“Rrok Gera u caktua si i dërguar i Shqipërisë në Berlin, por ai nuk e mori këtë detyrë, pasi u emërua në krye të Financave ne qeverinë e…”/ Historia e panjohur e ministrit të Zogut

Nga Arben Pustina

Pjesa e tetëmbëdhjetë

                                             -Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –

Memorie.al / Ky shkrim synon të përcjellë te publiku imazhin e një njeriu perfekt, i cili jetoi në kohëra të tjera, por që ishte shembulli më i mirë, jo vetëm i asaj që mund të përfaqësojë një njeri i zakonshëm, por, në radhë të parë, si shembulli i një shtetari fisnik, të shquar, të gjithëdijshëm e, mbi të gjitha, të ndershëm. Duke pasur në gjene virtytet fisnike të prejardhjes së tij, duke u formuar si personalitet në një ambient të mrekullueshëm, siç ishte Shkodra e fillimit të shekullit XX-të, dhe duke u diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze të Europës, siç ishte ai i Vjenës, Rrok Gera kishte gjithë potencialin për të qenë një ndër figurat e rëndësishme, që i dhanë hov një zhvillimi të vrullshëm nëpërmjet reformave të gjithanshme në Shqipëri, në vitet ’30-të të shekullit të kaluar.

Ky zhvillim arriti kulmin me qeverinë e Mehdi Frashërit, e cilësuar ndoshta si qeveria shqiptare më e mirë e të gjitha kohërave, e formuar në pjesën më të madhe nga persona jopolitikë, mes të cilëve ishte edhe Rrok Gera. Për 10 vjet, apo më shumë, si ministër apo në funksione të tjera të larta shtetërore, ai punoi me bindje se po ecej në rrugë të drejtë për konsolidimin e shtetit shqiptar, proces për të cilin thoshte se nuk kishte kohë për të humbur.  Ekonomist, financier, diplomat, jurist, Gera ishte një specialist që çau përpara drejt majave me profesionalizmin e tij në një ambient ku tarafet e vjetra, që ishin pothuaj mbizotëruese në politikë e në qeverisje, erdhën duke humbur terren përballë njerëzve të rinj e të arsimuar mirë.

                                                            Vijon nga numri i kaluar

RROK GERA NË PERIUDHËN E PUSHTIMIT TË VENDIT, 1939-1944

Pakënaqësinë e gjermanëve e pohon Hubert Neuwirth, i cili, në veprën e tij “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri, 1939-1944”, shkruan se: “…gjermanëve nuk u pëlqeu zgjerimi i qeverisë me forca zogiste, madje ata prisnin që, ndonjë ditë, grupi i fuqishëm nacionalist nën drejtimin e Dines, herët a vonë mund t’i luftonin hapur gjermanët, si armiq”. Po ashtu, edhe historiani Christoph Stamm, thekson se shqiptarët nuk kishin njoftuar më parë autoritetet gjermane për formimin e qeverisë së re, dhe se për Schliep ishte e qartë se Mehdi Frashëri donte t’i vinte gjermanët para një ‘fait acompli’. Gjermanët u zemëruan edhe sepse për krijimin e kabinetit të ri, Kryeministri i ri dhe Mehdi Frashëri, nxorën nga loja Xhafer Devën, duke i’u kundërvënë fort insistimit të gjermanëve, të cilët kërkonin që në qeverinë e re, të përfaqësohej edhe Balli Kombëtar dhe Kosova.

Ky fakt është theksuar edhe nga Shërbimi Inteligjent Aleat. Duke reaguar për krijimin e qeverisë së re, i dërguari special i Gjermanisë për Europën Juglindore, Neubacher, në telegramin e datës 21 korrik 1944, dërguar Konsullatës së Përgjithshme të Gjermanisë në Tiranë, shkruante se: duhej t’u bëhej e ditur autoriteteve shqiptare se gjermanët nuk mund të lejonin që të viheshin para fakteve të kryera: “…Lutemi t’ua bëni të qartë instancave kompetente shqiptare se ne, nga çdo udhëheqje shtetërore shqiptare, duhet të kërkojmë që të pranohet fakti se ushtria gjermane është e vetmja forcë e rregullt e armatosur në Shqipëri. Gjithçka që ka ndodhur kohëve të fundit në rrugët e ekzistimit të shtetit shqiptar, duhet ndërlidhur patjetër me prezencën tonë në këtë vend. Nga ky fakt është e kuptueshme kërkesa gjermane, që rreth çështjes së riorganizimit të qeverisë, nuk duhet të vihemi para akteve të kryera. Gjatë ndryshimeve personale në aparatin e qeverisë, ne duhet të ruajmë të drejtën e mendimit në raport ndaj çdo personaliteti, lojaliteti i të cilit do të mund të ishte i rëndësishëm për ne”.

