“Pas alarmit, në tunelet e kodrës së Kuzum-babasë, ku ishte Shtabi i Mbrojtjes së rrethit, drejtuar nga sekretari i parë i Komitetit të Partisë…”/ Refleksione të publicistit të njohur nga Franca

Nga Vasil Qesari

Pjesa e shtatë

Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e ç’gënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

                                                       Vijon nga numri i kaluar

 “Njeriu kapitali më i çmuar”!

(Radhët ishin nga më të çuditshmet. Shpesh, bile, nuk qe e nevojshme që në to, të ndodhej personi fizik. Mjaftonte që, një natë para, në portën e dyqanit, klienti të vendoste si shenjë radhe, një copë tullë, gur, kavanoz, shishe apo dhe kartonë të shkruar me emra. Por, kjo metodë origjinale, nuk jepte gjithmonë rezultate të kënaqshme.

Kështu, ndodhte shpesh që, pa gdhirë endé mirë, pikërisht për arsye të atyre shenjave konvencionale, në radhët e zhurmshme para dyqaneve të bulmetit, të plaste sherr e potere e madhe e cila ngrinte gjithë lagjen nga gjumi). Ajo lëngatë e gjatë dhe rraskapitëse, i bënte njerëzit të mos dinin nga t’i a mbanin. Përfundimisht, uria e shtrëngesa e madhe, nisi t’i çojë ata drejt vjedhjeve masive të pronës së përbashkët.

 Në fermat e kooperativat bujqësore, vjedhja u bë e vetmja rrugë mbijetese. Me lloj-lloj mënyrash, njerëzit merrnin e çonin në shtëpitë e tyre, prodhime të ndryshme bujqësore si: patate, grurë, misër, perime, ullinj etj. I njëjti fenomen ndodhte dhe në qytete. Kudo që prodhohej. Në vendet e tyre të punës, njerëzit merrnin sipas mundësive që u krijoheshin: sapunë, vaj, qymyr, tulla, gozhdë, çimento, dërrasa, konserva, hekur, tubo, klor, acid…! Me një fjalë, ç’të mundnin…! Në psikologjinë e popullit, ky fenomeni i ri dhe masiv, u ligjërua në mënyrë të natyrshme e, nuk emërtohej absolutisht si vjedhje, por si marrje.

 Në fund të fundit, arsyetonin njerëzit, ne marrim nga prona jonë dhe jo nga e tjetër kujt. Marrim se s’kemi, se rrogat s’na dalin, se nuk kemi me çfarë ti ushqejmë fëmijët. Por, megjithatë, as ky fenomen, nuk zgjidhte gjë. Vështirësitë ekonomike si edhe kërkesat për prodhime ushqimore, bulmet e perime, rriteshin nga dita në ditë. Krahas marrjeve nga prona e përbashkët, lindën edhe tentativat e para për të gjetur mënyra e forma të tjera mbijetese.

Sidomos në fshatra, individë të ndryshëm, nisën të rrisnin fshehurazi në shtëpi e qilarë, derra, dele e dhi. Ndërsa, në qytete, njerëzit tentonin të mbanin fshehur në ballkone e apartamente, gjela e pula. Por, edhe këto përpjekje s’jepnin rezultate, për shkak të vigjilencës së veprimtarëve të Frontit Demokratik. Në mbledhjet e tyre të rregullta, ata denonconin rreptësisht e publikisht borgjezët e vegjël, që guxonin të thyenin rregullat e Partisë dhe shtetit…!

Megjithatë, disa prej këtyre borgjezëve, edhe ia dilnin mbanë. Ditëve të diela, përreth mureve të merkatos së Vlorës, ku aso kohe blerësi mund të gjente vetëm qepë, spinaq, patate gjysmë të kalbura, presh të vyshkur e kumbulla të frigoriferit, nisën të duken edhe tregtarët e parë ambulante. Ata qenë, fillimisht, ca plaka e fëmijë nga fshati Nartë, të cilët vinin vërdallë, me nga 5-6 kokrra vezë e ca tufa ma sallatë e qepë të njoma.

