“Paskal Sinani drejtonte aktivin e Patosit ku u arrestuan specialistët e naftës, por aty ishte edhe Pëllumb Kapo, me gjeneralin famëkeq…”/ Dëshmia e rrallë e inxhinierit që e shpëtoi Haki Toska

Nga Aurora Damini

Pjesa e dytë

 -Historia tragjike e vitit 1975, ku Enver Hoxha në mënyrën më barbare, goditi sektorin e naftës, duke dënuar me pushkatim, burg e internim, specialistët më të mirë të vendit!-

Memorie.al publikon dëshmitë e rralla dhe të panjohura të Vangjush Kokonozit, inxhinier i vjetër, që ka mbaruar studimet e larta për shfrytëzimin e vend-burimeve të naftës në universitetin e Bukureshtit, i cili punoi për më shumë se 50 vjet në sektorin e naftës, (nga inxhinier i thjeshtë deri në postet më të larta drejtuese të sektorit të naftës), që rrëfen me detaje dhe hollësira të gjithë atë dramë të madhe të ndodhur në vitin 1975 në sektorin e naftës, ku pas disa letrash anonime që i bënte një dispeçer (roje nate) nga qyteti i Patosit për udhëheqjen e lartë dhe personalisht Enver Hoxhën, ndodhi furtuna e madhe në një prej sektorëve me jetikë të ekonomisë shqiptare siç ishte nafta, ku pas disa takimesh, mbledhjesh dhe aktivesh ku asistuan disa prej udhëheqësve kryesorë të Byrosë Politike të PPSH-së, si Adil Çarçani, Abdyl Këllezi, Haki Toska, Koço Theodhosi, etj., ndodhi katastrofa e madhe, ku u burgosën, internuan dhe pushkatuan ajka e specialistëve shqiptarë të sektorit të naftës, si: Koço Plaku, Protoko Murataj, Lipe Nashi, Beqir Aliaj, Milto Gjikopulli, Jani Konomi, Dhimitër Stefa, etj.! Inxhinieri Kokonozi, është një prej dëshmitarëve okular të atyre ngjarjeve, pasi pas mbarimit të studimeve, u emërua në Patos, më pas në Kuçovë, në Laboratorin Qendror të Institutit të Naftës në Fier, nëndrejtor i Institutit të Naftës, etj., kur Instituti i Naftës erdhi në Fier e Piro Gusho ishte sekretar i parë i rrethit të Fierit, atë e çuan në këtë qytet, si sekretar i sektorit të naftës.

Vijon nga numri i kaluar

                                         Grupi armiqësor i naftës” në vitin 1975

Zoti Kokonozi, kush erdhi nga udhëheqja e lartë në atë aktiv?

Erdhën Adil Çarçani dhe Haki Toska të cilët ishin ngarkuar nga Byroja Politike që të organizonin aktivin e naftës në Patos. U morën masat, u përgatit salla dhe illoi aktivi ku absolutisht asnjë nga ne të bazës, nuk e dinte se do të shpallej publikisht “grupi armiqësor”, apo ç’kishte ndodhur në Komitetin Qendror të PPSH-së. Menduam se do të lexohej letra e shokut Enver për problemet ne naftë dhe pastaj do të kalohej në diskutime ku do të jepej llogari nga përgjegjësit sipas listës.

Unë u befasova kur dëgjova fjalët e Enver Hoxhës që citohej nga Adili: “Është grup armiqësor, i drejtuar nga Lipe Nashi”. Ata që do të jepnin llogari, ishin ulur jo bashkë, por një këtu e një atje në sallë, ku gjithsecili prej tyre ishte i ulur me dy komunistë “të ndershëm”, d.m.th., të pacenuar. Nuk mungonin edhe oficerët e Sigurimit të Shtetit. Pas kësaj filluan të japin llogari inxhinierët e listës. Në përgjithësi pranonin se kishin bërë gabime gjatë punës. Lipja jo se bëri ndonjë gabim, por ai thoshte se të gjitha çka thuheshin në letrën e Enverit ishin të vërteta (për pjesën e mosrealizimit të planit), por nuk pranonte që gjërat ishin bërë fshehurazi, nën rrogoz. “Kemi vënë në dijeni Ministrinë, – tha Lipja, – dhe kemi vënë në dijeni edhe Partinë”.

