“Para ndeshjes me ‘Flamurtarin’, në Vlorë, kamarieria s’më la të paguaja dhe duke m’u lutur më tha…”/ Dëshmia e rrallë e legjendës së futbollit beratas që u shënoi 43 portierëve

Nga Uvil Zajmi   

Pjesa e parë

Memorie.al / Historia e jetimit që u bë yll në vitet ‘70’ – ’80-të dhe shënonte sa herë ishte i sëmurë. Bomberi që Boriçi nuk e donte në kombëtare sepse, ishte i shkurtër. “Kovaçi gol”, një libër unik nga Vlash Pambuku për goleadorin, legjendën që i shënoi 43 portierëve gjatë karrierës së tij. I gjithë qyteti, nga të vegjlit në kopshte, nxënësit në shkolla, ndërmarrjet, të rritur, gra e burra, jetonin me golat e tij. Nga fëmijëria jetim, pastaj familja, sëmundjet, momentet dhe golat spektakolarë, përballjet në derbi me “Naftëtarin”, një karrierë e konvertuar në një banesë dhomë e kuzhinë si dhe një frigorifer “Obodin”, të vetmet që mori në 20-të vite karriere si futbollist. Kryente shërbimin ushtarak me detyrë ndërlidhës, kur u shpall goleadori më i mirë shqiptar. Çfarë bën sot ish-mekaniku i Ujësjellësit, njeriu simbol i Beratit, “Pantera” e “Tomorrit”, goditja e të cilit ka ndëshkuar çdo skuadër? Një histori e rrallë e futbollistit që, nuk luajti asnjëherë me përfaqësuesen e Shqipërisë…?!

Jetim i vogël, një fëmijëri e vështirë!

Një jetë e filluar pa nënë. Jetim që në moshën 3-vjeçare, me një ekonomi shumë të rënduar në familje, Rim Kovaçi ishte fëmija i parafundit i katër vëllezërve e tre motrave. Asnjë traditë

familjare për sportin, aq më shumë për futbollin. Ai që i ka qëndruar pranë, ka qenë vëllai i madh, Fatmiri, madje në zdrukthëtarinë ku punonte, e merrte dhe me mundësitë që kishte, i jepte çdo ditë drekën.

Me të atin e moshuar që ishte nënë e baba për të, kjo ka qenë fëmijëria e tij, ku e gjithë familja, në veçanti kunatat, kanë larë pafundësisht rrobat e sportit dhe kanë qenë të angazhuar e preokupuar për ta ndihmuar atë. Pa e ditur se ai do të bëhej një ndër futbollistët më të shquar jo vetëm për Beratin por, për gjithë Shqipërinë, një famë që e shoqëron edhe në ditët e sotme.

Fillimet si të gjithë tek “Pionieri”

Fillimet, si të gjithë fëmijët në Shqipëri, edhe në Berat janë të lidhura me “Shtëpinë e Pionierit” të qytetit. Kur ishte 8-të vjeç, luante në fushën afër stadiumit të vjetër, pastaj ndeshjet me shkolla, takimet e lagjeve midis pallateve, një gol me roveshiatë në fushën pranë spitalit e shkollës “Thimi Nika”, ku trajnerët e moshave, Zoji Konomi dhe Filip Leci, zbuluan talentin e tij. Nga para të rinjtë, në Gjirokastër, trajnerët Guxim Mukli dhe Agim Matrapazi, e aktivizojnë si titullar duke e konfirmuan si e ardhmja e futbollit beratas, e pas tri viteve kalon me ekipin e të rinjve, protagonist në disa takime miqësore, ku veçohen ato ndaj ekipeve kosovare.

Në vitin 1973, trajneri Mon Xhamo i “Tomorit” e merr me ekipin e parë që luan në kategorinë e dytë. Aty gjen edhe shokët e ekipit si: Teli Zahon, Luke Hodon, Ajet Hoxhën, Aleksandër Monkën, Tajar Spahon, Petrit Cilingirin, Agim Matrapazin, Ylli Karkanjozin, Suvorov Seferajn, Gëzim Spahiun, Hektor Buzën, Hysen Malën, Milto Monkën dhe Nasho Kulen. Pastaj me ato që bëri historinë: Robert e Arben Kokalari, Roland Halili, Theollori e Arben Arbëri, Bardhyl Kadëna, Leonard Bakalli, Adriatik Firaj, Fatos Ciringiri, Kristaq Mile, Demokrat Zinxhiria, Ismail Zinxhiria, Arben Hysi, Arjan Bakiri, Vasil Marakashi, Maksim Tole, Jovan Lala, etj., me të cilët do të luajë për disa vite.

