“Pasi na tërhoqën me skafin e kufirit, pesë metra pa dal në breg, komandanti postës, qëlloi dhe vrau vëllanë tim, kurse mua…”/ Dëshmia e rrallë e fshatarit nga Velipoja, për ngjarjen e majit 1990

Memorie.al / 32 vite më parë, dy vëllezërit Vatë dhe Gjekë Beqi nga fshati Beks i Velipojës, kanë marrë detin me not dhe me një kamerdare makine, me qëllimin e vetëm që të largoheshin nga Shqipëria komuniste. Por pas dhjetë kilometrash, ata janë pikasur nga patrulla kufitare dhe disa minuta më pas, një motobarkë e policisë kufitare i ka qëlluar me armë. Gjekë Beqi është plagosur dhe vëllai tjetër, Vata, është detyruar ta nxjerrë në breg me not në një kohë që patrulla e policisë i kontrollonte që të mos iknin sërish. Me të dalë në breg, Vatë Beqi, është qëlluar pa paralajmërim me automatik nga komandanti postës kufirit bregdetare, Bino Binaj (me origjinë nga Vlora dhe i njohur ndryshe edhe me emrin e ndryshuar, Besnik Resul Zykaj) dhe ka vdekur në vend. Vatë Beqi, është qëlluar teksa po i lutej për jetën e vëllait të plagosur, Gjekës, në një kohë kur Shqipëria sapo kishte shfuqizuar ligjin që dënonte rëndë arratisjet, e cila tashmë në bazë të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë që sapo kishte hyrë në fuqi, nuk konsiderohej më “tradhti e lartë ndaj atdheut”, por thjesht, “kalim i paligjshëm i kufirit”!

Vetë Gjekë Beqi, ka shpëtuar pa u vrarë, sepse komandanti Bino Binaj, e ka lënë me shpresën se ai do të vdiste vetë pasi, ishte plagosur në kokë. Gjeka arriti të shpëtojë, falë ndërhyrjes së mjekëve dhe u dënua me dy vite burg, ndërsa komandanti, Bino Binaj, u arratis për vetë nga Shqipëria. Ai u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata, në mungesë dhe vetëm në vitin 2012, pra vetëm 22 vjet pas ngjarjes, ai u arrestua nga policia italiane dhe pritej që të ekstradohej në Shqipëri.

Gjatë të gjithë kësaj kohe, Bino Binaj, tashmë me emrin e ndryshuar në Besnik Resul Zykaj, kishte qëndruar i fshehur në Itali. Madje, në dokumentet personale, ai kishte ndryshuar tre herë edhe vendlindjen, me qëllimin e vetëm që t’i shpëtonte arrestimit. I mbijetuari i kësaj historie tragjike, Gjekë Beqi, rrëfen në këtë intervistë për gjithçka që ka ndodhur në pranverën e vitit të largët 1990, kur regjimi komunist i Tiranës edhe pse kishte filluar disa lëshime (pas presionit ndërkombëtar), përsëri vazhdonte vrasjet në kufi.

Z. Gjekë, si nisi ngjarja e 22 viteve më parë?

Më datë 19 maj 1990, unë dhe vëllai im Vata, u nisëm për të arratisur me not. Do shkonim në Jugosllavi dhe që andej do të iknim në Amerikë, ku kishim njerëzit tanë. Më 8 maj, u ndryshua ligji, pra ikja nga Shqipëria, nuk quhej më “tradhti e lartë ndaj atdheut”, por, thjesht, “kalim i paligjshëm kufiri” dhe ne morëm zemër prej kësaj. Meqë nuk kishte më internim për familjen, për ata që kalonin kufirin, ne vendosëm të iknim.

Hymë në ujë pranë urës së Velipojës dhe kemi udhëtuar rreth 10 kilometra me not. U nisëm në orën dhjetë të natës dhe në pesë të mëngjesit, na ka parë ushtari Artan Qerimi. Ne kishim marrë me vete edhe një kamerdare, ku çlodheshim gjatë rrugës. Ushtar Qerimi, ka lajmëruar postën e policisë dhe ky zotëria që është kapur në Itali në vitin 2012, Bino Binaj (tashmë me emrin e ndryshuar në Besnik Resul Zykaj) ka ardhur bashkë me drejtuesin e skafit, Bashkim Musta. Ata u afruan tek ne kur ishim rreth katër milje në det.

Çfarë ndodhi në këtë moment?

Komandanti i postës kufitare, Bino Binaj, na qëlloi me armën “Kallashnikov” pa paralajmërim. Unë jam plagosur në nofull, ndërsa vëllai, Vata, në shpatull. Unë u fundosa në ujë. Vëllai u zhyt dhe më shpëtoi. Në një moment vëllai e njohu dhe i tha: “Jemi bijtë e Marash Beqit. Na vrave”. Ai i tha për mua: “Mbaje atë, se ty do të të vras në tokë”.

