“Pasi pushkatuan dajën, babai vdiq në burgun e Burrelit, disa policë erdhën në shtëpi dhe morën nënën që ishte yll e bukur, jo për ta arrestuar, por….”/ Dëshmia rrëqethës e ish-të burgosurit nga Berati

Nga Luan Myftiu 

Pjesa e parë

Memorie.al / Luan Myftiu lindi në Berat në vitin 1933 dhe që në moshë të vogël mbeti jetim, pasi i ati, patriot i nderuar dhe mbështetës i “Ballit Kombëtar”, dënohet me pushkatim në vitin 1945, por më pas, i falet jeta dhe vdiq pas pak vitesh në burgun e Burrelit, ku vuante dënimin. E ëma e Luanit dhe ajo nuk arriti të dilte gjallë prej psikiatrisë, ku u flak pa mëshirë. Mes vuajtjesh që e ndoqën dita ditës, me shumë përpjekje, Luani arriti të vazhdonte shkollën Pedagogjike në Berat dhe filloi punën si mësues. Por gjatë gjithë kësaj kohe ai ishte nën survejimin e vazhdueshëm të organeve të Sigurimit të Shtetit dhe në vitin 1975, ai arrestohet dhe dërgohet në hetuesi. “Ç’kam bërë”? – do të pyeste Luani hetuesin…! “…Je mish i therur që ne mbajmë në frigorifer, kur na duhet të marrim, të dënojmë, që të shohin ata të rinjtë që këndojnë kanconeta”, – i’u përgjigj hetuesi. E dënojnë 10 vjet dhe dërgohet në Spaç, ku ai vuan të gjithë dënimin. Mbas vitit 1990, vjen në Tiranë ku merr pjesë aktive në proceset demokratike dhe angazhohet me shkrime të ndryshme kryesisht në gazetën “Liria”, organ i Shoqatës së ish-të Dënuarve dhe Përndjekurve Politik të Shqipërisë. Luan Myftiu është marrë dhe me letërsi, duke lëvruar gjininë e tregimit, të cilin e kishte me shumë pasion. Ka botuar një ese me titull “Nën territorin komunist”, si dhe ka përkthyer “Aforizma të pa përshkruara ndonjëherë”, të Oscar Wilde si dhe “Net të bardha”, të Dostojevskit.

NËNA…

Nuk di si duhen fëmijët prej nënave të tyre, por imja ka pasur për mua një dashuri të çuditshme. Ajo mbante në gisht një unazë të veçantë për të më mbrojtur nga ndonjë mallkim i fshehtë i zemrës së saj, kur unë bëja ndonjë nga ato veprimet që e lëndonin. Por dashurinë e saj kurrë nuk ma zbulonte, si të donte të mos cenonte lirinë time. Ajo i fshihte vështrimit tim të etur kujdesin e saj të tepruar. Veç unë, e diktoja dobësinë e saj për mua, sa herë që duhesha të qortohesha për një veprim ku prekej sedra ime. Si një “luaneshë e butë”, ajo donte të rriste një “këlysh krenar”, prandaj me një indiferencë të shtirë i zhdukte pasojat e sjelljeve të mia të ndëshkueshme. Ndoshta, kjo mbretëreshë bukurie nëpërmjet meje donte, të vendoste pushtetin e krenarisë së saj në ambientin e kulturuar, ku kish qenë nuse. Nuk di përse bukurinë mahnitëse të shpirtit të saj unë e shihja të pikturuar nëpër ikonat e kishave të qytetit, të cilat i vizitoja gati çdo të diel.

Duke shkelur me kujdes nëpër rrugicat e tyre, të shtruara me zaje të bardhë, nga ku gëlonte një bar i gjelbër që dukej sikur përtërihej nga tingujt e kambanave, unë hyja në kishë me zemrën gjithë drithërimë nga një ndjenjë e pakuptueshme. Prapa tymit të temjanicës, sodisja nurin e bukurisë së nuseve dhe vajzave elegante, që kishin ardhur t’i luteshin Zotit t’u falte mëkatet, trishtimin e ëmbël të pikturave murale, madhështinë e heshtjes dhe magjinë e zërave hyjnorë të korit të fëmijëve. Më dukej sikur vetëm aty e zbuloja parajsën e dashurisë së pashprehur të nënës. Ndihesha aq i dehur nga një pasion i çuditshëm, sa më dukej sikur tërë ceremonia fetare zhvillohej enkas për mua. Dhe kisha një nevojë t’i falënderoja të gjithë ata që vinin të faleshin në kishë. Kështu u krijua në atë moshë një lloj lidhjeje e fshehtë midis meje dhe kësaj shtëpie të Zotit.

