“Si e vrau Sigurimi i Shtetit, Drejtorin e përgjithshëm të Policisë, kolonel Sali Ormëni, pas incidentit të bombës në ambasadën sovjetike, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e nipit të tij, ish-oficer Xhemal Ymeri

Nga Pandi Laço

Memorie.al / Një javë pas pushkatimit pa gjyq të 22 qytetarëve të Tiranës, pas shpërthimit të bombës në ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë në shkurtin e vitit ‘51, u hap lajmi se drejtori i përgjithshëm i Policisë Popullore pranë Ministrisë së Brendshme, kolonel Sali Ormëni, vrau veten. Pavarësisht mënyrës si e zbardhi këtë ngjarje udhëheqja e lartë politike e asaj kohe, njerëz të ndryshëm, sidomos ish-kolegë e vartës të tij, nën zë flisnin për një variant tjetër. Për herë të parë nipi i tij, koloneli në pension, Xhemal Imeri, duke folur në emision “Histori me zhurmues” të TV Klan, hedh dritë në mjaft mistere me të cilat ka qenë mbështjellë kjo histori prej vitesh…!

Një ngjarje interesante që ka ndodhur në shkurtin e vitit 1951, është ajo e drejtorit të përgjithshëm të Policisë Popullore, kolonel Sali Ormeni. Ju zoti Xhemal Ymeri, jeni nipi i tij, si e kujtoni Sali Ormenin?

Në vitin 1951, në shkurt, ndodhi incidenti në ambasadën sovjetike në Tiranë, u hodh një sasi dinamiti. Në atë kohë, drejtor i përgjithshëm i Policisë, ishte kolonel Sali Ormeni. Ai kishte ardhur në këtë detyrë, pasi kishte bërë një karrierë të shkëlqyer në vitet e Luftës. Arriti deri komandant brigade, por nuk mundi ta merrte brigadën në dorëzim, sepse u plagos rëndë në dy këmbët, me katër predha dhe meqë u ndodh në afërsi, u shtrua ne spitalin e Prizrenit. E kthyen në Shqipëri mbas çlirimit dhe e emëruan drejtor të Shkollës së Policisë, asokohe 1-vjeçare. Pra është themeluesi i Policisë Popullore. Në shkurt të ’48-ës, u emërua Drejtor i përgjithshëm i Policisë dhe u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror të PPSh-së. Prej aty u caktua dhe zëvendësministër i Brendshëm.

Të vijmë te ngjarja e hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike…

Dua të them se Saliu në kohën e hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike, ka qenë i izoluar. Ata nuk thoshin i izoluar, por meqenëse kishte bërë disa gabime…!

Çfarë gabimesh kishte bërë në këtë kohë?

Në vjeshtën e vitit 1950, Saliu shkon në zonën e tij elektorale, e gjen popullin shumë të vobekte, e gjen pa bukë, kishin bluar dhe misrin e farës, që kishin ruajtur dhe jua kishin dhënë ushqim fëmijëve. Saliu i premtoi popullit dhe erdhi u raportoi të mëdhenjve në Tiranë, por sipas disa burimeve të besueshme, ka të ngjarë t’i kenë thënë; “njeri kapitullant, njeriu, që ka rënë në prehrin e armikut” dhe i thonë; “meqë ke shumë plagë në trup, rri, vazhdo punën, por ki kujdes, për herë tjetër” dhe “I dhamë një vërejtje” – thotë Enver Hoxha – e rekomanduan të bënte disa pushime, që të qetësohej”.

Saliun e ka thirrur personalisht Mehmet Shehu, sipas Beqir Ndout. Mehmeti e këshilloi të ndajë gruan, se sipas tij, vëllezërit e saj, strehonin diversantë dhe i thotë shprehimisht: “Ti, me këto funksione që ke, o mbaj gruan pa Partinë, o mbaj Partinë pa grua, po do kesh dhe fëmijët me vete, po mbajte Partinë”.

