“Para se të kthehesha në Memaliaj, ku isha me dënim si minator, takova Bashkim Shehun te ‘Peza’dhe kur folëm për Kadarenë, ai më tha…”/ Dëshmia e panjohur e shkrimtarit dhe poetit Sadik Bejko

Nga Sadik Bejko  

-“Pija konjak me djalin e Kryeministrit, kur andej nga vija unë, çdo brigadier këmbështrembër miniere, mund t’më bërtiste e t’më thoshte sa herë t’i donte b…: ‘Do të të kalb në minierë të gjallë ty, Sadik Bejko”!-

Memorie.al /  1. Nuk do të marr pozicionin e kritikut për të shkruar një hyrje mbi tregimet e Bashkim Shehut. Do t’më duhej të vija në punë një tjetërsoj diturie. Por jo vetëm për këtë. Do t’më dukej se po bëja një lloj dredhimi, njëlloj si me hedhjen e një çarçafi të ftohtë përmbi to. Për ta thënë më hapur: nuk mund të jem i ftohtë dhe i prajtë, ndërsa nis dhe shkruaj mbi to. Bashkim Shehu, që në dukjen e tij si shkrimtar në librin me tregime “Një kohë tjetër”, pastaj me skenarin e filmit “Skëterrë ‘43″, kishte kuptuar se fjala e shkruar, mund të flasë për diçka dhe të të kujtojë diçka tjetër. Ai e kishte të fituar a të lindur aparatin e të shkruarit në mungesë të lirisë, të lirisë së fjalës.

Ne, të gjithë ne, që vijmë nga kohë të trishta, sa e gërvishtim pak tokën ku hedhim hapat, na hapen gropa. Gropa jo nga ato që lënë këpucët mbi dhé të hupët. Jo të tilla. Gropa që zbresin më thellë nga sa ia pret mendja njeriut. Gropa që hapen dhe papritur këmbët zhurmojnë tek ecin mbi një realitet tjetër. Mbi realitetin e së djeshmes jo të largët, por që për ne, të gjallët e sotëm që vijmë prej saj, ai realitet është më i gjallë edhe se vetë ne, edhe se vetë jeta jonë në të jetuarin e sotëm. Mbase është tragjike që një brez, jeton kështu në dy realitete njëkohësisht.

Por ne nuk jemi aq të aftë sa me një gur të mprehtë si tehu i thikës, ta presim atë kërthizën që na lidh me kohën tonë të së djeshmes. Sido që fati na hodhi kështu pa mëshirë, nga një kohë në një kohë tjetër, në njerëz, në breza, në zakone, në ligje, në shtete, në struktura e në ujëra të tjera jete. Ne prapë marrim frymë me mushkëri të dyfishta. Marrim frymë me dy palë gypa, kohe dhe jete. Me dy gabzherr, dy palë trake. Një palë trake të vëna diku mënjanë, nën hije, strukur ndënë palën tjetër, ndënë ato të së sotmes, me të cilat marrim frymën e gjallë të përditshmërisë.

Ne, duam nuk duam, do të jemi kështu të dyfishtë, për të mos thënë se shtresëzimet tona, si te të gjithë njerëzit e tjerë, nganjëherë shkojnë dhe më tej se ne. Pa mund të frymojmë dhe me mushkëritë e gjyshërve dhe të katragjyshërve tanë. Ne jemi njerëz. Edhe me gjymtimet kohore, a me ato të tjerat që pandehim se nuk janë të tilla. Kohët nuk mund t’i ndajmë më dysh, më trish, më katërsh sikur të prisnim kërcunj. Siç ndan sharrëxhiu trungjet për t’i bërë më të volitshëm në mbartje a për t’i sjellë në masën sa të futen në furrë, në oxhak a në sobë.

Harrojnë që trupërisht kjo mund të jetë e arritshme. Por, harrojnë që shpirtërisht ka diçka që nuk e pret as koha, as hapësira, as politika, as ideologjitë, as dimrat, as thatësirat. Dhe prapë ne jetojmë dhe veprojmë në të sotmen, në të përditshmen. Jemi qenie njerëzore të gjalla. Në rrafshin më të thellë jemi qenie që frymojmë universalisht.

