“Pas ndeshjes që përfundoj pa gola dhe RFGj-ja u eliminuan nga europiani ’68-ës, Ramiz Alia dhe Manush Myftiu, shkuan te dhomat e zhveshjes…”/ Historia e panjohur ndeshjes së 17 dhjetorit ‘67

Nga Uvil Zajmi  

Pjesa e dytë

Memorie.al / Nga e diela në të hënë, por me diferencë jo një javë, por 55 vjet…! Po, pak më shumë se gjysmë shekulli nga 17 dhjetori 1967, kur Shqipëria barazoi 0-0 me Republikën Federale Gjermane. Si kujtohet sot, cila ishte atmosfera në prag të saj? Një popull në këmbë për, aktin heroik të Shkurte Pal Vatës (“Heroinë e Punës Socialiste”) dhe në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti në rrethet e Dibrës e Librazhdit, ku ishte shpërngulur e qëndronte e gjithë udhëheqja e lartë e partisë dhe shtetit, me në krye Enver Hoxhën dhe kryeministrin Mehmet Shehu! Pastaj ndeshja: Nga mungesa e Gerd Mylerit e Franc Bekenbauerit, te parulla gjigante ku shkruhej: “Elektrifikimi i plotë i fshatit, vepër e ndritur e Partisë me në krye shokun Enver Hoxha…”, që habiti gjermano-perëndimorët! Befasitë e trajnerit Lor Boriçi, goli i mohuar i dinamoviti Fred Gjinali, festa në “Qemal Stafa” dhe eliminimi surprizë i Gjermanisë. Reagimi i shtypit sportiv botëror dhe një foto e rrallë e publikuar në Muzeun e Dortmundit. Çfarë bëjnë sot, ku janë protagonistët e sfidës monumentale të asaj kombëtareje, e cila eliminoi dhe la jashtë evropianit të ’68-ës, Gjermaninë Perëndimore të Helmut Schön?

                                                           Vijon nga numri i kaluar

60-minuta lojë, me 10-lojtarë…! 

Ky është një detaj shumë i rëndësishëm i takimit, pasi mbrojtësi korçar, Teodor Vaso, i dëmtuar pas një përplasje me Shulcin, rreth minutës së 30-të, e ka bërë të pamundur qëndrimin e tij të mëtejshëm në fushë. Ndonëse masazhatori, Ali Kastrati, ka bërë gjithçka, por ishte e pamundur.

Duke qenë se me rregulloren e asaj kohe, nuk lejoheshin zëvendësime, kur ka mbaruar pjesa e parë, me anë të altoparlantit (qendrës së zërit), është bërë thirrje që mjekët të cilët ndodheshin në tribunë apo shkallët e tjera të stadiumit, të afrohen në dhomat e zhveshjes, për t’i ardhur në ndihmë stafit mjekësor. Ndonëse ishin të shumtë që u paraqitën, nuk kanë mundur ta mjekojnë dot dhe ta riaftësojnë Teodor Vason. Dhe ashtu, ai ka luajtur gjithë gjithë pjesën e dytë. Praktikisht, skuadra përfaqësuese ishte me dhjetë lojtarë në fushë.

Me 10-lojtarë, mjeku Heqimi: ”Zbrita edhe unë për ndihmë”! 

Mjeku i njohur, Prof. Dr. Lluka Heqimi e kujton kështu atë moment, kur nga qendra e zërit e Stadiumit “Qemal Stafa”, u kërkua ndihmë publike për lojtarin e dëmtuar: “Në pushim të ndeshjes me anë të altoparlantit u bë thirrje që mjekët e e pranishëm në stadium të zbresin në dhomat zhveshjes së kombëtares për t’i ardhur në ndihmë stafit mjekësor për të rikuperuar Vason e dëmtuar.

Zbrita edhe unë, tentuam bashke me mjekun Ismail Feta, por ishte e pamundur dhe Vaso ashtu ka luajtur edhe në 45 minutat e dyta. Praktikisht skuadra janë kombëtare, ka qenë me dhjetë lojtarë në fushë, pasi Vaso ishte inekzistent”. Janë vitet, ku për shkak të rregullores që nuk lejonte ndërrime, gjatë grumbullime, lojtarët stërviteshin edhe si portierë, për të qenë të gatshëm të zëvendësonin edhe portierin në raste dëmtimi të tij.

