“Pasi më dha porositë Sulo Gradeci me mjekun e tij personal, unë i’u afrova e Enverit dhe ja hoqa pjatancën me peshk, por ai më…”/ Dëshmia e rrallë e kamerieres së Hotelit të Gjuetisë në Lezhë

Nga Uvil Zajmi

Memorie.al / E projektuar në mes të një pylli të vogël me reliev fushor, e rrethuar plot gjelbërim, dikur ka qenë vila e Kontit Çiano, ministër i Jashtëm i Italisë dhe njëkohësisht, dhëndër i Duçes, Benito Musolinit. Ishte ai që e projektoi dhe e ndërtoi në vitin 1939. Me idenë për një hotel gjuetie, ai është një kompleks që ndodhet vetëm 2 km. larg qytetit, në zonën e njohur me emrin historik, Ishulli i Lezhës, ndonëse ishull nuk është! Me strukturën e dikurshme, është po ajo ndërtesë njëkatëshe, ajo sallë, dhomat me numrat mbi to, ai korridor i ngushtë, ai parket, gjithçka prej dërrase shumëvjeçare, karakteristikë e atij hoteli, si dhe natyra e jashtëzakonshme që e rrethon.

Aty pranë, banojnë bashkëshortët, Marie e Martin Luca, që kanë qenë dëshmitarë okularë, për çfarë kanë parë e jetuar nga afër e që e ruajnë në memorien e tyre deri në detaje. Në disa raste preferojnë konfidencialitetin, ndonëse nuk hezitojnë të rrëfejnë si i kanë shërbyer Enver Hoxhës, si funksiononte hoteli, klientët e preferuar, nga Ismail Kadareja te Nexhmije Pagarusha, aktorë të famshëm dhe vizita surprizë e Jozef Shtrausit, ish-kryeministrit të Bavarisë.

“Kemi shërbyer si sportelistë, banakierë, kamerierë, e kemi administruar hotelin bashkë me burrin, deri kur ai u shkri, pas ’97-s, gati 30 vjet pa lëvizur. Ka qenë periudha më e bukur e jetës sonë. Të lidhur, të gëzuar, këtu kemi rritur edhe fëmijët”, e nis rrëfimin e saj, Maria, një grua shumë e zgjuar dhe e mbajtur.

Znj. Marie, kur keni filluar punë këtu për herë të parë?

Këtu kam filluar rreth vitit 1960, kur nuk ishim as 17-18 vjeç. Ishulli i Lezhës, ai i Shëngjinit, kanë qenë fshatra në gjendje më të mirë ekonomike. Kanë pasur mishin, peshkun, gjuetinë, bagëtinë, tokën e begatë. Thonë se, shumë kohë më parë ka qenë një ishull i vogël që lagej nga deti, lumenj të vegjël, prandaj e ka marrë këtë emër. Ndërsa hotel “Gjuetia”, u ndërtua dhe ka shërbyer kryesisht për gjuetarët.

Ju kujtohet hoteli i atyre viteve?

Sigurisht. Një ndërtesë njëkatëshe, kishte 20 dhoma, dy prej tyre përdoreshin si dhoma pritjeje. Hoteli dhe restoranti kanë funksionuar edhe në ato vite, por me periudha të shkëputura, varej se kush vinte, qeveritarë apo nga Drejtoria e Pritjes e Tiranës. Qëndronin një apo dy ditë. Nuk kishte kuzhinierë e personel të rregullt. Pas 1965-ës filloi një organizim më i mirë.

Çfarë u trashëgua nga hoteli i Konti Çianos? 

Rruga për në hotel ishte bërë nga Konti Çiano. Pastaj dhoma me vatrën, bustin, çiften, sende të ndryshme të tij, për shumë kohë kanë qenë aty. Pastaj u rrëmbyen dhe kushedi ku kanë përfunduar. Po kështu abazhurët e bukur me shumë vlerë, i mori Shtëpia Qendrore e Ushtrisë në Tiranë, sepse në atë periudhë e kishte ajo në administrim. Më vonë, hoteli u përfshi si rezidencë qeveritare, krahas Pallatit të Brigadave dhe asaj në Durrës.

Këtu keni punuar të dy, burrë e grua?

Jemi fejuar kur ishim 14-vjeç dhe kemi qëndruar 4 vite të fejuar, as me fotografi nuk e kemi parë njëri-tjetrin. Unë në Velipojë, kurse Martini në Tepelenë, se kishte vëllanë oficer atje. Në vitin 1962, u martuam, filluam punë në hotel, lindëm dy fëmijët. Kemi shumë miq, ish-klientë, ndër ta Fatos Lubonjën që ka kaluar vite këtu në Lezhë.

