“Shkodra, nga këndvështrimi i ‘Historikut të Sigurimit të Shtetit’ të Themi Bare dhe… “/ Historia e panjohur e krimeve të diktaturës komuniste, shqiptaro-jugosllave

Nga Msc. Selami Zalli

-Shkodra në vitet e vendosjes së diktaturës, 1945-1953, nga këndvështrimi i Historikut të Sigurimit të Shtetit –

Pjesa e parë

Memorie.al / Pa hyrë në rolin historik të Shkodrës si kryeqendër politike, ekonomike e kulturore ndër shekuj, do të përpiqem që nëpërmjet këtij shkrimi studimor të fokusohem në: “Shkodra në vitet e vendosjes së diktaturës, 1945-1953”, nga këndvështrimi i Historikut të Sigurimit të Shtetit”, duke u përqendruar në disa probleme kryesore.

Me hyrjen në fuqi të ligjit 45/2015 dhe fillimin e aktivitetit nga AIDSSH-ja (Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), me marrjen në dorëzim të Arkivit ekzistues, i përbërë nga një fond i konsiderueshëm dokumentesh. Dokument me rëndësi, për studimin e kësaj periudhe, pjesë përbërëse e këtij fondi është dhe “Historia e Sigurimit të Shtetit” dhe “Historiku i Degës së Punëve të Brendshme Shkodër”, të zgjedhura si material kryesor referues për bërjen e një analize, mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të kësaj strukture, pa paragjykime dhe reminishenca në vështrimin ligjor, analitik e krahasues, duke vënë në dukje dhe zhveshur nga hiperbolizimet (megalomania), pa synuar injorimin dhe denigrimin e saj, por vetëm nëpërmjet vështrimit në optikën e kohës, në plan krahasues.

Shkodra para lufte, në Historinë e Sigurimit të Shtetit

Studimi i parë zyrtar i historikut të shërbimit sekret, “Historiku i Sigurimit të Shtetit” (HSSH), i cili rezulton të jetë bërë në vitin 1974, e ripërpunuar në vijimësi, dhe “Historiku i Armës së Sigurimit të Shtetit të Degës së Punëve të Brendshme të Rrethit Shkodër” (1941-1975), dëshmojnë se historia e shërbimit informative, veprimtaria informative gjatë viteve (1941-1943), e konsideruar “syri dhe veshi i luftës”, gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ka kaluar në dy faza:

  • Mars 1943 – Maj 1944,
  • Maj 1944 – 29 Nëntor 1944.

Sipas këtij studimi zyrtar, veprimtaria informative gjatë viteve (1941-1943), u ngrit pa definuar nga kush dhe si, me qëllim zbulimin e planeve të armikut dhe sulmimin në befasi të tij, si domosdoshmëri, për të depërtuar nëpër vendet kyçe në administratë, kuesturë, burgje e kudo.

Në pjesën hyrëse, në përshkrimin e gjendjes së brendshme dhe “Intensifikimit të veprimtarisë së agjenturave të huaja”, kërkohen dhe identifikohen “agjentë” të fashizmit në Shkodër, duke identifikuar sit ë tillë Anton Harapin, Patër Gjergj Fishtën etj., të cilët “… synonin asgjësimin e P.K.SH.”.

Nga studimi i këtij dokumentacioni, në prezantimin e gjendjes dhe situatës gjatë luftës, trajtohen ngjarje që meritojnë analizë dhe krahasim, të tilla si; panorama dhe trajtimi mbi situatën në vend, ekzistenca që në vitin 1937 e “Organizatës Demokristiane Shqiptare” e krijuar nga klerikët, progresi dhe transformimi i saj, demonstratën e gjimnazit të Shkodrës më 28 Nëntor 1939, me himnin e flamurit dhe parulla antifashiste, e shoqëruar me arrestimin e 4 studentëve ditën e nesërme, demonstratën e 30 Janarit 1940, për kundërshtimin e fashistëve për përjashtimin nga shkolla të 71 aktivistëve, demonstrata e vajzave të shkollës “Donika Kastrioti” 4 Shkurt 1943, zhvilluar me parulla politike e cila u shpërnda.

