“Për kontributin e tij të madh, u dërgua me ‘Vllazninë’ në Kosovë, por kur e kthyen në Shkodër, me insistimin e Pëllumb Kapos, e dënuan…”/ Historia e panjohur e legjendës së gazetarisë sportive

Nga Namik Mehmeti   

-Rrëfimi i gazetarit të njohur sportiv, Namik Mehmeti, për ish-kolegun e tij, Rifat Uruçi, i konsideruar si babai i gazetarisë sportive në Shqipëri, i cili u dënua në 1971-in, pas kthimit nga Kosova, bashkë me ekipet e tjera të Klubit Sportiv “Vllaznia”!-

Memorie.al / Një person i përkushtuar vetëm mbas një pasioni, sportit, që ishte ushqimi i tij i përditshme si tre vaktet e ushqyerjes në ditë. E fillonte ditën me kafen e mëngjesit, dhe mbasi shkëmbente me shkodranët përshëndetjet e para, do të i jepte përgjigje pyetjes: – “He Rifat, çka thotë Vllaznia”? Dhe jo vetëm qytetari i thjeshtë, por edhe kur kalonte për të hyrë në godinën “Klubi Vllaznia”, duhej t’i kthente përgjigje edhe një nëpunësi të Komitetit të Partisë, Komitetit Ekzekutiv, dhe jo rrallë herë edhe drejtuesve më të lartë të këtyre institucioneve.

Bahet fjalë për gazetarin e njohur sportiv, gjyqtarin po kaq të njohur të volejbollit e  të basketbollit, pasionantin i lindur për propagandën sportive jo vetëm në Shkodër, por në kudo në Shqipëri, Rifat Uruçi.

E kam njohur më parë vetëm fizikisht, kur isha vetëm 18 vjeç dhe në këndin sportiv të gjimnazit “28 Nëntori” të qytetit tonë të Shkodrës, ku zhvilloheshin ndeshjet e kampionatit kombëtar të basketbollit e volejbollit, dhe ai do të ishte pranishëm, si gjyqtar, si gazetar, pse jo dhe në rolin e një trajneri. Pra bëhej fjalë në fillimet e viteve ’60-të.

Duke u gjendur me shokët e klasës si spektatorë, ai kishte nuhatur dhe pasionin tonë për sportin ndaj, një ditë i shprehëm dëshirat tona për t’u aktivizuar me ekipet e të rinjve në lojërat me dorë. Shokët e klasës Valteri, Haliti, Gezimi, Merzuku, Bepi, Lini etj., arritën të inkuadrohen në ekipin e të rinjve, ndërsa unë, me mbështetjen e Rifatit, i hyra rrugës së arbitrimit, e më pas të gazetarisë sportive, falë mbështetjes së Rifatit.

Duke trashëguar një njollë në biografi, ku një axhë i tij (Riza Uruçi), ishte pushkatuar nga partizanët e diktaturës komuniste, i riu gjimnazist, Rifat Uruçi, me shumë kurajo dhe vullnet, mundi të përballojë luftën klasave edhe pse familja e tij, (prej gjashtë vëllezërve), kaloi nëpër provat e hetuesisë e dënimeve të gjyqeve komuniste. Njeriu i sportit nr. një në Shkodër, siç njihej Rifati jo vetëm nga bashkëqytetarët e tij por, edhe në ambientet sportive të Tiranës e më tej, kërkonte shkallët e ngjitjes në drejtimin e sportit, por e shihte me objektivitet se në Shkodër, lufta klasore, ishte më e ekzagjeruar në krahasim me qytetet tjera të Shqipërisë.

Duke patur një njohje dhe mbështetje nga shokët e tij gjimnazistë, që ishin vendosur në punë jo pa rëndësi në dikasteret shtetërore në Tiranë, arriti të jetë pjesë e stafit në të vetmen gazetë sportive që botohej në Shqipëri, gazetën “Sporti Popullor”, me kryeredaktor Osman Palushin. Duke punuar pranë Anton Mazrekut, babait të, gazetarisë sportive, Kristofor Grillos, Prokop Koretes, Arshi Seferit, Ismet Bellovës etj., ai përfitoi shumë nga përvoja e tyre, ku komentet për ndeshjet e kampionateve kombëtare të futbollit dhe të lojërave me dorë, tërhiqnin vëmendjen jo vetëm për cilësinë por edhe për sensin kritik të tyre.

