‘Pasi i vuri një hekur derës, Toger Baba erdhi te unë dhe më …”/ Historiani dhe studiuesi i njohur, publikon dokumentet për Hodo Habibin nga Kuçi i Vlorës

Nga Kastriot Dervishi

Memorie.al / Prej vitesh përmendej emri i këtij partizani që pas lufte u përshi në forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit. Vrasjet dhe sidomos torturat shtazarake ndaj grave, e bënë kaq të njohur për keq toger Babën, sa vetë regjimi i detyrua ta ndëshkojë.

Një injorant dhe i pashkollë, përfaqësues tipik i regjimit të injorantëve filloi të ndjekë metodat tipike për vrasës dhe hajdutë. Hodo Habibi u arrestua më 1.6.1947. Më 5, 14 qershor 1947 merret në pyetje nga Fadil Kapisyzi e më pas nga Zoi Themeli e Mustafa Qilimi.

Hodo Habibit, lindur në vitin 1918 në Kuç të Vlorës, analfabet, me profesion bujk, me origjinë shtresë e varfër fshatare, ilegal nga viti 1942, por partizan nga maji 1944 me brigadën e 8-të, e më pas në brigadën e 6-të, ku kishte përgjegjësi deri komandant kompanie.

Kishte shkuar deri në Bosnjë me formacionet partizane. Pasi vjen në Shqipëri u vendos rreth shkurtit 1945, me forcat e Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit në Shkodër, “për ndjekjen e kriminelëve”, në Koplik. Kështu në prill 1945, ai thotë se vartësi i tij, Pertef Pëllumbi kishte torturuar disa gra në fshatin Vermosh. Nga Kopliku, zhvendoset në Mirditë me detyrë “ndjekjen e kriminelëve”.

Në maj 1947, ai arreston dhe torturon Pjetër Kolë Mhillin nga Kallmeti. Pas tij arreston Kolë Simonin dhe Gjyste Voglin. Duke qenë pjesë e një bande në pushtet, vendos bashkë me një komunist tjetër që Pjetër Kolë Mhilli të pushkatohej rrugës për në Lezhë. Patrulla zbatoi me “përpikëri” urdhrin e tij. së bashku me një komunist tjetër, vendosin që Kolën dhe Gjysten t’i pushkatonin. Të parin e pushkatoi me të njëjtën metodë se Mhillin, ndërsa për Gjysten u vonua.

Deklarata të toger Babës

–Para se të bëja vrasje kam arrestuar një vajzë në katundin Fishtë, mbasi isha informuar se strehon ilegalë. Mbasi e arrestova, pasi e kërcënova, ua dhashë partizanëve ta shtrëngojnë. Ata e torturuan. Më pas e thirra në një dhomë dhe detyrova dy gra që ta zhvishnin lakuriq.

Por pasi këto nuk e zhveshën dot, pas vajza nuk deshi dhe qante, e detyrova unë që të zhvishej lakuriq. Kjo prej frikës time u zhvesh siç e ka bërë nëna. Pasi e zhvesha e lashë mëse një gjysmë ore të zhveshur dhe pastaj e lashë të vishej. Vajzën e zhveshur e panë veç disa ushtarëve, edhe disa nga populli.

-Pas 3-4 ditësh kam arrestuar edhe një burrë në këtë katund dhe e kam zhveshur lakuriq, nga mbrëmja deri në mëngjes. Atëherë e lashë të vishet dhe e lirova. I thashë të më dorëzonte të vëllanë. Këtë e kanë parë edhe disa katundarë.

-Në katundin Mnellë, kam shtrënguar dy murgesha që të na tregonin lidhjet që kishin me ilegalët dhe që sabotonin vajtjen e rinisë në hekurudhë. Njërën prej tyre, nga shtrëngimi që i bëra unë, prifti e çoi në shtëpi.

-Në katundin Kallmet ku pushkatova Pjetër Kolë Dushin, para se ta pushkatoja, në darkë thirra vajzën e tij, e mbajta dy orë, pastaj e lirova. Nuk i kam bërë gjë.

-Kam zhveshur një grua në katundin Dedaj të Koplikut dhe ashtu e kam futur në dëborë. Andej kam rrahur edhe disa njerëz. Mace nuk i kam futur njeriu në pantallona”.

Procesi ndaj Hodo Habibit, nisi më 14.6.1947 në fshatin Hajmel nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës. Në fillim, i pandehuri deklaronte se ishte dekoruar disa herë, se ishte kundër ballistëve e zogistëve. Në gjyq sillen deklarata të ndryshme për torturat e krimet e toger Babës.

Gjyste Gjergj Vogli nga Hajmeli, dëshmoi në gjykatë:

“Në shtëpinë e kushëririt tim, Kolë Simonit, ka ardhur toger Baba. E ka lidhur kushëririn dhe i ka nxjerrë të gjithë jashtë. Ka ardhur nga ana e shtëpisë sime dhe pasi i mbylli të gjithë në një dhomë, më pyeti e ku i kisha vëllezërit. Kur unë i thashë se i kam jashtë më tha të siguroja derën.

Unë i thashë se dera e siguruar ishte, por ai më tha të ngrihesha e ta siguroja pasi do bënim dashuri në qoftë se doja që unë e Kola të shpëtonim gjallë. Duke u ngritur vetë në këmbë, më tha që nuk e hante këtë gjë të rrinte me derë hapur e të vinin vëllezërit e mi e ta kapnin. Për këtë mori një hekur për t’ia vënë derës. Erdhi te unë me automatik në dorë e më tha: ‘unë ja të shkërdhej ty sot, ja shkërdhej Krishtin tënd’, e filloi më bëri ato që më bëri që nuk mund t’i them dot”.

Me vendimin nr.192, datë 15.5.1947 Gjykata e deklaroi fajtor në bazë të ligjit nr. 41 dhe e dënoi me vdekje, në litar. U la në fuqi me vendimin nr.154, datë 27.6.1947 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pasi-i-vuri-nje-hekur-deres-toger-baba-erdhi-te-une-dhe-me-beri-ato-qe-nuk-mund-ti-them-dot-historiani-dhe-studiuesi-i-njohur-publikon-dokumentet-per-hodo-habilin-ng/