# “Pas shkarkimit të Todi Lubonjës si liberal, Enver Hoxha riktheu Thanas Nanon në krye të Radio-Televizionit, për të cilin tha…”/ Kujtimet e ish-telekronistit të RTSH-së

**URL:** <https://fol.fs.al/t/pas-shkarkimit-te-todi-lubonjes-si-liberal-enver-hoxha-riktheu-thanas-nanon-ne-krye-te-radio-televizionit-per-te-cilin-tha-kujtimet-e-ish-telekronistit-te-rtsh-se/629>\
**Category:** Memorie.al\
**Created:** [September 21, 2022, 10:22pm UTC](https://fol.fs.al/t/pas-shkarkimit-te-todi-lubonjes-si-liberal-enver-hoxha-riktheu-thanas-nanon-ne-krye-te-radio-televizionit-per-te-cilin-tha-kujtimet-e-ish-telekronistit-te-rtsh-se/629 "2022-09-21T22:22:33Z")\
**Posts on this page:** 1\
**Page:** 1

<div class="post-metadata">

**Author:** ![memorie.al](https://fol.fs.al/user_avatar/fol.fs.al/memorie.al/32/16_2.png) [@memorie.al](https://fol.fs.al/u/memorie.al)\
**Post date:** [September 21, 2022, 10:22pm UTC](https://fol.fs.al/t/pas-shkarkimit-te-todi-lubonjes-si-liberal-enver-hoxha-riktheu-thanas-nanon-ne-krye-te-radio-televizionit-per-te-cilin-tha-kujtimet-e-ish-telekronistit-te-rtsh-se/629/1 "2022-09-21T22:22:34Z")

</div>

**Nga Vasil Qesari**

Pjesa e dymbëdhjetë

**_Memorie.al_** /&nbsp; **Përmbysja e _ngrehinës_ së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit**? **&nbsp;Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej** _përjashtim_ **apo** _rast i veçantë_ **? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! &nbsp;Libri ‘** _Post-scriptum për diktaturën’_ **, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një** _afresk_ **i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. &nbsp;Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën** _mbrapa_ **, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën&nbsp;e njohur, se…** _kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes!_ **Dhjetë vjet e më shumë pas** _përmbysjes së madhe_ **, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…** _e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!_

**&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp;[Vijon nga numri i kaluar](https://memorie.al/kryeredaktori-i-gazetes-se-vlores-na-kritikoi-mua-dhe-j-marko-se-ndiqnim-moden-instruktori-i-partise-janaq-syko-akuzoi-piktorin-skender-kamberi-poetin-dionist-qirzidhi-gazetarin-p-e/)**

_Vendet armike_ fqinje kishin intensifikuar më tej propagandën _revizionisto – imperialiste_, duke ngritur përreth kufijve përforcues të fuqishëm, gjë që bënte të mundur ndjekjen e emisioneve të tyre në shumë zona të vendit. Në rrethanat e reja, pra të _helmit dhe pilulave të sheqerosura_ që armiqtë e jashtëm dërgonin nëpërmjet eterit, Partia duhej të merrte masa urgjente, jo vetëm për mbrojtje por edhe për _kundërsulm_. Pra, imazheve marramendëse e provokuese që borgjezia reaksionare hidhte qëllimisht drejt _kështjellës socialiste_, u duhej përgjigjur me zërin dhe imazhet e propagandës revolucionare të Partisë.

Përveç kësaj, sipas _logjikës së Partisë_, ngritja e Televizionit Shqiptar, do të kish rendësi edhe për botën e jashtme. Ai do të rrezatonte ngado idetë e mësimet e shokut Enver si edhe arritjet e përvojën e Shqipërisë së re. Jetën e lumtur të popullit, punën dhe vetëmohimin e njeriut të ri. Udhëheqja qe e bindur se, tashmë kish ardhur koha që, për mjete të tilla të fuqishme e të sofistikuara komunikimi me masat, ia vlente të _sakrifikoje_, pavarësisht nga kostoja e tyre e lartë dhe investimet e kushtueshme.

Ndërkohë, shteti totalitar do të mund ta përdorte Televizionin edhe për diçka tjetër, tepër të rëndësishme. Nëpërmjet tij ai do të përhapte njëkohësisht frikën, shantazhin e presionin, shoqëruar me thirrjet për vigjilencë ndaj armiqve, thellim të luftës së klasave, disiplinë, vetmonim, shtrëngim të radhëve e, mbi të gjitha, me kërcënime ndaj kujtdo që do guxonte ta cenonte atë sado pak…!

