“Pas vrasjes së Mark Gjonmarkajt, Preng Dod Gjini i Kthellës, s’pranoi të arratisej në Jugosllavi, por qëndroi në malet e Mirditës, duke…”/ Historia e rezistencës antikomuniste, 1944-1953

Nga Martin Dedaj

-Preng Dodë Gjini (Gjikeqi) dhe aktiviteti i tij në grupet e rezistencës antikomuniste në Malet e Mirditës-

Memorie.al / Preng Dodë Gjini, ka qenë dhe do të mbetet njëri ndër veprimtarët më të spikatur të rezistencës antikomuniste të periudhës 1944-1953, në krahinën e Mirditës dhe më gjerë, duke lartësuar kështu emrin e gjenezës së tij prej një familje të fisshme dhe me emër në fshatin Malaj, trojet e të cilës ndodhen në Kamec, rrëzë Gurit të Zit ë rrethit të Mirditës. Aktiviteti i këtij burri trim dhe të mençur, i kaloj kufijtë e vendlindjes së tij, për t’u shtrirë në gjithë bajrakun e Kthellës dhe krejt Mirditën.

Fillesat e rezistenca antikomuniste…!

Duke parë përparimin e Partisë Komuniste në Jug të vendit, rezistenca antikomuniste kishte nisur kohë më parë me një grup prijësish të viseve të Shqipërisë së Epërme, të cilët më 2 prill të vitit 1944, krijuan në Shkodër “Grupin Indipedent”, me Këshill Drejtues të përbërë nga: Sulçe Beg Bushati, Gjon Marka Gjoni, dhe Hafiz Ali Kraja, që përfaqësonte Shkodrën, Mirditën, Malsinë e Madhe, Dukagjinin, Pukën, Hasin, etj.

Ky grup u bëri thirrje forcave nacionaliste të “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit” që të bashkoheshin në një front të vetëm rezistence antikomuniste. Duke pranuar se Lufta Nacionalçlirimtare ishte e drejtë dhe se në fund të nëntorit të 1944-ës, u çlirua Shqipëria, ne na duhet të evidentojmë faktin se, në harkun kohor të një viti, qartësimi e pështjellimi, shpëtimi e humbja, fitorja e disfata, u ngërthyen keqas me njëra tjetrën, saqë me vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, pasojat e tyre do të rëndonin shumë dhe gjatë në ndërgjegjen, jetën dhe ekzistencën e popullit.

Më shumë sesa çdo krahinë tjetër Mirdita, pësoi mbi supe persekutimin dhe salvimin më të rëndë të diktaturës komuniste. “Të nënshtrohet Mirdita dhe gjithë zonat që janë kundra nesh”, ishte deviza e pushtetit komunist, që sapo kishte filluar të instalohej në Shqipëri. Një qarkore e veçantë u jepte të drejtë skuadrave ndëshkuese të përdornin çdo lloj torture, përfshi edhe ekzekutimet pa gjyq. Ndërkohë që kishin filluar të evidentoheshin personat që paraqisnin “rrezikshmëri” ndaj pushtetit komunist, që po instalohej në Shqipëri.

Nuk vonuan shumë dhe filluan ekzekutimet e para. Tek Kisha e Kodër Rrëshenit, u ekzekutua Dodë Preng Kola, dy javë më vonë Gjon Pjetër Maca, (në Përlat-Qendër), për të vijuar me vrasje dhe internime të tjera nga të ashtuquajturat “Forcat e Ndjekjes” të cilat drejtoheshin nga kurveleshasi Hodo Habibi, i njohur si “Toger Baba”.

Në këto rrethana për t’ju kundërvënë regjimit komunist dhe reprezaljeve të tij, më 22 mars 1945, u krijua “Lidhja Kombëtare e Maleve”, me kryetar Mark Gjonmarkun. Anëtar dhe drejtues kryesor i kësaj lidhje, ka qenë edhe kthellasi Preng Dod Gjini, i cili kishte për qëllim dhe detyrë, organizimin e Frontit të Rezistencës Antikomuniste në Malaj, Kthellë, Mirditë e më gjerë.