Jemi 75 vjeç, bashkë me kujtimet kemi “trashëguar” edhe një pikturë të vetme me pamje nga hoteli. Kemi kaluar një jetë e tërë këtu, ditë e natë. Më shumë qëndronim aty se në shtëpi. U shërbenim të gjithëve. Ishte hoteli i vetëm në ato vite, Lezha kishte apo jo një hotel të vogël. Kur shkonin me shërbime në Shkodër apo ktheheshin në Tiranë, duke qenë se banonim aty afër, na thërrisnin shpesh pas mesnate, i prisnim, i bënin diçka për të ngrënë e, për të fjetur.

Na tregoni pak për punën, cilët kanë qenë eprorët dhe kolegët tuaj në vite?

Nga H. Lami, B. Hoxha, A. Meksi, Naim Reçi, Viktor Luca, Jak Simoni, midis tyre edhe një grua, Sofjana Resuli. Di që Viktori, është në Amerikë, kurse për të tjerët nuk kam informacion, jetojnë apo jo. Ndërsa nga personeli që ka shërbyer, midis tyre kujtoj Aleksandër Pjetrushi, Çesk Meksi, A. Lika, P. Toni, Shefqet Arifi, K. Hoxha, A. Vrahja, M. Alcani, kanë qenë shumë. Lokali ka pasur një kuzhinier, Hysen Selmani, që ka shërbyer mbi 20 vjet. Ka qenë i jashtëzakonshëm, shumë i pastër, i sjellshëm, i rrallë në Shqipëri.

Si funksiononte hoteli?

Hoteli kishte 20 dhoma dhe salla e madhe që ndërtoi Enver Hoxha. Ajo kryesore ka qenë e vjetra, e bërë nga italianët. Ishin apartamentet 1,2,3,4, ndër të cilat 1 dhe 2, ruheshin vetëm për anëtarët e Byrosë Politike e Komitetit Qendror dhe nuk ziheshin asnjëherë e, në to nuk futej askush, madje çelësat e tyre i mbaja unë. Ato kishin krevate dopio dhe teke me çarçafë të bardhë. Pastaj vinte apartamenti 3 dhe 4, me katër dhoma të ndryshme

A vinte edhe Enver Hoxha këtu?

Siç kemi dëgjuar, ajo ndërtesë është frekuentuar si gjatë Luftës, kryesisht nga italianët, por më shumë në periudhën e regjimit komunist, si një zonë e vend i preferuar edhe për Enver Hoxhën. Deri nga vitet ’70-të, Enver Hoxha vinte normalisht, pastaj me raste, pasi ai kishte edhe Durrësin, Vlorën e Pogradecin.

Flitet që aty shkruante librat, është e vërtetë Marie, a e keni parë ju këtë gjë?

Nuk mund të them me saktësi librat apo diçka tjetër, por raporte të kongreseve i ka bërë këtu. Më kujtohet një ditë kur, u zgjua në mëngjes dhe kur po i çoja kafenë turke, m’u drejtua: “Marie, kam bërë një gjumë të mirë”. Ulej te dhoma e pritjes dhe shkruante…!

Kishte ndonjë merak me ushqimin?

Më ka ndodhur kur ra tërmeti në vitin 1979, ai po shkonte për Shkodër, me të tjerë anëtarë të Byrosë Politike, na njoftuan se do ndalonte te ne. I përgatitëm drekën, kur në një çast më vjen mjeku dhe shoqëruesi, Sulo Gradeci, e më thonë: “Marie, kur ta mbarojë pjesën e sipërme të peshkut, ke me shku me i’a heq pjatancën dhe mos e lejo, me e kthy në anën tjetër.

As pije mos i jep, por vetëm ujë se është me dietë. Unë i qëndroja pas shpine duke u dridhur. Më falni, a mund ta marr, i thashë dhe zgjata dorën, duke i’a tërhequr pjatancën. Ai më pa, nuk tha asgjë dhe iu drejtua të tjerëve: “Mos thoni se Enver Hoxha, bën çfarë të dojë vetë. A e shihni këtë nusen? Unë me qejf do e haja këtë levrek të freskët, por ajo ma hoqi”!

Qëllonte që të vinin bashkë Enver Hoxha me Mehmet Shehun?

