“Pasi e mjekuam nga plagët e saçmeve, ‘Sakipi’ fluturoi, duke i bashkuar me tufën dhe atë ditë në oborr, na ranë nga qielli, peshq e ngjala…”/ Ngjarja e pabesueshme, në Kampin e Kripores së Vlorës, në ’65-ën

Nga Maksim Rakipaj

Pjesa e pesëmbëdhjetë

Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu  tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976,  i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015),  ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.  

                                                           Vijon nga numri i kaluar

5 – Një ndodhi biblike, në Kampin e përqendrimit, Nr. 309

Në vitin 1968, Drejtoria e Kampe-Burgjeve, bëri disa transferime kampesh. Kampi i Repsit, u zhvendos në Spaç, kurse Kampi i Kripores së Vlorës, në Ballsh, në një faqe kodre përballë Azotikut. Të dyja zgjedhjet ishin të qëlluara, të studiuara dhe, sigurisht, projektuesit e Aushvicit dhe Mat’hauzenit, do ta kishin zili. Në Spaç kishte a s’kishte, 3-4 orë diell, në ditë.

Dielli atje (poeti ynë, Visar Zhiti, ka një poezi ‘nobeliane’ për këtë, shkruar në Spaç), kalonte me frikë, mes dy maja malesh, për të përfunduar si një kokë e prerë e përgjakur, përballë kampit famëkeq. Edhe Kampi shfarosës i Ballshit, nuk qëndronte më poshtë.

Në atë faqe kodre, dikur e pyllëzuar, lagështia të brente kockat gjithë vitin. Shumica e të dënuarve, i kishte gishtat e duarve dhe të këmbëve, të ënjtur prej morthit; uria jepte ndihmën e saj dhe të burgosurit shkonin një nga një, në varrezën e Panahorit.

Në vitin ’78, në kampin 309 Ballsh, kishte ende mjaft të burgosur, që patën provuar jo vetëm lemeritë e Kripores së Vlorës, por edhe të Porto-Palermos, aeroportit të Rinasit, madje edhe nga ata që kishin njohur tmerret e Kënetës së Maliqit. Njerëz që prej vitesh kanë bashkëjetuar me vdekjen, pa e humbur dashurinë për jetën. Njerëz. Kanë shumë për të treguar: dëshmi rrëqethëse, të krimeve komuniste në Shqipëri.

Mbetesh pa mend, kur dëgjon prej tyre të tilla rrëfime, që ngjajnë si rrëfime biblike, por që janë të vërteta, të jetuara, rrëfime që të rrëqethin. Kam dëgjuar nga shumë të burgosur në Ballsh, për “Sakipin”, lejlekun që i shoqëronte të burgosurit nga kampi, për në Kriporen e Vlorës, por jo vetëm atje. Legjenda për “Sakipin” tregohej edhe në Spaç, edhe në Qaf-Bar, edhe nga të burgosurit, që vinin nga burgu i Burrelit.

Më rrëfeu për “Sakipin”, me mallëngjim e dashuri edhe Idriz Kaiku, në maj 2013, ndërsa pinim bashkë raki, në Durrës. Si lindi kjo miqësi e lejlekut “Sakip”, me të burgosurit e Kripores?!

…Sipas të burgosurve të vjetër, “Sakipi” jetonte me familjen e tij, së bashku me një koloni lejlekësh, në Lagunën e Vlorës, jo shumë larg prej Kripores. Një lejlek si gjithë lejlekët e tjerë, deri atë natë vere, të vitit 1965. Atë natë, një i burgosur, që ishte ngritur për të shkuar në WC e kampit, dëgjoi një zhurmë të çuditshme, një si fëshfëritje, të shoqëruar nga një zhurmë që bëjnë dy dërrasa kur përplasen me njëra tjetrën…!

U afrua ngadalë për tek vendi nga vinte zhurma dhe gjeti një lejlek, që përpiqej të ngrihej. U ul pranë lejlekut dhe vuri re se krahun e majtë, e kishte të larë në gjak. – “Ç’të bëj tani, si ta ndihmoj”?!- mendoi. U kthye me shpejtësi në fjetoren e tij dhe zgjoi nga gjumi një shokun e vet nga veriu:

– “Çohu, është një lejlek i plagosur ke banjat…! Ti merr vesh nga plagët, ke qenë kaq herë i plagosur, me plagë plumbi…! Mos bëj zhurmë”.

