Raporti sekret i B.p. ‘Mbrehja’: “Ai tha se Amerika, i ka çuar forcat në kufi të Bashkimit Sovjetik dhe 150 aeroplanë mbi Rusinë, me qëllim që…”/ Dosja e Sigurimit për Gjet Kadelin, që vuajti 16 vjet burg

Nga Gjet Kadeli   

Pjesa e parë

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit dhe ajo hetimore e gjyqësore ) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri-dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit, qëndroi disa kohë në male në arrati e më pas në vitin 1949, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe 35 vjeçare, që Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar  33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën,  e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen  të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

Raporti sekret i hartuar nga oficeri i Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, mbi ndjekjen dhe survejimin e Gjet Kadelit, e bisedat e tij me persona të ndryshëm

                                                                                                               Marrësi: Fahri Kraja

                                                                                                               Dhanësi: “Dylli Bardhë”

                                                    R A P O R T

Me datën 13.3.1957, ai u takua me Gjon Ruçin nga Rrësheni, ku Gjoni i tha atij: bravo se doli Pal Mëlyshi hero dhe fisi juaj u ndrue, por këto nuk janë gjë tjetër, vetëm se janë manovra. Në këtë rast, Marka Pjetër Ruçi, që ishte prezent tha se, duhet të dali hero dhe Preng Frrok Gjeta nga Perlati se dhe atë e kisha qitë në mal Sigurimi, për me pre Marka Dod Gjinin. Djali i Pjetër Kadelit, i quajtur Gjet Pjetëri, tha se: Paulinin e kanë bë ‘Hero i popullit’. Ky Gjeta, asht nip i Gjon Ruçit dhe ai e pyeti, a ke marrë ndonjë letër nga Pjetri? Gjeta tha se, tash tre muaj nuk kam marrë se më duket, këta të arratisurit në Itali i kanë grumbullue e, i kanë nisë për Amerikë.

 15.3.1957                               “Dylli Bardhë”

  Detyra:

Të rrini përsëri me Gjon Ruçin, me qëllim që të zgjeroni bisedën në mes tuaj.

       Masat Operative:

Të riprodhohet informata në dy kopje. Njena t’i vendoset në dosje Gjon Ruçit dhe tjetra t’i jepet P.Op. të lokalitetit të Kurbneshit.

       Punëtori Operativ

         Hysen Gorica

Raporti sekret i hartuar nga oficeri i Sigurimit të Shtetit, toger Muhamet Hysenlliu, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Rruga e Matit”, mbi ndjekjen dhe survejimin e Gjet Kadelit, e bisedat e tij me persona të ndryshëm

                                                                                   Marrë: Toger Muhamet Hysenlliu

                                                                                   Dhënë: B.p. “Rruga Matit”

                                                                                   Kurbnesh 4.VII.1957

                                                      R A P O R T

Burimi njofton se ai me datën 9.VI.1957, u shoqërua me Nikoll Nue Lluskun që nga Kurbneshi deri në Bulshar. Nikolla i tha atij se, kur kam qenë në ushtri, këputa telefonin dhe kështu për pak më hëngri dreqi, do të më dënonin 10 vjet, por i rashë hasha. Pastaj Nikolla, i tha atij se, si duket Gjermania Perëndimore do sulmojë Gjermaninë Lindore, në dhjetor të këtij viti, për këtë gjë, po bën përgatitje të mëdha, ka mobilizuar qysh nga 12 vjeç e lart.

Kur ai me Nikollën, mbërritën në Bulshar, fill shkuan në shtëpinë e Marka Ndue Kadelit, kushëriri i Pjetër Kadelit. Ata ishin mbledhur dhe po lexonin një letër që Pjetr Kadeli, ja kishte dërguar nga jashtë dhe që këtë letër, e kishte prurë nga Mamurrasi i biri i tij, Gjeta. Letrën po e lexonte Marka Ndue Kadeli dhe na thanë se, ishte shkruar në tre pjesë dhe në tre gjuhë anglisht, frëngjisht dhe italisht.