_&nbsp;__Në këtë kuptim, ekrani i tij do të ishte, në një farë mënyrë një “Kamare turpi”, ku do t’i vendosej koka kujtdo që do të guxonte të ngrinte krye, pavarësisht nga trajtat se si ajo do të shfaqej: sallë gjyqi, rezolutë pleniumi, kryeartikull gazete, fjalim i diktatorit apo pamje kufomash të njerëzve të vrarë në kufi e të tërhequr nëpër rrugë për t’u kallur tmerrin atyre që kishin ndërmend të arratiseshin._

Në atë drejtim, radioja kish bërë me kohë _hapa_ të mëdha përpara. Qysh në dhjetor të 1966-ës, kinezët kishin instaluar një radio-stacion tejet të fuqishëm, pranë Shijakut. Ai transmetonte ditë e natë emisione në 24 gjuhë të huaja, të cilat dëgjoheshin gjer në stepat e largëta të Vladivostokut e rrafshnaltat e Andeve në Amerikës Latine. Në zyrat e studiot e katit të tretë të godinës së Radios në Tiranë, dhjetëra redaktorë, përkthyes e folës, punonin me ngarkesë të plotë e me tri turne.

Emisionet propagandistike qenë vazhdimisht monotone e stereotipe. Ato trajtonin idetë e pikëpamjet politike të PPSH-së, “fitoret e socializmit në Shqipëri, lajmet e _Hsinhuasë_ e artikujt e ‘_Zhenminzhibaos’_ mbi sukseset e Kinës së Mao Ce Dunit, veprimtaritë e grupeve marksiste-leniniste në botë, varfërinë e masave punonjëse në vendet kapitaliste, ngritjen e vazhdueshme të çmimeve, grevat, drogën, prostitucionin” etj.

Fryma _revolucionare_ e Radio-Tiranës në gjuhë të huaja qe bërë aq _internacionaliste_ sa që, edhe sinjali i çeljes së emisioneve të saj, nuk ishte himni kombëtar, por kënga-himn e Shqipërisë socialiste “_Në njërën dorë kazmën, në tjetrën dorë pushkën”._ Për mjaft dëgjues të huaj ajo qe bërë aq e njohur sa që, një mik italian kur erdhi për vizitë në Shqipëri më 1996, tregonte se:

_&nbsp;__… gjëja e vetme, që mbaj mend mirë nga vendi juaj, është sigla e emisioneve të Radio – Tiranës. Për vite me radhë, që kur isha adoleshent e sa u bëra burrë, sa herë që hapja radion e bëja një “shëtitje” nëpër frekuenca, sigla e saj karakteristike ishte e pranishme kudo._

Edhe pse kishin kaluar vite nga ajo _epokë_, miku im, arrinte ta imitonte atë endé me një saktësi të habitshme, gjë që na bënte të shkriheshim së qeshuri të gjithëve…!

**REDAKSIA E (DIZ) INFORMACIONIT**

Ish vërtet një çudi! As që më kish shkuar kurrë ndër mend se do vinte një ditë që do të emërohesha punonjës i Televizionit, pikërisht, telekronist i rrethit të Vlorës. Nga kujtimi i asaj mbrëmje të largët të jetës studentore, kur kisha marrë pjesë për herë të parë në një transmetim eksperimental televiziv, kishin kaluar shumë kohë e televizioni qe bërë një realitet i përditshëm.

Megjithatë, numri i aparateve marrës qe endé shumë i kufizuar, edhe pse në Durrës ish ngritur një uzinë për montimin e tyre. Televizori ende mbetej luks i rrallë e privilegj i një kategorie të caktuar njerëzish. E kjo ndodhte, jo vetëm për faktin se një punëtori apo qoftë edhe një nëpunësi, i duhej të punonte një vit të tërë për ta blerë atë por edhe nga që shitja e tyre bëhej me autorizime speciale të hartuara nga komitetet e partisë e që pastaj shpërndaheshin sipas posteve, detyrave, dekoratave, kontributit të dhenë në luftën Nacional-çlirimtare etj.

Ishte dita ime e parë e punës…!

