“Rifati thotë se Gaqo është i dhënë pas interesit personal, ai dërgon veshje në Shqipëri dhe…”/ Viti 1970, relacioni sekret për ambasadën në Algjer

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1970 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhet një korrespodencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, me relacione, raporte, letra, udhëzime, informacione, etj., në të cilat bëhet fjalë lidhur me problemet që kishin dalë, në disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në shtete të ndryshme të botës. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një raport-informacion i hartuar nga diplomati Astrit Mero, i cili u bën me dije eprorëve të tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë pranë Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me kontradiktat dhe konfliktet e ashpra, që kishin ndodhur në ambasadën shqiptare në Algjer, ndërmjet diplomatëve Rifat Dedja, Gaqo Totokoçi, Petrit Mezezi, Jonuz Luto, etj.,

 

Dokumenti i hartuar nga diplomati Astrit Mero, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me kontradiktat dhe konfliktet e vazhdueshme ndërmjet disa diplomatëve në ambasadën shqiptare të Algjerit

 

RRETH MOSMARRËVESHJEVE DHE GRINDJEVE MIDIS SHOKËVE RIFAT DEDJA DHE GAQO TOTOKOÇI

Mosmarrëveshjet dhe grindjet midis shokëve Rifat Dedja dhe Gaqo Totokoçi, kanë dalë në pah në muajt Shkurt-Mars të vitit 1969, gjatë analizës së punës në përfaqësi. Pastaj këto, u shtruan në mbledhjen e organizatës bazë në Prill të vitit 1969. Në këtë mbledhje ashtu si edhe më vonë Rifati, e kritikon Gaqon për këto arsye:

  1. Është njeri shumë i dhënë pas interesit personal. Për këtë ai, i përmend disa fakte ku ndër të tjera veçon, dërgim veshjesh në Shqipëri, çështjen e pensionit të nënës së tij, etj.
  2. Njëherë dogana algjeriane, kishte mbajtur mostrat e tekstileve që Ministria e Tregtisë i kishte dërguar përfaqësisë për tregtim në Algjeri. Kishte shkuar shoferi për t’i tërhequr, por nuk ja kishin dhënë. Atëherë, Rifati i thotë Gaqos që, të shkonte vetë e t’i merrte. Ai në fillim refuzoi, duke thënë se nuk ishte detyra e atij që t’i merrte, por e shoferit. Por në fund, u bind dhe shkoi.
  3. Një herë tjetër Rifati, donte të bisedonte me Gaqon për çështjen e një radiogrami mbi vizitën e Podgornit në Marok. E lajmëroi me shifrantin, por mbasi priti mbi një çerek ore, dhe ai nuk shkoi, ky zbriti vetë në zyrën e Gaqos, pa i thënë gjë. Ky, i kërkoi të falur që nuk kishte shkuar, pasi kishte disa gjëra nëpër duar.
  4. Gaqo, kishte kërkuar takim me Drejtorin e Bibliotekës për të marrë disa libra që i duheshin Rifatit për studim, por pa pyetur për këtë më parë Rifatin.
  5. Kur Rifati, kishte anuluar një radiogram të Gaqos për disa çështje, këtij të fundit nuk i erdhi mirë, dhe ju shpreh se: kjo gjë nuk ka logjikë.
  6. Kur Rifati dhe Gaqo, kanë qenë për takim tek rumuni, Gaqo nuk kishte marrë shënime nga biseda, edhe pse ishte porositur nga Rifati.
  7. I zvarrit shumë gjërat dhe me këtë rast, kishte vonuar vendosjen e foto ekspozitës së përfaqësisë.
  8. Nuk tregon interes për të lexuar dhe dëgjuar radion.
  9. Si Zv/Sekretar i Organizatës Bazë të Partisë, nuk ka kontribuar në mbarëvajtjen e punës.
  10. Kur Gaqo, kthehet nga takimet nuk e informon gjithnjë Rifatin.
  11. Kur kanë qenë që të dy nëpër pritje të ndryshme, disa herë Gaqo e ka lënë vetëm Rifatin. Ndërsa gjatë një bisede me një diplomat të huaj Gaqo, e ka spostuar bisedën në një temë tjetër.
  12. Kur kanë shkuar njëherë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për një dokument, Gaqo nuk ka dashur që ta mbajë çantën me dokumente, duke e konsideruar këtë gjë si një fodullëk të Rifatit.

Gaqo, nuk pranon pothuajse asgjë nga këto probleme që ka ngritur Rifati. Disa i hedh poshtë kategorikisht, ndërsa të tjerat i zbut e i justifikon. Por edhe shokët e kanë kritikuar atë për ngadalësi në punë si dhe për zvarritjen e gjërave. E kanë kritikuar gjithashtu edhe mungesë kurajoje.

Në 24 Nëntor 1969, është zhvilluar përsëri mbledhja e Organizatës Bazë të Partisë, për grindjet që kishin plasur midis tyre. Çështja ishte se Rifati, do të shkonte për të biseduar me homologun bullgar.

Gaqo si gjithnjë shkoi tek makina por Rifati, i thotë se nuk është nevoja që të vish. Atëherë Gaqo iku. Të nesërmen shkoi që ta bisedonte çështjen me Rifatin, për të vendosur sesi duhej vepruar (për këtë mendoj se ka të drejtë). Por, siç e shpjegon Rifati, Gaqo i shkoi në zyrë pa i thënë mirëmëngjesi, pasi as unë nuk i them.