Këto që thashë deri tani, janë mbresat që më la leximi i tregimeve të këtij libri. Këtu do të hap nja dy paranteza. Në vijim, merret vesh se ç’lidhje kanë ato me sa po shkruaj.

2.

25 shkurt 1974

Po mbartja tim bir dhjetëditësh në duar. Nga Tirana në Gjirokastër. Me tren deri në Fier. Krahët i kisha bërë djep për foshnjën time. Në Fier, një mik i familjes së gruas, Abdiu, shofer i një “Skoda” autobot, na priti dhe që të katërt u futëm në kabinën e tij. Gruaja lehonë u plandos. E kish zënë makina. Vjehrra që vuante nga veshi i mesëm, u plandos edhe ajo më keq se e bija. Të dyja si të alivanosura. Xha Abdiu në timon. Unë me krahët djep. Kështu që nga Tirana, më duhej ta çoja kërthiun tim në Gjirokastër. Abdiu rrugës më jepte muhabet dhe unë në siklet, po prapë ia ktheja.

Të dy gratë (ëmë dhe bijë) ishin më shumë të vdekura se të gjalla. Po rruga duhej bërë deri në fund. Më dhembnin krahët dhe muskujt më shumë se sa një muaj më parë (20 janar), në javën e parë të fillimit të punës si minator në minierë. Në ato ditë, kur nga një njeri që mbante në duar lapsin a stilolapsin, provova të tendosem që të shtyja një ton hekur, që është vetiu vagoni i minierës, shto dhe një ton qymyr të ngarkuar përmbi të. Por kjo pesha e kërthiut, ngurtësimi i krahëve në një rrugë që atëherë zgjaste 12 orë, qenkej ku e ku më e brishtë dhe ku e ku më e rëndë se sa ajo e hekurit dhe e mineralit të ngarkuar, në kupëzën metalike sipër tij. Është jeta jonë. Mbase më e rëndë dhe më e fortë dhe sesa hekuri.

Këtë të mirë të degdisjes nga Tirana në minierë, siç u tha, po ma bënte Kryeministri. “Ai është shpatë, të keqen xhaxhi, ai është shpatë e revolucionit. Po ai është sa i drejtë, sa i mirë. Po ta marrë vesh cili je ti i vërteti, ai qan, të keqen xhaxhi”. Kështu më thoshte një poet dhe ish-luftëtar, L.Q. Por, cili isha unë “i vërteti”, nuk e mori vesh as ai, Kryeministri, dhe askushi tjetër. Dhe ja tani: një bebe dhjetëditëshe, dy gra të dërrmuara, një baba që për të mbajtur birin e tij ka vetëm krahët, në një autobot të shkalafitur, një rrugë zhavorr e gropa. Ku shkonim? Përpara na prisnin fyerje, refuzim, dhunim, përjashtim, nëpërkëmbje.

3.

Verë 1978

Miqtë e mi R. M. dhe A. I., poetë dhe dashamirë të librit tim të vetëm me poezi “Rrënjët”, më thonë që të takoj Bashkim Shehun. Ne kemi folur me të për ty, më thanë, dhe ai mund të të takojë. Qaja hallin dhe mbase ndikon tek i ati që të shpëtosh nga miniera. Eh, mendje poetësh. Por, po tregoheshin miq. Atëherë, që nga 1974-a, siç e thashë, kështu ishte hapur fjala: me një urdhër arbitrar të Kryeministrit, kisha marrë dënimin për në minierë. Thellë-thellë e dija që nuk ishte kështu, por ç’humbisja po ta takoja të birin, Bashkimin. “Ai është shkrimtar dhe djalë i mire”, më thanë miqtë e mi. Shkrimtar. Edhe unë i kisha lexuar disa tregime të tij, botuar në revistën “Nëntori”. Më patën pëlqyer. “Ai është shkrimtar, djalë i mire”, ngulmonin miqtë e mi.

4.