Të gjithë në fushë, festë në “Qemal Stafa” e Tiranë…!

Sapo është dëgjuar vërshëllima e fundit e bilbilit të gjyqtarit austriak, Marshall, që sinjalizoi mbylljen e 90-të minutave të takimit, të cilat përfunduan me rezultatin e bardhë 0 – 0, të gjithë kanë vërshuar në fushë. Festë e vërtetë sportive në tribuna dhe në shkallët e stadiumit, ndërsa lojtarë gjermanë të shtrirë në fushë, kurse tifozë të shumë që mbajnë lojtarët tanë në krah, një entuziazëm i pa përshkruar.

Turma tifozësh kanë mundur të afrohen deri afër në korridoret e dhomat e zhveshjes, ku janë penguar nga forcat policore të ruajtjes së rëndit, pasi aty po shkonin edhe disa nga udhëheqja e lartë e partisë dhe e shtetit shqiptar, (që e kishin ndjekur takimin nga tribuna qendrore), si anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia, anëtari i Byrosë Politike dhe zv/kryeministri Manush Myftiu, si dhe Kryetari i Komitetit të Përgjithshëm të Bashkimit të Sportistëve dhe Fizkulturistëve të Shqipërisë, Rexhep Doda, të cilët kanë përgëzuar të gjithë ekipin dhe stafin drejtues.

Por nuk u mbyll gjithçka aty, pasi festa vazhdoi gjatë edhe në orët e vona në rrugët e kryeqytetit, ku lokalet u lejuan të rrinin hapur edhe më tej orarit të zakonshëm, ku tifozeria e zjarrtë e kryeqytetit, por edhe atyre të ardhur nga rrethet, festoi deri në orët e vona me birra e qofte. Në mbrëmje, në darkën zyrtare organizuar në Hotel “Dajti”, ku edhe ishte sistemuar ekipi gjermano-perëndimor dhe arbritrat, u organizua një banket, ku ishin të ftuar edhe futbollistë e drejtues të dyja skuadrave, së bashku me arbritrat.

Ndonëse në dëshpërim të plotë të stafit gjerman, të eliminuar nga finalet e Romës, e pamenduar prej tyre. Por, më vonë, pasi ata kanë parë të projektohen momente nga ky takim, diskutime ka ngjallur gjuajtja e Gjinalit…! Pastaj edhe elozhet e trajnerit Helmut Schön, për kolegun Loro Boriçi.

Loro Boriçi, kolos i taktikës dhe surprizave! 

Traineri Boriçi e kishte menduar mirë vendosjen taktike të ekipit në fushë. Të gjithë shtatlartë, futbollistë të rinj dhe energjikë. Për portën Mikel Janku, kujtonte: “Para ndeshjes, Loro më thirri dhe më tha, Mikel, duke qenë se në Dortmund ke pësuar gjashtë gola, nëse të shohin prap në portë, nga ana psikologjike janë të favorizuar”. Para Dinellës, e para për të në kombëtare, ai rreshtoi, Xux Kazanxhi e Li Memën të “17 Nëntorit”, Jorgaqin e “Labinotit”, lojtarë të fortë fizikisht edhe në lojën në ajër, si dhe dy mbrojtësit anësorë, Gjinalin e “Dinamos” dhe Vason e “Skënderbeut”.

Mbrojtjen e përforcoi me një mesfushë aktive, me një strategji më shumë mbrojtëse, ku janë Rragami e Bizi të “Vllaznisë”, Shllaku i “Partizanit”, lojtarë me eksperiencë tashmë. Dhe në sulm, nga “Partizani” Panon e shkodranin e “Dinamos”, Din Zhega, që alternoheshin. Duelet e atij takimi që, mbahet mend edhe sot pas 55 viteve, kanë qenë: Pano-Shulc dhe Vaso-Netzer!

Çfarë shkruante gazeta e vetme sportive, “Sporti Popullor”?