Edhe sot nuk di të them si i lexoja kuptimet e tingujve të kambanës, sepse mbaj mend që, kur ato lajmëronin për ndonjë vdekje, unë vrapoja me lot në sy tek nëna, e cila për çudi, asnjëherë nuk më pyeti për shkakun e ngashërimeve të mia, kur hidhesha në krahët e saj i lumtur që ajo ishte gjallë… edhe ajo sikur nuk donte që unë ta shfaqja haptas dobësinë time për të! Asnjëherë nuk u ankua për hallet dhe shqetësimet, kur tim atë e arrestuan komunistët dhe asaj i duhej dy herë në ditë të qëndronte kokulur para portës së burgut, me shpresën se mund t’ia pranonin ushqimet, që kish përgatitur për të shoqin. Kjo qenie që mishëronte dhembshurinë, tani qe pushtuar e tëra nga ndjenja e detyrës.

Një rrudhë zemërimi, që përpiqej të mbinte në mes të vetullave të saj, nuk e prishte dot harmoninë e asaj qenieje që lumturinë e gjente vetëm në paqe. Të ketë pasur rol bukuria në atë butësi që të bënte për vete? Unë e adhuroja dhe, i magjepsur, isha xheloz, në heshtje, tek shihja që edhe femrat hutoheshin përpara saj. Ndoshta kjo xhelozi kish krijuar edhe një lloj armiqësie me tim atë, e cila më shtynte të bëja ca gabime që isha i sigurt se do ta zemëronin për të parë se si, do të më mbronte në çdo rast, pa pyetur për trishtimin që i shkaktoja tim eti. Tani që kishte rënë në burg, më dukej sikur këtë e kish kërkuar vetë, i dëshpëruar që s’ia kisha njohur dashurinë që kishte pasur për mua, dhe, aq sa më vinte keq për të, po aq e dënoja për këtë hakmarrje të pamëshirshme ndaj meje. Gjithçka që ndodhte me mua, unë e peshoja sipas mënyrës sime. Komunistët më dukeshin ca lodra në duart e fatit tim, të cilët vepronin vetëm si t’u thoshte ai.

Tani e shihja nënën për ditë e më të përhumbur, ndërsa natën, kur e shtrëngoja midis krahëve të mi të dobët, ajo rrallë kujtohej që më kishte pranë. Një ditë e kapa në befasi duke qarë. I kishin dënuar vëllanë e vetëm me vdekje! Ai ishte kopja e së motrës nga shpirti, sikur t’i zbresim një shkreptimë rreptësie (kur prekej në sedër), që i kish mbirë, ndoshta, nga ndjenja e përgjegjësisë për familjen, që i kish rënë mbi supe qysh herët. I zgjuar e me një intuitë të hollë, por pa kulturën që i’a kërkonte intelekti, ai ruante si thesar krenarinë e trashëguar nga i ati, kryengritës anti-turk, i cili, me pastërtinë e ndjenjave të tij patriotike, kish fituar edhe simpatinë e atyre që duhej të urrenin. Ky vëlla i dhembshur e donte marrëzisht të motrën.

Bukurisë së saj marramendëse i qëndronte si një kurorë lulesh fisnikëria e të vëllait, ashtu si zbukurohej kokë krisja e tij e ëmbël prej nurit engjëllor të së motrës. Ata duheshin e krenoheshin me njëri-tjetrin, ashtu siç qenë sjellë, kur ishin fëmijë. Kush do t’ia mbronte nënës sime tani bukurinë nga gjithë ato shigjeta që kjo bukuri pa dashje tërhiqte drejt saj? Komunistët i vranë vërtet vëllanë, duke mos i treguar as gropën, ku i’a flakën kufomën. Madje, atyre nuk u erdhi mirë, kur ajo e qau. Komunistët kishin shumë frikë nga lotët që derdheshin nga keqardhja për viktimat e tyre. Nëna ime qante fshehurazi, por jo nga frika. Madje, ajo sikur nuk donte të qante. Ajo s’mund ta pranonte që i vëllai kish vdekur, kur mendonte se ai vetëm mirë u kish bërë të tjerëve! Ajo qante fshehurazi për poshtërimin që i kishin bërë vëllait të saj. Ata i kishin rrëmbyer krenarinë nënës, ndaj gjysma e qenies së saj kish vdekur. Gjysma tjetër vraponte pas kujtimeve të tij, me qëllim që të mos ndihej e vetmuar.