Ndërkohë kishte pesë fëmijë?

Kishte 5 fëmijë, njërin e kishte lindur atë vit që u vra. Saliu i turbulluar nga kjo, nuk kishte si t’ia bënte, kishte 10 frymë në shtëpi, për të ushqyer me rrogën e tij. Shkon te Beqir Ndou, Beqiri i thotë; “Mos e ndaj gruan”, atëherë Saliu e paska zgjidhur në këtë mënyrë: “Ik, – i thotë gruas, – ca kohë në fshat, meqë je anemike, se ke lindur fëmijën dhe fëmija merr veten, rri te vëllezërit. Tek këta vëllezër që i kishte thënë Mehmet Shehu se presin diversantë”!

Por ka pasur dhe një incident tjetër, që ka ndodhur në llixha…?!

Saliu vuante nga reumatizma dhe shkonte shpesh në llixha. Një tjetër ngjarje që ka pasur lidhur me Drejtorin e përgjithshëm të Policisë, pra me kolonel Sali Ormenin, ka qenë një lidhje me një vajzë jugosllave në Tiranë.

Me t’u ndarë me gruan, filluan t’i futin Saliut femra të ndryshme, për ta provokuar. Njëra ndër to, ishte Zorka Jovanoviç me origjinë malazeze.

Mendohet që ka qenë një njeri i infiltruar?

Për mua jo e infiltruar, por ka qenë agjente.

Mendohej që ishte agjente, e kujt?

Agjente e jugosllavit. Atë e përdorën meqë kishin lidhjet e tyre ata, me jugosllavët. E përdori Sigurimi i Shtetit, për t’ia futur pas shpine Sali Ormenit.

Kjo është situatë pak a shumë situata familjare dhe personale e Sali Ormenit, deri në vitin 1951. Për shkak të këtyre gabimeve që mund të quhen, ashtu siç e thatë dhe ju, Partia e kishte izoluar, e kishte çuar në spital, apo jo?!

Këshilla ishte nga Enver Hoxha. Mehmet Shehu, ministri i Brendshëm, i thotë Enverit: “E kam çuar unë në spital, e pashë që nuk ishte në rregull në biseda dhe ti je i sëmurë i thashë”. E shtruan në spital, i vunë një roje, jo shoqërues, por që mos të lejonin njeri të hynte e të dilte nga Saliu…!

Ishte në spitalin 5, apo jo?

Po aty ishte. “Diagnoza e mjekëve, – thoshte Mehmet Shehu, – doli ankth”. Për mjekët, nuk kishte asnjë diagnozë nervore, ishte mirë fizikisht.

Pra në momentin që u hodh bomba në ambasadën sovjetike, Drejtori i përgjithshëm i Policisë, ndodhej në spital…?!

Po në spital. Mehmet Shehu, që në atë kohë ishte ministër i Brendshëm, mbasi ka dalë nga mbledhja që është bërë në Byronë Politike, ka bërë një mbledhje me efektivat e Policisë. Saliu, duke dëgjuar se u hodh një bombë në ambasadën sovjetike, ose një shashkë, (nuk dihet e saktë se çfarë qe ajo), del nga spitali me pizhame dhe futet nga porta e prapme e sallës se Degës së Punëve të Brendshme dhe ulet në karrige.

Del Mehmet Shehu dhe Halim Xhelua përpara policëve dhe bërtet; “E morët vesh, u bë gjëma, u prish në sytë tuaj, miqësia me Bashkimin Sovjetik, tashti merrni shënim sipas lagjeve, rajoneve, do arrestoni dhe 75 vetë të tjerë, kemi arrestuar 22 dhe do t’i pushkatojmë sot”. Atëherë është ngritur Saliu befasisht dhe i ka drejtuar gishtin: – “Mehmet Shehu , Mehmet Shehu….”, thuhet se i ka thënë. Kështu kanë deklaruar ata që u arrestuan një ditë pas.