Me mallin e fshehur nëpër trasta e duke i bërë sytë katër nga frika e policëve, ata arrinin të shisnin diçka, duke sabotuar kështu orientimet dhe ligjet e Partisë. Pikërisht, në këtë kohë, pra, aty nga viti 1987, në një mbledhje të plenumit të Komitetit të Partisë në Vlorë, Ramiz Alia, i nevrikosur, kish thënë: “Deri sa ju, drejtuesit e Partisë në rreth, nuk arrini t’i furnizoni dot dyqanet e shtetit as me sallatë e qepë, atëherë këtë le ta bëjnë privatët”.

Mbas kësaj, jo vetëm në Vlorë por edhe në qytete të tjerë të Shqipërisë, tregjet e vegjël klandestinë sikur u liruan. Të ndodhur para realitetit katastrofal e pa rrugëdalje, autoritetet e larta partiake, më së fundi, pranuan të bënin sikur nuk shihnin gjë. (Duke porositur policinë që, shitja në treg e disa prodhimeve të vogla bujqësore nga privatët, edhe mund të tolerohej. Por, natyrisht, gjithmonë nenë kontroll e pa e lëshuar fare).

Qysh atëherë, tregu përreth merkatos së Vlorës, u duk se u ligjërua. Ai u bë qendra kryesore ku qytetarët, jo vetëm të dielave por edhe në ditë të tjera të javës, kishin kënaqësinë të blinin vezë të freskëta, sallata, qepë, hudhra, ullinj të kripur e rrallë herë edhe fruta…!

Miti i kështjellës së rrethuar!

“… Është ora 04:30 e mëngjesit. Qyteti fle. Heshtjen e natës e prishin vetëm lehjet e zakonshme të qenve, që i përgjigjen njeri-tjetrit me ca ulërima të zgjatura të cilat ngjajnë si vajtime e kuje të dhimbshme. Agimi nuk ka zbardhur endé. Errësira është e thellë dhe e frikshme. Papritmas, diku, dëgjohet klithma e fuqishme e një sirene alarmi. Pas pak, ajo pasohet nga ulërimat e dhjetra të tjerave, të cilat janë të vendosura kudo: mbi tarracat e pallateve, shkollave e institucioneve të ndryshme.

Dritat e banesave ndizen njëra pas tjetrës me shpejtësi të rrufeshme. Gjithë qyteti hidhet përpjetë si nenë efektin e një elektroshoku. Rrugët mbushen plot njerëz, makina, lëvizje e thirrje. Shtëpitë e pallatet e banimit, tunden nga hapa të rendë e të nxituar që kapërcejnë me nxitim, nga tri e katër shkallë. Të parët që dalin jashtë, janë burra e të rinj. Pas tyre, me fytyra të shprishura e të buhavitura, ndjekin njeri-tjetrin gra, fëmijë, plaka, pleq e tek-tuk edhe paralitikë, të cilët të mbajtur për krahësh, çohen me nxitim drejt portave të blinduara të vend-strehimeve ajrore e kimike. Ç’ka ndodhur vallë?

Zjarr, përmbytje, tërmet, kataklizëm?  Fundi i botës…? Jo! Më keq akoma…! Është dhënë alarmi luftarak i stërvitjes ushtarake ose, siç quhet ndryshe, sinjali i zbor – it. Me ta dëgjuar atë, kushdo duhet të paraqitet sa më shpejt në pozicionin e tij luftarak. I gatshëm për të dhenë jetën për mbrojtjen e atdheut nga sulmi imperialisto – revizionist. Asnjë nuk duhet të harrojë se, armiku është i pabesë dhe, dëshiron ta zërë popullin të papërgatitur me anë të sulmit ajror të befasishëm.

Mijëra e mijëra vetë, një lumë i madh e i vërtetë njerëzish, nisen me shpejtësi drejt Pikave të Grumbullimit. Shkojnë në drejtime të ndryshme. Në Babicë, Kaninë, Qafë e Koçiut, Zvërnec, Llakatund etj. Drejt tuneleve, reparteve e depove ushtarake ku, secili, ka uniformën, armatimin e pajisjet personale luftarake. Qindra e qindra të tjerë, kanë mbërritur ndërkohë, në portin e Skelës. Për t’u imbarkuar në anije luftarake që do t’i çojnë drejt transheve e bunkerëve të Karaburunit e Sazanit.

