“Për bandën e Xhevdet Mustafës dhe për Enver Hoxhën, bënë komentet e tyre, Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Spartak Ngjela dhe Uran Kalakula, duke thënë…”/ Raporti i agjentit “Shkëmbi”, Burrel, 1982

Nga Gjet Kadeli

Pjesa e njëzetekatër

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

                                         Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Esat Lata, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Dardha”, për bisedat që ai ka zhvilluar me Gjet Kadelin, në burgun e Burrelit

                                                                                             Dhënë: Agjenti “DARDHA”

                                                                                              Marrë P.Op. Esat Lata

                                                                                                Burrel 4/10/1975

                                                R A P O R T

Ai raporton se, gjatë ajrimit me datën 2 dhe 3 tetor 1975, ka biseduar me Gjet Kadelin. Ai e ka pyetur nëse ka lajm nga shtëpia dhe nga babai i tij, që është në SH.B.A. Gjeta i përgjigjet atij dhe i tha: Ne, nga baba kemi marrë vazhdimisht letra, bile edhe tani njerëzit e mi marrin letra prej tij veçse, na kanë prerë paratë.

Në vazhdim Gjeta i tregoi atij se, i ati i tij, ka qenë mësues qysh para çlirimit, mjaft i pregatitur që e respektonte gjithë Mirdita. Në vitin 1949, pas vrasjes së Bardhok Bibës, pasojë e së cilës u pushkatuan dhjetëra të pa fajshëm, babën e arrestuan bashkë me axhën, baba që do të ekzekutohej, me siguri, theu burgun dhe u arratis, ai mori edhe vëllain tim me vete.

Unë isha 8 vjeç, po ai u la amanet njerëzve të mi që të kemi kujdes, xhaxhanë se, e kishim në vend të babës dhe unë e pashë atë për 20 vjet rresht. Tani ai po shikon fëmijët e mi. Xhaxhai më ka thënë se, baba im ishte shumë optimist, se komunizmi në Shqipëri nuk e ka të gjatë, por do të ketë shumë viktima të cilat, duhet t’i përballojmë. Në vazhdim të bisedës, Gjeta i tregoi atij se, në Mamurras, kishit miqësi me një kosovar me emrin Adem Hoxha, i cili është fetar dhe këto i urren shumë, atij ja kam hapur zemrën dhe asgjë nuk më doli prej tij”.

                                           “Dardha”

Detyrë: Agjentit ju dha detyrë që, të bisedojë me Gjetën, se je njeri me largpamësi prandaj, edhe bisedoj me ty, është një gjë pozitive që ti, ke një babë të tillë që iku dhe doli n’atë anë, por ç’të bëjmë ne, që e pësuam nga këta, e çfarë të bëjmë ne, sepse dëshira jonë, nuk po plotësohet se, këto e kanë shtrënguar shumë luftën ndaj nesh.

                                     PUNËTORI OPERATIV

                                           Esat Lata

Shënim i shefit Seksionit:

Jam dakord me detyrat

  R. Hoxha

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Esat Lata, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Dardha”, për bisedat që ai ka zhvilluar me Gjet Kadelin, në burgun e Burrelit

                                                                                                      Dhënë: Agjenti “Dardha”

                                                                                                      Marrë: P.Op. Esat Lata

                                                                                                       Burrel, më 22/10/1975

                                                    R A P O R T

Ai raporton se, në datën 14/10/1975, duke shëtitur në oborr, ai bashkë me Uran Kalakulën dhe Gjetë Kadelin dhe në fillim e mori fjalën Gjeta, i cili iu drejtua Uranit: Na çmendi radioja: “Shqiponja labe, nanë labe, pionier lab, trima lab, d.m.th., vetëm labëria paska lindur burra. Deri kur do të vazhdojë kjo punë?! Pse nuk thua edhe Parti labe e Qeveri labe or Gjet. Lebët sot kanë në dorë gjithë frenat, për 30 vjet rresht e, kushedi se sa do të vazhdojë kjo valle, në kurriz të Shqipërisë ,këtë e di më mirë ky që ka hëngër bukë gjatë me labët (për B.P.) u përgjigj Urani, duke e drejtuar gishtin nga ai.