Ndërkohë të ardhurat shteronin dhe nevojat rriteshin çdo ditë. Filloi shitja e sendeve me vlerë për një copë bukë. Ditët shtyheshin me zor dhe uria nisi trokitjet e para në derën tonë! Nëna po largohej çdo ditë prej nesh, si ai kapiteni që nuk u afrohet pasagjerëve që do të mbyten, kur anija po mbushet me ujë, i terrorizuar nga klithmat e ndërgjegjes që s’është në gjendje t’i ndihmojë. Gjithmonë e menduar kryente mekanikisht detyrat si grua dhe si nënë! Ata, të cilët dje e respektonin për fisnikërinë e saj, tani që kishin marrë pushtetin, e këshillonin me përçmim ta ndante burrin e të martohej, pasi i shoqi nuk do ta nxirrte më kokën nga hekurat e burgut! E revoltuar dhe e fyer, ajo ua përplaste në fytyrë gjithë sa mendonte për harbutërinë e tyre, ndërsa netët, e tronditur, i gdhinte pa gjumë.

Unë përpiqesha t’i qëndroja pranë, duke iu futur natën në gji, por ajo, ndonëse nuk i harronte përkëdheljet, sikur më lutej të mos e bezdisja. Një natë më tha të mbaja vesh se mos dëgjoja zhurma këmbësh në tavan dhe, kur unë e sigurova se nuk kish të tilla zhurma, veç heshtjes së plotë të natës, ajo qeshi nën zë si për të më thënë se kish bërë një shaka, ndërsa pashë në dritën e hënës që hynte nga dritarja, dy pika loti që vezulluan në sytë e saj, të mbushur me një dritë jo të zakonshme. Atëherë nisa të kërkoj si nëpër terr dashurinë e nënës, që nuk e kuptoja përse po ftohej çdo ditë. Ç’të qe kjo e keqe që më kish përzënë nga zemra e saj? Ndiqja i hutuar psherëtimat, lëvizjet, madje dhe ngjyrat e zërit të saj, por nuk arrija dot në një përfundim. Nuk gjeja dot një shkak që ta kish zbehur dashurinë e saj për mua. Atëherë e teproja me çamarokllëqe që ta meritoja një qortim prej saj. Por jo! Atë sikur e rëndonte dashuria ime që ajo e ndiente sesa shumë po më vriste. Atëherë e hodha poshtë atë sedrën dhe krenarinë, me të cilat e fshihja dobësinë për të, duke menduar se do ta fyeja në atë kërkesën e hershme të shpirtit të saj për mua, por ajo vetëm për një çast shqetësohej, pastaj bëhej indiferente.

Ajo kërkonte tani një pakt të ri, të cilin, unë s’mund ta pranoja: ta lija të qetë! Po si mund ta lija unë vetëm, kur e shihja sesa vuante? Kurse ajo, ndoshta, donte të më mësonte me mungesën e saj?! Ah, sa herë e pata përfytyruar veten të vdekur për të shijuar lumturinë që më jepte dhembshuria e shprehur në lotë e klithma! Vonë e kuptova se kisha pasur një dashuri të sëmurë për nënën. Vallë, e kishte ndjerë zemra e saj këtë? E kishte ndjerë sa e egër ishte dashuria ime që ajo vetë e kishte mbjellë? Ajo vetë më kish mësuar që ta trajtoja mizorisht. Në shkollë vija për të; rrobat e reja i vishja për të, haja e pija për të dhe gjumë flija vetëm për hatër të saj. Ajo i kryente gjithë detyrat që më jepte mësuesja për t’i bërë në shtëpi, ajo më shfajësonte, kur endesha rrugës e nuk shkoja në shkollë, ajo m’i mbulonte kudo e kurdoherë prapësitë. Dhe kurrë nuk ankohej, kurrë nuk më tregonte se ç’kish bërë për të më mbrojtur, njëlloj si të ishin gabimet e saj dhe ajo duhej t’i paguante.

