“Pas 33 vitesh, në ’74-ën, më lejuan të vija në Shqipëri, ku takova babanë 82 vjeçar, që kishte dalë nga burgu, por…/ Dëshmia e rrallë nga Bosnja e të bijës së ish-regjentit shqiptar

Nga Kastriot Dervishi

Memorie.al / Në historinë e Shqipërisë, janë dy periudha që njohin si kryetar shteti, organin kolegjial, i quajtur me emrin Këshilli i Naltë. Periudha e parë është ajo e 31 janar 1920 ‑ 21 janar 1925, kur Shqipëria ishte Mbretëri dhe Mbreti Wilhelm von Wied, nuk ndodhej në vend, dhe periudha e dytë, ishte ajo 25 tetor 1943 ‑ 25 tetor 1944, kohë kur pas kapitullimit të Italisë fashiste, në Shqipëri u rishpall pavarësia e u rinjoh Kushtetuta e vitit 1928 dhe deri në ardhjen e Mbretit Zog, detyrat e kryetarit të shtetit, i ushtroi organi i quajtura Këshilli i Naltë i Regjencës.

Shqipëria e viteve 1943 ‑ 1944, një kohë jo shumë e njohur

Zgjedhjet për në organin legjislativ të shtetit, i quajtur ky Kuvendi Kushtetues, përfunduan më 1 tetor 1943. Për shkak të rrethanave të luftës, deputetët u zgjodhën nga këshillat bashkiake përkatëse. Më 22 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar, miratoi dhe dekretoi 5 vendime të tij që bënë të mundur:

  1. Shfuqizimin e vendimeve të Asamblesë së 12 prillit 1939, e cila kishte “votuar” për: “bashkimin personal” midis Shqipërisë dhe Italisë.
  2. Abrogimin e të gjitha ligjeve që binin në kundërshtim me vendimin e 22 tetorit 1943.
  3. Caktimin e institucionit të Këshillit të Naltë të Regjencës për aq kohë sa do të zgjaste lufta, si dhe ushtrimin prej tij të pushtetit ekzekutiv. Po ashtu, Këshilli i Naltë i Regjencës ushtronte bashkërisht me Parlamentin pushtetin legjislativ.
  4. Ri fuqizimin e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928.Në pikën e 5‑të, tekstualisht thuhej:

“Konsiderohet e pa qenë dhe mbetet pa fuqi për çdo efekt, dekret‑ligja më datë 9 qershor 1940, e botuem në Fletorja Zyrtare nr 93 datë 10 qershor 1940, kthyer në ligjin nr 128, datë 19 gusht 1940, me të cilin Shqipnia njihej e hyeme në luftë me ato shtete me të cilët Mbretnia e Italisë ka pas qenë në luftë” (shih Fletorja Zyrtare”, nr 106, 23 nëntor 1943, Tiranë 1943).

Pikërisht pika e fundit e përcaktonte Shqipërinë një vend jo vetëm sovran por edhe jashtë aleancave ushtarake të kohës.

Ky fakt ka shumë rëndësi pasi propagandat sllavo ‑ komuniste kanë dashur vazhdimisht t’i japin pushtetit të vendosur në Shqipëri në vitet 1943 ‑ 1944, ngjyrat e kolaboracionizmit. Profesori i Universitetit të Parisit, Charles Rousseau, i cili është një nga juristët më të njohur në të drejtën ndërkombëtare publike, ka konsideruar se pavarësia e Shqipërisë u rivendos më 14 shtator 1943 dhe se i ashtuquajturi “bashkim personal” midis Shqipërisë dhe Italisë, mori fund më 22 tetor 1943 (shih “Revue da Droit International Public”, Janvier 1973).

Kush ishin regjentët?

Pas deklaratës së shpalljes së pavarësisë së 14 shtatorit 1943, nga Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm, kryesia e këtij komiteti, organizoi zgjedhjet e 1 tetorit 1943, për Kuvendin Kombëtar, i cili u mblodh më 16 tetor 1943. Këshilli i Naltë, u formua si organ i përkohshëm që zëvendësonte Mbretin, për aq kohë sa ky nuk ndodhej në Shqipëri.