Marku kish vënë syzet dhe në prezencë tone, po e lexonte. Tha se Pjetri, porosiste për t’i pasur kujdes familjen, më vjen keq që nuk mujt me marr dot Gjetën, më shkruante një letër Nikoll Kadeli (minator Bulqizë) dhe më thoshte se, për t’u kthyer, por unë nuk kam ikur që të kthehem, sepse e di që juve vuani.

Unë, thoshte Pjetri në letër, jam me gradën Kapidan dhe kam 2.000 veta. I kam dërguar 50 dollar Mrikës (gruas), por nuk e di nëse i ka marrë. Me sa na tha Mark Pjetri, ndodhej në Amerikë. Mbasi mbaroi së lexuari letrën Marku, Pashka Llusku, tha se, ata qenkan duke jetuar si krajlat, prandaj ç’u duhet atyre me ardhë këtu, apo të vdesin si qentë në kazëm si neve.

Pastaj, Nikoll Ndrec Bajraktari, tha se, si duket Lufta e Tretë, së shpejti do të fillojë. Pashk Llusku, ja priti duke thënë se, e kam një mik të fortë shkodran, me punë në Komandën e Përgjithshme Tiranë që, quhet Skënder Gjovalini dhe më ka thënë se lufta, nuk do të zgjasë për të filluar, një ditë Skënderi më kallëzoi se, i kishte thënë baba tij, mos u bëj komunist, por Skënderi i kishte thënë se, unë jam bërë, baba i kishte thënë se tani, ke për të vrarë babën tënd.

Në kohën që Marka Kadeli, këndonte letrën, na tha gjithashtu se Pjetri, shkruante se kini të fala shumë prej Zef Shytit (i arratisur). Pastaj mbasi hëngrëm ca mana, që aty në kopsht u shpërndamë, se cili në shtëpi të vet.

Detyra:

  1. Me personat e sipërm, si mbas rastit që do të kesh, takoju dhe bisedo.
  2. Në biseda, ki parasysh mos i fol ti, por muhabetit tënd ose pyetjeve, të lindin nga kallëzimi i tyre.
  3. Shiko, nëse personat e sipërm, mblidhen prap dhe bisedojnë.

Punëtori operativ

Togeri (Muhamet Hysenlliu)

Raporti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Bajram Poçi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Mbrehja”, mbi ndjekjen dhe survejimin e Gjet Kadelit, e bisedat e tij me persona të ndryshëm

                                                                                Marrë nga P. Operativ, Bajram Poçi

                                                                                 Dhënë nga B.p. “Mbrehja”

                                           Raport i datës 14/5/1958

Burimi njofton se, më datën 11/IV/1958, ai ishte te dyqani, te Hani i Xhemali Gomares, që është shitës Mëhill Kol Toma, nga katundi Mamurras dhe gjatë bisedës, Mëhilli thotë se; unë kam dalë difiçit, 13.000 lekë në dyqan, tash kur u bë revizionimi, unë jam në zor se, nuk kam një njeri besnik t’ja besoja, se kam katër kuintal misër sufiçit që, e kam blerë kur bëjshim dhe grumbullimin, të cilin, ua kam ndaluar popullit, gjoja si përqindje, paret ua kam marrë tepër dhe i propozon atij, t’i firmoste në bordero, për 70 kg. misër, aj me qëllim që ta zbulonte se, kush ishin të tjerët, që kishin firmos pa shit misër, në borderonë që e kishte bërë Mëhilli fallso, duke e zëvendësuar me sufiçitin që kishte pasur në dyqan, në misër. Kur firmos ai në bordero për 70 kg. misër, shikon se ja kishte futur dhe Preng Allamanit për 150-200 kg., Pjetër Gjergjin 80 kg. Borderonë e ka sjellë në Kooperativën e Konsumimit në Mamurras, Mëhilli thotë se, këtë çështje, e kanë biseduar dhe me Kryetarin e Kooperativës, Nuri Bahollin, se aj më ka thënë se, e  rregulloj dhe të ndihmoj dhe unë, Mëhilli me Nuriun shkojnë shumë mirë dhe Nuriu shumë herë për darkë, ka shkue tek Mëhilli.