Por në objektivin e punës së tij si gazetar sportive, ishte gjithnjë “Vllaznia”. Por ky pasion për gazetarinë, gërshetohej ndër vite edhe me detyrat administrative që i afronin në drejtimin e sportit shkodran, si inspektor apo drejtor i Klubit Sportiv “Vllaznia”. Ndërsa për gazetarinë sportive kishte një statucou që e bënte të pa zëvendësueshëm në Shkodër, kurse karrigia e tij si nëpunës i shtetit lëkundej pas here, në rast fushatave të luftës klasore apo edhe për trillet e tija që thyenin kornizën e një nëpunësi, siç e kërkonte disiplina shtetërore. Më shkurt, ishte siç thotë një fjalë e urtë e popullit: “e zeza e vetvetes” dhe një antikorformist e deri në opozitar me regjimin.

Kur ishte drejtor i Klubit Sportiv “Vllaznia” në vitet ’80-të krahas problemeve që mbulonte për propagandën sportive, përgjigjej edhe për mbarëvajtjen financiare që ushtronte Klubi me shërbimet, për trajtimin ushqimor te sportistëve apo dhe për shërbimin që kishte lokali ‘Bar-Bufe’, për klientët e abonuar të “Vllaznisë”. Pra, kishte të bënte me kuzhinier, bufetist, kamerier e pastrues. Këto përgjegjësi që nuk i shkonin për shtatë, siç e pranonte edhe vetë.

Në këto detyra, shoqërinë brenda Klubit e, ekspozonte më shumë me bashkëmoshatarët e tij që ishin në rolet e trajnerëve të ekipeve e, sidomos me disa futbollistë të Vllaznisë si Selami Dani, Ramazan Rragami, Esat Rakiqi, Paulin Ndoja, etj.

Rifati nuk do të bënte shumë karrierë në këto funksione pasi, një konfrontim fizik me banakierin e ‘Bar-Bufesë’, e spostoi nga kjo karrige e ëndërruar prej tij. Mbeti jashtë dyerve të Klubit “Vllaznia”, por jo jashtë problemeve të “Vllaznisë”. Në se sportin në Shkodër e drejtonin emra te respektuar, emri i Rifat Uruçit, do t’i sfidonte ato pasi, tifozeria pasiononte, sportistët, prindërit e tyre, përpara se të trokitnin në dyert e zyrave të shtetit, do të merrnin më parë takim me Rifatin.

Edhe vetë drejtuesit e pushtetit lokal apo partiak, kur ishte puna t’i jepnin rrugë zgjidhje një problemi të sportit në Shkodër, dashje pa dashje, gjuha i shkonte tek Rifati, pasi ato probleme, ai ballafaqonte më me kurajo e drejtë për se drejti, me këto autoritete. Rifati kishte guximin të ndalonte sekretarin e parë të Komitetit të Partisë apo kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, për një “cen në biografi”, të një sportisti elitar që, mund të përjashtohej nga sporti apo, i privohej e drejta me dalë jashtë shtetit. Dhe për ta çuar deri në fund atë çka kishte marrë përsipër, gjente me të udhës të ballafaqohej me zyrtarë e rangjeve me të larta në Tiranë, madje dhe me ministra e zv/ ministra. Dhe janë mjafte dëshmitarë sportistë e trajnerë, që i dedikonin atributet Rifatit.

Dhe në Shkodër do të ndalej në rrugë Rifati që t’u jepte përgjigje tifozëve të cilët e pyesnin: “A do të vij tek “Vllaznia”, Bizi, apo Rragami, po Radoja e Guraziu, apo dalin jashtë me “Vllazninë” Paulin Ndoja, Fred Çapaliku, Lekaj, apo kur do të zhvillohet gara në peshëngritje për thyerjen e rekordit botëror nga Faruk Kalleshi”, etj., etj. Dhe kjo ishte edhe më sfiduese kur Federatat Sportive në kryeqytet, më parë se të ngrinin telefonin për të biseduar me drejtuesit e sportit në Shkodër, do të merrnin mendimin e Rifatit. Dhe i preferuari i këtyre Federatave për organizimin a aktiviteteve në rang kombëtar apo ndërkombëtar në komisionin e propagandës, ishte emri i Rifat Uruçit.

