“Sekretari i partisë në Radio e qortoi atë dhe mua që po flisnim rusisht, se kjo ishte gjuha e Hrushovit, por Fadil Kokomani s’përtoi…”/ Kujtimet e gazetarit dhe radiokronistit të njohur

Nga Skifter Këlliçi

Pjesa e dytë

Memorie.al / Ishte mëngjesi i 20 majit të vitit të 1994, kur hyra në zyrën e Skënder Buçpapajt, atëherë Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. Dhe jo pa qëllim. I kujtova se, më 28 maj, mbusheshin 15 vjet nga dita e pushkatimit të Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, edhe sot, dy prej gazetarëve më të mirë të Radio – Tiranës, që nga koha e krijimit të saj, si dhe të Xhelal Koprenckës, një të burgosuri tjetër politik, që ishte pushkatuar së bashku me ta. Shtova se, pas rënies së diktaturës, ishte rasti që ky përvjetor, të përkujtohej me një ceremoni të veçantë.

                                                       Vijon nga numri i kaluar

Fadil Kokomani nuk reshti. Shtoi se, në një vend si Shqipëria ku sundonte diktatura, jeta do të bëhej edhe më ë vështirë, sepse, vendi po kthehej në burg të madh. Kurse në Bashkimin Sovjetik, pas vdekjes së Stalinit, punët po shkonin krejt ndryshe.

Dhe të tëra këto, ai po i shqiptonte me bindje, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, ishin ende shumë të mira, kur gjashtë muaj më parë, në qershor të vitit 1959, Hrushovi kishte vizituar Shqipërinë dhe ishte pritur si perëndi edhe nga vetë Enver Hoxha.

E vërteta është se, babai dhe xhaxhi im, menjëherë pas largimit të misioneve anglo-amerikane nga vendi ynë, në vitin 1946, mbetën të zhgënjyer. Të dy, si dhe shumë e shumë të tjerë, kishin pritur që Shqipëria, të kishte marrëdhënie si me Perëndimin, ashtu edhe me Lindjen.

Veç kësaj, që ajo të kishte një qeveri demokratike, të dalë nga zgjedhje të lira, pluraliste. Por ja që tani, vendi ynë po lidhej pas qerres jugosllave, për të rënë pastaj plotësisht nën sferën komuniste ruse.

Sidomos këtë e ndiente edhe më shumë xhaxhai im, Reshat Këlliçi, i cili, së bashku me figura të tilla të njohura, si: Sejfulla Malëshova, Tajar Zavalani, Llazar Fundo etj., pas kthimit të Zogut, që kishte rrëzuar qeverinë e kryesuar nga Fan Noli, ishin detyruar të linin Shqipërinë, për t’u vendosur në Bashkimin Sovjetik.

Xhaxhai im, që kishte mbaruar atje edhe studimet e larta, kishte kaluar një jetë të vështirë dhe ishte kthyer në atdhe, i zhgënjyer nga ky vend ku… po ndërtohej socializmi stalinist, kishte përjetuar veç të tjerash, dhunën e tmerrshme që ushtrohej mbi popullin sovjetik, me të ashtuquajturën luftë klasash, me përndjekjet nga KGB-ja (Sigurimi Sovjetik), burgimet, internimet dhe për këto edhe në praninë time, ndonëse isha ende i vogël, kishte biseduar shpesh edhe me babanë tim.

Jo vetëm kaq, gjatë atyre viteve të kaluara në Moskë, ai ishte martuar me një ruse. Kur ishte larguar përfundimisht nga Bashkimi Sovjetik, më 1934-ën, me shumë dhembje, kishte lënë atje një djalë katërvjeçar, me shpresë se një ditë do ta shihte përsëri.

Dhe ja kjo ditë erdhi. Selim Shpuza, shoku i tij i viteve studentore në Rusi, më 1945-ën, ishte emëruar ambasador i parë i Shqipërisë në këtë vend. Atëherë xhaxhai, e kishte porositur që të bënte ç’është e mundur, që të gjente ish-gruan e tij dhe djalin, që tashmë duhej të ishte 14 vjeç.

Dhe Selim Shpuza, kishte premtuar. Por më kot. Me gjithë përpjekjet e tij, autoritetet shtetërore dhe KGB-ja … nuk kishin mundur të gjenin se ku ndodhej ish-gruaja e tij, së bashku me djalin.

