“Pasi më përjashtuan nga arsimi prej biografisë, munda të siguroj një takim me sekretarin e parë të Shkodrës, Foto Çami, i cili, sa u futa në zyrë, më tha…”/ Dëshmia e rrallë e Filip Guraziut

Nga Filip Guraziu      

Pjesa e shtatë

                                                     Vijon nga numri i kaluar

                                                         Mollat e vjetit të ri

Memorie.al / Nji episod, që më pat tregue Erina (vajza), mbas kthimit të sajë prej vizitës turistike, në Kubë, më zgjoi kujtimin e mungesës së mollave në Shqipni, në fundin e vjetëve ’70-të. Ndër të tjera, prej “Kubës socialiste”, vajza më tregoi nji bisedë të  rastësishme me disa të moshuem kubanezë të cilët, kur kishin kuptue se vajza ishte shqiptare, në çast ishin shprehë: “Albania? Si, si, cognac Skenderbeu y manzanas”  (‘Shqipnia? Po, po, konjak ‘Skënderbeu: e molla’).  Shqipnia, n’atë kohë, paska pasë qenë njoftë në Kubë, vetëm prej eksportit të konjakut e të mollave…!

Në tetor, të vitit 1975 (unë e Justi), shpallëm fejesën e n’atmosferën e entuziazmit t’ asaj periudhe, me shoqërinë tonë, projektuam festimin e vjetit të ri, 1976 në shtëpinë time, në Shkodër.

Nji javë përpara ndërrimit të viteve, u morëm vesh me pjesëmarrësit për organizimin e banketit. Çdo çift, mori përsipër pregatitjen e nji tipi ushqimi, që kombinonte me të tjerëve (si mbas mendimit tonë), kurse unë, si organizatori, mora përsipër edhe furnizimin me pije e fruta.

Problemi, ma i vështirë, ishte sigurimi i frutave, që n’atë kohë mungojshin. Disa ditë, përpara natës së banketit, fillova t’interesohem për mundësinë e daljes në treg të mollave që shteti zakonisht i tregtonte me rastin e festës së vjetit të ri.

Nëpërmjet nji shokut tim, i ati, i të cilit, punonte shofer në ndërmarrjen e Tregtisë, Shkodër, u informova se me 31 dhetor, shteti kishte urdhnue qitjen e mollave në treg për shitje.

Menjëherë shkova te Semi (shitsja e frutave-perimeve në zonën afër shtëpisë sime) dhe mora konfirmimin se ditën e mërkurë, datë 31 dhetor, n’orën 7.30, në dyqanin e saj, fillonte shitja e mollave.

Diten e mërkurë, 31 dhetor, në terrin e natës së gjatë dimnore, rreth orës 5.00, zuna radhën i pari, te dyqani i Semit. Isha veshë trashë, sepse bante shume ftoftë. Mbas pak, filluen me ardhë edhe të tjerë në radhë. Sa ma shumë afrohej ora e hapjes së dyqanit, aq ma e gjatë bahej radha…!

Biseda kot, barcaleta, diskutime të pafundme për sportin dhe për “poshtërsitë e pambarim”, që po bajshin në botë imperialistët amerikanë e revizionistët sovjetikë… koha kaloi.

U ba ora 7.00, shitsja erdhi dhe filloi sistemimin e mjedisit të punës, për shitjen e mollave, me të cilat dyqani ishte furnizue nji natë ma parë. Në orën 7.30 u hap sporteli i shitjes, çka donte me thanë se, po fillonte shitja, por të tanë u çuditëm, sepse shitja e mollave në sportel nuk filloi!

Nëpërmjet xhamave konstatuam se mbrapa dyqanit, sistematikisht u hapte dera, dhe hyjshin në dyqan njerëz që blejshin molla, pa radhë. E justifikova deri në nji farë mase shitësen; ndoshta, arsyetova, ata që blejshin pa rradhë, ishin “personalitetet” e kohës, dhe Semi, nuk mund të vepronte ndryshe!