Të martën, me 19 dhjetor ’67, gazeta e vetme sportive “Sporti Popullor”, nën titullin e madh: “Sukses i madh i futbollit tonë, Republika Popullore e Shqipërisë – Republika Federale Gjermane, 0-0”, midis të tjerash shkruante: “Skuadra jonë luajti për 60 minuta me dhjetë lojtarë.

Në minutën 79, gjyqtari duhej të jepte penallti. Zhega eci përpara dhe më vonë ia pasoi topin Panos, në drejtim të krahut të majtë. Ky hyri në zonën e rreptësisë me zikzake, dribloi dy mbrojtës kundërshtarë dhe Shulci, gjeti vetëm një rrugë-dalje, ta rrëzojë në tokë brenda zonës së rreptësisë.

Gjyqtari austriak, e pa të “më të udhës” të bëjë me dorë, duke sinjalizuar me shenjën tashmë të njohur, të vazhdimit të lojës”! Krahas shkrimit, është një foto e madhe e skuadrës sonë dhe pritja e portierit Volter, pas gjuajtjes së dytë të Gjinalit. Ajo që mungon në këtë numër historik të gazetës, është fotoja, kur portieri Volter, duket qartë i shtrirë mbi vijën e portës, ndërsa është ajo, kur ka pritur topin pas goditjes së parë të Gjinalit.

(Në pjesën e sipërme të faqes së parë, është edhe një shkrim informues, ku bën fjalë për vizitën e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha në rrethin e Dibrës, ku ai kishte shkuar pas tërmetit të fuqishëm që kishte rënë në atë zonë). Duke i’u rikthyer shkrimit të ndeshjes, midis të tjerash lexojmë se: “Skuadra jonë luajti një për të gjithë dhe të gjithë për një, ndaj një skuadre si Gjermania, që nuk e diskutonte fitoren”.

Në shkrimin e gjatë që vijon edhe në faqen e tretë e që nuk ka autor, por i nënshkruar me: Koresp. i “Sportit Popullor”, midis të tjerash thuhet: “Në pjesën e pare, sulmi ynë organizoi 15 zbritje që arritën deri në afërsi të portës. Ndonëse me një rreshtim tepër mbrojtës, ky numër tregon se skuadra jonë përfaqësuese, këtë ndeshje, e filluar dhe e mbaruar me një lojë të ekuilibruar, ku mund të veçohet dueli Shulc-Pano, Vaso-Netzer”.

Krahas komentit teknik, në faqen e gazetës “Sporti Popullor” të asaj dite, gjejmë edhe disa radhë ku, takimi dhe rezultati i ndeshjes, lidhen dhe kanë trajtime politike. Midis të tjerash, aty thuhet: “Si një ekip monolit, më të fortë se asnjëherë, por edhe duke vënë politikën në plan të parë, duke mos nënvleftësuar kundërshtarin dhe duke patur besim të madh në forcat e veta, ashtu siç na mësojnë Partia dhe shoku Enver, futbollistët luftuan me ngulm dhe arritën të eliminojnë ekipin gjermano-perëndimor……”

Shtypi botëror: “Nuk çahet ‘dryni’ shqiptar”!

Ndeshjes së zhvilluar në Tiranë, i bëri një jehonë të madhe edhe shtypi sportive europian e botëror, pasi rezultati ishte befasues dhe aq më shumë që, Gjermania e madhe e Helmut Schön, e pa veten jashtë europianit, “Italia ‘68”. Kështu, po kujtojmë këtu shkurtimisht, disa nga titujt e gazetave më të mëdha sportive dhe komentet e tyre. ‘Franc Pres’: “Eliminohet Gjermania e Perendimore.

Detyra dukej e lehtë, por nuk e kishin llogaritur vullnetin e shqiptarëve të cilët, edhe mund të kishin fituar”. ‘Junaited Pres’: “Barazimi sensacionale. Vija e parë e RFGJ-së, nuk pati forcën të thyente mbrojtjen masive të zhvendosur nga shqiptarë, kjo edhe për paaftësia e gjermanë, për të çarë ‘drynin’ shqiptar, që edhe pse me dhjetë futbollistë, pasi Vaso i dëmtuar u fut në pjesën e dytë, por nuk bënte gjë tjetër veçse, çalonte në krahun e majtë”.