Çfarë ka thënë Saliu?

Saliu i kthyer nga Mehmeti, i ka thënë: “Mehmet Shehu, Mehmet Shehu, mos i merrni në qafë kot ata njerëz që kërkoni të vrisni e të arrestoni, se nuk janë ata autorët e asaj bombe, është dora e tjetërkujt”.

Si ju përgjigj Mehmeti, fjalës së Saliut?

“Sali Ormeni, ç’kërkon këtu ti?! Partia të ka shtruar në spital të shërohesh, ti më vjen këtu, nuk ke besim tek ne”?! Atëherë Saliu u çua dhe doli. Duke dalë, dikush i thirri; “Ndalu, ku po shkon o Sali Ormeni, se nën hundët e tua, po prishet miqësia me Bashkimin Sovjetik”?! “Do shkoj atje ku më ka thënë partia pra, s’paskeni nevojë për mua ju”- i thotë Saliu. Si duket Saliu është shtruar, është izoluar për të mos qenë prezent, se ka qenë Kadri Hazbiu, organizatori kryesor i të gjitha këtyre gjërave.

Ç’ndodhi pastaj me Sali Ormenin?

Ndodhi masakra me vrasjen pa gjyq, të 22 njerëzve të pafajshëm, që u akuzuan si fajtorë për hedhjen e bombës, kurse Drejtori i përgjithshëm i Policisë Popullore, kolonel Sali Ormeni, sipas versionit zyrtar, ka vrarë veten në 2 mars të vitit 1951. Një version të cilin Mehmet Shehu, e shpall në mbledhjen e jashtëzakonshme, në plenumin e jashtëzakonshëm, që është bërë në 3 mars të vitit 1951.

Kishte ndodhur kjo, kur Saliun e kishin këshilluar të shkonte në llixha. Ndërkohë në spital, Mehmet Shehu i ka thënë; “Sali mos vra veten”, ja ka përmendur këtë fjalë mbi 30 herë, në atë dokumentin që kam gjetur unë nga arkivi i Komitetit Qendror të Partisë Punës Shqipërisë, ku i thotë: – “Ti Sali, duhet të shtrohesh në spital, të kurohesh mirë”! Mehmeti ka shkuar në spital dhe i ka thënë: “Do të të çoj në Vlorë, së të kemi rregulluar një dhomë me të gjitha komoditetet dhe me një shoqërues, me roje, kështu”?

“Do që të dalësh në punë”? vazhdoi Mehmeti – “Jo as në Vlorë, as në punë”, i përgjigjet Saliu! – “A do të shkosh në llixha, po,. Apo jo”? “Jo” ia kthen Saliu. “Po çfarë do”? i thotë Mehmeti. “Ore, a e di ç’ke ti” – i thotë Saliu – më hiq fare nga ajo punë se s’e bëj dot atë punë”? – I thotë Mehmet Shehu: “Ore, ç’janë këto që thua, je në vete ti, apo jo”? Ai i thotë: “Më ço atëherë në shtëpi”.

Me këtë gjë, Saliu ka dashur të njohë mirë, të përcaktojë pozitën e tij. Ishte i arrestuar, ishte i izoluar apo, ishte i shtruar për sikletin që vuanin këta, për Saliun. Del nga spitali në mënyrë të beftë, kërkon të shkojë në zyrë dhe u befasua që i kishin ndërruar çelësin. Kërkoi të takonte Mehmet Shehun, por nuk mundi. Shkoi atë natë në shtëpi. Të gjithë prisnin të vriste veten. Po kjo nuk ndodhi.

