“Para se të më thërriste Sotir Peci të bënim gazetën ‘Kombi’, unë punoja në fabrikë dërrasash, kurse Konica, kishte xhaxhanë shumë të pasur, në oborrin e Sulltanit…”/ Fjalimi i panjohur i Fan Nolit

Nga Vasil QESARI

Pjesa e dytë

– Shënime rreth dy audio-kasetave të panjohura me fjalën e Fan S. Nolit, mbajtur në 80 – vjetorin e lindjes së tij –

Memorie.al / … Mbrëmë, gjer nga ora tre e mëngjesit, kam qenë në një gjendje shpirtërore, pothuaj surrealiste. Kam ndenjur pranë Fan S. Nolit. Po…! Po ! Pranë vetë Hirësisë së Tij, Fan S. Noli! Po si ndodhi vallë?! Shoqja ime, e mira dhe e sjellshmja Monda Moisiu në SHBA-ës, më bëri kohët e fundit një të papritur të veçantë. Më dërgoi dy audio-kaseta, ku qenë regjistruar fjala e Fan S. Nolit me rastin e 80-vjetorit të lindjes, 50-vjetorit të themelimit të “Vatrës” si edhe e një konference për shtyp dhenë po prej tij, në anglisht. Regjistrimi i kësaj ceremonie, mbajtur në vitin 1962, është një dokument i panjohur gjer tani e, nuk dihet se në ç’rrethana e nga kush është bërë. Cilësia e tij, është mjaft e pastër dhe është ruajtur gjer në ditët tona, nga atdhetari i njohur, 76 vjeçari shqiptaro – amerikan, i nderuari Thanas Laskaj.

                                                          Vijon nga numri i kaluar

BIÇAKXHINJTE DHE KALEMXHINJTE
ose Noli pacifist …

Tashi, për këtë çështje, sot janë pothuajse që të gjithë të një mendje: që problemi i çdo kombi, është problem kryesisht ndërkombëtar, me një posibilitet fare të vogël, për njerëzit e vendit brenda. Ndahemi që të gjithë, kur vijmë në zgjidhjen e këtij problemi. Qysh do t’a zgjidhim atë”?! Dhe Noli, pa dhënë ndonjë përgjigje konkrete, lidhur me fatet e Shqipërisë e cila lëngonte nenë tiraninë komuniste, vazhdon me insistim gjykimin e tij, se në atë kohë, për zgjidhjen e fateve të kombeve, ekzistonin dy zgjidhje, dy shkolla.

Ajo e “bixhakçinjve”, pra e atyre që besonin në zgjidhjen e problemeve të popujve, me përdorimin e jataganit (violencës, luftës) dhe shkolla tjetër, e “kalemxhinjve”, e atyre që mendonin t’i zgjidhin problemet, me anë të kalemit (penës, kulturës, dijes, shkencës, logjikës e diplomacisë). “Pra kemi luftën nga njëra anë e paqën nga ana tjetër. Zgjidhja e jataganit është të presësh koka. Dhe ai nuk do të rrijë rehat, gjersa të presë edhe kokën e fundit të njeriut. Atë zgjidhje jep jatagani. Sikur të kemi një luftë tjetër, s’do të mbetet njeri i gjallë. Kështu, që s’mbetet veçse një zgjidhje dhe ajo është zgjidhja paqësore”! – përfundon Noli, lidhur me këtë çështje…!

HAJDE, MORE RRAPO HEKALI!

Ne nuk e çpikmë patriotizmën shqiptare, por e gjetmë! …Vazhdoj të dëgjoj kasetat me fjalën e Fan S. Nolit e, nuk shkruaj, nuk bëj asnjë koment…! Komentin e bën vetë Fan S. Noli dhe shihni e lexoni më poshtë,se ç’koment i rrallë është:

“(…) Thonë se shqiptarët, s’kanë pasur patriotizëm. Gjë më e gabuar se kjo, s’ka! Hapni ‘Bletën Shqiptare’ të Eftim Mitkos, botuar më 1878, ku ai ka mbledhur këngë popullore, të cilat disa janë të shekullit të 18-të e, ca të shekullit të 19-të. Dua t’i u them, një nga këto vjershat popullore, e cila është në ‘Bletën Shqiptare’ e, që provon katërcipërisht se shqiptaret kanë patur një patriotizëm të thellë, përpara se të fillonte ajo që e quajmë ‘Lëvizja Moderne Shqiptare’ e, që nis nga koha e Kristoforidhit, më 1875.

