“Pasi mbeti pa të ardhura, Ali Kelmendi, u rekrutua si oficer i forcave të Kufirit që varej nga GPU-ja sovjetike, më parë kishte punuar si hekurkthyes…”/ Zbulohet ditari i Dimitrovit

Nga Artan Gambeta  

-Kontraditat e sherret e komunistëve shqiptarë,  Ali Kelmendi, Zai Fundo dhe Sejfulla Malëshova në mbledhjen e KOMINETRNIT dhe përse “u përzu”, Ali Kelmendi nga Korça?!-

Memorie.al / Ditari i Gjergj Dimitrovit “Vitet e Moskës (1934-1945)”, është një kronikë autentike e aktivitetit të tij, kur ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Kominternit. I pari shqiptar që përmendet në këtë kronikë, është Ali Kelmendi. Por cila ishte veprimtaria e Ali Kelmendit në Moskë, e këtij njeriu që ishte një ndër pak komunistët shqiptarë që kishte përqafuar idetë komuniste? Komunistët e parë shqiptarë filluan veprimtarinë e tyre aktive në Francë, ku ishin vendosur si emigrantë ekonomikë ose për studime, nën ndikimin e komunistëve francezë. Ndërmjet tyre ishte dhe Ali Kelmendi, i cili bëri çmos që, nëpërmjet Partisë Komuniste Franceze, të lidhej me Kominternin për ta informuar mbi gjendjen në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë mbi veprimtarinë e grupeve komuniste, që porsa kishin filluar të lëshonin filiza në Shqipëri. Dhe ia arriti qëllimit.

Në fillim të dhjetorit të vitit 1936, Ali Kelmendin e njoftuan se Kominterni, do të organizonte një mbledhje për të shqyrtuar gjendjen e lëvizjes komuniste në Shqipëri dhe ai shkoi në Moskë. Por, nga takimi me Gjergj Dimitrovin, me sa duket, ky i fundit nuk e konsideroi Kelmendin si komunistin numër një shqiptar. Prandaj Kominterni nuk vendosi gjë: u kufizua vetëm duke i dhënë atij një ndihmë 500 dollarëshe, si një farë “diete shërbimi”. Me sa duket, pritej që, në mbledhjen e ardhshme, të dëgjoheshin edhe përfaqësuesit e grupeve të tjera komuniste shqiptare.

Si u grindën komunistët shqiptarë në mbledhjen e Kominternit në Moskë në vitin 1937?

Më 1937-ën, në kuadrin e veprimtarive në përkujtim të 10-vjetorit të Revolucionit Socialist Bolshevik të Tetorit, u ftuan në Moskë një grup komunistësh shqiptarë. Me këtë rast, do të bëhej edhe mbledhja e parashikuar e KOMINETRNI-t për të analizuar gjendjen e lëvizjes komuniste në Shqipëri. Vetëkuptohet që Kominterni ishte i interesuar që të përhapte metastazat e veta në çdo qoshe të botës, pra edhe në Shqipërinë e vogël, pavarësisht nga roli dhe pesha e saj. Pra, Kominterni ishte i interesuar që të krijohej edhe në Shqipëri një parti komuniste. Mbledhja u zhvillua në fillim të vitit 1937 dhe atë e kryesonte gjermani Vilhelm Pik, sekretari i Kominternit, që mbulonte vendet e Ballkanit. Në atë mbledhje merrnin pjesë edhe anëtarë të tjerë të kryesisë së Kominternit dhe të Seksionit të tij Ballkanik. Në grupin e shqiptarëve, bënin pjesë Ali Kelmendi, Zai (Llazar) Fundo, Koço Tashko, Sejfullah Maleshova dhe Halim Xhelo. Filluan raportimet, diskutimet dhe… gjithashtu filluan edhe grindjet…!

Zai fliste për veprimtarinë e KÇN-së (Këshillit të Çlirimit Nacional) që vepronte në emigracion, për ndikimin e kësaj organizate në Shqipëri dhe te shqiptarët e vendeve të tjera, ai foli si teoricien i marksizmit për, “gabimet ideologjike” të grupeve komuniste.

