“Pas daljes nga burgu, burri im Kaso Hoxha, hiqej si i sëmurë dhe unë i flisja, pasi ai çdo natë, ikte nga shtëpia dhe shkonte te…”/ Procesi hetimor nga hetuesi i Sarandës, Kristo Vangjeli, gusht ‘85

Dashnor Kaloçi

Pjesa e pesëmbëdhjetë

Memorie.al publikon një dosje që është siguruar para pak kohësh nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja hetimore, gjyqësore dhe ajo e përpunimit të shtetasit, Kasëm Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim, në SHBA që nga viti 1985, kur ai mundi të arratiset nga Shqipëria për në Greqi, pasi kishte vuajtur dhjetë vite, në kampin e Spaçit, i dënuar për “agjitacion e propagandë, ndaj pushtetit popullor”. Në momentin e arrestimit, më 21 qershor të vitit 1973, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, në shtëpinë e tij i’u gjetën disa “materiale komprometuese”, si poezi dhe trakte, ku ai bënte thirrje “për përmbysjen e pushtetit popullor”., etj. Dosja në ngarkim të shtetasit Kaso Hoxha, (tashmë e de-klasifikuar) fillon me atë të përpunimit, ku organet e Sigurimit të Shtetit dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit të Sarandës, bëjnë të gjithë përpjekjet, për të gjetur autorin e letrës “me përmbajtje të thellë armiqësore”, që ishte hedhur në qendër të fshatit Markat, ku pas shumë kohësh, me ndihmën edhe të Laboratorit Qendror Kriminalistik, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u bë e mundur, që të saktësohej dhe identifikohej se shkrimi në atë letër, ishte i Kaso Hoxhës, kjo solli edhe arrestimin e tij. Dosja në fjalë vazhdon me procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij, ku ai pasi vuajti dhjetë vite në burgun e Spaçit, në nëntorin e 1982-in, kthehet në fshatin e lindjes, Markat, ku që në ditët e para, ndaj tij fillon ndjekja dhe survejimi nga organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin angazhuar jo vetëm disa bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe familjarë të afërt të tij, kjo e detyroi Kaso, për t’i shpëtuar arrestimit, të arratisej nga Shqipëria, duke kaluar kufirin shtetëror, për në shtetin fqinjë, Greqi. Pas disa kohësh qëndrimi në Kampin e Llavros, fitoi statusin e azilantit politik, për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje, ndaj tij vazhdoi ndjekja e survejimi, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit dhe disa agjentëve të saj të fshehtë, ( “Fatosi”, “Gjahtari”, “Vullkani”, B. p. “6856”, etj.), deri në vitin 1991, që u shemb regjimi komunist në Shqipëri. Historia e Kaso Hoxhës, u bë e njohur pas botimit të librit të tij “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, vjen tashmë nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, (ku ndodhen, raporte bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet e tyre, letra, shënime, informacione, relacione, raport-informacione, përgjime me teknikë operative, etj., të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, hetuesve, titullarëve të Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, etj., deri te rezidentura e Zbulimit Politik në SHBA, e agjentët e saj atje), të cilat fillojnë në vitin 1973 dhe përfundojnë në vitin 1991, kur dosja e tij u arkivua përgjithmonë.

                                                 Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Mejdo Tare Hoxha, gruaja e Kaso Hoxhës, nga ana e hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Kristo Vangjeli, lidhur me rrethanat e arratisjes së burrit të saj                                              

                                                     PROÇES – VERBAL

Sot me datën 20.8.1985, në Sarandë, unë hetuesi Kristo Vangjeli në prani të Halime Makriut, marr në pyetje si dëshmitare Mejdo Tare Hoxha, ditëlindja 12.2.1951, me arsim 8 vjeçar, banuese Fshati Markat – Sarandë, punon në kooperativë. Gruaja e Kaso Hoxhës.

Hetuesi më paralajmëroi mbi përgjegjësinë penale që kam në bazë të nenit 202 të Kodit Penal për dëshmi të rreme.