Nuk e mbaj mend se si ma rregulluan, por unë dhe gruaja ime, që ishim vendosur në hotel “Arbëria”, u takuam disa herë me të. Te bari i hotel “Pezës”, po pinim të mbështetur në banak. Ai i kthente kllup e kllup gotat e fërnetit të lyera me sheqer te buzët. Nuk i kapte gotat poshtë te froni, por te buzët dhe vetëm me dy gishta. Se si i jepte kokës pas dhe këlltup. Një trill prej adoleshentësh, që duan të duken më të mëdhenj nga ç’janë. Gruas sime i kishte bërë shumë përshtypje ky gjest i tij dhe më pas do t’ma përmendte shpesh.

Isha i shkrirë në një shtendosje, gjer në shkartisje. Isha i ç’kontraktuar e krejt i shpenguar, që në takimin e parë me të. Kisha vite, për të mos thënë që rrallë më ndodhte kështu. Ai kishte aftësinë të të bënte për vete, të ishe i lirshëm. Por edhe se e gjitha kjo po më dukej tej reales, tej së ëndërruarës. Pija me djalin e Kryeministrit, kur andej nga vija unë, çdo brigadier këmbështrembër miniere, mund t’më bërtiste e t’më thoshte sa herë t’i donte b…: “Do të të kalb në minierë të gjallë ty, Sadik Bejko”!

Ky djalë me një palë pantallona kadife bojë preshi, me një palë këpucë nga ato që mbathnin nevojtarët: poshtë gomë makine, sipër lëkurë e trashë me vesh, si ato të artizanatit fshatarak…! O perëndi, dhe kaq i lirshëm. Biseda, siç thashë, na ngjiti sikur të ishim takuar edhe dje. Një djalë i hajthëm, trup elastik, lëkura e fytyrës e hollë, pak e zeshkët dhe aq e freskët, me një djersitje të mustaqeve dhe të mjekrës, sikur thekra të zeza e grunjëra të pabëra të ishin lëshuar butë në faqet e tij palcë të njoma.

Aq e njomësht, aq e butë dhe ajo buzëqeshja rinore. Ky na ishte, vërtet ky na ishte, djali i atyre që vrenjtnin dhe kthjellnin në Shqipëri? Mbi të gjitha unë po takoja një njeri të sigurt e të lumtur. Gjë e rrallë kjo. Dhe sa e bukur. Një njeri i lumtur.

Një miku im i dikurshëm, S. M., që siç duket na kish vërejtur, më hoqi mënjanë dhe më thotë: “Shiko, je bërë si i lëngështuar dhe i përbaltur fare. Jo kështu ju që vini nga klasa punëtore, ju që vini nga frontet e mëdha të socializmit. Le të jesh i dënuar, më tha, po ti je i fronteve të klasës punëtore. Nuk të ka hije të jesh kaq i miqësuar dhe i serviluar me ata lart”. U çudita. Po ç’donte ai aty? Sikur t’më paskej ndjekur, se ç’po bëja e se nga shkoja. Herë të tjera nuk më kishte folur. Nuk ia vara. Kush i’a kishte ngenë këtij dhe atyre që thoshte ai.

Ky djalë “nga lart”, ishte vërtet një mrekulli. Si i rënë nga qielli, të thoshje. Unë nuk e kisha menduar se mund ta shihja, pale që ta takoja e të pija me të, pa lëre që të më bënte magji, sa dhe ta doja. Ai më tregoi se donte një vajzë. Jetonte në shtëpinë e tij. Ishte nusja e tij. Nëna i’a çonte me makinë në shkollën e mesme. E mbaj mend si tani që ajo në fotografi, kishte një gjoks të bukur. Fotoja ishte me ngjyra si ato në filma. Dhe kjo më stepi. Në Shqipëri atëherë bëheshin fotografi vetëm bardhë e zi.