Çfarë drame…! Me siguri të dy, nënë e bir, kishin përfunduar në ndonjë qytet të humbur siberian, ose për më keq, në ndonjë kamp përqendrimi. Po përse? Mos ndoshta sepse ishte ajo martuar me një emigrant shqiptar që kishte lënë pastaj Bashkimin Sovjetik…?

Nuk harroj atë ditë, aty nga fundi vitit 1946, kur misionet anglo-amerikane, po largoheshin përfundimisht nga Shqipëria, xhaxhai u shpreh kështu: “Tani në Shqipëri, do të ndodhë ajo që kam parë për gati nëntë vjet në Rusi. Edhe më shumë dhunë, shtypje, mjerim. Të gjitha në emër të idealeve komuniste”.

Që atëherë, familja dhe të afërmit tanë, filluan ta urrenin Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin, që, me ato mustaqet e tij të mëdha, mua më dukej atëherë aq babaxhan.

Mirëpo, siç dihet, pas vdekjes së Stalinit dhe ardhjes së Hrushovit në fuqi, në këtë vend, filloi një kurs i ri, që hodhi poshtë kultin e individit të Stalinit dhe nën parullën e bashkekzistencës paqësore, zhdukjen e luftës së ftohtë, përmirësimin e marrëdhënieve miqësore me vende të tjera perëndimore, sidomos me SHBA-ës dhe Britaninë e Madhe, zbutjen e luftës së klasave, rehabilitimin e mijëra njerëzve të dënuar nga diktatura staliniste, etj.

Atëherë xhaxhai me babanë dhe të afërm të tjerë, filluam t’i shihnim më miradije këto ndryshime që po ndodhnin në Bashkimin Sovjetik, duke shpresuar se, edhe Enver Hoxha do të ndiqte të njëjtin shembull. Por, fatkeqësisht kjo nuk ndodhi…!

Ja përse, disa javë pas bisedës që kishim bërë gjatë punës fizike në shkurt të vitit 1960, dhe gjatë ditëve të tjera, i kujtova Fadil Kokomanit, ato që më kishte rrëfyer xhaxhai për jetën e tij dhe tmerret që kishte parë në atë vend.

– Për të tilla ngjarje tragjike, – më tha Fadili, kur shëtitnim një ditë në Parkun e madh, – më kanë folur jo rrallë, shokë të mi, studentë sovjetikë. Por në Shqipëri, do të ndodhë edhe më keq se ç’po ndodh tani. Mbase do të ndodhë që, të prishemi me Bashkimin Sovjetik dhe të mbetemi të veçuar nga bota mbarë.

Ato ditë dhe më pas, isha i pushtuar nga një ndjenjë e thellë krenarie: një gazetar, që ishte pesë vjet më i madh se unë (ai 27 dhe unë 22), për më tepër edhe më i zoti se unë, më ishte hapur aq çiltërsisht.

Kështu po i hapesha edhe unë atij. Dhe atëbotë, nisa ta doja edhe më shumë atë, që deri atëherë e çmoja si mësues, në fushën e gazetarisë. Që atëherë, gjithashtu midis meje, e më pas edhe Vangjelit, nuk kishte të fshehta për çështje politike. Më pas ndodhi ajo që kishte parashikuar Fadili…!

Kohë të vështira…!

Në dhjetor të vitit 1961, për hir të së vërtetës, me nismën e Hrushovit u prishën marrëdhëniet midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Pikërisht, këtë ishte parashikuar Fadili. Veç të tjerash, filluan të largoheshin gratë sovjetike, e martuara me burra shqiptarë. Midis tyre, u largua edhe gruaja e Vangjel Lezhos.

Fadili, që kishte qenë në Bashkimin Sovjetik për herë të fundit në shtator të vitit 1960, tashmë kishte humbur edhe ai çdo shpresë, se do të shkonte përsëri në atë vend, ku kishte studiuar për katër vjet dhe ku pasur lidhje dashurie edhe me një vajzë estoneze.

Ndërkohë, gjendja në Radio-Tirana, si në çdo organ shtypi, zuri të bëhej e nderë. Në Radio, këtë e ashpërsonte edhe më shumë drejtori, Thanas Nano, i cili tashmë ishte kthyer në një censor të padurueshëm. U kritikuan emisione, gjoja me frymë liberale. Midis tyre edhe emisionet e Fadilit.