Zain e kundërshtoi ashpër Ali Kelmendi për të gjitha çështjet e shtruara dhe gjithashtu e kundërshtoi Zain edhe Sejfullah Malëshova. Të gjithë nxorën mllefin e tyre kundër njëri-tjetrit, madje arritën deri aty sa, të shajnë dhe të ofendohen midis tyre. Luftën e ndezën diskutimet e Ali Kelmendit dhe të Zai Fundos. Ky sherr nuk mund të mos krijonte një përshtypje të keqe te të deleguarit e Kominternit, të cilët ndërhynin shpesh për të qetësuar gjakrat, duke u tërhequr vëmendjen dhe duke i këshilluar që të mos grindeshin, e duke u bërë thirrje që të gjenin një “konsensus”.

Por përpjekjet e tyre nuk patën sukses. “Zjarrvënësit” nuk tërhiqeshin….! Atëherë Vilhelm Pik, u detyrua të ndërpresë përkohësisht mbledhjen, duke paraqitur si shkak se ai, (drejtuesi i mbledhjes), duhej të merrej me zgjidhjen e disa problemeve të ngutshme, që kishin lindur në Gjermani. A ishte kjo arsyeja e vërtetë, apo Vilhelm Pik, donte t´u linte shqiptarëve një kohë që të qetësoheshin, të mendoheshin dhe të kuptonin se me qëndrimin e tyre po e futnin çështjen në një qorrsokak?! Kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje.

Kjo përgjigje ndoshta është në ndonjë arkiv, ndoshta është në kujtimet e Vilhelm Pik, në qoftë se në këto kujtime ai, (Vilhelm Pik), i ka kushtuar ndonjë rëndësi krijimit të një partie komuniste në Shqipëri, me të cilën do t’ia vlente të merrej Kominterni?! Ndoshta krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare, Kominterni i’a la në “patronazh” Partisë Komuniste të Jugosllavisë, e cila vlerësohej atëherë si një nga “seksionet” më besnike të tij, pasi zhduku në nëntor 1937 Gorkiçin dhe vuri në vend të tij Josif Broz Titon, si të plotfuqishëm të Komitetit Ekzekutiv të Internacionales Komuniste, pra të Kominternit.

Mbledhja e ndërprerë i rifilloi punimet nga mesi i marsit të atij viti, me zbërthimin e detyrave të Kongresit VII-të të Kominternit. Në përputhje me këto direktiva, duhej të ndërtonte punën e vet edhe lëvizja komuniste shqiptare. Direktivat janë direktiva, por jo për shqiptarët: grindjet vazhduan edhe në këtë fazë të dytë të mbledhjes, me gjithë afrimin e pikëpamjeve të Ali Kelmendit, me ato të Sejfulla Malëshovës.

Përpjekjet e Gjergj Dimitrovit, për të bashkuar komunistët shqiptarë dhe krijimin e PKSH-së

Gjergj Dimitrovi, nuk i rreshti përpjekjet e tij për të ndihmuar komunistët shqiptarë. Në Moskë, në gusht të vitit 1928, u krijua grupi i komunistëve të emigrantëve shqiptarë. Ky grup do të funksiononte si seksion shqiptar i Kominternit. Në statutin dhe programin e tij, të miratuar edhe nga Kominterni, shtrohej detyra që: të krijoheshin grupe komunistësh, të cilat më pas duhej të krijonin Partinë Komuniste Shqiptare. Nga organizata “Bashkimi”, u dërguan në Moskë 19 të rinj, por nuk u angazhuan të gjithë në veprimtari politike.

Një ndër këta të fundit ishte edhe Ali Kelmendi. Prof. dr. Myslim Islami, i cili ka shkruar një libër me shumë interes për Ali Kelmendin, na e bën të ditur se, në këtë kohë Aliu punonte në Odesë, si oficer kufiri, pra i shkëputur nga veprimtaria politike e emigrantëve komunistë shqiptarë. Përse?

