“Para rajonit të Policisë së Selenicës, u afruan Bedri Spahiu, djali i madh i Beqir Ballukut me gruan, Kristo Themelko, e shoqja e gjeneral Halim Xhelos dhe…”/ Dëshmia e ish-telekronistit të Vlorës

Nga Vasil Qesari

Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

 KOMISIONET E DEBIMIT

Një mënyrë tjetër origjinale, për luftimin e armiqve dhe kundërshtarëve të regjimit, qenë edhe internimet. Nga ana formale, ato realizoheshin nëpërmjet një vendimi të rëndomtë administrativ, të marrë prej të ashtuquajturit Komision të dëbimeve i cili funksiononte pranë çdo Komiteti Ekzekutiv. Emërtimi i tij, në realitet, sipas dekretit Nr. 5912 të vitit 1979, ishte Komisioni i Internimeve dhe i Ndalimit të Qëndrimit. Në fakt, komisioni në fjalë, s’bënte gjë tjetër veçse zbatonte ekzekutimin e listave të përpiluara nga Sigurimi, në bashkëpunim me këshillat popullore e organizatat e Frontit Demokratik. Individët e familjet që dëboheshin (eufemizëm cinik i regjimit), çoheshin me dhunë për të jetuar e punuar në zona të shkreta, të thella e të humbura, aty ku edhe survejimi e kontrolli i tyre ishte më i lehtë e, izolimi nga shoqëria, i plotë. Sipas rasteve, të internuarit i degdisnin në mjedise të pabanueshme të tilla si: baraka, stalla lopësh, ndërtesa të rrënuara e të braktisura e, rrallë herë, edhe në pallate dy-trekatëshe, të pista, pa ujë e pa instalime elektrike.

Me t’u vendosur aty ku qenë caktuar nga Komisioni i dëbimeve, familjeve a individëve të internuar, u ndalohej rreptësisht lëvizja pa leje jashtë zonës së punës e banimit. Ata ishin të detyruar të paraqiteshin dy herë në ditë në postat e policisë, tek operativi i zonës apo aty ku ata mungonin, në Këshillin Popullor. Përsa i përket fëmijëve, ata arsimoheshin gjer në përfundimin e shkollës 8-vjeçare e, pastaj, nisnin punën ashtu si edhe prindërit e tyre: në ferma, kooperativa bujqësore apo miniera…! Të shkulur nga rrënjët familjarisht apo fillikat, të ardhur nga veriu i vendit e të instaluar në jugë apo anasjelltas, të internuarit shpërndaheshin anë e kënd Shqipërisë. Ekzemplarë e specimenë të qytetarëve të kategorisë së dytë, hebrenj të rinj të kampeve shfarosëse stalinistë, ata ishin jo vetëm viktima të dhunës ekstreme të sistemit, por edhe të shoqërisë së indoktrinuar me ndjenjat e urrejtjes e neverisë ndaj armiqve të klasës e tradhtarëve të vendit.

 “Unë kam lindur në Gradishtë – tregon Murat K. – Isha fëmija i parë që linda në atë sektor të fermës. Nuk dëshiroj të flas për varfërinë e mizerjen që kemi përjetuar, por dua të ve në dukje gjendjen tonë të shkatërruar psikologjike, e cila nuk na ndahet e na terrorizon për ditë. Imagjinoni! Unë sa kisha mbushur 5 vjeç, kur u arrestova për herë të parë nga policia. Gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak ne, të “deklasuarve”, s’na lejohej të preknim pushkë me dorë, por na delte shpirti duke punuar në “brigadat e punës”. Ne, as që kemi menduar kurrë, për vitet tona të rinisë…! I vetmi ankth i yni, ka qenë si e si të ruheshim e të mos binim në burgjet e tmerrshme të Spaçit a Burrelit, aty ku kishin përfunduar gjithë prindërit e të afërmit tanë…! Ne s’dimë gjë se ku ndodhen varret e 12 të vdekurve të familjes. Gjer në vitin 1953, këtu në sektorin tonë, s’kish varreza, sepse të gjithë vdisnin nëpër burgje…”! Si në gjithë vendin dhe në Vlorë, fushatat e internimeve organizoheshin sipas lëvizjeve të diagramës së luftës së klasave. Zakonisht në situatat e tensionuara politike apo gjatë zbulimit të komploteve e grupeve të reja armiqësore. Kështu, për shembull, aty nga mesi i viteve ’70-të, në kujtesën e banorëve të qytetit do të mbetet i paharruar internimi brenda një nate i  më se 50 familjeve.