Ligji për Këshillin e Naltë u miratua nga Kuvendi Kushtetues më 21 tetor 1943 (shih “Fletorja Zyrtare” 13 dhjetor 1943). Ai kishte 15 nene dhe i jepte këtij organi kompetencat e kryetarit të shtetit, si drejtimin e Komandës së Përgjithshme të Fuqive të Armatosura, emërimin e nëpunësve të lartë të shtetit, dekretimin e ligjeve, traktateve, etj.

Këshilli i Naltë, nuk kishte të drejtë të shpallte luftën pa miratimin e Parlamentit, veç në rastin kur kishim të bënim me vetëmbrojtjen e atdheut. Kryetari i Këshillit të Naltë, funksiononte me rotacion, për një periudhë 3 mujore. Atributet e tjera, ushtroheshin sipas kushtetutës së miratuar më 1 dhjetor 1928.

Më 25 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar, zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Fuat Dibrën dhe Padër Anton Harapin. Ky i fundit asistoi në të gjitha mbledhjet e zhvilluara me praninë e Këshillit të Naltë, porse u betua më 13 janar 1944, pasi kishte marrë edhe lejen e Papës së Romës.

Çarja e parë në gjirin e Këshillit të Naltë, zë fill me krizën qeveritare. Kryetari i Këshillit të Naltë, Mehdi Frashëri, në emër të institucionit të lartë të shtetit, pranoi dorëheqjen e kryeministrit Rexhep Mitrovica, më 16 qershor 1944 (shih “Bashkimi i Kombit” 17 qershor 1944). Pak ditë më vonë, kryeministri, Rexhep Mitrovica, mori pjesë në kongresin e ‘Kryqit të Kuq Shqiptar’, ku u rizgjodh kryetar Koço Tasi. (“Bashkimi i Kombit” 20 qershor 1944).

Kriza qeveritare vazhdoi për shumë ditë dhe përfshiu edhe Këshillin e Naltë, duke shtuar  mosmarrëveshjet brenda tij, ku Padër Anton Harapi dha dorëheqjen dhe Lef Nosi kërkoi letër-delegimin e kompetencave, deri sa të pranohej dorëheqja e tij (“Bashkimi i Kombit” 27 qershor 1944). Regjenti i parë, nuk pranoi të rikthehej më në detyrë, ndërsa Lef Nosi, vazhdoi detyrën pasi letër-delegimi u cilësua si i paligjshëm. Megjithatë, Parlamenti vazhdoi t’i kërkojë pa sukses Padër Anton Harapit, rikthimin e tij në detyrë (shih letra e Mihal Zallarit në “Bashkimi i Kombit” 28 qershor 1944) dhe vendi i tij mbeti bosh e, nuk u zëvendësua kurrë.

Cafo Beg Ulqinaku, në politikën shqiptare

Në vitet 1941‑1944, kur Shqipëria u bashkua me territoret e tjera shqiptare të përtej kufirit, shumë njerëz të njohur, u integruan në politikën e kohës për të realizuar qëllimet e tyre kombëtare. Kështu, Cafo Beg Ulqinaku, i cili ishte kryetar i bashkisë së qytetit të lindjes dhe që prej 18 prillit 1942, ai ishte edhe deputet në organin legjislativ të shtetit, të quajtur KEFK.

Pas kapitullimit të Italisë dhe për pasojë të rënies së “Bashkimit personal”, vijojnë veprimet që i kemi përshkruar më sipër. Në atë kohë, qyteti i Ulqinit, bënte pjesë në Prefekturën e Shkodrës, e cila zgjodhi si deputetë në organin legjislativ të shtetit, këta persona: Filip Llupi, Mark Gjonmarkaj, Gjon Zef Kastrati, Cafo Alibegaj (Ulqinaku). Ky i fundit ishte deputet i Ulqinit. Më 23 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar mori një vendim sipas të cilit “për arsye të rrethanave të jashtëzakonshme dhe të ngushtësisë së kohës, Kuvendi Kombëtar, me zana të përbashkëta, vendosi, që prej gjinit të tij, të nxjerrë një përfaqësi të përbame nga dy misa (deputetë) për çdo prefekturë, së cilës përfaqësi t’i delegojë të gjitha atributet e Kuvendit për një kohë të pacaktueme”.

