“Përsa kohë historiografia shqiptare, do të vazhdojë ta fsheh të vërtetën, për krimet që u bënë mbi mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, atëhere…”/ Refleksionet e ish-të përndjekurit politik

Nga Engjell Dine   

Pjesa e dytë

Memorie.al / Ka kohë që herë pas here më vjen një dallgë e mbushur me një tufë ndjenjash që, më përshkojnë deri në pikën më të thellë të shpirtit dhe mbasi kthehet andej nga erdhi, po aq shpejt sa edhe shfaqet sikur të ishte një baticë e vërtetë, merr gjithçka me vete, duke lënë një boshllëk të madh prapa, një boshllëk që merr kohë për tu mbushur prapë. Dhe ç’është e vërteta, përsa kohë kjo “baticë” vazhdon të ngërthejë, në këtë mënyrë krejt të papritur, si një hajdut dredharak që vjedh shpesh dhe pak, aq pak sa të mos kuptohet se diçka mungon, dalë nga dale, do të marrë me vete gjithçka. Unë nuk jam shkrimtar, madje nuk zotëroj as fjalorin e duhur të gjuhës shqipe, për të shprehur atë që dua të them, ashtu sikur e ndjej, a si e përjetoj me mendje e shpirt, megjithatë, sot kam diçka për të thënë e, “ajo” që më gërryen brenda, kërkon me këmbëngulje të dale, e me sa duket është më e fuqishme se vullneti për ta mposhtur. 

                                            Vijon numrin e ardhshëm

Dhe sot jeni faqebardhë, sot ju gëzoni të gjithë të mirat që ju mohuan për pjesën më të mirë të jetës. Sot jeni prindërit e avokatëve, presidentë kompanish, biznesmenëve të suksesshëm, drejtorë ndërmarrjesh, inxhinierësh, profesorësh universiteti, piktorësh, shkrimtarësh, aktivistësh politikë, financierësh, menaxherë, pronarësh restorantesh. Ata që trashëguan gjenin dhe gjakun tuaj, atyre që diktatura komuniste ua mohoi të drejtën e shkollës, përtej tetë – vjeçares edhe pse ishin me nota të shkëlqyera, vetëm se ishin fëmijët tuaj. Megjithatë, ata ja dolën ashtu siç bëtë edhe ju. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe; “molla nuk bie larg nga pema”!

Për sa kohë fajtorët e krimeve dhe gjithë padrejtësitë që u bënë mbi ju, Zonja e Drejtësisë, do të jetë kokulur përpara jush? Po ashtu edhe Shqiponja dy krenare, që në një kohë qëndronte ballë lart mbi sfondin e flaktë, gjatë kohës kur baballarët dhe të parët tuaj derdhën gjak pa hesap për atë tokë, për atë flamur, për atë shqiponjë që, djajtë komunistë me ardhjen e tyre në pushtet e lidhën, i gozhduan krahët dhe këmbët, ashtu si romakët kryqëzuan Krishtin. Sot, ajo qëndron me kokë ulur mbi sfondin e skuqur me gjakun e mijëra njerëzve të pafajshëm.

Të dy këto simbole, u morën peng në Shqipëri që ditën e ardhjes së komunizmit dhe akoma vazhdojnë të jenë peng, edhe sot. Për sa kohë bijtë dhe bijat e kriminelëve, kanë zënë vendin e trashëguar nga të parët e tyre, vazhdojnë të përçajnë e sundojnë popullin edhe sot, ne fëmijët tuaj, nuk do të lodhemi kurrë, duke shkruajtur për padrejtësitë që ju bënë ju, nuk do të ndalim së shkruari të vërtetën, nuk do të ndalemi së shkruari se, kush janë këta pseudo-demokratë e socialistë, në të vërtetë. Nuk do të ndalim së shkruari, për sjelljet tuaja shembullore, për qëndrimin tuaj të palëkundur.

Derisa drejtësia të mos vihet në vendin e duhur, derisa vuajtjet tuaja dhe padrejtësitë që ju bënë përmenden vetëm gjatë fushatave elektorale, me fjalime boshe, me dekorata të pjekura në furrën e ish-komunistëve që sot, janë bërë demokratë e socialistë, Shqipëria nuk do të jetë në gjendje të marri frymë lirshëm. Si një trup i plagosur, me plagë të vjetra ende të hapura, në këtë gjendje të rëndë, do të hedh hapa të plogështa nga njëra ditë në tjetrën me shpresë se një ditë, do të gjendet kura për sëmundjen që e ka dëmtuar kaq rëndë.