Një herë fëmijët e lagjes që vinin shpesh në shtëpinë tonë, kishin nxjerrë në oborr gjithë pajën e saj prej mëndafshi, blerë në Itali dhe, të veshur me to si aktorë, loznin teatër. Nga banaku i verandës një fëmijë tjetër, kishte rrëzuar pa dashje një qyp me pekmez rrushi si ndonjë 30 kg. dhe kish nisur të qante nga frika e ndonjë ndëshkimi. Erdhi nëna: të gjithë ngrinë. Rrobat e saj ishin ndehur mbi trëndafilat e kopshtit, ndërsa pekmezi kish ndotur gati gjithë shtëpinë. Ajo qeshi, pyeti për mua, më gjeti, më futi në një dhomë e, pasi më zhveshi, më kontrolloi me kujdes se mos isha vrarë, kur kish rënë qypi. Pasi u sigurua që s’kisha pësuar gjë, mori frymë e lehtësuar, mblodhi në oborr teshat e saj dhe nisi të lante shtëpinë pa na bërë një qortim dhe pa i trembur fëmijët e lagjes për të ardhur përsëri. Dhe unë përpiqesha ta ndihmoja në ndonjë punë, por pa i rënë në sy se atë punë e kisha kryer unë.. Ajo, sigurisht që, e kuptonte por edhe ajo nuk më falënderonte, përderisa e dinte që kjo gjë nuk do të më jepte kënaqësi.

Ishte kohë lufte dhe babai ynë, i ngarkuar me detyra të ndryshme, vinte rrallë në shtëpi. Por ne nuk rrinim vetëm, sepse nëna jonë merrte në shtëpi shpesh gra të vafëra e pa njeri dhe i partonte (në të parë), siç venë nuset për herë të parë tek prindërit e vet, dhe u shërbente për shpirt një muaj të tërë. Në fund i përcillte me pesëqind të mira duke u premtuar se do t’i ftonte përsëri vitin tjetër. Ne çuditeshim se me çfarë devotshmërie e kryente ajo këtë bamirësi. Tani veç heshtjes ajo kish nisur të rrinte edhe pa ngrënë, por ne nuk e kuptuam dot kurrë arsyen e “grevës” së saj të urisë. Mos donte, vallë, të na e linte neve racionin e saj të bukës që jepte shteti aso kohe për çdo frymë? Apo uria e ndihmonte t’i ndiente më pak dhimbjet shpirtërore! Ato ditë komunistët kishin dënuar me vdekje edhe nipin e saj, të cilin e kishte mbajtur pranë, se ishte kopja e të vëllait, për të cilin s’besoj se ka pushuar së qari deri sa i shkoi pranë.

Mos, vallë, në ato net pa gjumë bisedonte me të nipin, që priste nga çasti në çast ta rrëmbenin, siç e rrëmbyen hienat që nuk u ngopën 45 vjet me gjak të pafajshëm? Si mund të vritet një fëmijë që s’i ka djersitur mirë qimja në faqe? Një fëmijë që s’kish vrarë një flutur e s’kish trembur një zog? Ndoshta ajo e ndiente që ky ishte fundi i botës dhe s’kishte përse të përpiqej të jetonte. Ndërsa unë i kërkoja me kokëfortësi dashurinë e saj! Sa shqetësime duhet t’i kem dhënë së gjorës duke i kërkuar të bënte një gjë që s’mundej! Ah, nënë, sa shumë t’u desh të duroje. Ata, të cilëve ti u kishte mbrojtur jetën, tani s’të jepnin as punë të rëndomtë për të mbajtur fëmijët e tu me frymë. Tani ti duhej vetëm të luteshe: edhe gardianit të burgut, edhe furrxhiut, edhe mjekut për një vizitë, edhe miqve të tët shoqi, që bënin tani sikur nuk të njihnin! Ti i zbrite me fisnikëri këto shkallë të poshtërimit dhe tregove një tjetër bukuri, që ndoshta, vetes nuk ia njihje. Ti i lave këto shkallë me lotët e krenarisë së fyer dhe kushedi ç’marrëveshje të fshehtë bëre me vdekjen, e cila vulosi në ballin tënd indiferencën. Ç’të vrau më shumë, o nënë?