(Skena rrëqethëse. Me trokitje në dyer, urdhra për t’u bërë gati për pak minuta e për t’u nisur drejt vendesh të panjohura. Me plaçka e njerëz që flakeshin si bagëti mbi karroceritë e kamionëve ushtarakë. Me lemerisje kalamajsh e fytyra të deformuara nga tmerri. Pamje të tilla, vlonjatët e moshuar, i kishin parë vetëm gjatë dimrit të vitit 1943. Atëherë kur, qindra bashkëqytetarë të tyre qenë rrëmbyer e internuar nga nazistët në kampet shfarosëse të Dakaut e Mat’hauzenit).

Ngjarja, pat bërë jehonë të madhe e kish gjeneruar ngado, tmerr e frikë. Pas saj, njerëzit ishin kërrusur e mpakur edhe më tepër. Ata falënderonin zotin që kishin shpëtuar edhe asaj radhe…! Në Vlorë, vendet klasike të internimit ishin zonat më të thella e më të vështira në rreth, si p. sh. ndërmarrjet bujqësore të Kotës, Petës, Llakatundit, Lubonjës, fshatrat e Vërmikut, Kuçit, Gjormit, qyteti i Selenicës e më vonë, qendra bujqësore e Akërnisë. Në ato qyteza e ferma të pista mizerabël, mund të gjëje kategori të ndryshme armiqsh. Fise të mëdha bajraktarësh nga Veriu, familje të anëtarëve e drejtuesve të bandave diversioniste, të ish – drejtuesve të organizatave nacionaliste Balli Kombëtar e Legaliteti, ish-kuadro të larta të PPSH të akuzuar për komplote a revizionizëm, familje e individë të porsa dalë nga burgjet për agjitacion e propagandë apo tentativë arratisje etj.

 (Për kronologji historike, ndofta ia vlen të përmendim se, në Vlorë, vendi i parë i internimeve pat qenë ishulli i Zvërnecit. Por, autoritetet e kishin mbyllur shumë shpejt atë, sepse internimi i armiqve në atë parajsë natyrore qe konsideruar privilegj e luks).

Por, vendi simbol i internimeve, ishte qyteti minator i Selenicës. Qysh mbas çlirimit e, tradicionalisht edhe më pas, për të vuajtur dënimin, aty instaloheshin dhjetëra e dhjetëra familje. Ato, jetonin të grumbulluara në një lagje me shtëpi përdhese e përkrah njëra – tjetrës, me një çezmë të vetme e WC të përbashkët. Ujërat e pista derdheshin në mes të rrugës duke përshkruar pragjet e shtëpive-baraka. Dizenteria e hepatiti bënin kërdinë sidomos tek fëmijët. Në atë humbëtirë, qenë zvarritur e kishin kaluar jetën mjaft njerëz, midis të cilëve edhe emra të njohur të historisë së para e pas Luftës së Dytë Botërore. Qyteti, paskësh pasur një fat të zi, si vetë bitumi që nxirrej nga thellësitë e tij. Ai qe shndërruar në sinonim të mjerimit njerëzor. Banorët, dukej se ishin ambientuar aq shumë me praninë masive të njerëzve të ndaluar, sa që dhe atyre u dukej vetja të internuar. Dhe, në fakt, ashtu ishte…! Të braktisur mes baltës, plehrave, mizerjes e në varfëri të plotë, të harruar në fund të botës, ata e kalonin pjesën më të madhe të jetës si urithët, nenë tokë. Aty, në galeritë e thella të minierës, duke nxjerrë bitumin që rrugët e tyre s’e kishin parë kurrë me sy…!

