“Për ta ditur a ishte ende gjallë, ajo shkonte te Dega e Shkodrës, me pak ushqim, por një ditë, roja i tha; djalin…”/ Historia tragjike e togerit të Sigurimit, që dekonspiroi kolegët e tij

Nga Gjon Mark Ndoj 

Pjesa e dytë

Memorie.al / Gjon Mark Ndoj lindi në Orosh të Mirditës, në vitin 1928. Shkollën e mesme e vazhdoi në gjimnazin e Shkodrës. Arrestohet më 14 qershor të vitit 1946, i akuzuar si “kundërshtar i pushtetit popullor”, kur shërbente si mësues në Rrëshen. Pas disa muajsh hetuesi ku u torturua në mënyrë çnjerëzore, u dënua me 17 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti kryesisht në burgun e Burrelit. Gjatë kësaj periudhe, Gjon Mark Ndoi, shkruajti tregime e poezi si dhe një poemë poetike. Fatkeqësisht kjo krijimtari nuk e pa dritën e botimit mbasi, dorëshkrimet iu sekuestruan gjatë kontrolleve të shpeshta në burgun e Burrelit, por ato mundën t’i lexonin bashkëvuajtësit e asaj kohe, si: Gjergj Kokoshi, Arshi Pipa, At Pjetër Meshkalla etj. Ai ka botuar librat me tregime e novela, si “Kardinal Ahuni” dhe “Ndëshkimi i pafajësisë”

                                                         Vijon nga numri i kaluar

FRAGMENT NGA LIBRI “NDËSHKIMI I PAFAJËSISË”

Një klithëm – kërcënim ndërpreu të pandehurin, ose më sakt, tërhoqi vëmendjen e gjykatësve dhe njerëzit në sallë: – Gënjen, janë dokrra, gënjeshtra e ndërsa folte si i ndërkryem, i bani me shenj kryetarit të gjykatës të mbyllte seancën…!

Gjatë një bisede krye më krye, me derë të mbyllun përbrenda, mbasi kishin porositë oficerin e rojës që të mos i trazojë askush, civilët me kryetarin e Seksionit ranë në një mendje që puna duhej zgjidhë me të butë e dhelpni.

Porositën të mos e trajtojnë keq, por as mirë dhe t’i japin me hangër dhe ujë nëse kërkon me pi. Nga ora 10 e mbramjes shkoi vetë nënkryetari me e marrë nga biruca. Edhe Pjerini kishte ardhë me përfundimet e veta. duke përblue gjendjen e vet. Ata do të më zhdukin.

Zaten qysh se kanë caktue mue me e krye këtë punë, ka qenë vendosë. Dy shokëve do t’ua mbyllin gojën, nuk janë përgjegjësit kryesorë dhe do të pranojnë ndonjë premtim. Asnjë arsyetim tjetër nuk e çonte në një përfundim disi ma bindës se ky. Ende nuk e kishte krejt të qartë se pse veproi, veçse tashti ishte i bindur se ishte përdorë si mashë dhe dy shokët që ia kishin sugjerue e tepria e pasojave që s’e kishte mendue.

Gjithnjë e ma tepër po zinte vend e qartësohej, trajtimi që u ishte ba atij e shokëve i kishin gjykue se u krehte dhe u miklonte sedra e vijonte, me mend, duke i dhanë udhë e zgjidhje, ishin kapë jo pa qëllim e rastësisht të tre katolikë.

Kjo e përforconte trajtimin, aq sa ndiente për vete e shokët përbuzje. Zemërimi e kishte mposhtun aq sa mezi po kontrollonte veten. Por nëse i kishin ushqye e nxit urrejtjen, i kishin mësue edhe hilet e shtirjet ndaj pabesit.

Rreth një orë i mbajtën Pjerinin dhe oficerin e rojës, që rrinte para derës, megjithëse u mundue me kapë ndonjë fjalë, po qe e pamundun. Asnjë za, asnjë shenj gjallnie edhe pse brenda ishin katër vetë. Kur u çel dera dhe doli nënkryetari me Pjerinin, duke mbajt për krahu, i’u ba se ishte ma tepër gjest miqësor se masë sigurie.

– Thue ia dolëm? – pyeti civili kryetarin. Them se po, e duke vu buzën në gaz me ironi tha: jeta asht e shtrenjtë. Edhe Pjerini sa dëgjoi derën e birucës që u mbyll e mbeti vetëm, i përtërini të gjitha bisedat, punët e bame e shqetësimet që kishin fillue para dy javësh.

Por jo tue i shoshitë ma një fillesë me veprime të pamatuna, kështu duhet të përfundojnë dhe s’ke kah u shmangesh. A fjeti? Kushedi, i lodhun, i ri, i sfilitun…!

