# “Regjimet komuniste, shkaktuan 18 milion viktima në të gjithë botën, më shumë se të dy luftrat botërore, të marra së bashku, kurse në Shqipëri….”?! / Refleksionet e ish-të burgosurit politik

**URL:** <https://fol.fs.al/t/regjimet-komuniste-shkaktuan-18-milion-viktima-ne-te-gjithe-boten-me-shume-se-te-dy-luftrat-boterore-te-marra-se-bashku-kurse-ne-shqiperi-refleksionet-e-ish-te-burgosurit-politik/3383>\
**Category:** Memorie.al\
**Created:** [July 20, 2023, 10:51pm UTC](https://fol.fs.al/t/regjimet-komuniste-shkaktuan-18-milion-viktima-ne-te-gjithe-boten-me-shume-se-te-dy-luftrat-boterore-te-marra-se-bashku-kurse-ne-shqiperi-refleksionet-e-ish-te-burgosurit-politik/3383 "2023-07-20T22:51:37Z")\
**Posts on this page:** 1\
**Page:** 1

<div class="post-metadata">

**Author:** ![memorie.al](https://fol.fs.al/user_avatar/fol.fs.al/memorie.al/32/16_2.png) [@memorie.al](https://fol.fs.al/u/memorie.al)\
**Post date:** [July 20, 2023, 10:51pm UTC](https://fol.fs.al/t/regjimet-komuniste-shkaktuan-18-milion-viktima-ne-te-gjithe-boten-me-shume-se-te-dy-luftrat-boterore-te-marra-se-bashku-kurse-ne-shqiperi-refleksionet-e-ish-te-burgosurit-politik/3383/1 "2023-07-20T22:51:37Z")

</div>

**Nga Reshat KRIPA**

[**_Memorie.al/_**](http://Memorie.al) **“Fjalë Imzot, vetëm fjalë”! Kjo shprehje e të madhit Uilliam Shekspir m’u kujtua më 27 janar 2013 në ditën e gjenocidit komunist në Shqipëri. Me vendim të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, qysh në vitin 2004, data 27 janar, është caktuar si; ‘Dita e gjenocidit nazist kundër hebrejve’. Lidhur me këtë, Parlamenti Shqipërisë, hartoi një rezolutë ku solidarizohej me të dhe, njëkohësisht, në një pikë të saj, e shpallte edhe si ‘Ditën e gjenocidit komunist’. Ky ishte një vendim i drejtë i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.**

Para syve m’u shfaq gjenocidi që ka ushtruar regjimi komunist mbi popullsinë civile. Mjafton t’i hedhim një sy librit; “Jashtë kontrollit”, të personalitetit të njohur amerikan Zbigniev Brzhezhinskij, për të kuptuar gjithçka! Në këtë libër, jepet një pasqyrë e plotë e këtyre krimeve, të kryera gjatë shekullit të XX-të, që autori e quan “Shekulli i megavdekjes”. Ai bën, gjithashtu, edhe krahasimin e këtyre shifrave, me atë të viktimave të dy luftërave botërore.

Le t’u hedhim një vështrim shifrave të viktimave civile:

**Lufta e Parë Botërore&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; 13 milion**

**Lufta e Dytë Botërore&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; 35&nbsp; &nbsp; “**

**Gjithsej&nbsp;dy luftërat&nbsp;botërore&nbsp; &nbsp; &nbsp;48** &nbsp; &nbsp; **“**

Ndërsa viktimat e shkaktuara nga sistemi komunist gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij janë:

**Nga Lenini&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp;8&nbsp; milion**

**Nga Stalini&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp;25&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp; „**

**Nga Mao Ce Duni&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp;29&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp; „**

**Nga Pol Poti&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp;1&nbsp; &nbsp; &nbsp; „**

**Nga diktatorët e Evropës&nbsp;Lindore&nbsp; &nbsp; &nbsp; 3** &nbsp; &nbsp; &nbsp; **„**

**Gjithsej**** &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; 66&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp; „**

