“Piktori vlonjat, S.K., me tregoi se; aq shumë u ‘kryqëzua’ Kadareja në plenumin për ‘Pashallarët e kuq’, saqë po prisnim t’i vinin hekurat, por Ramizi…”/ Kujtimet e publicistit të njohur nga Franca

Nga Vasil Qesari

Pjesa e shtatëmbëdhjetë

Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

                                                         Vijon nga numri i kaluar

A ishte shkrimtari Ismail Kadare, disident?

Viti 1975

… Partia kish zbuluar “Grupin puçist” të Beqir Ballukut me shokë. Në vend kish nisur një tjetër valë spastrimesh. Pikërisht, në një situatë të tillë tejet të frikshme, Ismail Kadareja, kish bërë një gafë tjetër.

Lajmin ma dha të freskët korrespodenti i “Zërit të Popullit”. Ai më tregoi se, në mbledhjen e fundit të redaksisë qe folur edhe për një poemë të re të tij, e cila sipas informacioneve të ardhura nga Komiteti Qendror, qe cilësuar nga Udhëheqja tepër armiqësore.

Siç komentohej në rrethe të ngushta të Partisë, Ismail Kadareja, (gjithmonë provokator, keqdashës e me synime armiqësore), duke gjetur gjoja sebep nga privilegjet, orgjitë e veprimtaria armiqësore e Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes e gjeneralëve të tjerë, i kish cilësuar ata, e jo vetëm ata, “Pashallarë të Kuq”. (Duke stigmatizuar e akuzuar kështu, strukturat e Partisë, Byronë Politike, gjithë komunistët, shtetin e vetë sistemit socialist).

Poema djallëzore, s’kish qenë aspak e vështirë për t’u kuptuar se ku godiste prandaj, lart në Byronë Politike, qe cilësuar thirrje e hapur për kundër-revolucion. Kësisoj, Kadareja, kish bërë mbroçkullën e dytë, e lajmi kish marrë dhenë.

(Më 1975-ën, për shkak të poemës sime ‘Pashallarët e kuq’, gjithë Shqipëria, bile edhe ata që nuk kishin hapur kurrë në jetën e tyre ndonjë libër letrar, mësuan se shkrimtari më i njohur në vend, kish shkruar një poemë në të cilën bëhej thirrje për ‘kryengritje të armatosur’), do të shkruante Kadare vite më vonë lidhur me këtë ngjarje.

Viti 1982

Ndër kënaqësitë e pakta për lexuesin e pasionuar të asaj kohe ishte edhe shfletimi ditëve të diela, i faqeve të gazetës ‘Drita’, sidomos me kureshtjen e leximit të ndonjë lajmi mbi artet, letërsinë e kinemanë e huaj. Pikërisht, një të diel të tillë, mësova se Kadareja qe kritikuar ashpër në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë.

Të nesërmen, për ndonjë hollësi më tepër, nxitova në studion e piktorit Skënder Kamberi, i cili qe edhe anëtar i atij plenumi. Skënderi, tepër brun, me beretën e tij të zezë, flokë të gjatë e tipare të mprehta, (ai, gjithmonë, më kujtonte portretin e Çe Gevarës), me tha prerë:

Ai, Ismaili, paska qenë vërtet gomar i madh! Po i bën varrin vetes me duart e tij?! E, si mund të shkruhet ashtu, aq hapur, kundër Partisë e pushtetit…”?!

Përse e ke fjalën? – e pyeta i habitur, sikur s’dija gjë.

“Për novelën ‘Pallati i Ëndrrave’ – shtoi ai – Qysh në rreshtat e parë, kuptohet se ngjarjet zhvillohen në Tiranë, e bile në Komitetin Qendror të Partisë…”!

Pastaj, më tregoi se në plenum, kishin marrë pjesë edhe Nexhmije Hoxha e Ramiz Alia.

Kadareja ish kritikuar fillimisht në raportin kryesor. Më pas, gjatë diskutimeve, sulmet ndaj tij qenë bërë aq të ashpra, sa që shumëkush kish menduar se ai do arrestohej fill mbas mbledhjes. Ismaili kish zënë vend nga fundi i sallës. Rrinte kokë ulur e pafolur. Në fund, e kish marrë fjalën shoku Ramiz, i cili i qe drejtuar me këto fjalë:

Dëgjo, Ismail…! Populli e Partia të kanë ngjitur në Olimp, por në se ti nuk u qëndron besnik idealeve të tyre, ata do të hedhin në humnerë…”!

“Miku im! Të gjithë, ndofta pa dashje, e kemi shkelur ndonjë çikë, por duhet të jesh mangët nga trutë që të shkruash një libër të tillë”! – përfundoi rrëfimin e tij piktori vlonjat, Skënder Kamberi.

Vërtet, thashë me vete, qe guxim prej të marri, ai i Kadaresë!

Një guxim që mund t’i kushtonte kokën. Paralelizmat e ngjashmëritë midis atmosferës, ideve e personazheve të novelës “Pallati i Ëndrrave” edhe realitetit në Shqipëri, ishin përshkruar aq hapur sa që edhe një budalla e kish të qartë përse bëhej aluzion.