Ndoshta. Gjumë…nuk ishte gjumë. Si mund të flihej në gjendjen dhe kushtet e tij, por ai qe një kapllim, trullosje dhe ëndrra të frikshme, pengesa që s’arrinte t’i kapërcente: e para kudo i dilte një humnerë, humnerë… humnera.

T’ue u shkund me e hjekë këtë makth, iu ba se një hap i dhunshëm po ecte brenda tij duke vu nën thundrën zotnuese praninë e vet. Çdo ndjesi ishte ngurtësue e shtrue këtij pushteti. Një shkodran i vjetër cinik i kishte thanë një herë, si se kam harrue, ah, po dhe ata që i ushqyen e i përpajnuen bindjen disi ndryshe në shpjegim, por e mjaftë…!

Urrejtja mund të jetë qorre, të shumtën e herës, por ajo ndonjëherë ka një vështrim e qartësi që e detyron qorrin bartës të veprojë me ose pa ndërgjegje, por me vullnet të fortë, për të krye një ndëshkim, sepse edhe Zoti ka krijue ferrin që të këqijtë dënohen me vuajtje të pafund.

Pjerinin e nxuerën ma parë prej biruce dhe i prunë ujë, madje dhe sapun me la duar e faqe. Këtë e bani me qejf se ai gjithmonë i kishte dhanë rëndësi paraqitjes. Mbasi u la, kaloi gishtat nëpër flokët gjysmë kaçurrel, krenia e tij. Ju dha me lëmue vetullat.

Albina i kishte zgjue interes për to, kur një ditë i kishte thanë: Rini “m’i jep mue vetullat e tua e, ti merr të mijat”, dhe kishin qeshë të gëzuem. Sa larg kjo kohë, e pra jo ma pak se 6 muaj. Dy ishin ngallicat që u mbështet vendimi i tij të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.

E kishin mashtrue, e kishin përdorë si mashë e mjet. Nëse do t’u përgjigjej tashti me një qëndrim të kundërt, s’paku, do të shpërbënte ose të zhveshte lakuriq, qëllimin e synimin e tyre dhe kjo do të ishte shumë dhe e dënueshme, madje deri qesharake, se i ulte në opinion. E kështu do të merrte njëfarë shpagimi.

Nuk do të shkonte kot si e kishin mendue ata. Civili, që ndiqte me vëmendje e droje qëndrimin e Pjerinit, i tha majorit për këtë djalë me natyrë të rrëmbyeshme dhe të gjallë: kjo ndejë e të prumë i qetë… mund ta ketë fjetë mendjen e bind nga premtimet tona…!

– Ndoshta, të shpresojmë.

Për të kalue prej biruce deri në sallën ku bëhej gjyqi, ishte një distancë, mundet 50 metra. Edhe kalimi nëpër një copë oborr nuk të ngopte me ajër të pastër. Hapsina e ngushtë me një rrethinë të zymtë vetëm se të ndrydhte dhe e bante ma të ndjeshme gjendjen dhe ma e keqja, të errësonte shpresën. I ndalën në korridorin që kalonte para sallës e përfundonte në derën e jashtme.

Përballë ishte një dhomë e vogël, zyra e oficerit të rojës. Aty i futen, mbas një tavoline të thjeshtë ishte ulë civili dhe në krah të tij, në këmbë, kryetari i Seksionit.

– Do t’ju takojmë me familjet për aq kohë sa asht rregulli, për punë familjare. Nëse folte, vështrimin e mbante te Pjerini. Në fytyrën e tij të regjun nuk lëvizi asnjë muskul, a rrudhë e vijë shprehjeje. Ai bani me dorë kah oficeri i rojës e hynë katër gra. Ishin nënat e dy shokëve të Pjerinit, ma të forta edhe pse në moshë me Pinën e ma tepër.

Nanat i kanë lotët në sy por nuk qanë, veçse po nguteshin me pyet e shpreh sa ma shumë. Pinën e mbante për krahu Albina që ishte shtirë kështu, me i dhanë rast Albinës me ardhë në takim. Pjerini e pëlqeu këtë hile se, do të shmangte komprometimin e Albinës.

Gjatë atyre pyetjeve të shkurta e të lejueshme i thanë nën za por pa tërhjek vëmendjen e atyre që vrejshin…!

– Bina, mos ma harro nanën. Kjo kërkesë e tij, shprehë rrëshqitas, i plotësoi të gjitha ato shprehje që nuk mund t’ia thojshin njëni-tjetrit. Kur dolën të gjithë, civili mendueshëm i tha nën za Kryetarit: Asnjë shenj zbutjeje apo dhënieje nuk vërejta në fytyrë e të prume të Pjerinit.

