“Shtjefën Kurti më tha se: Enveri ka një djal që e ka mbyll prej vitesh në vilë, pasi ai ngjan shumë dhe atij po i mëson instinktet e zakonet e tija, sepse…”/ Raporti sekret i “Guri”-t, Laç 1970

NIKOLLË LOKA

Av. ALFDRED DUKA

NIKOLIN KURTI

Pjesa e tetëmbëdhjetë

                                                 -Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –

                                                                      Vijon nga numri i kaluar

                                           Bashkëpunim për shtetin dhe vetëm në interes të tij

Gjatë vuajtjes së dënimit

 Marrë P.Op. Th.L.                                                                                                         

 Dhënë B.p. “Lulja”

                                                                       Raport i datës 2/VI/1970

Burimi njofton se si gjatë bisedave që ka bërë me Bardhok (Mark) Markun prej datës 30/V/1970, Bardhoku i tregoi atij se: grupet poshtë në katundet dhe në qytet nuk bëjnë shumë punë: pa u ç’fryt kjo lartë në qeveri dhe në Komitetin Qendror, këtë punë tha Bardhoku, unë e kam shestue shumë herë me Shtejfën Kurtin dhe me Agostin Preçin. Kjo punë tha Shtjefën Kurti, shpjegon Bardhoku, do të kishte përfundua që kur ishte Ministër i Punëve të Brendshme Koçi Xoxe, mirëpo ky nuk e filloi nga cjapet e këmborës, por filloi nga dhit, ky arrestoi disa njerëz e vrau disa të tjerë dhe mendoi se duke larguar nga qeveria Shehun,  Hoxhën, do e kishte në dorë kur të donte, por e drejta ishte se duhej të fillonte që nga Enveri dhe Mehmeti, këta të dy, ose ti vriste, ose ti lidhte e ti fuste në burg, atëherë të gjithë të tjerët do t’i nënshtroheshin këtij.

Ky gabim këtij dhe disa të tjerëve u shkoi kaptina. Të njëjtin gabim përsëriti edhe Tuk Jakova vijoi Bardhoku, ky mendoi ta kthej sistemin me politikë, duke sqaruar anëtarët e qeverisë dhe të Komitetit Qendror se, ku po i çonte ky sistem dhe veproi si gegë me besë, ky kishte mundësi ta vriste Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, mbasi me këta rrinte dhe kur t’i kishte zhdukur këta, atëherë të gjithë punën do e kishte marrë ky në dorë me që nga pozita vinte pas Enverit dhe Mehmetit. Nga ky gabim edhe këtij i shkoi kaptina, se nuk veproi me mend. Ç’bani Enver Hoxha? Ai veproi si ajo fjala e urtë e toskës “urtë e butë e plot tiganin” dhe Enveri bani: “urt e but e plot helli”, duke i shtim nji nga nji të gjithë kundërshtarët e vet mbasi është i sqaruar si djalë hoxhe që është.

Italiani, më tha Shtjefën Kurti, ka si mbret për gjuetinë e rosave vet rosën. Ç’bën italiani? Merr sandallin e vë në kënetë ose në një vend ku vijnë rosat, atje lidh dy rosa dhe vet m’shihet nëpër shkurret. Rosat që janë në sanall fillojnë e bëjnë ge..g..ga. Kur dëgjojnë zërin e tyre, çohen rosat e tjera dhe shkojnë në bazë të zërit, atëherë gjahtari që është gati i vret po thuaj të gjitha. Kështu duhej veprue edhe me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, po që se këta do të vriteshin ose do futeshin në burg, të gjithë të tjerët o do vinin të nënshkruanin deklaratën dhe do të ndiqnin rrugën e mirë, ose këta i kishe në dorë kur të doje. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, kanë disa vjet që kanë marrë masa sigurimi për veten e tyre, ata tash nuk dalin ma si ma parë në popull, por dalin shumë rrallë, pothuaj se një herë në tre katër vjet, e atëherë kur dalin janë ma shumë njerëz të Sigurimit, të veshur civilë që ruajnë se popull dhe tash është vështirë me i vra ata se ruhen shumë.

