Shën Valentini: “Nga Patrick Swayse me Demi Moor, Humprey Bogart me Ingrid Bergman, te Jacques Sernas me Rosana Podesta dhe…”/ Fotot me puthjet e famshme që bënë brezat të ëndërrojnë…!

Nga Uvil Zajmi

-Rekordin e mban çifti tajlandez, Thai Ekachai e Laksana Tiranarat, që kanë qëndruar të bashkuar buzë më buzë, për 58 orë, 35 minuta e 58 sekonda, më 2013-ën, në ditën e Shën Valentinit.-

Memorie.al /…dhe buzët m’i puthi duke u dridhur…”, shkruan Dante Aligieri në “Komedinë Hyjnore”. Cila është mënyra më e mirë për të festuar Shën Valentinin, si dita e të dashuruarve, si dita më romantike e vitit, me dashurinë protagoniste absolute të saj? Puthja, gjesti universal i dashurisë, ndoshta më intimi, e dëshiruara, shumë e ëndërruara, tejet e përfolura dhe asnjëherë e treguara, është simboli i dashurisë që do të shkëlqejë gjithmonë. Një puthje mund të shprehë: dashuri, ëmbëlsi, erotizëm, pasion, që nuk njeh ndryshim mes epokave, kulturave, një gjuhë universale që shpreh sekretet e zemrës. E ku nuk e gjen të bekuarën puthje?! Në veprat e artit të të gjitha kohërave: piktura, skulptura, poezi, fotografi, kinematografi. Të paharruara do mbeten puthjet e famshme, në filmat bardhezi ose me ngjyra, që kanë tronditur epoka, breza dhe kanë krijuar simbole të forta dashurie, të shfaqura në ekranet e kinemasë botërore.

Një teori interesante antropologjike e çon origjinën e puthjes në prehistori: Kështu, thuhet se paraardhësit tanë, për të ushqyer fëmijët, copëzonin ushqimin në gojë para se t’ua jepnin, duke bërë kështu një puthje “alimentare” me të vegjlit e tyre. Por, që siç e thekson etologu i njohur anglez, Desmond Morris, lloji ynë, mund ta këtë përdorur puthjen për miliona vjet. Kështu që të dashuruarit nëpërmjet puthjes ri gjejnë mirëqenien e ndjesisë së kënaqësisë dhe të besimit të ushqimit ndërmjet gojës, duke forcuar kështu konfidencën dhe lidhjen midis tyre. Edhe sipas Frojdit, nëpërmjet puthjes, rifitohet kënaqësia e harruar, e humbur, e dëshiruar.

WORLD KISS DAY: DITA BOTËRORE E PUTHJES!

Puthja, përveçse dëshmitare absolute për këtë festë të veçantë, ka edhe ditën e saj, e njohur si “Dita Botërore e Puthjes”, që festohet me 6 korrik të çdo viti. “World Kiss Day” u festua për herë të parë në Britaninë e Madhe më 1990, për t’ia kushtuar gjithë këtë ditë puthjes. Por, puthja nuk është vetëm gjesti më intim i dy personave që dashurohen, por dhe si një bekim për shëndetin. Thuhet se puthja kontribuon deri edhe në uljen e presionit arterial falë efektit vazodilatator. Pas një puthjeje, shihet qartë rritja e një mirëqenieje dhe humorit të mirë. Përgjegjësit e këtij reagimi janë, siç thuhet, hormonet e lumturisë, ndër të cilat serotonina.

REKORDI I ÇIFTIT TAJLANDEZ

Pak mund të arrijnë rekordin e jashtëzakonshëm të çiftit tajlandez, Thai Ekachai e Laksana Tiranarat, që së bashku kanë qëndruar të bashkuar buzë më buzë për 58 orë, 35 minuta e 58 sekonda gjatë një aktiviteti të organizuar më 2013, në ditën e Shën Valentinit. Nëse rekordi i çiftit tajlandez është i pamundur të arrihet për kohëzgjatjen e puthjes, personazhet e Meridith e Derek, në një prej serialeve më të ndjekur në botë, “Grey’s Anatomy”, mbajnë rekordin e intensitetit të saj. Çdo puthje ndërmjet doktorit karizmatik dhe mjekes në atë histori dashurie të paharruar ka bërë të rrahin zemra, duke dhuruar emocione të jashtëzakonshme.

FOTO E FAMSHME: PUTHJA E MARINARIT AMERIKAN!

14 gusht 1945, duke festuar fitoren ndaj Japonisë dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore, një marinar dhe një infermiere hyjnë në histori me puthjen e famshme në Times Square. Fotografi Alfred Eisenstaedt, i ndodhur aty në atë moment, fikson çastin e pavdekshëm.

PUTHJA E REMEOS DHE ZHULJETËS NË VEPRËN E SHEKSPIRIT

Në tragjedinë e famshme, puthja e fundit mes të dashuruarve është përshkruar kështu: “Sy, shikoheni për herë të fundit, krahë shtrëngoheni në të fundmin përqafim, o buzë, ju, porta e frymës, me një puthje të pastër nënshkruani një pakt pa kohë, me vdekjen që merr me vete gjithçka”.