Ai i tha se; unë s’di gjë për sa thoni ju, unë jam marrë vetëm me shtypin. Dëgjo, vazhdoi Urani: Bahri Omari, që ishte ministër, ishte dhëndër i udhëheqësit kryesor të Partisë, prandaj pas çlirimit, ai nuk donte ta dënonte, por këtë e bëri Koci Xoxe, si pasojë, udhëheqësi kryesor ja përgatiti planin dhe e pushkatoi Koçin, me gjithë shokët e tij, gjoja si agjent i Jugosllavëve, por krejt pa faj. Gjeta vazhdoi: Do të vijë një ditë që do të qesh edhe Koçi, me këto poshtërsi që janë bërë, turp përpara botës, kur të botohen faktet e këtyre turkoshakëve.

                                            “Dardha”

Vlerësimi i të dhënës: Kjo e dhënë ka vlerë operative sepse, të dënuarit Uran Kalakula dhe Gjet Kadeli, tregojnë aktivitet armiqësor.

Detyrë: Me Uran Kalakulën dhe Gjet Kadelin, bisedo dhe ju thuaj se, përsa i përket asaj që thoni juve se, të gjithë udhëheqësit janë nga labëria, unë mendoj se nuk është ashtu sepse, ka edhe gegëria edhe nga labëria, pastaj Shqipëria, nuk është ndonjë vend i madh që të ketë disa kombe, këtu një komb është dhe një Parti kanë, pavarësisht se neve, nuk na pëlqen, por sidoqoftë këta neve na e punuan, ne s’po i bëjmë gjë sepse, as nuk na e mban dhe as nuk kemi asnjë forcë e mundësi.

                                  Punëtori Operativ

                                    Esat Lata

Shënim i Shefit të Seksionit:

Jam dakord me detyrat dhe masat

 23/10/1975     R.Hoxha

Dokumenti sekret i miratuar nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, me plan-kombinacionin për dërgimin e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Besniku”, në dhomën e Gjet Kadelit, për survejimin e tij

 Miratohet                                                                                           S e k r e t

Kryetari Degës Punëve të Brendshme                                          Ekzem. I vetëm

P.Bajram Neli                                                                                         Burrel

                                                   Plan – Kombinacioni

Për çuarjen e bashkëpunëtorit “Besniku”, në dhomën ku kemi përpunimin aktiv Gjet Kadelin

Situata Operative.

Në Repartin 321, përpunojmë aktivisht si agjent të mundshëm të Zbulimit Jugosllav, Gjet Kadelin. Me qenë se në dhomën e tij, nuk kemi B.p. për ta përpunuar, mendojmë të çojmë B.p. “Besniku”.

B.p. “Besniku”, ndodhet në dhomën Nr.6, të krahut I-rë, ndërsa në dhomën Nr.5 të krahut të pare, ndodhet objekti i përpunimit Gjet Kadeli, me qenë se në drejtim të tij, deri më sot nuk kemi patur agjenturë për ta përpunuar rregullisht, mendojmë që me kombinacion, nëpërmjet komandës së Repartit 321, ta lëvizim B.p. “Besniku”, nga dhoma Nr.6, e krahut I-rë, në dhomën Nr. 5, po të krahut I-ë, ku ndodhet Gjet Kadeli. Ky B.p., ka mundësi që të futet në përpunimin e tij, mbasi dhe kur nuk kanë qenë në një dhomë, ka dhënë në drejtim të tij.

Kjo lëvizje, do të bëhet me pretekstin e stabilizimit të dhomave të të dënuarve, sipas “kërkesës së tyre”.

Punëtori Operativ                                                            Punëtori Operativ Drejtimit

Timo Popllo                                                                           Ramiz Hoxha

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit me pseudonimin “Shkëmbi”, për bisedat që kanë zhvilluar në burgun e Burrelit, Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Spartak Ngjela, Dhori Gërnjoti, Uran Kalakula, etj.