Kështu ndodhte edhe me Spardakidat Kombëtare, me Spartakiadat e Studentëve apo shkollat e mesme, pa përjashtuara edhe Kampionatin Ballkanik të Basketbollit që u zhvillue në Tiranë në vitin 1965. Por nga egoja keqdashëse e disa personave me funksione partiake e shtetërore në Shkodër, u bënë shkaktarë për ta larguar Rifatin nga puna, pasi u kishte dhënë personave me biografi të keqe, bileta për ndeshjet e Ballkaniadës, madje në radhë e vende të preferuara.

Odiseja e Rifatit nuk kishte të mbaruar edhe kur punonte jashtë strukturave të sportit, diku në një punë të rëndomtë në ish- Shtypshkronjën “Migjeni” në Shkodër. Emri i tij do të lakohej në të gjitha rasat, kur u bë realitet ëndrra e tij për të shoqëruar si gazetar sportive, ekipin e volejbollit të “Vllaznisë” për meshkuj, në një turne miqësor në Kosovë, në vitin 1971.

Ishte rasti i parë që një gazetari jo profesionist, i hapej rruga për të dalë jashtë shtetit, madje ky rast, përflitej se Shkodrës nuk i ishte marrë opinion dhe aprovimi, siç ishin rregullat asokohe në daljet jashtë shteti.

Pra nuk bëhej fjalë që sa mirë që një ekip si ai i “Vllaznisë” po shkonte në Kosovë, por ku i paska pas këto miq Rifat Uruçi që shkonte jashtë shtetit?! Edhe unë që kisha një bashkëpunim me shtypin shqiptar në rubrikat sportive, rrugë kjo e shkelur me ndërmjetësinë e Rifatit, (pasi kishte një njohje me ajkën e gazetarisë shqiptare në kryeqytet), arrita të mësoj se kolegjiumi i të vetmes gazetë sportive në Shqipëri, “Sporti popullor”, pra kryeredaktori, Skender Tupja dhe sekretari i kolegjiumit të kësaj gazete, Kristofor Grillo, pa përjashtuar edhe redaktorët e njohur sportiv si Ismet Bellova, kishin miratuar emrin e Rifatit, për kontributin e tij në vite pranë kësaj gazete.

Por ishte shkruar që e keqja ta ndiqte nga pas jetën e Rifatit. Dihet tashme se çfarë ngjau me ekipin e volejbollit të “Vllaznisë” kur u kthye nga Kosova. Shkodranet ishin kurioz se si ishin mirëpritur ato nga vëllezërit kosovar. Rifati percolli me nota entuziaste tre komente e analiza për ndeshjet e “Vllaznisë”, për frymën vëllazërore që u zhvilluan ato, për interesimin dhe mikpritjen tradicionale të vëllezërve kosovarë, për takimin ëme njerëzit e afërt që disa prej tyre kishin në Kosovë të cilët, kishin dhurue edhe televizorë.

Nuk vazhdoi shumë entuziazmi me të cilin ishin kthyer sportistët shkodranë. Nga Shkodra, zv/kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Pllumb Kapo, (djali i Hysni Kapos), kishte sinjalizue zv/kryeministrin Mamush Myftiu, për dhuratat që ishin bllokuar në Doganën e Hanit të Hotit. Filluan mbledhjet, dhënie llogarie, u përfolën disa mbrëmje me këngëtaren e njohur Nexhmije Pagarusha, për një çantë të gazetarit Rifat Uruçi i cili, i kishte harruar në një ambient parukerie, çantë që përflitej se ka pasur “sekrete”, dhe lloj – llojë akuzash që sajoheshin pa vërtetësi dhe me dashakeqësi.

U dhënë masa drastike, duke filluar nga drejtuesit e ekipit, trajnerët, e deri tek volejbollisti më i fundit. Por përjashtimin e ekipit të volejbollit, e mësuan të gjithë ekipet sportive të “Vllaznisë” ku më shumë u godit dhe e pësoi ai i futbollit, duke e përjashtuar për tre vjet nga aktivitetet ndërkombëtare.

Në mes atyre që u dënuan, ishte edhe gazetari sportive, Rifat Uruçi, ku në mbledhjen e kolektivit të Shtypshkronjës “Migjeni” u tejkaluan normat e një mbledhje për dhënie llogari, duke shkuar deri aty sa t’i mohonin edhe të drejtën e shkrimit në gjithë organet qendrore e lokale të shtypit shqiptar, gjë që do të thoshte: pushimin nga puna. Një ndëshkim i tillë, u bëhej zakonisht atyre që kishin bërë faje tepër të rënda, që kishin të bënin me vijën e Partisë.

