“Qëndroi afër, mëso lëvizjet e tij dhe futu thellë nëse bluan në kokë, të bëjë atentat shokut Enver, nëse ka armë…”/ Udhëzimi i kryetarit të Degës së Krujës, për survejimin e Gjet Kadelit

Nga Gjet Kadeli

Pjesa e tetë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtrarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën,  e deri te “Dallandyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

                                           Vijon nga numri i kaluar

Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çezma e Trojës”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm

                                                                                     Marrë: P.Op. Thanas Toto

                                                                                     Dhënë: B.p. “Çezma e Trojës”

                       Raport datës 15/8/1971

Ai raporton se, më datën 18/7/1971, është takuar me Gjet Kadelin, në biseda Gjeta i tha atij se; Nikson i Amerikës do të shkojë për vizitë në Kinë dhe këtë do ta bëjë deri në muajin Maj 1972. Këtë unë, tha Gjeta, e kam dëgjuar në radio në gjuhën jugosllave, po kështu e kishte dëgjuar dhe axha jem Zef Kadeli i cili, tash ka dalë nga burgu. Ai i thotë; po çfarë qëllimi ka kjo vizitë në Kinë ore Gjet?!

Gjeta tha se; kjo ka rëndësi të madhe për neve, mbasi ata do të shkojnë drejt rregullimit të marrëdhënieve, duke u rregulltar këto do të fitojmë dhe ne se, neve do të lidhemi me njerëzit tanë që kemi të arratisur në Amerikë ku, do të na dërgojnë plaçka dhe atëhere neve, nuk do të kemi nevojë të punojmë më, por do të rrimë e të bëjmë qef, poshtë e lartë se, tash na dolli shpirti me punë. Tash tha Gjeta, për këtë vizitë që Nikson do të bëjë në Kinë, sovjetikëve u vjen inat, kështu që ata ka rrezik, të fillojnë luftën dhe po u fillua kjo, ata e fitojnë me një herë. Më gjatë, nuk vazhdoi biseda pasi, erdhën dhe persona të tjerë.

                    “Çezma”

Detyra:

Takohu përsëri me Gjetën dhe çfarë flet ky më, për vizitën e Niksonit në Kinë, a ka dëgjuar më radion jugosllave ose italine, dhe çfarë flasin ato për këtë qëllim.

Bisedoni me të, lidhur me vizitorët e huaj që vijnë në Mamurras, se pse, të mos gjesh ndonjë nga këta, për t’u lidhur me babën dhe të dërgojnë plaçka.

               Punëtori Operativ

                   Thanas Toto

Shënim Operativ:

Me datën 15/8/1971, unë Punëtori Operativ Thanas Toto, në takim me B.p. “Çezma Drojës”, ndër të tjera tha:

Se, me datën 18/7/1971, jam takuar me Gjet Kadelin dhe ky në biseda më tha se; a mundesh me më gjet një revole dhe ta blejë 15.000 lek, se kur ke revole, je trim i madh, nuk të tremb dot njeri se, ja numëron në kokë, më pas Gjeta i tha se; unë kam mbajtur për 3 muaj rresht revolen, “Berret” të Nikoll Lalës nga Bushneshi i cili, është A.P. dhe mësues në Bushnesh, këtë revole, ma dha për t’i rregulluar fishekët sovjetike që kishte gjetur për të dhe t’ja bënte në masën e “Berretës”, Nikolla është shok i mirë, trim dhe besnik, nuk të qet kur dhe unë e dua shumë.

                 Punëtori Operativ

                   Thanas Toto

Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Ç. Papajani, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çereshniku”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm

                                                                                          Dhënë B.p.“Çereshniku”

                                                                                           Marrë P.Op. Ç.Papajani

            Tiranë 23/11/1971

                                                  R a p o r t

Me datën 21/9/1971, ai ka takuar në pazarin e ri, Luigj Frrokun dhe Gjet Kadelin të cilët, ishin të dy së bashku dhe kishin ardhur nga Mamurrasi. Luigji ka qenë në Tiranë dhe para tre vjetësh, është dëbuar nga Tirana, me të drejtë banimi në rrethin e Lushnjes, ndërsa Gjeta, banon në Mamurras.

Luigji në prezencë të Gjetës, kur ai e pyeti se; si ja kalon nga Lushnja, Luigji tha se: Si do ta kalojmë si të internuar që jemi. Neve të internuarve, tha Luigji, na trajtojnë shumë keq, bile siç trajtojnë zezakët në SH.B.A., sikur s’jemi Shqiptar. Punojmë shumë më tepër se të tjerët, kohët e fundit na e kanë rritur normën, nga një e gjysëm dynym, në katër dynym, prerje misri, kështu që nuk realizojmë dhe nuk marrim asgjë. Më bë ndërmend, duhet të rrimë 10 – 12 orë në ditë.