Në raste të veçanta. S’e harroj kur patën ardhur gjatë kohës që kishte rënë tërmeti. Vjen më parë shoqëruesi e më thotë: Marie, sistemoje mirë Mehmetin, vendose te kjo dhomë se ai nuk flen me kërkend, nuk do njeri tjetër, ndërsa ky nuk bën za. E kishte fjalën për Enverin. Vite më vonë, aty vinte edhe Ramiz Alia, kur organizonte takime me punonjës të dalluar të qytetit të Lezhës, ose zonës përreth.

Sa kushtonte një natë?

Një natë qëndrimi në një dhomë hoteli kushtonte 30 lekë. Sigurisht që qeveritarët nuk paguanin. Duke qenë dega e Hotel Dajtit, marrëdhëniet financiare, ato administrative, përfshirë shpenzimet, furnizimet, i kryenim nëpërmjet saj dhe Drejtorisë së Pritjes. Veçanërisht për hyrjet e daljet e zyrtarëve të lartë.

Po artistët, ishin klientë të ishullit?

Hoteli, gjelbërimi, qetësia, shërbimi u pëlqente të gjithëve, sidomos artistëve. Nga Mentor Xhemali, tek Avni Mula, që vinin gjuanin me grep, pastaj i sillnin në hotel dhe ua gatuanim ne. Nexhmije Pagarusha vinte me makinat e Parkut të Delegacioneve, disa “Volvo” të bukura. Po kështu Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve, ka ardhur. Këtu, kanë kënduar rapsodi Dede Nue Lazri, autor i këngës “Enver Hoxha e mprehi shpatën” (që është prej një fshati këtu afër nesh), Drane Gega, etj.

Po çifte të dashuruarish, a vinin?

As që mendohej të flinin aty çifte apo të dashuruar, pasi ai kishte tjetër status dhe jo çdokush mund të sistemohej në hotel. Për dreka e darka, sigurisht që po. Fëmijët e Mehmet Shehut, Skënderi dhe Bashkimi, ishin frekuentues të rregullt, vinin me miq, të njohur…! Po kështu të gjitha ambasadat pa përjashtim, ose ambasadorët që organizonin këtu festat e natës së Vitit të Ri.

A kishte ndonjë orkestër për të argëtuar bujtësit?

Ishte familja Xhemalja nga Lezha. Rakipi, Keti dhe Miri, muzikantë shumë të mirë. Çdo natë, sidomos për raste festash, në periudhë vere, ekzekutonin muzikë të kohës, vetëm në sallën qendrore, pastaj nga viti 1975, u bë një pistë dhe aty kërcehej. Ajo periudhë nuk përballohej, na vinin deri në 500 vetë. Ramazani, Beqari, Qemali, ishin disa nga këngëtarët lezhjanë që këndonin aty. Kishte familje që vinin edhe në këmbë për mungesë qarkullimi të automjeteve, se vetëm dy apo tri taksi kishte gjithsej Lezha në ato vite. Dasma nuk bëheshin shumë. Vetëm njërën e kujtoj, kur u martua Llesh Rroku, doktori i zemrës, (mjeku i Mehmet Shehut), ku morën pjesë 120 vetë.

Cila është historia e dritares Çiano, keni dëgjuar për këtë?

Konti Çiano kishte bërë qëllimisht një dritare në një nga dhomat mbrapa hotelit, që të gjuante rosat prej andej. Edhe qeveritarët pa përjashtim, anëtarët e Byrosë Politike, të gjithë kur vinin, u pëlqente ta provonin. Ata shkonin edhe në vilat, njëra në Kune dhe tjetra në Vain, pasi gjuanin, pushonin, flinin dhe kur largoheshin për Tiranë, vinin këtu të pinin një kafe. Velipoja kishte edhe gjuetinë e derrit. Zakonisht, para se të vinin te ne, na njoftonin të merrnim masat dhe të ishim në gatishmëri.

Kam dëgjuar që janë xhiruar edhe filma këtu…?

Kur xhironin filmin “Debatik”, aktorët tre muaj kanë fjetur këtu. Shkonin në Shkrel, Dedaj, Velipojë, pastaj ktheheshin në hotel. Kujtoj edhe filmin “Nëndori i Dytë”, apo pas viteve ’90-të, filmi “Vdekja e Kalit”, që janë xhiruar këtu. Kanë qenë këtu nga Rajmonda Bulku, Timo Flloko, Bujar Lako, Ndrek Luca, Sandër Prosi e të tjerë. Pastaj shkrimtarë, gazetarë, nga Dritëro Agolli, Vath Korreshi, Niko Nikolla, etj., vinin me shumë kënaqësi këtu, sepse te ne shërbehej shumë mirë.