Por, si ta rrokte mendimin tim, më dha një shirit të tërë filmik me ngjyra. Dhe unë pashë nën veshje të bukura sportive një vajzë adoleshente të bëshme, të guximshme në vështrim dhe në rininë e saj, në shëndetin e saj si prej vajze që vinte nga populli. Dhe sidomos syri i saj nuk ia bënte tërr fare, nuk donte t’ia dinte. Ajo ishte, ajo ekzistonte si qepët nën dhé, si frutat në degë, si disku i diellit, si masa e rrumbullt e valës së ujit që vjen dhe përplaset në breg.

Energji, bukuri, ngrohtësi. Dhe ajo i dinte që i kishte. I dhuronte këto në egërsinë dhe vetvetishmërinë e një vajze që e pëlqejnë: butësi, ngrohtësi, plotëri, formësim i mrekullueshëm njerëzor dhe vajzëror. Asgjë më shumë. Ajo vetëm i ndiente, siç i shpaloste. Ja tek jam. Një kulmim i pastër, i patrembur dhe i pakushtëzuar nga asgjë, veç nga ato lidhka dhe fijëza që e krijuan, e mbushën dhe e endën të bukur e të plotë. Dhe vetëm të tillë, vetëm si të tillë. Pa pyetur për gjë tjetër.

Ky djalë do të vinte t’më takonte një ditë para se të nisesha. Ai erdhi te bari i hotel “Arbërisë”, ashtu i larë, i sa polarë. Ishte një ditë e bukur fillim vere gjithë diell, e përmbytur me diell. Trupi, fizionomia e tij dhe ashtu vetiu të njomësht të dukeshin se kishin marrë një përmasë të tejdukshmërisë. I vareshin ende rrëketë e dushit në fytyrë, në ballë. Flokët ishin si një masë e lagështitur, mish dhe flokë njeriu bashkë. Më tha se nga banja duhet të dalësh i pa fshirë me peshqir. Kishte një libër në dorë. Ishte para provimeve të fundvitit në universitet.

Më kujtohet se kishte vuajtur për humbjen e Hollandës në Kampionatin Botëror të Futbollit. Se kishte veshur rroba portokalli dhe e kishte ndjekur me trishtim. Ishte sikur ta kishte fshikur vapa pasionin e tij, sikur ta kishte shuar sëmundja pasionin e tij futbollistik. Humbje e së madhes e së bukurës. E skuadrës së Hollandës së Krujfit. Pa ai i ishte nënshtruar humbjes si sëmundjes, me dëshirë. Dhimbje, eja më merr ti më mirë, se sa të humbë skuadra e zemrës. Dhe prapë ajo kishte humbur.

“Po Ginsbergun, a e ke lexuar”? – më tha. Ginsbergun as e kisha dëgjuar. Bashkimi një ditë më parë më kishte thënë se, duke qenë atje lart, njerëzit i shmangeshin, nuk i jepnin miqësi. Ai kishte nevojë për miq. Aa, ku e kishim fjalën? Te Ginsbergu, profili yt prej nëne, profili yt prej Spanje. Ky djalë i njomë vërtet po më çmendte. Profili yt prej ballkanaseje, profili yt tragjik, profili yt Iberik, po shtoja me vete. Imazhe që më mbetën për një kohë të gjatë të ngulura fort në tru. Nuk di sa janë te Ginsbergu.

Të nesërmen në mëngjes ai erdhi prapë. “Ke ç’lexon aty ku je”, më kishte pyetur. Eh, kam dhe s’kam, i pata thënë. Më solli dy libra: “Prometeu i lidhur” dhe “Zonja me kone”. U çudita që më solli dy libra që, i pata lexuar e stër lexuar. Por ky djalë nuk ishte vetëm ashtu i drejtpërdrejtë. Kishim folur për letërsinë. Për tregimin “Dama pik”, të Pushkinit. Shijet e tij ishin krejt të tjera nga ato që propagandoheshin atëherë.

Kishim folur për Kafkën, për Kadarenë. Buzëqeshte nga kënaqësia kur përmendte Kadarenë. E kam mik, më thoshte. Prapë ai kishte dhe diçka më përtej asaj që shfaqte. Një ditë më parë më kishte folur gjatë për një film që mua më mbeti në mendje, si: “Çmendina”. Edhe sot që e njoh mirë atë film, kështu ia mbaj mend emrin. Film me aktorin Xhek Nikolson. Dhe më tha se aty kishte një indian të Amerikës, që nuk fliste. Nuk donte të fliste.