Enver Hoxha ka nji djalë që i ngjan shumë atij. Këtë Enveri ka disa vjet që e mbyll në Pallat dhe i jep mësim vet për çdo gjë. Ai po i mëson të gjitha zakonet dhe instiktët e tija dhe këtë ka më e vue në vendin e vet, me qenë se tash u plak dhe u afrohet 70 vjetëve dhe nuk është ne gjendje të bëj punën. Këtë gjë do e bëj shpejt pa e lanë mirë punën. Po arriti ta vari këtë në vend të vetë, atë herë ma zi për popullin mbasi, ky do të vazhdojë rrugën e besës së vet ashtu siç e ka mësuar ai. Këto gjë na i kena shestue edhe me Agostin Preçin. Kam qenë shumë herë në shtëpinë e Agostinit, kam pirë raki dhe kena bisedue rreth detyrës që banim bashkë për dhënie sinjalesh me anë të zjarreve, por këtë do e bënim kur të na urdhëronin. Agostin Preçi ka qenë në shtëpinë time, kena pi raki dhe kena dëgjue radion në Zërin e Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, po këtu më ka thënë Agostini se, këta vranë Panajot Plakun me anën e spiunëve të vet që kanë në Jugosllavi. Panajotin e vranë në veturë, këta kanë shumë sipuna jashtë shtetit, mbasi derdhin pare shumë të madhe për spiunazhin.

 Agostin Preçi ka shoqëri me Luigj Vaten; dhe Palok Dedën, por ma tepër ka shoqëri me Luigjin se, Luigji është ma i squt dhe i zoti në gjithë malësorët e tjerë. Burimi i tha se ti Bardhok je një njeri i squt fort, me gjithë që nuk ke shkollë. Tha se unë nuk i kam mësue tash të gjitha këto, por kam vjetë. Në këto kllapa më ka fut Pjetër Zef Miri, por gjithmonë i kam shpëtue lakut të këtyre, se e kam matur hapin ndërsa tash, rash në lakun, vetëm për budallallëkun e Zef Nishit, se po mos të ishte kjo nuk kisha më u kap kurrë.

                               “Lulja”

Detyrë:

Me qëllim që të konkretizoni veprimtarinë e mëtejshëm të Shtjefën Kurtit dhe të Agostin Preçit, mbasi të kthehet nga hetuesi Bardhoku, i thoni: A u kanë pyetur më për Shqefnin dhe çfarë u ke thënë ti, se mos biesh brenda sepse mundet që Shtjefni të ranoi më shumë se sa e ranon ti ose Agostini, kështu që mbetesh ti në pozita armiqësore, se prifti rëndon veten prandaj mendoj se duhet të thellohesh mirë në këtë drejtim.

 Masat operative:

Të kërkohet nga hetuesi që të insistohet më tepër në drejtim të priftit dhe Agostinit, me qëllim që ai të detyrohet ta pohojë dhe në të njëjtin kohë të vihet në pozitë të tillë që të kërkoj mendimin dhe ndihmën e B.p. gjë që do ta çoj atë në zbërthimin e mëtejshëm.

Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna ka vlerë operative për faktin se në të tregohet se midis Bardhokut dhe Shqefnit, ka veprimtari të gjerë dhe të organizuar, nga ana tjetër del se Bardhoku ka pas lidhje edhe me Pjetër Mirin, tash i pushkatuar qysh në vitin 1958, ndërsa nga ana tjetër Agostni që del për spiun del edhe lidhje me Shtejfnit dhe të Luigj Vatës.

                            Punëtori Operativ

                                       (Th.L.)       

 Marrë P.Op. Th. T.