Në redaksinë e informacionit në Tiranë u paraqita në fund të korrikut. Shefi, një minoritar i cili sapo qe emëruar pasi kish bërë katër a pesë vjet _qarkullim_ në gazetën lokale të Fierit, më priti mirë e më dha porositë e para për punën e re. Ndërkohë, kontakti me mjediset e televizionit ish një _përvojë_ krejt origjinale e, për të qenë i sinqertë, pothuajse ekzaltuese. Godina, zyrat, studiot, sallat e montazhit qenë tepër komode e me ajër të kondicionuar. Aparaturat e teknika, ishin në përgjithësi kineze, por kish edhe të blera nga firma e njohur e prodhimeve elektronike franceze _Thomson._ Një ambient pune me të vërtet modern, të paktën për ne që s’kishim parë kurrë, më mirë e më tepër se aq.

Por, si për ters, fillimi i punës në televizion, qëlloi me një atmosferë politike tepër të frikshme, të tendosur e komplekse. Për dreq, aty kisha venë këmbë, siç thotë populli, në _sahat të lig._ Pikërisht, mbas punimeve të plenumit të IV-të Komitetit Qendror të PPSh-së, kushtuar luftës kundër _shfaqjeve të huaja_. Personeli i Televizionit, i cili qe cilësuar nga udhëheqja e lartë si _shtabi i propagandës borgjeze_, kryesisht për shkak të _skandalit_ të Festivalit të XI-të të Këngës, kalonte një ankth e frikë të pa treguar.

Aty kish nisur _operacioni fshesa._ Për ditë bëheshin ndryshime. Disa largoheshin nga detyra e të tjerë, të rinj, emëroheshin. Caktimin e kuadrit e kish marrë në dorë vetë Komiteti Qendror i PPSH-së. Mbas largimit e dënimit të ish-drejtorit _liberal,_ Todi Lubonja, pritej që gjendja të _stabilizohej_ me emërimin e drejtuesit të ri.

_Materiali i plotësuar me një numër kandidaturash, me emra personalitetesh, si anëtarë të Komitetit Qendror, të Qeverisë, titullarë dikasteresh etj., iu paraqit përfundimisht Enver Hoxhës, i cili mbasi e studioi atë me kujdes, bëri afërsisht këtë shënim mbi materialin: “Në Radio-Televizion të kthehet Thanasi. Në fushën profesionale mangësi edhe mund të ketë, por ama, proçka si ato të Todit nuk do na bëjë. Nënshkruar: Enver Hoxha._

Rikthimi _triumfal_ i Thanas Nanos si drejtor i përgjithshëm, qe shoqëruar me një ristrukturim të gjithë veprimtarisë në institucion me qëllim që të shkuleshin nga _rrënjët_ e të shporreshin gjithë ata që kishin mbështetur e propaganduar _shfaqjet e huaja_. Ndërkohë, drejtor i Televizionit dhe për pak kohë, vazhdonte të mbetej Klimi Misja. Një burrë me pamjen e një njeriu gjithmonë të sëmurë, i cili ecte nëpër korridore e studio, vazhdimisht i heshtur e si hije.

Emërime të reja ishin bërë pothuajse nëpër të gjitha redaksitë, emisionet e të cilave ishin ristrukturuar. Tani e tutje, çdo gjë do të vëzhgohej e kontrollohej me syrin vigjilent të dyshimit, ndërkohë që_:_

_… mikrofoni e kamera u shpallën ‘të shenjta’ e të pacenueshme, larg çdo ndikimi të punës armiqësore e të shfaqjeve të huaja. Redaksitë e programacionit u zbrazën nga emisionet, filmat, koncertet, incizimet muzikore të huaja e të vendit që mendohej se mund t’i sillnin kokëçarje opinionit zyrtar._

_Këtej e tutje çdo gjë, çdo emision do të përgatitej me forcat tona dhe asnjë prej tyre, duke përjashtuar Emisionin e Lajmeve nuk do të jepej kurrë direkt, përkundrazi do të kontrolloheshin me radhë, duke filluar nga përgjegjësit e redaksive e gjer te drejtori e shumë herë edhe nga instruktorë të sektorit të shtypit të KQ të Partisë._

_&nbsp;_… Aty nga fundi i korrikut të vitit 1974, gjithë telekronistët e rretheve u thirrën në Tiranë, për një mbledhje urgjent. Kur mbërritëm, mësuam se, arsyeja qe prezantimi i drejtorit të ri. Në studion më të madhe të Radios, aty ku zhvillonte provat orkestra simfonike e RTSH-së, qenë ngjeshur mbi treqind punonjës të Televizionit. Pa shumë ceremoni para mikrofonit dhe një tavoline tepër të gjatë mbuluar me cohë të kuqe, dolën tre vetë me fytyra të ngrysura, tamam sikur do të jepnin një lajm mortor.