Duke vazhduar bisedën, Luigji tha se; kam marrë letra nga vjehrri në Amerikë dhe më thoshte se, ata atje rrojnë shumë mirë veçse, kanë merakun tonë që, vuajmë këtu, sepse dollarët që na dërgojshin, na i kanë ndaluar këta në Shqipëri. Ndërsa Gjeta tha se; unë nuk jam duke pyetur më, as për qeverinë as për parti, kam katër muaj që nuk u shkoj në kooperativë, por punoj privat marangoz, marr 500 lek në ditë në shtëpi, me xhaxhanë që tash 6 muaj ka dalur nga burgu. Këta tha Gjeta, duan me na shfrytëzue, por unë, nuk u bindem më, megjithëse më ka thirrur tre here, Rrem Sefa në Burizanë.

Ai thotë se; Luigj Frroku me Gjet Kadelin, janë kunetër d.m.th., Luigji ka marrë të motrën e Gjetës. Vjerri Luigjit që, është njëkohësisht baba i Gjetës, është i arratisur në vitin 1949, bashkë me djalin e madh, që quhet Gjon Kadeli, ndërsa Luigji, ka të arratisur të vëllan e tij që, quhet Anton Frroku i cili, është i arratisur para 7-8 vjetësh dhe ndodhet në Amerikë.

                “Çereshniku”                            

            Tiranë 23.11.1971

Shënim: Detyra nuk ja dhanë për arsye se takimi është i rastit.

           Punëtori Operativ

           (Çaçi Papajani)

Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çezma e Trojës”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm

                                                                                      Marrë: P.Op. Thanas Toto

                                                                                    Dhënë: B.p. “Çezma e Trojës”

         Raport i datës 14/1/1972

Burimi njofton se, më datën 4/1/1972, është takuar me Gjet Kadelin, takimin e kanë bërë në Mamurras, ai në bisedë me Gjet Kadelin 1 orë, it ha; nuk më ka qëlluar rasti me bisedue bashkë, si shpjegohet mos ardhja e delegacionit Kinez në Kongresin e VI-të të Partisë?! Gjeta, në përgjigjet thotë; deri sa shkëmbejnë vizitat Kina dhe Amerika, partia jonë, thotë nuk jemi me ju, deri sa presidenti amerikan, do të bëjë vizitë më 22 shkurt 1972 në Kinë.

Ai i thotë; po çfarë qëllimi mundet të ketë kjo vizitë, Gjeta tha se; vizita ka për qëllim që të shkatërrohet udhëheqja e Kinës, një shembull tha Gjeta, deri te shoku më i ngushtë i Mao Ce Dunit, Lin Biao, është shkarkuar nga detyra, gjithashtu janë shkarkuar dhe 16 ministra që, nuk kanë qenë dakord me vizitën, rolin kryesor në këtë mes, tha Gjeta, po e luan Çu En Lai, miku i ngushtë i vendit tonë i cili, tani po na e bën me bërryl.

Gjeta vazhdon të thotë se; do të bëhen ndryshime kolosale në globin tokësor, ai i thotë; po në çfarë mënyre do të bëhen ndryshimet. Gjeta thotë; ndryshimet do të bëhen në këtë mënyrë, do të bjeri puna, me u nda veç shteteve të tjera, shteti jonë, dhe ashtu vendin tonë, nuk e len kush, nga ana tjetër, shumica e popullit tone, nuk është me këtë qeveri dhe nuk i ka me vete në asnjë rast, kjo tha Gjeta, deri sa popullit nuk i ka lënë as një gjë mbas shpirtit, vetëm ujë. Gjeta thotë; ishalla nuk kemi luftë me pushkë se, neve do të na grinë, por jo nuk ka luftë e përsëriti Gjeta, se po të niset, këta nuk kanë nga t’ja mbajnë, më në fund Gjeta, thotë se; Shqipërinë, mos ka nëna e baba, kësaj partie, sa e kanë shkel e sa do ta shkelin, ke për ta parë.

Përsëri në vazhdim, Gjeta i thotë se; kur erdhi për vizitë në Jugosllavi, Brezhnjevi i Bashkimit Sovjetik, doli në gjueti me Titon dhe në biseda i tha Titos se; Niksoni i Amerikës, më ka ngarkuar me detyrë, për të gjitha gjërat dhe prandaj kam ardhur këtu, këtë tha Gjeta, e kam dëgjuar në radio “Zëri i Amerikës”.

Më gjatë nuk biseduam gjë me Gjetën.

“Çezma e Trojës”

Detyrë

  1. Takohu përsëri me Gjetën dhe bisedoni përsëri, rreth bisedës së parë për Brezhnjevin që, ka folur me Titon për detyrat që ka marrë nga Amerika etj., bisedoni dhe për punën në kooperativë se, nuk duhet të largohet prej andej, se kështu merrni veten në qafë e, pastaj ju shikojnë me sy të keq.
  2. Bisedoni dhe për “Zërin e Amerikës” se, çfarë ka dëgjuar Gjeta ndonjë gjë tjetër.
  3. Bisedoni nëse ka marrë gjë vesh për babën, që e ka të arratisur dhe se, çfarë ka bërë ky për t’u ndërlidhur me babën me anën e ndonjë kosovari, për t’i dërgue plaçka.

