Reforma në drejtësi: Roli, bilanci dhe sfidat e Inspektorit të Ri të drejtësisë (ILD)

Reforma në drejtësi: Roli, bilanci dhe sfidat e Inspektorit të Ri të drejtësisë (ILD)” ishte tema që mblodhi së bashku në një diskutim përfaqësues nga Kuvendi, Qeveria, institucionet e drejtësisë, diplomatë dhe shoqëria civile. Organizuar nga Instituti i Studimeve Politike pjesë e diskutimeve u bënë Ambasadori Reinout Vos, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, kryenegociatorja me BE-në Majlinda Dhuka, drejtueset e Komisionit të Ligjeve në Kuvend Klotilda Bushka dhe Dhurata Çupi, kryetarët e KLGJ dhe KLP Naureda Llagami dhe Alfred Balla. Eksperti ligjor Erind Mërkuri paraqiti gjetjet kryesore nga raporti vlerësues për ILD, raport mbi të cilin u diskutua gjatë aktivitetit.
Institucionet e reja të drejtësisë kanë sfidën të formësojnë dhe të drejtojnë një sistem të ri më transparent, më profesional dhe më imun ndaj korrupsionit. ILD është institucion i ri me rol thelbësor në këtë sistem dhe një prej shembujve pozitiv në bilancin 3 vjeçar. Raportet midis ILD dhe institucioneve, problematikat e bashkëveprimit, raportet mes perceptimit e pritshmërive publike dhe rezultateve, inspektimet ndaj rasteve abuzuese dhe ato tematike, trajtimi i ankesave qytetare dhe praktikat procedurale hetimore dhe vendimmarrëse, etj, ishin disa prej temave të diskutuara në takimin e sotëm.
Aktiviteti u bë në kuadër të projektit Cluster One Eu Negotiations Platform – Albania “C1-EU-NPA – Platforma e Shoqërisë Civile për negociatat e Grupit të Parë të Kapitujve (CLUSTER 1) me Bashkimin Evropian”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë. Objektivi i këtij projekti është të mbështesë procesin e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE me fokus në grupin e parë të kapitujve negociues (Cluster 1, Fundamentals first) përmes përmirësimit të debatit mbi politikat në këto kapituj, forcimit të llogaridhënies dhe transparencës, si dhe duke përfshirë rolin e organizatave të shoqërisë civile.

This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/reforma-ne-drejtesi-roli-bilanci-dhe-sfidat-e-inspektorit-te-ri-te-drejtesise-ild/