Mirëpo numri i njerëzve pa radhë, nuk po mbaronte kurrë…! Fillova me u shqetësue, mos po na mbarohen mollat e dyqanit, prej shitjes pa radhë? Lum na, që mbajtëm radhe qysh në ora 5.00 të nadjes, po mbetshim pa gjë!

Më ishte rritë tensioni prej padrejtësisë, në moment vendosa: prita peshimin e mollave për klientin pa radhë, prej derës mbrapa e, sapo shitësja ktheu shpinën me i dorëzue mollat e peshueme, unë futa të dy duert brenda sportelit, e nxora jashtë peshoren.

Kisha bllokue shitjen! Kur shitsja u kthye dhe nuk e gjeti ma peshoren, u tregue e zgjuet, e m’u drejtue me za të naltë: – Mirë ia bane, që e more peshoren, se nuk vazhdohej ma, kjo lloj shitje!

Me shpejtësi u kthye mbrapa, qiti jashtë ata pa radhë e i vuni shulin prej mbrendë derës! Vetëm kështu filloi shitja e rregullt.

“Atë ditë, kurrë nuk mund ta harroj, isha ‘shumë i lumtun’, ma së fundi i bleva mollat, për Vitin e Ri, 1976”!

Përjashtimi prej punës në arsim

Entuziazmi fillestar për modelin kinez, të rrugës së ndërtimit të socializmit, u pasue me “ftohjen ideologjike”, të vjetit 1971. Kjo situatë, kërkonte futjen në punë të “mendjeve të ndritura” të filozofisë marksiste- leniniste shqiptare dhe për këtë qëllim, nji grup shumë “i ngritur ideologjikisht”, i grumbulluar rreth “Udhëheqësit të Math” shqiptar, shkruante vepra mbas veprash, që  përktheheshin në shumë gjuhë të botës dhe i shpërndaheshin falas, “proletarëve të shtypun të botës kapitaliste”!

Nji studim që pati tepër sukses, aq sa mbërriti me entuziazmue edhe vetë Enverin, ishte vepra e shokut Foto Çami (profesor i Filozofisë Materialiste në Universitetin Shtetëror të Tiranës), me titull: “Zhvillimi i luftës së klasave në socializëm”.

Më kujtohet se për me e nderue maksimalisht shokun Foto, për atë studim “të jashtëzakonshëm”, shoku Enver, kur përmendte Foto Çamin, nuk përdorte ma shprehjen me partishmëri: “shoku Foto”, por vetëm fjalën, “Profesori”!

Mirëpo, në kohën e “dashurisë me vëllezërit kinezë”, komunistët shqiptarë patën mësue se, nji virus tepër i rrezikshëm, i quejtun “burokraci”, sulmonte në mënyrë të veçantë intelektualët, të cilët qëndrojshin në zyrë, tue studjue e, se terapia preventive, për me i shpëtue prej atij virusi, ishte transferimi prej zyrës, në bazën e prodhimit.

Pra, për “me e ruejtë”, profesorin e madh, Foto Çamin, e transferuan në detyrën e Sekretarit të Parë të Partisë, në Krujë, me porosi që të zbatonte në praktikë teorinë e luftës së klasave, të cilën e kishte zbërthye teorikisht, aq mirë e bukur, në veprën e tij.

Nuk e di se si, por transferimi i “profesorit” në Krujë, n’atë kohë, më pat krijue nji parandjenjë jo të mirë, e koha vërtetoi se, nuk pata qenë gabue…!

Para përfundimit të vitit shkollor 1974-1975, kuptova (tërthoras, prej nji shoku që kishte kontakte në Komitetin e Partisë, Shkodër, se ishte pregatitë nji liste me 150 emra mësuesish me “biografi të keqe” politike, për përjashtim prej arsimit.

Ma merrte mendja se, edhe unë do t’isha në atë listë, por kur s’kisha se si me i dalë zot vetes, çka kisha me ba? Le të bahet, çka të bahet, mendova, dhe nuk i futa vetes aq mërzi…!

Para fillimit të Vitit të Ri, shkollor 1975–1976, morëm vesh se, në Krujë, “profesori”, shoku Foto, për zbatim në praktikë të teorisë së tij, mbi zhvillimin e luftës së klasave, kishte pushue prej arsimit shumë mësues….!