Në zemër të qytetit, aty lart në tunelet e kodrës së Kuzbabasë, Shtabi i Mbrojtjes së rrethit, drejtuar nga sekretari i parë i Komitetit të Partisë, ka nisur nga puna. Në korridoret e gjatë dhe zyrat e ndriçuara zbehtë, bie erë e rendë duhani dhe lëkurë çantash ushtarake. Lart, në një vend të dukshëm, me germa të mëdha e të kuqe lexohet një citat i Enver Hoxhës, ku shkruhet: “Armiqtë e kanë pasur dhe do ta kenë gjithmonë në shënjestër Shqipërinë socialiste. Këtë të mos e harrojmë kurrë. Të gjithë të jemi në këmbë, të gatshëm e të përgatitur për mbrojtjen e lirisë e të fitoreve të revolucionit”.

Mbi hartat operative, grupe oficerësh të ndarë sipas profileve, nisin të hedhin situatat, fill mbas sulmit ajror të armikut, duke marrë njëkohësisht edhe vendimet përkatëse për operacionet e nevojshme luftarake. Radio-marrëset e telefonat kanë siguruar ndërkohë ndërlidhjen me gjithë rrethin. Në shtab, vijnë informacionet e para mbi kohën e paraqitjes së zboristëve në pikat e grumbullimit, zënien e pozicioneve, zbatimin e detyrave luftarake, lëvizjet e armikut nga deti, ajri e toka, pikat e hedhjes së parashutistëve, organizimin e mbrojtjes me bateritë kundër-ajrore etj.

Stërvitja, përgatitja luftarake e popullit-ushtar ose ndryshe zbori, ishte një kalvar tjetër i jetës totalitare shqiptare. (Një paranojë kolektive, e cila kish për qëllim, luftën kundër gjithë botës). Kështu, pra, si të mos mjaftonin hallet, mundimet e ankthet e tjera, regjimi kish gjetur edhe një mënyrë tjetër, për ta dërmuar, sfilitur e nxirre edhe më tepër jetën e çdo individi. Atë të mitit të kështjellës së rrethuar. Luftës e përleshjes së përditshme me mullinjtë e erës. Përleshjeve me taborët e armiqve imagjinarë, nga ishin e nga s’ishin.

Ishte kjo arsyeja pse, shërbimi dhe stërvitja ushtarake, ndryshe nga çdo vend tjetër, nuk mbaronte me kryerjen e tij të detyrueshëm. Partia e kish shndërruar tërë popullin – ushtar, sepse vendi jetonte e punonte në rrethim. Mbrojtja e atdheut ishte detyrë mbi detyrat. Të gjithë i nënshtroheshin stërvitjeve të vazhdueshme, gjer në moshën 50 vjeç për gratë e 60 vjeç për burrat. Ushtarakë aktivë e rezervistë, punëtorë, fshatarë, studentë e nxënës ishin të regjistruar nëpër pikat e hapjes, njësitë ushtarake e çetat vullnetare. Zbori ish detyrë e shenjtë kombëtare. Për këdo e pa asnjë përjashtim. Kudo. Në qytete të mëdha e në skajet më të humbura të vendit…!

Me torbën e gjelbër ushtarake mbi kurriz, ushqimin për 24 orë, gavetën, lugën me bisht të thyer, karabinën e lopatën xheniere me vete, çdo shqiptar zinte pozicionin e tij të caktuar. I gatshëm për t’u përleshur për fyti me çdo armik. Bile edhe me ushtrinë më të fortë në botë. Parullat e kudo ndodhura Punë, Mbrojtje, Vigjilencë, Shqipëria – shkëmb graniti, Mbrojtja e atdheut – detyrë mbi detyrat etj., ishin shprehje e atmosferës së luftës e përgatitjes së popullit-ushtar. Sipas mësimit leninist: Çdo qytetar duhet të jetë një ushtar e çdo ushtar një qytetar…!