Çfarë e karakterizonte?

Jo shumë i gjatë, madje trupshkurtër, robust, Rim Kovaçi vetëm 1.68, me numër këmbë 39, pra jo me karakteristika ideale për të qenë një golashënues tipik, i “rëndë”. Sulmues, gjithmonë shqetësues për mbrojtjet, i shkathët, guximtar, nuhatës, sakrifikues e me sedër të lartë, i përgatitur fizikisht, i shpejtë, shiu, terreni, koha e keqe, faktori fushë nuk kanë qenë problem për të.

Luante më të dyja këmbët, lojtarë tipik zone, i paparashikueshëm, trim, kokën e fuste te këmba e kundërshtarit, por edhe në lojën në lartësi, askush nuk e ka ndaluar e penguar të ishte i fortë edhe aty, madje shumë nga golat me kokë, i ka shënuar duke kërcyer mbi Safet Berishën, Kujtim Çoçolin, Kastriot Hysin, Mujo Targajn, etj., të konsideruar “gjigantët” e ajrit.

I shpejtë, 12 sekonda në 100 m. dhe 3.9 sekonda realizonte kohën në 30 metra. Impulsiv, punonte gjatë edhe pas stërvitjes. Guxim Muklin e konsideron jo vetëm trajnerin e zgjuar, punëtor e shumë taktik por, edhe njeriun që i dha famë, i mundësoi një karrierë të gjatë e të bujshme me të cilën, jeta e Kovaçit është e pandarë.

Si jetonte i gjithë qyteti me golat e tij?!

I gjithë qyteti, zonat përreth në dy dekada, kanë jetuar me golat e tij, të cilat janë një pafundësi, duke i shënuar të gjitha skuadrave dhe janë 43 portierë që kanë provuar shijen e hidhur të nxjerrin topin nga rrjeta, pas golit të Kovaçit. Ai është një ndër golashënuesit më të mirë të vendit, dhe më i miri i “Tomorit”. “Kujdes Kovaçin”, ka qenë këshilla e trajnerëve të skuadrave kundërshtare, kur luanin kundër “Tomorit”. Golin e parë (madje është një dy golësh) e ka realizuar në Delvinë, në fitoren 4-2 të “Tomorit” ndaj “Bistricës”.

Ndërsa në Berat, në fushën e vjetër, golin e parë “vendas”, e ka shënuar në pjesën e parë kundër një ekipi të fortë si “Dajti”, dhe 1-0 ka përfunduar e gjithë sfida. Duke iu referuar librit “Kovaçi Gol” dhe “Enciklopedia Sportive e Qytetit tim”, botime me shumë vlerë të Vlash Pambukut, regjistrohen rreth 85 gola në aktivitetet zyrtare, siç janë kampionatet. Por, ai ka realizuar edhe në Kupë, miqësore, Kategorinë e dytë, në ndeshjet e marra përforcim, etj. Pra vështirë të llogaritësh golat e tij gjatë njëzet viteve që ka luajtur.

Cilët janë golat e paharruar?

Goli më i bukur, i dyfishtë për nga vlerat, Rim Kovaçi e ka realizuar ndaj “Besëlidhjes”, në fund të sezonit 1976-‘77, në finale e Kategorisë së Dytë: Berat, arbitër Ramiz Pregja, fusha e vjetër me spektatorë të ardhur nga e gjithë zona, ndeshja e kthimit: Kovaçi ka zotëruar me gjoks një top, i shmanget tre mbrojtësve dhe me roveshatë, realizon një gol spektakolar në pjesën e parë. Rezultati 1-0, si 90-të minutat në Lezhë dhe kemi kohën shtesë që, shoqërohet edhe me dy gola të tjerë shënuar nga Bakalli e Buza dhe 3-0.