Kjo ndodhi tamam në kohën kur ai ishte bërë komunist e, kësisoj, duhej të reagonte, të bënte autokritikë. Madje jo vetëm kaq, por nuk duhej të shfaqte më, as një shenjë të ndikimit nga kultura perëndimore, as në veshje, gjë që binte në sy te ai, as të dëgjonte muzikë italiane. Për më tepër, të mos fliste në zyrë, as rusisht.

Një ditë, sekretari i partisë në Radio, madje e qortoi atë dhe mua që po flisnim në këtë gjuhë, duke theksuar se, kjo ishte gjuha e… Hrushovit. Dhe Fadili, nuk përtoi t’ia këpuste pa iu dridhur qerpiku, se kjo gjuhë, ishte edhe e Pushkinit dhe Leninit. Sekretari, pas këtij shpjegimi të thekur, nuk bëzani.

Lidhjen e Shqipërisë me Kinën e Mao Ce Dunit, gjatë bisedave qe bëja, Fadili e quante një aventurë të radhës që Enver Hoxha, e ndërmerrte për të shpëtuar përfundimisht atë vetë dhe Byronë Politike, që e ndiqte verbërisht.

Një here, më kujtoi një ngjarje me të vërtetë për të qeshur, që kishte ndodhur më 1957-ën, pra vitin e fundit të studimeve të tij në Leningrad:

“Një student kinez, siç duket për t‘u treguar atdhetar i flaktë, i bindi shokët me të cilët jetonte në konviktin tonë, që të blinin me kursimet e tyre, një traktor dhe të ndihmonin kësisoj bujqësinë kineze. Dhe shokët e tij, nga halli iu bindën këtij kokëkrisuri.

I shihja këta kinezë të gjorë, çdo ditë në mensën tone, të hanin çorbë me lakra dhe pa mish. Vëreja se tek hanim ne, dhe duhet thënë se ushqimi, sidomos për studentët e huaj, ishte i mirë, atyre sa nuk u shkonte lëng nga goja. Kjo ndodhte çdo drekë e darkë. Dhe kështu, dikur ata vërtet e blenë traktorin.

Doemos, ne dhe shokë studentë rusë e të vendeve të tjera, nga Lindja dhe Perëndimi, sa nuk i’a plasëm gazit, nga kjo bëmë e marrëzishme, aq më tepër kur pamë që, nga Moska në Leningrad, erdhën punonjës të ambasadës, që t’i përshëndetnin këta student, për këtë vepër kaq të rrallë atdhetare, në ndihmë të bujqësisë së vendit të tyre. Ja, pra me këtë vend me plot e plot kokëkrisur të tillë dogmatikë, që e adhurojnë Mao Ce Dunin si perëndi, do të lidhemi”, – përfundoi Fadili trishtueshëm.

Erdhi kështu fundi i dhjetorit i vitit 1962. Ishin ditët kur po bëheshin provat e Festivalit të Parë të Këngës në Radio Tirana, idenë e zhvillimit të të cilit, veç kompozitorëve Abdulla Grimci e Vath Çangu, që punonin në Radio, e kishte dhënë edhe Fadili. Madje ai, si njohës i muzikës, ishte caktuar edhe të bënte pjesë në jurinë e këtij festivali.

Mirëpo ndodhi një e papritur. Pikërisht, natën e parë, Fadili nuk u pa në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit (sot salla e Akademisë së Arteve të Bukura). Erdhi në zyrë të nesërmen në mëngjes, duke u justifikuar se papritur ishte sëmurë.

Arsyetim që u pranua, aq më tepër kur bëhej fjalë për një gazetar tashmë me personalitet, në shtypin tonë. (Vetëm pas arrestimit dhe procesit hetimor, doli në shesh e vërteta. Atë natë, Fadili me Vangjelin e shokë të tjerë, ishte orvatur të arratisej nga lumi i Bunës, por nuk kishte mundur).

Për këto synime të tij, pavarësisht nga besimi tepër i madh që kisha me të, unë nuk arrita të kuptoj gjë. Fadili, kurrë nuk m’u hap për këtë synim, as për veprimtarinë që kishte nisur me shokë të tjerë. Nuk mund të më besonte për një të fshehtë kaq të rëndësishme. Isha ende i ri për të.