Po shkrimtari i njohur Ismail Kadare, a vinte këtu?

Po kujtoj se, në vitin 1987, kur në hotel ndodheshin disa studiues të Akademisë së Shkencave. Në njërën nga ato ditë, na njoftuan se do të vijë Kadareja me gruan, Helenën. Ai erdhi me veturën e tij, (“Fiat” i bardhë), të cilën sapo ia kishte dhënë shteti dhe me shofer. Zbriti, ndezi një cigare, e nisi shëtitjen përreth lokalit, plot gjelbërim. Nikolin Baba, (fotograf) një mik i vjetër yni, punonjës i Akademisë Shkencave, vrapoi të merrte aparatin, por nuk arriti. Atë mbrëmje, Kadareja u sistemua në dhomën e Kontit Çiano, ndërsa Nikolini, sa herë që vinte në hotel, vite më vonë, gjithmonë më thoshte: “Marie, çfarë rasti kemi humbur atë ditë, që nuk i bëra një foto Kadaresë duke shëtitur”? I kishte mbetur peng kjo gjë.

Po sportistë, a vinin këtu?

Po, po, është frekuentuar edhe për grumbullimet e skuadrave, kryesisht të ekipit kombëtar të futbollit. Këtu kanë ardhur nga Loro Boriçi, Din Zhega, Astrit  Hafizi etj. I mbanim dhe i trajtonim shumë mirë. Ka qëlluar të qëndrojnë edhe një muaj. Edhe klubi i futbollit “Besëlidhja” e Lezhës vinte e grumbullohej për disa ditë këtu, kur skuadra kishte ndeshje të rëndësishme.

Në mos gaboj, hoteli juaj ka shërbyer edhe si karantinë në një rast epidemie, është e vërtetë?

Ka qenë problem i madh, kur në botë ishte përhapur sëmundja e kolerës. Të huaj që vinin me shërbime në Shqipëri sa uleshin nga avioni i shkarkonin direkt te hoteli ynë. Ka pasur raste që rrinin edhe një muaj, duke i trajtuar me personelin te koka, një infermier që i bënte injeksione, kuzhinier, që u shërbente me ushqimin, pasi nuk futej askush brenda. Bashkë me Dr. Apollon Gjebrean, që përkthente, (se ai fliste disa gjuhë), kemi qëndruar të izoluar për shumë kohë. Në hotel patën sjellë edhe ambasadorin e Egjiptit. E meqë më pyetët për karantinën, në kohën e kolerës, nga Rinasi, sollëm këtu tre arbitra italianë, i mbajtëm të izoluar. Aurelio, quhej njëri prej tyre. Pas viteve ’90-të, djali ynë, duke qenë në Itali, rastësisht e takoi këtë person: “Kam qenë në Shqipëri gjatë periudhës së epidemisë së kolerës dhe na dërguan në një hotel ‘La casa di caccia’ quhej. Aty kam qëndruar disa ditë, pa parë asnjeri me sy”, i kishte thënë italiani.

Maria, fama e kafes tënde, ka shkuar shumë larg…!

Po (qesh). Kur më vinin drejtues të Komiteteve të Partisë, atij Ekzekutiv, etj., dhe ishin të shumtë, i merrja porositë, duke i pyetur si i donin, pra, një kafe me pak apo, një kafe me shumë sheqer, siç veprohet në të tilla raste. Dikush më pyeti: Marie, si i mban mend të gjitha porositë? ‘Unë mbaj mend vetëm drejtuesit kryesorë, ndërsa të tjerëve ua sjell njësoj’, iu përgjigja, pasi ishte e pamundur t’i mbaja mend të gjitha preferencat.

A pësoi dëmtime hoteli gjatë rrëmujave të ’97-ës?

Ka qenë një situatë e vështirë. U ngritën familjarët e të afërmit e pronarëve që i dolën në mbrojtje ndërtesës, edhe pse keqbërësit plaçkitën gjithçka, deri te dyqani i valutës, sendeve artistike brenda në hotel, etj. Pati tentativa edhe për ta djegur. Mendoni, nëse do të ndodhte, çfarë tragjedie do të ishte. Një hotel me dërrasën 70-vjeçare dhe vlerën historike që ka, si do të shkatërrohej, por nuk mundën. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pasi-me-dha-porosite-sulo-gradeci-me-mjekun-e-tij-personal-une-iu-afrova-e-enverit-dhe-ja-hoqa-pjatancen-me-peshk-por-ai-me-deshmia-e-rralle-e-kamerieres-se-hotelit-te/