Kjo përfaqësi, nuk paguhej por vetëm merrte një dietë ditore. Nga ana tjetër, Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm, mbeti në fuqi deri në formimin e qeverisë së re (më 5 nëntor 1943), si dhe gjatë kësaj kohe, merrte pjesë në mbledhjet e Parlamentit. Prefektura e Shkodrës, u përfaqësua nga Cafo Beg Ulqinaku (për Ulqinin) dhe Filip Llupi (“Bisedimet e Kuvendit Kombëtar 16 tetor 1943‑13 janar 1944, Tiranë 1944). Vetëm pak ditë para se të zgjidhej anëtar i Këshillit të Naltë, më 2 qershor të vitit 1944, Cafo Begu, organizon mbrojtjen e kufijve të Ulqinit dhe të rrethinave të tij.

Në katundin Katërkollë, ai organizoi “Kongresin e përgjithshëm” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha trevave si dhe me pjesëmarrjen e autoriteteve civile dhe ushtarake lokale. Cafo Begu, në cilësinë e deputetit të Ulqinit në Parlamentin Shqiptar, mbajti në këtë kongres një fjalim entuziast, ku trajtoi gjendjen dhe nevojat e shpejta të vendit, për të përballuar edhe ushtarakisht sulmet e sllavëve. Ndër të tjera në këtë mbledhje ai tha:

“Unë e di se shumica e katundarëve janë të bashkuar njeri me tjetrin, por për të realizuar këtë bashkim të vërtetë, duhet që t’i japim njëri‑tjetrit besën e shqiptarit, për të mbrojtur deri në pikën e fundit të gjakut, tokën e të parëve. Kjo është arsyeja kryesore që na detyron sot të bëhemi të çeliktë, të vllazëruar në një bashkim, pa dallime feje dhe krahine, sepse armiku nuk dihet se ku dhe kur do të na sulmojë.

Sot më tepër se kurrë, duhet të jemi të bashkuar, duhet të betohemi para altarit të heronjve dhe atdheut se do të mbrojmë integritetin tonë dhe vëllazërimin tonë! A betoheni ju të pranishmit se: do t’i jepni njëri‑tjetrit besën e shqiptarit? A betoheni se: nuk do ta tradhtoni atdheun? Rroftë Shqipëria! Rrofshin shqiptarët! Shqipëria e shqiptarëve!”

Kjo mbledhje zgjodhi një komitet të përgjithshëm me qendër në Ulqin, i cili kishte dy anëtarë, si dhe të gjitha komitetet komunale me nga tre anëtarë. Në këtë mbledhje, u dhanë nga populli rreth 100 mijë franga ari, për nevoja të mbrojtjes së vendit.

Si erdhi Cafo Ulqinaku në Këshillin e Naltë të Regjencës?

Vdekja e regjentit Fuat Dibra, më 22 shkurt 1944, la një vend të paplotësuar në këtë organ kolegjial, që kryente detyrat e kryetarit të shtetit. Pasi Ibrahim Biçakçiu, kishte refuzuar të zinte vendin vakant, Këshilli i Naltë i Regjencës, emëroi më 25 qershor 1944, pa pëlqimin e Parlamentit, ish‑kryeministrin Rexhep Mitrovica, i cili vazhdonte të mbetej në detyrë deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri.

Situata në fjalë krijoi një acarim institucional midis Regjencës dhe Parlamentit, aq sa, detyroi Rexhep Mitrovicën, të jepte dorëheqjen më 10 korrik 1944, për t’i shërbyer në këtë mënyrë zgjidhjes së shpejtë të krizës. Në këto rrethana, Cafo Beg Ulqinaku u zgjodh nga Parlamenti më 10 korrik 1944, si anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës, në vend të Fuat Dibrës, duke pasuar në fakt Rexhep Mitrovicën (shih “Bashkimi i Kombit”, 11 korrik 1944 si dhe Arkivi Qendror i Shtetit i R.SH., Fondi 246, Viti 1944, Dosja 35). Dy ditë më vonë, më 13 korrik 1944, midis Shqipërisë dhe Gjermanisë u rrit përfaqësimi diplomatik pasi, Martin Schlipp, u emërua ambasador i Gjermanisë në Tiranë dhe Rrok Gera, ambasador i Shqipërisë në Berlin (“Bashkimi i Kombit” 14 korrik 1944).