E morën lejlekun në krahë dhe e sollën në fjetore. “Do ta ketë qëlluar me çifte pa dashje, ndonjë gjuetar…! Ja dy saçme këtu… paska plot që duhen nxjerrë nga plaga…”! I pastruan plagën, ia mjekuan si mundën dhe sapo u gdhi, kërkuan ndihmën e infermierit të burgosur. Ky u tregua i gatshëm menjëherë:

– “Vetëm, aman, mos ta merrnin vesh nga komanda, se më merrni më qafë”.

Të gjithë të burgosurit ishin të merakosur për lejlekun: “Mirë mjekimet i siguruam, po për ta ushqyer, si do t’ia bëjmë?! Çfarë hanë lejlekët”?!

– “E, mo, se zhaba hanë, si i thoni yve bretkosa. Zhaba ka sa të duash, andej nga punojmë neve, mbushim xhepat me zhaba dhe ia sjellim lejlekut, – tha një i burgosur pogradecar, që i njihte mirë lejlekët. – “Ne i themi stërg këtij, yve i thoni lejlek. E dini që stërgu, kur s’ka se ç’tu japë të vegjëlve të tij, për të ngrënë, çan barkun e tija me sqep, për t’i ushqyer? S’ka sevap më të math, se të ndihmosh stërgun… vetëm mirë ke”.

I vunë edhe një emër lejlekut. E quajtën “Sakip”. Një i burgosur dibran, pasi lejleku e pat marrë disi veten, i gëzuar nga kjo gjë tha duke qeshur:

– “E paska atë sqep tamam sa hunda e Sakëjpit, or tëj”!

Dhe kështu, që atë ditë, lejlekut i mbeti emri “Sakip”. E mori veten me shpejtësi Sakipi. Ditët e para, i hante bretkosat nga dora e të burgosurve, më pas ia linin te një nga kovat prej llamarine, që përdorej për pastrimin e fjetores. Rrinte gjithë ditën fshehur, poshtë shtretërve, pa u ndjerë. Sapo dëgjonte hapat e miqve të tij, dilte prej vendit ku fshihej dhe ecte drejt tyre, duke përplasur atë sqepin e tij të madh që i dha emrin “Sakip”.

Dy javë më pas, “Sakipi” qe shëruar thuajse plotësisht dhe një mbrëmje, pasi të gjithë të burgosurit e përshëndetën duke i ledhatuar kokën, “Sakipi” u ngrit në fluturim. Bëri një rrotullim rreth kampit dhe u nis drejt lagunës, për tek lejlekët e tjerë. Të nesërmen, kur u kthyen nga puna e mundimshme në kripore, të burgosurit gjetën në sheshin e kampit, një sasi të madhe ngjalash e ndonjë peshk. “Sakipi” i vetëm, nuk do të mundte kurrë, të hidhte gjithë ato ngjala, brenda kampit. Sa lejlekë ishin, që sollën gjithë ato ngjala? Nuk dinte gjë njeri, askush nuk kishte parë gjë…?!

Nga ajo ditë, filloi rituali i përditshëm: “Sakipi” vinte në kamp çdo mëngjes, ulej mbi çatitë e fjetoreve dhe kur vargani i të burgosurve nisej për në Kripore, “Sakipi” i shoqëronte nga lart, duke fluturuar. Kur shkonte koha për të lënë punën, “Sakipi”, më i saktë se çdo orë, çohej në fluturim dhe të gjithë kuptonin, që ishte koha për t’u kthyer në fjetore. Kur polici i turnit, njëherë bërtiti: – “Vazhdoni, do edhe dy minuta të bjerë çanga për të lënë punën”! – dikush nga të burgosurit i tha: – “Jepi ujë asaj orës tënde. U ngrit ‘Sakipi’, vajti ora për të ikur”.

“Sakipi”, i shoqëronte miqtë e tij, deri në kamp, pastaj kthehej tek të vetët. Miqësia e të burgosurve me “Sakipin”, vazhdoi deri në ditën kur Kampi nr. 309, u transferua në Mallakastër, në Ballsh, në kodrën përballë Azotikut.