Absurditeti i sakrificës, apo mosmirënjohja cinike e njerëzve? Falmë, nënë! Ti duhej të largoheshe nga kjo jetë! Mos, vallë, ftohtësia jote qe një mënyrë për ta bërë më pak të dhimbshme ndarjen? Sa shumë duhet të kesh vuajtur për t’i këputur vetë këto fije të forta të dashurisë sonë! Po ne si s’u zemëruam një herë me këtë braktisje që na bëje çdo ditë? Mos vallë e ndjenim se në ç’hall ishe? Apo ti në çastet e zgjimit derdhje aq dashuri mbi ne, sa të na mbante zemrat ngrohtë për sa kohë ti do t’i vidheshe nga halli dashurisë sonë. Si u zhduk ëmbëlsira në buzëqeshjen tënde të zgjuar? Ku iku ajo ironia dashamirëse, me të cilën na detyroje ta braktisnim të keqen, pa e ndier veten të fyer?

U rrëzove, nënë!

Asnjë katastrofë nuk mund të dëmtonte shpirtin tonë në atë moshë më shumë sesa kjo rënia jote. Ne humbëm përgjithmonë dëshirën për të ndërtuar në jetë diçka të bukur, në shëmbëlltyrë të lumturisë! A e dije ti këtë?!… Falna, nënë, nëse të kemi bërë të vuash edhe pas vdekjes! Ti s’mund të largoheshe pa klithmë! Nuk mund të rrijë pa u treguar xhelatëve fytyrën e tyre të vërtetë! Ta kërkonte nderi i vëllait, lotët e jetimëve, vepra e mirë e burrit tënd, që po shkelej me këmbë birucave të Sigurimit! Shpirti yt i dhembshur nuk mund të pranonte të talleshin me fisnikërinë e tij disa rrugaçë që ambicia për pushtet i shndërroi në lypsarë mosmirënjohës në vrasës të pabesë, kurse instinkti kriminal i harbutërisë i shtyu të besojnë se ishin madje perëndi! Dhe krenaria jote e fyer vrapon që nga errësirat ku e kish flakur terrori komunist, duke shpërthyer si një rrufe që godet mbi kokën e një gjarpri. Ti klithe në zyrat e tyre: “Harbutë…! Katilë…”! Dhe nuk dëgjove telefonat që ulëritën dhe dyert që u përplasën e nuk pe se si i zbrite shkallët e si t’u vunë hekurat në duar, si të hodhën horrat në qeli e si të prunë të lidhur në shtëpi!

Dhe ne të gjetëm vetëm, pa njeri, lidhur duart mbrapa me hekura gjermane, këmbëkryq e flokëlëshuar, e bukur si një xhinde përmbi raftin e madh që ndodhej sipër shkallëve. Ti heshtje dhe ne nuk e mësuam dot se kush të kishte ulur aty. Dhe pse aty? Ca thanë e sollën dy policë, ca që me ta kish pasur dhe civilë, të tjerë që paskësh qenë aty edhe një grua, por nuk tregonte kush që e kish parë, kur erdhi. E pyetëm nënën vetë, por s’donte të përgjigjej. Qëndronte me kokën ulur, sikur të ishte fajtore, me sy të palëvizur, mbërthyer në një pikë dhe dukej sikur lutej që ne ta mëshironim duke na thënë me heshtjen: “E bëra unë tani këtë”! Ky çast mbeti në kujtesën tonë si një shuplakë e parë që na dha komunizmi! Iu afrova një çast dhe e putha në faqe; ajo u ngërdhesh në përpjekjen për të skicuar me mundim një buzëqeshje, duke kthyer anash kokën si e turpëruar, ndërsa hekurat u përplasën në dërrasë bashkë me duart e saj të bardha. Iu mblodhëm rrotull të shihnim ato gozhdë të përkulura si unaza rreth duarve të saj të ënjtura.