                                                                                               Marrë: nga P.Op. V. Kuka

                                                                                               Dhënë: nga B.p. “Shkëmbi”

                                                                                                Burrel, më 2.10.1982

                          Raporti i datës 2.10.1982

Ai njofton se, para disa ditësh radio dha komunikatën e Ministrisë P. Brendshme, për bandën që zbarkoi në bregdet. Lidhur me këtë, Hasan Tota tha: “Kjo nuk është e vërtetë, por e kanë kurdisur vetë këta, për me arrestuar njerëz të pa fajshëm, gjoja sikur kanë pas lidhje me këtë bandë”.

Paulin Vata, tha: “Kryebanditin e njoh, jo si person, por si familje është nga ana e malit të Shkodrës. Bile i ka vdek një axhë në burg, ka nja tre vjet, i quajtur Seit Mustafa. Kjo familje është trime dhe patriote. Kanë urrejtje të madhe kundër komunizmit dhe vetë fakti e tregoi se, erdhi ai prej Europe me vdek në Shqipëri, në moshën 36-38 vjeç, se aq është Xhevdet Mustafa”.

Djori Gronjoti tha: “S’është kollaj, me akuzuar Jugosllavinë për vrasje, ja tani Jugosllavia ja çon këto dhe i shkakton turbullira në vend”.

Tofik Dednica, tha: “Nuk i ka çuar Jugosllavia këto, por kanë ardhur nga Italia”.

Dhori, ngulte këmbë dhe tha: “Se i ka çuar Jugosllavi si hakmarrje, për akuzat që i kanë bërë për kosovarët. Të jeni të sigurt se tani do të fillojnë si në vitin 1948, kur u prishëm me jugosllavët. Jugosllavët, do të sjellin diversantë këtej dhe këta do të çojnë andej”.

Spartak Ngjela tha: “Gjë e jashtëzakonshme me që e japin në radio sepse, nuk i kanë dhënë asnjëherë kështu”!

Daut Gumeni tha: “E shohin se ka rënë morali i popullit shumë dhe për me ngrit moralin, e japin në radio se çfarë kanë bërë, kanë vrarë 7-8 veta, u duket gjë e mirë të vrasësh”!

Më kompetent, doli Kosta Fili dhe tha: “Çfarë flisni ore, ata kanë qenë të denoncuar që në vend, se kanë hipur në nëndetëse, po të mos ishin të denoncuar, i kapje ato fort, sa të futeshin në qytet apo në pyll, aq kishin zor”.

Lidhur me gatishmërinë, pati këto komente; Gjetë Kadeli tha: “Në socializëm, vetëm mbledhje e kongrese ka, hetuesi, burgje, ndalime dhe dru. Kongresi bëhet në Tiranë, neve na mbyllin këtu, u ka hyrë frika në palcë”.

Spartak Ngjela, tregon: “Ambasadat e huaja e marrin vesh më parë se kushdo, kur Byroja Politike shkarkon ndonjë ministër. Shkonin një muaj rresht e, vinin para ministrisë dhe shikonin kush hynte dhe kush dilte. Po të mungonte dy tri ditë rresht ndonjë, e marrin vesh se, ka ndodhë diçka. Kështu kur u hoq Beqir Balluku, e dhanë lajmet e Perëndimit, pas dy ditësh që kishin hequr”.

Daut Gumeni, tha: “Kanë eksperiencë të madhe dhe kanë mësuar shumë këtu tek neve me këtë punë se, nuk ka javë që të mos ketë ulje e ngritje”.

“SHKËMBI”

Sqarimi: Spartak Ngjela dhe Kosta Fili, ndiqen në përpunim aktiv 2/A, i pari për agjitacion e propaganda, i dyti si agjent grek.

Hasan Tota, Paulin Vata, Tefik Deshnica, Dhori Grinjoti, Gjet Kadeli, Daut Gumeni, janë të dënuar për krime kundër shtetit, kemi të dhëna në ngarkim të tyre.