                                                                             * * *

Ëndrra burgu

Lidhja më e madhe e psikikës së të burgosurve, ishte me ëndrrat, të cilat i tregonim me ëndje të madhe, si ngjarje të vërteta. Jeta e rëndë, ndarja nga jeta, nga të dashurit, helmet e minierës, ushqimi i dobët, të gjitha këto, luanin një rol të rëndësishëm edhe tek ëndrrat tona. Edhe tani, pas kaq vitesh, shoh shumë shpesh në ëndërr, sikur jam në burg.

Një natë, në Spaç, pashë ëndërr, sikur po shembej galeria ku po punoja dhe me zor arrija të shpëtoja. Atë ditë, më urdhëruan të shkoja bashkë me grupin, për të punuar në një galeri, që ishte ngjitur me atë ku dy ditë më parë, ishte vrarë gjatë punës një djalë i ri shkodran, i ndjeri Nush Topuzi.

Në grup kisha dy punëtorë: një nga Tirana, tip ordiner dhe një farë Çelik Ç., për të cilin shokët më kishin porositur të ruhesha, sepse dyshohej të ishte spiun. Shkuam në frontin e punës, duke kaluar pranë galerisë ku kish ndodhur fatkeqësia e mikut tonë, piva një cigare në heshtje aty, për të nderuar kujtimin e tij.

Fronti i punës që m’u caktua atë ditë, ishte jashtë të gjitha normave të sigurimit teknik, sepse, ishte krejtësisht pa armaturë mbrojtëse dhe formacioni shkëmbor i tipit basalt, ishte shumë i rrezikshëm. Kishte rrezik shembjeje. U tregova punëtorëve të mi ëndrrën që pata parë dhe vendosëm të kërkonim një front tjetër pune, kur të vinte brigadieri dhe polici shoqërues i brigadës.

Erdhi brigadieri me policin, u tregova kushtet e frontit. Armatura më e afërt, ishte 10 metra larg, ishte me rrezik jete, të punoje në ato kushte. Polic shoqërimi, ishte Nikoll Pula, një nga më të poshtrit në Spaç, në ato vite, shumë shpirtlig dhe i egër. “Ty të njof, i dënum, mos fol ma”! m’u drejtua mua. Pastaj u kthye nga dy punëtorët, duke iu hakërryer: “Po ju, do punoni apo do merrni ment e këtij?! Kto jan kushtet këtu, nuk jeni këtu me ba qejf…! Një fjalë më thoni: o po, o jo! Pastaj e di vet se ç’boj me ju…”!

Ç. Ç. foli i pari: “Do punojmë, po deri tani, na pengoi Maksi të punonim”!

Tjetri tha: “Maksi nuk ka faj, këtu ka rrezik shembje, po do punojmë”!

I ndodhur ligsht, pa përkrahjen e dy punëtorëve, fola edhe unë: “Në rregull, do punojmë. Ju të dy bëni normën tuaj, duke mbushur vagonët, unë do bëj normën si minator me armaturën dhe me martel. Po ju ndihmoj edhe për të shtyrë vagonin”!

U largua brigadieri me policin. Vagonin e parë, do ta mbushte Ç. Po e ndihmoja të çonte vagonin, në ballë të galerisë. Kur mbërritëm, flaka e kandilit të Ç. Ç., u ul fare dhe unë po i bëja dritë me kandilin tim, që të shikonte për të rregulluar të vetin. Befas, prej tavanit të galerisë, shkëputet një gur i madh dhe i bie Ç.Ç. në kokë, kaska mbrojtëse fluturoi matanë…! Ç. Ç. i shpëtoi një “oh” dhe ra, duke më rrëzuar edhe mua. U ngrita shpejt, e kërkova me duar trupin e tij dhe e tërhoqa nga shpatullat, deri te vendi i mbrojtur. Ç. Ç. kishte humbur ndjenjat.

– “Pse nuk e le mutin atje, ta zinte dhe ky shkëmb që ra tani”?! – më tha punëtori tjetër.

– “Ti, mos m’u bëj garip mua, po hajde më ndihmo, ta sjellim në vete dhe ta zbresim poshtë, se nuk je më i mirë nga ky”.

– “Me e pru në vete, thu ti?! Po mor jahu”, – dhe ia mbështolli një shpullë turinjve, Ç. Ç., që hapi sytë, u përmend, por ende nuk e dinte se ku ishte. Në këmbë nuk ngrihej dot, dy herë që provuam ta ngrinim, i këputeshin gjunjët. E mora mbi shpinë dhe me zor e zbrita nga dy nën-kate, deri sa dola në nivelin kryesor.