Festë e madhe në Beograd, Jugosllavia finaliste në Romë

“Na eliminuat ne dhe përfitoi Jugosllavia” ishte ajo që stafi gjermano-perëndimor, shprehu nën zë në darken zyrtare të organizuar në Hotel “Dajti”, dhe rezultati vërtetë kishte favorizuar Jugosllavinë jo mike të shqiptarëve. Ndërkohë, në kanalin qendror të televizionit jugosllav që po transmetonte kampionatin boksit midis klubeve, kur nga altoparlanti i Pallatit të Sportit ku po zhvillohej aktiviteti, është dhënë rezultati ndeshjes së Tiranës, është dëgjuar një shpërthim i madh, pasi askush nuk e kishte besuar surprizën që do të vinte nga Shqipëria.

Kështu në renditjen përfundimtare, Jugosllavia ka 6 pikë (tre fitore, 8-3 golavarazhi), Republika Federale Gjermane, 5 pikë, (2 fitore, 1 barazim, 9-3 golavarazhi) dhe e fundit Shqipëria, me një pikë në katër takime, 0-12, golavarazhi. Nisur nga kjo renditje, në finalet që do të luheshin në qershorin e vitit 1968 në Romë, si e para e grupit, do të shkonte Jugosllavia.

Rragami, Dinella, Gjinali, Zhega edhe te “Vllaznia”…!

Pas ndeshjes, Ramazan Rragami, duke qenë se i ka dhënë fund shërbimit ushtarak te Klubi Sportiv “Partizani”, është nisur menjëherë në Shkodër, duke u rikthyer te “Vllaznia”, ku luajti deri në fund të karrierës. Madje, në ndeshjen e 25 dhjetorit 1967, për Kupën Ballkanike, “Vllaznia” – “Beroe”, e Stara Zagorës së Rumanisë, në formacionin shkodran, janë pesë lojtarë të kombëtares, që një javë më parë barazoi me Gjermaninë Perëndimore të Helmut Schön.

Kështu, Zan Rragami, Ali Mema, Din Zhega e, bashkë me to Koço Dinella në portë, Fred Gjinali si mbrojtës i djathtë, (këta të fundit të tre të Dinamos marrë si përforcim nga trajneri Xhod Shaqiri), bënë që “Vllaznia” të fitonte 4-0, me gola të Selami Danit. Ali Memës, Zan Rragamit e Nikolin Gjergjit.

Tërheqja katërvjeçare nga aktivitetet, e kombëtares shqiptare!

Pas humbjes 4-0 në Beograd dhe diskutimeve për tërheqjen e skuadrës kombëtare nga aktivitet zyrtare, ndonëse u barazua me Gjermaninë Perëndimore, Shqipëria nuk u regjistrua për edicionin vijues, dhe Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s kishte përcaktuar 30-shtetet nga Europa për fazën kualifikuese për eliminatoret e botërorit “Meksikë 1970”.

Fillimisht mbeten 29 skuadra bashkë me to edhe Anglia si kampione në fuqi, që futej direkt. Pas këtij vendimi, kombëtarja shqiptare nuk mori pjesë për katër vite në veprimtaritë ndërkombëtare. Rikthimi në aktivitete ndërkombëtare, do të ishte sërish për eliminatore, por për ato të “Euro 1972”, dhe në grup do të binin: Polonia, Shqipëria, Turqia dhe Republika Federale Gjermane.