Prof. Dr. Myslim Islami, midis të tjerash, shkruan: “Lufta politike dhe ideologjike në gjirin e Partisë Komuniste (Bolshevike) të Bashkimit Sovjetik, zhvillohej e ashpër. Kjo frymë bëri që të spikasin qëndrime të kundërta, të shfaqeshin pikëpamje të ndryshme edhe në gjirin e emigrantëve shqiptarë dhe midis komunistëve të Grupit…!

Në fillim të vitit 1929, një mbledhje e Grupit, vazhdoi 2-3 ditë me radhë në një atmosferë të nderë. Moskuptimet në disa raste ishin meskine. “Krerët”, luftonin se kush nga ata do të ishte “violinë e parë”, kush do të qëndronte në Moskë pranë Kominternit, etj. Disa mendonin që drejtuesit të emëroheshin nga lart, të tjerët kundërshtonin dhe këmbëngulnin që të zgjidheshin nga poshtë.

Këto diskutime e debate i çuan deri në grindje dhe disa u larguan nga mbledhja në mënyrë demonstrative. Pala tjetër, të akuzuar për mungesë disipline e shkelës të normave, do të përjashtoheshin nga Grupi Komunist i Moskës. Për të gjitha këto mosmarrëveshje informohej Kominterni. Të përjashtuarit kërkonin punë, për të jetuar tashmë, jo si emigrantë politikë, por si emigrantë ekonomikë.

Ali Kelmendi, oficer kufiri në Bashkimin Sovjetik…!

Pas këtyre ngjarjeve, Ali Kelmendi u vendos në Odesë dhe filloi punë si oficer i forcave të Kufirit. Por dihet se forcat e Kufirit vareshin nga Komisariati i Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ose, thënë më qartë, vareshin nga OGPU-ja (Drejtoria Politike e Punëve të Brendshme të Shtetit Sovjetik), që ishte organizatorja dhe zbatuesja e përndjekjeve politike. Pra, Ali Kelmendi, u rekrutua në këtë armë të shtetit sovjetik(!).

Komunistët e mbarë botës e kishin për detyrë (dhe e ndjenin për detyrë), që t’i shërbenin shtetit të parë socialist në botë, si pararojë të botës së ardhme komuniste. Grindjet e emigrantëve shqiptarë, gjetën mjedisin e përshtatshëm në grindjet e krerëve të larët komunistë sovjetikë….! Por, në dhjetor të vitit 1928, Ali Kelmendi, ky oficer i Kufirit të shtetit sovjetik, kërkoi të lirohej nga kjo detyrë, për t’i shërbyer një shoku të tij, Ymer Domit, që ishte paralizuar.

Ai shkoi bashkë me Ymerin në Leningrad, por përsëri qëndroi jashtë politikës, duke filluar punë në një fabrikë si hekurpunues. Më 3 mars të vitit 1929, Ali Kelmendi, ky komunist i parë shqiptar që takohet me Dimitrovin, hyri përsëri në politikë: pranohet në Grupin Komunist të Shqiptarëve të Moskës(!). Rifillon veprimtaria e tij politike.

Peripecitë dhe dyshimet për komunistin e parë shqiptar

Ali Kelmendi, më 1932-in kthehet në Shqipëri, (thuhet, si i dërguar i Kominternit), dhe menjëherë arrestohet e mbahet në dhomën e izolimit të Komisarisë dhe si “komunist i dyshimtë”, ai internohet nga autoritetet përkatëse të Monarkisë së Zogut. Ku? Në qytetin e Korçës. Por Korçën, si vend internimi, nuk e vendosi Ministria e Brendshme!