Shefi i sektorit të Shtypit në Komitetin Qendror, Miti Tona _(fytyra e të cilit, nuk di pse, gjithmonë më kujtonte portretin e kineastit amerikan, regjisorit të shquar të filmave suspens, Alfred Hitchcock)_, shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm Thanas Nano, komunikoi emërimin dhe prezantoi drejtorin e ri të Televizionit, Marash Hajati.

Në përgjithësi, siç dëgjova nga ca kolegë, emërimi i tij u prit mirë sepse, të paktën thuhej se ish gazetar i zoti dhe e njihte shtypin. Me orientimet e reja që vinin nga lart, puna në redaksinë e informacionit sa vinte e bëhej më e vështirë, e kërkesat, gjithmonë e më të shtrënguara. Telekronistët e rretheve, të cilët ishin _kontingjent_ i asaj redaksie, duhej t’a furnizonin atë gjithmonë e më tepër me reportazhe, kronika e lajme të filmuara në të katër anët e vendit.

Këtej e tutje, në çdo rast theksohej se: informacioni televiziv do të qe pikërisht _zemra e propagandës së Partisë_ e, rrjedhimisht, redaksia do bëhej më e madhja në krejt institucionin. Një ekip prej më tepër se 30 vetash, do të punonin pa pushim për t’i transmetuar popullit, direkt _e flakë për flakë_, orientimet, direktivat dhe vendimet e Partisë. Gazetarët dhe operatorët që mbulonin ngjarjet në kryeqytet, përbenin një _bërthamë_ më vete. Ndonjëri prej tyre, bile, kish fituar me kohë edhe statusin _vedette._ I tillë qe rasti i A.G.

Kulti i atij gazetari, i cili cilësohej si _kronisti i udhëheqjes_, qe bërë aq i madh sa që, dhe kur bënte vaki të ish i sëmurë, e ngrinin nga shtrati. Gazetari i _ngjarjeve të mëdha_ dhe _shoqëruesi_ i përhershëm i Enver Hoxhës, konsiderohej i pazëvendësueshëm dhe i pa arritshëm _(Ndërkohë që, tekstet e përgatitura prej tij, në më të shumtën e rasteve, thuhej se s’qenë gjë tjetër, veçse kopje të lajmeve të ATSH-së ose thjesht plagjiatura të artikujve të “Zërit të Popullit” )._

_&nbsp;_Ndërsa, redaktorë të tjerë si, Halil L, Tefta R., Milto B., e të tjerë, konsideroheshin të _zakonshëm_ e, as që bëhej fjalë, të kishin _karizmën_ e të parit. Ndërsa, ndër telekronistet e rretheve, qenë: Ymer B. i Shkodrës, i cili kish mbaruar shkollën e lartë për aktorë e, s’dihej pse kish lenë teatrin dhe i qe _kushtuar_ propagandës së Partisë. Ndue U., i Tropojës, që kish filluar karrierën publicistike qysh në fakultetin e letërsisë, me botimin e një libri kushtuar _heroinës_ Shkurte Pal Vata.

Dhimiter L. i Korçës, një burrë i heshtur dhe i qetë, i cili lavdërohej në çdo mbledhje redaksie. Ilia K., i Fierit, i dashuruar mbas vendlindjes së tij, Libofshës. Njeri i urtë e me shpirt poeti por, gjithmonë, me një vështrim pesimist për jetën. _(Në kundërshtim me natyrën e punës, e cila kërkonte entuziazëm e optimizëm revolucionar)._ Namik G., i Beratit, tip praktik dhe miku i të gjithë sekretarëve të parë të rrethit të tij. Xhelal M., i Mirditës, hokatar, i qeshur, dinamik dhe i shoqërueshëm…!

Telekronistët e rretheve, _misionarët e propagandës_ në bazë, për çdo muaj thirreshin rregullisht në mbledhjet e redaksisë për të marrë pjesë në të ashtuquajturat _mbledhje – orientimi_, të cilat qenë sintezë e direktivave të Partisë për propagandën televizive. Duhet thënë se, së pari, _orientimet_, linjat dhe drejtimet e propagandës, i jepte në një mbledhje të veçantë vetë drejtori i Televizionit, i cili, nga ana e tij, i merrte ato nga sektori i Shtypit të K.Q. të PPSH-së. Ato komunikoheshin të detajuara e për çdo redaksi, në mbledhjet mujore të cilat, zakonisht, organizoheshin në studion nr 2, ku merrte pjesë edhe gjithë personeli i Televizionit.