Vjersha popullore, që do t’i u dekllamoj tani, është shkruar më 1850, kur u bë Kryengritja e Labërisë, në kohën e Tanzimatit. Turqia donte të impononte Tanzimatin, një kanun të përgjithshëm për të gjitha viset e Turqisë. Domethënë, që edhe ca të drejte të pakta qeverisëse, që kishin shqiptarët, do t’u marrte e, kështu vend të robërohej fare. Populli u ngrit. Kryetarët e kësaj lëvizje, qenë Rrapo Hekali, Hodo Nivica dhe Gjoleka. Kënga që do t’i u thom tashti, është kënga e Rrapo Hekalit. Është vetëm njëmbëdhjetë radhë. Do t’u a thom, se m’a kujton Faiku, i cili gjithmonë e mbante në gojë dhe e dekllamonte. Dhe pastaj do t’u a analizoj prapë:

Hajde, more Rrapo Hekali,
Kur thërret sa tundet mali !
Hajde, more Rrapo o lule,
Lumthi ti bilbil që zure,
Një pasha me shtatë tuje,
Topi bam e, ti po tutje,
Plumbat të binin mbi supe,
As u trembe as u tute.
Se Hodo Nivica shkoi,
Kofshën derrit ja dërmoi,
Ngriti flamurin te kroi.
Pse lëfton, o derëzi?
As për mua, as për ti,
Po për gjithë Shqipëri!

Hapni ‘Bletën Shqiptare’ të Thimi Mitkos, që të gjeni këtë këngë, të shkruar jo me vonë se 1850. Ato tri radhët e fundme, tregojnë se cili ish qëllimi i asaj kryengritje. Ish për tërë Shqipërinë. Tashi do t’u bëj një analizë të parë, që të shikoni se kjo vjershë, me këto njëmbëdhjetë radhë, është një kryevepër e vërtetë, të cilën mund t’a shkruante një nga poetët e parë të botës. Shikoni, tashi, se si e përshkruan, Rrapo Hekalin. Në kohën e tij s’kishte telefona. Edhe Rrapo Hekali, kur thërriste labërit, të mblidheshin për të bërë luftë, i vetmi telefon që kish, ishte zëri i tij. Edhe shikoni sa bukur e përshkruan:

Hajde, more Rrapo Hekali,
Kur thërret sa tundet mali!

Kur bërtiste: E, e, e, e, or shokë?! Edhe tundej mali, të tërë labërit e dëgjonin dhe që të gjithë mblidheshin. Tri radhët e pastajme:

Hajde, more Rrapo, o lule,
Lumthi ti, bilbil që zure,
Një pasha me shtatë tuje.

Pra, pashai që zure ti, kishte shtatë tuje. Tujet ishin tamam si ato yjet, që mbajnë gjeneralët e Amerikës. Kemi gjeneralë me një yll, gjeneralë me dy yje, me tre yje dhe me katër yje. Përmbi katër yje, s’ka gjeneralë! Gjithashtu edhe në Turqi, kishte pashallarë me katër tuje, por jo pashallarë me shtatë tuje. Po vjershëtori, do të thotë se çfarë pashai zuri. Ay pasha, qe dy herë sa pashallarët e tjerë, domethënë, gjenerali më i mirë i Turqisë. Edhe këtë, e shtypi Rrapo Hekali…! Shikoni tashi, ato tri vargjet që vijnë pas. Çfarë strategji, çfarë taktike mbajti Rrapo Hekali, që e shtypi këtë gjeneral, të dorës së parë të Turqisë?

Topi bam po ti po tutje,
Plumbat të binin mbi supe,
As u trëmbe, as u tute.

Domethënë, me një trimëri të thjeshtë dhe asnjë zanat, asnjë mjeshtëri tjatër. Tashi, ç’gjë e ndizte, ç’gjë e shkaktoi këtë hov të pathyer të shqiptarëve? Vjershëtori na i thotë përsëri me tri radhë:

Se Hodo Nivica shkoi,
Kofshën derrit ja dërmoi,
Ngriti flamurin te kroi.