Atje, e vura sipër një vagoni me mineral, e nxora jashtë dhe e lëshova para barakës së policit. Ç. Ç., ishte krejt i verdhë, gjunjët nuk e mbanin, as sytë nuk mund t’i mbante hapur. Nja dy herë, ndërsa e zbrisja duke e mbajtur në shpinë, më foli me një fill zëri:

– “Më fal, Makso, ma bëj hallall”. – dhe i binte të fikët…!

Kur doli nga spitali, ndonjë muaj më pas, ndenji 6 muaj me raport mjekësor. Kur u shërua, ma sollën përsëri mua në grup. Më pyeste përditë:

– “Ke pa ndonjë ëndërr sot, Makso”?!

Mjekët e burgosur në Spaç

Në Spaç është edhe një ambulancë, ku gjen një mjek dhe ndihmësin e tij. Është edhe një dentist, që kuron dhëmbët tanë, të shkatërruar prej ujit acid të Spaçit. Kuron, të kuptohemi, është një mënyrë të shprehuri, sepse dentisti i shkretë, ka vetëm pinca për të shkulur dhëmbë, për t’i mbushur dhëmbët, as që flitet…! “Ja, presim të na vijë material nga Tirana”… dhe dhëmbi bëhet për t’u shkulur, duke shkatërruar të gjithë gojën, pak nga pak. Është edhe një mjek me profesion, por që punon minator, në zonën e parë.

E quajnë Jetulla, është kosovar. Ka dhënë dorëheqjen dy here, si mjek. Herën e parë, kur komanda zhvlerësonte raportet e tij si mjek, ku ai rekomandonte që filan i dënuar, të mos dalë në punë, duke i detyruar të dënuarit, që edhe me temperaturë, të dilnin në punë, Jetullahi u paraqit në komandë, ku dha dorëheqjen si mjek…! “Unë jam mjek, ju nuk mund të më detyroni mua, të bashkëpunoj me ju, për t’i vrarë të burgosurit”! Filloi punë në minierë. Pas disa kohësh, meqë mjeku që ishte u lirua, në pritje deri sa të arrestohej ndonjë mjek tjetër, komanda u detyrua të emëronte sërish Jetullahin, si mjek, por këtë radhë, pa i vënë kushte. Për pak kohë…!

Sapo erdhi një mjek tjetër në Spaç, filluan përsëri presionet. Operativi i kërkoi bashkëpunim: “Te ty kanë besim njerëzit dhe hapen… nëse na ndihmon, do të lirohesh shumë shpejt, po nuk pranove, në minierë e ke vendin”. Të nesërmen, mjeku rifilloi punën, si punëtor nëntoke. Peshonte pak a shumë, 50 kg, eshtak, i qetë në të folur, i zbehtë në fytyrë. Por është burrë. Dhe burrat këtu respektohen. Është edhe T. Agolli, shefi i kuzhinës, një gjigand, 150 kg., një artist cirku i njohur, por kur bie fjala për të, të burgosurit thonë; “150 kile mut”.

Sot në demokraci, e kanë dekoruar. Kanë dekoruar edhe një artist tjetër, një muzikant, që dëshmoi me gjithë bashkëshorten ruse, kundër artistit të madh, këngëtarit bas, me përmasa botërore, Lukë Kaçaj…! Turpi që dekorohet…?! Por le të vijmë te mjekët. Kur erdhi në kamp si mjek, Isuf H., më dërgoi për një grafi dhe skopi për mushkëritë (isha një javë me temperaturë të lartë), bashkë me 5-6 të burgosur të tjerë. Në autobus, nga Spaçi, për në spitalin e Rrëshenit, ishim 7 të burgosur, të lidhur me pranga dhe 20 policë, të armatosur. Mbërritëm në oborrin e spitalit. Gjysma e policëve zbritën. Një grup fëmijësh nga ana e djathtë e autobuzit, filloi të thërriste, duke na sharë…! Policët buzëqeshnin… pastaj fëmijët (10-12 vjeç) filluan të bërtisnin në kor; “O ballistat në litar, o ballistat në litar”! Policët gajaseshin.