Po të tjerët, si reaguan?

Kur i erdhi radha e Protoko Muratit, i cili ishte shef i sektorit në Institutin e Naftës. Organizata e Partisë së Institutit nuk e përjashtoi nga Partia, por i bëri një relacion Komitetit Qendror të PPSH-së, ku thuhej se ata e veçonin Protokon nga të tjerët. Protokoja ishte njeri i komunikueshëm, ndërsa kishte dhe një lloj arrogance. Milto Gjikopulli, në fjalën e tij tha një shprehje që e rëndoi veçanërisht atë. “Nëse është bërë punë armiqësore dhe Partia e vërteton këtë gjë, atëherë ju nuk keni punë me të tjerët që t’i merrni më qafë, se atë punë e kam bërë punë, pasi përgjegjësia është imja. Të tjerët kanë zbatuar ato që u kam thënë unë”.

Miltoja ishte shef i projektimit të puseve të shpimit. Kjo frazë e fundosi atë, se këtë deklaratë e bëri edhe në gjyq, ku unë merrja pjesë si dëshmitar. Protokoja, kishte një avantazh për të shpëtuar nga dënimi dhe këtë e kishte Haki Toska. Hakiu i tha në aktiv: “Dëgjo Protoko, ne e dimë që ti nuk je shok me ta, ti je njeriu ynë, por këtu ke rastin që ti ta vërtetosh këtë, duke i stigmatizuar shokët”.

Si u përgjigj Protokoja?

Mbaj mend që Protokoja tha në aktiv: “Pse ti marr më qafë njerëzit? Si kam punuar unë, ashtu kanë punuar dhe të tjerët. Unë nuk kam ndryshim nga ata”. – “Paç veten në qafë, unë të dola borxhit”, – i tha Hakiu. Ndërkohë unë isha në sallë dhe nuk i pashë, por mësova se jashtë kishte ardhur urdhri dhe forcat e Sigurimit të Shtetit e Policisë ishin gati për t’i arrestuar të gjithë inxhinierët. Kishte ardhur dhe djali i Hysni Kapos, Pëllumbi që ishte me organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në sallë erdhi një letër, e cila iu dha Paskal Sinanit, që drejtonte seancën e aktivit. Ai, pasi lexoi atë, na u drejtua të gjithëve ne në sallë: “Kam një propozim: pse ti mbajmë këtu brenda të gjithë këta armiq dhe të diskutojmë më tej për problemet e naftës në prezencë të tyre? Unë them ti nxjerrim jashtë”.

U pranua propozimi i tij?

Haki Toska e pranoi. U ngritën të gjithë ata që dëgjuan emrat e dolën jashtë. Koço Plaku (njëri prej inxhinierëve që do të pushkatohej), të cilin unë e kisha fqinj, vuante atëherë nga një hernie diskale. Ishte i kërrusur dhe ashtu i sëmurë e kishin detyruar të vinte në aktiv, koka i takonte te gjunjët. Kështu e mbaj mend portretin e tij. Sa dolën (më saktë i përzunë për t’i arrestuar), të gjithë, drejtuesi i aktivit, shërbëtori i tyre Paskal Sinani, nuk vazhdoi më mbledhjen, siç na tha, por propozoi 10 minuta pushim. Pas pak dola dhe unë, ashtu i dërmuar.

Çfarë ndodhi me ata që dolën jashtë, i arrestuan?

I arrestuan menjëherë dhe këtë gjë ma tha një shok imi, (që pësoi edhe ai më pas fatin e keq vjen) i cili erdhi me një frymë dhe më tha: “Vangjush, i morën ata, i futën brenda”! Sapo dilte njëri, sigurimsat e fusnin në makinë. Po kështu edhe të tjerët nëpër makinat “Gaz-59” të Sigurimit Shtetit. Kështu mbaroi seanca e parë. Në pushim, drejtuesi i aktivit tha se ata që do të diskutojnë, të japin emrat.

Ju e dhatë emrin për diskutim?