Papritur u dëgjua zhurma e këmbëve të një polici që po ngjiste shkallët, i cili, i skuqur në fytyrë, na tha të mos ia hiqnim hekurat nënës, sepse vetëm kështu do ta lejonin që ajo të qëndronte pranë nesh. Ç’të qe vallë? Ëndërr? Apo një forcë misterioze na jepte këtë ndëshkim për të na detyruar ta çmonim më tepër vlerën e nënës sonë? U deshën vite të bindeshim që kjo qe një përmbysje që duhej përballuar me shumë dhimbje! Ndërsa ne po mendonim se si do ta ushqenim e si ta shpinim në banjë, ajo që duket e kuptoi hallin tonë, pasi lëshoi një rënkim të pakontrolluar, na buzëqeshi me përkëdheli dhe na kërkoi t’i shpinim pak bukë. Njëri prej nesh i hoqi hekurat, me kujdes, kurse ajo me duart e lira tani, mbërtheu jelekun e hapur në dy sustat e para. Pastaj nisi të hajë e uritur, ashtu, e druajtur, si të ishte vetë një e huaj në shtëpinë e saj! Tronditja e madhe na i kishte trembur lotët dhe unë çuditem sot se ku e gjenim forcën që të tregoheshim aq të vëmendshëm ndaj saj!

Sa kohë që njeriu është mbret i lumturisë, nuk i përfill ata që ia dhurojnë, por, kur viktimat që sakrifikohen, ngrenë krye, ai bëhet menjëherë lypsar dhe u lutet ta mëshirojnë! Ne nuk e kishim kuptuar ende se pa dashurinë e nënës asgjë nuk do të na hynte në sy! Ne e quanim këtë lumturi një të drejtën tonë, kurse dhembshurinë, një detyrë të saj. Tani e ndienim se dashuria e çdo nëne nuk ishte diçka tokësore! Tani që na mungon mbetëm përpara saj të mahnitur! Tërë jetën do të luftonim tani për të merituar një shkëndi dashurie që t’i ngjante asaj të nënës! Por më kot…! Ne do të mbesnim njerëz të vërtetë, sa kohë do të qëndronte brenda nesh vlaga e dashurisë së saj, jehona e klithmave të ëmbla të dashurisë së nënës! Çudi! Kujdesi ynë për të, e mundonte më shumë! “Luanesha” tundi krifën dhe u ngrit në këmbë. Ne s’ishim në ëndërr: kishim fituar përsëri atë, që desh na iku përgjithmonë!

U zhytëm prapë në mbretërinë e dashurisë! Ishim përsëri njerëz! Unë fjeta atë natë si më parë me të, duke derdhur edhe në gjumë lot lumturie! Edhe ajo qau bashkë me mua, por shtirej sikur merrte shkak prej lotëve të mi! Dhe më gënjeu, e gjora, duke më lënë përshtypjen se i kishte lot gëzimi, ndërkohë që e ndiente se ishte nata e fundit që flinte me ne! Kur u gdhi, ne i’a vumë hekurat përsëri në duar, ashtu si na mësoi ajo. Pastaj shkoi e u ul tek vendi, ku e kish lënë policia. Dhe na vështronte e qeshur, si të donte të na thosh: “Ja, sa mirë, asgjë s’ka ndodhur”! Dhe ne vërtet po na dukej sikur e gjithë kjo s’ishte veç një lodër! Megjithatë, pasi kryenim me ngut porositë që na jepte veçmas ndonjë i afërt, që kish guxuar të vinte në shtëpinë tonë, ktheheshim tek nëna menjëherë për t’u siguruar që ndodhej aty. E bukur si një zanë pylli, ajo rrinte e qetë me kokën lart, ashtu si kemi dëgjuar që rrinë trimat para skuadrave të pushkatimit. I kishte rënë një nur i veçantë dhe dukej sikur ishte bërë nuse! Dasmorët ishim vetëm ne që s’dinim ç’të bënim me të! Kurse “krushqit” nuk po dukeshin për ta mbyllur në “kafaz”! Memorie.al

                                                                   Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pasi-pushkatuan-dajen-babai-vdiq-ne-burgun-e-burrelit-disa-police-erdhen-ne-shtepi-dhe-moren-nenen-qe-ishte-yll-e-bukur-jo-per-ta-arrestuar-por-deshmia-rreqethes-e-ish-te-bu/