…Midis të tjerash, nga Selenica, ruaj një kujtim të veçantë. Ishte viti 1983.  Mbas-dite. Ndodhesha para MAPO-s së vetme të qytetit. Shoferi i seksionit të bujqësisë, V.B., më pyeti në se isha kureshtar të shihja një spektakël ku, protagonistë ishin disa të internuar – personazhe të dikurshëm të jetës politike shqiptare. Me shumë dëshirë! – iu përgjigja me kureshtje. “Atëherë, presim dhe ca… – shtoi ai – Për pak minuta, pikërisht në orën gjashtë, të internuarit e Selenicës paraqiten për apel në rajonin e policisë…”! Rajoni ndodhej nja 50 metra larg. Në katin e dytë të Bar-restaurantit të vetëm të qytetit. Pa vajtur endé ora gjashtë, drejt shkallëve që çonin lart në polici, pashë fillimisht të drejtohej një burrë i moshuar. Ai kaloi pranë nesh. I kërrusur, me bastun e kasketë në kokë. “Ky është edhe më i përpikti nga të gjithë… – tha shoferi.

Kush është ai? – pyeta. Bedri Spahiu…! Ish-anëtar i dikurshëm i Byrosë Politike…! Me sa di, duhet të jetë internuar në Selenicë, qysh prej 20 vjetësh a më tepër – shpjegoi V.B.

Bedri Spahiu…?!  Ai jetonte endé…?! Ndërkohë që e dija të vdekur prej kohësh…?! U ktheva mbrapsht në vegime kujtimesh. Fotografinë e tij e kisha parë vetëm një herë në jetën time. Në një libër të botuar fill pas çlirimit. Qe një botim gjysmë politik, gjysmë letrar. Ai ish përkrah Enver Hoxhës e Sejfulla Malëshovës. Bedriu shtatvogël e me tipare të prera si me thikë. Me sy inteligjentë e me nishan në faqen e djathtë. Poshtë fotografisë, qe shënuar edhe grada e tij: Gjeneral – major Bedri Spahiu…!

Më pas, për të kisha lexuar diçka, nga ato që shkruanin librat e Partisë. Për veprimtarinë armiqësore, përjashtimin nga gjithë forumet e saj, internimin etj. Qysh nga ajo kohë, kish kaluar një jetë e tërë e, tashmë, ai ishte një emër plotësisht i harruar. E pashë edhe një herë atë plak, i cili edhe pse i kërrusur, në fytyrë ruante endé një shprehje krenarie. E pastaj, përsëri, pyeta veten: Si qe e mundur që ai ish endé gjallë…?! Si i kish shpëtuar plumbit? Pse vallë, Enver Hoxha, ta kish kursyer…?!

“Shih, shih…! Po vijnë të tjerë…”, – më shkundi nga mendimet zëri i shoferit – “Ja, ai burri me pallto të zezë, është Kristo Themelko! Tjetri, mbas tij, është djali i Beqir Ballukut me të shoqen. Ndërsa, ajo gruaja flokëbardhë, është e shoqja e ish – gjeneralit Halim Xhelo. Ptu…! Maskarenjtë ! Dikur kanë qenë kapo, me vila e vetura, ndërsa tani jetojnë për faqe të zezë. Mirë t’u bëhet…”!

Vazhdova të shoh i tronditur kortezhin e atyre njerëzve si hije, të cilët dukej sikur dilnin diku nga fundi i dheut, e që më ngjanin, nuk e di pse, me personazhet e tragjedive antike greke. Pastaj, hodha sytë përreth. Selenicarët, ecnin poshtë e lart, në sheshin para MAPO-s e Bar-Restorantit. Indiferentë, të zymtë e me fytyra të rreshkura. Si hije…! Pa kurrfarë kureshtje për të ndjekur atë spektakël të rrallë. Me gjithë mjerimin, të paktën, ata, nuk janë të detyruar të paraqiten çdo ditë në polici, ngushëllova veten me një ndjenjë të thellë trishtimi. Ndërkohë, po ngrysej. Hipëm në makinë e u kthyem në Vlorë. Skenat e impresionet e asaj mbasdite, më mbetën në mend, të fiksuara përgjithmonë…!

NE KTHETRAT E HETUESISË

Asnjë diktaturë s’mund të jetojë pa ushtrimin e terrorit. Ish kjo arsyeja pse, efektiviteti i punës së Sigurimit, matej gjithmonë me numrin e të arrestuarve, të burgosurve si dhe zbulimin e grupeve armiqësore. Rrjedhimisht, qenë me mijëra e mijëra ata që përfundonin qelive, duke qenë viktima të pafajshëm të një vampiri i cili s’ngopej kurrë me gjak. Sekretet e qelive, torturave, metodave të përdorura, mënyrës së hetimeve e përgatitjes së proceseve politike në Shqipëri, përbëjnë një mister më vete. (Edhe pse, në mënyrë të përciptë disa herë është folur për to, e vërteta e plotë është larg ). Sepse, duhet theksuar, se hetuesia shqiptare, ashtu si vetë shteti totalitar shqiptar, për nga egërsia, sadizmi e metodat kriminale të përdorura, s’mund të krahasohet me asnjë strukturë tjetër të ngjashme të ish- shteteve komuniste të Lindjes.