Aksioni i të burgosurve politikë të Shkodrës, më 24 Shkurt 1943, për të mos lejuar transferimin e tyre në Itali. Protestë që ka zgjatur 8 orë, ku të burgosurit goditën karabinierët me çdo mjet, duke marrën peng marshallin fashist. Kjo solli tërheqjen e fashistëve nga vendimi i tyre.

Nga përmbajtja e dokumentacionit nuk evidentohen masa represive të natyrës së vrasjeve, izolim apo ri dënim të pjesëmarrësve në protestë nga radhët e të burgosurve. Gjej me vend të bëj një kapërcim për të krahasuar me ndodhinë e pas afro 30 vitesh në burgun politik të Spaçit, ku ndonëse me kërkesa të ligjshme dhe thuajse paqësore, u pushkatuan 4 të burgosur, u ri dënuan 8 me nga 25 vite burgim dhe 56 të burgosur u ri dënuan me nga mbi 10 vite burgim.

Për të gjitha ngjarjet e renditura më sipër, nga dokumentacioni i sigurimit, nuk na rezulton të jenë marrë në analizë e trajtuar në detaje ngjarjet dhe masat represive që u ndërmorën nga fashistët, ndoshta për arsye të vetë bilancit të tyre?!

Analizohet me kujdes dhe vëmendje të veçantë veprimtaria e spiunazheve të huaja në Shkodër, që sipas këtij dokumentacioni, e realizuar nëpërmjet konsullatave Austro-Hungareze, Serbe, Malit të Zi, Italiane, Angleze dhe Gjermane. Deri me vendosjen e monarkisë kishte dominuar spiunazhi austro-hungarez. Me Zogun dominonte spiunazhi jugosllav, i cili synonte dhe punonte të krijonte bindjen e “pamundësisë së ekzistencës së Shqipërisë si shtet”, pa ndihmën jugosllave.

Sipas këtij historiku, para luftës, kjo gjendje motivoi dhe u bë frymëzim për persona jugosllavë, të emigruar në Shkodër për arsye ekonomike, të cilët u bënë kontingjent i përshtatshëm në interes të zbulimit jugosllav, së bashku me parinë dhe krerët e klerit mysliman e ortodoks.

Ky konstatim, i konsultuar me “Historikun e Sigurimit të Shtetit”, nuk vijon të figurojë si i tillë, në mënyrë të veçantë pasqyrimi i elementit jugosllav, i minoritetit të tij dhe klerit ortodoks. Arsyetim dhe vijueshmëri të cilën, nuk konstatojmë të figurojë apo të jetë objekt i punës së sigurimit dhe i masave represive pas lufte?!, në vitet 1944-1949, kohë kur veproi Divizioni i Mbrojtjes në Shkodër, deri kur dhe ndodhi “prishja” me jugosllavët.

Nuk mund të mos bjerë në sy dhe të tërheqë vëmendjen fakti që, drejtuesit kryesorë dhe më të spikatur të lëvizjes komuniste, në qarkun e Shkodrës, janë ky minoritet, të cilët në pjesën hyrëse të këtij dokumentacioni, figurojnë si emigrantë ekonomik me origjinë jugosllave, kontingjente dhe me pre dispozicion për agjentë të zbulimit jugosllav.

Konkretisht, sipas këtij dokumentacioni ishte Vasil Shanto, që drejtonte dhe mbante lidhjet me pjesën më të madhe të informatorëve dhe qendrave të informacionit.

Bazuar në këto fakte dhe rrethana, mbetet për zgjidhje e dhënë përgjigje disa pyetjeve që dalin natyrshëm, mbi faktorin emigrant ekonomik me origjinë jugosllave në Shkodër:

  • Çfarë ndodhi me këtë faktor, i cili në kohën e Zogut konsiderohej kontingjent, tani jo?
  • Ky faktor u bashkua në luftën kundër fashizmit apo kundër politikave të tij, ndaj çështjes shqiptare në raport me Jugosllavinë?
  • Si shpjegohet që pranë këtij grupimi politik (PK) spikati dhe doli në krye duke patur monopolin e gjithçkaje, si drejtimin, informacionin etj, kontingjenti me këtë përkatësi?
  • Si shpjegohet që në këtë dokumentacion dhe periudhë nuk figuron e as gjendet ndonjë e dhënë mbi aktivitetin dhe rolin e klerit ortodoks në Shkodër?! Kohë kur gjithë pjesa tjetër e klerit bashkëpunonte me fashistët, ndërkohë që pretendohet bashkëjetesa, marrëveshjet dhe toleranca fetare, prishet kjo trajektore?