N’atë periudhë, Shkodra u mjaftue vetëm me transferime, në zona ma të largëta, prej qytetit, t’elementit të prekun politikisht. Unë u transferova në shkollën Kaçë – Naraç. (qarkullojshin fjalë se, kishte pas qenë shoku Prokop Murra, Sekretari i Parë në Shkodër, që nuk e kishte zbatue praktikën e “profesorit”, për përjashtimin e mësuesve prej Arsimit)

Kalova dy vjet me punë, në shkollën e Kaçë – Naraç. Zgjimi prej gjumit, n’orën 5.00, dalja prej shtëpisë në 5.30, nisja me autobus në 5.45, zbritja prej autobusit në 7.00, mbërritja në shkollë (ecje në këmbë), në 7.40, fillimi i mësimit në 8.00.

Kështu ishte edhe kthimi pasditeve, për në Shkodër.

Isha i kënaqun me punën e me shokët, u martova dhe krijova familjen time, por nji ditë, në fillim të vjetit 1977, sinqerisht u “shqetësova”, m’erdhi lajmi se “profesorin”, shokun Foto, e kishin transferue me punë në Shkodër! E mora me mend se si kishte me shkue edhe puna ime…!

Me 30 korrik 1977, patëm gëzim të madh në familje, u shtuam me vajzë, me Livien! Me 16 Gusht 1977, patëm mërzi të madhe në familje, me pushuan me motiv politik prej punës në Arsim!

Më kujtohet se, gjatë pritjes në radhë, për me marrë urdhrin e pushimit prej arsimit, në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, u bashkova me mësuesin, të ndjerin Gjergj Abati, edhe atij i kishte ardhë shkresa për paraqitje.

Njeni mbas tjetrit, u futëm në zyrën përkatëse, ku sekretari i Komitetit, Angjelin Kola, na komunikonte pushimin prej punës, me motiv politik dhe njëkohësisht, na dorëzonte nji shkresë ku shkruhej se, ku kishim me e fillue punën e re. Unë, isha emrue punëtor, në Kombinatin e Drunit, në Shkodër.

Shumë i rëndë ishte dënimi që na dhanë, por u munduam me e mbajt veten, sidomos para të tjerëve, me ndonjë batutë optimiste dhe u drejtuam, në nji kafe.

Unë, isha i pregatitur psikologjikisht e fizikisht për përballimin e çdo situate, por e kisha të vështirë komunikimin e dënimit tim në familje dhe duket se i ndjeri Gjergj Abati, ma kuptoi hallin se befas më pati thanë: “Filip, sot due me ardhë për bukë në shtëpinë tënde”, dhe menjëherë u shkëput prej meje, e bleu dy shishe me venë.

Shkuam në shtëpi, ku nana me Justin (gruan time), na pritshin me padurim, e tue e bisedue, si me gaz, i’a komunikova urdhrin e pushimit me motiv politik, si ngjarje e trishtueshme, por që kishte me pas nji lloj zgjidhjeje…dhe, se Zoti e ban mirë, dhe pa pritë përgjigje, vazhdova: “Na bani petulla të mira, se kena pru edhe venë, me e kalue sa ma lehtë, këtë ditë”.

Drekuam së bashku, pimë venë, u munduam me krijue atmosferë…, por, në brendësinë e shpirtit tonë rëndonte shqetësimi i së ardhmes, sepse përvoja e jetës nën diktaturën komuniste na kishte mësue, se shpeshherë dënimet e karakterit politik nuk kishin të ndalun….

Për shansin e keq të Livies, bebes që ishte veç dy javë në jetë, ushqimi i përditshëm i saj, nuk qe ma tamli i nanës, por kosi me lëng orizi…(pasoja e tronditjes së fortë psikike i’a ndërpreu tamlin nanës së Livies)

Me 1 shtator, fillova punën në repartin e montimit të arkave, në Kombinatin e Drunit, Shkodër. Kisha vendosë mos me u kthye në shtëpi, pa tejkalue normën e punës, për me marrë së paku, 200 lekë (të vjetra) në ditë.