PUTHJET E FAMSHME NË FILMA

Cilat janë puthjet historike, ato romantike që duhen kujtuar në Shën Valentin 2019? Puthjet që kanë bërë të ëndërrojnë, sigurisht kanë qenë dhe mbeten ato të filmave, ato që me sytë e spektatorëve që shkëlqenin janë parë në e kranin e kinemasë: Puthje pasionante, delikate, romantike, në majë të këmbës, në shi, në ndarje prekëse, në takime, njohje emocionuese, në dashuritë e famshme me interpretues aktorë të njohur, nga kolosët e Hollivudit, tek ata italo-francezë etj. Asnjëherë banale, puthjet e kinematografisë mbeten unikale në llojin e tyre. Ndër vite dhe nga breza në mbarë botën, ato janë ndjekur me plot pasion edhe nga shqiptarët. Disa prej tyre do mbeten të paharruara:

FILMI “TITANIK”

Nga disa sondazhe, ajo e çiftit Winset-Di Caprio, shoqëruar me një kolonë zanore të mrekullueshme, është konsideruar puthja më romantike në historinë e kinemasë, duke lënë gjurmë të pashlyera.

FILMI “SHPIRTI” (“THE GHOST”)

Është konsideruar si puthja më melankolike e kinemasë. Fitues i dy çmimeve “Oskar”, me aktorët e njohur Patrick Swayse, Demi Moor dhe Whoopi Golberg. Filmi i shoqëruar nga kolona zanore mjaft unike në llojin e saj “Unchained Melody”, një këngë e kompozuar nga Alex North e Hy Zaret, në vitin 1955, u bë një hit i vërtetë.

FILMI “SPIDERMAN”

Edhe kjo puthje e famshme, ndërmjet Spiderman e Mary Jane nën shi, ka qenë objekt i mjaft diskutimeve. Mjafton t’i rikthehesh serialit televiziv “The O.C.”, për të kujtuar, puthjen midis Serth e Summer….!

FILMI “MËNGJES TE TIFFANY” (“BREAKFAST AT TIFFANY”)

Një tjetër puthje, por këtë herë nën shiun e New York-ut. Janë George Peppard dhe Audrey Hepburn, në filmin që nuk njeh kohë, për elegancën e romanticizmin, të shtrënguar me njëri-tjetrin në një finale emocionuese.

FILMI “BASHKË ME ERËN” (“GONE WITH THE WIND”)

Një puthje që ka mbi 80 vite, por që edhe sot bën të ëndërrojnë gjithë gjeneratat. Me Rhett Buthler, interpretuara nga Clarc Gabel e Rosella O’Hara me aktoren Vivien Leigh, protagonistë të një filmi që ka shkruar historinë. Mbi të gjitha me një nga puthjet e fuqishme, pasionale e të famshme të ekranit të madh.

FILMI “CASABLANCA”!

Një puthje e përmbajtur, nga ato që duken të pamundura, të paarrira, por që pastaj shkrihen në puthje të zjarrtë edhe elegante, siç janë edhe Humprey Bogart e Ingrid Bergman, aktorët e njohur në rolet kryesore të filmit.

FILMI “KRENARI DHE PARAGJYKIM” (“PRIDE AND PREJUDICE”)

Jane Austen ka dhuruar një dashuri perfekte në faqet e romanit të saj, ndërsa Joe Right ka dhuruar një moment perfeksioni me një puthje në agimin e një mëngjesi të mrekullueshëm, puthjen e parë ndërmjet Elisabett Bennet dhe Mr. Darcy.

FILMI “FAMËKEQI” (“NOTORIUS)

Puthja ndërmjet Cary Grant dhe Ingrid Bergman, kur filmi doli në vitin 1946, befasoi publikun, duke shënuar puthjen më të gjatë në historinë e filmit deri në ato vite.

FILMI “LA DOLCE VITA”

Federico Fellini ka firmosur një ndër puthjet më të njohura në kinema, në atmosferën e mrekullueshme të “Fontana di Trevi”, ku bukuroshja Anita Ekberg thotë batutën e historike: “Marcelo, come here!”

FILMI “GRUAJA E BUKUR” (“PRETTY WOMAN”)

Një histori dashurie që e transformon të pamundurën në reale. Puthjen e përrallës moderne mes një prostitute dhe një biznesmeni të njohur, që e transformon atë në princeshë. Është historia e Vivianës, e interpretuar nga Julia Roberts dhe Eduard (aktori Richard Geer), një miliarder që ishte dashuruar me të. Dhe finalja e filmit shoqërohet më një puthje, në një shkallë kundër zjarrit që bën të ëndërrojnë brezat e pasviteve ’90-të.

FILMI “PUSHIME ROMANE” (“ROMAN HOLIDAY”)

Një film i vitit 1953 me skena dashurie e puthje pasionante ndërmjet princeshës Anna (Audrey Hepburn) dhe gazetarit amerikan Joe Bradley (Gregori Peck). E ardhur në Romë si diplomate, e mërzitur me angazhimet zyrtare, një natë Anna del e vetme nga hoteli, por e lodhur e zë gjumi në një nga rrugët e Romës, ku e gjen Joe. Filmi është i njohur për famën që mori në botë edhe motori “Vespa” në mjaft skena të tij.

FILMI “HELENA E TROJËS” (“HELEN OF TROY”)

Film italo-amerikan, prodhim i vitit 1956. Princi Parid, djali i mbretit të Trojës, Priam, shkon në Spartë, ku magjepset pas bukurisë së mbretëreshës Helena, gruas së Mbretit të Spartës, Menelaut. Historia e dashurisë dhe puthjet në film midis Helenës (Rosana Podesta) e Paridit (Jacques Sernas) do të mbeten të paharruara. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/shen-valentini-nga-patrick-swayse-me-demi-moor-humprey-bogart-me-ingrid-bergman-te-jacques-sernas-me-rosana-podesta-dhe-fotot-me-puthjet-e-famshme-qe-bene-brezat-te-enderrojne/