Marrëdhëniet me jugosllavët trajtohen si ndihmesë e ndërsjellëtNjëherazi, bëhet prezent dhe vihet theksi në ekzistencën e mercenarëve nga Kosova, në Shkodër? Nëpërmjet një raportimi nga qarkori i Partisë Komuniste Shkodër, i prezencës së 700 trupave kosovare, në përbërje të regjimentit “Kosova”, ndërkohë që drejtimi, dhe kontrolli i sektorit të informimit, ishin si më sipër.

Në gjithë dokumentacionin dhe tekstet e “Historikut të Sigurimit të Shtetit”, kur bëhet fjalë për konsullatën dhe zbulimin italian, vihet theksi (paraqiten) si kontingjente shtresat e pasura, çifligarët, tregtarët dhe bajraktarët e veriut, mbi të gjitha me rol pre-dominues drejtuesit e klerit katolik, duke dalluar e shënjestruar të parin Pader (At) Gjergj Fishtën, tashmë i njohur dhe gjithë pranuar si nacionalist dhe anti-jugosllav, predikuesin dhe një nga korifenjtë më të mëdhenj të çështjes shqiptare.

Vepra e tij u ndalua nën ndikimin dhe presionin jugosllav, dhe u shpall herezi, mbajtja e propagandimi i saj. Problematikat dhe çështjet që trajton, shqetësuan të gjitha palët, për vlerën e saj si “programi politik kombëtar”, “fjalori shpjegues”, për bërjen e autopsisë (identikitit) të mikut dhe armikut të kombit shqiptar.

Në këtë dokumentacion anatemohen edhe priftërinjtë: Frano Gjini, Pal Dedaj, Bernardin Palaj, etj., për të cilët thuhet se idetë profashiste i propaganduan nëpërmjet organeve të shtypit të klerit katolik. Në atë kohë kishte 10 të tillë, një pjesë e të cilit ka filluar të ribotohet, jo vetëm për vlerat e kohës, por tingëllojnë aktuale edhe sot. (Hylli i Dritës, Zonja e Shkodrës, Leka etj.).

Në trajtesat e kësaj historie bie në sy, armiqësia dhe lufta ndaj shteteve të huaja kapitaliste që kishin synime të vjetra grabitqare ndaj vendit tonë, për ilustrimin e të cilave nuk përmendet vetëm Jugosllavia.

Në drejtësi, natyrisht edhe në shkencë, mund të përdoret dhe ka vend postulati “Nuk ka krim pa gjurmë dhe të pazbulueshëm, por ka kërkues të këqij”. Në favor të këtij argumenti shkojnë eksperiencat dhe përvoja arkeologjike, e cila nëpërmjet fosileve dhe objekteve të ndryshme, ka arritur të ndërtojë e interpretojë, si ka funksionuar shoqëria njerëzore që në lashtësi duke përcaktuar formacionin ekonomiko-shoqëror, sistemin politik, nivelin e zhvillimit dhe të kulturës materiale e shpirtërore. Shembulli më domethënës mbetet djegia e Bibliotekës së Aleksandrisë, një thesar, por historia e Egjiptit është shkruar, mungesa e dokumentacionit mbi holokaustin dhe trajtimin e hebrenjve nga nazistët, por ama ata e kanë rikuperuar dhe shkruar historinë e tyre.

Veprimtaria e Sigurimit të Shtetit mbas lufte

Faza I-rë (Dhjetor 1944 – Shtator 1946), e njohur për Operacionet e pastrimit me forcat ushtarake të Mbrojtjes Popullore, të cilat u shtrinë në gjithë vendin, sidomos në veri.

