për realizimin e planit – më tha qetësisht ai. Edhe unë ashtu mendoja, sepse në atë kohë, realizimi i planit në ndërmarrje shkonte shumë keq. Por, për habinë e të gjithëve, sekretari i byrosë së partisë, qysh në fillim të fjalimit, njoftoi se në radhët e kolektivit tonë, ndodhej një individ i “rrezikshëm” i cili zhvillonte veprimtari “armiqësore”.

Pa mbaruar mirë fjalën, aty nga radhët e para, pamë të ngrihej në këmbë Nën/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Meramet Hila (dikur, ish-shok i ngushtë gjimnazi me Seferin), i cili mbasi aprovoi shkurtimisht fjalën e sekretarit, thirr plot egërsi: “Sefer D., çohu! Në emër të popullit, je i arrestuar! Në sallë, të gjithë ngrinë. Vetëm një grua klithi. Ndërkohë, një djalë i ri, i cili qe ulur pranë tij, i hodhi prangat në duar dhe e shoqëroi jashtë, aty ku priste “Xhip”-si ” i Degës së Brendshme”.

Ai arrestim, i cili bëri jehonë të madhe në qytet, ishte organizuar jo rastësisht, në një mbledhje masive kolektivi. Qëllimi i tij ishte paramenduar mirë. Së pari, për të terrorizuar të pranishmit, të cilët paskësaj, sigurisht, do ta amplifikonin frikën nëpër familjet e rrethet e tyre. E, së dyti, për të treguar edhe një herë, publikisht e në mënyrë brutale se, Sigurimi Shtetit, ish në dijeni të gjithçkaje, se atij nuk i shpëtonte as fjala më e vogël, se fatin e Seferit do ta pësonte kushdo që s’mbante dot gojën e fliste kundër Partisë.

E veçantë dhe interesante, është historia e arrestimit të një vlonjati tjetër të pafajshëm, të quajtur Harrilla B. (Dhe sot e kësaj dite prej shumë njerëzish, ai mbahet mend si poseduesi i parë i një aparati marrës televiziv në Vlorë, të cilin ia kish dërguar vjehrri, emigrant në SHBA-ës).

 Ishte viti 1964, viti i zhvillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit. Shtëpia e Harillës, në Skelë, qe shndërruar në një mjedis të vërtetë sportiv. Aty, dhjetëra e dhjetëra vetë, kishin fatin e rrallë të shihnin për herë të parë në jetën e tyre një imazh televiziv, e për më tepër, një veprimtari ndërkombëtare sportive.

Për të kënaqur kërkesat e shikuesve të shumtë, Harilla e kish nxjerrë televizorin në kopsht para shtëpisë e kështu, ambienti përreth qe kthyer si sallë kinemaje në natyrë. Shikuesit qenë të ndryshëm: fqinjë, futbollistë, trainierë, të rinj, tifozë të pasionuar, miq e shokë etj. Të gjithë qëndronin në këmbë, përveç atyre që ndodheshin në rreshtin e parë, ku qenë vendosur një duzinë karrigesh në të cilat uleshin autoritetet, ndër të cilët, edhe...operativë të Sigurimit.

Prej asaj kohe e ca vite më pas, për Harilla B, gjithçka shkonte mirë e qetë. Ajo gjendje zgjati gjer më 1982, kur, në një Konferencë të Partisë të rrethit, ku i deleguar qe vetë R. Alia, ndër të tjera u fol edhe për vjedhjet e sabotimet që kishin ndodhur në Ndërmarrjen e Bonifikimit ku Harilla punonte shef llogarie.

S’kaluan pak ditë e, në ndërmarrje zbarkoi urgjentisht një ekip i Kontrollit të Shtetit, i cili nisi nga puna për zbulimin e vjedhjeve e sabotimeve. Paralelisht me të, por në fshehtësi të plotë e me metodat e tij të njohura, nisi punën edhe Sigurimi Shtetit.

Mbas ditësh të tëra kontrolli të imët e tendencioz, për çudinë e të gjithëve, nuk u zbulua asnjë shkelje. Si qe e mundur…? Partia ish gabuar në konstatimin e sabotimeve…? Jo…! Partia s’mund të gabohej kurrë në analizat e vigjilencën e saj. Mbetej, pra, që pas kontrollit të hynte në lojë Sigurimi.

Përfundimisht, armiqtë sabotatorë, u zbuluan. Rrufeshëm u arrestua drejtori i ndërmarrjes, Sefer C., e pas tij shefi i llogarisë, Harilla B. (i cili, përveç se sabotator, u akuzua dhe për agjitacion e propagandë të kryer nëpërmjet televizorit, si edhe si agjent vorio-epirot).

Harilla B. u dënua fillimisht me pushkatim, i cili me pas, iu ul në 25 vjet burg. Ai u lirua me 1990 e aktualisht jeton së bashku me familjen në SHBA-ës…! Memorie.al

                                                            Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/si-u-arrestua-harrilla-b-i-pari-qe-kishte-nje-televizor-ne-qytetin-e-vlores-qe-nga-viti-1964-ku-shkonin-per-te-pare-edhe-operativet-e-sigurimit-dhe-deshmia-e-publicistit-te-n/