“Qypi” dhe “Pjata” ndahen, kurse objekti me “Bretkosën”, takohen me dy vajza të reja, njera e gjatë rreth 1 e 60, pak e shëndoshë, me flokët bisht kali…” / Raporti vëzhgimit i “Gama”, Tiranë, 1985

Dashnor Kaloçi

Pjesa e dyzetë e pesë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.  Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i ‘Lidhjes Shqiptare në Botë’, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al

                                                      Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret me raportin e hartuar nga Punëtori Operativ, Eduart Bala, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Gama”, nga baza e vëzhgimit “Obuzi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit

Marrë: P.Op. Eduart Bala

Dhënë: “Gama”

Baza “Obuzi”

Tiranë, më 13.12.1984

R A P O R T

Burimi njofton se më datën 2 dhjetor 1984, shkoi në shtëpinë e Myrteza Bajraktarit, për vizitë dhe për t’i rregulluar zilen elektrike. Ai e pyeti Myrtezanë, përveç të tjerave, se, si u bë puna e baxhanakut të tij, që është i arrestuar. Myrtezai u përgjigj se: puna e baxhanakut po sqarohet negativisht, se kam marrë vesh nga burime të sigurta, se baxhanakun bashkë me tre persona të tjerë të arrestuar, i akuzojnë për spiunazh dhe se do t’i nxjerrin këto ditë në një gjyq special që, do ta drejtojë vetë Gjykata e Lartë, që do të filmohet dhe për të cilin ka dijeni edhe udhëheqësi i Partisë.

Myrtezai u shpreh se: nga një anë jam i kënaqur që ndodhi kështu, që baxhanaku dhe shokët e tjerë të tij të arrestuar, akuzohen për spiunazh dhe jo për agjitacion, se kjo na qetëson neve kosovarëve, që dyshuam, se mos po fillonte një valë e re arrestimi, që ishim të habitur se qysh u arrestuan këta kosovarë, në një situatë pozitive për kosovarët! Më vjen çudi si nuk e kam njohur baxhanakun tim, i dhashë porsi gruas sime, t’i thotë kunatës që ta ndajë menjëherë të shoqin. Më vjen keq që ndodhi kështu.

Në bisedë e sipër, si dhe gjatë shëtitjes që bëri pas kësaj me Myrtezain, rrugës për në shtëpinë e Gani Ratkocerit, Myrtezai dëshmoi se baxhanakun dhe të tjerët, do t’i ketë futur në kallëp, Feçor Shehu, vite më parë, për Selim Kelmendin, e kam ditur që ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit t’onë, kurse për baxhanakun jo, di që vite më pare, u pezullua për dy muaj nga puna si mësues, i akuzuar se kishte abuzuar me një nxënësen e tij, baxhanaku ishte tepër sensibël dhe nuk duronte një akuzë të tillë. Pas kësaj, ai u rregullua përsëri mirë, për habi.

Me siguri atë do ta ketë ndihmuar Feçori. Burimi vuri re se Myrtezai, gjatë gjithë kohës, pinte duhan, pas shtatë muaj ndërprerje që kishte bërë me duhanin. Në shtëpinë e Gani Ratkocerit, ishte dhe një krushku i Ganiut, Gjovalin Gjoka, aktor i teatrit. Aty nuk u zhvillua ndonjë bisedë me interes. Në largim, Ganiu e pyeti Myrtezain: Ç’kemi ndonjë gjë të re? Myrtezai i dha një shpjegim të shkurtër që burimi nuk e dëgjoi mirë se, ishte duke zbritur shkallët. Rrugës, Myrtezai i tha burimit se, Ganiu ende nuk e beson, se këta të arrestuar të kenë qenë agjent që në fillim, para se të vinin në Shqipëri!

Burimi u nda nga Myrtezai, në rrugën që kthente për në shtëpinë e tij. Myrtezai i premtoi atij se do t’i gjente disa rezerva blu stilolapsi, e do t’ja sillte në shtëpi. Por deri më sot nuk ja ka sjell akoma. Më 9 dhjetor, burimi i shkoi në shtëpi përsëri Myrtezait, për t’i rregulluar zilen. Atje nuk ishte as Myrtezai as e shoqja, por vetëm fëmijët, ata i thanë se ende i ati, nuk i ka blerë mjetet për zile.

  “Gama”

Vlerësimi i raportit:

Raporti ka vlerë operative pasi tregon se Myrteza Bajraktari ka dijeni për veprimtarinë armiqësore të baxhanakut të tij, sipas tij kjo veprimtari është marrë vesh tani prej tij, por, mundet që të dihet që më përpara. Në raport del që ky objekt, nuk i vlerëson drejt goditjet që i janë bërë grupeve armiqësore, por thotë: si vallë, ju bëhet kosovarëve për t’i dënuar?!

Sqarimi:

Myrteza Bajraktari ndiqet në përpunim aktiv 2/A, si agjent i jugosllavëve. Grupi për të cilën bën fjalë ky, është një rezidenturë e Zbulimit Jugosllav që, është goditur nga rrethi i Shkodrës dhe aktualisht kanë dalë në gjyq.