E vetëdijshme për faktin që ju vranë e ju persekutuan, që ju larguan bijët dhe bijat më të mira. Dhe përsa kohë historiografia shqiptare, do të vazhdojë ta fsheh të vërtetën, për mëkatet e shumta që u bënë mbi mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, përsa kohë shkruhet përciptazi për viktima, pa përmendur fajtorë, përsa kohë ajo shoqëri, do të vazhdojë të mbjellë farën e helmuar, drejtësia do të vonojë. Thonë që: “do korrësh atë që do mbjellësh”! Në rastin e Shqipërisë, nuk mjafton vetëm me kaq. Në Shqipëri, mbillet po ajo fare e helmuar që u korr, dhe kështu cikli vazhdon…!

Unë kam parë disa gjëra të bukura në jetë, disa ngjarje që vlejnë për t’i ruajtur në kujtesë. Gjëja e parë e bukur që unë mbaj mend, ishte rënia e komunizmit. Erdhi dita për të cilën kisha dëgjuar gjithë jetën: “se dita juaj, nuk vjen më kurrë”. Rrëzimi i bustit të diktatorit, kriminel Enver Hoxha, emrin e të cilit refuzoj ta shkruaj si gjithë emrat e njerëzve të tjerë, për faktin se, ai nuk ishte njeri, po djall, dhe të nesërmen, takova njerëz të familjes që, deri atëhere jetonin përtej kufijve shqiptarë, njerëz që deri atë ditë, as që na shkonte mendja se do t’i takonim ndonjë herë.

Vëllezër, motra, prindër dhe fëmijë takoheshin për herë të parë mbas 45 vjetësh. Motra takohej me vëllain për herë të pare, mbas një gjysëm shekulli, dëgjova me veshët e mi fjalët mallëngjyese: “Po ku je moj motër”?! me një zë burrëror që dridhej nga emocionet e çastit. Lotët që rrëshqisnin mbi faqet e tyre, mbi lëkurën e vrazhdë me rrudha që në vetvete, tregonin jo vetëm vuajtje por, stërmundime e sakrifica të panumërta.

Megjithatë për ato çaste, fytyrat e tyre ndrisnin dhe ashtu të hutuar të gëzuar, të mallëngjyer, çmalleshin me njëri tjetrin, dhe me të gjithë ata që duart e tyre i kishin përkëdhelur, me krahët që kishin përqafuar njerëzit më të dashur në jetë, të cilët “fati” i ndau për së gjalli, për një gjysëm shekulli, a përgjithmonë.

Aty mes lotësh e përqafimesh, një pjesë e zemrës sime ngeli e thyer përgjithmonë. Lindja e Veronikës së vogël, fëmija e parë në familjen tone, të cilën e dua dy herë sepse, ka emrin e nënës, sikur i dha jetë të rinovuar gjyshit dhe gjyshes, fytyrat e të cilëve, nuk i kisha parë aq të gëzuara aq të lumtura, asnjë herë më parë.

Kam parë në sytë e fëmijës tim, buzëqeshjen e parë të sinqertë. Një lloj buzëqeshje që, komunikon atë që nuk ka nevojë për fjalë, sikur me sytë e saj të qeshura, plot dritë dhe me dashuri të pavetëdijshme, sikur mundohej të më tregonte se edhe pse unë nuk flas akoma, të njoh se kush je. Por gjëja më e bukur që unë kam parë në jetë, janë fytyrat tuaja, shpirti juaj human, dashuria juaj që, nuk u shterua kurrë, jo vetëm për fëmijët tuaj por, për të gjithë shokët dhe miqtë tuaj, dhe arritja ime më e madhe në jetë, është plotësisht jo merita ime, është fakti që unë jam fëmija juaj.

Nuk ekziston asnjë gjë në këtë botë që, mund të tejkalojë lumturinë dhe mirënjohjen që unë ndjej çdo ditë të jetës sime që; jam fëmija juaj. Dhe jam më se i sigurt se, edhe fëmijët tuaj të tjerë, ndajnë të njëjtat ndjenja, jam më se i sigurt se të gjithë fëmijët e bashkëvuajtësve tuaj, atyre që ju përkrahën deri ditën e fundit të diktaturës komuniste, ndjejnë të njëjtën gjë për prindërit e tyre.

Në mbyllje dua të përdor një fjali që lexova krejt rastësisht, të shkruar nga Kozeta Zylo. Një fjali që kur e lexova, më kujtoi dallgën dhe baticën që përmenda në hapje të shkrimit. Ajo shprehet kështu, tekstualisht për klasën tuaj: “…Por do të vijë një ditë që nga këto dhimbje, do të shkruhet kryevepra botërore, në mos ka filluar… ajo është brenda JUSH!…”!