Kot së koti, për një gjest, për një pa natyrshmëri ndaj tij, ai indiani bëri memecin, të pagojin. Dëgjonte dhe refuzonte të fliste. Realiteti i çmendinës është ai i denatyrimit, i shformimit të personalitetit njerëzor. Dhe pastaj revolta e këtij njeriu të virgjër, e këtij indiani, si rrugëdalje nga çmendina, si respekt për atë që di ta jetojë çmendinën, di t’i nënshtrohet çmendinës dhe di të jetë ndryshe, i paprekur nga ajo.

Po mahnitesha për informacionin. Ky djalë “nga ata lart” fliste për regjime që çmendnin njeriun. Si ka mundësi që diktatura pillte mu në thelb të saj anti diktaturën? Këtë nuk ia thashë. Kudo ndodh, ndodh kështu më tha. Çmendina është një realitet i kudondodhur.

Dhe librat që më solli atë mëngjes ishin shumë instruktivë. Jo librat vetë, sesa ajo çfarë thoshin me shkrimin e tyre në kapakët e brendshëm përkthyesit e tyre. Aty kishte dedikime shumë mikluese për Kryeministrin, të cilit ia patën dhuruar. Më tha se shumë shkrimtarë të suksesshëm shqiptarë në atë kohë, bënin dedikime të tilla. Bënin e ç’nuk bënin. Por ajo që të çonte tej kufijve të çmeritjes, ishte nënkuptimi se Shqipëria është një çmendinë. Bota e tërë është një çmendinë. Di ta jetosh çmendinën, botën tonë apo nuk di? Të mos ta jetosh atë pa qenë i ndërgjegjshëm se, ajo është e tillë.

5.

Unë ika me një mbarsje të rëndë intelektuale dhe ndjesore nga takimi me Bashkim Shehun. Isha i ngarkuar rëndë me një ushqim që do t’më duhej një kohë e gjatë që ta tresja. Mua më kishin drejtuar tek ai, dy miqtë e mi që ta kandis, sa ai të ndikojë te i ati që të shpëtoja nga miniera. Sigurisht, që nuk ia çava kokën me atë se si isha e, se sa keq ndjehesha. Një që është në minierë, dihet se ç’është. I’u shmanga qarravitjeve. Vetëm kaq i thashë: ja si në minierë.

Po mesazhin indirekt e kisha marrë. Ne nganjëherë jetojmë në një çmendinë. Padrejtësi ka. Këtu në Shqipëri, ata atje në SHBA, etj. Kudo, atje-këtu, sa të ketë segregacion, aparteid, njëlloj është. Kudo do të jetosh nën një shtet, nën një ligj mbi kokë. Totalitarizmi është ligjësi mënjanë. Natyraliteti njerëzor është ligjësi më vete, në anën tjetër. Këto të dyja nuk përkojnë. Sa të ketë kultura të ndryshme, që s’e pranojnë njëra-tjetrën, deformimet ekzistojnë. Edhe shtrëngesat.

Sa duhet përshtatur shteti me natyralitetin e njeriut dhe sa njeriu me totalitaritetin e ligjit? Kush e gjen këtë? Hajde dhe gjeje edhe sot në mënyrën më të përkryer këtë gjë! Është përplasja midis natyrës dhe kulturës. Kur natyra jonë nuk përshtatet, atëherë njeriun e veçojnë, e burgosin, e çojnë në spitalin psikiatrik. Vuan edukimin dhe ilaçet e çmendinës. “Riedukimin në radhët e klasës punëtore”.

Puna është që ta dish se diktatura është çmendinë dhe, po munde, ta mposhtësh ti çmendinën brenda saj, jo të të mposhtë çmendina ty. Këto që thashë deri tani për “çmendinën”, vetëm u nënkuptuan. Nuk u shqiptuan. Të ikja nga Tirana me mendime të tilla në kokë, ishte shumë për mua atëherë. Po, siç thashë, isha ende nën përshtypjen e mbresave. Kishte kohë të mendoja dhe t’i stërmendoja gjatë mesazhet direkte dhe të fshehta që mora nga ky takim.