Ngritja e nivelit diplomatik tregon edhe njëherë statusin ndërkombëtar të Shqipërisë në ato vite. Si anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës, Cafo Beg Ulqinaku mori pjesë në ceremonitë e zhvilluara të betimit të qeverive të Fiqri Dines (18 korrik ‑ 28 gusht 1944) së bashku me dy regjentët e tjerë, Mehdi Frashëri e Lef Nosi (pasi regjenti tjetër Padër Anton Harapi, kishte dhënë dorëheqjen), dhe në qeverinë e Ibrahim Biçakçiut (7 shtator ‑ 25 tetor 1944)

‑Qeveria Dine u votëbesua në Parlament më 24 korrik 1944 (“Bashkimi i Kombit” 25 korrik 1944). Kryeministri theksoi se “ndodhja e trupave gjermane në Shqipëri, ka karakter të përkohshëm të caktuem nga kushtet e luftës”. Ai tha gjithashtu se qeveria e tij, do të kishte vëmendjen tek ideali kombëtar, duke pasur shpëtimi sa të ishte e mundur nga katastrofa.

‑Qeveria Biçakçiu u votëbesua më 14 shtator 1944. Kryeministri tha në fjalën e tij se, qeveria e tij nuk do t’i kërkonte popullit asnjë sakrificë të cilën nuk do ta bënte ajo e para. “Arma jonë më e mirë ‑ tha kryeministri ‑ do të jetë dashunija për atdhe” (shih “Bashkimi i Kombit” 14 shtator 1944).

Aktiviteti i fundit i Cafo Beg Ulqinakut

Afrimi e më pas ardhja e trupave komuniste në Tiranë dhe shpërthimi në masë i luftës civile nga ato, detyroi Këshillin e Naltë të Regjencës dhe qeverinë të ndërprisnin veprimet e tyre dhe bashkë me patriotë të tjerë, të vendoseshin në Shkodër, ku më 18 tetor 1944, zhvilluan një mbledhje në bashkinë e qytetit, për një reagim të mundshëm kundër kryengritjes komuniste, e cila mbështetej dhe nxitej edhe nga Partia Komuniste Jugosllave. Në mbledhjen e Shkodrës, pati dy grupime: njëri ishte për largimin jashtë atdheut dhe tjetri për të qëndruar në Shqipëri. Cafo Beg Ulqinaku së bashku me Lef Nosin, Anton Harapin, Ibrahim Biçakçiun, etj., pëlqyen të mos largohen nga atdheu.

Ky veprim, ndonëse idealist, ishte me pasojë tragjike për shumë nga figurat e njohura të Shqipërisë së asaj kohe. Edhe Cafo Beg Ulqinaku, u arrestua nga forcat komuniste në moshën 62 vjeçare.Nuk dihen shumë gjëra rreth fundit të jetës së tij. Në ato pak të dhëna që kemi, mësojmë se është dënuar politikisht me 8 vjet burg, dhe se ka banuar në Shkodër pas daljes nga burgu. Cafo Beg Ulqinaku vdiq në Shkodër, më 1977-ën, në moshën 85 vjeçare. Disa hollësi në lidhje me jetën e tij i jep një intervistë e vajzës së tij, Lumnie Murteza (Alibegu), e cila banon në Bosnjë Hercegovinë dhe që bashkësia shqiptare atje, me rastin e festës së 28 Nëntorit 2001, e ka shpallur anëtare nderit.

Intervista që vajza e Cafo Beg Ulqinakut, Lumnie Murteza (Alibegu) i ka dhënë gazetës “Kronika” të Ulqinit më 14 maj 2003.

Ky tekst më është dërguar më 19 nëntor 2003, pas një kërkese timen, me anë të e mail nga botuesi i gazetës “Kronika” të Ulqinit z.Ilir Çapuni. Intervista është realizuar në Sarajevë nga Suada Milla dhe po botohet në gazetën “55”, e plotë me ndonjë redaktim letrar. Në këtë, intervistë vajza e Cafo Alibegut, zj. Lumnie Murteza, flet për 13 ditët e vetme të jetës së saj që ajo pati mundësi t’i qëndronte babait të saj.

A ishte lehtë të ishe vajza e Cafo Beg Ulqinit?

Në atë kohë ishte shumë vështirë. Kemi jetuar me një frikë në një anë, ndërsa në anën tjetër kemi qenë krenarë për emrin e tij. Nëna gjithmonë e ka madhëruar dhe lavdëruar para nesh, se kemi qenë aq të vogla kur na ndanë nga babai dhe nuk e dinim se vajzat e kujt jemi. Nëna ka qenë ajo e cila na ka mësuar ta duam dhe ta respektojmë babain tonë.