Kryevepra botërore jeni Ju! Unë kam 23 vjet që jetoj në vendin më di-versë në botë, kam takuar dhe njohur njerëz nga afër, nga të katra anët e Botës, dhe deri më sot, nuk kam takuar asnjeri si Ju. Dhe mund të them me plot gojën se, nuk kam për të takuar më njerëz si ju. Nuk kam për të takuar sepse, njerëz si ju nuk lind më Nëna! Thonë që dikur vetëm nënat Spartane, ju jepnin jetë burrave të vërtetë, unë them së nënat Spartane, paskan qenë Shqiptare! Ju nuk pranuat kurrë bashkëpunimin me kriminelët komunistë.

Ju jetuat në një kohë, kur e Keqja shpërblehej dhe E Mira ndëshkohej, dhe ju zgjodhët anën e së Drejtës dhe të Mirës me vetëdije të plotë se, një zgjedhje e tillë, do t’ju kushtonte shumë. Ju nuk u thyet as nga torturat, as nga burgimet, as nga presionet psikologjike që, shfaqeshin në mënyra të ndryshme, as kërcënimet për fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Kjo, nuk do të thotë se, ju donit fëmijët tuaj më pak se të tjerët; kjo tregon se ju, ishit dhe vazhdoni të jeni njerëz me vlera mbinjerëzore, me disiplinë dhe fuqi morale, të një niveli tjetër, të një niveli të pakapshëm, të paperceptueshëm nga masat e kushtëzuara, për të ndjekur…sidomos krahasuar me shoqërinë e asaj kohe.

Dhe do të vijë dita që Ju do të viheni në vendin e duhur, do të përdoreni si model për masat. Ju do të jeni busulla me të cilën shoqëritë në të ardhmen, do të orientohen, Ju jeni yjet e natës, të palëkundur, të pa lëvizshëm dhe kur asnjë instrument orientues i kohës, nuk funksionon, Ju jeni guida që njerëzit do të orientohen, për të ri gjetur rrugën. Sikur Nitche të ishte gjallë sot, do t’ju përdorte në veprën e tij të famshme Zarathustra, dhe do të ishit Ju ata që, do t’i jepnit Shqipërisë emër, sepse Nitchja do të pranonte se; Mbinjeriu u arrit në Shqipëri, dhe u realizua në mënyrën më të paparashikueshme, u arrit kolektivisht.

Ju jeni Kryevepra botërore që, akoma nuk është shkruar. Shpresoj që ata që kanë fuqinë e shprehjes, ata që kanë pasion shkrimin, të shkruajnë e të shkruajnë e të shkruajnë e, të vazhdojnë të shkruajnë, derisa gishtat të mos jenë më në gjendje, ta mbajnë penën, të shkruajnë dhe të mos lodhen për Ju, për heronjtë e pa kënduar!!!

Edhe pse sot, fal Zotit, jam i rrethuar me një familje dhe farë e fis të madh, me shumë shokë e miq, kam plot për të qenë i kënaqur në jetë, herë pas here ndjej një ngacmim të lehtë, një boshllëk që rëndon jo pak. Ky boshllëk është barra e rëndë e kujtimeve jo dhe aq të këndshme, barra e padrejtësive që ju bënë juve, dhe paaftësia ime, si individ për të bërë diçka… paaftësia ose mungesa e vullnetit, nga të gjithë Ne, për të çuar vrasësit tuaj në gjyq.

Dhe jam më se i bindur se dallga dhe batica, do të vazhdojë të shfaqet herë pas here, përsa kohë fajtorët dhe kriminelët që duhet të mbajnë përgjegjësi për vuajtjet që i shkaktuan popullit Shqiptar, për krimet e panumërta që i bënë popullit të vet, për krimet që bënë kundra jush, kundra njerëzimit, jo vetëm që nuk janë ballafaquar me drejtësinë por, akoma vazhdojnë të gëzojnë të njëjtin status, si në kohën e komunizmit.

Unë mbase nuk mund t’ju siguroj drejtësinë tepër të munguar por, unë mund të shkruaj për ju, brenda mundësive dhe aftësive që kam, ashtu siç kam bërë për vite, në forume të ndryshëm shqiptare, dhe kam vënë re se shumëve prej tyre, nuk ju pëlqen të dëgjojnë për ju. Sikur ju të ishit ajo pasqyra që, ve në dukje pjesët më të thella, më të errëta të shpirtit të njeriut, aty ku drita nuk lejohet të depërtojë.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, kujtimet më të bukura të jetës, që si dallgët e detit kur vijnë, më mbushin plot gëzim dhe kur kthehen përsëri andej nga erdhën, sikur ju marrin edhe ju me vete duke lënë prapa një boshllëk që nuk mbushet më. Ky boshllëk është mungesa juaj, disa nga ju nuk jeni më, disa nga ju nuk jeni më pjesë e jetës sime të përditshme, si atëherë.