Atëherë u hodh në veprim “plani i llixhave”. Pse? Kam një deklaratë nga Mark Dodani, më firmë, i cili thotë; “Ka marrë një radiogram Asim Alikoja, që ishte komandant i njësitit special, që kishin nxjerr atëherë, ‘ku ndodheni? – thotë Mehmet Shehu –‘ndodhemi në Librazhd, ‘merre njësitin, kalojë Elbasan llixha, më fal Elbasan-Belsh, se po arratiset një i madh. Kjo ka qenë një natë më përpara”.

Gjithsesi, këto kanë qenë hipoteza, që i keni bërë ju?

Janë hipoteza dhe të nxjerra nga arshivat, që kam studiuar unë.

Po, Saliu priti shoferin në mëngjes dhe mori drejtimin për në llixha?

Kur erdhi e hipi në makinë, shoferi i tha, se kaloi ai shoku i tij, Beqir Ndou – “Me se ish”? – i thotë. “Me makinë” –  i përgjigjet. – “Po pse s’më the më përpara”? ia kthen Saliu! – “Po tani erdhi”! – “Mirë ndiqe – i thotë ‘ta kapim”. “Nuk e kapim dot, se makina e tij ka shpejtësi më të madhe”, i thotë shoferi. Në të kishte qenë Beqir Ndou e, këshilltari sovjetik Ivanov, e një toger, Myfit Mushi.

Në akuzën që i bëhet Beqir Ndout, që i kam në dokumentet e marra nga arkivi, unë kam konstatuar se; janë dy akuza: a) Për arsye se Beqir Ndou, ka lejuar të hyjë në repartet ushtarake të Elbasanit, njerëz të tretë, të veshur civil, në kundërshtim me rregulloren. Beqiri u përgjigjet; “Kam lejuar, se ai me ka thënë se jam kolonel i ushtrisë e, s’më ndalon dot njeri, jam kolonel me grada”.

Akuza e dytë; ‘është lejuar një i tretë, Sali Ormeni’ pra me emër, po jo armik a qysh a tek, a tradhtar, por është lejuar një i tretë, të hyjë në repartet e Elbasanit e, të dëgjojë sekretet ushtarake që bisedoheshin dhe gjendjen moralo-politike të ushtarëve’. Çfarë, thotë Beqir Ndou, tashti? – “Ndenjëm nja 20-30 minuta. Këshilltari, thotë ndenjën 5 orë, shoferi thotë 5.30. Mund të priste një këshilltar sovjetik, 5 orë të bisedonin dy kolonelë shqiptarë? Për mua, është krejt absurde, “megjithatë nja 20 minuta’, – thotë Beqir Ndou, – ikëm për në Elbasan, në makinën time, Saliu, unë dhe Ivanovi, mbrapa ishte makina me përkthyesin, makina e Saliut.

Kur erdhëm në Elbasan. më tha; ‘O Beqo, mbaje, ndale makinën se do bisedoj me këta të pushtetit, të me rregullojnë një dhomë për në llixha, se do shkoj ca ditë në llixha’. Ndalova, i nxjerr paqetën, t’i jap një cigare, se e pinte duhanin, një ndiz një shuaj. I thotë: ‘Beqo nuk e pi më duhanin, e kam lenë se më bën shumë keq, për shëndetin”. Beqir Ndou u thotë këtyre hetuesve; “Tërë jetën, mendja më ka shkuar tek fakti, që Saliu s’piu duhanin. Një njeri që vendos të vrasi veten, mbas dy orësh, që e ka kryer sipas jush, si është e mundur që të mos pijë duhan, ai duhet të pinte, një ndez, një shuaj. E vrau apo nuk e vrau – thotë Beqir Ndou –  atë e kanë vrarë”.

Zbriti nga makina e zv/ministrit, Beqir Ndou dhe mori makinën e tij?

Janë dy versione, versioni i shoferit dhe versioni i Mehmet Shehut, që thotë në plenum. Versioni i shoferit, është më i sakti, më shumë rezerva, ndërsa ai i Mehmetit, nuk qëndron fare.

Cili është versioni i shoferit?