Kur befas, se nga doli një fëmijë më i rritur, nja 13-14 vjeç dhe filloi t’u gjuante me shkelma e me grushta dhe duke i sharë rëndë fëmijët e tjerë, që nga frika u zhdukën. Fëmija më i rritur, që i përzuri, i skuqur dhe sytë me lot, u kthye nga ne, u përkul dhe lëvizi pak buzët: “Na falni….”! Sytë i ndrinin nga lotët. Edhe neve.

Duke njohur dhe gjetur veten

Shtator-tetor ’79. Kam mbi tre muaj, që jam në Spaç. Vazhdoj me shumë mundim, punën e rëndë të minatorit. Puna rëndohet edhe më shumë, sepse nga 7-8 atmosferë, që duhet të jetë presioni i ajrit që duhet të vijë në martel, nuk arrin kurrë, më shumë se 4 atmosferë dhe baromina bën vetëm zhurmë e pluhur dhe nuk hap birat në shkëmb.

Mua më qëllon, për çudi, të punoj në fronte ku fortësia e shkëmbit, është shumë e lartë. Më duhet të rri 4 orë mes pluhurit të martelit, që me zor të arrij të mbyll ciklin e punës. E pres me kënaqësi të madhe përfundimin e turnit, lahem me ujë të ftohtë, brenda në galeri, vishem dhe zbres me brigadën, për të hyrë në kamp.

Kam zënë shumë shokë të rinj këtu, nga e gjithë Shqipëria. Vijnë nga profesione të ndryshme; mësues, si Ron Çobani dhe Visari, shkrimtarë, si Halil Laze, piktorë, etj. Me bindje politike nga më të ndryshmet: ka euro-komunistë(!), ballistë, zogistë, pro-rusë, pro-amerikanë e, ku ta di unë. Nga të gjitha shtresat. Ka prej tyre, që kanë lindur internimeve, që vazhdojnë traditën familjare, në burgjet komuniste, gjyshi-baba-biri…!

Ka edhe prej nomenklaturës së lartë komuniste, jo aq shumë sa në Ballsh, por ka edhe këtu. Ka edhe si puna ime, që nuk di ku të rreshtohem…?! Im atë, e filloi luftën si ballist dhe e mbylli si partizan, i plagosur dy herë. Pas lufte, oficer në artileri, më pas në xhenio (mbasi u shpall kulak i ati, gjyshi im, dhe iu dënuan dy vëllezër). Puna si oficer në xhenio, duke punuar me ushtarë të “deklasuar”, e mbante gjithnjë nën tension.

Frika nga përmendja e biografisë, e bënte të punonte më shumë se të tjerët. Ra në sy si organizator i shquar dhe “lart”, e kishin me sy të mirë. Njohjet dhe ish-partizanllëku, luanin shumë rol. Në vitin 1960, e çmobilizuan nga ushtria, kur ishim me banim në Sarandë dhe im atë, punonte në ndërtimin e hidrocentralit të Bistricës.

Ndërhyrja e Rrahman Hankut, si zv/ministër Ndërtimi, e shpëtoi edhe nga rreziku i përjashtimit nga partia. Ndihmoi edhe njohja me Dashnor Mamaqin e, disa të tjerë. Na transferuan në Shkozet. Na strehuan në disa ndërtesa, që fillimisht ishin projektuar për depo dhe wc-të i kishim jashtë banesës. Babai u dërgua si drejtor kantieri, për bonifikimin e kënetës rreth Lezhës.

“Për një vit Xhafer, pastaj do të të rregullojmë pranë familjes në Durrës”! …Edhe një vit, edhe një vit…u bënë plot 13 vjet, larg familjes. Letrat anonime, që vinin në komitetet e partisë, që mbulonin zonën ku punonte im atë, nuk ndalonin asnjëherë…! “Si është e mundur, që i biri i kulakut dhe vëllai i një të dënuari politik me 17 vjet burg dhe me vëlla të pushkatuar, të drejtojë një ndërmarrje”?! “A e di Partia, që…”?!

Gjithsesi, në vitin 1976, tim atë e përjashtuan nga partia, me motivacion: “Ka zbutur luftën e klasave, ka ndihmuar në vazhdimësi, elementë me biografi të keqe. Për këtë gjë, ka ndikuar edhe prejardhja familjare e Xhafer Rakipajt”! Plagët e marra në luftë dhe puna vetëmohuese, nuk u llogaritën. Biografia ishte e para, që nganjëherë Partia, bënte sikur nuk e dinte…!