Vëllai më mbante me dorë dhe më vuri në kamerdaren që kishim me vete. Bino Binaj, na hodhi spirancën dhe na tërhoqi në breg. Kur dolëm, vëllai ishte lakuriq, siç isha edhe unë, pasi ishin zhveshur të notonim të lirë, dhe ai i tha të marr rrobat. Besniku i tha: “Ec mor qen” dhe e qëlloi pa paralajmërim. Vata ishte lakuriq dhe ai e vrau katër metra pa dalë në breg.

Po me ty çfarë ndodhi?

Mua më pa me plumb në kokë dhe të gjakosur e tha: “Ky ka marrë plumb në kokë, le të vdesë vetë”. Kaq ishte historia.

Ju u arrestuat?

Erdhën hetuesit dhe u kryen veprimet hetimore. Unë u arrestova dhe u dërgova në spital të Shkodrës. Mjeku Ferid Hoti, u kujdes shumë për mua. Ishin tre mjekë të mirë që më bënë një operacion i cili më shpëtoi jetën. Ata janë Ferid Hoti, Ali Spahia dhe Mark Mirashi. Unë kisha marrë një plumb në nofull dhe më ishte shkëputur një nerv. Ishte operacion shumë i vështirë.

Ju u dënuat për këtë ngjarje?

Më 4 korrik, u dënova me dy vjet burg. Familja bëri presion në Degën e Brendshme të Shkodrës dhe iu lutëm, pasi kryetari i Degës, nuk deshi të jepte trupin e vëllait. Ndërhymë tek Hetuesia në Tiranë, deri tek Qemal Lame, kreu i Hetuesisë së Përgjithshme në atë kohë dhe më në fund, na u dha trupi për varrim. Ai i shkroi edhe Ramiz Alisë. Vëllai im ishte viktima e parë që iu dha familjes për varrim.

Sa kohë qëndruat në burg?

Unë bëra një vit burg dhe dola kur erdhi demokracia. Kam dalë më 28 shkurt të vitit 1991.

A keni tentuar hakmarrje ndaj vrasësit të vëllait tuaj?

Në nuk kemi dashur të hakmerremi, por e kemi paditur në gjyq sipas rregullave. Na ka vrarë një punonjës i shtetit dhe duhet ta zgjidhë shteti. Ai u gjykua dhe u dënua me burg përjetë. Gjyqtar ishte Admir Thanza. Atëherë ishte ende dënimi me pushkatim, por u dënua me burg përjetë, që të mund të ekstradohej në rast se arrestohej, pasi ai ndodhej jashtë Shqipërisë.

Ai është dënuar me burg përjetë për krime kundër njerëzimit. Ai kishte shkelur edhe ligjet e asaj kohe. Ai duhet të paralajmëronte fillimisht, të qëllonte në ajër dhe pastaj të na neutralizonte, në rast se ne do tentonim të iknim. Por ne nuk tentuam të iknim dhe as përbënim ndonjë rrezik për të, pasi ne ishim lakuriq. Kishte zbardh dita dhe ishte kohe me diell. Ai na pa shumë mirë dhe na vrau për qejfin e vet.

Që nga ajo kohë, a keni mësuar ndonjë gjë për ish-komandantin e postës, Bino Binaj?

Ai ka ikur që në vitin 1991, jashtë Shqipërisë dhe ndryshoi emrin në Besnik Resul Zykaj. Ai ka ndërruar tre herë vendlindje. Në fillim u shpall në kërkim me Besnik Zykaj dhe nuk gjendje dot sepse, nuk dilte askush me këtë emër. Kur u gjet emri i ri, pra Besnik Resul Zykaj, ai u padit prapë nga familja jonë dhe këtë herë me emrin e ri. Në vitin 2012 ai është kapur në Itali, në Firence.

A kishte dëshmitarë për vrasjen e vëllait tuaj?

Kishte katër dëshmitarë që treguan të vërtetën. Ata ishin: Bashkim Musha, drejtuesi i varkës dhe ushtarët Hysen Allkanjari, Artan Qerimi dhe Halim Syla. Të gjithë thanë që ai nuk kishte nevojë t’i vriste, sepse ne ishin dorëzuar. Vëllai im është dekoruar “Martir i Demokracisë”. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pasi-na-terhoqen-me-skafin-e-kufirit-pese-metra-pa-dal-ne-breg-komandanti-postes-qelloi-dhe-vrau-vellane-tim-kurse-mua-deshmia-e-rralle-e-fshatarit-nga-velipoja-per-ngjarje/