Ai derri të cilit Hodo Nivica, ja theu kofshën, ishte turku. Flamuri te kroi, ishte flamuri i kryengritjes, flamuri i lirisë. Edhe më në fund, qëllimi për të cilin bëhej e tërë kjo luftë? Prapë, përsëri në tri radhë, t’a thotë vjershëtori. Ustai i madh, nuku humbet shumë fjalë. Dy-tri, mjaftojnë për të:

Pse lëfton, o derëzi?
As për mua as për ti,
Po për gjithë Shqipëri!

…Kështu që ne nuk e inventuam, nuk e çpikmë patriotizmën shqiptare, por e gjetmë. E vetmja gjë që bëmë, është që atë patriotizmë, që egzistonte midis shqiptareve, u përpoqmë t’a organizojmë, t’a kanalizojmë. Vetëm atë gjë bëmë! Tashi, arsyeja për të cilën na vajti puna mbarë, ishte se kishim një popull me të vërtetë, i cili e deshte Shqipërinë. Një popull i cili, jo vetëm kish patriotizmë, virtutën e patriotizmës, por që kish edhe disa virtuta të tjera, nga të cilat, do të numëroj vetëm një, që na i kanë thënë që të gjithë të huajtë që kanë vizituar Shqipërinë. Kur hyri Shqipëria në Lidhjen e Kombeve, përfaqesonjësi i Hindit, i cili aherë rastisi të ish një muhamedan, Muhamed Aliu, bëri këtë lëvdatë për shqiptarët:

Sot, tha, bëmë punën më të bukur, që qasmë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Sikur të studjoni historinë e gjithë kombeve që janë çliruar, nuk do gjeni asnjë shëmbëll, si këtë që shohëm sot në Shqipëri. Shqipëria është i vetmi vend, në të cilin tri fe të ndryshme, pasanikët e të cilave kudo gjetkë, therren me njëri-tjatrin, janë bashkuar, për të krijuar një shtet indipendent. Ky është i vetmi në botë, në të cilin, muhamedanë, orthodhoksë e katolikë, janë lidhur që të gjithë, e kanë bërë një shtet indipendent. Edhe ky vend, nga sa di, është i vetëmi vend, që ka një shumicë muhamedane dhe na dërgon këtu, si përfaqësonjës, një peshkop orthodoks.

Shumë nga tanët thonë, që Shqipërinë e krijoi një pakicë. Shumë e vërtetë! Po, kjo është historia e gjithë kombeve të botës. Merrni, për shëmbëll Hindin, me 400 qind miliunë. Kush e çliroi? Mahatma Gandi. Edhe, Mahatma Gandi, ç’thoshte kur nisi lëvizjen e tij?! E para e punës: Pa armë do t’a marr, pa luftë! Edhe e mori. Pra e fitoi lirinë e Hindit, pa armë. Dhe me sa veta, thoni? Ai thosh: Më mjafton të kem 25 mijë njerez si ushtarë, të cilët të bëjnë pikërisht, ashtu siç u thom. Edhe aq kish, nuk kish më tepër…! Dhe me ata e bëri Hindin! Pa luftë. Pa shkrehur dyfek. Atë bëmë edhe ne. Ishim të pakët këtu. Numëroheshim me gishtërinj…”!

“MESELE” TE RREFYERA NGA HIRESIA E TIJ,

përkthyesi i Omar Khajamit…!

…Edhe pse s’kish bindje të thella e të forta fetare, Noli u dorëzua prift, më 1908 dhe ish qysh atëhere, që ai filloi luftën e tij këmbëngulëse, për shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare, nga Kisha Greke, duke bërë shërbesa shqip, duke shqipëruar libra fetare, etj. Kjo gjë për atë kohë, kish rëndësi politike sepse, i priste udhën synimeve shoveniste greke, te shqiptarët me besim kristian ortodoks, e më gjerë. Por pikërisht, nga fjala e tij, unë që e kam lexuar e adhuruar jo pak Nolin, kuptova edhe një herë tjetër, se përse ai, autori i përkthimit të përkryer në shqip të Rubairave të Omar Khajamit, në thelb, nuk kish qenë vërtet njeri i përkushtuar fanatikisht pas Zotit e, se veprimtaria e tij kishtare, kish patur në radhë të parë qëllime kombëtare.