Më datën 30.IV.1958, në shtëpinë e tij erdhi Llesh Perseku nga katundi Mamurras dhe gjatë bisedës, thotë Lleshi, se Bashkimi Sovjetik, është rrethuar nga të katër anët nga Amerikanët dhe Bulganini, ka hikur në Amerikë, dhe nuk është drejtor Banke, siç thojnë këta, për këtë gënjejnë se, ai ka hik dhe ka shkue në Amerikë, ka një muej e gjysëm. Amerika i ka çuar forcat në kufi të Bashkimit Sovjetik dhe ka çu 150 aeroplanë mbi Rusinë, me qëllim që Rusia, të shtinte mbi ta dhe kështu të fillonte lufta, por Rusia nuk shtiu dhe Amerikanët i hoqën ata aeroplana, këta kanë prurë bomba me autom.

Më datën 15/V/1958, Gjet Kadeli, nga katundi Bushnesh, ka thënë se; tash kam marrë një letër nga baba dhe më thonte në të, se bëhej merak, se do të vijmë dhe neve andej, u kanë dërguar 200 dollarë dhe nuk e di, a i kanë marrë apo jo, kanë me u dërgu dhe 300 dollarë të tjera.

                           “Mbrehja”

Detyra: 1. Të shikohet dhe të bisedohet me djalin e Pjetër Kadelit, të mësosh se nga i kanë ardhur letrat dhe se ku ndodhet Pjetri tash, kush ja ka sjellë këtë letër, me që juve e keni kumbarë, shkruani edhe vetë Pjetrit, pale se çfarë do të thotë.

  1. Të shikosh se çfarë dallavereje mund të bëjë tjetër Mëhilli, dhe me cilët i bënë këto, a i ka dhënë gjë Nuriut pare këtë, apo jo?

Masat Operative

  1. Materiali të shtypet në tre kopje dhe një tij kalohet Tajar Jonuzit, për shitësin e Bushneshit, Mëhill Kol Tomën.

Punëtori Operativ

Toger, Bajram Poçi

Raporti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Bajram Poçi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Mbrehja”, mbi ndjekjen dhe survejimin e Gjet Kadelit, e bisedat e tij me persona të ndryshëm

                                                                                          Marrë nga P. Operativ Bajram Poçi

                                                                                          Dhënë nga B.p.“Mbrehja”

                                               Raport, datë 19.5.1958

Burimi njofton se, në datë 18.5.1958, në shtëpinë e atij erdhi Gjet Kadeli, që është djali i Pjetër Kadelit që është i arratisur, Gjeta kishte ardhur që ai t’i shkruante një adresë letre, për t’ja çuar të atit dhe ai i thotë se, unë për fat nuk kam bojë dhe mbas kësaj, ai e pyeti Gjetën se ku ndodhet Pjetri, Gjeta thotë se, neve letrat na vijnë nga Belgjika dhe i kemi marrë në postën e Milotit, po si është dhe çfarë thotë në letër, mirë është dhe na shkruan vazhdimisht, se mos të mërziteni se së shpejti, neve do të vimë në Shqipëri, më ka thënë në letër se kam me të çuar disa dollar, në letër gjithashtu na thotë se, mos shkruani dhe mos pyesni për të tjerët, që janë të arratisur nga rrethi i Rrëshenit se, nuk u tregojmë, se nuk jemi në gjendje me u tregue, ai i thotë se unë, kam me ble një shishe me bojë dhe sa herë ti të kesh nevojë me shkrue letër, hajde tek unë, t’i shkruaj dhe mos e shkruaj me çdo element se, unë ty të ndihmoj dhe kur të kesh nevojë, se ti e din vetë se jemi te njëri tjetrit se, jemi kumbarë, çdo gjë që mund të keshë e, nëse ke nevojë, ke shtëpia ime hajde, si te shtëpia jote.

                           “Mbrehja”

Detyra:

  1. Të bisedohet dhe të mbahet afër djali i Pjetër Kadelit dhe mundohu që të bësh që letrat që ti vinë nga i ati, ti lexoje dhe ato tjerat ti shikosh se çfarë shkruan.