“Tomori” siguron pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë. Pastaj dy golat kundër “AEK”-ut të Athinës në Greqi në Kupën Ballkanike, me fanellën e “Flamurtarit”, golat në Stadiumin “Qemal Stafa” ndaj Ilir Luarasit të “Dinamos”, Bujar Sharrës së “17 Nëndorit”, Jani Kaçit të “Skënderbeut”, Vladimir Ajazit të “Lokomotivës”, Perlat Mustës së “Partizanit” dhe Bujar Gogunjës së “Labinotit”, kur ky i fundit ishte në kulmin e formës së tij.

Goli me dorë dhe “hakmarrja” vlonjate…!

Stadiumi i vjetër në Berat, luhet kundër “Flamurtarit”, treshe me arbitra nga Tirana, rezultati 0-0 pas pjesës së parë. Ndërsa ka filluar e dyta, Kovaçi i ndodhur në zonë, e ka devijuar topin me dorë dhe rrjetë nga porta e qytetit. Askush nuk e ka parë, vetëm portieri Berberi, që ka protestuar, por nuk ka ndryshim në vendimin e arbitrave dhe përfundimisht: 1-0 për “Tomorin” mbyllet takimi. Ndeshja e kthimit faza e dytë në Vlorë, gjatë gjithë lojës, e kanë ofenduar me shprehje tipike vlonjate.

Por, fundi ka qenë ndryshe. Një gol i shënuar prej tij, ka bërë të ndryshojë edhe kahu i tifos: Janë kthyer të gjithë me të. Ndërsa në Shkodër, ka një tjetër moment të paharruar: Sapo ka filluar loja, është goditje këndi nga porta jugore, Kici Mile, ka harkuar në zonë, Kovaçi i ulur në gjunjë, me kokë ka goditur befasishëm dhe rrjetë. Goli ka bërë të heshtë i gjithë stadiumi, duke i lënë të mahnitur tifozerinë shkodrane, tejet pasionantë.

Vetëm dhjetë minuta për të shënuar gol!

Në Vlorë, duhej një pikë për të shpëtuar skuadrën. Rim Kovaçi i sëmurë gjatë gjithë javës, as në stërvitje nuk ka marrë pjesë, por me skuadrën ka udhëtuar. Trajneri Mukli, nuk e përfshin në formacion dhe pas pjesës së pare, shifrat janë 1-0 për kuqezinjtë vendas.

Kur kishin mbetur edhe 10-të minuta lojë zv/trajneri Andera Xheblati, i kërkon Muklit të aktivizojë Kovaçin. “Nuk luan se është sëmurë”- ishte përgjigja. “T’i them njëherë”? “Bëj ç’të duash”- mbyll debatin Mukli. “Zhvishu se do luash” -i drejtohet Xheblati Kovaçit. Edhe 3 minuta lojë, goditje këndi: Gol i Kovaçit, 1-1, rezultat që shpëton “Tomorin”.

Gol ndaj portierit të Jugosllavisë, Enver Mariç!

Edhe ky është një moment shumë i veçantë për karrierën e Kovaçit Nuk e marrin në kombëtare, as me ekipin “Shpresa”, pra nuk ka asnjë takim takim ndërkombëtar. Por, janë vlonjatët që kanë

menduar për të. Krejt papritur, e kanë njoftuar dhe i kanë bërë një ftesë se do të luajë me “Flamurtarin” në Kupën Ballkanike, sezoni 1981-‘82, në një grup ka janë “Velezh” i Mostarit (Jugosllavi) dhe “AEK” të Athinës. Ajo që i ka mbetur thellë në kujtesë, është një fakt i madh personal sportiv: I ka shënuar gol legjendës, idhullit të shqiptarëve për kohën, portierit të famshëm të Jugosllavisë së asaj kohe, shqiptarit Enver Mariç, madje në Mostar, ku vlonjatët kanë humbur 1-4.

Pastaj edhe ndaj “AEK”-ut të Athinës në Vlorë, në fitoren 2-1 të “Flamurtarit”, me gola të Spiro Çurit dhe Kovaçit. Në atë kohë “Flamurtari”, ishte një skuadër e afirmuar me protagonistë ku luanin Spiro e Leonidha Çuri, Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Uran Xhafa, etj. Bashkë me to edhe Rim Kovaçi, e ka një pjesë të vogël në historinë e lavdishme të klubit vlonjat, të paktën për ato pjesëmarrjen ballkanike.