Preng Dodë Gjini, pjesë e rëndësishme e rezistencës antikomuniste shqiptare

Pas nëntorit të vitit 1944, bajrakët e Mirditës të prirë nga prijësit e tyre, u organizuan dhe formuan grupet e rezistencës antikomuniste në të gjitha krahinat e tyre. Fillimisht u krijuan bërthamat e grupeve, të cilët më pas do të shtonin radhët dhe unifikonin veprimet në rezistencën antikomuniste që u realizua në Mirditë, për afro 10 vjet (1944-1953). Në këtë rezistencë, aktiviteti dhe veprimtaria antikomuniste e Preng Dod Gjinit, ka qenë shumë aktive, dhe përcaktuese në organizimin dhe mbarëvajtjen e saj, në bajrakun e Kthellës dhe më gjerë.

Veprimtari që i ka fillesat e saja, që në organizimin e bërthamave të para antikomuniste, për të vijuar me krijimin e “Grupit të Rezistencës” për bajrakun e Kthellës që përbëhej nga: Frrok Melyshi, Preng Dodë Gjini, Marka Dod Gjini, Llesh Tarazhi, Marka Cara, Zef Lekgega, Gjin Kros Buna, Preng Ruçi, etj., për t’ju bashkuar më pas Frontit të madh të Rezistencës Antikomuniste. Grupet e qëndresës antikomuniste që vepronin nëpër malet e Mirditës, sa vinin e shtoheshin, jo vetëm në Mirditë, por dhe në krahina të tjera të Shqipërisë, duke u shtrirë deri në Elbasan e Vlorë.

Në këto rrethana, prijësi i Mirditës, Mark Gjomarkaj, kishte hyrë në lidhje dhe komunikim me prijës të tjerë të rezistencës antikomuniste në krahina të ndryshme të vendit, dhe me datën 25 mars të vitit 1945, në Malin e Zepës në Mirditë, u zhvillua një mbledhje shumë e rëndësishme e cila kishte si qëllim: organizimin dhe unifikimin e rezistencës antikomuniste. Në këtë mbledhje që zgjati dy ditë, morën pjesë përfaqësuesit e bajraqeve të Mirditës, Lumës, Dibrës, Matit, Krujës, Kurbinit, Bregut të Matës, Pukës etj. Preng Dodë Gjini, së bashku me Frrok Melyshin, në këtë mbledhje përfaqësonin bajrakun e Kthellës. Në përfundim të mbledhjes, ky takim mori emrin: “Lidhja Kombëtare e Maleve”.

Pas kësaj mbledhje, Mark Gjomakaj mbodhi krerët e 12-bajraqeve të Mirditës dhe formoj “Komitetin Ndërkrahinor të Mirditës”, me një Këshill Drejtues, të përbërë nga: Llesh Preng Marku, Ndue Bajraktari, Frrok Melyshi, Marka Jak Bajraktari, Preng Dodë Gjini, Pjetër Llesh Gjoni, Mark Dod Gjini, Gjon Dodani, Ndrec Lufi, që të gjithë luftëtarë të spikatur të qëndresës antikomuniste. Kryetar i këtij komiteti, u zgjodh Mark Gjomarkaj. Ky komitet, më vonë organizoj dy nëndegë të tij, njërën ushtarake dhe tjetrën administrative dhe politike, ku Preng Dod Gjini, u caktua të ishte në nën komitetin Ushtarak.

Më 6 maj 1946, Preng Dod Gjini, mori pjesë në një mbledhje tjetër, që u zhvillua në Rrasë të Bardhë të Kthellës, ku përveç përfaqësuesve të 12 bajraqeve të Mirditës, morën pjesë edhe përfaqësues nga krahina të tjera të vendit. Aty u diskutua rreth aktivitetit dhe gjendjes në të cilën ndodhej populli nën regjimin e misionarëve të partizanizmës, duke u shpërndarë të vendosur për vazhdimin e misionit të tyre dhe u vendos që mbledhja e radhës, të bëhej me 29 maj 1946, në Tjegulla të Prosekut në Kthellë. Aty u bashkua shumica e luftëtarëve të lirisë nëpër male dhe u vendos që mbledhja tjetër, të bëhej po këtu më datë 15 qershor 1946.