Ju po flisni në shumës!

Po, edhe në emër të motrës dhe të nënës. Jetonim në Shkodër. Në vitin 1945, unë i kisha katër vjeç, motra një vjeç e gjysmë ndërsa nëna e re, kur na arrestuan dhe na çuan në logor. Se harroj kurrë atë ditë, që është futur në kujtesën time. Babai ishte në ilegalitet, por në shtëpi, kur i pa disa persona me uniforma që iu afruan shtëpisë, ai mori hov të dorëzohej, se e dinte që do t’ia arrestonin familjen, nëse ai nuk dorëzohej. Ai nuk ka dashur të lejojë që ne të vuajmë për shkak të tij.

Nëna, një grua guximtare dhe burrneshë, që babain e donte dhe e respektonte shumë, e luste dhe e këmbëngulte që ai të mos dorëzohej. Në një moment ajo e largoi babain në dhomë, e mbylli derën mbas vetes, më mori mua për dore, e kapi motrën e vogël me gjithë djep dhe i doli ushtarëve përpara. Ushtarët na futën në një makinë, (ndërsa ne kishim të drejtë të merrnim disa gjëra
themelore) dhe na dërguan ne burgun e Shkodrës. Aty na mbajtën katër muaj. Prej aty na çuan në Kuçovë, një vend afër Durrësit. Edhe aty mbetëm disa muaj. Më kujtohet se uji që pinim aty kishte erën e naftës. Prej aty na çuan në Berat, aty një vit. Pastaj në Valias, një fshat i vogël nga i cili më kujtohen disa stalla bagëtish ku rrinim. Edhe aty na mbajtën një vit. Më kujtohet shumë mirë një rast i asaj kohe.

Një ditë, në një dhomë të madhe, ishim duke ndenjur të gjitha gratë dhe fëmijët e llogorit, kur erdhi një grup ushtarësh. I thirrnin gratë një nga një. Kur erdhi radha te nëna, ajo më kapi mua dhe motrën për dore, duke mos ditur se ç’po ndodhte. Njëri prej ushtarëve me disa grada të larta, iu drejtua nënës dhe i tha: “Nëse hiqni dorë dhe e mohoni burrin tuaj, sot ju dhe fëmijët tuaj do të jeni të lirë”. Me ka habitur guximshmëria e nënës sime, një grua e vogël me shtat, por me zemër të madhe, kur me krenari iu përgjigj ushtarit me grada të larta: “Në këtë moment mund të më pushkatoni me të dy vajzat, e unë nuk heq dorë nga emri i burrit tim dhe mbes gruaja e tij deri sa të jem gjallë”.

Ushtarët shikuan njëri ‑ tjetrin dhe u larguan. Babai pasi që mori vesh për këtë rast, e dërgoi motrën e vet, hallën tonë, ta bindte nënën të hiqte dorë nga ai, çka nëna nuk pranoi kurrë. Gjatë gjithë kohës së internimit, nëna punonte punë të vështira nëpër fusha, pastronin gërmadhat e mbetura të pas luftës. Meqenëse kishte edhe shumë familje tjera siç ishim ne, derisa gratë punonin, njëra prej tyre i ruante fëmijët. Valiasi ishte vend-internimi ynë i fundit, prej nga u liruam. Erdhëm në Shkodër, te halla, ndërsa më 1 prill 1948, u kthyem në Tivar, në pasurinë e trashëguar të nënës nga nëna e saj dhe vazhduam të jetojmë me shpresë se do të takohemi dhe të bashkohemi me babën dhe të bëhemi një familje e bashkuar. Në vitin 1952, kemi marrë letër nga babai, ku na lajmëronte se gjendej në burg në Shqipëri, i dënuar me tetë vjet burg, si kundërshtar politik…! Gjatë asaj kohe, meqenëse nuk ishte në burgim të rreptë, ai është marrë me shkrime dhe, kur ka dalë, ka ardhur në Shkodër te motra vet, ku ka jetuar deri në vdekje.

Si e mbani në mend babain tuaj dhe takimin e parë me të?