 Dhënë B.p. “Mati”

                                                           Raport i datës 17/6/1970

Burimi njofton se me datë 14/06/1970, me Nikollë Nokën nga fundi e fillojnë bisedën. Nikolla i tha këtij: a e more vesh për rastin e Dom Shqefën Kurtit që ka qenë tek unë? Ai thotë po, por nuk e di pse. Nikolla tha për vjedhjet që janë bërë në Gurëz, si duket do te ketë gisht edhe ky, por Domi tha Nikolla, s‘ka vetëm vjedhjet, por ka dhe gjera te tjera, dhe për këtë arsye e kanë futur në burg për veprimtari armiqësore, por a mund ta heqin qafe, është plak shumë, ka frikë se mund t’i ndodhte gjë, po më nxori edhe mua…!

Pastaj njëherë nuk pranova me dëshirë ta shpëtoja Rrokun, por më vonë pranova se më vunë kusht dhe nuk kisha çfarë të bëja ndryshe. Duke vazhduar bisedën, Nikolla tha se ata të Gurzit, ja kanë ngarkue keq. Kanë vjedhur se nuk kanë patur me hëngër se, nga kooperativa nuk merrnin gjë, prandaj të lirohen dhe të mos i internojnë dhe t’i fusin në burg, këta tha Nikolla…! Unë për veten time kam thënë se: “me punë kolektive dhe me kooperativë bujqësore, nuk punohet se nuk merr gjë, ndryshe do të vjedhësh si ata të Gurzit, që u futën në burg”. Më gjatë nuk vazhdoi biseda.

“Mati”

Detyrë:

1- Takohu me Nikollë Nokën dhe në biseda të bisedoni përsëri për rastin e Dom Shqefën Kurtit, duke i thënë more Nikollë po dhe me …….. më me rëndësi është puna se sa politika, si duket këta do t’i kenë future në burg, ashtu siç futën dhe babën tim për zgjidhjen e propagandës, duke hyrë në ………. po ti Nikollë.

Sigurimi i të dhënave.                                                                                            

                          “Guri”   

“Sekret”

Implikimi i nxjerrë gjatë procesit të …..në bashkëpunim të B.p.

Ish prifti Shtejfën Kurti mbasi është liruar nga burgu dhe me sa më kujtohet mua nga viti 1966, ka ardhur në katundin Gurëz dhe për një kohë ka qëndruar tek vëllai i tij Kel Kurti, por ma vonë u larguan andej dhe e ka strehuar Këshilli Popullor në një ndërtesë në Alk, që kanë qenë zyrat e Koop. Bujqësore, kështu ka qëndruar për një vit më shumë në shtëpinë e Tom Nokë Lekës dhe kohën e fundit ka banuar në shtëpinë e Shkurt Mark Bibës.

Shtjefën Kurti duke i’u përmbajt gjithë idealit të tij klerik reaksionar, ka vazhdue punën e tij armiqësore duke shfaqur pakënaqësi për pushtetin popullor dhe duke lëvderuar sistemin borgjez kapitalist.

Këtu poshtë po jap disa shembuj:

Në nëntor 1969, një natë që Pjetër Mark Biba kishte darkën e derrit që kishte mbyt, ishim te Pjetri unë, Zef Nishi, Uk Kosova dhe më vonë aty erdhi dhe ish-prifti Shtjefën Kurti. Në biseda me të, i thamë se pse Vatikani vendi i më të mëdhave të fesë bekon luftërat, u jep të drejtë amerikanëve për të luftuar në Vietnam ose, pse lejoi Papa zaptimin e Shqipërisë. Shtjefni nuk pranonte se Vatikani dhe Papa kanë bekuar luftërat, ai nuk besonte në lajmet e shtypit tonë dhe kur ngelesh në bisedë shtonte se: me të rinjtë e sodës nuk më ec muhabeti. Në një rast tjetër, jam kap vetëm me të për barazinë që e quante të padrejtë dhe thoshte se: “njeriu ka të drejtë të grumbullojë sa më shumë kapital, mbasi perëndia i ka falë sytë, gojën e mendjen dhe nëpërmjet të pa besnikut, ka mundësi të jetojë dhe i varfëri që është dembel”.