Dhe kur sot dëgjoj për hallet tuaja më rëndon, kur dëgjoj që jeni sëmurë bëhem merak, kur dëgjoj që nuk jeni më, zemra ime pëson një rrahje më pak, kur ju dëgjoj emrin për mire, më bëhet zemra mal sepse ju ishit aq të rëndësishëm dhe ndikuat kaq shumë në jetën time sa, ç’ishin dhe ndikuan njerëzit më të afërm të familjes.

Në fakt Ne ishim një familje, një fis i madh që i dhamë dorën njëri tjetrit në kohët më të vështira të imagjinueshme. Ndihma dhe mbështetja që gjetët tek njëri tjetri, mundësoi të mbijetoni fizikisht dhe shpirtërisht. Dhe në këto rrethana, tejet të vështira mes vuajtjesh dhe sakrificave të papërshkrueshme, u krijuan lidhje, nyje të përjetshme, që nuk priten kurrë!

Tani dua të përmend emrat e disa viktimave të diktaturës komuniste, kryesisht njerëz që i njoha personalisht në kampet e Lushnjës si: Savra, Gradishta dhe Gjaza.

Sazan Dine dhe Veronika (Dosti) Dine

Tomorr Dine dhe Shkurta (Serdari) Dine

Hajredin Dine dhe Adriana (Radi) Dine

Xhelal Dine

Skënder Dine (Xhaxhai që humbi jetën në moshën 28 vjeçe në burgjet politike të diktaturës komuniste)

Rukie Dine (gjyshen time që “brodhi” të gjitha kampet e internimit me fëmijët e vegjël, duke filluar që nga kampi famëkeq i Tepelenës e, deri aty kur mbylli sytë përgjithmonë, në Gjazë)

Sulltana Dine dhe Llan Kaziu (motër e vëlla)

Fuat Dine dhe Meleqe Dine

Genc Bajraktari dhe Hana (Dine) Bajraktari

Viktor Dosti, Hyria (Kupi) Dosti

Tomor dhe Suta Dosti

Leka Dosti

Ernest dhe Fatbardha Dosti

Tomorr Gjergjani dhe Tefta (Dosti) Gjergjani

Fatbardh dhe Lirie Kupi

Ibrahim Sokoli Shanisha (Dosti) Sokoli

Fatmira (Dine) Hasho

Xhina Mirakaj

Sokol Miraka dhe Valbona (Çoku) Miraka

Simon Mirakaj

Lekë dhe Loli Mirakaj

Mojsi dhe Dava Mirakaj

Lazër dhe Vitka Radi

Vasil dhe Lajde Kokali

Besnik Ndreu dhe Dudie (Kupi) Ndreu

Ded Markagjoni

Gjon Markagjoni (Gjonmarkaj),

Marta Markagjoni.

Bardha Markagjoni

Selami Xhydo

Neshet Talo

Naim dhe Lufta Staravëcka

Ali Dema

Tefta Dema

Ismail dhe Xharie Spahiu

Genc dhe Albina Previzi

Valentinë Previzi

Lek dhe Beba Previzi

Xhavit dhe Sheqre Matjani

Elami dhe Seçi Agolli

Pal dhe Gjyste Kaziu

Familjet: Kaloshi, Menet, Spahiet, Previzët, Demet, Biçaku, Kokali…

Ju falënderoj të gjithëve përzemërsisht për përkrahjen që u dhatë prindërve, vëllezërve dhe motrave të tyre gjatë ditëve më të vështira të jetës! Ju uroj gjithashtu një jetë sa më të gjatë, pleqëri sa më të mbarë dhe të arrini të shikoni nipa mbesa e më tej, se është mirë që edhe ata të kenë fatin të preken nga ky burim i pashtershëm dashurie, nga duart dhe zemrat tuaja.

Ky shkrim u kushtohet kryesisht prindërve të mi, familjes dhe farefisit, shokëve dhe miqve të tyre më të afërt, bashkëvuajtësve dhe gjithë viktimave të diktaturës komuniste, anë e mbanë Shqipërisë.

P.s. Kërkoj falje për ndonjë emër që mund të kem harruar te përmend. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/persa-kohe-historigrafia-shqiptare-do-te-vazhdoje-ta-fshehi-te-verteten-per-krimet-qe-u-bene-mbi-mijera-e-mijera-njerez-te-pafajshem-atehere-refleksionet-e-ish-te-perndjekurit/