Unë isha në mëdyshje, pasi veç të tjerash, kisha dhe vëllanë, drejtor në Gorisht dhe që të gjithë e trajtonin si shokun e ngushtë të Lipe Nashit. Shkrova edhe unë emrin, pasi e dija që do të më thërrisnin që të jepja llogari, se isha sekretar  i problemeve të ekonomisë në Komitetin e Partisë të Fierit. Një dashamirës që ishte sekretar imi, por që në aktiv ishte mbajtës protokolli, kishte parë në listë emrin tim dhe vjen e më kap në seancën e pushimit. Në atë kohë po debatoja ashpër me një rektor të Universitetit, që dikur ishte në pozicionin tim në Fier. Ai kërkonte të më faturonte mua një pjesë të fajit për zbulimin e “grupit armiqësor të naftës”.

Vjen ky sekretari dhe më thotë shprehimisht: “Po ti gomar, veten tënde ke shkruar?! Do të të hanë të gjallë, po diskutove. Do ta shikosh çdo të ndodhë”! Isha në mëdyshje. Ç’të bëja?! “Ik, – më këshilloi miku im. – Gjej një shkak”. Dhe vërtet kështu kam shpëtuar, se me atë egërsi që mori drejtim mbledhja, unë do ta pësoja edhe më keq. Thirrjet: “në litar, të pushkatohet”, ishin terma të zakonshme, por që bëheshin realitet. Po të kishe pak pozitë, si: drejtor, nëndrejtor, shef ose si unë, cilësoheshe menjëherë armik, pasi e kishe ti fajin për grupin armiqësor.

Ç’ndodhi pastaj me ju dhe me të tjerët?

Haki Toska më nisi në Komitetin e Partisë në Fier që t’u merrja teserat e partisë gjithë të arrestuarve, sepse ajo ishte puna ime. (Në fakt, vetëm 2 prej tyre nuk i kishin dorëzuar, se të tjerëve ua kishin marrë teserat me kohë). Isha në ankth, por më vonë mësova se pati arrestime të tjera, si: Jani Konomi, Dhimitër Stefa etj. Duhej shpartalluar i gjithë grupi armiqësor. Madje, ai që e ndiqte çështjen nga Hetuesia e Përgjithshme ishte një ish-gjeneral, “Nevzat Hasnedari” quhej. Ai më kishte piketuar edhe mua, por fati më shpëtoi. Hakiu më hoqi nga lista që ishte çuar në hetuesi. Ka qenë edhe një fakt tjetër, pasi unë kisha dërguar më parë një letër, ku në njëfarë mënyre, e kisha parapërgatitur Hakiun, për disa probleme në sektorin e naftës, pra Hakiu nuk ishte fare pa dijeni. Por më pas, do të pasoja edhe unë. Sigurisht, shumë më lehtë se kolegët e mi, me një “edukim në gjirin e klasës punëtore”, duke më syrgjynosur në puset më të largëta të zonës.

Si mendoni tani pas kaq e kaq vjetësh, ka qenë vetëm mosrealizimi i planit shkaku i asaj që ndodhi?

Jo, kanë qenë edhe ligësitë brenda nesh, kryesisht edhe brenda intelektualëve. Sebepi ishte plani. Por vijmë te plani. Çfarë ishte plani? Është një fat që nafta, shkëlqeu pas viteve 1967-‘68, nafta filloi të ngjitet me shpejtësi. Mirëpo ngjitja me shpejtësi, solli edhe atë euforinë e madhe dhe një pjesë e kuadrove, sidomos ata në Komisionin e Planit të Shtetit, dhanë një shifër plani të tmerrshëm. Na vunë ne që duhej të realizonim 4 milionë tonë naftë në vit. Ne arritëm deri në 2.4 milionë tonë naftë në vit. Bëhet fjalë për vitin 1973-‘74. Një plan edhe ky i paparë, që flet për punë të mirë tonën. Në fakt, nuk morëm falënderime, por u cilësua si punë e zezë, armiqësore. Plani 4 milionë tone, ishte krejt i parealizueshëm. Madje, në Vlorë, Sarandë Urë-Vajgurore, dolëm shumë keq. Vetëm puseve të Gorishtit u kërkuan një shifër plani krejt qesharake.

Këto shifra nuk i jepnin specialistët?