Edhe në një bisedë tjetër që kam patur me të në prezencën e vëllait të tij, Kel Kurtit, para dhomës ku banonte Shtjefni më tha: “Siç duken marrëdhëniet tona me Jugosllavinë po normalizohen, se kështu kam dëgjuar në stacionet e andejshme (jugosllave). Në këtë kohë vëllai i tij Keli, u ngrit e i ndërroj stacionin radios, por me që pat zhurmë, nuk dëgjuam”.

Laç me 19/6/1970                                                                                                               

                                  Punëtori Operativë

                                      (Q.K.)                

Marrë P.Op. Q.K.

Dhënë B.p. “Guri”  

Asiston kryetari i Degës P. Brendshme  

                    Dhosi Pecani

                                                             Raport i datës 22/6/1970

Burimi njofton se si gjatë bisedimeve që ka pas me datën 19/6/1970 me Prenë Shkurt Bibën nga Gurëzi, për arrestimin e Shtjefën Kurtit, banues në shtëpinë e saj. Prena i tregoj: “Unë nuk kam qenë kurrë dakord që ne të marrim një njeri të pa njoftun prift, që zinte të dhomë të vetme të meremetuar, por çfarë t’i bëje burrit që nuk më pyeti. Shtjefni ishte mjaft njeri zemër keq, kur i vinte njeri na nxirrte jashtë, mos ta dëgjoshim, shtëpinë ai e bani qendër ku vinin njerëz. Merresh me punë fetare e tjerë”.

Po në ditën e mësipërme, ai është takuar dhe me Dava Pjetër Bibën, vajzë 18 vjeçare dhe gjatë bisedave Dava tha: “Unë duke ndenjur te shtëpia nga një herë i kam shërbyer ish-priftit Shtjefën Kurtit që banonte te dhoma e axhës tim Shkurt Markut, po të them se ja kanë bërë mirë që e kanë kapur, ju nuk e njihnit sa njeri i poshtër ishte, ai më ka nxjerrë jashtë nga dhoma disa herë, kur i vinin njerëz për biseda. Ata ishin njerëz që vinin për të çuar meshë e i jepnin dhurata, por ai për të mos i pa unë, më nxirrte jashtë.

Unë vazhdoj Dava, e kam provokuar Shtjefnin shpesh, i kam thënë: Kur ishit ju meshtar, pse nuk merrnit motrat e mbesat tuaja për shërbyese, por bijat e botes dhe ai më thoshte: Mos fol, se po më erdhi dita do të marr me vete në Itali, dhe unë i thashë se: Italia për ty ka vdek. Një ditë Shtjefni kishte pru në xhup të peliçes pak fasule. I thashë: pse i ke vjedhur dhe ai më tha se kam marrë djersen time dhe këtë fjalë e përsëriti disa herë. Në një rast i fola për origjinën e njeriut që e ka nga majmuni, por ai më tha se ata që e shpjegojnë kështu janë shokët tuaj, unë mos paça punë me ta.

Në një rast tjetër e pyeta Shtjefnin se: po të vijë dita jote çfarë ban dhe Shtjefni tha se po të më vijë dita, do ta lidh Enver Hoxhën dhe do ta shëtis anë e mbanë Shqipërisë.

Shtjefni dëgjonte vazhdimisht radio Italinë dhe Prishtinën, por kur dëgjonte lajmet, ne na nxirrte jashtë dhe na linte të dëgjonim në stacionet Italinë, kur jepej uratë dhe kur kishte këngë si ajo dhe Prishtina. Unë shton Dava, kam parë që tek Shtjefni vinin shumë njerëz si p.sh. Pjetër Mirashi ka qenë për Pashkë, e ka pirë raki.

Luigj Vata ka qenë, bile njëherë ka ngrenë drekë, Uk Kosova, Llesh Kola, Gjergj Toma, Ndue e Gjergj Vata të dy vëllezër kulakë, Llesh Vata ka qenë për të çuar meshë, Tom Noka, i nipi i tij Ded Noka, në shtëpitë e të cilëve dhe ka banuar. Kulaku Martin Frroku, i cili i ka pru edhe 500 lek të reja, por se pse nuk e di; Prena e Ded Kolecit, të cilës i është pushkatuar djali, Dila e Ndue Prek Ucit kulakë dhe burri i saj që ka qenë në burg i dënuar 20 vjet. Gruaja e Nikollë Mirit, kulakë familjarisht, Gjon Maç Gjoka dhe e shoqja për të çuar meshë, të cilët i kanë dhënë dhe lekë, vëllai i tij Kel Kurti, ka qenë vazhdimisht, tek ky ka dhe pallton”.