Përpara kësaj mbledhje, më 31 maj 1946, Shtabi i Rezistencës Antikomuniste, u vendos në pyllin e Ujës në Prosek, ku janë mirëpritur dhe furnizuar nga banorët bujarë dhe fisnik të kësaj zone. Aty është përpunuar teorikisht organizimi dhe veprimet që do të kryheshin në 12 batalionet vullnetare të bajraqeve të Mirditës, si dhe janë emëruar komandantët e batalioneve dhe kompanive e të tjerë drejtues, që do të drejtonin forcat e batalioneve vullnetare në revolucionin kundra diktaturës komuniste.

Forcat e Sigurimit të Shtetit, me ndihmën edhe të ndonjë spiunazhi brenda “Grupit të Rezistencës Antikomuniste”, arritën të zbulonin planin e zhvillimit të mbledhjes, që do të zhvillohej më, 15 qershor 1946, kështu që shtabi u detyrua të lëvizte prej aty.

Vrasja e Mark Gjomarkut, arkitektit të rezistencës antikomuniste…!

Natën e 14 qershorit 1946, shtabi i kryesuar nga Mark Gjomarkaj, pasi falenderoj banorët e Prosekut për mbështetjen, u nis për në Tjegulla, por papritmas në vendin e quajtur, Bojdine u ndesh me një pritë, që kishin organizuar grupi i Sigurimit të Shtetit. Menjëherë kanë shpërthyer pushkët e mitralozat, bomba dore e lloj-lloj armatimesh të tjera. Në këtë betejë, ku merrte pjesë edhe Preng Dodë Gjini, plumbat kanë qëlluar kreun e shtabit antikomunist, Mark Gjomarkaj, i cili u plagos rëndë.

Forcat e Ndjekjes të shumta në numër, fituan terren dhe duke ndjekur ravën e gjakut që kishte derdhur Mark Gjomarkaj, iu afruan atij në pak metra. Por ai për të mos rënë i gjallë në duart e tyre, ka rezervuar një plumb për veten e tij. Gjin Kros Buna me ndihmën e Preng Dodë Gjinit, ka mundur të marrë me shpejtësi çantën e Mark Gjomarkut, ku ishte dokumentacioni i shtabit antikomunist (që do të diskutohej në mbledhjen e Tjegullave), armatimin dhe sahatin e tij. Pjesëtarë të shumtë të shtabit u shpërndanë nga ajo betejë, pa ditur se çfarë kishte ngjarë.

Pavarësisht nga kjo në mbledhje, mundën të shkonin rreth 60-70 luftëtarë të lirisë, ndër ta edhe Kthellasit, Preng Dodë Gjini e Frrok Melyshi. Vrojtuesit e shtabit, panë se nga të gjitha anët po vinin forca të shumta partizane, të cilat ishin vendosur në Plazhna, Shqalsh, në Qafën e Shëngjergjit, Shebe, etj. Mbledhja e 15 qershorit 1946, tashmë kishte dështuar.

Në këto rrethana, forcat e Shtabit të Rezistencës Antikomuniste, përdorën një strategji mjaft efikase, duke sulmuar në befasi, ku në grupin e vijës së pare, si gjithnjë ishin luftëtarët e Kthellës, si: Frrok Melyshi, Preng Dodë Gjini, Llesh Tarazhi, Marka Dod Gjini, Ndue Melyshi, Bibë Marka Biba, Zef Lekgega etj., të cilët si gjithnjë, kanë spikatur për guxim dhe trimëri.