Dëshira ime e madhe ishte të shihja babain. Nga fëmijëria e mbaja mend shumë pak. Shumë herë kërkuam vizë familjarisht, të vizitonim babain në Shkodër. Pas përpjekjeve të shumta, atë fat e pata vetëm unë. Ishte shtatori i vitit 1974, kur unë, bashkë me dy djemtë e mi të vegjël fituam vizën për Shqipëri. Takimi i parë me babain…(lotët e rrjedhin nëpër faqe), vështirë të përshkruhet. Na priti në atë anë të kufirit dhe shikonte nënën dhe motrën duke i përshëndetur me dorë prej së largu. Ç’të them, u ndamë kur i isha vetëm katër vjeç, dhe e takoja kur isha grua 33‑vjeçare, me dy fëmijë në prehen, ndërsa ai i moshuar‑82‑vjeç. Kurrë s’e harroj…(prapë i mbushen sytë me lot)…një detaj, kur djalit tim të vogël, Arbenit, i thashë “Thirre gjyshin”, ndërsa babai u kthye nga unë dhe tha: “A është e mundur që të më thërrasë mua dikush, gjysho!?. Nuk pata rast të dëgjoj fëmijët e mi të më thërrasin ‑ babë, e shyqyr që ia mbërrita të më thërrasin nipat gjysho”!

Në Shkodër qëndrova vetëm 13 ditë. Babai, edhe pse ishte mjaft i moshuar, ishte i shëndoshë fizikisht dhe psikiqisht, dhe në atë kohë shkruante memoare. Mund të them që vetëm 13 ditë të jetës i kalova me babain tim, gjallë për së gjalli, por në mendime gjithmonë kemi qenë me të. Për këtë dua të falënderoj nënën, e cila gjithmonë më ka folur për të me një dashuri dhe respekt të veçantë. Letrat që i merrnim nga ai i lexonim disa herë. Na thoshte nëna, mua edhe motrës, që ta lexonim letrën e babës.
Isha shumë e re, e i thoja: “Po, nënë, e kemi lexuar”, “E di ‑ thoshte ‑ por lexojeni edhe njëherë”! Kam dëgjuar prej të tjerëve që ka qenë një person i çmuar dhe i nderuar, megjithatë më ka çuditur fakti që vërtetova në Shkodër. Gjatë shëtitjes me të rrugëve të Shkodrës, njerëzit zbritshin nga biçikletat e tyre dhe e përshëndesnin me një respekt të veçantë.

Ishte i vetmi njeri të cilin në atë regjim komunist, atij iu drejtoheshin me titullin beg. Pas 13 ditësh u ndamë përgjithmonë. Ishte një ndarje shumë e vështirë, duke e ditur edhe unë edhe ai që, ky ishte takimi ynë i parë dhe ndarja jonë e fundit. Pas tre vjetësh vdiq në Shkodër, ku dhe u varros më 1976.

Pas këtij rrëfimi mallëngjyes e krenar ta kthejmë bisedën pak për jetën tuaj familjare, martesa, fëmijët, studimet në fakultetin e stomatologjisë që, me sa kam dëgjuar, jeni dhe doktoreshë. E parë e stomatologjisë, femër shqiptare e Ulqinit, ndoshta edhe Tivarit…?!

Znj. Liri: Pasi u kthyem nga Shkodra në Tivar më 1948, u regjistrova në shkollë. Filloren dhe të mesmen i kreva në Tivar. Pas kryerjes së maturës u martova dhe erdha në Sarajevë. Aty u regjistrova në Fakultetin e Stomatologjisë, ku edhe diplomova. Punoj në Fabrikën e Duhanit në Sarajevë, prej diplomimit deri sot, prej ku shpresoj, edhe një kohë të shkurtër do të dal në pension.

Ishit grua dhe nënë kur diplomuat. Si arritët të keni sukses?

Jeta ime bashkëshortore është në një harmoni e vërtetë. Nuk do të kisha pasur sukses sikur të mos e kisha përkrahjen e bashkëshortit tim, Osmanit. Kisha përkrahje të madhe nga ai dhe çdo sukses imi ishte gëzim ynë i përbashkët. Më pyetët për fëmijët. Osmani dhe unë i kemi dy djem dhe krenohemi me ta. Senadi, i madhi, punon si mjek gjinekolog në Qendrën Klinike në Sarajevë dhe njëkohësisht, është asistent në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Sarajevës. Arbeni, djali i vogël, studion në Fakultetin Juridik, ndërsa aktualisht është duke dhënë provimet për shkallën e tretë.