Aktualisht, në vende të ndryshme perëndimore, bie fjala në Francë, kur flitet për dhunën totalitare,vihen në dukje me përparësi, barbaritë e policive politike të disa prej ish-vendeve komuniste si, p.sh, të Bashkimit Sovjetik, Gjermanisë Lindore, Bullgarisë e në mënyrë të veçantë të Rumanisë.

Asnjë fjalë, apo shumë rrallë e shkarazi, flitet për dhunën e pashembullt të ushtruar në Shqipëri. Si edhe herë të tjera, për arsye të pakuptueshme, martirizimi i këtij vendi nga diktatura është lenë në harresë. Ky qëndrim është aq absurd e flagrant, sa që në botimin më voluminoz e më të plotë të realizuar ndonjëherë në Perëndim, të titulluar ‘Libri i zi i komunizmit’, fati tragjik i Shqipërisë lihet pa u zënë në gojë ose radhitet sa për statistikë. Aty, për të, janë shkruar vetëm dy-tri paragrafë. Ndërsa, në ato pak artikuj analitikë e studime të shkruara në Francë, po për Shqipërinë, materialet e shembujt ilustrues janë tepër të kufizuar. Ato, në mënyrë të përsëritur i referohen vetëm një materiali prej 60 faqesh që, fatmirësisht Amnesty International ka botuar më 1984 e ku, me fare pak dëshmi, tentohej të hidhej dritë mbi ferrin e atëhershëm shqiptar…! Megjithatë, them se, është më mirë t’i a lemë vetes këtë detyrë, e jo ta presim nga të tjerët. Ja pse, është në nderin e detyrën e vetë shqiptarëve që të shkruajnë e t’i referohen sa më shumë e më shpesh, asaj epoke. Vetëm kështu, Memoria e Kujtesa, do të triumfojnë duke fituar betejën e vështire mbi Harresën e Kohën që kalon.

Më poshtë, pikërisht për këtë qëllim, do të përpiqemi të sjellim vetëm disa dëshmi. Në kujtimet e tij, prifti katolik A.L., tregon: “Qelia ime në hetuesi, nuk ish veçse një WC burgu, mbushur plot ekskremente të thara. Për 9 muaj me radhë, aq sa më mbajtën mbyllur në të, ajo nuk u pastrua asnjëherë. Një ditë, shefi i hetuesisë, më thirri në zyrë. Fill mbas pyetjeve të para, ai më qëlloi me grusht në fytyrë e pastaj, thirri edhe tre hetues të tjerë. Ata më rrethuan e nisën të më godasin duke më shtyrë si top, nga njeri tek tjetri. Pastaj, një prej tyre, më kapi fort për gryke duke më zënë frymën. Më mbajti ashtu, gjer sa rashë ne tokë pa ndjenja. Por, kjo nuk mjaftoi…! Hetuesi tjetër, hipi mbi trupin tim pothuajse pa jetë, e nisi të më godasë me çizme, në bark, gjoks e fytyrë. Ndjeva kërcitjen e brinjëve që po thyheshin. Në fund, shefi i hetuesisë, kërkoi të pranoja krimet që kisha kryer ndaj popullit. Kur iu përgjigja se, nuk kisha bërë asnjë krim, ata më vendosën elektroda me korrent elektrik në tëmtha e, unë humba përsëri ndjenjat. Ishte diçka çnjerëzore, e pa imagjinueshme…!