Në Uznovë ushtar, goleador dhe i dashuruar

Me interesimin e Klubit Sportiv dhe të Komitetit të Partisë së Rrethit, me qëllim që të ishte afër ekipit të “Tomorit”, dhe për të shmangur çdo largim për tek klubet e kryeqytetit të interesuar për të, e kanë caktuar të kryejë shërbimin ushtarak në Uznovë (në dalje të Beratit), në një repart ndërlidhjeje. Jemi në sezonin 1979-‘80, kur Kovaçi është në kulmin e formës sportive, shënon gati në çdo takim dhe pikërisht në atë kampionat, ai është shpallur golashënues më i mirë i Kategorisë së Parë, me 21 gola, duke qenë njëkohësisht futbollist – ushtar me detyrë ndërlidhës.

Madje në Uznovë edhe u dashuruar me gruan që ka sot. Ajo punonte në kuzhinën e repartit të baterisë, fillimisht një miqësi, pastaj diçka më shumë dhe në vitin 1987 vjen martesa. Me Uznovën e lidh edhe një detaj: Një italian i ardhur më 1991-in, si administrator i ‘Repartit të Baterive’, informohet nga tifozët për të, dhe nga ai moment shkonte në stadium për të ndjekur çdo ndeshje të Tomorit, edhe pse Kovaçi ishte në fund të karrierës së tij. I solli edhe një palë këpucë futbolli, të cilat Kovaçi ia fali një futbollisti të ri.

Me numri 10-të në fanellë, por asnjëherë kapiten?!

Gjithë karrierës ka luajtur me numrin 10-të në fanellë, ndonëse në fillimet e tij, ka përdorur atë me 14, kur ishte rezervë (Janë vitet kur pas një vendimi të FSHF-së skuadrat duhet të aktivizonin detyrimisht një 18-vjeçar madje edhe zëvendësimi i tij bëhej me një futbollist të kësaj moshe). Numrin tradicional e të preferuar 10-të, e mbante i njohuri Nevruz Hodo. “Ky do të jetë e ardhmja e Beratit dhe numri 10-të i takon atij” – thonin të gjithë për të.

Por, ajo që veçohet në karrierën e gjatë të Rim Kovaçit, është një fakt shumë interesant: Asnjëherë nuk ka qenë kapiten i skuadrës, një detyrë që me modesti nuk e ka pranuar, pasi i ka mjaftuar vetëm ajo që të shënonte. Dhe ka qenë sistematik në çdo edicion, gjithmonë në elitën e goledaorëve shqiptarë e beratas: Pasi ka startuar me 8 gola në vitin 1975-‘76, kur “Tomori” luan në të dytën, vijon me 5 gola pas Hektor Buzës, me 8 gola në kampionatin kur “Tomori” u ngjit në të parën. Pastaj 9 gola, pas Agim Muratit të “Partizanit” me 12, dhe të Medin Zhegës të “Vllaznisë”, me 11 gola.

Në edicionin 1978-’79, Kovaçi realizon 7 gola dhe renditet pas Petrit Dibrës tw “17 Nëntorit” dhe Agim Muratit të “Partizanit” në kuotën e 14 golave, Ferdinand Lleshit të “Labinotit” me 13, Ilir Pernaskës të “Dinamos” me 12, e Vladimir Skuros të “Naftëtarit” me 11 gola. Kulmi arrin në atë kampionat që pason: Ndonëse skuadra i shpëton rënies në Kategorinë e dytë, duke u renditur në vendin e 12, Kovaçi shpallet golashënues më i mirë i kampionatit: 18 gola, pas tij Luan Seiti i “Luftëtarit” me 16 gola dhe Dashnor Bajaziti i Besës” me 14.

Në edicionin tjetër Dashnor Bajaziti me 12, Kovaçi 6. Sezoni 1981-’82, Kovaçi shënon 6 gola, sërish 6 gola në atë 1982-‘83 që fitohet nga Bajaziti me 16 gola, për të ardhur te kampionati 1984-‘85, me Arben Mingën e Tiranës dhe Faslli Fakjen e “Vllaznisë” në krye, me 13 gola dhe për herë të pare, dy beratas pas tyre: Arben Arbëri me 7 dhe Kovaçi me 6 gola.

