“Pasi shefi i Sigurimit, Ll. N., e godi me grusht në fytyrë, ai ja ktheu, duke e qëlluar me duart me pranga, por dy policët që ishin pas dere…”/ Historia tragjike e ish-komandantit të Kelmendit

Nga Caf Jonuz Çulaj  

Memorie.al / Caf Jonuz Çulaj lindi në Reç të Malësisë së Madhe në vitin 1926. Deri në vitin 1946, drejtoi në ilegalitet Rininë Antifashiste të Malësisë së Madhe dhe në vitin 1954, dënohet me 20 vjet burg, me akuzën: “Tradhti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë”. U lirua nga burgu në vitin 1967 dhe deri më 1970-ën, punon punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Shkodër. Në vitin 1970, ri dënohet përsëri, me akuzën: “Agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor”, me 9 vjet heqje lirie, burg të cilat i vuajti të gjitha në disa kampe dhe burgje. Pas viteve ’90-të, me shembjen e regjimit komunist, Caf Jonuzi u angazhua pa rezerva në proceset demokratike dhe ai ishte një një nga themeluesit e Shoqatës së ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, për degën e Shkodrës. Po kështu, gjatë kësaj kohe, ai u angazhua dhe me shkrime të ndryshme në shtypin e kohës, kryesisht te gazeta “Liria”, (organ i Shoqatës së ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë), duke botuar shumë artikuj. si dhe librin “Krushqit e lirisë”, nga i cili kemi përzgjedhur shkrimin që po publikojmë më poshtë.

 

Vrasje e shëmtueme që tronditi malësinë: Taro Keqi (1916-1948)

Ai jetoi shumë pak, vetëm 32 vjet. Këto vite i mbushi me vepra trimërie e heroike, ndër ata që e njohën, la kujtime të mira dhe, në fund, pati një vdekje tragjike.

Kishte lindur në vitin 1916 në fshatin Reç (fisi Balaj), i njohun jo vetëm në fshat, por në tanë Malësinë. I ati, Keq Sadiku, ishte oficer i Mbretnisë Shqiptare dhe mbante gradën toger. Ishte korrekt në detyrë dhe shumë i urtë. Malësorët atë e quanin “Kandari i drejtësisë”.

Taro Keqi trashëgonte të gjitha aftësitë e babës së vet.

Kur Italia fashiste sulmoi më 1939-ën vendin tonë, malësorët atdhetarë të Reçit, nën drejtimin e Dom Luigj Picit, shkuan në Koplik, tek zyrat e Nënprefekturës, për të kërkue armë, por më kot…! Në atë grupim qe edhe Taroja.

Në vitin 1942, ai rreshtohet në çetat nacionaliste dhe për tre vjet, nuk e lëshoi pushkën nga dora. Mori pjesë në shumë aksione kundër pushtetit italian (në premjen e linjave telefonike, në sulmin kundër postës së Vrakës, në Luftën e Reçit) si dhe atyre gjermane, në fund të vitit 1944.

Luftoi për Shqipërinë, me besimin që vendi do të qeverisej drejtë nga shqiptarët e, për të mirën e shqiptarëve, me besimin se demokracia e vërtetë të instalohej në vendin tonë.

Me mbarimin e Luftës në 1944-ën, emnohet komandant i postës në Kelmend. Ishte një detyrë e vështirë që duhej ta kryente, por nuk donte që të dëmtonte vëllaznit e vet, pasi shumë malësorë, kishin marrë pjesë në dy qëndresa antikomuniste (1945). Kështu që ai mbajti krahun e vendit të vet, gjë që sigurisht, nuk i pëlqeu regjimit komunist në fuqi.

Pushtetarët e rinj u kujtuan që ai, para do kohësh, kishte refuzue edhe që të bënte pjesë në Sigurimin e Shtetit. Së fundi, u kujtuan se ai ishte i biri i togerit zogistë Keq Sadiku. Vendosën, që fillimisht, ta lironin nga detyra, mandej “shohim e bëjmë” kanë mendue.