Detyrat e dhëna:

Përsëri të takohesh me Myrtezain dhe t’i kërkosh sqarime për veprimtarinë e këtij grupi. Të kontaktosh me Agim Gjakovën për ta afruar më shumë me të.

Punëtori Operativ

                                  Eduart Bala

Dokumenti sekret me raportin e vëzhgimit të hartuar nga shefi i Bazës së Vëzhgimit Nr. 10, Andrea Karapanço, lidhur me ndjekjen e survejimin e vizitorit kosovar, Rexhep Lajçi, i cili nga ana e Sigurimit të Shtetit, njihet me pseudonimin “Gjarpri”

SEKRET

Ekzemplar Nr. 1

Tiranë, më 20.7.1985

RAPORT VËZHGIM PËR DATËN 20.7.1985 MBI VËZHGIMIN E VIZITORIT KOSOVAR I CILI NJIHET ME PSEUDONIMIN “GJARPRI” (REXHEP LAJÇI)

Në ora 6.55, objekti doli nga shtëpia ku ka zënë vend me çantë në dorë dhe i shoqëruar me objektin “Bretkosa” dhe të dy kalojnë rrugën “M. Grameno”, në ora 7.02 në hyrje të lulishtes pranë Shtëpisë Qendrore, takohen duke dhënë duart me dy persona, të cilat u dëgjua që quheshin: Adi dhe Zana, të cilët do të njihen me pseudonimin “Qypi” dhe “Pjata” e të katërt, duke biseduar kalojnë nëpër lulishte, Sheshin “Skënderbej”, e në ora 7.10, shkojnë tek taksistët.

“Qypi” dhe “Pjata”, ndahen duke dhënë duart e kalojnë në drejtime të ndryshme, kurse objekti, me “Bretkosën”, takohen duke dhënë duart me dy vajza, të cilat kanë këto karakteristika: njëra me moshë 18-20 vjeç, e gjatë, rreth 1 e 60, pak e shëndoshë, me flokët bisht kali, tjetra, në moshë rreth 20 vjeç, e gjatë rreth 1 e 70, e hollë, gjithashtu takohen edhe me një grua e cila, do të njihet me pseudonimin “Kuqja” dhe me Idriz Sala, i cili është emigrant kosovar dhe është takuar edhe herë të tjera.

Në ora 7.25, objekti me “Bretkosën” dhe dy vajzat, ndahen dhe hipin në taksinë, Tr…., të cilën e nget shoferi Vilson Josifi, e kalojnë rrugën “K. Pezës”, drejtim Durrësit, pa u ndalur e në ora 8 e 15, ndalon para Hotel “Apollonia” në plazhin e Durrësit, ku zbresin e futen në hotel.

Në ora 9.10, objekti me “Bretkosën” dhe dy vajzat, dalin nga hoteli e kalojnë në zonën turistike, rrugës kryesore, në ora 9.45, para “Teutës”, dy vajzat ndahen e kalojnë në drejtime të ndryshme, kurse objekti me “Bretkosën”, futen në zonën e plazhit, që ndodhet afër rrugës hekurudhore, duke u sjell vërdallë, e në ora 10.00, takohen duke u përqafuar me një grua, e cila është bija e Ibrahim Kuka, dhe banon në Shkozet, Pallati 781, Shkalla 10, mban edhe çadër dielli, dhe këtu të dy objektet, bëjnë banjo dielli dhe deti. Në ora 12.15, çohen të dy objektet, ndahen me vajzën e Ibrahimit, kalojnë rrugën kryesore të plazhit, e në ora 12.55, futen në restorant të Hotel “Apolonia”.

Në ora 13.50, dalin nga restoranti dhe para restorantit, takohen me një burrë, i cili do të njihet me pseudonimin “Streha”, i cili ishte me gjithë gruan dhe me dy fëmijë, dhe të gjithë kalojnë zonën e plazhit, dalin në rrugë kryesore, dhe ulen nën hijen e plepave, pranë PTT-së.

Në ora 16.00, çohen nga plepat e drejtohen për në plazh, duke u ulur në rërë, para Hotel “Apolonia” në çadrën e “Strehës”. Në ora 16.30, vjen takohet me objektet, edhe Myrteza Bajraktari me gruan, e ulen së bashku.

Në ora 18.10, objekti së bashku me Myrtezain e Çimin, që do të njihet me pseudonimin “Streha”, futen në det, për pesë minuta e pastaj dalin, ku këtu “Streha”, ndahet me objektin Myrteza e, kalon drejtime të ndryshme, kurse këta të dy, shkojnë përsëri në çadër.

Në ora 12.30, objekti largohet nga çadra dhe futet në Hotel “Apolonia”. Në ora 19.10, objekti u pa të vinte nga drejtimi i Hotel “Apolonia”, i veshur me kostum gri të errët, ku takohet përsëri me “Bretkosën”, Myrtezain dhe nusen e tij, e të tre, futen në shtëpinë që kanë zënë me qera, Myrtezai. (e që njihet nga sektori operativ).