Pasi biseduan ca çështje të punës ai, i ngriti çështjen e shoqërimit të tij nëpër takime, që kjo të zgjidhej. Kur Rifati i tha që: ti në disa raste më ke lënë vetëm nëpër takime pune, Gaqo ju përgjigj që këto ishin shpifje dhe arriti puna sa Rifati ta nxirrte Gaqon nga zyra përjashta.

Në këtë mbledhje nuk u mor asnjë vendim se, s’kish kush ta merrte për vetë kushtet e asaj organizate. U njoftuan për gjendjen, Komiteti Qendror dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Nga ana tjetër Gaqo, kishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, që të kthehej për në Shqipëri, pasi qëndrimi i tij atje, ishte bërë i padurueshëm.

Është zor që të vërtetohen të gjitha kritikat që i adresohen Gaqos. Mund të mos jenë të gjitha të vërteta, por një pjesë e realitetit është brenda tyre.

1 – Edhe në mbledhjen që ishim ne, doli se Gaqo, i kishte grumbulluar gjërat për Rifatin, në një formë të mbyllur, siç e kritikuan edhe shokët e tjerë.

2 – Në punët e Organizatës Bazë të Partisë ai, nuk ka dhënë ndihmesën e duhur si Zv/Sekretar. Ndoshta ngaqë ka qenë i pakënaqur që, nuk u zgjodh Sekretar në vitin 1968.

3 – Si Gaqo ashtu edhe Rifati, i kanë përdorur mbledhjet e Organizatës Bazë, për interesat e tyre dhe për këtë gjë ata mbajnë një përgjegjësi të rëndë. Ata, e shndërruan organizatën nga një institucion edukimi, në një vend ku zhvilloheshin akuza të ndërsjellta. Në këtë organizatë, nuk u morën kurrë vendime.

                           Astrit Mero

                            13.2.1970

Mbi disa çështje që dalin nga mbledhja e Organizatës Bazë të Partisë, për shokun Rifat Dedja 

Shoku Rifat, nuk ka pasur marrëdhënie të mira shoqërore me shokët Petrit Mëzezi, Gaqo Totokoçi, dhe Jonuz Luto (ish-shofer i ambasadës).

1 – Me Petrit Mëzezin, mosmarrëveshjet, filluan për çështje pune dhe më pas përfunduan në rrafshin personal, duke kaluar në ofeza si: gënjeshtar, arrogant, mendjemadh, etj.

Kurse Petriti, e kritikonte Refatin se ky, nuk i përfillte mendimet e tij, si dhe nuk bënte mbledhje për t’u konsultuar për zgjidhjen e problemeve të ndryshme.

2 – Me Jonuz Luton, Rifati nuk fliste pasi, kishte bërë fjalë me gruan e tij. Unë, kishte deklaruar në mbledhje Rifati, atij nuk i thoja as mirmëngjesi dhe as mirëmbrëma. Dhe as kam për t’ja thënë kurrë këto, pasi ky ka një sjellje prej rrugaçi.

3 – Edhe me Gaqo Totokoçin, filluan grindjet dhe mosmarrëveshjet po në të njëjtin terren. Duke krijuar opinionin se, Gaqo nuk kishte respekt për të Rifati, njëherë e nxori nga zyra, pasi më parë kishte bërë një debat të ashpër me njëri tjetrin.

Edhe në Organizatën Bazë të Partisë, ishte krijuar një gjendje e nderë për shkak të mosmarrëveshjeve midis Rifatit dhe Gaqos. Organizata, ishte shndërruar kryesisht një vend që merrej me grindjet ndërmjet këtyre të dyve.

Gaqo, e ka kritikuar Rifatin, sepse ai niset nga qëllimi për ta diskretituar atë. Ai, në marrëdhëniet me shokët, ka mungesë takti, dhe bën dallime midis tyre, duke u sjellë me arrogancë.

Mban nëpër gojë njerëzit që nuk punojnë më aty, dhe deklaron që po të mora unë inat, nuk të shoh më me sy. Në bisedat me diplomatët e huaj, ka pasur raste që ka bërë dhe gabime politike. Ai, është i dhënë pas veshjeve dhe këtë ja kanë vënë në dukje dhe diplomatët e huaj, (konkretisht ambasadori italian).

Me gjithë të metat që kanë pasur këta shokë, si çdo njeri në punën e vet, Rifati nuk ka ditur që të punojë me ta, t’i mbajë afër, të konsultohet me ta, etj. Në disa raste qëndrimet e tij ndaj shokut Gaqo, nuk kanë qenë korrekte e shoqërore.

Kur shoku Gaqo, bëhej gati në një rast që të shkonte me të në një pritje, pasi hipin në makinë ky, i thotë që s’ke nevojë që të vish me mua atje, ose dhe rasti, kur e nxori nga zyra, etj. Memorie.al

8.6.1970

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/letra-per-komitetin-qendror-rifati-thote-se-gaqo-eshte-i-dhene-pas-interesit-personal-ai-dergon-veshje-ne-shqiperi-dhe-viti-1970-relacioni-sekret-per-ambasaden-ne-algjer/