Ja pse, në 80-vjetorin e lindjes, themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare, normalisht nuk do të ish as e udhës, as “protokollare”, që t’i lejonte vetes të tregonte “mesele” të tilla, si këto më poshtë. Por, kjo gjë ka ndodhur jo rastësisht e, Peshkopi, do të qeshte bashkë me pjesëmarrësit në sallë, me historitë e rrëfyera prej tij, duke bërë kështu, që Zoti pa dyshim, të mos shihte në personin e tij, një shërbëtor të përdëllyer…!

“Si klerik – rrëfen Noli – do të nis me përrallën e një prifti. Një prift, njëherë, shkoi me popullin për të shpënë të vdekurin në varret. Udhës, pranë një pylli, prifti tha: Qëndroni një minutë këtu, se kam një punë! Arsyeja për të cilën ay qëndroi nuk u marr vesh dhe, njerëzia, po çuditeshin si e la të vdekurin atje. Kur, pas pak, prifti u kthye nga kisha me një dyfek dhe u tha: Heshtni! Dhe ja krisi pushkës. Ja këtë punë kisha që ju thashë të prisni këtu, i sqaroi pastaj ai njerëzit. Aman, or uratë! Po na le të vdekurin ne mes të sheshit, që të vraç një ljepur?! – i thanë ata. Budallenj, u a ktheu ay, i vdekuri pret, ljepuri nukë pret…”!

Ja një tjetër mesele, po për priftërinjtë të cilën, siç thotë Noli në fjalën e tij, ja pat treguar Luigj Gurakuqi: “Një prift i ri, vajti në malësi të bënte meshën e tij të parë. Natyrisht, me që ish sermoni i tij i parë, ndenji tërë natën i shkreti dhe e shkrojti, e zografisi atë dhe e bëri, që lere mos e nga, të çuditej dunjaja. Edhe, pasi e qëndisi, në fund kjo ishte konkludja e tij, konkludja e sermonit: Nëqoftese i bëni këto që u them të gjitha, nuk do të shkoni në ferr, në xhehnem, por do të shkoni në xhenet! Ky ishte fundi i fjalës. Po, pa arrirë në gjysmën e fjalës, një nga malësoret, u ngrit e i tha: Dom Nikolla, të paçim uratën, aman mbaroje atë fjalë, se na u dogj fërliku.

(Fërliku është mishi i pjekur në hell). Prifti i shkretë, kur e dëgjoi atë, u ngatërua edhe e shkurtoi fjalën, duke shkurtuar kështu edhe predikimin. E në vend që të thoshte, po të beni këto, nuk do shkoni në ferr, po në parajsë, u tha: Nëqoftëse i bëni keto, jam i sigurtë se, do të shkoni që të gjithë në ferr, në xhehnem. Të lumtë goja! – i tha një nga malësorët – Se je i pari prift, që na thua të vërteten…”!

“KOMBI” U MBAJT NDEZUR

nga Zjarri i Shenjtë…!

… Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit, më çon me kujtime larg, në rininë time. Më kujtohet kur shkoja te miku im i vjetër, Sotir Koçi, te i paharruari “Bukinisti Mendel” (i cili vdiq para një viti, në moshë relativisht të re, nga një sëmundje banale ). Qe pikërisht aty, që kam parë për herë të parë koleksionet e gazetave “Drita” (1901-1908), që ish botuar në Sofje, nga Shahin Kolonja si dhe “Kombi” të Sotir Pecit e, “Dielli” të Kosta Çekrezit, në Shtetet e Bashkuara. Si kishin mbëritur ato koleksione të vyera, gjer te ateljeja e “Bukinistit Mendel”?!

Kjo gjë ish një mister, diçka tepër e fshehtë por, me sa dukej, burimi i tyre, duhej të ishte biblioteka e shquar e eruditit vlonjat, Eqerem Bej Vlora, e cila qe një ndër më të vyerat në Ballkan e, që pas çlirimit, u trajtua shumë keq e “firoi” andej-kendej, nëpër vite. Por, le të vijmë përsëri te fjala e Nolit e, te kujtimet e tij për gazetën “Kombi”, e cila ish nena e “Diellit”, gazetës që ndriçoi për vite të tëra, mendjet e zemrat e shqiptarëve të Amerikës…!