Këtu qëndronte edhe e keqja mes konfliktit të specialistëve lart të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe atyre të bazës. Ka qenë një luftë e hapur. Ata lart thoshin se: “ne kemi harta, kemi studime dhe plani mund të realizohet”. Në të vërtetë, specialistët e bazës nuk i pranonin dot këto shifra qesharake. Vetë unë, në vend që të gjeja cilat ishin mundësitë reale tonat, merresha si të gjeja argumente teknikë, që të rrëzoja poshtë shifrat e dhëna me orientim nga lart. Dhe me këtë merresha gjithë vitin. Në të vërtetë, u krijua një eufori, ku të gjithë ne jemi fajtorë për këtë, sepse e vërteta është që nafta mori ritme të papara dhe ishte fat që vend-burimet filluan të zbuloheshin njëri pas tjetrit, por do të vinte një fund. Toka nuk kishte vetëm naftë. Aq ishte. Dhe në Amerikë dalin çdo vit rreth 50.000 puse shterpë, ndërsa neve, për disa puse shterpë, na u quajt sabotim. Ky është karakteri i punës sonë.

Çfarë dini rreth fatit të mëtejshëm të Milto Gjikopullit dhe Koço Plakut?

Miltoja bëri një gabim për veten e tij. Po kështu edhe Koço Plaku. Sipas të dhënave të disa dëshmitarëve, shokë të tij të burgut, kur mësoi se vëllai i tij kishte vdekur në hetuesi, kishte thënë se, (në moment që mësoi për vdekjen e vëllait), kishte vendosur të sabotonte. Sigurisht këto ishin përçartje. Edhe të donte të sabotonte, nuk kishte çfarë të sabotonte. Çfarë kishte në dorë ai?! Ndërsa me veshët e mi, dëgjova në gjyq që Miltoja tha të njëjtën gjë që tha edhe në aktiv, pra qëndroi burrërisht në fjalën e tij, që ishte e vërteta: “Nëse partia e konsideron se puset, projektimi dhe kërkimet janë sabotuar, atëherë sabotimin e kam bërë unë”. Të dy (Milto dhe Koço), kishin një defekt të madh, sepse e kanë pohuar me gojën e tyre fjalën sabotim, pavarësisht se kjo nuk ishte e vërtetë.

Gjyqi është bërë në Tiranë?

Po, brenda në burg në Tiranë. Gjyqi i dënoi me vdekje, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor, ua fali jetën, duke i dënuar me 25 vjet burg, me përjashtim të Koço Plakut dhe Milto Gjikopullit, (që u ekzekutuan), pra gjyqi i naftës hëngri 4 koka: dy shokët tanë, Milton dhe Koçon dhe ministrin Avdyl Këllezi, (zv/kryeministër), dhe Koço Theodhosin, ministri ynë.

Po rreth pushkatimit të inxhinierëve Miltos dhe Koços, çfarë mësuat?

Një i dënuar, pasi doli nga burgu, na ka thënë tepër me emocion për një foto makabre, ku duken qartë pamje nga ekzekutimi i Koços dhe Miltos. Ata janë ekzekutuar në Malin me Gropa në Tiranë dhe në dy lisa afër njëri-tjetrit, me duart e lidhura prapa dhe në ballë currili i gjakut, pasi i kanë qëlluar nga afër me pistoletë në ballë. Hetuesi që urdhëroi ekzekutimin dhe që ishte atje, duhej edhe të fotografonte që të vërtetonte provën e vdekjes së tyre. Fotoja i tregon të rënë më gjunjë të dy, me duar të lidhura pas lisit dhe me currilin e gjakut që u lante fytyrën. Ky ka qenë fundi makabër i tyre.

Në çfarë date është bërë ekzekutimi i tyre?

Ka qenë maji i vitit 1976. Kjo sepse ndenjën gati 1 vit në hetuesi pas aktivit dhe gjyqi është bërë në vitin 1976. Dy muaj pas gjyqit, janë ekzekutuar. Më pas do të dilnin grupe të tjera armiqësore, çuditërisht oponentët e grupit të parë, pra kundërshtarët e tyre do të kishin të njëjtin fat, më pas edhe grupi tjetër, ku grupet armiqësore do të jepnin shpirt vetëm pas vitit 1981 me grupin e fundit, atë të Petraq Xhaçkës. Ishin kohë të çmendura…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/paskal-sinani-drejtonte-aktivin-e-patosit-ku-u-arrestuan-specialistet-kryesore-te-naftes-por-aty-ishte-edhe-pellumb-kapo-me-gjeneralin-famekeq-deshmia-e-rralle-e-inxhinierit-qe/