Velerësimi: Raporti ka vlerë operative, në të dalin reagimet e këtyre të dënuarve, për futjen e bandës diversioniste në vendin tonë, si dhe urrejtja që kanë ndaj Partisë dhe politikës që ndjek ajo.

Detyra: B.p., ju dha detyrë që të bisedojë përsëri me këto të dënuar, lidhur me futjen e bandës, si e argumentojnë këta shprehjet e më sipërme, si: Dhori, Tefiku, Kosta, Hasani, Spartaku etj.

Të na informosh, lidhur me komentet që do të ketë lidhur me futjen e kësaj bande, çfarë mund të dinë ata, për veprimtari armiqësore në favor të zbulimeve të huaja.

                                     Puntori Operativ

                                      Vehap Kuka

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Esat Lata, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Dardha”, për bisedat që ai ka zhvilluar me Gjet Kadelin, në burgun e Burrelit

                                                                                                Marrë nga P.Op. V.Kuka

                                                                                                Dhënë nga B.P. “Shkëmbi”

                                                                                                Burrel më 1.7.1983

                                                        R a p o r t

Ai njofton se, të dënuarit e dhomës pritnin nga Kuvendi Popullor që u mblodh me dt. 28.6.1983, ndonjë ulje dënimi. Ishin hapur fjalë se, dënimi do të ulej nga 25 vjet në 13 vjet. Kur mbaroi dhe nuk doli ashtu si e pritnin, Gjet Kadeli, Bardhosh Gjonzeneli, Muho Bale, Novrua Dyrma e Çaush Çoku, ishin të parët.

Luan Burimi, tha: “Çfarë mirësie mund të presësh nga udhëheqësi kryesor i Partisë, që është njëlloj si Ferit Lopa”?!

Gjet Kadeli, tha: “Krimineli don vetëm gjak e lot me pa, se në këtë botë, lahen, të gjitha”.

Bardhosh Gjonzeneli, tha: “40 vjet na e piu gjakun udhëheqësi kryesor i Partisë dhe 40 vjet, do na e pijë Presidenti i Presidiumit të Kuvendit Popullor”.

Muho Bala, tha: “Ishim keq kur ishim me Rusin, bëheshe falje vit për vit, bukë e krypë kishim boll, tani gëzohuni pa rusin. Në kohën e Rusisë, punëtori më i keq, merrte 12 mijë lek”.

Edhe Hasan Tota, u hidhërua shumë atë natë dhe pasi shau disa here, u shtri në shtrat. Pastaj mori dhe i shkroi një letër Ministrit P. Brendshme.

Çaush Çoku, e thotë hapur se: “Nuk do zgjat shumë kjo punë dhe udhëheqësi kryesor i Partisë, do të vdesë e neve do të lirohemi. Mua më thotë edhe mbesa në letër se, ju presim shpejt të vini”.

Bebi Konomi, tha vetëm kaq: “Kur të vijë koha të lirohen të burgosurit, nuk do të keni 2 kg. ushqim në muaj, por mish në kazan të Jorgos. Dhe ajo kohë, do kohë që të vijë”.

Shkëmbi”

Detyrë: B.p. ju dha detyrë që, në biseda me këto të dënuar dhe të dënuarit e tjerë të dhomës, të mësoj se, ku e ka burimin kjo urrejtje e këtyre, nga kush shtyhen, frymëzohen e drejtohen. Nëse këto të dënuar, kanë veprimtari të përbashkët midis tyre dhe të dënuar të tjerë të dhomave të burgut, ose me jashtë burgut e jashtë shtetit, në se po, si e realizojnë këtë, në ç’forma e mjete?!

Të na informosh për komentet armiqësore, që do të zhvillohen nga të dënuarit e dhomës, për probleme të ndryshme. Memorie.al

                 Punëtori Operativ

                   Vehap Kuka

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/per-banden-e-xhevdet-mustafes-dhe-per-enver-hoxhen-bene-komentet-e-tyre-gjet-kadeli-daut-gumeni-spartak-ngjela-dhe-uran-kalakula-duke-thene-raporti-i-agjentit-shkem/