Dija që shokë të tij të afërt, veç, Vangjelit ishin Robert Vullkani, i cili edhe ai kishte mbaruar bashkë me ta studimet për gazetari në Bashkimin Sovjetik, poeti ushtarak Trifon Xhagjika, Stavri Rafaeli, këngëtar i njohur e piktor në Teatrin e Operas e Baletit, vëllai i tij ushtarak, Thomai, e disa të tjerë.

Gjithçka do të kthjellohej më pas. Arrestimi pas një përpjekjeje për t’u arratisur. Në muajt e parë të vitit 1963, nëpër muret e disa rrugëve të Tiranës, u panë të ngjitura trakte që kishin këtë përmbajtje:.

“Qytetarë! Mos u besoni udhëheqësve tanë dogmatikë. Ata po e çojnë atdheun në katastrofë. Hoxha dhe Shehu, kanë humbur çdo ndjenjë humanitare. Demokracia është varrosur. Do të vijë ora jonë. Çdo qytetar i ndershëm, le të jetë gati. Nuk jemi vetëm. Liri të burgosurve politikë! Rroftë e vërteta! Komiteti Ilegal për Shpëtimin Kombëtar”.

Të them të drejtën, vetë nuk arrita të shoh asnjë trakt të tillë, sepse, ato u zhdukën në çast nga njerëzit e besuar të Sigurimit të Shtetit. Por kjo ngjarje, bëri bujë dhe për të u fol natyrisht nën zë, për javë të tëra.

Në një nga të dielat e para të korrikut të vitit 1963, një gazetar i Radios, me rastin e martesës së tij, na ftoi, ne, shokëve të redaksisë së kulturës, për urim në shtëpinë e tij. Më bëri përshtypje se, Fadili dhe Vangjeli munguan. Ishte një mungesë jo shumë e justifikuar, por gjithsesi, të nesërmen nuk e gjeta të arsyeshme ta pyesja Fadilin. Por edhe nuk pata kohë sepse, menjëherë na ra si bombë një lajm shumë tronditës. Në përpjekje për t’u arratisur nga Liqeni i Pogradecit, ishte kapur një grup, ku bënte pjesë edhe… Vangjel Lezho!

Nuk më shkoi ndërmend se, edhe Fadili mund të ishte përfshirë në këtë orvatje shumë të rrezikshme. Ndaj, duke përfituar nga besimi që më kishte dhënë në biseda, tashmë tepër të mprehta, një pasdite, kur u ndodha në ballkonin e zyrës, vetëm për vetëm me të, e pyeta rreth kësaj çështjeje, shumë të ndërlikuar.

M’u përgjigj se, nuk dinte asgjë të saktë. Madje shtoi se, sekretari i partisë së Radios, e kishte thirrur në një bisedë dhe i kishte thënë, të reflektonte rreth kësaj ngjarjeje, duke gjykuar se, Vangjelin e kishte shokun më të ngushtë.

“I shpjegova sekretarit të Partisë se Vangjeli, nuk më ka vënë kurrë në dijeni lidhur më këtë qëllim të tij”, më tha Fadili. Kaluan kështu tri javë, gjatë të cilave ai, dukej i qetë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Por të papriturat e tjera do të ndodhnin më datën 6 gusht. Ishte ditë e hënë dhe sipas orarit, në administratë punohej edhe pasdite.

Nuk di përse, por Fadili, dukej atë pasdite më i gjallë se herët e tjera. Si ngaherë, na tregoi barsoleta, të cilat i shoqëronte me gjestikulime, si të ishte aktor. Në orën tetë të mbrëmjes, lamë punën dhe zbritëm nga kati i katërt i ngrehinës së Radios, për të shkuar secili në shtëpinë e tij. Por në të dale, nëpunësi i rojës, që zakonisht ishte oficer i Ministrisë së Brendshme, e thirri të vinte brenda në zyrën e tij. Dhe Fadili, si u përshëndet me ne, ashtu bëri.

Nuk na shkoi ndërmend asgjë e keqe. Mirëpo të nesërmen, kur nuk kishim as dy orë që kishim nisur punën, përgjegjësi i redaksisë sonë, na erdhi në zyrë dhe na tha me shumë me rreptësi këto fjalë: “Siç e dini, para disa javësh është arrestuar Vangjeli. Mbrëmë u arrestua edhe Fadili”.

Mezi përmbajta një klithmë, gjë që nuk e bëri një daktilografiste, e cila sa nuk ulëriu, duke dëgjuar ato fjalë të mynxyrshme. “Pusho, – iu hakërrye shefi. – Mos të vika keq për këtë armik”?