Rreziku i luftës, miti i kështjellës së rrethuar, vallja e hedhur në gojën e ujkut – të gjitha këto ishin dënim, mallkim e vuajtje kolektive rraskapitëse. Shqiptarët e gjorë, e fillonin dhe e mbaronin jetën vetëm me alarme e fantazma armiqsh. (Të cilët, tentonin të zbarkonin, herë nga deti si bajlozë të zinj e, herë nga toka e ajri, si qikllopë të babëzitur). Për masën dërrmuese të njerëzve, propaganda kish arritur të bënte punën e saj.

Ekzistenca e armikut dhe sulmit prej tij, s’ishin thjesht iluzion. Ato qenë bërë aq të pranishëm e të besueshëm, sa që, edhe bariut më të humbur, majave të maleve të Labërisë a Bjeshkëve të Nemuna, i qe mbushur mendja top se vendi ndodhej vazhdimisht në rrezik. Ajo praktikë rraskapitëse qe bërë aq e shpeshtë dhe e zakonshme, sa që njerëzit tmerroheshin prej saj. Ata pranonin me dëshirë çdo lloj stërvitje tjetër, sado e rendë që të ish, me urimin që të evitonin vetëm një. Atë të marrjes së maleve duke marshuar ditë e natë pa pushim: në acarin e dimrit, mes dëborës, shiut të ngrirë, suferinës apo diellit e vapës përvëluese të verës.

Marshime të tilla, bënin jo vetëm zboristët klasikë, por dhe pionieret, gjimnazistet, studentët, nxënësit e shkollave 8 vjeçare e bile edhe… fëmijët e kopshteve. Marshime, vazhdimisht marshime. Për kalitje fizike, përkujtimin e ngjarjeve të Luftës Nacional-çlirimtare, përvjetorët e brigadave partizane, rënien e dëshmorëve e heronjve, festat e Partisë, rinisë, pionierëve etj. Të ashtuquajturat zbore u shpeshtuan, sidomos, mbas panikut e alarmit që ngjalli mes udhëheqjes shqiptare, pushtimi i Çekosllovakisë nga trupat e Traktatit të Varshavës. Në 5 shtator 1968, pleniumi i V-të i KQ të PPSH-së vendosi de juro, daljen përfundimtare të Shqipërisë nga Traktati agresiv revizionist i Varshavës.

…Ishin ditët e para të vitit shkollor e Tirana, si në çdo prag vjeshte, qe plot gjallëri e lëvizje nga dyndja e studentëve. Por, kësaj here, ndryshe nga vitet e tjera, ata nuk u drejtuan direkt e në auditorë për fillimin e leksioneve. Përkundrazi, me të mbërritur nëpër konvikte e fakultete, fjalët e para që u thanë ishin: Këtë vit programet mësimore fillojnë me stërvitje ushtarake. Paraqituni urgjentisht pranë pikave të armatimit! Pasditeve, të ndarë në toga e kompani sipas fakulteteve, mbas stërvitjeve në kodrat e Saukut,studentët-ushtarë merrnin urdhër që, me hap rreshtor e këngë luftarake, të zbrisnin në drejtim të sheshit “Skënderbej”.

Marshet ushtarake, parullat e banderolat e shkruara kudo, bënin thirrje për mobilizim dhe mbrojtje të sovranitetit kombëtar. Situata dukej e tendosur. Prezenca e mijëra uniformave të blerta të armatosur me kallashnikovë, pikërisht në qendër të kryeqytetit, me sa dukej, ish tepër e nevojshme për regjimin. Ajo, e shtonte edhe më tepër psikologjinë e alarmit dhe gjendjes së jashtëzakonshme, për të cilën shtypi e radioja flisnin pa pushim. Partia kish nevojë për pagjumësi, mobilizim e gatishmëri për luftë…! Memorie.al

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pas-alarmit-ne-tunelet-e-kodres-se-kuzum-babase-ku-ishte-shtabi-i-mbrojtjes-se-rrethit-drejtuar-nga-sekretari-i-pare-i-komitetit-te-partise-refleksione-te-publicistit-te-njohu/