Versioni i shoferit është, që; “U nisëm për në llixha, mu zu benzina e makinës”. Ka shumë të dhëna, që makina e Saliut është parë në drejtim të llixhave.

Ju keni kontaktuar shoferin, çfarë rrëfimi ju ka bërë shoferi që ka pasur në makinë Sali Ormenin?

Shoferi më ka thënë; – “U nisëm në drejtim të Paprrit, nga Paprri, lamë makinën poshtë e, u ngjitëm në një kodër, atje Saliu filloi të dredhë një cigare, (atë që s’pinte), filloi të dredhë cigaren, kutinë me vete e, të gjitha dhe më thotë; ‘Ore kush të ka vënë ty të më ndjekësh mua. (duan ta nxjerrin gjysmak) ‘unë jam shoqëruesi yt’, un jam shoferi yt;, i thotë ai’. “Ik thuaju – i thotë shoferit – që u arratis Sali Ormeni”.

“Kur tha kështu, ika me vrap, shkova tek operativi i Peqinit dhe e lajmërova kështu-kështu. Operativi merr në telefon shefin e Degës së Brendshme, Petrit Hakanin në Elbasan dhe Petriti i thotë; ‘bjere këtu’. Kur e pyeta shoferin, ku vajte, ai më tha: “Më izoluan në një dhomë”. Sa ditë ndenje, vazhdova unë; “Tre ditë” – Kush të erdhi i pari në dhomë? – “Më erdhi Vesel Ahmeti, zëvendësi i Saliut, i Sigurimit”! Çfarë të tha? – “Kërkon të takohet e shoqja e Saliut, as mos e prit, se do të të presin kokën bile”! – “Po ku vajte pastaj, mbas tre ditësh”? – “Më çuan shofer, në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit”.

Unë mendoj, se; është futur ndonjë i tretë nga mbrapa, nga ferra, në sediljen e prapme, ose vetë shoferi, e ka vrarë Salinë. Saliu është vrarë, sepse të gjitha të dhënat e survejuesit, janë; “Kur vajtëm atë natë që ishte vrarë Saliu, më datën 2 – thotë ai – kemi vajtur në darkë. Me datën 2, thotë shoqëruesi i Mehmet Shehut, Sulejman Axhemi, Mehmet Shehu, Kadri Azbiu, unë – thotë – ai, shoqëruesi i Saliut e, shoferi etj., etj., dhe kur kemi vajtur, thotë survejuesi; “Gjithë jetën më ka munduar”.

Çfarë i kishte bërë përshtypje këtij?

Përshtypje këtij njeriu i kishte bërë, sepse Mehmet Shehu, kur i vajti, i doli nga këmbët Saliut, i vetmi që i doli nga këmbët edhe e shikonte në fytyrë, e qëlloi me majën e këpucës në këpucë, në shollën e këpucës të të vrarit e, i tha; “Sali Ormeni, pse e vrave veten”? I tha që ta dëgjonin të tjerët; “Pse vrave veten”?! – i tha. “Merreni” – i kishte thënë dhe….!

Te nesërmen, u mblodh plenumi i jashtëzakonshëm…?!

Për këtë plenum, nuk ka ditur njeri fare. Atë e hapi vet Enver Hoxha, i cili tha; “Jemi mbledhur për një çështje, që na ka ngjarë pardje dhe çështja është së Sali Ormeni, ka vrarë veten. Fjalën do t’ia japim Mehmet Shehut, por unë dua të bëj një autokritikë para jush, se kemi arrestuar Beqir Ndoun në datën 2, për arsye së është takuar me Sali Ormenin i fundit”. Në serinë e veprave, në ribotimin e veprës së nëntë të Enver Hoxhës, jo që është shuar fare ky plenum, por as është përmendur më kjo thënie.