Në sezonin 1985-‘86 shpërthen Kujtim Majaci i “Apollonisë” së Fierit me 20 gola, ndërsa Kovaçi shënon 12. Sezoni 1986-’87, mbyllet me 3 gola nga Kovaçi dhe skuadra bie në Kategorinë e Dytë. Janë vitet kur evidentohet tashmë i riu me perspektivë Arben Arbëri, që shënon 14 e 12 gola, e pas tij Kovaçi me 5 e 9 gola dhe skuadra rikthehet në Kategorinë e parë. Është sezoni 1989-‘90.

“Rim Kovaçi flet në fushë”!

Në një mbledhje të vogël para takimit me “Lokomotivën” e Durrësit, ku janë të pranishëm edhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe Sekretari i Parë i rrethit, në përfundimin të saj, ai i drejtohet Kovaçit: “O Kovaç pse nuk flet, na thuaj diçka”?! Por, në vend të tij, ishte trajneri Guxim Mukli, që u përgjigj: “Ai ka punë në fushë”! Dhe Kovaçi ishte autor i golit të parë të takimit që u fitua 2-0 nga “Tomori”.

Të shënosh një gol për kamerieren!

Skuadra e “Tomorit” ka ndeshjen e radhës për kampionat në Vlorë. Para nisjes për në stadium, ndërsa po pret kamerieren për të porositur drekën, ajo i afrohet dhe e thotë: “Kovaç, çfarë do marrësh? Pasi i ka dhënë porosinë, i habitur ai pyet: “Nga na njohu kjo”?. Pasi ka ngrënë dhe është bërë gati të paguajë, ka futur dorën në xhep, por ajo i është afruar, për t’i thënë: “I ke të paguara nga unë”! “Pse nuk je nga Vlora”, i është kthyer Kovaçi? “Jo-jam vajzë Berati dhe jam e bija e Ali Mesë, njeriut që shpërndan kosin dhe qumështin në qytet”, e sqaron ajo.

Ndërsa Kovaçi ka mbetur i shtangur, ajo ka vijuar: “Kam edhe një kërkesë. Të lutem do më bësh një gol për motrën, se nuk mund t’i duroj, më mbytën vlonjatët këtu në Vlorë”?! Ndërsa doli nga restoranti, Kovaçi dëgjon një trokitje te xhami i autobuzit: “Mos harro”. Dhe ai ka tundur kokën. Pas 90-të minutave, rezultati përfundimtar është: Flamurtari 1 dhe Tomori 1. Beratasit kanë barazuar pikërisht me gol të Kovaçit.

Në Fier kur befasoi Pali Miskën

Kampionati 1977-‘78, luhet në Fier, ndeshje rivalizuese, “Apolonia” ndaj “Tomorit” që sapo është ngjitur në Kategorinë e Parë. Klubi fierak ka trajner, Zihni Gjinalin dhe ka një mbështetje të madhe nga Pali Miska, Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit, që e mban dhe e trajton skuadrën “në pëllëmbë të dorës”. Kjo ishte ndeshja e tretë për Rim Kovaçin, i cili kishte realizuar edhe dy gola në takimet e para, ndërkohë që pak njihej në mjediset sportive, është i ri, sapo ka filluar të shquhet. Atë ditë ai realizon dy gola dhe “Tomori” fiton 2-0.

Ishte një surprizë e madhe, çka e detyron Pali Miskën të bëjë një mbledhje urgjente të nesërmen me skuadrën. “Nuk ka turp më të madh” – i drejtohet ai lojtarëve dhe më pas trajnerit Gjinali: “Çfarë bëhet kështu o Zihni”?! Përgjigja ishte: “Po hape gojën për Kavajën, është një skuadër plot sportistë të talentuar, po hape gojën për Beratin, ishte Kovaçi, ndërsa po hape gojën për Fierin, nuk kemi gjë, pasi kemi vetëm naftë e sere”. “Epo mire” -përfundoi Pali Miska: “Shesim naftën e serën e gjemë sportistë”! Pas këtij debati, mbledhja u mbyll me humor. Memorie.al

                                                   Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/para-ndeshjes-me-flamurtarin-ne-vlore-kamarieria-sme-la-te-paguaja-dhe-duke-mu-lutur-me-tha-deshmia-e-rralle-e-legjendes-se-futbollit-berata/