  1. Etapa I(Dhjetor 1944 – Shkurt 1945) (Rezistenca: Kelmendi – Koplikut,)
  2. Etapa II(Mars 1945 – Shtator 1946) Ndryshimi i taktikës nga forcat e ndjekjes.
  3. Krijimi i njësiteve të vogla në ndjekje (Jug),
  4. Depërtimi me informator në radhët e bandave,
  5. Kalimi në ofensivë me njësi të mëdha ushtarake (Veri).

Faza II-të  (Tetor 1946 – Janar 1947) Operacioni i Spastrimit në Veri. Në këtë periudhë Divizionit të Mbrojtjes, ju shtuan 4 batalione, u ngushtua dara dhe mbështetja nga aleati (pala jugosllave).

Kjo fazë karakterizohet nga operacione ndëshkuese për çarmatimin e popullatës shumë pak e hulumtuar. Në këtë proces, nga dëshmitë gojore të kohës, janë dëgjuar e përshkruar tmerre pafund. Njerëzit, nga format “demokratike” të përdorura, kanë marrë borxhe, kanë kaluar kufirin për të gjetur e dorëzuar armë, pasi oficerët e sigurimit, nëse nuk dorëzoje armën, produkt i imagjinatës së tyre, nuk e kishin për gjë të vrisnin, duke thyer arra mbi kokën e viktimës.

Histori e ngjarje të tilla, janë treguar pafund edhe para viteve ’90-të me mburrje nga autorët e tyre, por fatkeqësisht, pak ose aspak janë dokumentuar dhe tashmë, dëshmitarët e gjallë janë pakësuar. Edhe hebrenjtë, krimet ndaj tyre nuk i kanë me dokumente zyrtare, pasi nazistët u përpoqën të fshinin gjurmët, por provat e gjalla njerëzore nëpërmjet kujtimeve ndërtuan pazëllin.

Në këtë dokumentacion, revokohen vlerat, përshkruhet pamundësia e çdo pushtuesi për të çarmatosur këtë popull, me gjithë torturat dhe masakrat që kishin përdorur. “Këta” ia dolën me “bindje”, çka përbën paradoks.

Një nga format më efektive në këtë periudhë mbeti shfrytëzimi i ritit të besës, e cila në asnjë rast nuk u mbajt nga kontraktuesit e saj në pushtet, po kështu përdorimit të amnistisë, pengjet familjare dhe nxitja e shfrytëzimi i grindjeve, etj.

Në dokumentet e Sigurimit, lëvizjet popullore antikomuniste emërtohen “banda”. Në asnjë fjalor, manual shpjegues, enciklopedi apo studiues serioz nuk mund të quhen e përkufizohen kështu. Kjo, për vetë territorin dhe shtrirjen që patën, pjesëmarrjen dhe mënyrën e organizimit, duke parë me objektivitet, në dritën e fakteve dhe të statistikave, veprimet dhe sjelljen e “çlirimtarëve”. Numri i anëtarëve të “bandave”, sipas këtij dokumentacioni, përbëhej nga 50-400 vetë dhe drejtoheshin nga ushtarakë karriere, të formuar në Perëndim.

Fakt interesant mbeten shifrat kontradiktore dhe të paqarta, kur bëhet fjalë për likuidim bandash, të vrarësh, të dorëzuar e të atyre që mbetën në male ose u arratisën, p.sh. nëse shohim në fq. 206, Vol II. Në fund të operacionit të pastrimit në vitin 1947, u likuiduan 1.764 banditë nga të cilët: të asgjësuar në vitet 1945 – 1947, gjithsej 1.194 vetë,

  • 393 u vranë (pa gjyq)
  • 601 u kapën (asgjë për fatin e tyre)
  • 770 u dorëzuan (asgjë për fatin e tyre)
  • 764
  • 774 mbetën në male (bandat e vogla)

Gjithsej, 3.538 vetë.

Cila historiografi apo studiues serioz mund t’i njohë këto shifra, të quajë e përkufizojë si bandë e banditë, këta individë në përbërje të një formacioni të tillë luftarak, në kushtet e ekzistencës së një popullsie prej 800.000 banorësh.