6.

Më kryesorja e mbresave ishte se unë kisha takuar njeriun e bukur, njeriun e lumtur. Jo djalin e Kryeministrit. Dhe hiç nuk ndjeva zili a cmirë, a ndonjë ndjenjë sadopak negative për të. Përkundrazi e simpatizova. Për të gjitha ato që rrezatonte dhe që ai aq bujarisht e çiltër m’i shfaqte. Ai as dyshonte, as mendohej shumë për këto. Për atë se si i kishin rënë në pjesë të mirat e lumturitë. Ai i gëzonte, i manifestonte. Dhe të takohesh me një të lumtur, është një që të ngjall emocione pozitive. Të ndriçon përbrenda. Sidomos kur është dhe njeri i mençur.

M’u kujtua biseda me një mikun tim, shkrimtarin S.S. Kur po më përcillte nga Tirana, ai më kishte thënë: “Sadik, ti re në minierë, po mos kujto se në botë nuk ekzistojnë më lumturia dhe bukuria. Poezia. Hapi sytë që t’i shohësh. Para syve të t’u janë”.

Ishin takuar miniera dhe piku i lumturisë shqiptare. Por edhe rinia e përvoja. Ishin takuar të pa takuarat. Dhe ja, pisa e zezë, miniera, takohet dhe e adhuron të lumturin. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Gjithkush ëndërron lumturinë. Edhe kur nuk e prek dot vetë, se ia kanë ndaluar ta prekë. Se kështu janë punët në këtë botë. Janë ndarë gjërat. Ti në terr, ti, tjetri, në Olimp. Atëherë pse mos t’i gëzohesh çastit, kur e sheh nga afër, gati e prek atë fatlumin që e ke ëndërruar.

Të kërkosh “si” dhe “pse kështu”, është e kotë. Të kërkosh që t’i ndryshosh gjërat, rendin se si janë, prapë e kotë. Ato nuk kanë arsye, pse janë kështu dhe jo ndryshe. Ato nganjëherë janë, janë dhe asgjë më shumë. Nuk kanë themel. Janë kapriço e së thënës. Që thotë kështu të bëhet dhe jo ndryshe. Nuk del dot kundër asaj që thotë: kështu dhe jo ndryshe. Ne ishim bij të fatalitetit.

Të asaj: kështu dhe jo ndryshe. Ndaj saj, heshtin zilitë, cmirat. Heshtin ajo ç’dua unë dhe ajo çdo dhe ç’heq fati im. Ajo që unë të jem kështu, si jam dhe ai ashtu siç është. Dhe pastaj, pastaj, ç’mund të thuash sikur e thëna nesër të ndërrojë mendje e të thotë: as kështu, as ashtu. Duke mbetur në rrethin e hekurt të fatalitetit, secili duhet të ishte i kënaqur me vendin që i ishte caktuar.

Dhe nëse ferri shtang e i gëzohet asaj që është e kundërta e tij, ç’mund të bëjë tjetër? Ferrin ti nuk ia do vetes, pse t’ia duash tjetrit? Dhe atëherë, le të jemi përtej vetes. Sidomos kur ai që është sipër nesh, arsyeton. Të thotë, ose të lë të mendosh, se kjo ndodh vetiu. Jo vetëm sot, por edhe nesër: ndodh të jesh i ri, i bukur, i pasur. Ndodh që të jesh plak, i sëmurë, i varfër, i papërfillur.

Që të braktis e dashura, të humbë pasuria, të vdesin fëmijët. Plakesh dhe vdes vetëm e pa të vështruar njeri. Fatkeqësia është më e shpeshtë se lumturia. Nuk e shohim atë, sa e shpeshtë është rreth nesh. Se nuk e duam. Se e pandehim veten sipër saj. Se e kemi pranuar që ajo të jetë, por për të tjerët, jo për vetë ne. Ne e shohim që ajo është kudo, vetëm kur biem në ferrin e saj.