Pse s’është përmendur, pse është hequr ai plenum?! Se kanë gënjyer, kanë dashur të mbyllin çështjen e Sali Ormenit, Sali Ormeni është vrarë, Sali Ormenin se kërkon më njeri. E kish kërkuar ai i vëllai, i kishin thënë; “Nuk ke besim te partia ti, që kërkon varrin”?! “Vrasja e vetes – thotë Enver Hoxha në kongresin e dytë të shpallur, që u bë një vit me vonë, se s’është ditur për këtë plenum që u bë, Enver Hoxha shkruan gjysmë faqeje; “Kemi përjashtuar nga plenumi i nëntë, Sali Ormenin dhe Beqir Ndoun, për arsye se kështu-kështu…! Në tentativë për arratisje, vrau veten, pa dyshim ka qenë armik i popullit dhe i Partisë”.

Ata, pra udhëheqja e lartë, kishin variantin e vetëvrasjes, që të mbyllej kjo çështje dhe të mbyllej siç u mbyll. Por ata kishin variantin e dytë, vrasjen në llixha dhe varianti i tretë për Sali Ormenin, ishte varianti i burgut.

Pyetja që vjen mbas plenumit, i cili u mor me figurën e Sali Ormenit dhe Beqir Ndout, ishte një ngjarje tjetër, arrestimi e shkarkimi i një sërë efektivash të policisë?

Në datën 4 janë arrestuar 26 oficerë dhe nënoficerë të policisë.

Cilët ishin këto njerëz dhe çfarë vendimesh janë marrë për këta.

Mustafa Mujo, Nikolla Kule, Ferit Pilkati, dënuar me pushkatim, por jua kthyen të gjithëve me vdekje.

Këta kanë qenë funksionarë jo operativë, jo punëtorë të thjeshtë policie?

Drejtues policie, duhej tronditur Policia mirë, që të merrte Kadriu supremacitë, këta tregojnë, këta që janë arrestuar. “Më datën 4 jemi arrestuar dhe në krye të listës, është një emër i shuar me bojë të zezë, por i shuar që nuk shquhet”. “Unë – thotë ai – mendoj që ka qenë drejtori ynë, që në qoftë se nuk do të asgjësohej nga një variant tjetër, të futej këtu në këtë listë”, por ishte e vështirë të futje në atë kategori Sali Ormenin. Akuza kundër këtyre, është për shkeljen e moralit të ushtarakut.

Për ta mbyllur këtë, cila ka qenë arsyeja që pushteti në atë kohë e mënjanoi Sali Ormenin?

Arsyeja kryesore ishte sepse, Saliu akuzoi Sigurimin e Shtetit, se bomba në ambasadën sovjetike, ishte inskenuar prej tyre. Po kështu, duhej patjetër, që Kadri Hazbiu, të dilte në krye, për drejtimin e Sigurimit të Shtetit. Saliu kishte vënë re që Sigurimi, kishte shenja, jo të vijës që e përfytyronte ai, e që duhet të kishte shteti ynë i ri dhe partia, e ai nuk pajtohej me ato.

Po kështu, incidenti i ambasadës sovjetike, është bërë edhe që të spastrohej Tirana, kryesisht nga disa kuadro civile dhe punonjës, ndaj të cilëve, s’kishin shumë siguri, në rast të ndonjë revolte, se gjendja ishte e keqe. Arsyeja e dytë  incidentit, duhej pastruar policia. Pse duhej spastruar policia, për t’i thënë sovjetikëve: “Ja se ç’bëmë, ndaj atyre që goditën ambasadën tuaj, që tentuan të prishnin miqësinë tonë me ju”, pra ti thoshin Stalinit, se ne jemi besnikë me ty, deri në vdekje. Memorie.al


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/si-e-vrau-sigurimi-i-shtetit-drejtorin-e-pergjithshem-te-policise-kolonel-sali-ormenit-pas-incidentit-te-bombes-ne-ambasaden-sovjetike-pasi-deshmia-e-rralle-e-nipit-te-tij-i/