Në këtë periudhë, lufta zbuluese dhe suksesi i dedikohet, ndërtimit të rrjetit të informatorëve, denoncimeve nga populli, vëzhgimit dhe të dhënave që dilnin nga hetuesia?!

Faza III-të (Janar 1947 – Janar 1948), përkon me ndjekje masive me grupe të vogla, sipas taktikës së bandave.

Faza IV-të (Shkurt 1948 – Gusht 1948) e quajtur faza e baticës e zbaticës, për shkak të K.Xoxit dhe OZNA-s, dhe veprimtarisë së tyre nën maskën e ndihmës.

Fakt interesant dhe me vlerë për të kuptuar më mirë organizimin, veprimtarinë dhe varësinë e Sigurimit të Shtetit nga jugosllavët (OZNA), rolin diktues e paternalist të tyre në Sigurim, mbetet atashimi i zbuluesve shqiptarë jashtë vendit, nëpër përfaqësitë e tyre diplomatike dhe administrimin e marrjen në kontroll të të  gjithë informacionit e shërbimit të jashtëm.

Nga studimi i këtij fenomeni dhe i individëve të trajnuar me shkollim e formim në Jugosllavi, praktikat e zbulimit dhe rekrutimet e tij, sidomos në sistemin e rekrutimit zinxhir, nëpërmjet analizës e deduksionit mund të arrijmë në përfundime të sakta, nëse arriti të shkëputet ndonjëherë Sigurimi i Shtetit nga tutorët e tij (jugosllav apo rus)? e parë kjo dhe nga goditjet e mëvonshme të grupeve antiparti në radhët e Sigurimit të Shtetit, ku edhe 90 % e agjenturës në atë periudhë (1944-1949), ishin anëtarë partie e njerëz të besuar të pushtetit.

Në materialet e sigurimit të shtetit, bëhet fjalë për ekzistencën e listave të zeza të hartuara nga Sigurimi ku bënin pjesë edhe element nga radhët e partisë. Imagjino si mund të kenë funksionuar këto lista ndaj qytetarëve të thjeshtë, sidomos në Shkodër. (tregtarët, të arsimuarit jashtë vendit, klerikët) etj, në kushtet kur ekzistonin 6.000 dosje.

Sipas kësaj historiografie në vitin 1948, në themel të veprimtarisë së Sigurimit u vu teoria e Zhakonovit: “Shpifja u bë arma bazë për të siguruar kontrollin mbi partinë” edhe “…në qoftë se dëshiron të zbulosh çerdhet e fshehta të armikut, shiko se do ti gjesh pranë shpifjeve…”.

– Në Shtator 1948 u mbajt Plenumi i XI të KQ të PKSH. – Në Dhjetor 1948 Byroja Politike e K.Q., miratoi Platformën e I-rë Politike e Organizative të Sigurimit të Shtetit.

Ajo që bie në sy dhe përbën paradoksin më të madh është fakti i vendosjes së caqeve (kufijve) për organet e sigurimit të cilat, nuk mund të vendosnin në përpunim që nga anëtari i plenumit të KQ të partisë, anëtarët e plenumit në rrethe, drejtuesit e organizatave të masave, anëtarët e qeverisë deri tek zv/ministrat??!! dhe anëtarët e partisë vetëm kur e kërkonte nevoja.

Kjo nuk do të thotë që këta ishin të përjashtuar nga detyrimi për dhënie informacioni, por këta ndaloheshin ta jepnin tek operative i sigurimit, por të informonin në parti. (varianti “çekist”).

Pretendohet se komunistët nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit, pasi e kishin të ndaluar me ligj, duke bërë dy gabime njëherazi, njëri dhe mashtrim. Platforma e Byrosë Politike e quajnë ligj, kur në fakt është maksimalisht një aneks i statutit të Partisë dhe mashtrimi se e paskan të ndaluar të jenë bashkëpunëtorë e informatorë.

Në fakt, e vërteta qëndron krejt ndryshe, pasi ishte e ndaluar vetëm të emërtoheshin agjent, por veprimtaria e tyre informative kamuflohej me termin vigjilencë, patriotizëm dhe partishmëri, por ama platforma parashikonte edhe rastet përjashtuese “… kur e kërkonte nevoja”.