7.

Pastaj…ato ishin vite aq të ashpra, aq të mbrapshta. Më të pasigurtat për lumturinë dhe bukurinë. Në ato kohë një pllakë e rëndë guri, pllakë hata, vërtitej fare ulët në ajër. Vërtitej e vërtitej mbi kokat e të gjithëve. Kujtdo mund t’i binte në kokë në të mirë e sipër. Sado ta ulje kokën, të gjente. Dhe pas kësaj nuk kishe më derman. S’kishte ilaç tjetër. Do shkoje nga të shkoje dhe shërim do të kërkoje vetëm te Partia. Partia ta shëronte kokën ose ta shtypte kokën.

Sigurisht, kundrejt një shpërblimi nga ana jote, një shërbimi për Partinë. Por pllaka prapë sillej e vërtitej në ajër. Koha nuk mund të merrte frymë, pa atë pllakën e fatkeqësisë së papritur mbi kokën e dikujt. Mjerë kujt i vinte radha që ajo t’i binte mbi kokë. Mjerë kush nuk dinte të bënte pazar me Partinë, pasi t’i binte tulla në kokë. Dhe mjerim e vaj për ata të cilëve Partia nuk u kërkonte më as pazar, as shpërblim. U kërkonte si kasapi, vetëm kokën. Heqjen e kokës nga supet.

Pas 1970-ës, sistemi papritmas u çmend. U vërtitën jo një e dy, por dhjetëra e qindra tulla të rënda në ajër. Dhe ato po u binin mbi koka gjithnjë e më shpesh atyre që ishin më afër regjimit, sistemit. Dhe shumë lumturi dhe bukuri u prishën. Në këtë vend ku bukuritë dhe lumturitë ishin me kursim. Madje, fatkeqësimi i qëllimshëm i vendit ishte ligjësi.

8.

Isha mësues në Libohovë, kur Mehmet Shehu dhe familja e tij, pësuan krusmën dhe mynxyrën. Sido që edhe ashtu larg e larg, dënimi dhe tatëpjeta ime lidhej me emrin e tij, unë ndjeva keqardhje për atë njeri. Për familjen e tij. Për Bashkim Shehun në veçanti. Përse? Se u njoha me Bashkim Shehun. Se i njihja shijet dhe idetë e tij. Se ai më kishte kuptuar dhe indirekt më kishte këshilluar për mirë. E vuajta këtë gjëmë që po i ndodhte. Nuk e di, edhe sot nuk e di pse e vuajta si për një njeriun tim.

9.

Dhe atëherë tregimet e tij e kishin atë fillin e asaj që realitetin e merr dhe e degdis në të magjishmen. Që të dyja këto, reale dhe imagjinare, kanë një palë porta të ngjitura ngushtë e ngushtë në shpatulla të njëra-tjetrës. Nëpërmjet këtyre portave mund të ndërrosh realitet lehtësisht. Mund të kapërcesh pragun e reales e të gjendesh në fantazi të butë a të zezë, ashtu siç mund të zbresësh prej fantastikes drejt e në ashpërsinë e zbrazëtinë e reales.

Që këto porta t’i dish se ku janë, t’ua dish ku i fshehin çelësat, për t’i çelur që të bujtësh si mik i zakonshëm dhe fare i mirëpritur në të dyja dhomat përtej portave, në anën e mbrapshtë dhe në anën e mbarë të tyre – kjo është çështje e mjeshtërisë së të shkruarit. Kjo është aftësi prej shkrimtari, po edhe të kesh patur një fat njerëzor fatalisht të jetuar e të tallandisur rëndshëm si ai i Bashkim Shehut. Për këtë dëshmon dhe ky libër me tregime. Libër mbase me vetëdije i konceptuar kështu, gati në një monotemë. /Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

 Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/para-se-te-nisesha-me-denim-si-minator-ne-memaliaj-takova-bashkim-shehun-te-peza-dhe-kur-folem-per-kadarene-ai-me-tha-deshmia-e-panjohur-e-poetit-dhe-shkrimta/