Ndeshja e parë në TV me ngjyra, në grupin ku ishte edhe Shqipëria

Një ditë historike për televizionin sportive, ishte 7 tetori i vitit 1967, kur takimi Republika Federale Gjermane – Jugosllavi, do të hynte në historinë e teknologjisë së televizionit, si ndeshja e parë e futbollit e transmetuar me ngjyra. E vlefshme për grupin e katërt kualifikues për eliminatoret e kampionati evropian të futbollit, ku bënë pjesë edhe Shqipëria, u luajt në Hamburg përballë prej 70.000 spektatorësh, dhe u drejtua nga arbitri Italian, Concetto Lo Bello.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 të vendësve, falë golit të Lohr, në minutën e 10-të. Në pjesën e dytë, për shkak të shiut dhe errësirës, ​​pamjet televizive ndryshuan nga me ngjyra, në bardh e zi. Jugosllavia barazoi në minutën e 50-të, përmes Zambata-s, ndërsa arbitri, Lo Bello, anuloi dy gola nga mysafirët për dy pozicione të qarta jashtë loje.

Më pas në finale, Gjermania Perëndimore u rikuperuar dhe kaloi sërish në epërsi me golin e Gerd Muller, në minutën e 71-të dhe e shtoi avantazhin me Uve Zeler, në minutën e‘86-të dhe duke fituar me rezultatin 3-1, finalen.

Ishte një fitore që dukej se garantoi kualifikimin RFGj-së, me golavarazhin më të mirë, por dy skuadrat duhet të përballeshin me Shqipërinë. Në ndeshjen e fundit të grupit, RFGj do të ndalej 0-0 në Tiranë, nga Shqipëria, duke u eliminuar, dhe Jugosllavia, si e para në grup, do të të luajë në fazën finale të evropianit “Italia ‘68”.

Fotoja e rrallë, me firmat e lojtarëve…!

Një foto e pa publikuar më parë edhe për ne ishte surprize, kur na ra në dorë (arkivi personal i BDBQ), e fotografuar në Muzeun e Madh të Sportit në Dortmund. Aty duken firmat e të gjithë lojtarëve, trajnerëve protagonistë të sfidës së 17 dhjetorit 1967.

Gazetari gjerman i ndodhur në Tiranë, ka mundur t’i marrë me shumë saktësi, firmat lojtarëve para fillimit të ndeshjes, dhe më pas, vite më vonë, e ka dërguar në Muzeun e Sportit të Dortmundit ku, edhe është demonstruar si një detaj më shumë nga ajo përballje. Madje, deri te firma e mjekut Ismail Feta dhe stomatologut Pano Lulo, përkthyes dhe shoqërues i ekipit gjermanoperëndimor që zbarkoi në Tiranë atë pasdite të vërejtur të 17 dhjetorit ‘67.

Ku janë sot legjendarët e 17 dhjetorit të ’67-ës?

Disa prej tyre fatkeqësisht janë ndarë nga jeta, si: trajnerët e famshëm Loro Boriçi, Ilia Shuke dhe Skënder Jareci. Edhe kapiteni Lin Shllaku, Josif Kazanxhi, Ramazan Rragami, Medin Zhega, Frederik Jorgaqi, Panajot Pano, Ali Mema e Mikel Janku, për fat të keq nuk jetojnë më. Ndërsa Koço Dinella, bashkë me familjen ndodhet në Boston (USA), Sabah Bizi, tashmë prej kohësh si pensionistë, jetonë në Shkodër. Fred Gjinali gjithashtu, në pension në Tiranë, ndërsa Teodor Vason, e gjen në Korçë, aktiv si atëhere.

Edhe pse vitet natyrshëm do kalojnë, ajo 11-tëshe, trajnerët e saj, me Boriçin në krye, mbeten monumentalë. Me Gjermaninë Perëndimore, Shqipëria do të ndeshej sërish, tashmë për Eliminatoret “Euro 1971”, që njëkohësisht do të shënonte edhe rikthimin në aktivitete ndërkombëtare të përfaqësueses sonë, pas një shkëputje katërvjeçare. Në grup bashkë me Shqipërinë ishin, Polonia, Turqia dhe Republika Federale Gjermane, e në shkurtin e vitit 1971, në “Qemal Stafa”, Shqipëri-R.F. Gjermane, një tjetër 90-të minutësh dramatik….”! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pas-ndeshjes-qe-perfundoj-pa-gola-dhe-rfgj-ja-u-eliminuan-nga-europiani-68-es-ramiz-alia-dhe-manush-myftiu-shkuan-te-dhomat-e-zhveshjes-historia-e-panjohur-ndeshjes-se/