Ishte kënaqësi të bisedojmë me një zonjë, siç jeni ju, në kuptimin e plotë të fjalës.

Ulqini nderon regjentin Cafo Ulqinaku dhe i jep një shembull Shqipërisë

Jo shumë ditë më parë, Këshilli Komunal për Emërtimin e Rrugëve të Ulqinit i drejtuar nga z. Mehmet Bardhi, emërtoi rrugët e Ulqinit, me emrat e disa prej personaliteteve shqiptare, njëra prej të cilëve, Cafo Beg Ulqinaku.

Vini re emrat e rinj të rrugëve të Ulqinit:

1‑Detarët e Ulqinit (Rana)

2‑Hafiz Ali Ulqinaku (Prej majës së pazarit deri në Ranë)

3‑Ymer Prizreni (Mahalla Re)

4‑Cafo Begu (Prej Ranës deri në “Vracar”)

5‑Mujo Ulqinaku (Prej Kinos deri në Galeb)

6‑Bulevardi Gjergj Kastrioti Skënderbeu (Prej Majës të Pazarit deri në Komunë)

7‑Vëllezërit Frashëri (Prej Komunës deri në magjistral në hyrje të Ulqinit)

8‑Mehmet Gjyli (Totoshi)

9‑Kosovës (Pinjeshi)

10‑Nëna Tereze (Prej Komunës deri tek pumpa vjetër)

11‑Teuta (Prej pumpës vjetër deri në Portamilene)

12‑Mehmet Beci (Mali i Bardhë)

13‑28 Nëntori (Prej Pumpës Vjetër deri tek udhëkryqi për Zogaj)

Ndërkohë që rrugë të tjera janë:

14‑Shtojit

15‑Dom Simon Filipaj

16‑28 Dhjetori

17‑Rudaj

18‑Sheshi ne Katërkollë

19‑Shkodrës

20‑Kripores

21‑Kadi Hysen Mujali

22‑Dom Gjon Buzuku

Çështja në fakt ngjalli xhelozinë e autoriteteve qendrore malazeze, të cilën çështjen ia kaluan Gjyqit Kushtetues. Më 5 dhjetor 2003, kryetari i Këshillit Komunal për Emërtimin e Rrugëve z. Mehmet Bardhi, bëri të ditur se më 3 dhjetor, ai ka marrë shkresën e vendimin e Gjyqit Kushtetues me të cilin, ky organ, vendimin e Kuvendit Komunal të Ulqinit për emërtimin e rrugëve, e shpalli si jo kushtetues, me arsyetim se sipas Kushtetutës, tabelat janë dashur të shkruhen më parë në gjuhën serbe e më tej në gjuhën shqipe.

“Kjo, tha z. Bardhi, do të na japë një arsye të mirë për veprim të mëtejmë politik për të sqaruar çështjen e barabarësisë së gjuhëve në Mal të Zi”.

Gjithsesi, Ulqini dhe pushtetarët e tij lokale, me gjithë kushtet jo të favorshme ku ndodhen, i kanë dhanë një leksion kombëtar edhe pushtetarëve të Shqipërisë, të cilët akoma nuk janë pastruar nga mentalitetet partizane dhe bolshevike.

Vetëm pak ditë më parë, një zyrtar i bashkisë së Tiranës që merrej me emrat e rrugëve të kryeqytetit, bëri të ditur për një televizion privat, se në Tiranë 60 % e emërtesave të rrugëve, ishin në përkujtimin të “Luftës Nacionalçlirimtare”. Kjo do të thotë se disa muaj të parëndësishëm dhe për më tepër të dëmshëm të kësaj lufte (realisht luftë civile), na qenkan e gjithë historia jonë. Pse nuk ka në Tiranë asnjë emër rruge si psh Mehdi Frashëri, Padër Anton Harapi, Lef Nosi, Fuat Dibra, apo edhe Cafo Beg Ulqinaku. Edhe një emër rruge që u vu në Elbasan për të kujtuar Lef Nosin, kaloi në disa kontestime socialiste të cilët si gjithmonë e kanë mendjen tek “lufta”. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pas-33-vitesh-ne-74-en-me-lejuan-te-vija-ne-shqiperi-ku-takova-babane-82-vjecar-qe-kishte-dale-nga-burgu-por-deshmia-e-rralle-nga-bosnja-e-te-bijes-se-ish-regjentit-shqiptar/