( … ) “Kombi-n e themeloi Sotir Peci edhe u gëzova shumë që dëgjova nga miku ynë, Antoni Athanas, që e përmendi atë. Sotir Peci, hapi këtu edhe e nisi gazetën ‘Kombi’, në qershor 1906. Nja dy muaj pas kësaj, i dërgova atij një fjalë, që kisha mbajtur në një mbledhje shqiptare edhe ai e botoi atë e, pastaj më shkroi një letër, që nëqoftëse s’ke atje ndonjë punë, eja këtu që të përpiqemi tok, t’a botojmë këtë gazetë, se më duhet një ndihmë. Unë kisha punë, por një punë e cila nuk më pëlqente, punë në fabrikë të dërrasave. Kështu që e lashë me gëzim të madh fabrikën e, ardhçë këtu në Boston, për të bërë një punë e cila më përshtatej me tepër, sipas qëllimit që kisha, për të bërë diç për çështjen kombëtare.

Edhe, i pari mision që me ngarkoi Sotir Peci, ndjestë pastë, ishte të dilja kollonive e, të mblidhnja pajtime. Vajta në Mançester, mblodha një pajtim. Pastaj vajta në Konker, Nju Hemsher dhe atje, s’mblodha asnjë pajtim, se aty një shqiptar ishte, e ai kish paguar. Pastaj vajtëm me Tilin tok, në Penibuk. Aty s’bëmë asnjë. As kishte ndonjë pajtimtar, as bëmë ndonjë të ri. Hynim në një konak dhe konakun e gjenim të zbrazur. Hynim në një tjatër konak, prapë të zbrazur. Po këtu, s’ka shqiptarë…?! Jo, ore, ka! – na thanë – Po iknë, vanë në avlli, posa dëgjuan që po afroheshim.

Pastaj vajtëm në Bidiford. Atje pata një sukses shumë të madh. Mblodha dy pajtime. Pastaj në Ogastamejn. Atje mblodha një pajtim edhe më në fund në Rollandmej, një pajtim. Që të gjitha, më duket u mblodhnë, nja 24 dollarë a 25, nga të cilat më tepër se gjysma, shkuan udhës. I solla kusurin Sotir Pecit dhe konkludja, qe kjo: E po bëhet, ore, punë kështu? – tha ai. Sikur të thashë unë, se bëhet? As bëhet, as është për të bërë! Kjo puna jone, s’ka as nisje, as fund…! Kështu e gjetmë çështjen shqiptare aherë. Asnjë organizatë! Kishte vetëm një, dy a tre persona, të cilët nxirrnin nga ana e tyre, disa gazeta. Kishim Shahin Kolonjën, që nxirte ‘Dritën’ tok me Kristo Luarasin. Kristo Luarasi, ishte shumë i zoti si shtypës. Kish një shtypëshkronjë e, qe i zoti i punës. Good bussinesman, jo se e ndihmonin shqiptarët…!

Ishte Faiku, i cili, si rronte? Faiku rronte, se kish një xhaxha shumë të pasur, në pallatin e Sulltan Hamitit. Edhe kështu shakaja, i gjyshi punonte për Sulltan Hamitin dhe përkrahte Faikun, i cili punonte kundër Dovletit, për të krijuar Shqipërinë e lirë. Si pajtohet, kjo gjë e çuditëshme? Ay i shkreti, s’kishte djem, kish vetëm çupa. Faiku harxhonte më tepër se ç’kish, edhe çdo muaj, i dërgonte billin xhaxhait. Xhaxhai menjëherë çekun. Dhe kështu dilte gazeta atje. Pastaj ardhën xhonturqit dhe e vrane xhaxhanë, edhe u mbarua puna e Faikut. Mori fund! Edhe ardhi këtu në Amerikë që të rrojë me ne.