Taroja nxirret në lirim, vjen në fshatin e tij dhe i kthehet jetës personale, duke pasë në shpinë njerëz që e survejonin. Lista e njerëzve të dyshimtë ishte gati, pritej vetëm që të zbatohej plani kobzi!

Dhe ja, nata e 28 korrikut 1948. (Populli në kujtesën e vet e cilësoi këtë natë “Nata e shtrigave”). Pesëdhjetë e gjashtë burra të Malësisë, nga të cilët katërmbëdhjetë nga Reçi, arrestohen befasisht nga Sigurimi Shtetit. Përsa u përket burrave të Reçit, në krye të listës figuronte edhe emni i Taro Keqit.

Të tjerët qenë: i ati i tij, Keq Sadiku, e mandej: Mark Toma, Rexhep Lani, Ali Malja, Tomë Gjoni, Gjekë Pjetër Dushi, Mac Deda, Ali Hajdari, Sait Lani etj. Shumë i kërkuemi Lekë Pjetër Marku, mundi të shpëtojë t’ue kalue kufirin, e duel në Jugosllavi.

Taro Keqi, rastësisht, atë natë nuk u ndodh në shtëpi. Tragjedinë e mori vesh të nesërmen. Familja i tregoi gjithçka. Mori vesh se atë e kishin kërkue disa herë. Menjëherë e ndjeu rrezikun që i kanosej dhe kuptoi fatin e parashkruem të 56 burrave. Mund të shpëtonte t’ue kalue kufirin, por këmbët nuk i banin për andej…! Mendjen e kishte te i ati dhe te shokët, prej të cilëve nuk kishte si të ndahej. Ju ofruen edhe “garanci” se asgja nuk do ta gjente as atë, as babën e tij e, as malësorët e tjerë që ishin të izoluem. Pra, për një “formalitet”, duhej të paraqitej në zyrat e lokalitetit. Ndonëse me dyshim, gjithsesi shkoi atje. “Formaliteti” qe fare i thjeshtë: prangosja e menjëhershme e tij.

Të nesërmen të gjithë të moshuemit u dërguen në Degën e Punëve të Brendshme të Koplikut; të gjithë si në një kuti me sardele. Kishin 24 orë pa bukë e pa ujë e, s’mund të flitet për higjienën. Në mesnatë, dy policë marrin Taro Keqin dhe ia dërgojnë në zyrë Ll.N., që ishte Shef i Sigurimit. Ky i fundit i ban disa pyetje:

“Kush ban pjesë në organizatën tradhtare ‘Shqiponja me dy krena’? ‘Kush e udhëheq atë’, ‘Kush i bani mbledhjet”? etj., etj.

Taroja, i befasuem nga këto pyetje, vetëm hesht, gja që nuk i pëlqen zyrtarit, i cili ngrihet në këmbë dhe e godet.

Jo nga dhimbja, por nga inati, ai, ashtu i prangosun sulmon shefin e Sigurimit, t’ue e goditë me hekurat që mbante në duer e tue e rrëzue përtokë të gjakosun. Britma e kriminelit detyroi policët që rrinin mbas dere, që të, futeshin brenda, për t’i ardhë në ndihmë shefit të tyre.

Mandej morën Taron, dhe mbi të përdorën të gjitha torturat që njihnin e që qenë të mjaftueshme: pas dy orësh Taroja dha shpirt. Ashtu të vdekun, xhelatët e “varrosën” pranë gropës së ËC-së, sikurse kishin ba me Dom Pjetër Çunin, Dom Aleksandër Sirdanin dhe Nikë Markun nga Kelmendi.

Ky ishte Taro Keqi, që vazhdon të kujtohet nga e gjithë Malësia. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pasi-shefi-i-sigurimit-ll-n-e-godi-me-grusht-ne-fytyre-ai-ja-ktheu-duke-e-qelluar-me-duart-me-pranga-por-dy-policet-qe-ishin-pas-dere-historia-tragjike-e-ish-komandantit-t/