          Firma e Dëshmitarit

             Mejdo Hoxha

Në lidhje me çështjen, shpjegoj sa më poshtë:

Unë banoj në fshatin Markat të Sarandës dhe punoj si kooperativiste. Në vitin 1968, jam martuar me të quajturin Kasem Hoxhën nga fshati Markat, me të cilin kemi lindur tre fëmijë, kam vajzën të quajturën Luljeta Hoxha 16 vjeç, vajzën tjetër Nderime Hoxha 12 vjeç dhe djalin Gjergji Hoxha 2 vjeç.

Në vitin 1972, burri im Kasem Hoxha, është dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë armiqësore dhe ka dalë nga burgu në muajin Nëntor 1982, me rastin e amnistisë. Mbasi ka dalë nga burgu, Kasem Hoxha është kthyer në shtëpi dhe ka punuar si kooperativist.

Më datën 28.7.1958 ditën e Diel, prej orës 9.00 deri në orën 16.00, Kasemi ka shkuar në dasmën e vajzës së kushëririt të tij të parë, Idriz Hoxhës, ndërsa unë kam shkuar rreth orës 15.00 aty në dasëm dhe pastaj jam kthyer së bashku me Kasemin dhe fëmijët nga dasma dhe kemi shkuar në shtëpinë tonë.

Në orën 18.00, Kasem Hoxha është larguar nga shtëpia dhe ka shkuar për të parë televizorin në shtëpinë e motrës së tij, të quajtur Vitori Murtaj, në fshatin Markat dhe është kthyer në shtëpi rreth orës 23.00

Mbasi erdhi në shtëpi, Kasemi ra e fjeti. Në orën 7.00 të datës 29.8.1985, ditën e hënë, Kasemi mbasi është bërë gati si zakonisht për punë, ka marrë trastën e bukës e gomarin dhe është nisur për në punë dhe tha se do shkonte në vaditje tek vendi i quajtur Agure, e kështu ai është larguar.

Ndërsa unë isha e sëmurë dhe nuk shkova në punë në këtë datë. Në mbrëmjen e datës 29.7.1985, burri im Kasem Hoxha nuk është kthyer në shtëpi e për këtë, unë u bëra merak.

Kështu me datën 30.7.1985 në mëngjes, unë jam takuar me bashkë fshatarin tim Eqerem Shera, nëse ai kishte parë gjë burrin tim Kasem Hoxha. Eqeremi më tha se ai me datën 29.8.1985, në orët e mbrëmjes, kishte parë vetëm gomarin në fushë tek vendi i quajtur Haure, por Kasemin nuk e kishte parë.

Kështu unë u bëra merak dhe duke menduar se ai ishte edhe pa bukë, bëra gati trastën e bukës dhe rreth orës 7.30 të datës 30.7.1985, jam nisur për në fushë, për të kërkuar Kasemin.

Mbasi shkova tek vendi i quajtur “Kotec”, kërkova të takoja brigadierin e Kasemit të quajtur Bardhush Rexhon, për ta pyetur për Kasemin, por aty mësova se Bardhushi me datën 29.7.1985, kishte ikur në Sarandë, mbasi kishte një fëmijë të sëmurë. Kështu unë fillova e po pyesja bashkëfshatarët e tjerë dhe njëkohësisht fillova të kërkoja nëpër fushat dhe kam mbërritur në shtëpi rreth orës 17.00.

Më vonë në shtëpi janë kthyer dy vajzat, më pas unë dola përsëri nëpër fshat dhe po kërkoja se mos gjeja Kasemin, por nuk e gjeta. Kështu rreth orës 18.00, unë kam shkuar dhe kam njoftuar Këshillin Popullor të fshatit, për faktin që burri im Kasemi, ishte larguar nga shtëpia në orën 7.00, të datës 29.7.1985 dhe nuk ishte kthyer, deri në orën 18.00 të datës 30.7.1985.

Në këtë rast unë kam pyetur brigadierin Bardhush Rexhën dhe përgjegjësinë e sektorit, Petrit Agakon, nëse ata i kishin caktuar ose jo punë me datën 29.7.1985, ditën e hënë, burri im Kasem Hoxhën dhe ata më thanë se nuk e kishin takuar dhe as i kishin caktuar vend pune, pasi ai nuk ishte paraqitur. Kështu që ata nuk e dinin, se ku kishte shkuar Kasem Hoxha.