Ai kishte të drejtë se Pjerini po provonte pikërisht këtë mendim kur duke gjykue ndër vete këtë takim… gjithkund veç mashtrim… Por ai tashti nuk ishte në gjendje me iu dorzue asnjë zbutjeje ndjenje. Salla ishte e mbushun plot.

Ishin ftue e pru jo vetëm ata që qenë në seancën e mëparshme, por disa të afërm të tyre që mund të kishin marrë vesh ndonjë skaj a hollësi sado të vogël e të sipërfaqshme e anash. Kryetari i gjyqit, me një za të shtruem, por bukur të naltë e që i shante zanit, ku donte me theksue, çeli seancën: –

Vazhdojmë seancën e gjykimit, që siç jemi në dijeni, u ndërpre nga një element i ri i shprehun nga i pandehuri Pjerin Kini, një moment i pakontrolluem i tij, që komprometonte vetë të pandehurin dhe një faktim i provuem publikisht, për armët që u gjetën në kishë, në vendin ku besimtarët shkojnë për t’u falun, klerikët katolikë, si gjithherë në anë të reaksionit, të errsinës, të mashtrimit, fusin armët aty ku kishte vendin kryqi e ungjilli.

Dhe vijoi e vijoi për një gjysmë ore. Heshtja ishte e plot, por kishte dhe lëvizje padurimi. Ato dojshin me ndëgjue atë djalë të ri, të quejtun Pjerin, që edhe pse ata që ishin në sallë në shumicë ishin të prirun me emëni si armik, mosha e re, paraqitja e dhimbshme, e zbehtë, nëse nuk ndjellte keqardhje, sikur e topit e keqja që në shumë mënyra mund të binte në krye të djalit, vëllait të afërm të tyre.

Prokurori turfulloi duke përsërit ato që tha kryetari, por duke e paraqit të pandehurin si një njeri të paqëndrueshëm, të papërgjegjshëm e mashtrues. Dy-tre herë u çue Pjerini i zemruem me u përgjigj, por i ndërhynte kryetari me e zbut gjendjen. Sa e la prokurori, kryetari i’u drejtue Pjerinit:

– I pandehur Pjerin Kini, e keni fjalën. Ai u çue ngadalë, por i sigurt. Fytyrën e kishte krejt të zbehtë. Si shtatore e ngurtësueme, ai qëndroi drejt, pa lëviz as krah as dorë. Së pari, zani iu dridh, por në vijim erdhi tue u ba ma i sigurt e ma i qartë:

– Zoti Kryetar! Dje thashë para jush këtu se armët që u gjetën në kishë, i kisha futë unë me këta dy shokët. As frymëmarrje nuk ndihej në sallë. – E përsëris, me nderin tim, këtë betim, me jetën time. Fretnit as nuk i kanë futë aty, as nuk kanë pas dijeni. Prokurori e ndërpreu t’ue shprazë një lumë fjalësh e sulmesh. Kërkoi t’i hiqet fjala të pandehurit. Pjerini deshi të flasë, por kryetari e ndërpreu preras:

– T’i hiqet fjala të pandehurit. I akuzuemi nuk reagoi, madje, për çudi të të gjithëve, u ul dhe heshti. Prokurori mbajti pretencën. Procedurën po e përshpejtojshin, t’ue kufizue retorikën. Kur doli trupi gjykues me vendosë, në sallë pati pak bisedë. Njerëzit nuk po dijshin si me veprue e me shfaq mendim. Kishte ndodhë diçka që ata nuk mund ta kapshin nën shushatjen e një habie që ka çudia e beftë.

Qysh se u dënue me vdekje me pushkatim Pjerini, Pina, mbasi shihte meshën e nadjes te Kisha e Madhe, shkonte me marrë vesh e me i çue ndonjë ushqim djalit. Por asnjëherë nuk ja kishin pranue dhe sqarue, por vetëm e kishin turitë me përbuzje. Kjo vijoi për një javë.

Ajo nuk ndjehej e fyeme se kështu mund të kthente në shtëpi me një fije shpresë se i biri ishte ende gjallë. Por një ditë ndodhi ajo që duhej të ngjante, sepse ishte krye. E munduen me e sfilitë që t’i jepshin të ramet e mbrame shafitëse. Me zgërdhimjen që ka egërsia, një ditë i thanë: “Djalin shko e kërkoje në Zall të Kirit…”! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/per-ta-ditur-a-ishte-ende-gjalle-ajo-shkonte-te-dega-e-shkodres-me-pak-ushqim-por-nje-dite-roja-i-tha-djalin-historia-tragjike-e-togerit-te-sigurimit-qe-dekonspiroi-koleget/