Fadili armik?! I kujt…?! Ai, gazetari i talentuar, që më kishte folur aq shpesh për demokracinë, e cila i mungonte popullit tonë? Mirëpo pikërisht,ai ishte tashmë “armik i popullit”, domethënë, shtetit që mbronte jo popullin, por diktaturën.

Atë ditë, dhe më pas, në mjediset e Radios u krijua një gjendje e nderë. Brenda tri javësh, ishin arrestuar dy gazetarë, dy shokë, dy miq të ngushtë të mi, por edhe të të tjerëve. Midis tyre edhe të Pirro Naçes, siç kam theksuar më lart, njërit prej gazetarëve më të talentuar të Radio Tiranës, të cilin Fadili, e vlerësonte shumë.

Ai, ngaqë drejtori i Radio-Tiranës, Thanas Nano, vazhdonte të krijonte një atmosferë gjithnjë e më mbytëse për krijuesit, ishte detyruar që më 1961-in, të kalonte në revistën “Ylli”. Por, megjithatë, vazhdoi të ruante miqësinë me Fadilin.

Dhe duhet thënë se, Thanasit ato ditë, i shkonte buza vesh më vesh…! Për të, ishte hequr qafe një njeri që gjithmonë e kishte përçmuar me aftësitë e tij dhe me vlerat e krijimeve që ishin bërë të njohura, për dëgjuesit dhe lexuesit.

Gjatë atyre ditëve, thuajse të tërë mezi mbanin veten nga këto që kishin ndodhur. Mbi të gjitha, këto arrestime u kujtonin atyre arrestimin e Vehip Demit, edhe ai gazetar në Radio Tirana, dënuar pas ngjarjeve të Konferencës së Tiranës, më 1956-ën dhe më pas, vdekur prej torturash fizike e shpirtërore, në internim.

Po të kthehemi te shefi i redaksisë. Pasi na njoftoi për arrestimin e Fadilit, më urdhëroi të merresha me emisionin që ai kishte nisur të shkruante, i cili duhej të transmetohej të nesërmen. O zot, si mund të shkruaja, kur më dridheshin duart…?! Mirëpo ishte një gjë, që duhej ta bëja patjetër.

Hapa sirtarin e Fadilit dhe në një fletë të bardhë, më ranë menjëherë në sy këto fjalë, të shkruara me germa karakteristike të shkrimit të qartë të tij: “…Sonte, në emisionin “Universiteti Popullor i Radios”, në vazhdim të ciklit… do të dëgjoni një bisedë, kushtuar piktorit të njohur francez, Nikola Pusen…”!

Në ato çaste, ai sikur më drejtohej mua: “Vazhdo shkruaj miku im, mbaroje këtë emision të saponisur nga unë, se ne nuk dihet se kur do të shihemi…! Mbase kurrë…”! Gati m’u mbushën sytë me lot…!

U përfshiva atëherë edhe nga një ndjenjë e tmerrshme frike: mos ndoshta Fadili dhe Vangjeli, gjatë procesit hetimor, do t’u rrëfenin hetuesve, se kishin bërë me mua biseda, në të cilat kishim vjellë së bashku vrer, kundër Partisë së Punës dhe diktatorit Enver Hoxha, (të cilat i kam përmendur më sipër) e kështu do të më arrestonin edhe mua si armik?

Sa herë që shihja nëpër rrugët ku kaloja, ndonjë “GAZ 69-sh”, kujtoja se ai, do të ndalej dhe se ata të Sigurimit që ndodheshin brenda tij, do të dilnin si hije që të më arrestonin.

Në këtë gjendje ankthi, u ndodha deri në ditën kur filloi procesi gjyqësor kundër tyre. Vetëm atëherë u qetësova. Fadili dhe Vangjeli, me sa shihej, ishin treguar burra, ashtu siç u treguan edhe më pas dhe nuk u kishin rrëfyer hetuesve asgjë, rreth bisedave që kishin bërë prej vitesh me mua, kundër diktaturës komuniste. Memorie.al

                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/sekretari-i-partise-ne-radio-e-qortoi-ate-dhe-mua-qe-po-flisnim-rusisht-duke-theksuar-se-kjo-ishte-gjuha-e-hrushovit-por-fadil-kokomani-spertoi-kujtimet-e-gazetarit-d/