Partia e dinte, por raste si i tim eti, nuk ishin të paktë në Shqipërinë e atyre viteve. “Dy milion popull jemi, dalim të gjithë kushërinj me njëri tjetrin…”! i kish thënë babait një shok i veti, që kish marrë urdhër, të gjente 4 inxhinierë ndërtimi, për një byro speciale në Tiranë. Duhej të ishin inxhinierë të aftë dhe me përvojë, por, (mbi të gjitha) me biografi të kulluar…! “Nuk gjeta asnjë për be, nuk e di si të raportoj atje lart, hall i madh…”?!

Unë në Spaç e kisha më të lehtë, nuk i zgjidhja njerëzit sipas bindjeve politike, por sipas karakterit. I dëgjoja me durim shpjegimet që më bënin dhe mësoja prej tyre. Duke dëgjuar histori të njerëzve që patën jetuar kohën e Luftës, mësova të gjykoj, ndryshe nga sa kisha mësuar në shkollë. Duke biseduar me Ahmet Kolgjinin, Murat Kalaverin, etj., fillova ta shoh me sy tjetër, periudhën e Monarkisë, arsyet e lindjes së Monarkisë në atë kohë, personalitetin kompleks të Mbretit, Ahmet Zog i I-rë.

Jo më me urrejtjen, që na kishin ushqyer në shkollë. As me adhurim, por me nderimin, që duhet të kemi për krijuesin e shtetit modern shqiptar, që u mundua të manovronte në kohë të turbullta, pa aleatë, vetëm me armiq, me bashkëpunëtorë që nuk e kishin aspak problem, t’u shiteshin të huajve. Por nuk do të zgjatem më tej, sado që ka shumë për të thënë.

…Pata marrë një letër nga familja. Shkova e mora, kur tellalli i kampit thirri emrin tim. E lexova i mallëngjyer letrën, kur, sapo e futa në xhep, më afrohet dikush, që nuk e njihja. Rreth të dyzetave, palltos ngjyrë kafe të burgut, i kishte lidhur në brez një fije litari të bardhë dhe kjo e përngjasonte me një murg françeskan…!

– “Më falni për shqetësimin, zotni, por nuk mundem me ndejt pa ju pvetë…! Nigjova që murët nji letër, me mbiemrin Ragipaj…?! A e keni gjà, Xhafer Ragipajn?!

– “Po – i thashë – Xhafer Rakipaj, është im atë…”!

– Mos! Ça e paska gjetë të shkretin Xhafer… me djalë në burg…”?!

– “Xhaferi është në shtëpi – i thashë – unë jam në burg, jo ai…”!

– “Nuk di pse keni ra ju në burg, zotni, nuk më intereson me e ditë dhe nuk ju njof. Por më lejoni të prezantohem… unë jam me mbiemër Hardhia. Gjithë burrat e fisit tonë, o jan pushkatue, o jan ndër burgje dhe familjet, punojnë për pesëmbëdhjetë lek dita, në kooperativë…! Në pun shteti, nuk na pranojshin, veç kur erdh Xhaferri, në Bonifikim. Aj vu dorë dhe na mori në punë.

Pati edhe boll sherre prej nalt, por ka qindrue, na ka mprojt…! ‘Ma bajn punën, prandaj i mbaj…’! Iku Xhaferri prej Bonifikimit të Lezhës, u fik dielli për ne…! M’i ço shumë, shumë të fala zotit Xhaferr…! Prej fisit të Hardhive, i thuj, aj, na mban mend”.

U ndjeva mirë, u ndjeva shumë mirë. U ndjeva më rehat, më “i pranuar” në Spaç. Por e ndjeva më fort dashurinë e lezhjanëve, për tim atë, mbas lirimit tim. Na kanë erdhur për urim në shtëpi, më shumë njerëz nga Lezha, se sa nga Durrësi, pa mohuar këtu ngrohtësinë, që na ofroi Shkozeti im. Memorie.al        

                                                               Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pasi-e-mjekuam-nga-plaget-e-sacmeve-sakipi-fluturoi-duke-i-bashkuar-me-tufen-dhe-ate-dite-ne-oborr-na-rane-nga-qielli-peshq-e-ngjala-ngjarja-e-pabesueshme/