Në një shkresë (dokument arkivor), shkruhet: “I përmenduni Ali Kelmendi, mbasi paska caktue si vend qëndrimi qytetin e Korçës, t’i dorëzohet Komandës së Qarkut për, ta përcjellë në vendin e sipërm, për qëndrim, me kusht që të mos kthehet më në kryeqytet”. Aliu zgjodhi Korçën, me sa duket, duke u nisur nga sa kishte dëgjuar nga emigrantët shqiptarë të Francës, mbi veprimtarinë e Grupit Komunist të këtij qyteti, por edhe vetë kishte qenë në këtë qytet, në vitin 1924, si veprimtar i Shoqërisë “Bashkimi”.

Këtu në këtë qytet, Aliu filloi menjëherë një veprimtari propagandistike, kundër regjimit zogist në fuqi. Në këtë mënyrë, ai fitoi simpatinë dhe respektin, jo vetëm të anëtarëve të Grupit Komunist të Korçës, por edhe të anëtarëve të shoqatave të zejtarëve korçarë. Por, grindjet dhe mosmarrëveshjet nuk mungonin as midis anëtarëve të Grupit Komunist të Korçës. Filluan dyshimet: “A është vërtetë i dërguar i Kominternit”?

“Le të na paraqesë një dokument, që të bindemi se është vërtet i dërguar i Kominternit”!

Por Aliu, një dokument të tillë nuk e kishte dhe nisur nga kjo, atëherë ai kërkoi që të vinte në Greqi dhe në Turqi, që nëpërmjet Partive Komuniste të këtyre vendeve, të “rivendoste” lidhjet e humbura me Kominternin. Sipas kujtimeve të Koço Jakovës, komunistit-zjarrist të Grupit të Korçës, kërkesa e Aliut u pranua, Grupi mblodhi dhe i dha Aliut shpenzimet e nevojshme për këtë udhëtim.

Pasi brodhi rreth dy muaj në Greqi dhe rreth katër muaj në Turqi, Ali Kelmendi, ky “i dërguar i Kominternit”, nuk mundi të lidhej me Kominternin. Këtu ka dy faktorë të diskutueshëm: Së pari, Partia Komuniste Greke, por edhe ajo jugosllave, të nxitur nga fraksionet e tyre nacionaliste-shoviniste, nuk donin që komunistët shqiptarë, të lidheshin drejtpërdrejt me Kominternin, për ta katandisur lëvizjen komuniste shqiptare, si një “nënseksion” të partive të tyre, duke përkrahur ato fraksione apo ata individë që, kënaqnin orekset e fraksioneve përkatëse të partive të tyre.

Duke e kuptuar këtë qëllim keqdashës të fqinjëve, Ali Kelmendi, hodhi idenë që lëvizja komuniste shqiptare, tani e tutje të mbështetej “në forcat e veta”. Kjo ide e re, ishte njëkohësisht edhe një kritikë e tërthortë kundër Kominternit, për nënvlerësimin që i bëhej lëvizjes komuniste shqiptare.

Këtu Ali Kelmendi, na shfaqet si një atdhetar i vërtetë. Së dyti, amullia në lëvizjen komuniste shqiptare, nuk mund të mos ndikohej në atë kohë nga grindjet ndërmjet Internacionales III-të dhe Internacionales IV-ët, domethënë nga lufta e ashpër ndërmjet Stalinit dhe Trockit.

Si rezultat, edhe në grupet komuniste shqiptare, filluan grindjet ndërmjet stalinistëve të Kominternit dhe trockistëve. Edhe gjatë gjysmëshekullit të më pasmë, në lëvizjen komuniste të mbarë botës, ku zbatohej vija staliniste, çdo kundërshtar, dhe madje çdo i dyshuar si kundërshtar, mallkohej si armik i partisë dhe i popullit dhe etiketohej si: “Trockist”.

Nga ditari i Gjergj Dimitrovit për komunistët shqiptarë

3 shtator 1938

200.000 franga me detyrim llogaridhënës për grekët, Zografosit, dhe 500 dollarë Almiut (Almi – pseudonim i Ali Kelmendit) për shpenzime personale.