Vini veshin! Sistemi komunist, shkaktoi 18 milion viktima, më shumë se të dy luftërat botërore së bashku. Por, ndërsa viktimat e luftërave botërore, u shkaktuan nga bombardimet e të tjera në kushte lufte, viktimat e komunizmit, erdhën si pasojë e gjenocidit të ushtruar drejtpërdrejt mbi popullsinë civile, me cinizëm dhe gjakftohtësi, në kushte paqeje, vetëm e vetëm sepse dikush mendonte ndryshe nga diktatorët që sundonin në këto vende.

Për të parë përmasat e këtij gjenocidi, le t’i referohemi të dhënave të tjera të këtij libri, mbi disa prej masakrave më të njohura,&nbsp;të ushtruar në ish-Bashkimin Sovjetik:

Në Bashkimin Sovjetik, 1 milion të ekzekutuar në fund të viteve ‘20-të

1 milion të ekzekutuar dhe 2 milion të vdekur, në kampet e punës së detyruar, vetëm gjatë viteve 1937-1938.

7 milion fshatarë të vdekur, gjatë procesit të kolektivizimit.

360.000 robër lufte, të vdekur nga konditat e këqija.

140.000 ushtarë polakë, të ekzekutuar.

20.000 &nbsp;oficerë polakë, të ekzekutuar afër Minskut, zbuluar në fundin e viteve ‘80-të

14.736 oficerë polakë, të ekzekutuar&nbsp;më 5 mars 1940, me urdhër të Berias, shefit të KGVD-së dhe të miratuara nga vetë Stalini si&nbsp; edhe&nbsp;10.685 të&nbsp;burgosur&nbsp;të tjerë politik, 15.000 oficerë të tjerë polakë, të ekzekutuar në pyllin e Katinit.

Ju lutem, zotërinj, mos thoni se edhe zoti Brzhezhinskij gënjen ose shpif në këtë libër!

Le t’i kthehemi tani të dhënave mbi krimet e komunizmit të kryera në vendin tonë, të nxjerra nga arshiva e Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë:

1. **Të ekzekutuar&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp;6.023&nbsp;&nbsp;&nbsp; veta**
2. **Të vdekur në burg&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; 1.065&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; “**
3. **Të burgosur&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; 17.300&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp;“**
4. **Të sëmurë mendorë&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; 260&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp;“**
5. **Të internuar&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; 180.000&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp;“**
6. **Të vdekur në internim&nbsp; &nbsp; &nbsp; 9.000&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp;“**

Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijëve të internuar nën 14 vjeç, që nuk janë përfshirë në këto lista,&nbsp;atëherë rezulton&nbsp;se numri i përgjithshëm i atyre&nbsp;që kanë pësuar drejtpërdrejt persekutimin arrin&nbsp;250.000 veta. Duke marrë parasysh&nbsp;se gati 70 % e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 vetë, rezulton se&nbsp;25 % e asaj popullsie, është persekutuar. Po t’i shtojmë kësaj edhe të tjerë&nbsp;që nuk janë regjistruar fare, atëherë përqindja arrin përmasa rrëqethëse.

Duke lexuar këto të dhëna, mendova:

– Si ka mundësi që këtë ditë, asnjë personalitet shtetëror ose partiak, nuk u kujtua ta përmendë? Si ka mundësi që mediat elektronike dhe ato të shkruara dhe, sidomos, TVSH-ja, për të cilën edhe ne të përndjekurit politikë, paguajmë taksën, që janë mjaft të ndjeshme ndaj ngjarjeve të tjera, për këtë ditë heshtin? A ka mundësi të harrohen këto? Si mund të mos kujtohen për ditën gjenocidit komunist, kur këtë ditë e ka miratuar Kuvendi i Republikës? Çfarë është, harresë apo mosdashje?!