Në ora 22 e 10, objekti, del nga shtëpia së bashku me “Bretkosën”, Myrtezain, e të shoqen e tij, e në formë xhiro, kalojnë nëpër zonën turistike, para Hotel “Apolonia”. Në ora 22.30, objekti ndahet duke i uruar natën e mirë të treve dhe futet brenda në Hotel “Apolonia”.

Data 21.7.1985

Në ora 6.00, fillon vëzhgimi në pritje të daljes së objektit, nga Hotel “Apolonia”. Në ora 8.20, objekti del nga hoteli dhe shkoni në rërë, ku ishte dhe “Bretkosa”, me Myrtezain e gruan dhe fëmijë. Në ora 8.50, vjen në çadrën e objektit dhe një person që do të njihet me pseudonimin “Steka”, me gjithë gruan dhe dy fëmijët.

Në ora 8.55, vjen “Streha”, i cili u dëgjua se i thërritën Çimi, i cili ka zënë vend te Nustret Hasani, i cili punon shofer në Parkun e Mallrave në Durrës, takohet me “Bretkosën” dhe “Gjarprin”, ndërsa “Steka”, e saluton. Mbasi u përshëndetën me këta, ulet në çadrën e objekteve. Në ora 8.30, erdhi Ahmet Sadiku dhe u largua në ora 12.00.

Në ora 9.25, vjen nga drejtimi i rrugës kryesore të plazhit, Agim Gjakova, dhe para çadrës ku kanë zënë vend “Bretkosa” e “Gjarpri”, ata ngrihen dhe e takojnë, duke u përqafuar me Agimin, i cili qëndronte katër – pesë hapa, larg çadrës, ku rrinin Çimi me gruan dhe Ahmet Sadiku.

Pasi bisedojnë për 2 minuta, Agim shkon në drejtim të ndryshëm, ndërsa objektet kthehen në çadrën e tyre. Megjithëse ishin të shumtë në numër, në çadrën e objekteve, ka qëndruar më shumë Ahmeti. Në ora 2.45, objekti ngrihet nga çadra dhe shkon i vetëm në hotel.

Në ora 14.10, objekti së bashku me “Bretkosën”, dalin nga restoranti i “Apolonia” dhe futen në frekuentimin e djeshëm, ku kanë zënë vend, dhoma me qera, (Myrteza Bajraktari). Në orën 19.05, objekti së bashku me “Bretkosën”, kalojnë rrugën kryesore, para Hotel “Apolonia”, nëpër rërë.

Në ora 19.15, qëndrojnë pranë çadrës, ku ishte një person, që njihet me pseudonimin “Streha”, takohen me të, “Bretkosa”, ndahet dhe kalon në drejtim të ndryshëm, objekti së bashku me “Strehën”, bëjnë plazh.

Në ora 19.30, objekti del nga Hotel “Apolonia” me një qese në dorë e kalon nëpër zonën turistike, e qëndron pranë stacionit të autobusit pranë PTT-së, pas 0.10, minutash vjen e takohet Ahmet Sadiku me të shoqen, të cilët u panë të zbresin nga autobusi, e që të tre, futen në restorant “Hekurudha”.

Në orën 20.20, shkojnë dhe ulen në një tavolinë në verandën e Hotel “Adriatiku”, u panë nga larg që hëngrën e pinë. Në ora 22.35, Ahmeti me të shoqen, ndahen me objektin dhe i hipin autobusit. Objekti largohet në drejtim të zonën turistike dhe në ora 22./145, futet në Hotel “Apolonia”.

Data 22.7.1985

Në ora 06, fillon vëzhgimi në pritje të daljes së objektit. Në orën 8.45, objekti del nga Hotel “Apolonia” me një radio “Iliria” në dorë dhe për 03, minuta, shkon në çadër ku ishte Myrteza Bajraktari, i cili takohet me të dhe ulet në një shezllon e qëndrojnë të dy bashkë duke biseduar.

Në ora 9.16, çohen që të dy, duke biseduar, duke ecur nëpër rërë, përmes zonës turistike, në orën 9.35, ecin përballë restorant “Hekurudha”, ndahen, Myrtezai kalon në drejtim të ndryshëm kurse objekti futet në zonën e plazhit, në zonën e “Teutës”, rreth 100-150 metra, pa shkuar te Ura e Dajlanit, këtu shkon tek çadra ku ishte Ahmet Sadiku, si dhe dy fëmijët, qëndroi duke bërë banja dielli./Memorie.al

Shefi i Bazës Nr. 10

                           Andrea Karapanço

Sqarim pseudonimesh:

  1. “Qypi” është Zana Tartari
  2. “Pjata”, është Zana Skënderi.
  3. “Kuqja”, Mine Skënderi

                  Punëtori Operativ

                            Niko Bega

                                                                              Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/qypi-dhe-pjata-ndahen-kurse-objekti-me-bretkosen-takohen-me-dy-vajza-te-reja-njera-e-gjate-rreth-1-e-60-pak-e-shendoshe-me-floket-bisht-ka/