10 tetor 1938

Duhej studiuar mënyra për të mobilizuar emigrantët e kombësive të ndryshme… për të mbështetur luftën kundër fashizmit në vendet respektive dhe për të larguar nga radhët e këtyre masave shumëmilionëshe, sidomos në Amerikë, agjentët e infiltruar nga qeveritë fashiste dhe grupet e ndryshme reaksionare.

10 janar 1945

Më telefonoi Stalini:

Dje kam pritur delegacionin jugosllav. Jugosllavët më njoftuan se u kanë propozuar bullgarëve që: Bullgaria të bëjë pjesë në Jugosllavi, me të drejta të barabarta me serbët dhe kroatët. Por bullgarët, nuk e kanë pranuar këtë propozim dhe kanë këmbëngulur që Jugosllavia e Bullgaria, të krijojnë si subjekte me të drejta të barabarta, një bashkim shtetëror bullgaro-jugosllav. Unë u thashë se bullgarët kanë të drejtë dhe se jugosllavët e kanë gabim.

Jugosllavët dhe bullgarët duhet të krijojnë një shtet prej dy subjektesh, me të drejta të barabarta, diçka të ngjashme me ish-Austro-Hungarinë. Përndryshe, futja e Bullgarisë në Jugosllavi, do të shënonte gëlltitjen e Bullgarisë. Aq më tepër që jugosllavët, nuk kanë akoma një qeveri, që të mund të lidhin një marrëveshje me Bullgarinë.

Ata do të donin që bullgarët, të dërgonin në Beograd një përfaqësues diplomatik. Por, qeveria bullgare, nuk mund të dërgojë një përfaqësues diplomatik pranë Komitetit Kombëtar. Është më mirë të fillojnë me një pakt të ndihmës së ndërsjellë dhe pastaj të shkojnë më tej…!

Jugosllavët nuk janë ekspertë, duket qartë se bullgarët janë më ekspertë. Unë kisha këshilluar që në Greqi të mos zhvillohej kjo betejë. Njerëzit e ELAS-it (Ushtria Popullore e Çlirimit Kombëtar të Greqisë), nuk duhej të dilnin nga qeveria e Papandreut.

Ata u nisën nga mendimi se; nuk kanë forca të mjaftueshme. Duket qartë se ata mendonin që Ushtria e Kuqe, do të zbriste deri në Detin Egje. Ne nuk mund ta bëjmë këtë. Ne nuk mund të dërgojmë trupat tona edhe në Greqi. Grekët kanë bërë një budallallëk.

Jugosllavët duan të marrin Maqedoninë greke. E duan edhe Shqipërinë, edhe një pjesë të Hungarisë dhe të Austrisë. Kjo është e paarsyeshme. Nuk më pëlqen sjellja e tyre. Dihet se Hebrangu, është një njeri inteligjent dhe e ka kuptuar ç’i thashë, por të tjerët në Beograd, qëllojnë kuturu.

29 korrik 1945

Sokolovi (i Komisariatit të Popullit të Sigurimit të Shtetit) mbi Shqipërinë dhe mbi eksponentët shqiptarë, Xoxe dhe Spahiu, më propozoi që unë ta pres Xoxen, për çështjet e partisë dhe të shtetit shqiptar.

25 gusht 1945

Prita udhëheqësin e delegacionit të Rinisë Shqiptare, Nako Spiru (ka studiuar në Itali, para Luftës ka jetuar disa muaj në Paris dhe prej vitit 1941, ka marrë pjesë aktivisht në lëvizjen partizane në Shqipëri). Bëra me të një bisedë të gjatë mbi çështjet shqiptare, në lidhje me gjendjen ballkanike dhe më në përgjithësi me atë ndërkombëtare. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pasi-mbeti-pa-te-ardhura-ali-kelmendi-u-rekrutua-si-oficer-i-forcave-te-kufirit-qe-varej-nga-gpu-ja-sovjetike-pasi-me-pare-kishte-punuar-si-hekurkthyes-zbulohet-ditari-i-dimit/