Nuk jam në gjendje t’i jap përgjigje. Sido që të jetë, ajo është një çështje që nuk&nbsp;nderon asnjë në vendin tonë. Madje do të thoja, më tepër partitë politike, sidomos ato të djathta.

– “Fjalë imzot, vetëm fjalë”! – më pëshpëriti një mik që kisha pranë dhe që m’i kishte kuptuar mendimet e mia. – “Politika shqiptare është bazuar vetëm në fjalë. Ajo kërkon të na përdorë si manekinë sa herë i nevojitemi”.

Nuk doja t’i besoja fjalët e mikut tim. Por, para syve më dilnin edhe disa raste të tjera të heshtjes karshi ngjarjeve që kanë lidhje me përndjekjen politike. Një rezolutë me 17 pika për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri, miratuar qysh në vitin 2006, prej së cilës janë realizuar vetëm dy, ajo e ngritjes së Institutit të Hetimeve të Krimeve të Komunizmit dhe ajo e shpalljes së një dite kombëtare, për përkujtimin e viktimave të komunizmit, ditë që, fillimisht u caktua 21 maji, dita e ‘Revoltës së Spaçit’, ditë që nga ana e autoriteteve, nuk u përkujtua asnjëherë dhe që më vonë u zëvendësua me 20 shkurtin, ditën e rënies së monumentit të diktatorit.

Më dilte vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 42, datë 14.01.2009, për projektligjin; “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave të Krimeve të&nbsp;Komunizmit në Shqipëri”, miratuar edhe nga Kuvendi i Republikës së&nbsp;Shqipërisë, ku parashikohej ngritja e “Obeliskut&nbsp;të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit”, obelisk i cili, megjithëse kanë kaluar katër vjet nga miratimi i tij, ende nuk është ngritur.

Më dilte vendimi tjetër i Këshillit të Ministrave, që parashikonte zgjatjen e afatit të dorëzimit të dokumenteve për dëmshpërblim, heqjen e nenit që parashikonte mos përfitimin e dëmshpërblimit për ata ish-të dënuar politikë, me nenin e terrorizmit, përdorimin e dokumenteve të Komisionit Tripalësh në përfitimin e këtij dëmshpërblimi, dhënien e dëmshpërblimit njëherësh, për të gjithë ata ish-të dënuar politikë mbi 85 vjeç, që Komisioni i Ligjeve, e ktheu në 75 vjeç dhe që ende, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, nuk po vihet në rendin e ditës së Kuvendit. Më dilnin të gjitha këto dhe mendoja – Përse të ndodhte kështu, kur të gjithë autoritetet shtetërore flasin për përkrahjen që iu jepet ish të përndjekurve politikë?!

Nga këto mendime më zgjoi miku im, që përsëriti:

– “Fjalë imzot, vetëm fjalë”!

Një nismë e madhe e drejtuesit të Partisë Socialiste, pushtoi të gjitha faqet e medias shqiptare. Sipas kësaj nisme, në kupolën e kësaj partie, na qenka formuar edhe një komision ose grup pune, quajeni si të doni, që do u merrka me përgatitjen e një programi për të përndjekurit politikë. Në krye të këtij komisioni, qenka caktuar një zonjë ose zonjushe, bija e një ish-të dënuari politikë, nga ata që dikur e ngrinin në qiell regjimin komunist për të “mirat” e tij, por që vetë diktatura i hëngri kokën.

Me të u bashkua edhe një “kryetar shoqate të përndjekurish” me origjinë “nacionaliste” por që, çuditërisht, diku i kishte mbetur borxh diktaturës dhe disa individë të tjerë nga jashtëqitja e kësaj shtrese. E pra ky grup, doli me një platformë për zgjidhjen e problemeve të të përndjekurve politikë.