Këto kategori nuk mund të arrestoheshin pa aprovimin e KQ të Partisë, duke i pajisur me një “imunitet të çuditshëm” çka tregon funksionimin, nivelin e “pavarësisë” të institucioneve ligj-zbatuese, prokurori, gjykata si instrumente të partisë që diktoheshin e dirigjoheshin nga Sigurimi i Shtetit, pavarësisht se emërimi, rekrutimi i tyre në detyrë realizohej nëpërmjet mekanizmit të “zgjedhjeve” nga populli dhe vendimet i jepnin në emër të tij.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit ekzistues, konstatohet fakti se Sigurimi i Shtetit deri në vitin 1948 vepronte vetëm me urdhra dhe vendime të Shtabit të Përgjithshëm, ishte i organizuar sipas strukturës dhe përdorte format e OZNA-s, e transformuar në UDB, nga të cilat deklarohet se u hoq dorë prej përdorimit të tyre. Në mjaft studime dhe publikime të deritanishme rezulton se asgjë nuk ka ndryshuar. Me kohën, u pasuruan me formën dhe praktikën ende më të vrazhdë ruse, e përcjellë me zëvendësimin e këshilltarëve jugosllav, nga ata rus të KGB-së.

Në aktet dokumentare të kësaj periudhe është pretenduar se do të hiqej dorë nga metodat e praktikat Xoxiste të vlerësimit të fajësisë për të dyshuarit në bazë të dyshimit formal, duke kaluar në veprimtarinë konkrete, heqjen dorë nga sugjestionimi, provokimet, torturat etj, por dokumentacioni dhe dëshmitë e gjalla tregojnë krejt të kundërtën veçanërisht në Shkodër, ku përsëri në vazhdim të kësaj periudhe, vdiqën në tortura dhe u vranë pa gjyq ajka e veriut, sidomos klerikët e famshëm në vijimësi edhe përtej periudhës objekt trajtese.

Nëse vërejmë përbërjen e organikës së Sigurimit të Shtetit në vitet ’50-të, vetëm 9 % e tyre nuk kishin marrë pjesë në LNÇL, me elementë të pashkolluar ndonëse mund të ishin edhe analfabetë (77 % me arsim të plotë ose të pjesshëm fillor dhe gjysmë analfabet me kurse kundër analfabetizmit). Në vitin 1951, u emëruan si kryetarë degësh dhe shefa seksionesh 20 kuadrot e parë që kishin ndjekur kursin 1 vjeçar të sigurimit në Bashkimin Sovjetik, të cilët instaluan metodat dhe praktikat e punës Staliniste në këto organe.

Kjo mund të justifikoj faktin që format kryesore të punës në ketë periudhë ishin mjetet e forcës, dhuna fizike, psikologjike, ushtrimi i torturës në kuadër të hetimit intensiv, metodat e shtrëngimit nëpërmjet pengjeve familjare, premtimet për mos ndëshkim (amnisti) të pa mbajtura.

Në themel të punës u vu rekrutimi i agjenturës nga radhët e kontingjenteve “armike” e lidhjeve të tij, mbi bazën e materialit shtrëngues.

Kësaj periudhe i përket detyrimi për dokumentimin e veprimtarisë zbuluese e agjenturore me firmë dhe datën përkatëse, dhe rregullat e ruajtjes së tyre, por çuditërisht, ndonëse e detyrueshme me “ligjin” e tyre, aktualisht janë trashëguar dhe gjenden shumë pak dokumente të tilla. Kjo tregon se kohë pas kohe, autorët kanë fshirë gjurmët.

Diktatura komuniste shqiptaro – jugosllave!

Po e filloj këtë trajtesë me togfjalëshin “Diktatura komuniste shqiptaro – jugosllave”, sepse për mendimin tim dhe siç dëshmojnë burimet historike, gjatë Luftës edhe pas saj në periudhën 5 vjeçare 1945-1949, egërsia komuniste e ushqyer vazhdimisht nga prania e Jugosllavisë titiste, është shtrirë në të gjithë Shqipërinë por veçanërisht në veriun e saj, sidomos në Shkodër.