Kështu, pas katër dekadave kontribut në shtypin sportiv e propagandohen sportive, duke u njohur në të gjithë Shqipërinë për, pasionin e kontributin e tij, Rifati, ul pendën dhe hesht, por makina e shkrimit e tij nuk do mbyllej. Ai nis në adresë të drejtuesve partiak e shtetëror në Shkodër, funksionareve të lartë partiak në Komitetin Qendror e, deri në Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, një numër të madh letrash, që nuk do kishin përgjigje! Duke mos pasur rrugë tjetër, sistemohet në punë për të hedhur firmën në bordero, por opinioni se, Rifati është zoti sportit në Shkodër, nuk zbehet.

Distancohen drejtuesit lokal te sportit në qytetin verior, por jo masa e gjerë e sportistëve e trajnerëve. Dhe si gjithnjë i gatshëm, për të afruar ndihmë e orientim për padrejtësitë që i prezantoheshin. Përveç një drejtuesi të sportit në Shkodër, Bahri Axhemi, i njohur dhe i respektuar nga gjithë komuniteti sportiv verior, edhe nga ato sportistë e trajnerë, që ishin dënuar nga diktatura komuniste për kleçka në biografi, i afron një kafe dhe pse jo dhe nuk nguron t’i kërkoj një mendim sesi, do të organizohet Muzeu Historik i Sportit në qytetin e Shkodrës.

Për ngritjen e këtij muzeu, Rifati jep një kontribut të madh dhe ndjehej keq e mërzitej kur vëzhguesit partiak, refuzonin afishimin e fotografive. Edhe pse nuk ftohej në konferenca sportive apo ngjarje përkujtimore sportive, mungesën e Rifatit, pra dorën e tij, në të tilla evente, e konstatonin të ftuarit nga kryeqyteti e nga klubet sportive të vendit tonë.

Po kaq enigmatik, Rifati ishte edhe në rolin e gjyqtarit të lojërave me dorë, ku bëri një emër të njohur, si në kampionatet e volejbollit dhe të basketbollit, duke qenë i preferuar edhe nga ekipet e “Dinamos” e të “Partizanit” si dhe për ndeshjet ndërkombëtare. Do te mbetët në histori arbitrimi i Uruçit në ish Këndin Sportiv “Studenti” në rrugën e “Elbasanit”, në vitin 1960, në ndeshjen “Partizani” – “Dukla” e Pragës, në volejboll për meshkuj.

Bilbili i Uruçit i çorientoj volejbollistët çekë, sidomos në pritjen e topit të parë. Ato vinin nga kampionati botëror ku, Çekosllovakia ishte shpallur nënkampione bote dhe nga ky ekip, 5-6 volejbollist, ishin në formacionin e “Dukla”-s së Pragës.

“Partizani”, fitoi 3-0. Në banketin që u dha pas ndeshjes në Hotel “Dajti”, në prani dhe te oficerëve madhor të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, drejtuesit e “Dukla”-s, protestuan për gjykimin e njëanshëm të Uruçit, por Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-leitnat Petrit Dume, i’u përgjigj duke u thënë: “Ky është gjyqtari më kompetent dhe njëkohësisht dhe gazetar sportive”.

Ndonëse gazeta “Sporti Popullor” e asaj periudhe, nuk shkruante asnjë radhë për arbitrin, Uruçi, shumë vite më vonë, komentatori sportiv e shkrimtari i njohur, Skifter Këlliçi, në një shkrim në gazetën “Shekulli” (dt.08.05.2005), duke dhënë portretin e mjeshtrit te mirënjohur, Feti Borova, edhe si gjyqtar ndërkombëtar në volejboll, do t’i rikthehej këtij episodi, duke shkruar midis të tjerash: “Ndryshe nga një koleg i yti shqiptar (Rifat Uruçi – shënim i imi,) që i dha padrejtësisht fitoren ekipit tone, “Partizani”, në ndeshjen me skuadrën e famshme “Dukla” e Pragës, duke lënë përshtypje jo të mira edhe tek sportdashësit tanë”. (Në ndeshjen e dytë që u zhvillua në Durrës, “Dukla” fitoi 3-0, kur gjyqtar ishte Fehti Borova).