Duke menduar këto mua më lind pyetja:- Sa shpejt jeni kthyer nga qabeja, ju mor drejtues dhe partia e juaj? A nuk ishte partia e juaj që, pas vitit 1997, na pushoi nga puna dhe hartoi një ligj dëmshpërblimi, që na jepte vetëm një kafe në ditë, ligj që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese? Ju mund të thoni se këtë ligj e hartoi paraardhësi juaj dhe ju nuk mbakeni përgjegjësi, për sa ka bërë ai. Por le të shohim periudhën, kur ju jeni drejtues i saj.

Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj, kur miratohej rezoluta; “Për dënimin e Krimeve të Regjimit Komunist në Shqipëri”? Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratoheshin ligjet e dëmshpërblimit dhe amendamentet e ndryshme për to? Përse dolën jashtë salle deputetët tuaj kur miratohej ligji; “Për Lustracionin në Republikën e Shqipërisë”? Përse një nga deputetët tuaj më me emër, ish-kryeministri Majko, i quajti “plehra” luftëtarët e batalionit 4000 të NATO-s, që ishin vrarë në Shqipëri në përpjekje me forcat e Sigurimit, për rrëzimin e diktaturës komuniste?

Në këto çaste, ndjeva përsëri zërin e mikut tim:

-“Fjalë imzot, vetëm fjalë”!

Një person me shumë ish-e, një ish-ministër, ish-nënkryetar i një partie të madhe të djathtë, ish-kryetar grupi parlamentar, ish-president, që tani mban postin e kryetarit të një partie të re, por veshur me xhaketa të vjetra, ligjëron e ligjëron, duke thënë se u mbështetka te ish-të përndjekurit politikë, madje ka mundur të grumbullojë pranë&nbsp; vetes&nbsp;&nbsp;edhe&nbsp;disa&nbsp;individë&nbsp;të veçantë, premtoka se dashka t’ua shlyeka dëmshpërblimin këtyre për tre vjet. Unë mendohem dhe pyes përsëri:&nbsp;– Përse nuk e bëri një gjë të tillë, kur ishte në partinë e mëparshme?!

Përgjigjen ma jep miku im:&nbsp;– Fjalë imzot, vetëm fjalë!

A do të bjenë ish të përpjekurit politikë, në vorbullën e kësaj loje fjalësh? Unë nuk do ta besoja. Por miku im më tregoi barcaletën e mëposhtme:

– Perandori romak Neroni, i vuri zjarrin Romës. Banorët, të revoltuar, u ngritën dhe rrethuan pallatin perandorak. Perandori, i trembur, thirri këshilltarin e tij, të urtin Seneka dhe i kërkoi rrugëzgjidhjen. Seneka i tha:

– “Thuaju që zjarrin e vunë të krishterët”.

Në atë kohë krishterimi sapo kishte filluar të përhapej në Romë. Neroni e vështroi me vëmendje dhe i tha:

– “A do të më besojnë”?

Dhe Seneka iu përgjigj:

– “Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret”!

A është e vërtetë një gjë e tillë? Ndoshta. Megjithatë nuk dua të besoj se, ish-të përndjekurit politikë, do të mund të përdoren si manekinë! Në veshët e mi, vazhdojnë të ushtojnë fjalët e mikut tim: “Fjalë imzot, vetëm fjalë”. Deri kur Shqipëria do të vazhdojë me; “Fjalë imzot, vetëm fjalë”?! [**_Memorie.al_**](http://Memorie.al)

**_Copyright©“Memorie.al”_**

**_Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016_**

* * *
This is a companion discussion topic for the original entry at [https://memorie.al/perse-ish-kryeministri-majko-i-quajti-plehra-luftetaret-e-batalionit-4000-te-nato-s-qe-ishin-vrare-ne-shqiperi-ne-perpjekje-me-forcat-e-sigurimit/](https://memorie.al/perse-ish-kryeministri-majko-i-quajti-plehra-luftetaret-e-batalionit-4000-te-nato-s-qe-ishin-vrare-ne-shqiperi-ne-perpjekje-me-forcat-e-sigurimit/)