Sqaroj se burri im Kaso, qysh kur kishte dalë nga burgu deri në datën që ai është zhdukur, ai paraqitej i sëmurë dhe ankohej se vuante nga bronkopneumoni, ai ishte në përgjithësi i lidhur me punën e kooperativës e të shtëpisë, ai është marrë me rregullimin e shtëpisë.

Por ai në fakt, për çdo natë largohej nga shtëpia dhe shkonte në shtëpinë e motrave të tija, Bardhe Kushi dhe Vitori Murta, ku rrinte deri në orët e vona të natës. Unë nuk kam patur grindje me burrin tim Kasem Hoxhën, vetëm që unë atij i flisja, përse nuk qëndronte në shtëpi, por për natë shkonte në shtëpitë e të motrave dhe shikonte televizorin, ndërsa ndonjë grindje tjetër neve nuk kemi patur.

Gjithashtu unë kam konstatuar se Kasem Hoxha në fshat, nuk shoqërohej me ndonjë njeri tjetër, por zakonisht ai rrinte me kushëririn e tij, të quajturin Syrja Ahmet Hoxhën. Po kështu sqaroj se Kasemi, ka të arratisur jashtë shtetit, kushëririn e tij Selfo Hoxhën, e një tjetër, por nuk ja di emrin.

Pyetje: Na sqaroni dëshmitare, nëse Kasem Hoxha mbante ose jo korrespondencë me të arratisurin Selfo Hoxha, e tjerë?

Përgjigje: Unë nuk di që Kasemi të mbante lidhje me letra me kushëririn e tij të arratisur, por di se Kasemi është takuar në dy raste me djalin e Selfo Hoxhës, Alem Hoxhën, i cili është i internuar në Borsh.

Rasti i fundit është ai i datës 17.7.1985, rreth orës 18.00 Alem Hoxha, ka ardhur me gjithë gruan e tij në shtëpinë tonë në Markat, ku ka qëndruar disa minuta dhe pastaj ata janë larguar.

Në këtë rast unë isha e pranishme dhe bëmë biseda familjare e nuk dëgjova ndonjë bisedë të dyshimtë, por mandej Kasemi është larguar dhe gjatë orëve të para, deri rreth orës 22.00, ka shkuar në dasmën e vajzës së Idriz Hoxhës, ku ishte i ftuar edhe Alem Hoxha. Gjë tjetër për këtë çështje, unë nuk di të them.

Proces verbalin e dëgjova, ai është shkruar drejtë dhe e vërtetoj me firmën time.

 Dëshmitarja                                                                            HETUESI

Mejdo Hoxha                                                                     Kristo Vangjeli

                                                  Asistoi

                                               Halime Makriu

Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Alem Hoxha, kushëri i Kaso Hoxhës, nga ana e hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Kristo Vangjeli, lidhur me rrethanat e arratisjes së Kasos                                              

                                                         PROCES – VERBAL

Sot me datën 20.8.1985, në Sarandë, unë hetuesi Kristo Vangjeli, marr në pyetje si dëshmitar Alem Selfo Hoxhën, datëlindje 1.10.1952, me arsim 8 vjeçar, banues fshati Qazim Pali- Borsh, Sarandë, punon punëtor në Ndërmarrjen Bujqësore – Lukovë.

Në lidhje me çështjen shpjegon si më poshtë:

Unë jam me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe në vitin 1969, unë jam vendosur me banim familjarisht në fshatin Borsh, me masë internimi, pasi në vitin 1969, më është arratisur jashtë shtetit për në Greqi babai, Selfo Hoxha, i cili aktualisht banon në Çikago të Amerikës. Unë dhe familja ime mbajmë korrespondencë me letra, me babanë tim Selfo Hoxhën.

Pyetje: Na shpjegoni dëshmitar, nëse gjatë muajit Korrik 1985, keni shkuar në fshatin Markat, në rast se po, kur dhe përse keni shkuar?