                       Punëtori Operativ

                           Bajram Poçi

Raporti sekret i hartuar nga oficeri i Sigurimit të Shtetit, kapiten Hysen Gorica, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, mbi ndjekjen dhe survejimin e Gjet Kadelit, e bisedat e tij me persona të ndryshëm

                                                                                                    Marrë Kap. Hysen Gorica

                                                                                                    Dhënë B.p. “Dylli Bardhë”

                                                     R A P O R T

Me datën 23.6.1958, ai u takua me Mrikën e Pjetër Kadelit që është i arratisur, takimin e kanë bërë në katundin Mamuras, ku Mrika i tha atij se kam marë letër nga buri jem, Pjetri, që ndodhet në Egjipt ose Belgjikë. Ai më shkruante për Llesh Marka Dodën dhe për Ndua Bajraktarin se janë në burg në Jugosllavi, gjithashtu më kërkon me i çue dëftesat e shkollës të djalit dhe të vajzës. Gjet Pjetër Kadeli, e pyeti atë se a kalohet jeta në mal, ai i tha se, e vështirë është. Unë, tha Gjeta, kam rënë ngushtë e s’kam ça me bë, se as një minut nuk rri në këtë vend; mbasi si ma kanë pru ngushtë dhe për në kooperativë.

                               Rrëshen me 29.6.1958

                                  “Dylli Bardhë”

          Detyrat:

Vazhdo të takohesh me gruan e Pjetër Kadelit dhe me djalin e tij me qëllim që të fitosh besimin e tyre.

                   Punëtori Operativ

          Kapiteni i I-rë (Hysen Gorica)

Raporti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Bajram Poçi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Mbrehja”, mbi ndjekjen dhe survejimin e Gjet Kadelit, e bisedat e tij me persona të ndryshëm

                                                                                     Marrë nga P.Operativ Bajram Poçi

                                                                                      Dhënë nga B.p. “Mbrehja”

                                            Raport datë 20/9/1958

Burimi njofton se me datën 14.9.1958 ai ishte duke punuar në kanal ku atje ishte Gjet Kadeli, i biri i Pjetër Kadelit që, është i arratisur jashtë shtetit, gjatë bisedës, Gjeta thotë se baba im, ka ikur nga burgu i Rrëshenit dhe ka ardhur në shtëpi, ka marrë vëllanë tim, Gjonin dhe u arratisën së bashku, ku janë arratisur kanë dalë nga Jugosllavia dhe tani ndodhet Gjoni në Amerikë dhe baba në Belgjikë dhe na ka sjellë shpesh herë pare dhe letra, në letra na ka thënë se, mos u mërzitni se do vijmë së shpejti.

Me datën 14.9.1958, Bib Kaçori nga katundi Bushnesh, në prezencën të Rrem Isufit, Gjet Kadeli thotë se; kjo qeveri që ka ngelur për ta mbajtur ne me dy këmbët zbathur, ka me ja q… dreqi nanën se, na morën në qafë, Bib Kaçorri është miku i të arratisurit Pjetër Kadelit, pasi Biba Pjetrit, i ka dhënë motrën për grua dhe sot motra e tij, që është e shoqja e Pjetërit, banon në Bushnesh dhe përkrahet dhe ndihmohet nga ky.

Po me datën 14.9.1958, ai ishte duke punuar në kanal dhe me pretekst për të marrë një kazëm tek Frrok Gjini dhe mbasi shkoj ai ke Frroku, u pyetën mes njëri tjetrit, për familjen dhe më vonë ai në muhabet, i tha Frokut se çfarë kemi, Froku i thotë se, përse po më pyet se ne jemi duke mbarue, apo nuk e shikon që kjo qeveri, po na detyron dhe na qet e bëjmë kanale, pa asnjë lek, punë të tilla kishte edhe me shtetet e jashtme, por atje të paguanin mirë dhe të jepshin dinarë dhe lireta, jo vetëm të vetëve por, edhe neve që ishim të arratisur, në shtetet jashtë ka fabrika interesante që, i kam parë vetë me sy që një punëtor, njëzet e katër muaj punonte në një fabrikë, duke qenë i ulur në karrige dhe vetëm lëvizte një vegël dhe nuk dinte as një se çfarë bënte, nga ajo që ishte fabrika kaq e madhe, kur isha në Jugosllavi, kam pa që ka pushkatuar 60 shqiptar për nji herë, ai i thotë në se ka pa, të quajturin Zef Preng Gjonin me djalë, Froku thotë se, Zefin e kanë pushkatuar, ndërsa djalin e kanë çuar në shkollë në Francë. Në Jugosllavi dhe në Itali, morën me vendim qind për qind sepse, atje rrohet më mirë dhe në Itali, merr një familje, 50 kg. sheqer në muaj.