Një ditë tjetër më ç’veshën lakuriq, më lagën trupin me ujë e më lidhën duart me litar. Kështu, të varur, aq sa vetëm majat e gishtave të këmbëve më preknin në tokë, më mbajtën për më tepër se 8 orë. Ndjeva se, dalëngadalë, trupi po më paralizohej. Këmbët më peshonin si dy trungje të renda akulli. Më dukej se po jepja shpirt. Megjithatë, gjeta fuqi e nisa të bërtas, të ulërij. Vetëm atëherë, ata më ulën, më liruan duart e më lejuan të vishem…! I mbyllur në qeli, s’kisha të drejtë të kryeja as nevojat e mia personale, përveçse dy herë në ditë: në mëngjes e në   darkë. Ndodhte shpesh që të sëmuresha nga diarreja, por me gjithë lutjet, gardiani nuk ma hapte derën për të shkuar në banjë. Atëherë, nuk gjeja zgjidhje tjetër, veç të “çlirohesha” në tasin me të cilin më sillnin ushqimin e përditshëm. Pastaj, në orën e lejuar për të kryer nevojën, shkoja në WC dhe e laja para se të merrja me të, racionin e mëngjesit apo të darkës.

Gjatë një bisede, të zhvilluar më 1995 me ish-kuadrin e hetuesisë shqiptare B.K., lidhur me metodat që përdoreshin ndaj të arrestuarve politikë, ndër të tjera, ai tregon: “Përgjithësisht, hetimet para zhvillimit të proceseve politikë, zgjasnin shumë. I akuzuari iu nënshtrohej seancave të pyetjeve për muaj të tërë. Sipas praktikës, ato zhvilloheshin zakonisht mbas mesnate e me turne, shpesh herë edhe duke ndërruar hetuesit në çdo katër orë. Gjatë pyetjeve, për të plotësuar e realizuar ashtu siç duhej kuadrin e akt-akuzës, në raste “rezistence”, aplikoheshin tortura të ndryshme. Kështu, për shembull, fillimisht të akuzuarit rriheshin keqas e u pritej uji.

Më pas, në rast se “kokëfortësia” e tyre vazhdonte, zbatohej gjithë arsenali i torturave të njohura. Ata mbaheshin për orë të tëra, lidhur me zinxhirë e të zhytur në ujë. U digjej mishi me cigare, u hiqeshin thonjtë me pinca, u vihej tension elektrik në tëmtha e organe gjenitale, u shkuleshin dhembët etj.

Torturat ishin të tilla që, i akuzuari s’u bënte dot ballë e dorëzohej shpejt. Pas kësaj, ai lutej vetëm për një gjë: të dënohej ose të bëhej diçka që të vdiste sa më shpejt. Por torturat, në fakt, ndërpriteshin vetëm atëherë kur i akuzuari firmoste akt-akuzën duke pranuar çdo gjë që ish shkruar në të.

(Ndodhte madje që, kur të akuzuarit i thuhej në ndonjë rast të veçantë se, me të kish ndodhur një keqkuptim e se ish i “pafajshëm”, ai frikësohej dhe më tepër, sepse mendonte se kish të bënte me ndonjë provokacion të ri).

I arrestuari qe gati të pranonte çdo lloj akuze tjetër, pa e çarë kokën se sa e pavërtetë qe ajo. Vetëm e vetëm që të shpëtonte nga torturat e të dënohej sa më shpejt me burgim. Ishte kjo pra, gjendja e shkatërruar psikologjike e shpirtërore e të pandehurve para hapjes së proceseve gjyqësorë, skenarët e të cilëve përgatiteshin qysh më parë e gjer në detajet më të imta. Në hetuesi, atyre u mësohej përmendësh “roli” që duhej të luanin para trupit gjykues e të pranishmëve në sallë. Nder shembujt më të fundit të egërsisë e metodave ekstreme të hetuesisë, ishin edhe ato që u zbatuan mbas zbulimit të “Grupit armiqësor të Mehmet Shehut” më 1982. Lidhur me to, skena rrëqethëse paraqet emisioni ‘Shqipëria e Enver Hoxhës’ (L’Albanie d’Enver Hoxha), i cili u transmetua për herë të parë nga kanali televiziv franko-gjerman Arte, në shtator 1997.  Filmi dokumentar, i realizuar nga Robert Qafëzezi, në bashkëpunim me Ismail Kadarenë, ndër të tjera, paraqet edhe filmime origjinale nga proceset e Kadri Hazbiut, Fiqrete Shehut e Feçor Shehut. Memorie.al

                                                            Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/para-rajonit-te-policise-se-selenices-u-afruan-bedri-spahiu-djali-i-madh-i-beqir-ballukut-me-gruan-kristo-themelko-e-shoqja-e-gjeneral-halim-xhelos-dhe-deshmia-e-ish-telekron/