Përgjigje: Unë kam shkuar në fshatin tim të lindjes Markat në dt. 27.7.1985 dhe jam larguar me dt. 28.7.1985, ditën e diel në orën 14.30. Në Markat, unë kam shkuar në shtëpinë e xhaxhait tim të quajtur Idriz Hoxha, pasi ai martoi vajzën e tij.

Në datën 27.7.1985 në mbrëmje, aty në shtëpinë e xhaxhait përveç të tjerëve, jam takuar edhe me kushëririn tim të dytë, Kasem Hoxhën. Kam shkuar në shtëpinë e tij me më 27.7.1985 ora 17.30, dhe kam qëndruar disa minuta dhe aty ishte nëna e tij Hane, gruaja dhe vajzat. Unë isha së bashku me gruan time, Maria Hoxha.

Pyetje: Na shpjegoni dëshmitar se, çfarë bisedash keni bërë me Kasem Hoxhën, me dt. 27 e 28.07.1985?

Përgjigje: Unë siç e shpjegova edhe më lart, me Kason jam takuar vetëm me dt. 27.7.1985 dhe gjatë bisedës me të, ai më ka pyetur vetëm për shëndetin e familjes time dhe asgjë tjetër.

Pyetje: Na shpjegoni dëshmitar, se ku ndodhet aktualisht Kasem Hoxha?

Përgjigje: Me datën 30.7.1985 rreth orës 15.30, unë jam thirrur nga ana e kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Borsh, Qazim Pali dhe më ka pyetur për Kasemin, se çfarë e kisha e mandej, më tha se ku ishte dhe unë i thashë atij se unë më datën 28.7.1985, kur u largova nga Markati, e kam lënë aty në fshat dhe nuk e di se ku është. Pra unë nuk e di se ku ka shkuar e ku është aktualisht Kasem Hoxha.

Pyetje: Na shpjegoni nëse Kasem Hoxha, u ka marrë ose jo adresën e babait tuaj Selfo, që ndodhet i arratisur në Çikago të Amerikës, në rast se po kur konkretisht dhe përse?

Përgjigje: Unë e them me përgjegjësi se Kasem Hoxha, mua në asnjë rast nuk më ka pyetur dhe as i kam dhënë adresën e babait tim, pra unë nuk di që ai të ketë adresën e babait tim Selfo.

Proces-verbalin e lexova vetë, pasi pashë se thëniet e mia janë shkruajtur drejtë, i vërtetoj me firmën.

Dëshmitari                                                                                HETUAESI

Alem Hoxha                                                                          Kristo Vangjeli

Dokumenti me vendimin e përpiluar nga ana e hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Kristo Vangjeli, për pezullimin e çështjes penale në ngarkim të të arratisurit, Kaso Hoxha dhe arshivimin e dosjes së tij

                                                         VENDIM

Mbi pezullimin e hetimeve të çështjes penale

Sot me datën 20.8.1985 në Sarandë, unë hetuesi Kristo Vangjeli, mbasi studiova materialin e çështjes penale Nr.123

KONSTATOVA:

Se: Shtetasi Kasem Çerçiz Hoxha, nga fshati Markat i Sarandës, me dt. 29.7.1985, ka kryer krimin e tradhtisë ndaj atdheut, duke u arratisur jashtë shtetit në Greqi.

Në mbështetje të nenit 97/2 të Kodit të procedurës Penale, dosja hetimore do t’i dërgohet Degës së Punëve të Brendshme Sarandë, deri në gjetjen e autorit të kryerjes së këtij krimi.

VENDOSA

Të pezulloj hetimet e çështjes penale në ngarkim të pandehurit Kasem Hoxhës dhe dërgimin e dosjes Degës së Punëve të Brendshme Sarandë, deri në gjetjen e autorit të kryerjes së këtij krimi. Memorie.al

                                        HETUESI

                                     Kristo Vangjeli

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pas-daljes-nga-burgu-burri-im-kaso-hoxha-hiqej-si-i-semure-dhe-une-i-flisja-pasi-ai-cdo-nate-ikte-nga-shtepia-dhe-shkonte-te-procesi-hetimor-nga-hetuesi-i-sarandes-kristo-va/