Dhe komentin për këtë fitore të “Partizanit” në gazetë, e bënte vetë Rifati. Kjo ndodhte edhe për ndeshjet e kampionateve kombëtare, ku duke shfrytëzuar dhe protokollin e ndeshjes, komentet ishin të padiskutueshme nga ekipet. Por do të ishte kryeredaktori i ri gazetës” Sporti Popullor”, gazetari dhe publicisti i njohur, Besnik Dizdari, që do t’i hapte dritën jeshile, gazetarit më të vjetër sportiv në Shqipëri, Rifat Uruçi, që firma tij të rishfaqej përsëri në gazetën “Sporti Shqiptar”.

Ishte një bisedë në këmbë, e zhvilluar në pushimin e një ndeshje futbolli në stadiumin “Vojo Kushi”, (sot “Loro Boriçi”), në mes gazetarit të mirënjohur, Besnik Dizdari, me një nga sekretaret e komitetit partisë që mbulonte propagandën. Pyetjes së kryeredaktorit Dizdari, a duhet të rikthehet firma e Uruçit në faqet e gazetës “Sporti Popullor”, ish sekretari i Komitetit Partisë, nuk kishte kundërshtuar mendimin e bashkëqytetarit të tij, por edhe pse ishte një “po”, pa një firmë e vulë, Besnik Dizdari, nuk hezitojë që në rastin më të pare, të nxirrte nga arshiva një shkrim të pabotuar të Uruçit, dhe kjo do të ndodhte kur diktatura komuniste ishte në grahmat e fundit.

Kaq mjaftojë, pra hapja e dritës jeshile dhe Rifati pavarësisht nga mosha dhe stresi që kaloi për disa vite, pas kthimit nga Kosova, hyri pa humbur kohë në rrugëtimin e tij si gazetar sportiv dhe duke i dalur për zot propagandës sportive në rang lokal e kombëtar.

Dhe atë që nuk e realizoj gjatë viteve të diktaturës për vetë ligjet e saj (luftës së egër klasave), e bëri realitet në vitet e demokracisë. Ishte iniciator në themelimin e Shoqatës së gazetarëve sportiv “Anton Mazrreku”, ku me gazetarët e komentatorët sportive, si autorin e këtyre radhëve, Ymer Striniqi, Gasper Marku, Gjergj Kola, Admir Uruçi, si dhe fotoreporterët Nenshati, Jakova, Gega, Palushi, Elbasani, shoqatë kjo që mbështeti dhe organizimin e çmimit “Anton Mazrreku”, në shkallë kombëtare, çmim ky i ideuar nga ish kryeredaktori i gazetës “Sporti Shqiptar”, Besnik Dizdari dhe mbështetur financiarisht nga firma prestigjioze italiane, “Pedrollo”.

Njëherësh kjo shoqatë në Shkodër, nxori dhe organin e saj, gazetën “Vllaznimi sportiv”, e para gazetë sportive e pavarur që botohej në vendin tonë, pas shembjes së regjimit komunist. Do të ishte kryebashkiaku i parë në vitet e vendosjes së Demokracisë, z. Filip Guraziu që, e afroi pranë zyrës së sporteve në Bashkinë e Shkodrës dhe me mbështetjen e drejtuesve te kësaj zyre, Skënder Bushati e Mehdi Milla, (dy figura të nderuara të sportit shkodran), Rifat Uruçi i dha një impuls zhvillimit të propagandës sportive, mbështeti riafirmimin e shumë figurave sportive të “Vllaznisë”, që ishin injoruar nga diktatura komuniste, burgosur e internuar, duke përkujtuar veprimtarinë e mohuar të tyre, për zhvillimin e sportit shkodran e atij shqiptar.

Rifat Uruçi, kishte një adresë të pa shpallur, por jo vetëm shkodranët por edhe tiranasit, durrsakët, vlonjatet, korçarët, elbasanasit, gjirokastritët e dinin atë: “Rifat Uruçi- “Vllaznia e Shkodrës”. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/per-kontributin-e-tij-te-madh-u-dergua-me-vllaznine-ne-kosove-por-kur-e-kthyen-ne-shkoder-me-insistimin-e-pellumb-kapos-e-denuan-historia-e-panjohur-e-legje/