Pas një luftë të ashpër midis palëve, forcat antikomuniste kanë dalë fitimtarë, ndërsa nga pala tjetër, ka patur dëmtime të mëdha. Forcat antikomuniste, janë shpërndarë duke mbajtur lidhje me njëri-tjetrin dhe organizuar takime me popullin e, duke e bërë me dije atë se është vra Mark Gjomarku. Por edhe pas kësaj, pjesëtarët e grupeve të rezistencës antikomuniste, nuk e kanë ndërprerë për asnjë çast misionin e tyre për të cilin dhe kishin dalë në mal me armë në dorë.

Preng Dodë Gjini, i vendosur në vazhdimin të rezistencës nëpër malet e Mirditës…!

Pavarësisht se disa prej luftëtareve të rezistencës antikomuniste, vendosën të largohen nga Shqipëria duke kaluar përtej kufijve te atdheut, Preng Dod Gjini, ishte i prerë në qëndrimin e vet, për të vazhduar rezistencën antikomuniste, duke qëndruar në trojet e dheut të të parëve të tij. Së bashku me Llesh Tarazhin, zhvilluan bisedime me disa krenë grupesh, që vazhdonin rezistencën antikomuniste, duke mbajtur një takim në Qafë-Mollë të Oroshit. Në këtë takim, erdhën e morën pjesë edhe dy parashutistët, Ndue Pjetër Gjomarkaj dhe Ndue Melyshi.

Rezistenca në male kishte peripecitë e veta, luftëtarët kishin humbur shumë energji, madje dhe forca në njerëz e ishin shpërbërë keqas, ndaj lipsej një riorganizim i ri. Në fundin e javës së tretë të marsit të atij viti, grupi që kishte radion marrëse e dhënëse, i përbërë nga Preng Dod Gjini, Dedë Kolziu, Gjon Çupi, Ndue Nikolli e Ndue Pjetër Gjomarkaj, pas shumë vështirësish, mundi të komunikonte me grupin tjetër dhe pas një rrugëtimi të gjatë, nëpër Kthellë e Karmat e Pshqeshit, u bashkuan sërish me grupin në Qafë Mollë, por u përballën shpesh herë me vështirësi dhe prita të shumta të forcave komuniste.

Si i Kthellas që ishte, Preng Dodë Gjini e orientoi grupin gjatë rrugëtimit, dhe bëri të mundur që kalimi të bëhej pa u vënë re nga Forcat e Ndjekjes e atyre të Sigurimit të Shtetit. Pas datës 29 mars 1949, misioni i parashutistëve të ardhur nga Italia që kishin desantuar në malet e Mirditës, dështoi. Por, vazhdonte qëndresa antikomuniste e një grupi afro 30 vetash, ndër ta edhe Preng Dodë Gjini. U përgatit një mbledhje tjetër, me 7 gusht 1947, në Shqopë të Munegjës, sipas thirrjes së Ndue Pjetër Gjomarkajt, me qëllimin për t’u bashkuar sërish.

Aty ai parashtroi programin e vet për të lënë malet e Mirditës e për të kaluar kufirin nga Jugosllavia. Në këtë mbledhje, Preng Dodë Gjini, ishte kategorik dhe i prerë në vazhdimin e qëndresës antikomuniste, brenda kufijve të vendit të vet, nëpër malet e Mirditës. Në atë mbledhja nuk pati debate.

Përveç Preng Dodë Gjinit, edhe disa luftëtarë të tjerë si, Preng Zef Tarazhi, Nikoll Dedë Ndoj (njohur ndryshe edh si Nikoll Deda), Gjin Kros Buna, Llesh Kolziu, Llesh Marka Tuci, vendosën të qëndronin për të vazhduar rezistencën antikomuniste deri në vdekje, në malet e Mirditës. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pas-vrasjes-se-mark-gjonmarkajt-preng-dod-gjini-i-kthelles-spranoi-te-arratisej-ne-jugosllavi-por-qendroi-ne-malet-e-mirdites-duke-historia-e-rezistences-antikomunis/