Sidoqoftë, pas atij ardhi Peci. Ardhi Peci dhe nisi një gazetë, jo se kish ndonjë përkrahje nga populli. Puna e shqiptarëve ishte kjo: Naum Cerja, thosh nje shaka shume të bukur. Kishin një mbledhje dhe, në atë mbledhje, foli Faiku e folë të tjerë. Edhe, kur mbaroi mbledhja, e pyeti Faiku, Naim Cerjen, e i tha: Si t’u duk kjo mbledhja? Ore, kur ti the një fjalë dhe kër…kër…më rrodhnë lotët. Po pse u mallëngjeve? pyeti ai. Po, u mallengjeva, ore, kur the se me shqiptarë si ju, jemi të sigurtë se puna do na vejë mbarë. Epo, s’është e vërtetë kjo? Jo, mor – tha – si e vërtetë?! Shqiptarë, ti edhe unë ishim, ne të dy – tha. Ata të tjerët, ishin sehirxhinj – tha.

U hynte nga njëri vesh e, u dilte nga tjetri. Andaj më zunë lotët – tha. Mirpo, bukuria është, që ndonse e nismë me aq pak vetë, puna na vajti mbarë. Pse? Se ata të pakët që e nisnë, e kishin zjarrin e shenjtë, siç thote frëngu, “le feu sacré”. Kishin zjarrin dhe arrinë që ate zjarr, t’a kishin një pakicë e vogël. Edhe pakica e vogël, nëqoftëse ka një fushë ku të punojnë, mbarojnë punë. Edhe fusha ishte, sikundër u thashë, se shqiptarët ishin patriotë, shumë më përpara, nuk i bëmë ne patriotë. Ishin. Dhe ishin të zotët dhe ishin trima. Deshën vetëm udheheqës, edhe perëndia u dha ca udhëheqes për rilindjen e tyre e, keshtu u vajti puna mbarë”!

QE “DIELLI” TE VAZHDOJE TE NDRIÇOJE
edhe pa rekllama…!

“… E nismë ‘Kombin’ dhe pastajza, pas tre vjetësh, Sotir Peci shkoi. Këtu, tha s’bëhet punë, unë do shkoj në Shqipëri. Edhe shkoi për Kongresin e Manastirit ahere e, pastaj mbeti në Shqipëri. Pastaj vajti në Shkollën ‘Normale’, siç e dini edhe me ne fund, u bë një nga pjesëtarët e Këshillës së Regjencës. Po sido qoftë, nga ‘Kombi’ lindi ‘Dielli’. Kur shkoi Sotir Peci, na la këtu një shtypshkronjë. Ajo shtypshkronjë ish në 100, Hapson Street, në një katua. (…) Aty bënte shumë fohtë, kishim një sobë e cila, nuk na ngrohte, por vetëm na tymoste. Si e shtypnim ‘Diellin’ ne? E rradhitnim vetë dhe më vjen keq, që nuk ndodhet ketu, Thimaqi, që ishte kryeradhitësi e nga i cili, mësova edhe unë zanatin e rradhitjes së shtypit. Me atë tok, e rradhitnim e pastaj, në mashinën me të cilën e shtypnim vetë, me këmbë. Amerika s’kish përparuar aq shumë aheraj, sa të përdorej elektriku në mashinat.

Shkurt, si shkoi Sotir Peci, mashinat mbetën të gjitha atje, siç ishin, të pa paguara. Edhe u mbluadhtin ca nga djemtë që kishin dhenë paratë, pagesën e parë kur i bleu dhe thanë: Ç’do t’i bejmë këto? Ca thane, që t’i shesim, ca thane, jo të mos i shesëm, po të vazhdojmë gazetën vetë. Të nxjerrim një tjatër gazetë. Se s’mund të nxirnim ‘Kombin’ pa lejen e editorit. Por që të mundnim të nxirnim një tjatër gazetë, duhej të pagunaim një herë mashinat, të cilat ishin të papaguara. Kështu që u mbluadhnë nënë kryesinë e Kristo Qirkës, ndjestë pastë edhe të Misto Millonait, i cili mblodhi disa nga dardharët, Kristo Qirka mblodhi ca prej korçarëve, si edhe Dhima e Goni Pitërson dhe këta i paguan të gjitha këto, e thanë: Ja ku i keni mashinat, hajdeni nxirrni gazetën!