Drejtori, në vija të përgjithshme, bënte së pari analizën e punës së muajit para ardhës duke mëshuar fjalën sidomos në vërejtjet e udhëheqjes për emisione, kronika a persona të intervistuar në Televizion. _(Në atë drejtim, dukej se Manush Myftiu, ish ndër më grindavecët e Byrosë Politike. Ai, siç dukej, pjesën më të madhe të kohës e kalonte para televizorit)._ Pastaj ai, komunikonte _orientimet_ për muajin pasardhës e përcaktonte drejtimet ku duhej të përqendrohej programi, puna e planet realizuese të redaksive, sipas _shqetësimeve_ që kish Partia. Bie fjala, si duheshin mbështetur direktivat e saj në fusha të ndryshme të ideologjisë, ekonomisë e jetës. Cilat tema e problematika do të trajtohesh me prioritet etj.

Me të mbaruar _mbledhja e madhe_, siç quhej zakonisht ajo e zhvilluar me drejtorin, çdo redaksi vazhdonte pastaj me mbledhjet e kolektivave përkatës. Kësisoj, edhe në redaksinë tonë, niste mbledhja tjetër e _vogël._ Shefi, bënte bilancin negativ apo pozitiv të punës së telekronistëve, e cila zakonisht vlerësohej mbi bazën e numrit të kronikave të realizuara. Pastaj, në mënyrë të detajuar e për çdo rreth, ai përcaktonte tematikën e subjektet konkrete të kronikave televizive që do të realizoheshin për muajin në vijim.

_&nbsp;_Por, për telekronistët e rretheve, radha e mbledhjeve me _orientime_ nuk mbaronte me aq. Ajo vijonte me të tjera, të zhvilluara me sekretarët e komiteteve të partisë të rretheve përkatës, me kryetarët e komiteteve ekzekutive, instruktorët e propagandës etj. Për 20 vjet me radhë, për aq kohë sa punova si telekronist, fryma, mënyrat, metoda e punës dhe drejtimet e propagandës së televizionit, mbetën po ato. Të njëjtat tema, të njëjtat subjekte, të njëjtat rubrika, të njëjtat kronika qoftë nga ana filmike, qoftë si përmbajtje e bile, edhe si stil e mënyrë të shkruari.

Dhe kjo ishte e _natyrshme_, po të kemi parasysh se, në rrjedhën e viteve edhe _shqetësimet e Partisë_ ishin vazhdimisht po ato. Sipas situatave e konjukturave të ndryshme politike, në propagandën televizive, herë kishin prioritet e mëshoheshin problemet ideologjike e herë të tjera, ato ekonomike. Kështu, në një farë mënyre, sipas tematikës e natyrës së lajmeve që zinin faqet e para të shtypit apo emisionet e Radio-Televizionit, mund të përcaktoje pa vështirësi edhe _sikletet e Partisë_ dhe situatën në vend.

Konkretisht, bie fjala, pas vitit 1973, sipas orientimeve të plenumit të IV-të Komitetit Qendror, në plan të parë doli propaganda ideologjike e cila, rrjedhimisht, la në _hije_ problemet e mprehta ekonomike. _(Qe koha e Revolucionit Kulturor por edhe e përfitimit nga kreditë e subvencionet e mëdha nga Kina)._ Përkundrazi, pas prishjes me _aleaten aziatike_ e ndërprerjen e ndihmave, theksi e gjithë _bateritë_ e propagandës, u spostuan nga problemet ideologjike në ato ekonomike.

_(Ish koha kur bëhej fjalë për mbijetesë, e shteti e kish lakun në grykë). [**Memorie.al**](http://Memorie.al)_

_&nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp; &nbsp;&nbsp;_ **Vijon numrin e ardhshëm**

**_Copyright©“Memorie.al”_**

**_Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016_**

* * *
This is a companion discussion topic for the original entry at [https://memorie.al/pas-shkarkimit-te-todi-lubonjes-si-liberal-enver-hoxha-riktheu-thanas-nanon-ne-krye-te-radio-televizionit-per-te-cilin-tha-kujtimet-e-ish-telekronistit-te-rtsh-se/](https://memorie.al/pas-shkarkimit-te-todi-lubonjes-si-liberal-enver-hoxha-riktheu-thanas-nanon-ne-krye-te-radio-televizionit-per-te-cilin-tha-kujtimet-e-ish-telekronistit-te-rtsh-se/)