Një tjetër dëshmi që vërteton se zgjidhja e krizës qeveritare në Shqipëri erdhi pa ndërhyrjen e gjermanëve, vjen përsëri nga vetë Neubacher, këtë radhë nëpërmjet kujtimeve të tij për Ballkanin: “…përjetova tri javë të një krize qeveritare shqiptare të cilën nuk do ta harroj kurrë. Prej këtij çasti e më pas, ne nuk rekomanduam asnjë kandidat. Ditë pas dite bëheshin kombinime të reja, informata, kundërinformata, ndikime, kundërndikime. Kusarët e famshëm të politikës nxorën kokën dhe prezantoheshin në shtëpinë e bukur përdhese ku kisha vendosur shtabin në Tiranë. Miq të nderuar erdhën në qytet dhe me truprojet e tyre, qëndruan në hotelin e bukur “Dajti”, të ngritur nga italianët, në mënyrë që të ishin në afërsi, kur Ministri i ri i Financave të merrte në dorëzim postin. Pushkët dhe automatikët e mirëvajisur të rojeve të këtyre dinjitarëve i jepnin hotelit një pamje luftarake. Përfundimisht, u shtira sikur i kisha humbur krejt shpresat për zgjidhje të shpejtë dhe u largova nga vendi me avion, pa i thënë askujt lamtumirë. Nuk e di nëse ky gjest pati ndikim mbi gjendjen, por pak pas ikjes sime, më i pafavorizuari i të gjithëve, e mori postin: Fiqri Dine, një djalë nga Dibra. Ai kishte lidhje të mira me Abaz Kupin, shtabi i të cilit ishte nën kontrollin britanik…”.

Në ndonjë rast është shkruar se Rrok Gera ka shërbyer gjatë 1944-ës si i dërguar i Shqipërisë në Berlin, por kjo nuk qëndron dhe për këtë le të ndjekim rrjedhën e ngjarjeve: Duke qenë të interesuar të kishin siguri gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, gjermanët lanë në duart e shqiptarëve shumë gjëra dhe si një shenjë të kësaj tendence për politikë neutraliteti, në pranverën e 1944-ës ata menduan të ngrinin statusin e konsullit të përgjithshëm në Shqipëri, në nivelin e ambasadorit. Pasi u mor vendimi përkatës, në postin e të dërguarit të Shqipërisë në Berlin u emërua Rrok Gera, por, siç pohon edhe Bernd Fisher, Gera nuk e mori kurrë de facto këtë detyrë, pasi më 18 korrik, ai u emërua në postin e ministrit të Financave. Edhe Christoph Stamm pohon se: “…më 12 korrik 1944, Agjencia Gjermane e Lajmeve bëri të ditur se qeveria e Reich-ut, kishte vendosur “formalisht” marrëdhënie diplomatike me qeverinë e Shqipërisë, me synimin për të thelluar më tej marrëdhëniet miqësore. Schliep u caktua i dërguari i Gjermanisë në Tiranë, dhe Rrok Gera u caktua si i dërguar i Shqipërisë në Berlin, por është e qartë se ai nuk e mori këtë detyrë”.

Pavarësisht qëndrimit të gjermanëve, autoritetet shqiptare vazhduan edhe më tej të ishin këmbëngulës në qëndrimin e tyre për të shkëputur sa më shumë pushtetet nga gjermanët. Një fakt tjetër i rëndësishëm është edhe vendimi i Këshillit të Naltë, i datës 9 gusht 1944, që, nisur nga një propozim i qeverisë, i kalonte kryeministrit të gjitha kompetencat e Forcave të Armatosura në Shqipëri: “…tue marrë parasysh se, formacione të ndryshme me karakter subversiv, të udhëhequna nga interesa të kundërta me interesat t’ona kombëtare, me armë në dorë, po ven në rrezik rendin publik, qenjen dhe ardhmënin e Shqipnisë, tue u bazuem në nenet 169 dhe 177 të Statusit Themeltar, vendosi:

1.Që të tana fuqitë e armatosuna të Shtetit të përqendrohen në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, e cila për këtë rast, merr titullin Komanda e P. e Fuqive Vepruese dhe lidhet drejt për së drejti me Kryeministrin për të gjitha efektet e këtyne veprimeve; tue ngelun të paprekuna prerogativat e Këshillit të Naltë, përsa i përket jerarkisë disiplinore të këtyne forcave. 2. Autorizon Qeverinë që, për realizimin e veprimeve të qetësimit, të marrë të gjitha masat që do të quhen të nevojshme dhe të pregatisë ligjet përkatëse e, sidomos nji Projekt[1]Ligjë për mbrojtjen e Shtetit, dispozitat e së cilës të mbrojnë tanësin toksore, politik, shoqnuer, ekonomik dhe financjar të Shtetit”. Edhe ky vendim i mësipërm, sipas Neuwirth, “u mor pa u biseduar paraprakisht me gjermanët e zemëruar”. Por krahas politikës, mjaft të mprehta ishin problemet ekonomike e financiare të vendit. Dy javë pas marrjes së detyrës së ministrit të Financave, më 3 gusht 1944, Rrok Gera i përcolli Kryeministrit Dine, project-buxhetin për ushtrimin financiar që përfshinte një periudhë nëntëmujore: nga 1 korriku 1944 deri më 31 mars 1945.

Në këtë projekt, parashikimi për të ardhurat shkonte në rreth fr. shqip. 106.000.000, ndërsa shpenzimet për administratën civile e atë ushtarake, arrinin në total në fr. shqip. 176.000.000. Ministri Gera vërente ndërkohë, se kishte një shumë të madhe për t’u paguar nga qeveria e mëparshme ndaj Bankës Kombëtare të Shqipërisë si dhe duhej të llogaritej edhe fakti që Financa e Shtetit, ndodhej afro dy-tre muaj mbrapa me pagesa që, së bashku me ato të Bankës, shkonin në rreth 36.000.000 fr. shqip. Në këtë mënyrë, deficiti në total, i parashikuar për buxhetin 1944-1945, arrinte në fr. shqip 96.000.000. Në letrën rezervate të Gerës, drejtuar Kryeministrit Dine, nuk gjejmë thjesht tabela shifrash buxhetore, por shohim të pasqyruar një situatë katastrofike të financave shqiptare, situatë që e kishte shokuar edhe vetë ministrin, të cilit, kur kishte pranuar detyrën, as që i kishte shkuar ndër mend se punët do të ishin kaq keq. Shumë lehtë, gjithkujt mund t’i shkojë mendja se shkak për këtë do të ishte situata e luftës, por në letrën e ministrit të financave, lufta si faktor me ndikim negativ përmendej shkarazi, vetëm një herë.

Sipas Rrok Gerës, situata e financave të shtetit shqiptar duhej të ndryshonte menjëherë, përndryshe rrezikohej të kalohej në një anarki të plotë: “…Po të mbahet nji situatë financiare e tillë, Financa e Shtetit, e cila sot ndodhet afro dy muej mbrapa me pagesa (mesatarisht), kështu e mbasandej do t’niste me u largue edhe ma nga mundësija me i ba ballë këtyne pagesave. Rrjedhojat do të ishin katastrofale, sepse do t’shtojshin abuzimet n’administratë, aparati i sigurimit publik do t’u keqpërdoronte nga vetë agjentat e këtij sigurimi e kështu, ballë nji gjendjes së mbrendshme tepër të zorshme, do të kishim anarshinë ma të plotë. Si shkaqe për situatën e keqe financiare, Rrok Gera përcaktonte në radhë të parë mentalitetin që kishin në atë kohë administrata civile dhe ajo ushtarake për shpenzime të mëdha dhe për struktura të fryra, ndërkohë që taksapaguesit ruanin mendësinë tradicionale për të paguar sa më pak taksa, pavarësisht mundësive që kishin:

“…Mentaliteti i administratorve civilë e ushtarakë qi nuk diftojnë asnji vullnet të mirë për kursime: çdo nëpunës e çdo oficjer don me ruejt me çdo kusht kjoft, pozitën e tij, sado qi t’a shofin se shërbimi i tij nuk asht sot i domosdoshëm, ashtu çdo kryetar administrate, mbron gjendjen e krijueme rreth tij, sado e pavlefshme (ose të paktën jo e domosdoshme) të jetë ajo administratë. Manija mandej e çdo administratori me dyfishue, trefishue e shumëfishue administratën e tij, në nji kohë që për mirëvazhdimin e punës, do të mjaftojshim gjysma, e treta e në disa raste edhe e dheta e personelit të mirë. Nëpunësit e ushtarakët e mirë mbi të cilët randon nji barrë e rande punimi, shpeshherë e lidhun edhe me rrezik jete, shofin kështu nji turmë kolegësh qi pa famë e pa mundë, gëzojnë shpeshherë rroga, shpërblime e shërbime ma se të privilegjueme.

Ky fakt ka shtue e shton imoralitetin si dhe shkatron administratën. Po ky fakt që relatova ma nalt ka prishë shumë edhe moralitetin e bashkadhanësit, i cili, po pyet vetveten: a po paguej edhe un në proporcjon me fuqin paguese të shoqit t’em? A asht e drejtë me pague un për nëpunës e shërbime jo të domosdoshme? Ashtu edhe po ky bashkadhanës, pretendon që t’i jepet të paktën minimumi i sigurisë e i qetësisë. Natyrisht, bashkadhanësi asht edhe i influencuem nga kriza shoqnore, ekonomike e politike që po kalojmë, përveç mendësisë tradicjonale që ka; me pague taksa sa ma pak. Propaganda e elementave që janë kundërshtar të autoritetit shtetnor, asht e madhe edhe në këte drejtim. Kemi pra nga nji anë Administratën me mendësinë e sajë të manisë së shpenzimeve, në kundërshtim me mendësinë e bashkadhanësit që nuk don me pague”.

Sipas ministrit Gera, situata e rëndë financiare në vend kishte dhe disa shkaqe të tjera:…“Situata bahet edhe ma e vështirë sepse Qeveria, tesh 9 muej nuk ka marrë asnji masë me rregullue gjendjen e ish-konçesioneve të huaja në Shqipni e kështu nga ky burim, nuk kemi as të ardhuna as edhe njoftime të sakta. Duhet të kemi parasyshë edhe se Protokollet e Beogradit, tue kenë e parregullueme gjendja e Bankës Kombëtare të Shqipnis, nuk janë zbatue dot plotësisht e as nuk zbatohen dot plotësisht nga mungesa e banknotave, e kështu nga mungesa e likuiditetit të Bankës në fjalë, kemi mandej edhe nga kjo anë, ankesa e kundramasa. Faktorë të rrezikshëm për Financat e Shtetit janë ndërhyrjet e Instituteve e t’Enteve të ndryshme që me ligj e pa ligj, vërtetojnë, nxjerrin e shpenzojnë të ardhuna të ndryshme që nuk kalojnë nëpër budget të shtetit e kështu nuk i shtrohen asnji kontrolli, as për sa u përket nxjerrjeve e as shpenzimeve.

Favoret e krijueme ma parë në favor të disa personave të grupeve që kërkojnë letër cingareje, krypë etj., jashtë rregullave ligjore në fuqi, trondisin dhe këto, bazën e të ardhunave shtetnore. Në këto rrethana e ndjej për detyrë t’u paraqes Shkëlqesis s’Uej, se Dikasteri i Financavet që asht nji aparat kaq delikat, nuk asht pajisë mirë as me personelin kryesuer që ndihmon Ministrin as me personelin e inspektimeve që duhet të jenë shum të denduna e të veshuna me mundësitë me mobilizue gjith autoritetin shtetnuer, me vërtetue e me nxjerrë me rregull e pa kompromise t’ardhunat e shtetit, në bazë të ligjeve që janë e kan me ken në fuqi”.