Me datën 20.9.1958, ai ishte duke ardhur nga Bushneshi për në Mamurras dhe në rrugë, takohet me Preng Xhekën nga katundi Bushnesh, gjatë bisedës, Prenga i thotë atij, në se ke qenë ose ndonjë gjest dhe çfarë thonë, ai thotë s’kam parë gjë, Prenga thotë se, punët janë mirë dhe gazeta e datës 17.9.1958, kishte gjana interesante dhe kritikonte Rusia Jordaninë, për çështjen e hyrjes së Amerikanëve atje, ai i thotë se; ti Prengë, a je abonuar apo jo me gazetat, Prenga thotë se; unë nuk jam abonuar më, po të abonohesha, këta dyshojnë se kujtojnë se bëjmë punë politike kundër tyre, prandaj unë nuk abonohem por, sidoqoftë, gazeta e këtyre nuk tregon drejtë dhe unë për ta lexuar, nuk mundem t’i lexoj vetë, por meqenëse mi lexon kush, i kuptoj mirë. Para një muaji e gjysëm, në Golem kish gjetur një gazetë e cila, ishte gazetë gjermane dhe kishte shumë gjana interesante, se çfarë, nuk e tregoi atë, këtë gazetë e ka pa Gjin Ndrea, nga Bushneshi. Gjatë bisedës, ai i thotë se; ore, Prenga interesohet që u arrestua këtë dhe më ka ardhur shumë keq, për Pjetër Mirin pasi, e kemi si unë dhe ti, mik. Prenga thotë se; Gjon Vata dhe Qamil Murati dhe ato të Gurzit, janë arrestue për çështje politike, ndërsa Pjetër Miri, është arrestue për çështje të një mullini dhe nuk kanë se çfarë ti bëjnë, ata që janë arrestuar, të gjithë kanë pasur revole, me përjashtim të njërit që nuk ka pasë armë.

                              “Mbrehja”

Detyrat:

  1. Bisedat për Pjetër Kadelin, të mësohet nga Pjetri, sa herë i ka sjellë letra Pjetër Gjetës, çfarë i ka shkrue në letra, ç’thotë vetë Gjeta, për të atin, që e ka të arratisur.
  2. Të shkosh për natë si mik te Frok Gjin Marku, në Bushnesh, gjatë bisedës me të, të marrësh vesh se çfarë krahasimesh bënë Froku, vendeve Imperialiste me vendin tonë, thuaj se unë kam ardhur me bisedue rreth tij se, kemi biseduar disa gjana të përcipta dhe nuk kemi mundur që të kuptojmë njëri tjetrin se, unë kam qejf me bisedue me juve se ju, keni pa më shumë se unë dhe atë jetë, ma kanë kallëzuar dhe vëllezërit e mi.
  3. Të nxjerrësh nga Prenga se, ku është gjetë ajo letra (gazeta) çfarë thonte konkretisht, koha që është gjetur, kush e ka gazetën dhe kush e ka lexuar, shiko se çfarë do flasë Prenga dhe për situatën e sotshme.

Masat Operative:

  1. Të shtypet në tre kopje.
  2. Preng Xheka të kategorizohet në II/A., meqenëse ka edhe materiale të tjera. Memorie.al

                                     Punëtori Operativ

                                   Toger (Bajram Poçi)

                                                Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/raporti-sekret-i-b-p-mbrehja-ai-tha-se-amerika-i-ka-cuar-forcat-ne-kufi-te-bashkimit-sovjetik-dhe-150-aeroplane-mbi-rusine-me-qellim-qe-dosja-e-sigurimit-pe/