Dhe kështu nismë ‘Diellin’, pikërisht me atë methudhë me të cilën nxirnim edhe ‘Kombin’ e Pecit. E rradhitnim unë tok me Thimaqin’ edhe pastaj e shtypnim në atë katuan e mbytur me tym, duke punuar me këmbët. Po ishim djem aherë, shumë trima, shumë të shëndoshë. Kjo gazetë’ e nisur me tërë ato varfërira e me tërë ato mundime, nisi më 15 të shkurtit 1909. Më 5 nëndor 1915’ u bë e përditëshme. Më përpara dilte një herë në javë, pastaj dy herë në javë, pastaj tri herë në javë’ e pastaj dolli e përditëshme’ kur ishte direktor, ndjestë pastë, Kostë Çekrezi, i cili midis vyrtutave të tjera’ kish vyrtutin që ishte një punëtor i rrallë. Ndoshta punëtori më i madh’ që ka nxjerrë Përlindja Shqipëtare.

Tani, duhet të kini përpara sysh një gjë: ‘Dielli’ përparoi e arriu të bëhet e përditëshme e, vazhdoi disa vjet kështu. Pastaj botimi i tij u rrallua, sepse gjysma, më tepër se gjysma e shqipëtarëve më të mirë që kishim këtu, u sulnë si bagëtia, si kope edhe u kthyen në Shqipëri, posa që u hap vendi. Dhe kjo e sakatosi lëvizjen kombëtare të këtushme. Vanë atje dhe kujtonin se kur të ktheheshin, do t’a gjenin përsëri derën hapët. Kur u mejtuan që të ktheheshin këtu, dera ishte mbyllur e, s’vinin dot. Por, sidoqoftë, me gjithë ato mundime, ‘Dielli’ vazhdoi. Po si vazhdoi…? Këtë, duhet t’a kini gjithënjë përpara sysh. ‘Dielli’ nuku mund të mbahej vetëm me pajtime. Po të pyeç mirë, asnjë gazetë në botë, nuku përmbahet vetëm me pajtime.

Përmbahet me rekllama. Edhe ne, rekllama nuk kemi, natyrisht pse, ai publik që e këndon, është shumë i limituar e, askush nuk rekllamon, pa pritur që të marrë fitime nga ajo rekllame. Kështu që s’duhet të dëshpërohemi, kur shikojmë se nga koha në kohë, ‘Dielli’ ngec e pret ndihmën tonë. Tashi, ç’mund t’u thom për vazhdimin e ‘Diellit’? E vetmja gjë që mund t’u thom’ është kjo. Kështu siç bëmë këtë mbledhje të bukur sot, që mblidhemi nga të gjitha anët e Amerikës e, piqemi e çmallemi, do të ish mirë që të mblidhemi çdo tre vjet, e kështu të ndihmojmë edhe ‘Diellin’. Se ka edhe një tjatër qëllim, kjo mbledhje. Nuk jemi më djema dhe ngadalë e ngadalë, hesapi ynë po shkurtohet e mbyllet. Kështu që është mire, të piqemi çdo dy a tre vjet. Se kush e di, se kur piqemi prapë”! (…)

… Unë nuk e di në se, sot, shqiptarët e Amerikës, piqen ashtu siç uronte e dëshironte Noli, në çdo dy a tre vjet. Nuk di në se ‘Dielli’ del pa pengesë e’ pa patur nevojë për “rekllama”. Nuk di, në se ata për të cilët flet Fan S. Noli, pra, ata “…miq shumë të çmuar, dorëhapur, të cilët kanë bërë pllane që të shigurojnë përjetësinë e ‘Diellit’ edhe të ‘Vatrës…”, jane ende gjallë e’ vazhdojnë të mbrojnë kauzën e saj dhe gazetën në fjalë. Por, ndërkohe di se, mbas këtij takimi jubilar, ku u mbajt fjalimi i fundit public, i rilindasit tonë të madh, ku ai la, si të thuash, Testamentin e Tij, Noli vdiq. Ai u shojt pas tre vjetësh, atje në shtëpinë e tij modeste, në Fort Lauderdale të Floridës, më 13 mars 1965…! Memorie.al


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/para-se-te-me-therriste-sotir-peci-te-benim-gazeten-kombi-une-punoja-ne-fabrike-derrasash-kurse-konica-kishte-xhaxhane-shume-te-pasur-ne-oborrin-e-sulltanit/