Edhe më tej, ministri Gera ankohej se krejt ndryshe nga gjendja në të cilën e kishte lënë administratën para 5 vitesh, kur për shkak të pushtimit italian ishte larguar nga qeveria, në atë fundkorriku të 1944-ës, ai kishte gjetur në Ministrinë e Financave një personel të paaftë, të cilit i’u deshën rreth dy javë për t’i paraqitur ministrit një raport të gjendjes së përgjithshme financiare, megjithëse kërkoheshin ritme të larta pune, pasi buxheti duhej të kishte qenë gati që më 1 korrik, që do të thotë një muaj më parë. Por nuk ishte vetëm kjo. Ministri i financave çuditej dhe ankohej se nuk e linin të qetë, ditën dhe natën, një numër shumë i madh personash të ndryshëm të cilët kërkonin prej tij, drejtpërdrejt apo nëpërmjet miqsh, transferime, likuidime pagesash të prapambetura, rritje pagash, ulje taksash e tatimesh, kërkonin t’u jepej mundësia për të blerë ar nga sasitë që ushtria gjermane kishte vënë në shitje nëpërmjet BKSh-së etj., etj.

Në këto rrethana, Rrok Gera i parashtronte Kryeministrit Dine, nevojën e menjëhershme për marrjen e masave radikale, realizimi i të cilave do të mund ta përmirësonte situatën e Financave të Shtetit, ndoshta brenda tre muajve, por kjo me kusht që Autoriteti Financiar të kishte mbështetjen e plotë të Autoritetit Shtetëror: “…Problemi prandaj paraqitet shum i ngutshëm për: a) masa të shpejta radikale kursimesh n’Administratën civile e ushtarake. b) masa të shpejta e radikale për të shtuemit e t’ardhunave shtetnore dhe nxjerrjen e atyne në fuqi. c) zgjidhjen e problemit të Bankës Kombëtare të Shqipnis e të koncesioneve të huaja. d) pajisjen e Financës me Organet e autoritetin e nevojshëm për sigurimin e nji shërbimit ma të përsosun. e) koordinimin e t’ardhunave e të shpenzimeve të enteve e të grupeve të ndryshme që mendojnë që t’evitohet anarkija fiskale.

Due të theksoj për hirë të së vërtetës, se i nënshkruemi tue ken në mungesë tesh 5 vjet nga administrata, nuk kishte njoftjen e kjartë të fakteve të naltpërmenduna. Po për hirë të kësaj të vërtete due të theksoj se n’asht se m’u deshën dy javë me marrë nji njoftim të përciptë të kësajë gjendjeje, në kohën e shkurtë me të cilën duhet të veprohet e në rrethana ndërhyrjesh që nuk më lanë të qetë as ditë as natë, marrja e nji farë rendi në këte situatë, do të donte nji kohë prej të paktën tre muejsh, me kusht që autoriteti financjar të ketë mbështetjen e shpejt e t’pakondicjonueme t’autoritetit shtetnuer e të gjith personave që duen e do të mbështesin rendin publik, nga i cili ma në fund, mund të shpëtohet situata e Kombit. Në kohna të vështira si këto, duhet të shtoj se financa ka nevojë urgjente me pasë edhe nji fond rezervë të randësishëm me i ba ballë shpenzimeve të jashtëzakonshme që kan me u vërtetue ne lidhje me gjendjen e mrendshme dhe të luftës”.

Edhe në letrën e Rrok Gerës, drejtuar Kryetarit të Këshillit të Lartë Mehdi Frashëri, më 9 gusht 1944 (cituar edhe pak më lart), përshkruhet po ajo situatë e zymtë, sidomos sa i takonte gjendjes së administratës shqiptare: “…në këto tri javë në të cilat aktiviteti i em i asht kushtue studimit të gjith situatës financjare, kam ardhë në nji përfundim tepër t’idhët: Shteti Shqiptar ka nji aparat administrativ e ushtarak qi asht në disproporcjon flagrant me mundësitë e kontribucjonit të Vendit…”! “…nga ky studim, Shkëlqesi, detajet e të cilit nuk asht rasti t’i shoshis në këtë shkresë, kam formue bindje se Shteti Shqypëtar vuen nën barrën e randë të nji Administratës kolosale, të ndërtueme ndoshta me nji qëllim djallëzuer të gjith atyne që duen o deshtën me dhanë provën e pamundësisë së qindrimit të këtij Shtetit me mjetet e veta…”! Memorie.al

                                                            Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

 Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/rrok-gera-u-caktua-si-i-derguar-i-shqiperise-ne-berlin-por-ai-nuk-e-mori-kete-detyre-pasi-u-emerua-ne-krye-te-financave-ne-qeverine-e-historia-e-panjohur-e-ministrit-te-z/