Punëtori Operativ

  Thanas Toto

Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Harrilla Kola, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çezma e Trojës”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm

                                                                                             Marrë P.Op. H.Kola

                                                                                             Dhënë B.p. “Çezma e Trojës”

                Raport i datës 2/V/1972

Burimi njofton se, me datën 1 Maj, shkoi të Gjet Kadeli për vizitë dhe mbas pak ai e merr Gjetën te shtëpia e tij dhe e mban për drekë. Gjatë bisedës, Gjeta thotë se; këta mund të më fusin brenda në burg por, nuk kanë çfarë të më bëjnë. Ai i thotë; si ka mundësi të bëhet kështu si thua ti, Gjeta thotë; kanë inat se nuk pranoi t’u shërbente atyre se, ata thonë; ti ke mundësi, i prekur nga ana politike dhe futesh kudo, por unë nuk e bëj në asnjë mënyrë këtë dhe shefit të Policisë, i kam thënë se; unë nuk punoj me juve, sikur të shoh edhe Jugosllavin këtu, unë nuk kam me ju tregue dhe shefi më tha se; po të zuna do të rregulloj mirë.

Këta të zënë në këtë mënyrë, sikur kam ardhur unë për drekë ke ti dhe ti të vesh inçizim të maskuar. Ai i thotë; çfarë qenka kjo që, se ditkam unë, po, thotë Gjeta, inçizim quhet që të gjithë bisedën që flet, ai i inçizon se, çfarë bisedohet, në fakt për mua ajo është shumë e rrezikshme se, për ndryshe, nuk kam çfarë të më bëjnë, se një me një.

Në vazhdim të bisedës, Gjeta tha se; sikur të nisem me vra Enver Hoxhën, nuk kam me i tregue kujt e, për këto gjërat e tjera, në treshe nuk futem. Ai i thotë; nuk di si ta them se, ti je i zgjuar vetë dhe më shumë se unë por, cilin ke shok më të ngushtë në kuptimin që i beson. Gjeta thotë se; nuk kam, kam pas në jetën ushtarake dhe deri vonë, Simon Bunën, nga Mamurrasi, ndërsa tani, nuk i besoj se tani edhe byrazeri të bën pabesi. Ai i thotë se; po të më duash, fillo punë në kooperativë. Gjeta thotë se; ka 8 muaj që nuk më ka thirr kush për punë, sikur unë të mos kisha nevojë fare.

Gjeta ka muhabet edhe me dhëndrin e tij që, i ka dhënë të motrën është në Berat i internuar.

“Çesma e Trojës”

Detyra:

Qëndroi afër Gjetës, mëso lëvizjet e tij dhe futu thellë, nëse bluan në kokë të bëjë atentat shokut Enver, me këtë rast nëse disponon ndonjë armë.

Vlerësimi i informatës:

E dhëna është e rëndësishme sepse nga sa duket, Gjeta bluan në kokë të bëjë atentat, dhe në të njëjtën kohë ka shqetësime se mos arrestohet për shkak se është thirrur, siç thotë vetë Gjeta, për bashkëpunim, nga shefi i policisë dhe nuk ka pranuar.

Punëtori Operativ

Harilla Kola

Shënim i Kryetarit Degës:

Vlerësimi:

  1. Ky objekt, ruhet se mos e arrestojmë, prandaj gjatë ndjekjes, të kihet parasysh.
  2. Të njoftohet Drejtoria e II-të mbi këtë të dhënë që flet për udhëheqjen, URGJENT.
  3. Nga ana e Shefit Policisë, nuk është thirrur ndonjë herë, por nga hetuesit, është pyetur për disa veprime vagabondazhi të Kujtim Prushit.
  4. Ky objekt, para disa viteve, nga Drejtoria e Tiranës është rekomanduar për të bërë B.p., meqë ka një kushëri P.Op.,por s’ka pranuar.

Detyrë:

  1. Brenda 3-4 ditëve, nga ana e Kryetarit të Degës, të merret kontakt me B.p. për të sqaruar bisedën që ka zhvilluar mbi mendimin për udhëheqjen e Partisë.
  2. Të organizohet dëgjimi me T.O., për të vërtetuar bisedën për Udhëheqjen. Brenda Qershorit.
  3. Të punohet për dokumenta që, të vërtetojmë aktivitetin e tij. Gjatë qershorit.
  4. Me datën 7.VI.’72, u analizua ky përpunim për t’a goditur, por provat janë të pa mjaftueshme. U la si detyrë, të analizohet deri në fund të qershorit.
  5. Po qe se vërtetohen momente që flet për udhëheqjen e Partisë, të propozohet edhe deshifrimi i B.p., për ta marrë si dëshmitar. Memorie. al

      Dt.7/VI/72

     Dhosi Pecani

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

 Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/qendroi-afer-meso-levizjet-e-tij-dhe-futu-thelle-nese-bluan-ne-koke-te-beje-atentat-shokut-enver-nese-ka-arme-udhezimi-i-kryetarit-te-deges-se-brendshme-te-krujes-per-gjet-ka/