Pas tërheqjes së trupave gjermane nga Shkodra me hyrjen në qytet të partizanëve, hynë edhe partizanët jugosllavë. Kjo shënon herën e parë në histori, që sllavët, hyjnë në këtë qytet pa luftë.

Me këtë ngjarje lidhet tentativa për zhvendosjen e Shkodrës, bazuar në vlera, nga qendra në periferi dhe shënjestrimi i saj si “delja e zezë”. Në fillim, u goditën dhe shkatërruan vlerat e saj ekonomike, kulturore dhe mbi të gjitha ato njerëzore, nëpërmjet grabitjes së arkivave, bibliotekave, veprave të artit, si dhe çdo vlere tjetër të krijuar në shekuj, duke tentuar të zhdukë identitetin e kësaj treve.

Në studimet e linjës zyrtare deri më tani, nuk gjendeshin dokumente apo literaturë rreth këtyre ngjarjeve veç sa shkruhej në shtypin e kohës, informacion i deformuar nën peshën ideologjike, se për kurrikula shkollore, botime të Akademisë së Shkencave apo të Institutit të Historisë etj, as që bëhet fjalë.

Në dokumentacionin e shfrytëzuar, konstatohen problematika në terminologji dhe shifra të cilat nuk rezultojnë precize e të definuara saktë, por të relativizuara si: “disa, dhjetëra, qindra, banda, kriminelë, të arratisur, asgjësim, spastrim”, deri “revoltë”, pa përcaktuar në asnjë rast palët dhe arsyet e saj, pa dhënë asnjë sqarim si dhe me ç’të drejtë ligjore apo morale mund të futet një popull apo krahinë në karantinë, regjim ushtarak e policor duke u dhunuar, hequr të drejtat fondamentale, si e drejta e jetës, pronës, fjalës së lirë dhe mundësisë për të vendosur vetë për fatin e tyre, nga një pushtet, që e quan veten popullor.

Nuk mund të mos bien në sy pasaktësitë, në përshkrim, emërtime dhe informacion, të cilat tregojnë jo vetëm nivelin e ulët e mosnjohjen, por edhe deformim të problematikës, ndërkohë që “pretendohej” dhe ende ka njerëz që besojnë se sigurimi ka ditur dhe kishte në kontroll gjithçka.

Gjatë gjithë trajtesave konstatohet paligjshmëria që shprehet nga ushtrimi i torturës, përdorimi i pengjeve, vrasjeve dhe “vetëvrasjeve” nëpër burgje, trajtimin e femrave, përdorimin e metodave antihumane në hetim, rekrutimet me mjete të dhunshme etj. Për ekzistencën dhe funksionimin e tyre nuk flitet fare, por mbeten në terma të përgjithshme, për t’u nënkuptuar e referuar në burime të tjera, por asnjëherë në dokumentacion zyrtar.

Që gjatë diskutimit në Asamblenë Kushtetuese dhe fazës së përgatitjes për zgjedhjet e para të zhvilluara, ndër zërat e parë opozitar do ishin ata shkodranë, njësoj si në vitin 1921. Këtë radhë, egërsia, për shkak të pushtetit dhe bërja qejfit “miqve”, do sakrifikonte miletin. Nisur nga prezenca jugosllave në mbikëqyrje edhe terren, përpjekja për ta anashkaluar e fshehur këtë, na shtyn të mendojmë e besojmë se mbrapa qëndronin jugosllavët, që lakmonin tokën dhe detin, të vetëdijshëm që nuk mund ta realizonin këtë synim, për sa kohë këtu të kishte shqiptar “për pa mbet shqypnia n’vasha”, ndaj e donin tokë të zbrazur.

Qartazi konstatojmë fobinë dhe tendencën e sajesës politike që po projektohej të vinte në pushtet, fatkeqësisht nën hundën e aleatëve perëndimor, për të cilët historia dhe dokumentet nuk kanë arritur ende në një përfundim të qartë dhe shkencor, nëse gabuan apo kështu deshën. Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/shkodra-nga-kendveshtrimi-i-historikut-te-sigurimit-te-shtetit-te-themi-bare-dhe-historia-e-panjohur-e-krimeve-te-diktatures-komuniste-shqiptaro-jugosl/