(“Pallati i ëndrrave” qe historia paralele e dy diktaturave ose, më saktë e dy tiranive shpirtërore. Një Babel milingonash njerëzore, ku çdokush duhej të kish vendin e tij të punës, me shpresën se një ditë do të mund të merrte një shpërblim për të përmirësuar disi kushtet e tij të momentit. Ish historia e një vendi ku lumturia e utopia nuk ekzistonin veçse në regjistra, në kuadrin e ligjeve të një burokracie ekstreme).

Por, talismani mbrojtës i Kadaresë, s’e kish humbur endé fuqinë. Me sa dukej, edhe asaj radhe, kish qenë vetë Enver Hoxha i cili, kish ndërprerë fushatën e egër ndaj tij. Përse…?!

Shumëkush, mendonte se persekutimi dhe burgosja e shkrimtarit, s’do të shkaktonte asnjë telash, por diktatori e kuptonte se ajo gjë nuk qe edhe aq e thjeshtë. Kadareja, tashmë, s’ishte më shkrimtari modest i viteve ’60-të. Veprat e tij qenë botuar në Francë e në shumë vende të tjera.

Rrjedhimisht, ishte e sigurt që, burgosja e tij do shkaktonte jehonë të fortë kundërshtuese, në Europë e më tej. Nga ana tjetër, s’duhej harruar se ai qe autori i “Dimrit të madh” e, diktatori, s’do të donte që ai i cili kish venë në qendër të librit pikërisht figurën e tij, të cilësohej armik, gjë që detyrimisht do pasohej edhe me zhdukjen e vetë romanit…!

…Pa dyshim, këto kujtime e refleksione rreth Kadaresë, në ato kohë të shkuara e tashmë të largëta, por jo të harruara, nuk janë veçse një skicë e zbehtë e ngjarjeve që kanë të bëjnë me personalitetin e tij. Një vështrim i pjesshëm i fenomenit kompleks-Kadare.

Fenomen, i cili do të mund të shtjellohet plotësisht, nëpërmjet studimesh të thella e të shumta, nga specialistë e njerëz më kompetentë se sa autori i këtyre radhëve. Por, megjithatë, për ta mbyllur këtë kapitull, le të themi edhe dy fjalë të fundit.

Vërtet, Kadareja, s’arriti të bëhej një veprimtar politik i kalibrit të Vaclav Havelit, por mund të themi me bindje se me veprën se tij, ai u bë lider intelektual i kundërshtimit të heshtur ndaj regjimit stalinist.

Kësisoj, ai mund të cilësohet një disident (gjithmonë në thonjëza) krejtësisht origjinal, i cili, sipas shprehjes popullore, nuk i ra murit me kokë e preferoi të mos kalbej burgjeve, duke mbajtur mbi supe Peshën e Kryqit, me të vetmin objektiv: mbajtjen gjallë të shpirtit të një populli, i cili rrezikonte të tjetërsohej në mënyrë tragjike e krejtësisht të pa riparueshme.

Aktualisht, kushdo qofshin qëndrimet apo konsideratat ndaj pozicionit, krijimtarisë e personalitetit të Kadaresë, mendoj se një gjë është absolutisht e pakontestueshme. Fakti që, ai është jo vetëm krijuesi, lëvruesi e figura dominuese e letërsisë moderne shqiptare por, ajo që është edhe më e rëndësishme:

Shkruesi i Madh i vlerave, shpirtit e historisë së popullit tonë. E, s’duhet harruar se, kjo, është mjaft e rëndësishme jo vetëm për kulturën, por edhe për vetë ekzistencën e një kombi.

Për vërtetësinë e këtij mendimi, mjafton të citojmë një gjykim të Vaclav Havelit, i cili ndër të tjera, thotë:

“Sado kontradiktore qofshin interesat e një shkrimtari të vërtetë, qoftë kur ai shkruan për dashurinë, xhelozinë, ligësinë njerëzore, natyrën, fëmijërinë e tij, për Zotin apo skizofreninë, qoftë kur ai bën punën e filozofit apo të psikologut, kur ai u përmbahet fakteve a flet me alegori, kur u përkushtohet projekteve estetike më ekstravagante – pra, në çdo rrethanë nga këto që citova më lart – ka diçka që një shkrimtar i vërtetë nuk mund ta evitojë kurrë: Shkrimin e Historisë.

Sfondin e saj shoqëror, epokën e tij, përfshirë edhe politikën. Rrjedhimisht, shpejt a vonë, ne zbulojmë faktin që, një vepër e madhe letrare, transmeton në mënyrë indirekte, komplekse e madje edhe të fshehtë, elementë të cilët i përkasin historisë, kulturës, qytetërimit apo gjendjes shoqërore e shpirtëror të bashkësisë njerëzore…”!

Prej këtij konstatimi ideal e brilant, të krijohet përshtypja sikur, Vaclav Haveli, i ka shkruar këto fjalë për të përcaktuar ndër të tjera edhe vendin, rolin dhe mesazhin e rëndësishëm të Veprës së Kadaresë.

Fjalë, të cilat, për nderin e krejt shqiptarëve pa dallim, shkrimtari ynë i madh i meriton plotësisht…! Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/piktori-vlonjat-s-k-me-tregoi-se-aq-shume-u-kryqezua-kadareja-ne-plenumin-per-pashallaret-e-kuq-saqe-po-prisnim-ti-vinin-hekurat-por-ramizi/