Detyrë:

1) Të bisedoni përsëri me Prenën e Davën, të mësoni nga këto çfarë gjëra të tjera dinë rreth Shtjefën Kurtit dhe personave të tjerë që janë arrestuar në Gurëz.

2) Të punoni me Prenën dhe Davën dhe indirekt pa të kuptuar, ti nxitni këto për të ardhur të denoncojnë vetë, çka dinë për Shtjefën Kurtin e persona të tjerë.

Sqarim:

B.p. Që e jep këtë të dhënë është tërhequr në shërbim të organeve tone, me datën 18/6/1970, pra ky është raport i parë i tij.

Vlerësimi raportit:  

1). Raporti ka vlerë operative sepse, nxjerrë qartë veprimtarinë e Shqefën Kurtit kundër Partisë e pushtetit.

Masat Operative:

1). Raporti të shtypet dhe një kopje ti dërgohet Degës V-të, e cila e ka në hetuesi Shtjejfën Kurtin.

                              Puntori Operativ

                                     (Q.K.)   

Marrë P.Op. Q.K.

Dhënë agjenti “Adresa”

Asiston Kryetari i Degës                                                                                                               

    Dhosi Pecani

                                                            Raport i datës 22/6/1970

Burimi njofton se ai është takuar me Kel Kurtin, vëllain e të paraburgosurit Shtjefën Kurtit nga Gurëzi dhe gjatë bisedimeve Keli i ka thënë: “I paç thanë vëllaut, se strehimi yt në shtëpinë e Pjetër Shkurt Markut, nuk është i përshtatshëm, mbasi ata dyshohen për qëndrim jo të rregullt ndaj mallit të kooperativës, po ai më tha e kam parasysh këtë fakt, prandaj mos u preokupo për këtë çështje, mbasi punët (veprimet) e mija me secilin, i përshtas sipas karakterit që ata kanë. Shtejfni, – thotë Keli, do të ketë fol ndonjë gjë me ata që janë burgos që e dëmton, duke dëgjue radion apo komentue gazetën. Për të shpreh pakënaqësinë që kanë ndaj punës e shpërblimit që marrin. Asht doktrina e tillë me luftu ish-priftërit, prandaj s’ka gjë për t’u çudit, kur për hiç gjë i fusin brenda klerikët. Shtjefni, – vazhdon Keli, do vdesi në burg, kaq e pat puna e tij, dhe unë edhe sikur të jem në gjendje s’mund t’i ndihmoj”.

                                  “Adresa”

Detyra:

1) Të bisedoni përsëri me Kelin dhe të sqaroni në biseda me të:

a) Ku e dinte dhe si e dinte Keli se, Pjetri e Shkurt Marku, nuk ishin të rregullt me mallin e kooperatives?

b) Pse Keli nuk e mbajti vëllanë e tij në shtëpi?

c) Sa në dijeni është Keli për, veprimtarinë e Shtjefën Kurtit dhe personave në proces dhe e thërrisnin për ta pyetur?

Sqarim:

1) Kel Kurti është i vëllai i Shtjefën Kurtit, që është i paraburgosur dhe në hetuesinë e Ministrisë. Me sa del në këtë të dhënë ai ka dijeni për veprimtarinë e vëllait.

Masat operative:

1) Raporti të shtypet dhe t’i dërgohet menjëherë Ministrisë Degë V-të që ka në hetuesi Shtjefnin. Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/shtjefen-kurti-me-tha-se-enveri-ka-nje-djal-qe-e-ka-mbyll-prej-vitesh-ne-vile-pasi-ai-ngjan-shume-dhe-atij-po-i-meson-instinktet-e-zakonet-e-tija-sepse-raporti-sekret-i/