Për këtë arsye, në periudhën fillestare, për me mbërrit objektivin, qëndroja mbas orarit të punës, mirëpo për shansin tim të keq, mbas dy muajsh, norma u rrit me 20%, gja që, më demoralizoi.

Ndër ato ditë, në bisedë me nji shokun tim të fushës së sportit, atletin e mirënjohur Pjetër Ujka, i cili punonte në Kombinatin e Drunit, mora propozimin me ndrrue sektorin e punës,; prej montimit të arkave me kalue në copëtimin e trupave, për prodhim të letrës, për thasët e çimentos.

Pranova menjëherë, sepse më pëlqeu edhe fakti se puna do të bëhej në turnin e tretë…! Ishim tre punëtorë, njeni do të afronte trupat, me shtymje fizike (me krahë), deri te sharra- shirit dhe dy të tjerët, do t’i coptojshin me sharrë.

Për mungesë të përvojës sime, në punën me sharra, parapëlqeva punën e hamallit, pra afrimin e trupave. Punën e fillojshim, rreth orës 21.00, punojshim pa asnjë minut pushim e me ritëm të naltë dhe realizojshim plan detyrën, për 4 orë, kështu që, rreth orës 01.00, të ditës së nesërme, ishim në gjumë.

Me rastin e provimeve për kualifikim, të elektriçistave të ndërmarrjes, mora pjesë edhe unë. Teorikisht isha shumë i pregaditun prej fizikës së universitetit, por kisha edhe përvojën e zbatimit praktik falë mësimdhënies n’arsim, gjë që ndikuan te komisioni, i cili më dha kategorinë e katërt si elektricist!

Pikësynimi i im, i ri në punë, ishte puna si elektriçist. U mundova me gjetë punë, si elektriçist, në ndërmarrjen ku punojsha, por pa rezultat. Kaloi vjeti tue punue në sektorin e copëtimit të trupave, dhe nji ditë, mora nismën e kërkova takim me “profesorin”, shokun Foto Çami, i cili vazhdonte t’ ishte Sekretari i parë i Komitetit të partisë, në Shkodër.

Falë të ndjerit, Zydi Hasanit, sekretarit të tij personal, takimi u zhvillue të nesërmen, në zyrën e “profesorit”. Kisha marrë me vete çantën e madhe të basketbollit, të mbushun përplot me gazetat e sportit, ku shkruhej për meritat e mia, në fushën e basketbollit dhe sapo hyna në zyrë, “profesori” më pyeti:

– “Çfarë ke në atë çantë”?!

– Kam gazetat “Sporti Popullor”, që dëshmojnë për meritat e mia, në fushën e basketbollit, qe përgjigja ime.

– “Leri aty, ku janë, se jam në dijeni të meritave të tua, shoku Zydi më ka dhënë informacion të plotë…”!

Dhe vazhdoi… (pa më lanë kohë që të fillojsha kërkesën e punësimit si elektriçist)

– “Me këto rezultate që ke arritur në jetën tënde, ti e meriton, që të rikthehesh në arsim, por çfarë t’i bëj opinionit”?!

U mendue disa sekonda dhe i’u drejtue sekretarit të tij:

– “Shoku Zydi, me porosinë time, Filipi të fillojë punën si llogaritar në sektorin e financës, sepse edhe i përshtatet, pasi është i diplomuar për matematikë”! Me kaq përfundoi takimi.

Për ironi të fatit, “profesori” që kishte urdhnue pushimin prej punës n’arsim të mësuesve, për motive politike, atë ditë ndryshoi rrjedhën e jetës sime. Unë fillova punën si llogaritar sektori, në Ndërmarrjen Bujqësore Bushat. Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pasi-me-perjashtuan-nga-arsimi-prej-biografise-munda-te-siguroj-nje-takim-me-sekretarin-e-pare-te-shkodres-foto-cami-i-cili-sa-u-futa-ne-zyre-me-tha-deshmia-e-rralle-e-filip/